Surja Al Imran & En Nisa Xhuzi 4 (b)

 

166. Ajo që ju gjeti atë ditë[1], kur u ndeshën dy ushtritë, ishte me lejen e Allahut,[2] për t’u dalluar besimtarët e vërtetë,

167. dhe për t’u dalluar ata që ishin hipokritë. Atyre (hipokritëve) iu thuhej: “Ejani të luftoni në rrugën e Allahut[3] ose të paktën, të mbroheni![4]” Ata thanë: “Sikur ta dinim se do bëhej luftë, sigurisht që do ju pasonim.[5]” Por atë ditë, ata ishin më pranë mohimit se sa besimit, sepse me gjuhët e tyre thoshin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre.[6] Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.[7]

168. Atyre që nuk shkuan në luftë dhe që thanë për vëllezërit e vet: “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të ishin vrarë”, thuaju: “Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse thoni të vërtetën!”[8]

169. Kurrsesi mos i quani të vdekur[9] ata që janë vrarë në rrugë të Allahut[10]. Përkundrazi, ata janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.[11]

170. Të gëzuar për atë që u ka dhënë Allahu nga të mirat e Tij,[12] dhe njoftohen me lajmin e gëzuar se as për ata që do të vijnë pas tyre,[13] por që ende nuk janë bashkuar me ta[14], nuk do ketë frikë[15] dhe as nuk do të pikëllohen.[16]

171. Gëzohen[17] me dhurëtinë dhe mirësinë e Allahut,[18] dhe se Allahu nuk  ua humb shpërblimin besimtarëve.[19]

172. Atyre të cilët[20] iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit edhe pse kishin marrë plagë të rënda,[21] për ata që vepruan mirë prej tyre dhe që iu frikësuan Allahut, do të ketë shpërblim të madh.[22]

173. Atyre të cilëve[23] njerëzit[24] u thanë: “Njerëzit[25] janë mbledhur për t’ju luftuar ju, prandaj frikësohuni!”[26] Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin[27] atyre dhe ata[28] thanë: “Neve na mjafton Allahu e, Ai është Mbrojtësi më i mirë!”[29]

 -72-


[1] Ditën e luftës së Uhudit.

[2] Me caktimin e Allahut për ju, i cili nuk mund të kthehej mbrapsht, dhe nëse diçka e caktuar nga Allahu ndodh, nuk ka rrugë tjetër veçse ta pranosh dhe t’i nënshtrohesh asaj. Sigurisht që Allahu e caktoi këtë humbje në Uhud për muslimanët, për shumë e shumë dobi e mësime që u bënin dobi atyre si dhe për t’u dalluar hipokritët nga besimtarët.

[3] Për të mbrotjur fenë e Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Allahut.

[4] Të mbroni familjet, pasuritë dhe vendin tuaj.

[5] Por ne mendonin se nuk kishte për të ndodhur luftim mes jush dhe ushtrisë armike, prandaj u kthyem –edhe pse e dinin shumë mirë se do të zhvillohej luftë. Këtu hipokritët shfaqën atë që fshihnin në zemrat e tyre prej hipokrizisë dhe shprehën me gjuhën e tyre të kundërtën e asaj që fshihnin prej armiqësisë së Pejgamberit dhe besimtarëve.

[6] Kjo është veçoria e hipokritëve: thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.

[7] Dhe ua shfaq atë robërve të Tij besimtarë, si dhe i dënon për atë që fshehin.

[8] Kur thoni se sikur t’ju dëgjonin ju nuk do të ishin vrarë. Por ata nuk munden kurrë ta prapësojnë vdekjen nga vetja e tyre, por e thonë këtë fjalë për të bashkuar mes dezertimit nga xhihadi dhe përgënjeshtrimit e kundërshtimit të caktimit të Allahut dhe përmbushjes së caktimit të Tij. Në këto ajete kuptohet se njeriu mund të ketë në vete degë prej degëve të besimit dhe degë prej degëve të mohimit, dhe nga njëra prej tyre mund të jetë më afër se nga tjetra.

[9] Që nuk ndiejnë e nuk shijojnë gjë.

[10] Në luftën e Uhudit dhe në çdo luftë tjetër.

[11] Në banesën e nderimit të Tij, në gradë të larta dhe pranë Zotit të tyre.

[12] Të shumta, të mëdha e me shije të përsosur. Allahu u ka dhënë atyre të mira fizike, siç është ushqyerja, dhe shpirtërore, siç është gëzimi i lumturia.

[13] Prej vëllezërve të tyre besimtarë që i kanë lënë të gjallë në jetën e dynjasë.

[14] Ende nuk janë vrarë në rrugë të Allahut, por pritet të vriten në të dhe të bashkohen me ta, e të shijojnë të mirat e Zotit të tyre.

[15] Nga dënimi i Allahut. Do të qetësohen nga ajo frikë që kishin në dynja prej dënimit të Allahut.

[16] Nuk do të mërziten për atë që kanë lënë pas në dynja.

[17] Gëzohen dhe përgëzojnë njëri-tjetrin.

[18] Të mirat e pafundme që u ka dhënë Allahu dhe shpërblimin e madh për bindjen e tyre ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, si dhe për luftën kundër armiqve të Allahut.

[19] Për veprat që kanë bërë, por përkundrazi, ua shumëfishon atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

[20] Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve, atyre të cilët...

[21] Pasi ushtria muslimane u kthye nga Uhudi në Medine, dëgjuan se Ebu Sufjani me ushtrinë idhujtare do të sulmonin Medinen. Atëherë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), urdhëroi shokët e tij që t’u dalin atyre, dhe ata iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Pejgamberit, megjithëse kishin marrë plagë të rënda në Uhud, dhe të nesërmen mbërritën në vendin e quajtur “Hamraul esed”. Aty u erdhën disa njerëz, të porositur nga Ebu Sufjani, që t’u jepnin lajme për t’i trembur nga armiku.

[22] Tek Allahu në ditën e Kiametit, për veprat që kanë bërë në dynja.

[23] Edhe kjo fjali lidhet me fjalinë: “Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve”, dhe vazhdon: Atyre të cilëve njerëzit u thanë ...

[24] Disa njerëz të zonave përreth, të porositur nga Ebu Sufjani, me qëllim që frikësonin muslimanët.

[25] Ebu Sufjani me ushtrinë kurashite që luftuan në Uhud.

[26] Ruajuni ballafaqimit me ta, sepse ju nuk mund t’u dilni para atyre dhe nuk mund t’u bëni ball.

[27] Tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe tek premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij.

[28] Të vendosur e të bindur në rrugën drejt arritjes së Kënaqësisë së Allahut, me besim tek Allahu dhe të mbështetur tek Ai.

[29] Duke ia dorëzuar kështu çështjen Allahut, i Cili i rregullon më së miri çështjet e robërve të Tij.


 

174. Ata u kthyen[30] me dhurëtinë e Allahut dhe mirësinë e Tij,[31] nuk i preku asnjë e keqe[32] dhe ndoqën kënaqësinë e Allahut.[33] Allahu është Zotëruesi i mirësive të mëdha.

175. Por ai[34] është vetëm djalli, i cili ju frikëson me ithtarët e vet,[35] por ju mos iu frikësoni atyre, por të më frikësoheni vetëm Mua,[36] nëse jeni besimtarë[37]!

176. Mos të të brengosin ata që nxitojnë në mohim,[38] sepse ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu do që të mos u ndajë hise atyre[39] në botën tjetër, dhe ata do të kenë dënim të madh.[40]

177. Padyshim se ata të cilët e këmbejnë besimin me mohimin,[41] nuk do i bëjnë kurrfarë dëmi Allahut[42] dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.

178. Ata që mohojnë[43], të mos mendojnë se jeta që Ne u zgjasim është mirë për ta. Përkundrazi, Ne ua zgjasim jetën që t’u shtohen gjynahet, dhe ata do të kenë dënim poshtërues.[44]

179. Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju[45], deri sa të dallojë të keqin[46] nga i miri[47]. Allahu nuk ua tregon të fshehtën,[48] por Allahu zgjedh kë të dojë prej të dërguarve të Tij.[49] Pra, besoni Allahun dhe të dërguarit e Tij e, nëse besoni dhe ruheni[50], ju do të keni shpërblim të madh.

180. Ata të cilët bëjnë kopraci me të mirat që u ka dhënë Allahu,[51] të mos mendojnë se ajo (kopracia) është më mirë për ta![52] Përkundrazi, ajo është më keq për ta[53]! Ajo që grumbulluan nga kopracia, do t’u mbështillet atyre në qafë ditën e Kiametit.[54] Vetëm Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës[55] dhe Allahu njeh mirë gjithçka që veproni ju.[56]

 -73-


[30] Nga “Hamraul Esed” ku gjurmonin armikun, me shëndet të plotë, pa u ndeshur me të, madje Allahu futi tmerr në zemrat e armiqve kur dëgjuan se Muhamedi dhe ushtria e tij kishin dalë në kërkim të tyre, dhe morën të kthehen menjëherë në Meke.

[31] Allahu u dha sukses besimtarëve si dhe shpërblim të madh për shkak të veprës së mirë të tyre kur iu bindën Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe për ruatjen e tyre nga shkelja e urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[32] Nga armiku, në këtë ngjarje.

