87. Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër (të vërtetë) përveç Tij.[1] Ai do t’ju mbledhë të gjithëve në ditën e Kiametit[2], për të cilën nuk ka pikë dyshimi.[3] E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në fjalë?[4]
88. Ç’është me ju që jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve,[5] kur Allahu i ka kthyer ata[6] për shkak të veprave të tyre?! A mos vallë dëshironi të ktheni në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka lënë në humbje?[7] Për atë që Allahu lë në humbje, nuk mund të gjesh rrugë.
89. Ata (hipokritët) dëshirojnë që edhe ju të mohoni ashtu si kanë mohuar ata dhe të bëheni të njëjtë me ata.[8] Por ju kurrë mos bëni miq prej tyre,[9] derisa të emigrojnë për hir të Allahut. E nëse ata refuzojnë[10], ndiqini e vritini kudo që t’i gjeni, dhe mos zini prej tyre as miq, as ndihmues.[11]
90. Me përjashtim të atyre që strehohen te një popull me të cilin ju keni marrëveshje,[12] ose atyre që kanë ardhur te ju, e u vjen rëndë që të luftojnë kundër jush ose të luftojnë kundër popullit të vet[13]. Po të kishte dashur Allahu, do t’u kishte dhënë dorë të lirë mbi ju dhe ata do të luftonin kundër jush.[14] Por, përderisa ata tërhiqen prej jush, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju lë rrugë (që të luftoni) kundër tyre.
91. Do të hasni edhe të tjerë, të cilët duan të sigurohen nga ju dhe nga populli i vet.[15] Sa herë që u vjen një sprovë, bien menjëherë në të.[16] Në qoftë se këta nuk tërhiqen prej jush, nuk ju ofrojnë paqe dhe nuk heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë kapini dhe vritini kudo që t’i zini! Kundër këtyre u kemi dhënë të drejtë të qartë (për t’i luftuar).[17]
-92-
[1] Allahu është Një, i Vetëm e i Pashoq në Atributet dhe Qënien e Tij, në krijimin e gjithçkaje që ekziston dhe në mbajtjen e mbikqyrjen e gjithçkaje, prandaj Vetëm Ai është i Adhuruari i Vërtetë dhe i Pashoq.
[2] Do t’ju ringjallë të gjithëve pas vdekjes dhe pasi të bëhet Kiameti, për të shpërblyer secilin për veprat që ka bërë në dynja; ata që i janë bindur Atij dhe kanë adhuruar vetëm Atë me xhenet, dhe ata që nuk i janë bindur Atij dhe nuk e kanë veçuar Atë në adhurim, me dënimin e dhembshëm e të tmerrshëm të xhehenemit.
[3] Nuk ka pikë dyshimi nga asnjë këndvështrim, sepse këtë e vërteton argumenti logjik dhe argumenti hyjnor. Argumenti logjik është ajo që shohim prej ringjalljes së tokës pas vdekjes së saj, krijimi i parë i gjithçkaje i cili është më i vështirë se rikrijimi i tyre për së dyti, dhe nuk është logjike që Allahu të krijojë diçka pa qëllim! Argumenti hyjnor është njoftimi i më të vërtetit në fjalë, madje betimi i Tij për këtë gjë, kur thotë: “E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në fjalë?”. Argumentet nga Kurani e Suneti për këtë janë të shumta.
[4] Fjala dhe njoftimet e Allahut janë në gradën më të lartë të vërtetësisë, prandaj gjithçka që thuhet në temën e besimit dhe bindjes në kundërshtim me atë që ka thënë Allahu, janë të pavërteta sepse bien në kundërshtim me fjalën e vërtetë e të sigurtë, kështu që nuk mund të jenë të vërteta.
[5] Është fjala për disa hipokritë të Mekes të cilët shfaqën Islamin dhe fshehnin kufrin, dhe nuk emigruan tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) në Medine. Shokët e Profetit ishin në mëdyshje në lidhje me këta njerëz dhe u ndanë në dy grupe: njëri grup hezitoi t’i luftonte ata për shkak se shfaqnin Islamin dhe besimin, kurse grupi tjetër gjykoi për kufrin e tyre duke u bazuar në veprat e tyre dhe përsëritjen e mohimit prej tyre herë pas here. Atëherë Allahu i njoftoi ata se nuk duhet të jenë në mëdyshje dhe as të dyshojnë për kufrin e atyre sepse kjo gjë ishte e qartë nga veprat e tyre, madje ata kërkojnë që edhe ju të bëheni si ata.
[6] Në ligjet që zbatohen ndaj idhujtarëve; në lejimin e derdhjes së gjakut, marrjes së pasurive dhe robërimit të tyre. Pra gjykimi ndaj këtyre është i njëjtë me gjykimin ndaj idhujtarëve.
[7] Fjala i drejtohet atij grupi që mbajti anën e hipokritëve, duke i thënë: “A kërkoni udhëzimin në Islam të këtyre që Allahu i ka devijuar nga e vërteta dhe nuk u ka dhënë sukses në ndjekjen e Islamit për shkak të veprave të tyre?”
[8] Të mohoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të bëheni mohues njësoj si ata.
[9] Mos i doni ata dhe mos u miqësoni me ta, por urrejini dhe luftojini derisa të besojnë e të emigrojnë ashtu si edhe ju.
[10] Besimin dhe emigrimin, në mënyrë të hapur.
[11] Mos i bëni miq ata duke u besuar çështjet tuaja dhe as mos merrni ndihmues prej tyre që t’ju ndihmojnë kundër armikut tuaj, sepse ata janë mohues të fesë dhe nuk ju duan të mirën.
[12] Allahu përjashton nga luftimi i këtyre hipokritëve, tre grupe prej tyre: Grupi i parë: Ata që strehohen tek një popull me të cilin muslimanët kanë lidhur pakt për paqe. Këta konsiderohen njësoj si individët e atij populli.
[13] Grupi i dytë janë ata hipokritë që i respektojnë muslimanët dhe e kanë të rëndë të luftojnë kundër tyre, por as nuk mund të bashkohen me muslimanët dhe të luftojnë popullin e tyre. Kështu që nuk i bashkohen asnjërës palë dhe kjo është e mirë për muslimanët, sepse së paku nuk bashkohen me armikun dhe nuk i luftojnë ata.
[14] Prandaj falënderoni Zotin tuaj për këtë të keqe që ua largoi, ndërkohë që ishte e mundur që ajo të ndodhte.
[15] Ky është grupi i tretë i atyre hipokritëve që muslimanët u ndaluan t’i luftonin: Disa njerëz që kur ballafaqoheshin me muslimanët, shfaqnin Islamin për të ruajtur kokën, familjen e pasurinë, kurse kur shkonin te populli i tyre idhujtar, adhuronin idhujt dhe ndiqnin fenë e tyre, nga frika prej tyre.
[16] Sa herë që sprovohen me kthim në mohim e idhujtari, ata verbohen dhe kthehen në to.
[17] Për faktin se ata ngrenë dorë kundër jush në mënyrë të padrejtë dhe nuk duan paqe, kështu që të mos qortojnë veçse veten e tyre për atë që do i gjejë nga duart tuaja, o besimtarë.
