"Dhe kushdo që kundërshton të Dërguarin (Muhammedin), pasi t’i jetë treguar qartë atij Rruga e Drejtë dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do ta mbajmë atë në atë drejtim që ai vetë ka zgjedhur. Dhe do ta djegim atë në Zjarr - Dhe sa përfundim i keq!" [En Nisa, 115]

 

Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në kritikën e individëve
librave dhe grupeve (1)

 

Dijetari i madh
Rabij ibën Hadi el Med-hali
Ishdrejtor i Institutit të Sunetit në
Universitetin Islamik në Medinen e ndritshme

Përktheu: Bledar ALBANI

 

 

Parathënia e botimit të dytë

 

Falënderimi i përket vetëm Allahut dhe paqja e salavati i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij!

Zoti im e di se unë nuk kam pasur për qëllim me këtë libër "Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në kritikën e individëve, librave dhe grupeve" veçse qartësimin e së vërtetës, të drejtës dhe paanësisë, e cila shfaqet në këtë metodologji (menhexh) madhështore.

Për paraqitjen e kësaj të vërtete dhe rrëzimin e asaj që e kundërshton dhe e lufton atë, jam përpjekur me të gjitha forcat e mia të mundshme, ndaj lus Allahun e Madhëruar, Zotin e Arshit të madh, që ta bëjë këtë vepër të sinqertë vetëm për Hir të Tij dhe në ndihmë të fesë së Tij, si dhe ta vendosë atë në peshoren e veprave të mia të mira!

Në shenjë falënderimi dhe lavdërimi për Allahun tregoj se ky libër ka pasur pranim të madh në mesin e pasuesve të së vërtetës, paanësisë dhe metodologjisë selefije, të cilët janë të shumtë e të shumtë në këtë vend dhe jashtë tij, dhe diçka e pakët ndryshe nga kjo nuk është për t'u habitur.

I lutem Allahut të Madhëruar t'i japë sukses vëllezërve tanë të cilët janë mashtruar nga ai menhexh (metodologji) mashtruese dhe e gabuar, e cila nga jashtë vishet me petkun e të drejtës dhe paanësisë, ndërsa në vetvete përmban shkatërrimin e menhexhit të selefëve, menhexhit të vetëm të drejtësisë së vërtetë dhe paanësisë! Lus Allahun që t'u japë sukses atyre për t'u kthyer tek e vërteta dhe t'i largojë nga rrugët e pasuesve të së pavërtetës, kryeneçësisë dhe mendjemadhësisë, si dhe të na ruajë ne dhe ata nga kurthet e shejtanëve -njerëz dhe xhinë-, dhe të na nxjerrë të gjithëve nga fuga (rrotaxhilja) e dëshirës dhe mëdyshjes e cila ka thyer zemrat, shpirtrat, akiden dhe moralet! Allahu është Dëgjues i lutjeve.

Nuk më kalon pa i kujtuar gjithashtu lexuesve të nderuar se pas përfundimit të këtij libri "Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në kritikën e individëve, librave dhe grupeve", një kopje të tij ia dërgova shejhut të nderuar dhe profesorit tonë, dijetarit të madh Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz, kryetar i drejtorisë së kërkimeve shkencore, fetvave, thirrjes dhe udhëzimeve, dhe shëlqesia e tij ia besoi atë shejhut të nderuar Abdulaziz ibën Abdullah er Raxhihi, në dokumentin me nr. (488/H), Dt. (13/3/1412 H).

Shejhu i nderuar Abdulaziz ibën Abdullah er Raxhihi e zbatoi kërkesën e shejhut të tij, dijetarit të madh Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz, dhe kështu u morrë me studimin e librit, e përmblodhi shkurt dhe mirë përmbajtjen e tij, dhe të shoqëruar nga letra e mëposhtme ia dërgoi atë dijetarit të madh Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz:

 

Me Emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Nga Abdulaziz ibën Abdullah er Raxhihi, drejtuar shejhut dhe prindit tonë Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz, Allahu e ruajtë, i dhëntë sukses dhe shpërblim të mirë (në xhenet)!