[33] E kënaqën Allahun me këtë vepër që vepruan: me pasimin e Pejgamberit dhe zbatimin e urdhrit të tij për të shkuar në gjurmim të armikut.

[34] Ai që ju tha juve, o besimtarë: “Njerëzit janë mbledhur për t’ju luftuar, prandaj frikësohuni!”, është shejtani, por me gjuhën e atyre që ua thanë këtë prej ithtarëve të tij idhujtarë, Ebu Sufjanit me shokë, me qëllim që t’ju frikësojnë dhe të trembeni prej tyre.

[35] Shejtani kërkon të frikësojë besimtarët me anë të ithtarëve të tij mohues e idhujtarë.

[36] Ky ajet tregon detyrueshmërinë e frikës vetëm ndaj Allahut dhe askujt tjetër, dhe se frika ndaj Allahut është nga përbërësit themelorë të besimit; në varësi të gradës së besimit që ka njeriu, është edhe frika e tij nga Allahu, e cila do të thotë: ruajtja dhe largimi nga ndalesat e Allahut.

[37] Nëse vërtetë më besoni Mua, të Dërguarin Tim dhe atë që i është shpallur atij prej Meje.

[38] Mos të të brengosë, o Muhamed, mohimi i atyre që nxitojnë në mohim dhe e lënë fenë prej hipokritëve, sepse nxitimi i tyre në mohim nuk e dëmton aspak Allahun, ashtu si edhe nxitimi në besim nuk i sjell ndonjë dobi Allahut, por të gjitha këto i kthehen njeriut.

[39] Që nxitojnë në mohim.

[40] Jo vetëm që nuk do të kenë hise në të mirat dhe begatitë e Allahut, por do të kenë dënim të madh në zjarrin e xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[41] Bëhet fjalë për hipokritët, të cilët nxitojnë në mohim dhe dalin nga besimi pasi hynë në të, dhe janë të kënaqur me mohimin e Allahut dhe të dërguarit të Tij, në këmbim të besimit.

[42] Por do t’i bëjnë dëm vetes së tyre, duke i shkaktuar asaj dënim të dhembshëm e të përhershëm në xhehenem.

[43] Allahun, të Dërguarin e Tij dhe shpalljet e Allahut.

[44] Allahu ia shtyn afatin zullumqarit, me qëllim që të shtohet sa më shumë tirania e tij dhe të thellohet mohimi i tij, por pastaj e kap atë me kapjen e të Plotëfuqishmit. Prandaj, të kenë kujdes ata që bëjnë padrejtësi nga shtyrja e afatit dhe të mos mendojnë se do i shpëtojnë të Madhërishmit, më të Lartit!

[45] Prej përzierjes dhe mosdallimit mes besimtarëve nga hipokritëve.

[46] Hipokritin, i cili e fsheh mohimin dhe shfaq besimin.

[47] Besimtari i sinqertë e i devotshëm, i cili është provuar me vështirësi e sprova, si në luftën e Uhudit, dhe i ka kaluar me sukses ato, duke qëndruar i vendosur në besim, me mirësinë e Allahut dhe suksesin nga Ai.

[48] Nuk është nga urtësia e Allahut që t’ua tregojë njerëzve se çfarë fshehin të tjerët në zemrat e tyre, dhe nuk është nga urtësia e Tij që të zbulojë atë që fshihet në zemrat e besimtarëve e të hipokritëve, por urtësia e Allahut është që të sprovojë robët e Vet dhe nga sprova të dallohen dhe të njihen besimtarët e vërtetë nga hipokritët dhe mohuesit.

[49] Dhe i tregon atij diçka prej asaj që fshehin zemrat e disave prej robërve të Tij, me shpalljen e Tij.

[50] Nga Allahu, duke ju bindur Atij në çdo gjë që ju urdhëron apo ju ndalon i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[51] Duke mos e dhënë zekatin e detyrueshëm të pasurisë së tyre apo të dijes së tyre duke ua mësuar njerëzve, dhe për çdo të mirë që u ka dhënë Allahu.

[52] Tek Allahu.

[53] Në jetën e tyre materiale dhe fetare, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[54] Ashtu si ka ardhur në një hadith të saktë nga Pejgamberi, ku thuhet: “Në ditën e Kiametit, pasuria e kopracit do të marrë formën e një gjarpëri helmues me dy dhëmbë të mëdhenj, i cili i mbështillet në qafë, pastaj i kap dorën me nofullat e tij dhe i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!” Pastaj Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) lexoi këtë ajet.” [E ka nxjerrë Buhariu, Muslimi, etj.]

[55] Allahu është Sunduesi dhe Zotëruesi i Vetëm i qiejve dhe i Tokës, dhe gjithçka do t’i kthehet Sunduesit të vet. Njerëzit do të kthehen tek Sunduesi i tyre pa asnjë lloj pasurie dhe pa asgjë tjetër, përveç veprave të tyre që kanë bërë në dynja.

[56] Dhe në varësi të veprave tuaja do t’u japë shpërblimi që meritoni, prandaj mos bëni kopraci, sepse kështu meritoni dënimin e Allahut, por jepni zekatin e pasurisë suaj, që të fitoni shpërblimin e madh tek Allahu.


 

181. Sigurisht që Allahu e ka dëgjuar fjalën e atyre[57] të cilët thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”[58] Ne do ta shënojnë atë që thanë ata, si edhe vrasjen e pejgamberëve nga ana e tyre pa asnjë të drejtë[59] dhe do t’u themi: “Shijoni dënimin e zjarrit!”[60]

182. Ky (dënim) është për shkak të asaj që vepruan duart tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Vet.[61]

183. Janë po ata të cilët[62] thanë: “Allahu na ka porositur[63] që të mos i besojmë asnjë të dërguari,[64] deri sa të na sjellë një kurban[65] që ta përpijë zjarri[66]!” Thuaju (o Muhamed): “Para meje ju kanë ardhur edhe të dërguar të tjerë me prova të qarta[67] dhe me ato që kërkuat[68]; atëherë, përse i vratë ata, nëse thoni të vërtetën[69]?”

184. Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (o Muhamed), edhe para teje janë përgënjeshtruar të dërguar të tjerë,[70] ndonëse sollën prova të qarta[71], shkrime qiellore[72] dhe Librin e ndritur.[73]

185. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen,[74] dhe vetëm në ditën e Kiametit do t’i merrni plotësisht shpërblimet tuaja[75]; kushdo që largohet nga zjarri[76] dhe futet në Xhenet, ai ka fituar.[77] Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.[78]

186. Ju patjetër që do të sprovoheni në pasuritë[79] e në vetet tuaja[80], dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga ata, të cilëve u është dhënë Libri para jush,[81] si dhe nga idhujtarët, por nëse ju duroni[82] dhe ruheni[83], padyshim se këto janë nga çështjet që merren vendosmërisht.[84]

-74-


[57] Një grupi prej jehudëve, të cilët kur dëgjuan Fjalën e Allahut: “Kush ështe ai që i jep Allahut një hua të mirë...” [El Bekare, 245], thanë në mënyrë mendjemadhësie dhe kryelartësie këtë fjalë të shëmtuar, për t’iu shtuar veprave të tjera të tyre të shëmtuara, siç ishte vrasja e të dërguarve të Allahut.

[58] Përderisa Allahu kërkon hua nga njerëzit, Ai ka nevojë për krijesat e Tij dhe për pasuritë e tyre! Sa fjalë të shëmtuar shprehin me gjuhët e tyre! Allahu nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat e Tij kanë nevojë për Të, madje nuk mund të qëndrojnë dhe as të jetojnë pa Allahun. Kur Allahu u kërkon besimtarëve hua të mirë, Ai nuk u kërkon për Vete, sepse në fakt çdo gjë që zotërojnë njerëzit është pronë e Allahut, edhe vetë ata, por Allahu i urdhëron ata që të japin lëmoshë të varfërve dhe të shpenzojnë në rrugë të hajrit, në xhihad, etj. Por jehudët mohues nuk e kishin për gjë të shtonin edhe më shumë mohimin dhe arrogancën e tyre, megjithëse e dinin shumë mirë kuptimin e kësaj Fjale të Allahut.

[59] Me vetëdije dhe paramendim dhe jo nga padija, por nga arroganca dhe rebelizmi kundër Allahut.

[60] Djegës e përvëlues, i cili depërton trupin tejpërtej.

[61] Allahu nuk bën kurrë padrejtësi dhe Ai është i Pastër nga kjo gjë, por ata e meritojnë këtë dënim për shkak të veprave të tyre të shëmtuara me të cilat i kanë kaluar të gjitha kufijtë.

[62] Po ata të cilët thanë se Allahu është i varfër, thanë gjithashtu fjalën në vijim.

[63] Në Librat e Tij, apo në gjuhën e dërguarve të Tij tek ata. Kjo ishte një gënjeshtër dhe trillim i tyre, dhe jo vërtetë porosi e Allahut. Ata bashkuan mes gënjeshtrës ndaj Allahut dhe kufizimit të shenjave të të dërguarve në përmbajtjen e kësaj fjale të tyre.

[64] Të mos besojmë asnjë njeri i cili thotë se është i dërguar nga Allahu dhe të mos i bindemi atij.