92. Besimtarit nuk i është lejuar kurrë të vrasë një besimtar tjetër, përveçse gabimisht.[18] E kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një rob besimtar dhe t’u japë shpagimin e gjakut të derdhur familjes së të vrarit,[19] përveç në rast se ata ia falin atij në formë lëmoshe.[20] Por në qoftë se i vrari është prej një populli që e keni armik,[21] por ai është besimtar, atëherë duhet të lirohet një rob besimtar.[22] Dhe në qoftë se i vrari është prej një populli me të cilin keni lidhur marrëveshje,[23] duhet t’i jepet shpagimi familjes së tij dhe të lirohet një rob besimtar[24]. E kush nuk ka mundësi,[25] duhet të agjërojë dy muaj rresht si pranim të pendimit nga Allahu.[26] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[27]
93. Kushdo që vret një besimtar me paramendim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë.[28] Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar[29] dhe i ka përgatitur dënim të madh.[30]
94. O besimtarë! Kur të dilni në rrugë të Allahut[31], shqyrtoni gjithçka me kujdes[32], dhe mos i thoni atij që ju përshëndet me selam[33]: “Nuk je besimtar”, me qëllim që të arrini diçka të përkohshme nga jeta e dynjasë,[34] ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta.[35] Kështu keni qenë edhe ju më parë,[36] por Allahu ju dha mirësi[37]; prandaj sqarojini mirë çështjet! Me të vërtetë, Allahu njeh në hollësi gjithçka që veproni.[38]
-93-
[18] Nuk i lejohet kurrë një besimtari që të vrasë një besimtar tjetër, përveç nëse kjo ndodh gabimisht, pa dëshirën dhe vullnetin e tij, dhe në këtë rast nuk ka gjynah dhe mëkat, por duhet të shpaguajë gjakun e të vrarit. Vrasja e një besimtari e mohon besimin dhe ajo mund të bëhet vetëm nga një jobesimtar apo nga ndonjë i shthurur me besim shumë të dobët. Kurse besimtari i vërtetë nuk e vret kurrë vëllanë e tij besimtar. Vrasja e një besimtari është vepër kufri (mohimi) dhe mëkati më i madh pas idhujtarisë. Profeti ynë ka thënë: “Mos u ktheni mohues pas meje, duke vrarë njëri-tjetrin.”
[19] Në vrasjen gambimisht, robi që duhet liruar paguhet nga pasuria e vrasësit, kurse shpagimi material i gjakut bëhet nga fisi i vrasësit, duke e ndarë atë mes tyre. Shpagimi ka vlerën e njëqind krerë deve, të sqaruara hollësisht në librat e fikhut.
[20] Nëse familja e atij që është vrarë gabimisht ia falin shpagimin vrasësit, atëherë ai çlirohet prej tij dhe nuk paguan asgjë. Allahu e ka përmendur këtë falje në formë lëmoshe, me qëllim që të nxisë në faljen e saj dhe ata kanë shpërblimin sikur ta kishin dhënë lëmoshë atë vlerë.
[21] Nga një popull armik i fesë tuaj, nga një popull jomusliman që ju ka shpallur luftë.
[22] Nëse një musliman e vret gabimisht një musliman tjetër që ndodhet në mesin e popullit armik jomusliman që ju ka shpallur luftë, duke menduar se edhe ai është jomusliman si ata, duhet të lirojë një rob besimtar, por nuk ka detyrim që të shpaguajë gjakun e tij.
[23] Marrëveshje për paqe dhe siguri mes dy vendeve, atij musliman dhe atij jomusliman.
[24] Shpagimi i gjakut të derdhur në këtë rast, edhe pse i vrari është jomusliman, bëhet për shkak të marrëveshjes mes dy vendeve, të cilës muslimanët duhet t’i përmbahen, dhe paguhet nga fisi i vrasësit, sepse kemi të bëjmë me vrasje pa qëllim, kurse robi që lirohet është si pendesë tek Allahu dhe kërkim falje nga Ai.
[25] Kush nuk ka mundësi materiale për blerjen dhe lirimin e një robi besimtar.
[26] Allahu i ka bërë lehtësim atij duke ia pranuar pendimin edhe me agjërimin e dy muajve rresht në vend të lirimit të robit besimtar, si mëshirë dhe bujari nga Ai.
[27] Allahu e di mirë se cilat ligje janë më të mira për robët e Tij dhe ua vendos ato, dhe i Urtë në vendosjen e gjithçkaje në vendin e vet. Allahu me dijen dhe urtësinë e Tij i ka vendosur këro ligje dhe asnjë ligj tjetër nuk mund të jetë më i mirë se këto, qoftë në lidhje me vrasjen apo me gjithçka tjetër. Kjo dallohet qartë nga çdokush që qëndron mendueshëm në këto ligjë që lidhen me vrasjet, apo në ligje të tjera të Allahut.
[28] Këtë dënim meriton ai që vret një besimtar, nëse nuk ka diçka tjetër që e pengon atë, sepse dënimet zbatohen nëse plotësohen shkaqet e tyre dhe eliminohen pengesat e mundëshme për zbatimin e tyre. Kështu thonë dijetarët e ehli sunetit, në kundërshtim me havarixhët dhe mutezilitë, të cilët thonë se ky dënim i përmendur në këtë ajet zbatohet mbi të gjithë ata që e bëjnë këtë vepër, edhe nëse janë besimtarë që e njësojnë Allahun. Por e vërteta është ajo që thonë dijetarët e ehli sunetit dhe ajo që ka për qëllim Allahu, sepse besimi në Allahun dhe adhurimi vetëm i Atij është pengues i të qëndruarit përgjithmonë në Zjarr, gjë të cilën e provojnë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, si dhe unanimi i dijetarëve të Islamit. Po kështu edhe pendimi, fatkeqësitë e mëdha, marrja e dënimit të caktuar nga Allahu në dynja, të gjitha këto e pengojnë dënimin e përhershëm në botën tjetër, dhe kështu mbetet dënimi i përkohshëm apo falja nga Mëshirëploti dhe Falësi i Madh. Kurse për mohuesin që vret një besimtar dhe vdes duke qenë mohues, padyshim se vendi i tij është zjarri ku do të qëndrojë përgjithmonë. [Es Seadi, Ibnul Kajjim el Xheuzije, në ‘Medarixhu es Salikin”].
[29] E ka larguar nga mëshira e Tij dhe e ka braktisur atë.
[30] Madhësinë e të cilit nuk e di veçse Allahu i Madhëruar.
[31] Kur të shkoni në xhihad për të luftuar armiqtë tuaj dhe armiqtë e Allahut.
[32] Mos u nxitoni në vrasjen e atyre për të cilët jeni në pështjellim, nëse janë apo jo muslimanë, dhe mos vrisni askënd përveç atyre që e dini të sigurtë se ju luftojnë ju, Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
[33] Ju përshëndet me përshëndetjen Islame, es selamu alejkum, për të treguar se është musliman.
[34] Duke e vrarë atë njeri dhe duke i marrë plaçkën që ka me vete.
[35] Furnizim, begati e mirësi të qëndrueshme e të përhershme, të cilat ju i arrini duke ju bindur Allahut.
[36] Të humbur nga rruga e drejtë, apo që e fshihnit besimin tuaj nga populli juaj për shkak të frikës prej tyre, para se Allahu ta ngrinte Islamin dhe t’i fuqizonte muslimanët.
[37] Ju udhëzoi në fenë e Tij dhe ju fuqizoi bashkë me të.
[38] Dhe shpërblen gjithësecilin për veprën dhe qëllimin e tij.
95. Nuk janë të barabartë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të dëmtuarve,[39] me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më lart ata që luftojnë në rrugën e Tij mbi ata që rrinë në shtëpitë e veta[40]. Allahu i ka premtuar mirësi[41] secilit prej tyre[42], por luftëtarët, Ai i ka dalluar mbi ata që rrinë me shpërblim të madh:
96. me shkallë të larta, me falje e mëshirë prej Tij. Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.
97. Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që janë keqbërës të vetvetes[43], u thonë: “Në ç’gjendje ishit[44]?” Ata thonë: “Ishim të pafuqishëm në Tokë.”[45] (Engjëjt) u thonë: “A nuk ishte Toka e Allahut e gjerë që të emigronit në të?”[46] Por vendi i këtyre është Xhehenemi, e ku ka vend më të keq se ai!
98. Me përjashtim të të pafuqishmëve[47] prej burrave, grave e fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqi, as mundësi të drejtohen në rrugë.
99. Allahu do i falë ata[48], sepse Allahu është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.[49]
100. Kushdo që emigron në rrugën e Allahut,[50] ai gjen vende të shumta dhe begati në tokë.[51] Kushdo që lë shtëpinë e vet[52] për të emigruar tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, pastaj i vjen vdekja[53], shpërblimi i tij është bërë i domosdoshëm tek Allahu.[54] Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
101. Kur të jeni në udhëtim, nuk është gjynah që të shkurtoni diçka prej namazit[55], nëse frikësoheni nga ndonjë dëm i mohuesve.[56] Me të vërtetë, mohuesit janë armiqtë tuaj të hapur.[57]
-94-
[39] Ata që janë dëmtuar dhe që nuk kanë mundësi fizike të shkojnë në luftë.
