RASTET NE TE CILAT DIVORCI

BEHET NGA GJYKATESI

Shkëputur nga libri "Fikhu Suneh"

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


 

Në vitin 1920 dhe në vitin 1929 janë miratuar ligjet që përcaktojnë rastet në të cilat gjykatësi kryen divorcin (ka për qëllim në Egjipt). Këto ligje janë bazuar në hulumtimet individuale të juristëve islamë pasi në lidhje me këto raste nuk ka asnjë argument të qartë nga burimet e tjera të legjislacionit islam. Këto ligje janë miratuar në përputhje me parimet e pastra islame me qëllim përkujdesjen ndaj njerëzve dhe evitimin e situatave të vështira.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1920, përcakton lejimin e divorcit për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit si edhe për shkak të të metave të burrit.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, përcakton lejimin e divorcit për shkak të dëmtimit të gruas, mosprezencës së burrit pa ndonjë arsye dhe burgimit të tij.

Në vijim do të analizojmë secilin nga këto raste duke i shoqëruar me tekstet ligjore përkatëse me përjashtim të divorcit për shkak të të metave të burrit të cilin e kemi shtjelluar më përpara.

 

Divorci për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit:

 

Maliku, Shafiu dhe Ahmedi janë të mendimit se lejohet ndarja e bashkëshortëve për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare[1] të gruas nga ana e burrit. Kjo ndarje bëhet vetëm nga gjykatësi kur kjo kërkohet nga gruaja dhe kur burri nuk ka asnjë pasuri që dihet.[2] Këta dijetarë e kanë mbështetur mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Burri është i obliguar që të jetojë me gruan me mirësi ose ta divorcojë atë me mirëkuptim. Allahu i Madhëruar thotë:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[3]

Nuk ka dyshim se mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit bie në kundërshtim me të jetuarit së bashku me mirësi.

2- Allahu i Lartësuar thotë:

 

وَلا تُمْسِكُوهُنَّ ضِرَارًا لِتَعْتَدُوا

“Mos i mbani ato për t’i dëmtuar në mënyrë të padrejtë.”[4]

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”. Mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet dëmtim i saj dhe për këtë arsye duhet që gjykatësi të ndërhyjë për ta eleminuar këtë dëmtim.

3- Përderisa gjykatësi ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët për shkak të të metave fizike të burrit, atëherë mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet arsye më e fortë për ndarjen e tyre. Mospërballimi i shpenzimeve financiare është më i dëmshëm se të metat fizike të burrit dhe shkakton padrejtësi ndaj saj. Si rrjedhim, ndarja e bashkëshortëve nga ana e gjykatësit në rastin kur burri nuk është i aftë të përballojë shpenzimet financiare të gruas ka më shumë prioritet se ndarja e tyre për shkak të të metave fizike të burrit.

Ndërsa juristët e shkollës hanefije janë të mendimit se mospërballimi i shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit nuk konsiderohet arsye për ndarjen e tyre nga gjykatësi pa marrë parasysh nëse burri refuzon apo nuk ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve. Këta juristë e kanë mbështetur mendimin e tyre mbi argumentet e mëposhtme:

1- Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

لِيُنفِقْ ذُو سَعَةٍ مِنْ سَعَتِهِ وَمَنْ قُدِرَ عَلَيْهِ رِزْقُهُ فَلْيُنفِقْ مِمَّا آتَاهُ اللَّهُ لا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلا مَا آتَاهَا سَيَجْعَلُ اللَّهُ بَعْدَ عُسْرٍ يُسْرًا

“I pasuri le të shpenzojë sipas mundësisë së tij dhe ai që është në gjëndje të vështirë financiare le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu. Me të vërtetë Allahu nuk ngarkon askënd më tepër sa i ka dhënë. Allahu do të sjellë pas vështirësisë lehtësim.”[5]

Kur Imam Zuhriu është pyetur nëse duhej ndarë një burrë nga gruaja e tij për shkak të mospërballimit të shpenzimeve të saj, ai ka thënë: “Gruaja duhet të presë dhe nuk lejohet ndarja e bashkëshortëve.” Më pas ai ka lexuar ajetin e mësipërm kuranor.

2- Disa nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) kanë qënë të pasur dhe disa të tjerë kanë qënë të varfër. Megjithatë nuk dimë asnjë rast që Profeti (s.a.u.s.) ta ketë ndarë një prej shokëve të tij nga gruaja e tij për shkak të mosaftësisë financiare për përballimin e shpenzimeve.