[65] Kurban quhet kafsha që besimtari e therr për Hir të Allahut, apo çdo lëmoshë që ai jep me qëllim që të afrohet tek Allahu dhe arrijë kënaqësinë e Allahut.

[66] Në atë kohë, përpirja e kurbanit nga zjarri ishte argument dhe shenjë se Allahu e kishte pranuar atë kurban.

[67] Dhe argumentuese për profetësinë e tyre dhe se ata janë dërguar nga Allahu, argumente dhe prova të qarta e të prera, me shikimin dhe vërejtjen e të cilave beson njeriu normal dhe i logjikshëm.

[68] Me atë që pretenduat se do të besonit sikur të vinte me të, prej përpirjes së kurbanit nga zjarri.

[69] Kur thoni se Allahu ju ka porositur që të mos besoni asnjë të dërguar, pa ju sjellë kurban që ta përpijë zjarri! Allahu i tregon Pejgamberit të Tij, Muhamedit dhe besimtarëve, se jehudët nuk ngurrojnë të mohojnë ty dhe profetësinë tënde, megjithëse e dinë shumë mirë të vërtetën tënde, madje e kanë të shënuar në Librin e tyre, por ata janë mësuar tashmë me mohimin e të dërguarve të Allahut, madje edhe me vrasjen e disave prej tyre, kështu që mos u çudit dhe mos u mërzit me qëndrimin e tyre, sepse Allahu sheh dhe shënon gjithçka që veprojnë ata dhe ata do të marrin dënimin e merituar.

[70] Prandaj mos u trishto dhe mos u mërzit për përgënjeshtrimin dhe qëndrimin e tyre ndaj teje.

[71] Argumente e mrekulli të qarta e të prekshme për të gjithë njerëzit.

[72] Të cilat nuk mund t’i zbrisnin e t’i shpalleshin veçse pejgamberëve.

[73] Librin që zbardh të vërtetën dhe e sqaron atë. Është fjala për Teuratin e shpallur Musait dhe Inxhilin e shpallur Isait. Por jehudët e përgënjeshtruan Isain dhe atë që iu shpall atij, si dhe shtrembëruan atë që thuhej në Teurat për Muhamedin, dhe po kështu vepruan edhe të krishterët në lidhje me atë që thuhej në Inxhil për Muhamedin.

[74] Çdo gjë me shpirt do ta shijojë vdekjen: njerëzit, kafshët, xhinët, engjëjt. Prandaj, ti o Muhamed, dhe ju o besimtarë, mos u mërzisni me mohimin e mohuesve dhe të idhujtarëve, sepse që të gjithë do të vdesin dhe do të kthehen te Krijuesi i tyre, ku do të japin llogari për veprat e tyre dhe do të marrin dënimin e merituar.

[75] Për vëprat që keni bërë në dynja. Por ju do të merrni shpërblim për to që në dynja, si dhe në jetën e varrezave-barzah, por shpërblimin e plotë do ta merrni në ditën e Kiametit.

[76] Kushdo, të cilin Allahu e largon nga zjarri dhe e fut në xhenet.

[77] Ai ka shpëtuar nga dënimi i madh dhe ka fituar fitoren e madhe, të përgatitur nga Allahu për robët e Tij besimtarë.

[78] Jo reale, e paqëndrueshme, e pavlerë, e pakët, prandaj mos u mashtroni nga kënaqësitë mashtruese të dynjasë, të cilën do ta lini shumë shpejt, dhe të harroni botën tjetër dhe punën për botën tjetër, ku do të qëndroni përgjithmonë!

[79] Me humbjen e pasurisë apo të një pjese të saj, ose me kuptimin se do të urdhëroheni të jepni zekat dhe lëmosh nga pasuritë tuaja, për t’u sprovuar nëse doni më shumë pasurinë apo Allahun, këtë botë apo botën tjetër.

[80] Me humbjen e të afërmve e miqve tuaj, ose me kuptimin se do të mundoheni me kryerjen e obligimeve të ngarkuara nga Allahu, nga të cilat edhe lufta në rrugë të Allahut ku mund të humbi edhe jetën tuaj, me sëmundjet që mund t’ju zënë, etj.

[81] Jehudët e të krishterët, prej fyerjeve të të cilëve ishin fjalët e tyre: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!”, “Allahu është dorështrënguar!”, “Mesihu Isa është biri i Allahut”, etj.

[82] Duke ju përmbajtur ligjeve të Allahut në marrëdhëniet me ta.

[83] I ruheni Allahut dhe keni frikë Atë në çdo gjë që ju ka urdhëruar e ndaluar, duke vepruar në bindje ndaj Tij.

[84] Nga çështjet e mëdha për të cilat garohet, por nuk arrihen veçse nga njerëzit e vendosur dhe me vullnet të fortë.


 

187. Kujto (o Muhamed) kur Allahu u mori besën atyre që u është dhënë Libri: do t’ua sqaroni atë[85] njerëzve dhe nuk do ta fshehni atë.[86] Por ata e hodhën pas shpine atë[87] dhe e këmbyen me një vlerë të vogël.[88] Nuk ka më të shëmtuar se ajo që marrin në këmbim![89]

188. Mos mendo (o Muhamed) se ata[90] që gëzohen për atë që kanë bërë[91] dhe dëshirojnë të lavdërohen për atë që nuk e kanë bërë, assesi mos mendo se ata do t’i shpëtojnë ndëshkimit[92] dhe ata do të kenë ndëshkim të dhembshëm.[93]

189. Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.[94] Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[95]

190. Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka prova për njerëzit me mend.[96]

191. Ata të cilët e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur e shtrirë[97] dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës[98]: “Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kotë këto,[99] i Pastër nga çdo e metë je Ti![100] Na ruaj nga dënimi i zjarrit![101]

192. Zoti ynë! Këdo që Ti fut në zjarr,[102] e ke poshtëruar[103] atë, dhe për të padrejtët[104] nuk do të ketë asnjë ndihmues.[105]

193. Zoti ynë! Ne dëgjuam një thirrës[106] që na ftonte në besim[107] duke thënë: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe ne besuam. Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona (të mëdha), na i shlyej të këqiat tona[108] dhe na bëj që të vdesim në numrin e të mirëve![109]

194. Zoti ynë! Na e jep atë që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu[110] dhe mos na poshtëro në ditën e Kiametit![111] Me të vërtetë, Ti nuk e shkel premtimin e dhënë!”

 -75-


[85] Është fjala për Teuratin dhe Inxhilin.

[86] Nuk do të fshehni asgjë prej tij, por do t’ua sqaroni dhe do t’ua mësoni njerëzve ashtu si ka zbritur dhe pa i ndryshuar kuptimin. As të mos fshehin profetësinë e Muhamedit, të cilin e gjejnë të shënuar në librin që kanë para duarve, sepse ai është vërtet i Dërguari i Allahut, i dërguar me të vërtetën.

[87] Besën e dhënë Allahut dhe urdhrin e Tij: e fshehën çështjen e Muhamedit dhe e përgënjeshtruan atë, duke qenë se e dinin mirë të vërtetën.

[88] E fshehën çështjen e Muhamedit dhe fjalën që thuhej për të në Librin e tyre për një fitim të pavlerë e të pakët nga të mirat e dynjasë, prej pasurisë e pushtetit.

[89] Kur fshehin të vërtetën dhe nuk ua sqarojnë njerëzve atë, ata lënë më të mirën e më të lartën, lumturinë e përhershme dhe të mirat e dynjasë e të fesë dhe zgjedhin më të shëmtuarën e më të fëlliqurën.

[90] Ithtarë të Librit.

[91] Duke ua fshehur njerëzve çështjen tënde, o Muhamed, që ti je i dërguari i Allahut me të vërtetën, gjë të cilën ata e gjejnë të shënuar në Librat e tyre dhe për këtë Allahu u mori besën atyre e ata, megjithëse e thyen besën e tyre dhe thyen urdhrin e Allahut, gëzohen me këtë vepër, madje duan që të lavdërohen nga njerëzit se gjoja janë njerëz të devotshëm ndaj Allahut, adhurues të mëdhenj të Tij, ndjekës të shpalljeve të Tij, kurse realiteti është krejt ndryshe.

[92] Të përgatitur nga Allahu për armiqtë e Tij në dynja, siç është fundosja në tokë, shndërrimi në majmuna e derra, vrasja, tërmeti, etj.

[93] Në botën tjetër, përveç atij që kanë në dynja.

[94] Dhe jo ashtu si thonë ata arrogantë prej çifutëve, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur.

[95] Dhe i dënon kur të dojë dhe si të dojë ata që e thonë këtë fjalë, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur, si dhe thonë fjalë apo bëjnë vepra të tjera në thyerje të urdhrit të Allahut.

[96] Provat e Allahut ekzistojnë dhe duken qartë në gjithçka që na rrethon, në të gjithë krijimin e Allahut, duke filluar që nga vetë trupi i njeriut e derei në dukuritë natyrore madhështore që Allahu ka krijuar e përsosur, por ato nuk i dallojnë veçse njerëzit që kanë arsye dhe logjikë të shëndoshë, ata të cilët kërkojnë të vërtetën dhe meditojnë në krijimin e qiejve e të tokës. E gjithë kjo tregon për lidhjen e zemrës me Krijuesin e saj dhe dhënien e mundit për arritjen e kënaqësisë së Tij.