[40] Ata që rrinë në shtëpi nga pamundësia fizike për të shkuar në xhihad apo nga ajo materiale për të shpenzuar për të.
[42] Atyre që luftojnë në rrugën e Allahut dhe atyre që nuk kanë mundësi të luftojnë, e sikur të kishin mundësi, do të luftonin.
[43] Duke vepruar vepra që janë shkak për zemërimin e Allahut ndaj tyre dhe duke mos emigruar te muslimanët por duke ndenjur në mesin e jomuslimanëve apo duke luajtur rolin e hipokritit dhe duke përkrahur jomuslimanët kundër muslimanëve. Ajeti përfshin ata që kanë qenë në këtë gjendje në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) si dhe të gjithë ata që u përputhen gjendjes së tyre në të gjitha kohët.
[44] Në lidhje me fenë dhe besimin tuaj.
[45] Justifikohen duke thënë se populli i vendit të tyre i pengonte ata nga besimi dhe nga pasimi i Profetit, dhe se këta ishin të dobët e të pafuqishëm për të duruar shtypjet e tyre.
[46] A nuk mund ta linit vendin tuaj dhe të largoheshit prej atyre që ju pengonin nga besimi në Allah dhe nga pasimi i të Dërguarit të Allahut, dhe të shkonit në atë vend ku ishit të ruajtur nga idhujtarët dhe ku mund të adhuronit vetëm Allahun dhe të pasonit të Dërguarin e Tij?
[47] Që nuk kanë fuqi e mundësi të emigrojnë nga vendi i idhujtarisë në vendin Islam.
[48] Të pafuqishmit e përmendur më sipër.
[49] Allahu i shlyen gjynahet robërve të Tij besimtarë, duke mos i dënuar ata për shumë gjynahe që bëjnë, përderisa nuk i kanë bërë shok Atij, dhe ua mbulon gjynahet atyre duke mos ua shpejtuar dënimin për to, prandaj mos u ktheni më kurrë tek ato që u kam ndaluar, që të mos ju vijë ndonjë dënim i madh.
[50] Për të mbajtur fenë e Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Tij, ashtu si e ka ligjëruar Allahu.
[51] Kushdo që emigron për hir të Allahut dhe fesë së Tij, Allahu i nënshtron atij vende të shumta në tokë dhe i jep begati e lehtësi të mëdha, si nga ana e fesë edhe nga ajo e dynjasë, si kundërveprim ndaj armiqve të Allahut që i ngushtojnë besimtarët dhe i detyrojnë ata të emigrojnë, dhe për inat të tyre. Ky ajet nxit për emigrim për hir të Allahut dhe premton se ai që e bën këtë do të gjejë të gjitha të mirat, dhe Allahu nuk i thyen premtimet.
[52] Në vendin e idhujtarisë dhe të mohimit të Allahut.
[53] Para se të arrijë te vendi Islam ku ka për qëllim të emigrojë.
[54] Ai patjetër që do ta marrë shpërblimin për emigrimin e tij në rrugë të Allahut edhe pse nuk e realizoi atë faktikisht, por ai vendosi të emigronte dhe e ndërmorri këtë veprim, prandaj Allahu do e shpërblejë atë në mënyrë të plotë.
[55] D.m.th. të shkurtoni në numrin e rekateve të disa namazeve të detyrueshme nga katër rekate që janë në origjinë, në dy rekate, dhe bëhet fjalë për namazin e drekës (dhuhr), mbasdites (asr) dhe darkës (isha), prandaj thuhet: “diçka prej namazit”, dhe jo “të shkurtoni namazet”, sepse jo te gjitha namazet shkurtohen dhe ky shkurtim është i kufizuar ashtu si e ka sqaruar suneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem).
[56] Nga ajeti kuptohet se për lejimin e shkurtimit të namazit duhet të plotësohen dy kushte: udhëtimi dhe frika nga armiku, por më pas Profeti sqaroi se vetëm udhëtimi mjafton si kusht për shkurtimin e namazit, gjë e cila ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Umer ibën el Hattab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili e pyeti Profetin me habi: “Por tani ne jemi të sigurtë dhe nuk kemi më frikë nga armiku! (Atëherë pse ta bashkojmë namazin në udhëtim?)” Kurse Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Kjo është një lëmoshë nga Allahu për ju, prandaj pranojeni lëmoshën e Tij.” Dhe në të njëjtën kohë, nëse bashkohet udhëtimi dhe frika nga armiku, siç ndodh në luftë, atëherë lejohet shkurtimi i namazit, jo vetëm në rekate por edhe në formën e kryerjes së tij, siç e sqaron ajeti në vijim.
[57] E shprehin hapur armiqësinë dhe luftën ndaj jush dhe ndaj besimit tuaj tek Allahu dhe tek Profeti i Tij.
102. Kur ti (o Muhamed) të jesh në mesin e tyre (në luftë) dhe t’u prish në namaz, një grup prej tyre të falet me ty[58] dhe të mbajnë armët pranë vetes[59]! Pasi këta të bëjnë sexhde[60], të qëndrojnë pas jush[61] dhe të vijë një grup tjetër që nuk është falur, për t’u falur me ty dhe të jenë syçelë e të mbajnë armët pranë[62]. Mohuesit dëshirojnë që të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve dhe pajisjeve tuaja, me qëllim që t’ju mësyjnë të gjithëve njëherazi.[63] Nuk është gjynah për ju që nëse për shkak të shiut apo të ndonjë sëmundjeje, t’i lini armët, por qëndroni syçelë. Padyshim se Allahu ka përgatitur dënim poshtërues për mohuesit.[64]
103. Pasi të kryeni namazin[65], përmendeni Allahun duke qenë në këmbë, të ulur dhe shtrirë.[66] Dhe kur të siguroheni nga rreziku, faleni namazin të plotë, sepse namazi për besimtarët është detyrim në kohë të caktuar.[67]
104. Mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armikut! Nëse ju ndieni dhembje (nga plagët e luftës), edhe ata ndiejnë dhembje ashtu si edhe ju,[68] mirëpo ju shpresoni nga Allahu atë që ata nuk e shpresojnë[69]. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[70]
105. Vërtet, Ne ta kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin (Kuranin) me të vërtetën,[71] në mënyrë që ti të gjykosh mes njerëzve sipas asaj që të ka shpallur Allahu.[72] Dhe mos u bëj mbrojtës i tradhtarëve![73]
-95-
[58] Kurse grupi tjetër të qëndrojë në front përballë armikut.
[59] Që të jenë të gatshëm në çdo ras sulmi të mundshëm nga armiku, apo kur të mbarojnë namazin dhe të kthehen në front te armiku.
[60] Të plotësojnë namazin e tyre, i cili në këtë rast është vetëm një rekat dhe pas tij duhet të japin selam dhe të shkojnë në front që të vijë grupi tjetër për t’u falur me Profetin.
[61] Të kthehen në front te armiku.
[62] Ajeti bën fjalë për namazin e frikës në kohë luftimi, dhe për mënyrën e faljes së këtij namazi kanë ardhur disa forma të ndryshme nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), ku secila tergon mënyrën e faljes në raste dhe gjendje të ndryshme të përballjes me armikun. Këto forma përmenden hollësisht në librat e fikhut.
[63] T’ju vrasin dhe t’ju marrin armët dhe pajisjet tuaja të luftës që i keni me vete. Prandaj, të jeni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm edhe gjatë faljes në luftë, por assesi mos e lini faljen me xhemat dhe as mos e neglizhoni armikun.
[64] Dënimi i xhehenemit nga i cili nuk do të dalin kurrë.
[65] Në formën e sqaruar më sipër, kur jeni në luftë e sipër.
[66] Madhërojeni Allahun në çdo kohë dhe gjendje që të jeni gjatë luftës, dhe bëni lutje që Ai t’ju ndihmojë dhe t’ju japë triumfin kundër armiqve tuaj.