3- Kur gratë e Profetit (s.a.u.s.) i kanë kërkuar atij të shpenzojë për to gjëra që ai nuk kishte mundësi, ai i ka larguar ato nga shtrati për një muaj si ndëshkim ndaj tyre. Përderisa kërkimi i gjërave që buri nuk ka mundësi t’i përballojë meriton të ndëshkohet, atëherë kërkesa për ndarje si pasojë e pamundësisë së burrit për përballimin e shpenzimeve financiare është e padrejtë dhe nuk mund të merret në konsideratë.

4- Nëse burri refuzon që të përballojë shpenzimet financiare të gruas pavarësisht se ka mundësi që ta bëjë këtë, atëherë mënyra më e përshtatshme për eleminimin e kësaj padrejtësie është shitja e pasurisë së tij për të përballuar shpenzimet ose burgosja e tij derisa të paguajë shpenzimet e gruas. Përderisa ka mënyra të tjera për eleminimin e kësaj padrejtësie, atëherë nuk duhet që të kërkohet ndarja e bashkëshortëve. Gjykatësi nuk ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët për shkak të mospërballimit të shpenzimeve pasi, siç e dimë, divorci është gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu (xh.sh.). Divorci është e drejtë e burrit dhe gjykatësi nuk ka të drejtë që t’i ndajë bashkëshortët përderisa ka mënyra të tjera për eleminimin e kësaj padrejtësie.

Gjykimi i mësipërm vlen për rastin kur burri është i aftë nga ana financiare për përballimin e shpenzimeve dhe refuzon pa të drejtë që ta bëjë këtë. Nëse burri është në gjëndje të vështirë financiare dhe nuk ka mundësi që të përballojë shpenzimet e gruas, atëherë kjo nuk konsiderohet padrejtësi pasi Allahu (xh.sh.) nuk e ngarkon askënd më shumë se Ai i ka dhënë pasuri.

Në artikullin e katërt të ligjit të miratuar në vitin 1920 thuhet:

“Kur burri refuzon që të përballojë shpenzimet financiare të gruas së tij dhe ai ka një pasuri të njohur, atëherë gjykatësi vendos pagimin e shpenzimeve të gruas nga kjo pasuri e burrit. Nëse burri nuk ka ndonjë pasuri që dihet dhe refuzon të përballojë shpenzimet financiare të gruas pa treguar nëse është i pasur apo i varfër, atëherë gjykatësi urdhëron ndarjen e bashkëshortëve në çast. Nëse burri pretendon se nuk ka mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e gruas së tij por nuk arrin që ta vërtetojë pretendimin e tij, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve në atë moment. Nëse burri vërteton se nuk ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve, atëherë gjykatësi i jep atij një afat kohor jo më të gjatë se një muaj për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj gruas. Nëse burri nuk i shlyen detyrimet financiare ndaj gruas së tij brënda afatit kohor të caktuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve.”

Artikulli i pestë thotë:

“Nëse burri nuk është prezent pasi ai ndodhet në një vend të afërt dhe ka një pasuri të njohur, atëherë gjykatësi vendos pagimin e shpenzimeve të gruas nga kjo pasuri e burrit. Nëse burri nuk ka ndonjë pasuri të njohur që mund të evidentohet, atëherë gjykatësi i cakton atij një afat kohor për të dërguar shpenzimet e gruas së tij. Nëse burri nuk i dërgon shpenzimet e gruas ose nuk paraqitet për përballimin e shpenzimeve brënda afatit të caktuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve pas përfundimit të afatit të caktuar.

Nëse burri nuk është prezent pasi ai ndodhet në një vend të largët, në një vend të panjohur ose ka humbur dhe nuk ka ndonjë pasuri të evidentuar, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve.”

Artikulli i gjashtë thotë:

“Divorci i bërë nga gjykatësi për shkak të mospërballimit të shpenzimeve financiare të gruas nga ana e burrit konsiderohet divorc me të drejtë kthimi. Burri ka të drejtë që ta rikthejë gruan e tij gjatë periudhës së pritjes nëse vërtetohet se ai ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve dhe është i gatshëm që ta bëjë këtë. Nëse nuk vërtetohet se burri ka mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve dhe se ai është i gatshëm që ta bëjë këtë, atëherë rikthimi i gruas është i pamundur.”

 

 

Divorci për shkak të Dëmtimit të gruas:

 

Imam Maliku[6] është i mendimit se gruaja ka të drejtë të kërkojë nga gjykatësi divorcin nga burri i saj në rast se ajo pretendon se burri e dëmton atë në mënyrë të tillë që jeta bashkëshortore në mes tyre bëhet e pamundur. Kjo përfshin ushtrimin e dhunës, ofendimin, dëmtimin e saj në mënyra të ndryshme që nuk mund të përballohen dhe detyrimin e saj për të thënë apo kryer diçka të ndaluar me fjalë apo vepra.