[97] Që e përmendim Allahun në çdo gjendje, me gojë e me zemër, në namaz e jashtë namazit.

[98] Dhe e dijnë se ato nuk mund të jenë krijuar vetvetiu dhe as rastësisht, por ato kanë Krijuesin e tyre Madhështor, i Cili zotëron të gjitha atributet dhe cilësitë absolute, dhe është larg dhe i pastër nga çdo e metë apo cilësi negative. Allahu është Ai i Cili i ka krijuar, i ka sistemuar, i mban dhe i drejton të gjitha krijesat e Tij, dhe ato nuk mund të qëndrojnë pa Të. Nga ky ajet kuptojmë gjithashtu se meditimi në krijesat e Allahut është adhurim ndaj Allahut dhe cilësi e adhuruesve të ditur të Allahut dhe miqve të Tij.

[99] Të gjitha krijesat e Tij në tokë e në gjithësi.

[100] Larg çdo të mete që nuk i përshtatet Madhështisë Tënde, je Ti, o Zoti ynë! Ti e ke krijuar gjithçka me qëllim, me të vërtetën dhe për të vërtetën. Ky krijim madhështor patjetër që tregon dhe argumenton për madhështinë e Krijuesit të tij të Plotëfuqishëm.

[101] Na ruaj nga veprat e këqija dhe na jep sukses për kryerjen e veprave të mira, që të shpëtojmë nga dënimi Yt në zjarr, sepse padyshim se dënimi Yt do të jetë i madh dhe i dhembshëm, e Ti je i Plotëfuqishëm për gjithçka! Ne nuk mund të na shpëtojë nga dënimi Yt askush tjetër përveç Teje, prandaj na ruaj nga dënimi i zjarrit dhe na fut në xhenetin Tënd!

[102] Për atë që ka merituar.

[103] E ke poshtëruar me futjen në zjarr, i ke hequr cipën, i ke zbuluar gabimet dhe të metat që ka pasur në dynja, e ke turpëruar në sy të të gjitha krijesave.

[104] Ata të cilët  kundërshtojnë urdhrin e Allahut dhe shkelin ndalesat e Tij.

[105] Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

[106] Kuranin, ose të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), megjithëse Kurani është më përfshirës në këtë rast, për shkak se atë e kanë dëgjuar dhe besuar edhe shumë breza të tjerë pas Muhamedit, kurse Muhamedin nuk e ka dëgjuar drejtpërdrejtë veçse shokët e tij.

[107] Që të besojmë Ty, të njësojmë Ty, të ndjekim të Dërguarin Tënd, Muhamedin, dhe t’i bindemi atij në ato që na urdhëron e na ndalon, prej atyre që i janë shpallur prej Teje.

[108] Gjynahet e vogla.

[109] Kur të na vdesësh, na bëj që të vdesim ashtu si të mirët, na llogarit prej tyre, na bashko me ta dhe na ngjall bashkë me ta në ditën e Kiametit! Kjo lutje përmban suksesin për kryerjen e veprave të mira dhe largimin nga të këqiat, gjë me të cilën njeriu arrin të bëhet prej të mirëve, si dhe qëndrueshmërinë në këtë gjë deri në vdekje.

[110] Fitoren kundër armiqve tanë dhe të Tu. Na e shpejto ndihmën Tënde kundër tyre.

[111] Me gjynahet tona që kemi bërë në dynja, por na i fal dhe na i shlyej ato!


 

195. Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin[112] askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në gjykim).[113] Atyre që emigruan[114], u dëbuan nga shtëpitë e tyre[115], u munduan në rrugën Time[116], luftuan[117] dhe u vranë[118], Unë do t’ua shlyej të këqiat që kanë bërë[119] dhe do ti fut në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu[120] e, tek Allahu është shpërblimi më i mirë.”[121]

196. Mos të të mashtrojë bredhja e atyre që mohojnë nëpër botë![122]

197. Ajo[123] është një kënaqësi e pakët, pastaj streha e tyre e fundit do të jetë xhehenemi, shtrati më i keq!

198. Kurse ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre[124] do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, si mikpritje nga Allahu[125]. Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.[126]

199. Padyshim se nga ithtarët e Librit ka të atillë që besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve[127], si dhe atë që u është shpallur atyre.[128] Që kanë frikë Allahun[129] dhe nuk i këmbejnë ajetet e Tij me ndonjë vlerë të paktë.[130] Ata do ta kenë shpërblimin[131] te Zoti i tyre.[132] Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari.[133]

200. O ju, që keni besuar[134]! Bëni durim[135], kalojani armikut në durim[136], qëndroni në vigjilencë[137] dhe kijeni frikë Allahun,[138] që të shpëtoni![139]

 -76-


[112] Veprat e mira që keni bërë në dynja.

[113] Të gjithë ju, o besimtarë, meshkuj e femra, keni të njëjtin gjykim në shpërblim, dhe Allahu nuk ia humb mundin askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër.

[114] Lanë popullin e tyre mohues dhe njerëzit e tyre, vetëm për Hir të Allahut dhe iu bashkuan vëllezërve të tyre besimtarë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[115] Flitet për emigruesit mekas, të cilët u dëbuan nga idhujtarët kurashit prej Mekës.

[116] U dëmtuan dhe u torturuan nga idhujtarët vetëm e vetëm se besuan të Dërguarin e Allahut dhe atë që i shpallej nga Allahu.

[117] Në Rrugë të Allahut.

[118] Që u vranë në luftë, që ranë dëshmorë.

[119] Do t’ua fshij të këqiat dhe do t’ua fal ato.

[120] Për besimin, qëndrueshmërinë dhe veprat e tyre të mira.

[121] I cili nuk mund të përshkruhet nga askush, sepse atë nuk e ka parë askush, nuk e ka dëgjuar kush dhe nuk mund t’i shkojë në mendje askujt.

[122] Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij, por ka për qëllim të gjithë besimtarët, që të mos mashtrohen me bredhjen nëpër botë dhe kënaqjen me të mirat e botës, të atyre që mohojnë Allahun dhe luftojnë fenë e Tij dhe besimtarët, sepse sado që të arrijnë ata prej kënaqësive dhe të mirave të dynjasë, ato përsëri janë shumë pak dhe të përkohshme, mbarojnë shumë shpejt dhe pastaj i pret dënimi i përhershëm. Kurse besimtarët, megjithë krenarinë dhe të mirat që u jep Allahu në dynja, ata do të kenë shpërblimin më të mirë dhe më të përhershëm në xhenet. Madje edhe sikur besimtarët të vuanin e të bënin jetë të keqe në dynja, në krahasim me shpërblimin e botës tjetër dhe lumturisë së pafundme, vuajtja e tyre në dynja do të konsiderohej si dhuratë në formën e vuajtjes, prandaj në ajetin në vijim Allahu thotë: “Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.”

[123] Kënaqësia e dynjasë.

[124] Duke iu bindur Atij dhe duke punuar për kënaqësinë e Tij.

[125] Dhe nga bujaria e mirësia e Allahut ndaj tyre.

[126] Për ata që ishin zemërmirë e të dëlirë dhe si rrjedhojë edhe veprat dhe fjalët e tyre ishin të mira dhe në bindje ndaj Allahut. Shpërblimi i këtyre tek Allahu është shumë më i mirë se kënaqësitë e përkohëshme të atyre që mohojnë në dynja.

[127] Atë që ju ka shpallur Allahu juve, o muslimanë, nëpërmjet të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e allahut qofshin mbi të!), Kuranin dhe traditën e të Dërguarit.

[128] Atë që u është shpallur vetë atyre prej Librave të Allahut: Teurati, Inxhili, Zeburi.

[129] I binden dhe i nënshtrohen Allahut.

[130] Nuk i shtrembërojnë ato që u janë shpallur në Librat e Allahut, qoftë në lidhje me përshkrimin e Muhamedit dhe profetësisë së tij, apo me të gjitha ligjet dhe gjykimet e Allahut që përmenden në to. Por, ata i nënshtrohen të vërtetës dhe i binden Allahut në ato që i ka urdhëruar apo ndaluar, dhe nuk ndjekin epshet dhe dëshirat vetjake.

[131] Për veprat dhe bindjen e tyre ndaj Allahut.

[132] Të ruajtur te Zoti i tyre për ta marrë atë në ditën e Kiametit.

[133] Shpejtësia e Allahut në llogari është: se Atij nuk i shpëton asgjë më e vogël prej punëve të tyre, si para se të veprojnë apo pas veprimit, kështu që nuk ka nevojë t’i numërojë ato dhe të vonohet duke i numëruar. Ai është i Gjithëdijshmi.

[134] Allahun, të Dërguarin e Tij, Muhamedin dhe atë që i është shpallur atij nga Allahu.

[135] Në fenë tuaj dhe në bindjen ndaj Zotit tuaj. Durimi përfshin lënien e gjynaheve, kryerjen e obligimeve dhe durimin në fatkeqësi, dhe Allahu urdhëron për të bërë durim në të gjitha këto.

[136] Bëhuni më të durueshëm se armiku dhe vazhdoni me këmbëngulje në durim, në mënyrë që ta mposhtni armikun tuaj dhe të ngrini lartë Fjalën e Allahut.