[67] Namazi ka kohë të caktuar fillimi dhe mbarimi brenda së cilës ai është detyrim që të kryhet. Secili prej pesë namazeve të ditë-natës ka kohën dhe rregullat e veta, të cilat janë të sqaruara në detaje, në librat e fikhut.
[68] Nga plagët e marra prej jush.
[69] Ju shpresoni shpërblimin e Allahut për shkak të plagëve apo dëmtimeve që merrni prej tyre, kurse ata nuk shpresojnë ndonjë shpërblim për plagët që marrin prej jush. Kështu që ju duhet të jeni më të durueshëm ndaj armikut se armiku ndaj jush, madje t’i kërkoni e t’i gjeni ata kudo që të jenë, edhe nëse kjo kërkon përpjekje dhe lodhje nga ju, por shpërblimi i Allahut është shumë i madh.
[70] Allahu e di mirë se çfarë është e mirë për krijesat e Tij, ndaj edhe i vendos atyre ligjet e Tij me urtësinë më të lartë.
[71] Gjithçka që përmban Kurani është e vërtetë dhe e vërteta e tij është e ruajtur nga Allahu dhe nuk mund t’i futet e pavërteta nga djalli apo ndjekësit e tij.
[72] Dhe jo sipas dëshirës dhe epshit tënd, por sipas drejtësisë që të ka shpallur Allahu, qoftë për çështjet e fesë apo për çështjet e dynjasë.
[73] Mos i mbro ata që tradhëtojnë një musliman apo një aleat të muslimanëve, qoftë duke e vrarë apo duke i marrë pasurinë atij pabesisht.
106. Kërko falje nga Allahu[74], sepse Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
107. Mos polemizo për ata që bëhen të pabesë[75], se Allahu nuk i do ata që janë tradhtarë e mëkatarë.[76]
108. Ata fshihen nga njerëzit dhe nuk fshihen nga Allahu,[77] ndërkohë që Ai është me ta[78], kur ata komplotojnë natën gjëra që Ai nuk i pëlqen.[79] Allahu është në dijeni të plotë për gjithçka që ata veprojnë.[80]
109. Ja, ju jeni ata që i mbroni ata në jetën e kësaj bote, por kush do t’i mbrojë ata tek Allahu në ditën e Kiametit apo kush do të jetë përfaqësues i tyre?[81]
110. Kushdo që punon vepër të keqe ose i bën padrejtësi vetvetes (me gjynahe), pastaj kërkon falje prej Allahut, e gjen Allahun Falës të madh, Mëshirëplotë.[82]
111. Kushdo që bën gjynah, e bën në llogari të vetvetes. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[83]
112. Kushdo që bën një të keqe apo gjynah,[84] pastaj ia vesh atë një të pafajshmi, padyshim se ai e ka ngarkuar veten me fajin e shpifjes dhe me gjynah të qartë.[85]
113. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj teje, një grup prej tyre do të përpiqej që të të nxirrte në humbje, por ata nuk humbasin veçse vetveten, kurse ty nuk mund të bëjnë kurrfarë dëmi.[86] Allahu të ka zbritur ty Librin dhe Urtësinë,[87] dhe të mësoi atë që nuk e ke ditur.[88] Vërtet, mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.
-96-
[74] Për çdo gabim dhe gjynah, të madh e të vogël, që e di dhe që nuk e di, dhe veçanërisht për mbrojtjen e tradhtarit.
[75] Me veprën e tyre, me pabesinë dhe tradhëtinë e tyre.
[76] Allahu nuk i do, madje i urren ata njerëz që tradhtia dhe mëkati janë bërë cilësi të tyre, nga që vazhdimisht i bëjnë ato.
[77] Këta njerëz me këto cilësi i fshihen syve të njerëzve, ndërkohë që njerëzit nuk mund t’u bëjnë gjë atyre përveç përmendjes për të keq, dhe këta fshihen nga turpi prej tyre, kurse nga Allahu ata nuk fshihen dhe nuk turpërohen, megjithëse Ai i sheh ata, i di në hollësi veprat dhe mendimet e tyre, dhe ka në Dorë që t’i ndëshkojë ata me ndëshkim të ashpër e të afërt!
[78] I mbikqyr në çdo çast dhe sheh e dëgjon çdo vepër e fjalë të tyre.
[79] Kur thurin tradhti dhe mënyra mashtrimi gjatë natës, për të shfajësuar kriminelin dhe për të fajësuar të pafajshmin.
[80] Asgjë nuk i shpëton Allahut nga veprat dhe fjalët e tyre, por megjithatë Ai nuk e shpejton dënimin e tyre, por ua regjistron veprat, i afatizon që të pendohen dhe të kthejnë rrugë, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë u jep dënimin e merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.
[81] Edhe nëse dikush prej jush, o besimtarë, i mbron ata që janë tradhtarë e mëkatarë me qëllim që të mbulojë turpin e tyre apo të largojë dënimin e caktuar për veprën e tyre në dynja, këtë gjë nuk mund ta bëjë askush para Allahut në botën tjetër, dhe secili prej tyre do të marrë dënimin e merituar. Pra, mos e bëni këtë vepër, nëse jeni besimtarë të vërtetë dhe kërkoni kënaqësinë e Allahut dhe atë që gjendet tek Ai.
[82] Kushdo që vepron vepër të keqe ndaj të tjerëve apo bën gjynahe dhe ngarkon vetveten me to, duke i shkaktuar asaj dëm dhe ndëshkim në këtë botë dhe në botën tjetër, pastaj pendohet me pendim të sinqertë e të plotë me të gjitha kushtet e tij (pranimin e gabimit dhe të mëkatit dhe keqardhjen e pendimin për kryerjen e tij, largimin krejtësisht prej tij apo kthimin e të drejtës te të zotët e saj, dhe vendosjen për të mos e kryer kurrë më atë), padyshim se Allahu ia pranon pendimin dhe ia fshin gjynahun, dhe nuk e dënon për atë.
[83] Kushdo që bën vepër të keqe, mbart pasojat e saj të këqija në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe askush tjetër nuk mund t’i mbajë ato në vend të tij. Ky është ligj universal i vendosur nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili di gjithçka dhe është i Urtë në gjykim.
[84] Kushdo që bën një të keqe të madhe apo një mëkat të vogël.
[85] Më gjynah të madh dhe të shumëfishtë, dënimi për të cilin është shumë i madh tek Allahu.
[86] Dijetarët e tefsirit të Kuranit përmendin se shkak për zbritjen e këtyre ajeteve (105-113) ka qenë një vdjedhje që bëri dikush nga fisi Benu Ubejrik në Medine, dhe kur u zbuluan, nuk donin të turpëroheshin nga njerëzit, kështu që e hodhën gjënë e vjedhur para shtëpisë së një të pafajshmi. Hajduti i kërkoi ndihmë fisit të tij që të shkonin te Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe t’i kërkonin që ta shpallte njeriun e tyre të pafajshëm në publik, duke i thënë se nuk ishte ai që vodhi, por ai në shtëpinë e të cilit u gjët gjëja e vjedhur. Atëherë Profeti (salallahu alejhi ue selem) vendosi që ta shfajësonte njeriun e tyre, por Allahu i shpalli këto ajete si përkujtim, sqarim të kësaj çështje dhe parandalim të Profetit (salallahu alejhi ue selem) nga mbrojtja e tradhtarëve të pabesë dhe mëkatarëve, gjë e cila është humbje nga rruga e drejtë dhe gjykim me verbëri. Por Allahu e ruajti të Dërguarin e Tij nga kjo humbje dhe nga çdo lloj humbje tjetër dhe ua ktheu mbrapsht atyre komplotin dhe humbjen.
[87] Nga mirësitë që Allahu i ka dhënë të Dërguarit të Tij është edhe Kurani dhe Urtësia. Kurani është ky Libër i shenjtë, udhërrëfyes dhe sqarues i gjithçkaje, kurse Urtësia është tradita profetike (suneti) sqaruese e Kuranit, si dhe njohja e të fshehtave të legjislacionit Islam dhe vendosja e gjërave në vendin e vet.