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Më erdhi dokumenti i dërguar nga ju, me nr. (488/H), Dt. (13/3/1412 H), i shoqëruar nga libri i shejh Rabij ibën Med-hali, profesor në Universitetin Islamik në Medinen e ndritshmme, me titull: "Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në kritikën e individëve, librave dhe grupeve", me qëllim të analizimit të tij dhe njoftimit për të.

Në bazë të kësaj, shkëlqesia juaj, bashkë me librin do të gjeni edhe raportin rreth tij.

Allahu ju ruajtë dhe ju pastë në kujdesin e Tij! Allahu është Ai i Cili jep sukes, dhe paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokër e tij!

Biri juaj: Abdulaziz ibën Abdullah er Raxhihi."

 

Pasi shejhu i nderuar, Ibën Bazi e lexoi raportin e shejh Abdulaziz er Raxhihi, më dërgoi letrën e mëposhtme, ku më përgëzonte se përgjigja e shejh Er Raxhihi-t e kishte gëzuar, dhe bënte lutje për mua për atë që shpresoj nga Allahu t'ia pranojë lutjen atij:

 

"(Nr.1673/H.Dt.8/9/1412H. Dokumentet shoqëruese:7)

Nga Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz, drejtuar vëllait të nderuar, shkëlqesisë së tij, shejhut të nderuar, Dr. Rabij ibën Hadi ibën Umejr Med-hali, Allahu i dhëntë sukses në arritjen e Kënaqësisë së Tij dhe i shtoftë dijen dhe besimin! Amin!

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Ju dërgoj një pozitive nga shejhu i nderuar Abdulaziz ibën Abdullah er Raxhihi, rreth librit tuaj: "Metodologjia e pasuesve të Sunetit dhe Xhematit në kritikën e individëve, librave dhe grupeve", pasi që unë ia kalova atij për shkak të pamundësisë së kontrollimit të tij. Ai u përgjigj për atë që kishte parë rreth librit dhe mua më gëzoi përgjigja e tij, uel hamdu lilah, dhe kisha dëshirë që edhe ju gjithashtu ta shihnit përgjigjen e tij.

I lutem Allahut të Madhëruar që të na bëjë ne dhe ju, si dhe të gjithë vëllezërit tanë prej thirrësve në rrugën e drejtë dhe ndihmues të së vërtetës! Allahu është Bujari më i Madh."

"Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Drejtori i përgjithshëm i drejtorisë së kërkimeve shkencore, fetvave, thirrjes dhe udhëzimeve.

Allahu dhëntë begati në jetën e shejhut tonë dhe qoftë i falënderuar nga Allahu për këtë nxitje dhe reagim të mirë! Allahu na bëftë ne, atë dhe të gjithë muslimanët prej thirrësve në të vërtetën dhe në Sunetin, dhe filtrues të hauzit të tyre! Zoti im është Dëgjues i lutjes."

 

Më erdhi në mendje gjithashtu që t'i prezantoj lexuesit e nderuar me një fjalë tjetër të shejhut tonë, si dhe me fjalën e shejh të nderuar Abdulaziz el Muhamed es Selman, dhe me fjalën e shejhut të nderuar, Dr. Salih el Feuzan, anëtar i këshillit të dijetarëve të mëdhenj, pasi që fjalët e tyre përkrahin çështjen e këtij libri dhe rrahin në të njëjtin drejtim.

 

Dijetari i madh, Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz (Allahu e ruajtë dhe i dhëntë sukses!) u pyet me këtë pyetje:

Në lidhje me metodologjinë e pasuesve të Sunetit në kritikën e pasuesve të bidatit dhe librave të tyre, a është e obligueshme (vaxhib) përmendja e të mirave dhe të këqiave të tyre së bashku, apo duhen përmendur vetëm të mirat e tyre?