[137] Në ruajtjen e kufijve të muslimanëve nga ku mund të hyjë armiku.

[138] Ruajuni kundërshtimit të urdhrit të Tij apo shkeljes së ndalesave të Tij.

[139] Që të shpëtoni nga dënimi i zjarrit dhe të fitoni të mirat e xhenetit dhe lumturinë e përhershme, gjë e cila nuk mund të arrihet veçse me këto treja: me durim, këmbëngulje në durim më shumë se armiku dhe vigjilencë.

 


 

SURJA EN NISA

(Surja 4, Medinase, 176 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

1. O njerëz! Ruajuni Zotit tuaj,[140] i Cili ju ka krijuar prej një njeriu (Ademit), pastaj prej atij krijoi bashkëshorten e tij[141] dhe prej atyre dyve përhapi shumë burra e gra. Ruajuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella[142] dhe ruani lidhjet farefisnore[143]. Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.[144]

2. Jepuni jetimëve pasurinë e tyre[145] dhe mos e këmbeni të ndyrën me të pastërtën[146]. As mos e hani pasurinë e tyre duke e përzierë me pasurinë tuaj,[147] sepse me të vërtetë, ky është gjynah i madh.[148]

3. Në qoftë se keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve[149], atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër.[150] Por nëse keni frikë se nuk do të mbani drejtësi,[151] atëherë mjaftohuni me një grua ose me ato që i keni nën pronësinë tuaj.[152] Kjo është më afër mosbërjes padrejtësi.[153]

4. Dhe jepuni grave dhuratën e kurorës (mehrin) që u takon[154], por nëse ato me dëshirën e vet[155] u falin diçka prej saj[156], atëherë shijojeni atë që u ka ardhur pa lodhje dhe t’ju bëjë mirë![157]

5. Mos ua jepni mendjelehtëve[158] pasurinë tuaj, të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese për ju[159], por ushqejini nga ajo,[160] vishini[161] dhe u thoni atyre fjalë të mira.[162]

6. Vërini në provë jetimët[163] deri sa të arrijnë moshën e pubertetit. Nëse vëreni pjekuri[164] tek ata, dorëzojani pasurinë e tyre! Dhe mos e përdorni atë duke e shpërdoruar para se ata të rriten![165] Kush është i pasur, të ruajë dëlirësinë[166], ndërsa kush është i varfër, të marrë sipas rregullit[167]. Kur t’ua dorëzoni pasurinë e tyre[168], merrni dëshmitarë me këtë rast. E, Allahu është i mjaftueshëm si llogaritës.[169]

 -77-


[140] Ruajuni dënimit të Zotit tuaj, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, sepse ju nuk mund ta duroni dënimin e Tij. Kini frikë Zotin tuaj, sepse Ai ju ka krijuar, ju furnizon, ju mban, ju jep jetë dhe tek Ai do të ktheheni.

[141] Havanë, të cilën e krijoi nga një prej brinjëve të Ademit (alejhi selam).

[142] Kur kërkoni të drejtat tuaja tek njëri-tjetri, i kujtoni atij Zotin, sepse e dini se ai e madhëron Zotin në zemrën e vet dhe nuk mund ta kthejë atë që i kërkon për Hir të Allahut.

[143] Mos i shkëpusni lidhjet familjare dhe farefisnore, sepse kjo është e drejta e caktuar nga Allahu. Pra, njeriu duhet të kujdeset për të drejtat e Allahut, të drejtat e vetes dhe të drejtat e njerëzve duke filluar nga më të afërmit e tij prej tyre.

[144] O njerëz, dhe i sheh të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet tuaja, ato që shfaqni dhe ato që fshehni, prandaj kujtoni mbikëqyrjen e Tij dhe kini turp nga Ai, duke qenë të devotshëm ndaj Tij.

[145] Kjo është porosia e parë e Allahut në këtë sure, që lidhet me të drejtat e krijesave, dhe pikërisht me jetimët, të cilët kanë humbur baballarët e tyre në moshë të mitur dhe nuk mund të kujdesen për vetveten. Allahu urdhëron që jetimëve t’u jepet pasuria e tyre që kanë trashëguar apo fituar, kur ata të jenë rritur, të jenë pjekur dhe të jenë të aftë për manaxhimin e pasurisë së tyre. Kurse para kësaj kohe, kujdestarët e tyre nuk duhet t’u afrohen pasurisë së jetimëve që kanë nën kujdestari veçse në mënyrën më të mirë dhe në dobi të jetimit, njësoj sikur ta kishte pasurinë e vet, apo edhe më i kujdesshëm.

[146] Mos hani pasurinë e jetimëve që e keni haram dhe të lini pasurinë tuaj që e keni hallall, si dhe mos e ndërroni mallin tuaj të keq me mallin e mirë të jetimit.

[147] Me qëllim që të hani prej pasurisë së jetimit, ndërkohë që nuk jeni në nevojë për të ngrënë prej saj.

[148] Ngrënia e pasurisë së jetimit padrejtësisht është gjynah i madh. Nëse dikush që ka në kujdestari një jetim është në nevojë dhe merr nga pasuria e jetimit, ai duhet ta shënojë atë me qëllim që t’ia kthejë menjëherë sa t’i jepet mundësia, sepse ajo që merr është borxh.

[149] Ndaj grave që janë jetime dhe ju keni frikë se nuk u jepni dhuratën e martesës (mehrin) që u takon, apo silleni padrejtësisht ndaj tyre nga që nuk ju pëlqejnë, atëherë mos u martoni me to, por martohuni me gra të tjera, me të cilat u lejohet martesa dhe që ju pëlqejnë.

[150] Ky është kufiri i numrit të grave me të cilat mund të martohet një burrë dhe t’i ketë njëherësh në kurorë, nëse ai i ka mundësitë fizike dhe financiare për këtë gjë, si dhe me kusht që të mbajë drejtësi mes tyre nga ana materiale dhe nuk është kusht drejtësia nga ana shpirtërore, siç është dashuria për to.

[151] Nëse keni frikë se nuk do të mbani drejtësi mes grave tuaja, kur martoheni me më shumë se një grua, ashtu si keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni vetëm me një grua.

[152] Që i keni blerë me pasurinë tuaj, që janë robëresha të blera apo lufte.

[153] Ndaj grave dhe animit nga njëra prej tyre.

[154] Me ligj nga Allahu, që e ka caktuar Allahu dhe e ka bërë detyrim për burrin që t’ia japë gruas për martesë.

[155] Jo të detyruara dhe as të imponuara por me dëshirën e vet të plotë.

[156] Prej mehrit, prej dhuratës së kurorës.

[157] Sepse e keni hallall. Ajeti argumenton se mehri për martesë u takon grave dhe se ai është pronë e tyre me të cilën ato veprojnë si të dëshirojnë, përderisa kanë arritur moshën madhore, kurse prindërit apo kujdestarët e grave nuk kanë të drejtë në mehrin e grave që kanë nën kujdestari, përveç nëse vetë ato nga me dëshirën e tyre u dhurojnë diçka prej mehrit.

[158] Atyre që nuk dinë ta përdorin pasurinë dhe që e shpërdorojnë atë për shkak të të papjekurisë apo të ndonjë të mete mendore.

[159] Për të përmbushur nevojat e jetës në dynja dhe për të kryer obligimet fetare.

[160] Nga pasuria e vetë jetimëve.

[161] Aq sa u duhet për të plotësuar nevojat jetësore dhe detyrimet fetare.

[162] Nëse jetimët kërkojnë pasurinë e tyre nga kujdestari i tyre, ai duhet t’u premtojë me të mirë e butësi se do t’ua japë atë kur të rriten e të piqen.

[163] Duke u dhënë një sasi të vogël të hollash për të parë se si do të veprojnë me to dhe nëse janë pjekur apo ende jo.

[164] Pjekuri mendore dhe pjekuri në përdorimin e pasurisë.

[165] Ky është një veprim që bëhet nga shumë prej kujdestarëve të jetimëve, të cilët nuk e kanë frikë Allahun dhe nuk kanë mëshirë as dashuri për jetimin që u është besuar. Këta e shfrytëzojnë periudhën kur jetimët janë të vegjël për të shpërdoruar pasurinë e tyre padrejtësisht dhe pa pasur nevojë, prandaj Allahu i ndalon ata nga ky veprim.

[166] Duke u mjaftuar me pasurinë e vet, pa e prekur pasurinë e jetimit.

[167] Të marrë nga pasuria e jetimit aq sa ka nevojë dhe ta shënojë atë në formën e borxhit.

[168] Kur kujdestarët e jetimëve t’ua dorëzojnë jetimëve pasurinë e tyre.

[169] Allahu mjafton si dëshmues për dorëzimin e pasurisë nga kujdestari i jetimit tek jetimi.