[88] Kjo përfshin të gjitha ato që Allahu ia mësoi Profetit të Tij dhe e bëri më të diturin e krijesave, të cilin nuk mund ta arrijë askush, nga të parët apo nga të fundit, prandaj në vijim thotë: “Vërtet, mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.”
114. Në shumë prej bisedave të tyre të fshehta s’ka kurrfarë të mire,[89] përveç atyre që urdhërojnë për lëmoshë, për vepër mirë apo për pajtim mes njerëzve.[90] E kush e bën këtë për të arritur kënaqësinë e Allahut, ne do t’i japim shpërblim të madh.
115. Kushdo që e kundërshton të Dërguarin,[91] pasi i është bërë i qartë udhëzimi[92] dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve,[93] Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur[94] dhe e fusim në Xhehenem; e nuk ka vend më të keq se ai.
116. Vërtet, Allahu nuk fal që t’i bëhet shok Atij,[95] kurse gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.[96] E kushdo që i bën shok Allahut, ai me të vërtetë, ka humbur humbje të largët.[97]
117. Ata nuk lusin tjetër veçse idhuj me emra femërorë[98] dhe nuk lusin veçse djallin e pabindur.[99]
118. Atë e mallkoi Allahu,[100] kurse ai tha: “Unë, doemos do të bëj për vete një pjesë të caktuar të robërve të Tu.[101]
119. Do t’i shpie ata në humbje,[102] do t’i josh me shpresa të kota,[103] do t’i urdhëroj që t’u presin veshët bagëtive[104] dhe pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut.[105]” Por s’ka dyshim se kush merr djallin për mbrojtës në vend të Allahut, ka përsuar humbje të qartë.[106]
120. Ai (djalli) u premton atyre[107] dhe i josh me shpresa, por djalli nuk u premton veçse mashtrime.[108]
121. Vendi i tyre përfundimtar është Xhehenemi dhe ata nuk mund të gjejnë shpëtim prej tij.[109]
-97-
[89] Në shumë prej bisedave të fshehta të grupeve të njerëzve nuk ka kurrfarë mirësie e dobie, dhe përderisa është kështu, ato ose janë të pavlera por të lejuara, ose janë të dëmshme dhe të palejuara.
[90] Lëmosha mund të jetë me pasuri ose me dije dhe çdo gjë të dobishme për të tjerët. Vepra e mirë përfshin çdo bindje ndaj Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij. Pajtimi bëhet mes dy palëve që janë në hasmëri apo të zemëruara me njëra-tjetrën, gjë e cila shkakton përçarje dhe të këqia që mund të arrijnë përmasa të mëdha, prandaj Islami nxit për të pajtuar mes njerëzve, qoftë për çështje gjaku e hasmërie, për marrëdhënie ekonomike, madje edhe në fe; për të mos u përçarë në grupe brenda saj.
[91] Kushdo që i kundërvihet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) në atë që i ka ardhur nga Allahu.
[92] Me argumente nga Kurani dhe me prova profetike që dëshmojnë për profetësinë e tij dhe se ajo që i është shpallur udhëzon në rrugën e drejtë.
[93] Që kanë besuar Allahun dhe ndjekin të Dërguarin e Tij.
[94] E lëmë në humbjen që vetë e ka zgjedhur pasi iu bë e qartë e vërteta, si shpërblim i drejtë ndaj tij, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.
[95] Në adhurim apo në hyjnizim.
[96] Edhe hajduti i pabesë nga fisi Beni Ubejrik, do të ishte në dëshirën e Allahut për falje apo dënim të gjynahut të tij që vodhi dhe ia veshi atë dikujt tjetër, sikur të mos kishte dezertuar nga Islami dhe të mos u bashkohej idhujtarëve të Mekës, por idhujtarinë Allahu nuk e fal kurrë vetëm nëse personi pendohet dhe kthehet nga idhujtaria në besim para se t’i vijë vdekja apo para se të lindë dielli nga perëndimi i tij.
[97] Ai ka devijuar shumë nga e vërteta dhe nga rruga e drejtë. Ai ka humbur tërësisht në këtë botë dhe në botën tjetër.
[98] Idhujtarët e asaj kohe në Mekë adhuronin idhuj që vetë i kishin emërtuar me emra femërorë, si: Uzza, Naila, Nesra, Menata, etj. Është për qëllim të përçmohen këta idhuj të tyre sepse jo vetëm që nuk kanë cilësi hyjnore, por kanë cilësi e emërtime të mangëta e përçmuara edhe në traditën e njerëzve.
[99] Në të vërtetë, këta idhujtarë nuk lusin veçse djallin e pabindur dhe të panënshtruar ndaj urdhrit të Allahut, i cili është armiku i tyre dhe që në të vërtetë dëshiron humbjen dhe shkatërrimin e tyre me të gjitha rrugët e mundshme.
[100] Allahu e mallkoi djallin, e nxori nga mëshira e Tij dhe e largoi atë.
[101] Do të mashtroj një pjesë të caktuar të robërve të Tu me thirrjen time dhe kushdo që i përgjigjet asaj, ai është nga pjesa e caktuar për mua, të cilët do të jenë në zjarr bashkë me mua. Që ta dinë ata të cilët kundërshtojnë Profetin pasi iu është bërë e qartë e vërteta dhe ndjekin rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, se ata janë nga pjesa e caktuar për shejtanin e mallkuar, dhe se ata janë ata për të cilët u vërtetua hamendja e Iblisit, se do të ndiqnin atë. (Shih: Es Sebe’, 20).
[102] Do i devijoj nga rruga e drejtë, në dije dhe në vepër.
[103] Duke u premtuar ato gjëra që u premtohen besimtarëve nga Allahu, për t’i larguar nga Njësimi dhe adhurimi i Allahut në bërjen shok Atij dhe në bindjen ndaj djallit.
[104] Si shenjë e veçantë përcaktimi për t’i bërë kurban për idhujt, dhe që t’u bëjë të ndaluar atë që ua ka lejuar Allahu dhe t’u lejojë atë që e ka ndaluar prej ushqimeve dhe adhurimeve. Këto bagëti i emërtuan edhe me emra të veçantë, si: Behira, Saibe, Vesile, Ham (El Maide, 103).
[105] Kjo përfshin ndryshimin e jashtëm fizik të aparences së njeriut apo të kafshës, me çdo lloj veprimi dhe mënyre që çon në ndryshim të krijimit të Allahut, qoftë me tatuazhe apo heqje të vetullave, me tredhje të kafshëve etj. Por mund të jetë për qëllim ndryshimi i fesë së Allahut, dhe në këtë rast përfshihet urdhërimi i djallit grupin e tij për të ndryshuar ndalesat në të lejuara dhe të lejuarat në ndalesa, si dhe çdo gjë tjetër që konsiderohet ndryshim i fesë së Allahut.
[106] Është shkatërruar dhe i ka shkaktuar vetes humbjen dhe përçmimin më të madh, sepse kush mund të të mbrojë nga Allahu dhe dënimi i Tij, kur edhe vetë Iblisi do të futet i përçmuar në zjarrin e Xhehenemit?!
[107] Grupit të vet që e ndjekin atë dhe thirrjen e tij, pjesës së vet të njerëzve dhe xhinëve, u premton se do të jetë mbrojtës dhe ndihmues i tyre nëse braktisin ato që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij, madje i kërcënon ata me varfëri dhe me frikë nëse shpenzojnë dhe luftojnë në rrugë të Allahut.
[108] Djalli i premton grupit të tij që e kanë marrë për mbrojtës atë, premtime të kota dhe të pavërteta, mashtrime, të cilat do t’i thotë hapur në ditën e gjykimit përpara Allahut dhe grupit të tij, kur ata të kenë nevojë për ndihmën e dikujt. (Shih: Ibrahim, 22).
[109] Nuk mund të gjejnë vend tjetër ku mund të shkojnë që të shpëtojnë nga xhehenemi, por do të qëndrojnë përgjithmonë në të.