Shejhu i nderuar u përgjigj:

"Ajo që njihet nga dijetarët është kritika e të këqijave me qëllim që të paralajmërojnë prej tyre, si dhe sqarimi i gabimeve ku kanë rënë me qëllim që të paralajmërojnë prej tyre. Ndërsa e mira është më se e njohur dhe e pranueshme, por qëllimi këtu është që të paralajmërohet nga gabimet e tyre, siç janë xhehmitë, mutezilitë, rafiditë, e të tjerë…

Nëse e kërkon nevoja që të sqarohet ndonjë gjë prej të vërtetës që ata e kanë, atëherë ajo sqarohet; nëse dikush pyet: Çfarë kanë ata prej hakut?  Në çfarë pikash janë përputhur me pasuesit e sunetit? Nëse ai që pyetet i di këto gjëra, atëherë mund t'i sqarojë. Por qëllimi më i madh dhe më i rëndësishëm është sqarimi i të pavërtetave që ata kanë me qëllim që të paralajmërohet pyetësi dhe të mos anojë nga ata."

 

Dikush tjetër e pyeti shejhun: Disa njerëz bëjnë të domosdoshëm (vaxhib) balancimin: d.m.th. që nëse kritikon një bidatçi për bidatin e tij me qëllim që të paralajmërosh njerëzit prej tij, duhet patjetër që të përmendësh edhe të mirat e tij, që të mos i bësh padrejtësi?

Shejhu i nderuar u përgjigj:

"Jo, kjo nuk është e domosdoshme, nuk është e domosdoshme. Nëse i lexon librat e pasuesve të Sunetit, gjen se përqendrimi është te paralajmërimi. Lexo p.sh: në Sahihun e Buhariut këto kapituj: "Krijimi i veprave të njerëzve", dhe "Edukata". Lexo gjithashtu librin "Es Suneh", të Abdullah ibën Ahmed, librin "Et Teuhid", të Ibën Huzejmes, "Kundërpërgjigjen e Uthman ibën Seid ed Darimi ndaj ndjekësve të bidatit", etj.

Këta i përmendin bidatçinjtë me qëllim që të paralajmërojnë nga e pavërteta e tyre. Çfarë kanë për qëllim me këtë? Mos kanë për qëllim numërimin e të mirave të tyre? –Assesi, por kanë për qëllim paralajmërimin nga kotësia e tyre, pasi që të mirat e tyre janë të pavlefshme për atë njeri që del nga Islami, nëse bidati i tij e nxjerr atë nga Islami, atëherë të mirat e tij janë pa vlerë, e nëse bidati i tij nuk është i llojit që e xjerr atë nga Islami, atëherë ai është në rrezik gjithsesi.

Pra, qëllimi është sqarimi i gabimeve dhe rrëshqitjeve prej të cilave duhet bërë paralajmërim."

Kjo fjalë e shejh Ibën Bazit (Allahu e ruajt!) është shkëputur nga një kasetë e inçizuar në një prej mësimeve që ai ka mbajtur në verën e vitit 1413 H në Taif, pas namazit të sabahut.

 

[Fjala e imam Albanit për metodën e balancimit]

Në kasetën me nr. 855, nga vargu i ligjëratave "Udhëzimi dhe drita", të dijetarit të madh dhe Muhadithit Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e ruajtë!), ku flitet rreth menhexhit të muvazanateve (balancimit), janë zhvilluar pyetjet dhe përgjigjet e mëposhtme rreth kësaj teme:

Pyetje: E vërteta është, o shejhu ynë, se këta vëllezërit tanë, apo këta të rinj kanë mbledhur shumë gjëra, prej të cilave është fjala e tyre: "Ai që dëshiron të flasë kundër ndonjë bidatçiu, bidati dhe luftimi i sunetit nga ana e të cilit është bërë i dukshëm, ose që nuk ka arritur deri këtu por që ka gabuar në çështje që lidhen me menhexhin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, kundër tij nuk duhet të flasë askush përveç atij i cili i përmend edhe të mirat e tij; apo siç e quajnë ata "rregulli i balancimit mes të mirave dhe të këqiave". Në këtë temë janë bërë libra dhe shkrime prej disa nga ata që kanë këtë mendim: "se duhet patjetër … (vend bosh, ose fjalë e pakuptueshme) metodën e të parëve në kritikë dhe duhet patjetër që të përmenden të mirat dhe të këqiat".

A është i saktë dhe në çdo rast ky rregull, apo ka raste ku ky rregull nuk përdoret? Dëshirojmë nga ju, Allahu ju begatoftë, sqarim në detaje për këtë çështje.

Përgjigje:

"Sqarimi në detaje i kësaj çështje është: "E gjithë e mira është në pasimin e selefëve (të parëve). A e bënin selefët këtë gjë?"

(Pyetësi): "Shejhu ynë, Allahu të begatoftë, ata argumentojnë me disa raste, siç është fjala e imamëve (të hadithit) për shijat për shembull: "Filani (prej shijave) është i besueshëm në hadith, rafidi (shiit), habith (i prishur)."

Pra argumentojnë me fjalë të tilla dhe kërkojnë që të përgjithësojnë këtë rregull në të gjitha rastet, pa ia hedhur vështrimin mijëra teksteve ku thuhet: "gënjeshtar, i lënë, i prishur, etj"?

Shejh Albani: "Kjo është rruga e bidatçinjve. Kur dijetari i hadithit flet për një burrë të mirë, dijetar dhe fakih, ai thotë për të: "e ka memorjen të keqe" për shembull, por a thotë: se ai është musliman, i mirë, fakih, dhe se tek ai njerëzit duhet të kthehen për rregullat e fikhut???

Allahu Ekber! Në të vërtetë ky rregull është shumë i rëndësishëm dhe ai përfshin degëzime të shumta, veçanërisht në këtë kohë: Ku e kanë gjetur ata se nëse vjen rasti për sqarimin e gabimit të dikujt, qoftë ai thirrës apo jo, duhet patjetër që të mbash ligjëratë dhe të përmendësh të mirat e tij nga fillimi në fund?!

Allahu Ekber! Kjo është diçka e habitshme, për Allahun! Diçka e habitshme!" Dhe qeshi shejhu nga habija.

Pyetësi: Ata argumentojnë me fjalë të tilla si ajo e Dhehebiut, në librin "Sijeu Ealamu en Nubelai", apo në libra të tjerë, fjalë të cilat përmbajnë dobi që mund të jenë tek i përfoluri dhe për të cilat mund të kenë nevojë muslimanët, siç është hadithi p.sh.?

Shejh Albani: Ky është edukim, profesor, nuk është çështje e ndalimit nga një e keqe apo urdhërimit për një të mirë. D.m.th. kur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: "Kushdo prej jush që sheh një të keqe, ta ndryshojë atë.", a e ndalon këtë të keqe që bën ky njeri dhe pastaj flet për të mirat që ai ka?!

Pyetësi: Ose kur thotë: Ti je hatibi më i keq, por ti bën këtë e këtë. Dhe prej gjëra të habitshme në këtë temë është se ata thonë: Kur Zotin ynë e ka përmendur alkoolin, ka përmendur edhe dobitë e tij?!

Shejh Albani: Allahu Ekber! Këta ndjekin atë që nuk është plotësisht e qartë (nga Kurani), duke kërkuar Fitneh (sprovime, trazira, etj) dhe devijim nga domethënia e tij.

Subhanallah! Unë shoh se tek ata ka gjëra të cilat nuk janë tek ne."