 

7. Meshkujve u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit e tyre dhe po kështu, edhe grave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit e tyre,[170] qoftë ajo pak apo shumë; një pjesë e detyruar.[171]

8. E nëse në ndarjen e trashëgimisë janë të pranishëm edhe të afërmit[172], jetimët dhe të varfrit, jepuni edhe atyre diçka prej saj[173] dhe thuajuni fjalë të mira.[174]

9. Le të druhen ata të cilët sikur të lënë pas vete fëmijë të mitur, brengosen për ta, kështu që të kenë frikë Allahun[175] dhe të thonë fjalë të drejtë.[176]

10. Vërtet, ata të cilët e hanë në mënyrë të padrejtë pasurinë e jetimëve, nuk fusin në barqet e tyre veçse zjarr dhe do të përvëlohen në zjarr flakërues.[177]

11. Allahu ju porosit për fëmijët tuaj[178]: mashkullit i takon sa pjesa e dy femrave[179]; nëse trashëgimtarët janë vetëm femra[180], më shumë se dy[181], atyre u takon dy e treta e pasurisë së trashëguar nga i vdekuri dhe nëse është vetëm një, asaj i takon gjysma[182]; kurse për prindërit e të vdekurit[183], secilit prej tyre i takon një e gjashta e pasurisë së trashëguar, në qoftë se ai ka lënë fëmijë[184]; e nëse nuk ka fëmijë dhe trashëgohet nga dy prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta[185]; por nëse ai ka vëllezër[186], nënës së tij i takon një e gjashta[187]. Këto ndahen pas kryerjes së ndonjë testamenti që ka lënë i vdekuri apo larjes së ndonjë borxhi[188]. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit apo fëmijët tuaj![189] Ky është detyrim i caktuar nga Allahu. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.

-78-


[170] Në kohën e injorancës paraislamike, arabët nuk u bënin pjesë në trashëgimi grave dhe fëmijëve, por vetëm burrave. Por Allahu Mëshirëplotë dhe i Urtë, u bëri pjesë të detyruar trashëgimie të gjithëve, burrave dhe grave, fëmijëve dhe të rriturve, siç do të sqarohet në ajetet në vijim. Përmendim këtu që Allahu i ka dhënë rëndësi të madhe trashëgimisë dhe ndarjes së saj në mënyrë të drejtë, prandaj edhe i ka përmendur në mënyrë të detajuar dhe të plotë të gjitha pjesët që i takojnë secilit prej trashëgimtarëve të atij që vdes dhe lë pas trashëgimtarë e pasuri. Prej këtu, tema e trashëgimisë është një temë e plotësuar dhe e vulosur, në të cilën nuk ka diskutime nga dijetarët e Islamit, por detyra e tyre në këtë temë është që t’ua sqarojën dhe t’ua mësojnë atë njerëzve.

[171] E drejtë e ligjshme dhe e bërë detyrim nga Allahu.

[172] Ata të afërm që nuk kanë pjesë të detyruar në trashëgiminë që lë i afërmi i tyre i vdekur, apo që janë eliminuar për shkak të ekzistëncës së trashëgimtarëve më të afërm me të vdekurin, siç është i biri i tij, etj.

[173] Jepuni diçka nga pjesa juaj, ose atë që u është lënë me testament nga i vdekuri që para se të vdesë.

[174] Nëse nuk mund t’u japin gjë, atëherë të paktën t’u flasin fjalë të mira dhe të mos i fyejnë e të mos i ofendojnë.

[175] Kujdestarët  e jetimëve në kujdestarinë që u është besuar.

[176] T’u flasin jetimëve dhe të varfërve njësoj sikur të ishin fëmijët e tyre dhe të mendojnë që sikur të vdesin dhe t’i lënë fëmijët e tyre të mitur, do të mbesin jetim njësoj si ata.

[177] Ky është kërcënimi më i madh që ka ardhur në Kuran për gjynahet, gjë e cila tregon për shëmtirën e ngrënies së pasurisë së jetimëve padrejtësisht, dhe se kjo vepër është nga gjynahet e mëdha.

[178] Allahu ju porosit dhe ju urdhëron që, kur të vdesë dikush prej jush dhe të lërë pas fëmijë, meshkuj e femra, ndarja e trashëgimisë duhet të bëhet në mënyrën e përshkruar në vijim.

[179] E gjithë trashëgimia e të vdekurit i takon fëmijëve të tij meshkuj e femra, përderisa nuk ekzistojnë trashëgimtarë të tjerë që u takon pjesë e detyrueshme, siç janë prindërit e të vdekurit dhe bashkëshortja e tij, e në këtë rast, në fillim ndahet pjesa e tyre, pastaj pjesa e mbetur ndahet mes bijve dhe bijave të të vdekurit në raport 2 me 1. Bijtë e bijve të të vdekurit nuk kanë pjesë nëse i vdekuri ka lënë bijë të tij.

[180] Nëse i vdekuri ka lënë pas vetëm bija apo bija të bijve.

[181] Edhe nëse janë dy, kanë të njëjtin gjykim: u takon dy e treta e trashëgimisë. D.m.th. është për qëllim të thuhet se pjesa që u takon dy apo më shumë bijave të lëna pas nga i vdekuri është e njëjtë dhe nuk shtohet nëse ato janë më shumë.

[182] Nga ajeti kuptohet që nëse i vdekuri ka lënë vetëm një bijë si dhe një apo më shumë bija të bijve të vet, atëherë bijës së vet i takon gjysma e pasurisë, kurse bijës apo bijave të birit u takon një e gjashta, për t’u plotësuar kështu 2/3 e trashëgimisë që Allahu ka përcaktuar për bijat apo bijat e bijve të të vdekurit.

[183] Për babanë dhe nënën e të vdekurit.

[184] Fëmijë të vetë apo të bijve të vet, qoftë një apo më shumë.

[185] Kurse pjesa tjetër e pasurisë, d.m.th. 2/3 e saj, i takon babait të tij. Rregulli bazë në ndarjen e trashëgimisë është hadithi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili thotë: “Jepuni pjesën e caktuar me ligj (nga Allahu) atyre që u takon, pastaj pjesa e mbetur i takon mashkullit më të afërm me të vdekurin.” [Buhariu dhe Muslimi].

[186] Prej babe e nëne, ose vetëm prej babe apo vetëm prej nëne, meshkuj qofshin apo femra, që marrin pjesë trashëgimie apo që eliminohen nga ekzistenca e babait të të vdekurit apo gjyshi i tij, por me kusht që të jenë dy apo më shumë, kurse po të jetë vetëm një vëlla, pjesa e nënës nuk zbret nga një e treta.

[187] Kurse pjesa e mbetur i takon babait të të vdekurit.

[188] Pas vdekjes së njeriut, fillohet menjëherë me larjen e borxheve të tij nga pasuria që ai lë pas, pastaj zbatohet testamenti që ai mund të ketë lënë dhe pjesa e mbetur ndahet si trashëgimi për ata që u takon. Është përmendur testamenti para borxhit megjithëse borxhi është para testamentit në radhitjen e të drejtave, për t’i përkushtuar kujdes atij, sepse testamentin nuk e pëlqejnë trashëgimtarët e të vdekurit, sepse u pakëson hisen e tyre në trashëgimi, dhe mund të neglizhojnë në zbatimin e tij. Vlera e lejueshme e testamentit është që të mos i kalojë 1/3 e të gjithë pasurisë, dhe ai i lihet një njeriu që nuk është trashëgimtar i të vdekurit, pra që nuk ka pjesë në trashëgimi, përndryshe, trashëgitarit nuk lejohet që t’i lihet testament nga pasuria e trasheguesit të tij.

[189] Sikur ndarja e trashëgimisë të lihej në dorën tuaj, do të shkaktohej dëm i madh që nuk e di veçse Allahu, për shkak të mangësisë që ka mendja e njeriut dhe mosnjohjen e asaj që është e mirë për të, prandaj Allahu e ka ndarë vetë trashëgiminë dhe ju duhet ta zbatoni atë.


 

12. Juve ju takon gjysma e pasurisë së lënë pas nga bashkëshortet tuaja[190], nëse ato nuk kanë fëmijë. Por, nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta e asaj që kanë lënë ato, pas kryerjes së ndonjë testamenti që ato kanë lënë apo larjes së ndonjë borxhi. Kurse atyre (bashëkshorteve) u takon një e katërta e pasurisë së lënë nga ju, nëse ju nuk keni fëmijë, e nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta e asaj që keni lënë, pas kryerjes së ndonjë testamenti që keni lënë apo larjes së ndonjë borxhi. Nëse i vdekuri, qoftë burrë apo grua, nuk ka baba dhe as fëmijë trashëgimtarë[191], por ka vëlla ose motër (prej nëne)[192], çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta, e nëse janë më shumë se një, atëherë ata janë ortakë[193] në një të tretën (e trashëgimisë),[194] pas kryerjes së ndonjë testamenti apo larjes së ndonjë borxhi, pa dëmtuar askënd[195]. Kjo është porosi[196] nga Allahu! Allahu është i Gjithëdijshëm[197], i Durueshëm[198].

13. Këto janë kufijtë e vendosur nga Allahu,[199] e ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij[200], Allahu e fut atë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.[201]

14. Ndërsa kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel kufijtë e vendosur nga Ai, Allahu e fut atë në zjarr, ku do të qëndrojë përgjithmonë dhe do të ketë dënim poshtërues.[202]

 -79-


[190] Pas vdekjes së tyre.

[191] Nuk ka baba apo gjysh dhe as fëmijë apo fëmijë të bijve që ta trashëgojnë pasurinë që ai lë pas vdekjes së tij.

[192] Kurse pjesa e vëllezërve apo motrave prej babe e nëne, apo vetëm prej babe, përmendet në ajetin e fundit të kësaj sure.