122. Kurse ata që besojnë[110] dhe bëjnë vepra të mira[111], Ne do t’i shpiem në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim. Premtimi i Allahut është i vërtetë.[112] E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?![113]
123. Nuk është as sipas dëshirave tuaja, as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit;[114] kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për të[115] dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as ndihmues tjetër në vend të Allahut.[116]
124. Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet aspak padrejtësi.[117]
125. E kush ka fe më të mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, është mirëbërës[118] dhe ndjek fenë e pastër të Ibrahimit, të cilin Allahun e ka zgjedhur për mik të ngushtë[119]?!
126. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Allahu përfshin gjithçka në dijen e Tij.[120]
127. Ata kërkojnë sqarimin tënd në lidhje me gratë.[121] Thuaju: “Për ato ju sqaron Allahu dhe kjo që ju lexohet në Libër,[122] si për gratë jetime, të cilave nuk ua jepni të drejtën e ligjshme dhe dëshironi të martoheni me to,[123] ashtu edhe për fëmijët e mitur,[124] si dhe të veproni drejtë me jetimët.[125] Çdo të mirë që ju bëni, Allahu e di më së miri atë.”[126]
-98-
[110] Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe gjithçka që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.
[111] Të detyruara apo vullnetare, si dhe u largohen të ndaluarave dhe të papëlqyeshmeve, dhe në varësi të këtyre plotësohet ose pakësohet dhe forcohet ose dobësohet besimi i muslimanit, dhe si rrjedhojë ndryshojnë gradët e tyre në xhenet.
[112] Allahu e mban premtimin e vet që u ka dhënë besimtarëve në dynja dhe premtimi i Tij do të kryhet patjetër, ndryshe nga premtimi i djallit, i cili mashtron dhe e di që është mastrues. Prandaj të jeni të vetëdijshëm, o njerëz, që të mos mashtroheni nga shejtani dhe premtimet e tij, por të ndiqni rrugën e drejtë të Allahut duke synuar arritjen e kënaqësisë së Tij dhe shpërblimin e Tij të pallogaritur.
[113] Askush nuk flet fjalë më të vërtetë se ajo e Allahut, kështu që si mund t’i lini ato që iu urdhëron Allahu, dhe për të cilat iu ka premtuar shpërblim të madh?!
[114] Shpëtimi në jetën tjetër dhe të qenët më të mirë e më të udhëzuar nuk është sipas dëshirave dhe ëndërrave tuaja të zhveshura nga veprat, o muslimanë, dhe as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit prej jehudëve dhe të krishterëve, por e gjithë çështja është te besimi dhe vepra së bashku dhe nuk është plotësim dëshire pa vepruar asgjë. Thuhet gjithashtu se këtu nuk janë për qëllim muslimanët, por idhujtarët që janë nga grupi i djallit, të cilët mashtrohen nga ai me shpresa të kota, si dhe ithtarët e Librit të cilët thonë se nuk do të hyjë në xhenet askush tjetër përveç atyre që janë jehudi apo të krishterë. Por më afër të vërtetës është se ajeti i përfshin të gjithë, edhe muslimanët, sepse ky ligj është për të gjithë njerëzimin: çështja është me besim dhe vepër dhe jo me dëshira e shpresa të zhveshura nga vepra.
[115] Kushdo që vepron një të keqe, mëkat të madh apo të vogël, qoftë mysliman apo jomysliman, do ta marrë dënimin për të në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ky është ligj universal nga i cili nuk përjashtohet askush, përveç faktit se kur myslimani e merr dënimin në këtë botë për një të keqe që ka bërë, qoftë duke u dënuar nga shteti Islam me ligjet e Islamit apo nga ndonjë fatkeqësi që i vjen, e madhe apo e vogël, atij i falet ai gjynah dhe nuk dënohet për të në botën tjetër, gjë e cila nuk ndodh me jomuslimanët. Po kështu, pendimi nga një gjynah, e fshin atë gjynah njësoj sikur të mos ishte bërë, siç kanë ardhur tekstet e Kuranit dhe të sunetit profetik për këtë gjë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk ka fatkeqesi qe e zë muslimanin, veçse Allahu i fshin atij gjynahe për shkak të saj, madje edhe për gjembin që e thumbon atë.” [Buhariu].
[116] As mbrojtës që ta mbrojë atë nga dënimi i Allahut dhe as ndihmues që ta ndihmojë atë në përballimin e atij dënimi.
[117] Madje do t’iu shumëfishohet shpërblimi nga Allahu i Madhëruar, më Bujari.
[118] Që vepron mirë dhe sipas urdhrit të Allahut dhe ligjeve të caktuara nga Ai.
[119] Dy janë njerëzit që Allahu i ka zgjedhur si miqtë dhe të dashurit e Tij më të ngushtë, Ibrahimi dhe Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!), si rezultat i përmbushjes së urdhrit të Allahut dhe kalimit me sukses të të gjitha sprovave. Për këtë arsye Allahu e ka quajtur Ibrahimin prijës të njerëzimit dhe ka bërë që ai të përmendet deri në ditën e gjykimit, dhe jo se ka pasur nevojë për të dhe për miqësinë e tij, prandaj ajeti në vazhdim flet për sundimin e Allahut mbi gjithçka.
[120] Asgjë nuk i shpëton Allahut, por Ai di gjithçka në detaje, për çdo krijesë të Tij.
[121] Shokët e Profetit e pyetën atë në lidhje me çështjen e grave, se çfarë të drejtash dhe detyrimesh kanë ato.
[122] Allahu i sqaron të drejtat dhe detyrimet e grave kundrejt burrave të tyre në përgjithësi, në ajete të ndryshme të Kuranit, prej të cilave edhe ajetet në fillim të kësaj sure, kurse në këtë ajet do të sqarojë për gratë jetime dhe për padrejtësinë që u bëhej atyre në atë kohë.
[123] Nuk i jepnin mehrin e caktuar për martesë, dhe nëse i martonin me dikë tjetër duke qenë se ishin përgjegjës të ligjshëm të tyre, ato i mbanin një pjesë të mehrit apo të gjithë atë dhe nuk ua jepnin atyre.
[124] Që t’u jepni të drejtën e tyre të trashëgimisë dhe të mos u bëni padrejtësi. Në atë kohë nuk ia jepnin trashëgiminë fëmijëve të mitur të të vdekurit, prandaj urdhërohen që t’ua japin të drejtat e tyre të miturve jetimë dhe të dobët e të pambrojtur.
[125] Duke i dhënë secilit prej tyre pjesën e vet të trashëgimisë, pavarësisht moshës, sepse në atë kohë i jepnin hise vetëm të mëdhenjve prej vëllezërve jetimë dhe jot ë gjithëve. Po kështu, ajeti urdhëron në përgjithësi që ndaj jetimëve të mbahet drejtësi dhe të mos u hahet e drejta nga askush, madje përgjegjësi i tyre i ligjshëm duhet të kujdeset për mbarështimin e pasurisë së tyre duke vepruar gjithçka të mundshme që është në dobi të jetimëve që kanë nën patronazh.
[126] Çdo të mirë që ju bëni për jetimët apo për çdokënd tjetër, Allahu e di mirë atë dhe secilit i jep shpërblimin sipas veprave të veta.
128. Në qoftë se ndonjë grua i druhet përbuzjes nga burri i vet apo braktisjen prej tij[127], nuk përbën ndonjë gjynah për ata nëse bëjnë një marrëveshje mes tyre. Padyshim se marrëveshja është më e mirë,[128] sepse njerëzit janë të prirur nga koprracia.[129] Por nëse ju bëni mirë[130] dhe ruheni[131], s’ka dyshim se Allahu është i mirinformuar për çdo gjë që veproni.[132]
129. Ju nuk do të mund të mbani drejtësi midis grave tuaja, edhe sikur të përpiqeni,[133] por mos anoni krejtësisht nga njëra, duke e lënë tjetrën si të varur.[134] Por nëse përmirësoheni dhe ruheni,[135] patjetër që Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[136]
130. E nëse ata ndahen, Allahu i jep secilit nga mirësia e Tij. Allahu është Dorëgjerë, i Urtë.[137]
131. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.[138] Ne i kemi porositur ata që u është dhënë Libri para jush dhe juve: “Kini frikë Allahun![139] E nëse mohoni,[140] padyshim se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej gje gjithçka që gjendet në Tokë.[141] Allahu është i Vetëmjaftueshëm,[142] i Denjë për çdo lavdërim.
132. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Mjafton Allahu për Mbrojtës.[143]
133. Nëse do, Ai ju zhduk ju, o njerëz, dhe sjell të tjerë.[144] Allahu ka fuqi ta bëjë këtë.[145]
134. Kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote, ta dijë se tek Allahu është shpërblimi i kësaj bote dhe i botës tjetër.[146] Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.[147]
-99-
[127] Nëse gruaja sheh nga burri ftohje dhe mosdëshirim të saj për shkak të ndonjë tjetre apo për çdo lloj shkaku, atëherë më e mira për të në këtë rast është që të lidhë marrëveshje me burrin e saj, sipas së cilës asaj i duhet të heq dorë nga disa të drejta të saj kundrejt tij, siç është kufizimi në furnizim e veshmbathje, etj, me qëllim që të mos e prishin kurorën por të qëndrojnë të martuar në këtë gjëndje.
[129] Kërkojnë t’ju shpëtojnë detyrimeve të tyre dhe shpenzimeve, dhe në këtë pikë janë dorështrënguar dhe kopracë, gjë e cila është e ulët dhe e pahijshme, prandaj ruajuni prej saj.
[130] Nëse u bënë mirë grave tuaja duke duruar dhe duke iu dhënë të drejtat e tyre edhe pse urreni ndonjë ves apo moral të padëshiruar të tyre. Këtu përfshihet edhe veprimi it ë mirave në përgjithësi.
[131] I ruheni Allahut duke mos u bërë padrejtësi grave në të drejtat që u takojnë mbi ju. Këtu përfshihet edhe ruajtja nga Allahu dhe nga dënimi i Tij në përgjithësi, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.
[132] Në lidhje me gratë tuaja dhe në lidhje me çdo gjë tjetër prej veprave tuaja, në detaje, dhe do ju shpërblejë sipas tyre.
[133] Nëse një burrë ka më shumë se një grua (deri në katër që lejohet të mbahen në kurorë), ai nuk do të mundët të mbajë drejtësi të plotë midis tyre, sepse edhe sikur të mbajë drejtësi nga ana materiale, kurrë nuk do të mund të mbajë drejtësi nga ana shpirtërore në lidhje me dashurinë që ka për secilën prej tyre. Dhe Allahu ia ka falur këtë atyre dhe nuk do i dënojë për këtë që nuk e kanë në dorë, por Ai urdhëron ata t’u japin të drejtat që u takojnë secilës prej tyre.
[134] As të ve dhe as me burrë. Që as nuk mund të kërkojë të martohet me burrë tjetër dhe as nuk merr të drejtat e veta që i takojnë nga burri i saj, ku përfshihen edhe marrëdhniet bashkëshortore.
[135] Nëse i përmirësoni veprat tuaja, dhe mbani drejtësi mes grave duke u dhënë të drejtat e tyre dhe duke u sjellë mirë me to, dhe i ruheni Allahut nga të anuarit e tërësishëm vetëm nga njëra prej tyre, që Ai ua ka ndaluar.
[136] Allahu jua fal ato që kanë kaluar dhe jua mbulon ato, sepse Ai është Mëshirëplotë ndaj jush.
[137] Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes bashkëshortëve dhe ata zgjedhin divorcin, atëherë Allahu i jep secilit prej tyre nga mirësia dhe begatia e Tij, asaj i mundëson burrë më të mirë se ai për të dhe atij grua më të mirë për të se ajo. Allahu është i Urtë në vendosjen e ligjeve të Tij dhe me urtësinë e Tij mëshiron dhe begaton aty ku duhet dhe aq sa duhet.
[138] Mbretëria e qiellit dhe e tokës është e Allahut, dhe Allahu ka në dorë gjithçka, prandaj vetëm tek Ai duhet të kthehen besimtarët me lutje, në të mirë e në të keq, edhe ata që ndahen nga bashkëshortet e tyre.
[139] Bëni kujdes që të mos shkelni urdhrat e Tij dhe të mos veproni ndalesat e Tij.
[140] Nëse mohoni porosinë e Allahut dhe devotshmërinë ndaj Tij.
[141] Dhe Allahut nuk i bëhet dëm nga mohimi juaj, sepse Ai zotëron gjithçka dhe nuk ka nevojë aspak për krijesat e Tij, por ata që dëmtoheni jeni ju, o besimtarë dhe ju o njerëz në përgjithësi. Prandaj, o besimtarë, mos u bëni si ata që u kemi dhënë Librin më parë, që kundërshtuan Urdhrin e Allahut dhe e thyen besën që i kishin dhënë Atij, dhe si pasojë, iu vështirësua jetesa në dynja dhe disa prej tyre u shndërruan në majmunë e derra.
[142] Nuk ka nëvojë për asnjë nga krijesat e Tij, as për bir apo bashkëshorte, dhe as për ndonjë ndihmues, sepse Ai zotëron atributet absolute, dhe gjithësia është krijesë e Tij që i ka nevojën Atij për gjithçka që të mund të jetojë.
[143] Allahu kujdeset për gjithçka që ekziston me dijen, fuqinë dhe urtësinë e Tij absolute. Mund të thuhet se përsëritja e këtyre fjalëve në këto dy ajete është bërë për të treguar se në ajetin e parë krijesat kanë nevojë për Krijuesin e tyre, kurse Ai nuk ka nevojë për to, ndërsa në ajetin e dytë për të treguar se gjithësia mbahet, ruhet dhe drejtohet nga Allahu i Madhëruar.
[144] Nëse do Allahu, ju shuan të gjithë ju, o njerëz, dhe sjell të tjerë në vendin tuaj që të përkrahin dhe ndihmojnë Profetin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).
[145] Dhe ka fuqi të bëjë gjithçka që do, me urtësinë dhe dijen e Tij, prandaj kthehuni në rrugën e drejtë të Allahut, o njerëz, përndryshe do të shuheni të gjithë, dhe Allahu ka fuqi ta bëjë këtë.
[146] Kushdo që ka synime dhe dëshira të ulëta që nuk i kalojnë të mirat e kësaj bote të përkohshme, duke mos pasur aspak synim dhe dëshirë për botën tjetër, padyshim se vështrimi i tij është rrezeshkurtër dhe përpjekja e tij e mangët, dhe megjithëkëtë ai nuk do të arrijë nga kjo botë veçse atë që i ka caktuar Allahu, sepse Allahu është Zotërues i gjithçkaje dhe tek Ai janë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Kështu që të mirat e të dy botëve duhet të kërkohen vetëm nga Allahu, me ndihmën e Tij dhe mbështetjen tek Ai.
[147] Dhe me urtësinë e Tij, i jep sukses Atij që e meriton atë dhe poshtëron atë që meriton të poshtërohet.
135. O ju që besoni! Të jeni gjithnjë të drejtë për hir të Allahut në dëshminë tuaj,[148] qoftë edhe kundër vetvetes ose kundër prindërve apo të afërmve tuaj, qofshin të pasur apo të varfër, sepse Allahu di më mirë për ta.[149] Mos shkoni pas emocioneve tuaja e të shtrembëroni të vërtetën![150] Nëse ju shtrembëroni (dëshminë) ose tërhiqeni prej saj, vërtet që Allahu di në hollësi çdo gjë që ju veproni.[151]
136. O ju që keni besuar! Besoni Allahun,[152] të Dërguarin e Tij (Muhamedin), Librin që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij (Kuranin) dhe Librin që e ka zbritur më parë[153]. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe ditën e Kiametit, ai me të vërtetë që ka humbur tepër larg rrugës së drejtë.[154]
137. Ata që besojnë dhe pastaj mohojnë, më pas sërish besojnë dhe sërish mohojnë dhe thellohen në mohim, Allahu nuk i falë ata dhe nuk i udhëzon në rrugën e drejtë.[155]
138. Lajmëroji hipokritët për dënimin e dhembshëm që i pret.[156]
139. Ata të cilët miqësohen me mohuesit dhe lënë mënjanë besimtarët.[157] Vallë, mos kërkojnë fuqi tek ata, kur në të vërtetë e gjithë fuqia i përket vetëm Allahut?![158]
140. Ai ju ka shpallur në Libër[159]: Kur dëgjoni të mohohen ajetet e Allahut dhe të merren për tallje, mos rrini me ata njerëz, deri sa të ndërrojnë bisedë, [160] përndryshe do të ishit si ata.[161] Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit së bashku.[162]
-100-
[148] Drejtësia duhet të jetë atributi juaj i përhershëm, në çdo rast dhe gjendje, dhe ajo duhet të jetë për hir të Allahut, duke pasur në mendje mbikqyrjen e Allahut dhe shpërblimin e Tij për çdo vepër sipas natyrës së saj. Padyshim se dëshmia e drejtë dhe drejtësia është e vështirë të mbahet, sepse atë e pengon epshi dhe emocioni i njeriut, prandaj kanë gradë të larta dhe hije të rëndë ata njerëz që mbajnë drejtësi në çdo rast e gjendje, qoftë edhe kundër vetes dhe interesave të tyre. Por Ai që i frikësohet Allahut, e ka të lehtë ta arrijë këtë, me suksesin që i jep Allahu.