Nëse pretendimi i gruas vërtetohet dhe rezulton se dëmtimi e bën jetën bashkëshortore të pamundur, atëherë gjykatësi duhet të përpiqet që t’i pajtojë bashkëshortët. Nëse nuk arrihet pajtimi i bashkëshortëve, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e tyre përfundimisht.

Nëse gruaja nuk arrin që të vërtetojë pretendimin e saj dhe burri nuk e pranon akuzën e gruas, atëherë pretendimi i saj nuk merret në konsideratë.

Nëse gruaja ankohet nga burri i saj në mënyrë të vazhdueshme por nuk arrin që të evidentojë vërtetësinë e pretendimeve të saj, atëherë gjykatësi përcakton dy burra të drejtë dhe në moshë madhore që të gjykojnë këtë çështje. Është kusht që këta dy burra të kenë njohuri rreth jetës bashkëshortore të këtij çifti dhe të jenë të drejtë dhe të zgjuar për t’i pajtuar ata. Preferohet që këta dy persona të jenë të afërm të çiftit nëse kjo është e mundur pasi kështu ata do të kenë më shumë njohuri rreth konflikteve të bashkëshortëve dhe do të jenë më të aftë për t’i pajtuar ata. Nëse dy personat e caktuar nga gjykatësi nuk arrijnë që t’i pajtojnë bashkëshortët për shkak të refuzimit të burrit apo të dy bashkëshortëve, atëherë ata vendosin ndarjen e tyre në mënyrë përfundimtare[7]. Nëse vërtetohet se gruaja është shkaku i mospajtimit të bashkëshortëve, atëherë ata vendosin ndarjen e tyre sipas rregullave të divorcit të kërkuar nga gruaja duke ofruar një kompensim financiar (Khul’a).

Nëse dy personat e caktuar nuk arrijnë në një konkluzion të përbashkët, atëherë gjykatësi i urdhëron ata që të fillojnë studimin e kësaj çështjeje rishtazi. Nëse përseri nuk arrijnë në ndonjë konkluzion, atëherë gjykatësi i zëvendëson ata me dy persona të tjerë. Dy personat e caktuar duhet që të paraqesin para gjykatësit konkluzionin e tyre dhe gjykatësi, nga ana e tij, duhet që veprojë sipas gjykimit të tyre. Kjo bazohet në fjalën e Allahut të Madhëruar:

 

وَإِنْ خِفْتُمْ شِقَاقَ بَيْنِهِمَا فَابْعَثُوا حَكَمًا مِنْ أَهْلِهِ وَحَكَمًا مِنْ أَهْلِهَا إِنْ يُرِيدَا إِصْلاحًا يُوَفِّقْ اللَّهُ بَيْنَهُمَا

“Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre, atëherë dërgoni një person të drejtë nga familja e tij dhe një person të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu do t’ua mundësojë afrimin mes tyre (burrit dhe gruas).”[8]

Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu:

 

الطَّلاقُ مَرَّتَانِ فَإمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“Divorci bëhet dy herë. Pastaj ose jetoni së bashku me mirësi, ose ndahuni me mirëkuptim.”[9]

Meqë nuk është e mundur që bashkëshortët të jetojnë se bashku me mirësi, atëherë obligohet ndarja e tyre me mirëkuptim. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos dëmtoni veten dhe as të tjerët”.[10]

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë:

Artikulli i gjashtë

“Nëse gruaja pretendon se burri e dëmton atë në mënyrë të tillë që jeta bashkëshortore në mes tyre është e pamundur, atëherë ajo ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi. Gjykatësi i ndan bashkëshortët përfundimisht nëse evidentohet vërtetësia e pretendimit të gruas dhe pajtimi i bashkëshortëve është i pamundur. Nëse refuzohet kërkesa e gruas për shkak të mosvërtetimit të pretendimit të saj dhe më pas ajo ankohet në mënyrë të vazhdueshme pa arritur që të evidentojë dëmtimin e saj nga burri, atëherë gjykatësi cakton dy persona për të dhënë gjykimin e tyre në lidhje me këtë çështje në përputhje me artikujt 7, 8, 9, 10 dhe 11 të këtij ligji.”