[193] Të gjithë kanë pjesë të barabartë, qofshin meshkuj apo femra.

[194] Vëllezërit dhe motrat prej nëne nuk kanë pjesë në trashëgimi përveç rastit kur i vdekuri nuk lë pas fëmijë, apo fëmijë të bijve, meshkuj apo femra, dhe as baba apo gjysh.

[195] Prej trashëgimtarëve, borxhlinjve apo atyre që u është lënë testament, por duhet bërë ndarja e rregullt ashtu si e ka përcaktuar Allahu i Madhëruar, me dijen dhe urtësinë e Tij absolute.

[196] Urdhër nga Allahu dhe besë e marrë nga ju.

[197] E di se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për krijesat e Tij, dhe e di se kush prej të afërmve të të vdekurit meriton të marrë pjesë në trashëgimi dhe kush jo, dhe se ai që meriton pjesë, sa duhet të jetë pjesa që meriton, etj, etj.

[198] Ndaj krijesave të Tij; nuk nxiton në ndëshkimin e atyre që e ndajnë padrejtësisht trashëgiminë e të vdekurit, duke i bërë pjesë të fortëve dhe të pasurve dhe duke lënë mënjanë të dobtit dhe të varfërit prej trashëgimtarëve të të vdekurit. Por padyshim se Ai do t’ua japë atyre dënimin e merituar.

[199] Këto rregulla të përcaktuara më sipër në lidhje me ndarjen e trashëgimisë, janë kufijtë e vendosur nga Allahur për të ndarë mes bindjes ndaj Tij dhe mes kundërshtimit të Urdhrit të Tij, për të qëndruar tek ato dhe për të mos i shkelur ato.

[200] Në gjithçka që urdhërojnë apo ndalojnë.

[201] Shpëtimi nga zjarri i xhehenemit dhe fitorja e xhenetit, ku do të qëndrojë përgjithmonë.

[202] Qëndrimi përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit do të jetë për ata që vdesin duke qenë mohues, mosbesimtarë, kurse ata që vdesin duke qenë besimtarë por që kanë vepruar të këqia për të cilat meritojnë dënimin e Allahut, edhe nëse Allahu i dënon ata në zjarr, nuk do t’i lërë përgjithmonë në të, por do t’i nxjerrë nga ai dhe do t’i fusë në xhenet.


 

15. Kundër atyre grave tuaja[203] që bëjnë tradhti bashkëshortore, kërkoni të dëshmojnë katër burra prej jush[204]; nëse dëshmojnë, atëherë mbyllini në shtëpi deri sa t’u vijë vdekja[205] ose Allahu t’u japë rrugëdalje tjetër.[206]

16. Ata të dy prej jush[207], që e kryejnë këtë vepër, përdhosini[208], por nëse pendohen[209] e përmirësohen[210], atëherë largojuni atyre[211]. Allahu është Pranues i madh i pendimit[212], Mëshirëplotë.[213]

17. Pendimi që pranon Allahu[214] është vetëm ai i atyre, të cilët e veprojnë të keqen nga padija[215] dhe pendohen së shpejti.[216] Këtyre ua pranon Allahu pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm,[217] i Urtë.[218]

18. Dhe nuk është pendimi për ata të cilët vazhdimisht veprojnë të këqia, deri sa ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, pastaj thotë: “Unë tani me të vërtetë pendohem!”, dhe as për ata të cilët vdesin duke qenë mohues.[219] Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.[220]

19. O ju, që besoni![221] Nuk ju lejohet që t’i trashëgoni gratë në mënyrë të dhunshme[222], dhe mos i pengoni ato nga martesa[223] me qëllim që t’ua merrni një pjesë të asaj që ua keni dhënë[224], përveç nëse bëjnë ndonjë turp të hapur.[225] Jetoni e silluni me to[226] sipas rregullit.[227] E, nëse i urreni ato, ndodh që të urreni diçka, por Allahu të japë hajër të madh në të.[228]

 -80-


[203] Të martuara dhe me burrë apo vejusha.

[204] Prej muslimanëve të drejtë.

[205] Ky ishte dënimi i tyre në fillim të Islamit, një dënim i përkohshëm, deri sa Allahu caktoi gurëzimin deri në vdekje për të martuarit që bëjnë kurvëri dhe goditjen me shkopinj dhe dëbimin për të pamartuarit që bëjnë kurvëri.

[206] Dënim tjetër nga ai i mbylljes në shtëpi. Dhe vërtet, Allahu caktoi gurëzimin për të martuarit dhe goditjen me shkopinj për të pamartuarit më parë, si dënim për kryerjen e veprës së shëmtuar të kurvërisë.

[207] Mashkulli dhe femra që bëjnë kurvëri.

[208] Poshtërojini me fjalë fyrëse dhe goditini me dorë. Kështu ishte dënimi i burrave që bënin kurvëri në fillim të Islamit, kurse dënimi i grave ishte që të burgoseshin në shtëpitë e tyre.

[209] Për mëkatin e bërë dhe kthehen tek Allahu me pendim e kërkim të faljes.

[210] Shfaqen prej tyre vepra të mira e të devotshme të cilat tregojnë për sinqeritetin e tyre në pendim.

[211] Mos i ndëshkoni më tutje dhe mos i fyeni.

[212] Të atyre që bëjnë gjynahe dhe i kthehen Atij me pendim dhe kërkim të faljes.

[213] Dhe Bamirës i madh, nga bamirësia e të Cilit është se Ai u jep sukses atyre që të pendohen tek Ai dhe Ai ua pranon pendimin atyre dhe i fal ata për veprat e këqia që kanë bërë.

[214] Pendimi i Allahut ndaj robërve të Vet është dy llojesh: suksesi që Ai i jep robit mëkatar për t’u penduar dhe pranimi i këtij pendimi nga robi i Tij që pendohet. Këtu, Allahu njofton se e drejta e njeriut për t’ju pranuar pendimi nga Allahu, është një e drejtë për të cilën Allahu është zotuar, nga mirësia dhe bujaria e Tij, ndaj atyre që veprojnë të keqen –d.m.th. gjynahet, dhe pastaj pendohen menjëherë tek Allahu.

[215] Nga padija për përfundimin e saj, për shkaktimin e zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut për të, për shikimin dhe mbikqyrjen e Allahut kur vepron të keqen dhe çdo gjë tjetër, për shkaktimin e dobësimit të besimit prej saj, për dënimin e caktuar nga Allahu për të, i cili mund të jetë deri me vdekje. Çdo njeri që shkel urdhrat e Allahut, konsiderohet i padijshëm sipas këtij këndvështrimi, edhe pse mund ta dijë se ajo vepër është e ndaluar, madje dija për ndalimin e një vepre është kusht që personi të dënohet për kryerjen e saj, sepse nëse nuk e di se ajo është e ndaluar, ai nuk ka dënim për kryerjen e saj. Përderisa njeriu shkel urdhrat e Allahut, ai është injorant, i paditur.

[216] Para se t’u vijë vdekja dhe para se t’u humbë arsyeja, sepse Allahu e pranon e pendimin e robit të Vet përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt, por nëse i vjen shpirti në fyt dhe ai sheh vdekjen, atëherë pendimi i tij nuk pranohet më. Shembull për këtë është rasti i Firaonit në kohën e Musait (alejhi selam), i cili kur u mbyt nga deti dhe pa vdekjen me sy, tha: “Unë besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Israilit, dhe unë  jam prej të dorëzuarve Allahut!” [Junus, 90] Por Allahu ia ktheu atij: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!” [Junus, 91].

[217] Allahu di gjithçka dhe e di se kush prej robërve të Tij i kthehet Atij me pendim të sinqertë dhe me bindje ndaj Tij, pasi i kishin kthyer shpinën bindjes ndaj Tij.

[218] Veprave të Tij nuk i ndodh ndonjë e metë dhe as nuk u përziehet ndonjë gabim, por Ai e vendos gjithçka në vendin e vet, me dijen dhe urtësinë e vet absolute.

[219] Këtyre Allahu nuk ua pranon pendimin, sepse gjendja në të cilën janë këta kur e shprehin pendimin, nuk është gjendje pendimi, por gjendje e humbjes së mendjes dhe arsyes, dhe shikim i vdekjes me sytë e tyre, dhe siç ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): “Me të vërtetë, vdekja ka agoni!” [Buhariu] Agonia është: gjendje e rëndë e njeriut në çastet e  fundit të jetës, që shoqërohet zakonisht me  humbjen e vetëdijes dhe me grahma.

[220] Në botën tjetër, në zjarrin e xhehenemit.

[221] Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[222] Nuk ju lejohet që të martoheni me dhunë me gratë e të afërmve tuaj që vdesin dhe lënë pas gratë e tyre. Kjo ishte një vepër që bëhej në kohën e injorancës paraislamike: kur një gruaje i vdiste burri, atëherë i biri apo i afërmi i tij kishte epërsi mbi të, më shumë se vetë ajo mbi vetveten, dhe nëse donte, e merrte për grua, e nëse donte, e pengonte që të martohej me dikë tjetër dhe as vetë nuk e merrte për grua, por e linte kështu deri sa të vdiste. Allahu ia ndaloi robërve të Tij këtë gjë, ua ndaloi atyre martesën me gratë e baballarëve të tyre të vdekur dhe ua ndaloi pengimin e tyre nga martesa me dikë tjetër.