[149] Mos mbani anën e të pasurit për shkak të pasurisë së tij dhe as anën e të varfërit për shkak të varfërisë së tij, por dëshmoni drejt në çdo rast, sepse Allahu e di më mirë se ju gjendjen e tyre dhe se çfarë është më e mirë për secilin prej hasmëve dhe për vetë ju që dëshmoni. Prandaj, mbani drejtësi dhe dëshmoni vetëm sipas të drejtës dhe të vërtetës.
[150] Mos ndiqni emocionet, epshet e interesat tuaja e të bëni padrejtësi duke lënë dëshminë e vërtetë dhe duke shtrembëruar realitetin.
[151] Dhe ua regjistron gjithçka që veproni për t’ju shpërblyer sipas asaj që meritoni, prandaj kini frikë Allahun dhe dënimin e Tij dhe mos e shtrembëroni dëshminë dhe realitetin.
[152] Ajeti u drejtohet si besimtarëve që e besuan dhe e ndoqën Muhamedin dhe atë që iu shpall atij nga Aallahu, si konfirmim të besimit të tyre dhe për t’u mësuar ato që nuk i dinë apo që i dinë gabim, ashtu edhe atyre që kishin besuar në të dërguarit e tjerë të Allahut që kanë qenë para Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), prej ehlil kitab.
[153] Të gjitha librat dhe tekstet hyjnore që Allahu ia ka shpallur të dërguarve të Tij të mëparshëm, si Teurati dhe Inxhili.
[154] Ai që mohon qoftë edhe njërin prej të dërguarve të Allahut, apo prej librave a engjëjve të Tij, ka humbur humbjen më të madhe që të çon drejt dënimit të përhershëm në zjarrin e xhehenemit, sepse këto janë të lidhurra ngushtë me njëra-tjerën dhe mohimi i njërës prej tyre është mohim i të tjerave automatikisht.
[155] Ata qe e përsërisin mohimin pas besimit, duke qenë se udhëzohen në rrugën e drejtë, pastaj devijojnë prej saj, shohin pastaj verbohen, besojnë pastaj mohojnë dhe vazhdojnë në mohim të Allahut dhe urdhrave të Tij apo në mosbesim, pastaj thellohen edhe më shumë në këtë, padyshim se këta janë shumë larg suksesit për të gjetur dhe ndjekur rrugën e drejtë, larg faljes dhe mëshirës së Allahut, si rezultat i veprave të vetë atyre, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, por: “Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë). Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mohues." [Es Saff, 5]. Nga ajeti kuptohet që nëse ata kthehen në besim pas mohimit të tyre, dhe vazhdojnë në besim deri në vdekje, dhe vdesin duke qenë besimtarë, patjetër që Allahu i fal dhe i mëshiron ata.
[156] Jepu lajmin më të keq që ekziston atyre të cilët shfaqin Islamin dhe fshehin mohimin dhe mosbesimin, se ata do të kenë dënimin më të dhembshëm dhe më të mjerueshëm në zjarrin e xhehenemit, në botën tjetër.
[157] Që marrin për ndihmues e të dashur mohuesit dhe jo besimtarët.
[158] Kjo është gjendja e hipokritëve, të cilët menduan keq për Allahun dhe menduan se Ai nuk do t’i ndihmonte dhe nuk do t’i jepte triumfin besimtarëve, kur me vështrimin e tyre të cekët panë se jobesimtarët zotëronin disa mjete dhe mundësi materiale nga dynjaja, kështu që i zunë miq ata dhe krenoheshin me ta, pa e ditur mendjelehtët se e gjithë krenaria dhe fuqia i përket Allahut dhe është në Dorë të Tij. Vullneti i Tij vepron mbi të gjithë krijesat e Tij, dhe Ai ka premtuar se do t’i ndihmojë robët e Tij besimtarë, edhe pse ndonjëherë ata mund të sprovohen dhe të vuajnë diçka prej jobesimtarëve, por kjo nuk vazhdon gjithnjë dhe përfundimi do të jetë në anën e besimtarëve. Nga ajeti kuptohet se besimi përmban në vetvete edhe dashurinë për besimtarët dhe miqësimin me ta, dhe urrejtjen për jobesimtarët dhe armiqësinë me ta.
[160] Detyra e njerëzve kundrejt ajeteve të Allahut është që t’i besojnë dhe t’i madhërojnë ato, sepse ky është qëllimi i shpalljes së tyre dhe për këtë qëllim i ka krijuar Allahu krijesat e Tij. E kundërta e besimit në to është mohimi i tyre dhe e kundërta e madhërimit të tyre është tallja me to dhe përçmimi i tyre. Ajeti argumenton për ndalimin e të shoqëruarit dhe të qëndruarit në tubimet e atyre që ndjekin të pavërtetën, e çfarëdo lloji qoftë ajo: mohim, idhujtari, risi në fe (bidate) apo mëkate e vepra të këqija.
[161] Qëndrimi me ta në këtë rast tregon pranim të talljes së tyre dhe kënaqje me atë që thonë, dhe kështu që bëhesh njësoj si ata. Detyra e besimtarit në këtë rast është që t’i kundërshtojë ata nëse ka mundësi, e në të kundërt, duhet të ngrihet dhe të largohet prej tyre.
[162] Ashtu si u bashkuan në dynja në mohim dhe miqësi të njëri-tjetrit. Në botën tjetër nuk do t’u bëjë dobi hipokrizia hipokritëve, por do të bashkohen me grupin që i përkasin në të vërtetë.
141. Ata të cilët presin se çdo bëhet me ju[163]; nëse ju vjen fitore nga Allahu, thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju[164]?” E, nëse mohuesit arrijnë ndonjë pjesë fitimi[165], ata thonë: “A nuk ju patëm në dorë dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve[166]?” Allahu do të gjykojë mes jush në ditën e Kiametit,[167] dhe Allahu kurrë nuk do t’u japë mohuesve pushtet mbi besimtarët.[168]
142. Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun,[169] por është Ai që i mashtron ata.[170] Kur ata ngrihen në namaz, ngrihen për përtesë, sa për sy të njerëzve[171] dhe nuk e përmendin Allahun, veçse pak.[172]
143. Të luhatur mes dy palëve; as me këta, as me ata.[173] Por, për atë që humb Allahu, ti nuk mund të gjesh rrugë.[174]
144. O ju që besoni![175] Mos i merrni mohuesit për miq në vend të besimtarëve! Mos vallë doni që t’i jepni Allahut provë të qartë kundër vetvetes?[176]
145. S’ka dyshim që hipokritët do të jenë në shtresën më të poshtme të Xhehenemit[177] dhe kurrsesi nuk do t’u gjesh ndihmës atyre.[178]
146. Përveç atyre që pendohen, përmirësohen[179], strehohen tek Allahu[180] dhe besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun.[181] Patjetër që këta do të jenë me besimtarët, e Allahu do t’u japë besimtarëve shpërblim të madh.[182]
147. Si mund t’ju dënojë Allahu, nëse ju falënderoni dhe besoni?! Allahu është Mirënjohës, i Gjithëditur.[183]
-101-