Artikulli i shtatë

“Eshtë kusht që dy personat e caktuar nga gjykatësi të jenë të drejtë dhe të afërm të bashkëshortëve nëse kjo është e mundur. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë caktohen dy persona të tjerë të cilët kanë njohuri rreth jetës bashkëshortore të çiftit dhe që janë të aftë për pajtimin e tyre.”

Artikulli i tetë

“Dy personat e caktuar nga gjykatësi duhet që të studiojnë shkaqet e mosmarrveshjeve në mes të bashkëshortëve dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për pajtimin e tyre. Nëse pajtimi në mes të bashkëshortëve mund të arrihet në ndonjë mënyrë të caktuar, atëherë ata duhet që të japin gjykimin e tyre për këtë mënyrë.”

Artikulli i nëntë

“Nëse dy personat e caktuar nga gjykatësi nuk arrijnë që t’i pajtojnë bashkëshortët për shkak të sjelljes së keqe të burrit, sjelljes së keqe të dy bashkëshortëve apo për shkak të mosgjetjes së fajtorit, atëherë ata vendosin ndarjen e bashkëshortëve përfundimisht.”

Artikulli i dhjetë

“Nëse dy personat e caktuar nuk arrijnë në një konkluzion të përbashkët, atëherë gjykatësi i urdhëron ata që të fillojnë studimin e çështjes nga e para. Nëse përseri nuk bien dakord, atëherë ata zëvendësohen nga dy persona të tjerë.”

Artikulli i njëmbëdhjetë

“Dy personat e caktuar duhet që të paraqesin para gjykatësit konkluzionin e tyre dhe gjykatësi, nga ana e tij, duhet që veprojë sipas gjykimit të tyre.”

 

 

Divorci për shkak të mosprezencës së burrit:

 

Maliku dhe Ahmedi[11] janë të mendimit se lejohet divorci i gruas për shkak të mosprezencës së burrit me qëllim evitimin e dëmtimit të gruas. Sipas tyre, gruaja ka të drejtë që të kërkojë ndarjen nga gjykatësi nëse burri i saj nuk është prezent pa marrë parasysh nëse i ka lënë asaj pasuri për të përballuar shpenzimet apo jo. Për kërkimin e divorcit duhet të plotësohen këto kushte:

Mungesa e burrit të jetë pa ndonjë arsye të pranueshme.

Mungesa e burrit të jetë shkak për dëmtimin e gruas.

Burri të jetojë në një vend të ndryshëm nga vendi ku jeton gruaja.

Të kalojë një vit nga dëmtimi i gruas për shkak të mosprezencës së burrit.

Nëse burri nuk është prezent pranë gruas së tij për ndonjë arsye të pranueshme, si p.sh. kërkimi i diturisë, ushtrimi i një aktiviteti tregtar, punësimi jashtë vendit apo kryerja e shërbimit ushtarak, atëherë gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë ndarjen nga gjykatësi. I njëjti gjykim vlen edhe për rastin kur burri gjendet në të njëjtin vend ku jeton gruaja.

Vlen të përmendet se gruaja ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga largësia e burrit prej saj dhe jo thjesht nga mosprezenca e tij. Është kusht që të kalojë një vit që dëmtimi i gruas të jetë evident dhe ajo ta ndiejë mungesën e burrit dhe mallin për të në mënyrë që t’i frikësohet rënies në mëkat.

Periudha një vjeçare[12] është përcaktuar nga Imam Maliku ndërsa disa dijetarë të tjerë e kanë caktuar atë tre vjet. Ahmedi është i mendimit se periudha minimale për kërkimin e divorcit për shkak të mosprezencës së burrit është gjashtë muaj sepse kjo është periudha gjatë së cilës gruaja mund ta përballojë mungesën e burrit të saj. Ai e ka argumentuar mendimin e tij me gjykimin e Hafsasë pasi e ka pyetur Omeri (r.a.) në lidhje me këtë çështje. Këtë gjykim e kemi trajtuar me hollësi në kapitullin e dytë të këtij libri.

 

 

Divorci për shkak të burgosjes së burrit:

 

Maliku dhe Ahmedi mendojnë se lejohet divorci i gruas për shkak të burgosjes së burrit. Burgosja e burrit e dëmton gruan njëlloj si mosprezenca e tij. Nëse një burrë denohet me tre vjet heqje lirie ose më shumë sipas një gjykimi të formës së prerë dhe ai kalon në burg një vit ose më shumë, atëherë gruaja ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga mosprezenca e burrit. Sipas Malikut, nëse evidentohet vërtetësia e pretendimit të saj, gjykatësi duhet ta ndajë atë nga burri me një divorc përfundimtar. Ndërsa Ahmedi mendon se kjo nuk është divorc por prishje e aktit të martesës.