[223] Me dikë tjetër, me të cilin ato duan të martohen.

[224] Dhuratën e martesës që u ka dhënë babai apo i afërmi juaj kur është martuar me to.

[225] Kurvëri apo sjellje të keqe e fyerje ndaj burrit të saj të vdekur. Në këtë rast lejohet pengesa e tyre nga të martuarit me burr tjetër, si ndëshkim për veprën e bërë.

[226] Me gratë tuaja.

[227] Ashtu si ju kam urdhëruar: ose t’i mbani dhe t’u jepni të drejtat që ua ka caktuar Allahu mbi ju, ose t’i lëshoni me të mirë dhe pa i dëmtuar.

[228] Prandaj mbani ato, zbatoni ligjet e Allahut dhe rregullat e Tij kundrejt tyre, sepse ndoshta Allahu u jep hajër të madh me këtë gjë, siç është shpërblimi në durimin dhe zbatimin e ligjeve të Tij, dhurimi i ndonjë fëmije të hajrit prej saj, i cili ju bën dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, e të mira të tjera që nuk i di veçse Allahu.


 

20. Në qoftë se dëshironi të merrni një grua dhe të ndani një tjetër[229], të cilës i keni dhënë shumë të madhe[230], mos merrni asgjë prej saj. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?!

21. Si mund t’ia merrni atë, kur ju keni arritur njëri-tjetrin[231] dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?[232]

22. Mos u martoni me ato gra, me të cilat kanë qenë martuar baballarët tuaj, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar.[233] Vërtet, kjo është vepër e turpshme, e neveritshme[234] dhe rrugë e keqe.[235]

23. Juve ju është ndaluar martesa me nënat tuaja,[236] me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllezërve, me bijat e motrave, me nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja nga gjiri[237], me nënat e grave tuaja, me vajzat e grave tuaja që gjenden nën kujdestarinë tuaj[238], nëse me ato gra keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; por nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesë për ju[239]. Ju ndalohet gjithashtu martesa me gratë e bijve tuaj, që janë prej gjakut tuaj,[240] si dhe që të bashkoni dy motra nën kurorë,[241] përveç rasteve që tashmë kanë kaluar[242]. Pa dyshim, Allahu është Falës i madh[243], Mëshirëplotë.[244]

-81-


[229] Kjo është e lejuar për ju dhe nuk përbën ndonjë gjynah, përderisa veproni sipas ligjeve të vendosura nga Allahu dhe jo me qëllim që ta dëmtoni atë, por asnjë gruaje mos i merrni asgjë nga dhurata dhe pasuria që u keni dhënë.

[230] Si dhuratë për martesë, si mehër. Nga ky ajet kuptohet se lejohet që mehri që i jepet gruas si dhuratë martese të jetë shumë e madhe pasurie, por megjithatë tradita e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) është që mehri të jetë sa më i lehtë.

[231] Keni prekur njëri-tjetrin dhe keni kryer marrëdhënie intime me njëri-tjetrin.

[232] Në aktin e martesës u keni dhënë besën tuaj se do t’i mbani mirë, ose do t’i lëshoni sipas rregullit dhe pa i dëmtuar.

[233] Para Islamit dhe para zbritjes së Kuranit, disa njerëz trashëgonin gratë e baballarve të tyre, që nuk ishin nënat e tyre, por Allahu ua ndaloi këtë vepër dhe ua fali atë që kishte kaluar prej tyre, përderisa ata u kthyen nga ajo vepër, besuan të Dërguarin e Allahut dhe ju bindën urdhrit të Allahut.

[234] E urryer nga Allahu dhe nga njerëzit.

[235] Sepse kjo është prej zakoneve të injorancës paraislamike, të cilën Islami e rrëzoi dhe e rrënoi, për të vendosur ligjin hyjnor, drejtësinë absolute, rrugën e lumturisë në të dyja botët.

[236] Ky ajet dhe ajeti pas tij, përmendin të gjitha gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të gjakut, për shkak të qumështit të gjirit apo për shkak të krushqisë, si dhe gratë me të cilat martesa është e lejuar.

Gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të gjakut, janë ato shtatë gra të cilat i përmend Allahu në këtë ajet: 1. Nëna –dhe këtu përfshihet gjyshja, gjyshja e gjyshes, e sado që të ngjitet-, 2. bija –këtu përfshihet edhe bija e bijës, e sado që të zbresë-, 3. motra –qoftë prej babe dhe nëne, apo vetëm prej nëne, apo vetëm prej babe-, 4. halla –çdo motër e babait apo e gjyshit, e më lart-, 5. tezja –çdo motër e nënës apo e gjyshes, e më lart-, 6. bijat e vëllait –apo bijat e fëmijve të vëllait, e kështu-, 7. bijat e motrës –apo bijat e fëmijve të motrës, e kështu. Këto janë gratë që ndalohen për shkak të gjakut dhe fisit, kurse të tjerat përveç këtyre, janë të lejuara që të martohesh me to, siç është bija e xhaxhait dhe e hallës, apo bija e dajës dhe e tezes. Për këtë ka unanim në mesin e dijetarëve të Islamit, bazuar në këtë ajet dhe në ajetin vijues ku thuhet: “Ndërsa përveç këtyre, juve ju janë lejuar të gjitha gratë”.

Kurse nga gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të qumështit të gjirit, Allahu ka përmendur këtu nënën nga e cila ke pirë qumësht dhe motrën prej gjiri, me të cilën ke pirë gji nga e njëjta nënë. Por këtu kuptohet se edhe babait prej qumështi nuk i lejohet martesa me bijën e tij prej qumështi, e cila ka pirë gji nga gruaja e tij, qumështi i së cilës ka ardhur si rezultat i lindjes së fëmijës së tij. Pra, fëmija që pi qumësht nga një grua tjetër, përveç nënës së tij, bëhet fëmijë prej qumështi i asaj nëne dhe i burrit të saj, si dhe fëmija që ajo nënë ka në gji, bëhet vëlla apo motër e këtij fëmije që pi qumësht prej saj, dhe kështu, martesa mes këtyre është e ndaluar në Islam, madje, nga qumështi ndalohen të gjitha apo martesa që ndalohen edhe nga gjaku, siç ka thënë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por me kusht që pirja ë qumështit të ketë qenë të paktën pesë herë, dhe mosha e fëmijës të jetë nën dy vjeç, siç është sqaruar në traditën pejgamberike.

Ndërsa gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të krushqisë janë katër: 1. Gratë e baballarëve –sado që të ngjiten: gratë e gjyshërve, e kështu-, 2. gratë e bijve prej gjaku –sado që të zbresin: gratë e bijve të bijve, e kështu-, 3. nënat e bashkëshorteve (vjehrrat) –sado që të ngjiten: nëna e nënës, e kështu-, 4. bija e gruas –sado që të zbresë: bija e bijës së gruas, e kështu.

[237] Me të cilat keni pirë gji nga e njëjta nënë.

[238] Apo që nuk gjenden në kujdestarinë tuaj, por ky kufizim ka ardhur nga që zakonisht kur martohesh me një grua që ka fëmijë vajzë, ajo e merr me vete edhe vajzën e saj, dhe ajo vajzë bëhet njësoj sikur të ishte vajza e burrit të dytë, për nga dispozitat.

[239] Që të martoheni me vajzat e tyre. Pra, nëse burri bën aktin e martesës më nënën e vajzës dhe shkon me të (kryen marrëdhënie intime), atëherë nuk i lejohet më kurrë vajza e saj, edhe nëse i bën divorc të ëmës. Por nëse nuk shkon me të ëmën dhe e divorcon atë para se të bashkohen në shtratin bashkëshortor, i lejohet atij që të kërkojë dorën e vajzës së saj dhe të martohet me të. Kurse e anasjellta nuk është e lejuar: d.m.th. nëse burri bën kontratë martese me vajzën, atij nuk i lejohet më kurrë që të martohet me nënën e saj, edhe sikur ta divorcojë vajzën e saj para bashkimit me të në shtratin bashkëshortor. Rregulli është ky: “Kryerja e marrëdhënieve bashkëshortore me nënat i bën të ndaluara bijat e tyre, kurse thjesht akti me bijat i bën të ndaluara nënat e tyre.”

[240] Dhe jo me gratë e bijve të adobtuar, që nuk janë bijtë tuaj prej gjaku, sepse nëse biri i adobtuar e ndan gruan e tij, i lejohet babait të tij adobtues që të martohet me të.

[241]të mbash dy motra njëherësh nën kurorë është e ndaluar, por nëse e ndan njërën ose ajo vdes, lejohet martesa me motrën e saj. Po kështu, Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar edhe që të bashkosh mes gruas dhe hallës apo tezes së saj nën një kurorë.

[242] Para se të vijë Islami me ligjet e tij hyjnore, në të cilat njerëzimi gjen lumturinë e përhershme.

[243] I gjynaheve të robëve të Tij, kur ata i kërkojnë falje Atij për gjynahet e bëra dhe kthehen tek Ai me pendim.

[244] Për ata që i binden Atij prej krijesave të Tij.

 

Kthehu te Xhuzi 4 a Vazhdo te Xhuzi 5

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.