Ibn Tejmia thotë se sipas konsensusit të juristëve islamë, gruaja e burrit të burgosur, të zënë rob dhe atij që u ngjason këtyre dy rasteve konsiderohet njëlloj si gruaja e burrit që ka humbur pasi ajo nuk mund të ketë asnjë dobi nga burri.

Ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë:

Artikulli i dymbëdhjetë

“Nëse burri nuk është prezent për një vit ose më shumë pa ndonjë arsye të pranueshme, atëherë gruaja e tij ka të drejtë që të kërkojë divorcin. Gjykatësi duhet që ta divorcojë atë përfundimisht nëse është dëmtuar nga mosprezenca e burrit të saj edhe nëse ai i ka lënë asaj pasuri të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve.”

Artikulli i trembëdhjetë

“Nëse është i mundur dërgimi i letrave tek burri që nuk është prezent, gjykatësi i cakton atij një afat kohor ku e paralajmëron për divorcin e gruas së tij pas këtij afati nëse ai nuk vjen për të jetuar me të apo nuk e merr gruan me vete në vendin ku ai jeton. Nëse burri nuk e respekton këtë afat duke mos pasur ndonjë arsye të pranueshme, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve përfundimisht. Nëse nuk është i mundur dërgimi i letrave tek burri që nuk është prezent, atëherë gjykatësi vendos ndarjen e bashkëshortëve pa paralajmërim apo përcaktim të ndonjë afati kohor.”

Artikulli i katërmbëdhjetë

“Gruaja e një burri të denuar me tre vjet heqje lirie ose më shumë sipas një gjykimi të formës së prerë, ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi pas kalimit të një viti ose më shumë nga burgosja. Gjykatësi vendos që ta divorcojë atë përfundimisht për shkak të dëmtimit nga mosprezenca e burrit edhe nëse ai i ka lënë asaj pasuri të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve.”

Ndërsa divorcin për shkak të të metave fizike të burrit e kemi shtjelluar me hollësi më përpara.

 



[1] Me shpenzime financiare në këtë rast nënkuptojmë shpenzimet jetike të gruas për ushqim, veshmbathje dhe banim në kufinj minimal.Dhe qëllimi për mos posedim shpenzimesh këtu është për në të ardhmen por edhe në aktualitet. Kurse me të shkuarën nuk obligohet gjykatësi  ta pranojë kërkesën për ndarje prej gruas por shpenzimet kthehen në borxh mbi burrin se Allahu thotë:“Dhe nëse është në gjëndje të vështirë atëherë, pritje deri sa të lehtësohet.”( El-Bekare, ajeti 280.

[2] Nëse burri ka ndonjë pasuri të dukshme, atëherë nuk aplikohet divorci por burri obligohet të përballojë shpenzimet jetike të gruas së tij.

[3] Kuran: El Bekare 229

[4] Kuran: El Bekare 231

[5] Kuran: Et Talak 7

[6] Imam Ahmedi pajtohet me mendimin e Malikut, ndërsa Ebu Hanifja dhe Shafiu e kundërshtojnë këtë duke thënë se gruaja nuk ka të drejtë të kërkojë divorcin nga gjykatësi për shkak të dëmtimit të saj nga burri pasi ky dëmtim mund të evitohet në mënyra të tjera.

[7] Ebu Hanifja, Ahmedi dhe Shafiu (sipas njërit prej dy mendimeve të tij) mendojnë se dy personat e caktuar kanë të drejtë që t’i ndajnë bashkëshortët vetëm nëse burri i autorizon për këtë. Ndërsa Maliku dhe Shafiu (sipas mendimit tjetër) mendojnë se dy personat e caktuar kanë të drejtë që të bëjnë pajtimin e bashkëshortëve me ose pa kompensim si edhe divorcin e kërkuar nga gruaja në këmbim të një kompensimi financiar. Nëse personi që është i afërt i burrit gjykon që t’i divorcojë bashkëshortët, ai ka të drejtë që ta bëjë këtë pa pasur nevojën e autorizimit të burrit. Ata argumentojnë se këta dy persona janë gjykatës dhe jo persona të autorizuar.

[8] Kuran: En Nisa 35

[9] Kuran: El Bekare 229

[10] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[11] Maliku mendon se kjo ndarje konsiderohet divorc përfundimtar, ndërsa Ahmedi e konsideron atë prishje të Aktit të martesës.

[12] Kjo nënkupton një vit hënor.

 

 

 

nentemat

martesa
jeta bashkeshortore
lumturia
prinderit

 

 

© 2006-2007 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.