 

***

 

Shejhu i nderuar Salih ibën Feuzan el Feuzan (Allahu e ruajtë!), pasi u pyet me një numër pyetjesh rreth grupeve Islame, u pyet: "Mirë shejh! Duhet paralajmëruar që t'i ruhesh atyre pa i përmendur të mirat e tyre për shembull? Apo duke i përmendur edhe të mirat edhe të këqiat e tyre?

Shejh Feuzani u përgjigj:

"Në qoftë se i përmend të mirat e tyre, domethënë që ke ftuar drejt tyre. Jo, jo, mos i përmend ato, por përmend vetëm gabimin që ata kanë, sepse nuk të është ngarkuar ty që të studiosh gjendjen e tyre dhe të merresh me to. Ajo që të është ngarkuar ty është të sqarosh gabimin që ata kanë me qëllim që të pendohen prej tij dhe me qëllim që të ruhen dhe të paralajmërohen të tjerët. Por nëse i përmend të mirat e tyre, ata të thonë: Allahu ta shpërbleftë me të mira! Kjo është ajo që ne kërkojmë."

Kjo fjalë e shejh Feuzanit (Allahu e ruajtë!) është shkëputur nga një kasetë e inçizuar me mësimin e tretë nga mësimet e librit "Kitabu et Teuhid", të cilën shejhu e ka mbajtur në verën e vitit 1413 H, në Taif.

 

 

***

Shejhut të nderuar Abdulaziz el Muhamed es Selman (Allahu e ruajtë!) i është drejtuar kjo pyetje:

A është kusht balancimi mes të mirave dhe të këqiave në fjalën për bidatçinjtë, në metodologjinë e selefëve?

Shejhu u përgjigj:

"Dije, Allahu na dhëntë sukses neve, ty dhe të gjithë muslimanëve, se nuk është përcjellë prej asnjërit nga selefët e mirë, prej sahabëve dhe tabiinëve që i kanë ndjekur ata me të mirë, nuk është përcjellë prej tyre asnjë lloj madhërimi për ndokënd prej bidatçinjve apo atyre që i duan ata dhe thërrasin në dashurinë për ta; pasi që pasuesit e bidatit i kanë zemrat të sëmura dhe është frikë se tek ai i cili përziehet me ta apo lidhet me ta, të arrijë kjo sëmundje kronike e tyre; pasi që i sëmuri ndikon tek i shëndoshi dhe jo e kundërta.

Ndaj kujdes dhe kujdes nga të gjithë bidatçinjtë, dhe nga bidatçinjtë prej të cilëve duhet të largohemi dhe t'u bëjmë bojkot janë: xhehmiet, rafiditë, mutezilitë, maturiditë, havarixhët, sufitë, esharitë, dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre prej grupeve të devijuara nga rruga e selefëve. Muslimani duhet të ruhet prej tyre dhe të paralajmërojë të tjerët nga ata.

Dhe paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin dhe familjen e tij!"

 

Fjala e shejhut të nderuar

Selim ibën Ijd el Hilali

 

Falënderuar qoftë vetëm Allahu dhe bekimet dhe paqja e Tij qofshin mbi robët e Tij të zgjedhur nga Ai, si dhe mbi vulën e tyre, Muhamedin, i cili e përmbushi amanetin!

Kundërpërgjigja ndaj ndjekësve të dëshirave është një temë fisnike nga temat e xhihadit. Si të mos jetë kështu kur ata që e bëjnë këtë gjë gjenden në pikat strategjike mbrojtëse të kësaj feje: pastrojnë prej saj devijimin e tepruesve, anulimin e përgënjeshtruesve dhe interpretimin e injorantëve. Ata kanë hipur mbi kurrizin e së vërtetës dhe kanë mbërthyer shpatën e dijes me qëllim që Islami të qëndrojë i kulluar, i pastër dhe të shkëlqejë me dritën e shpaljes që i ka zbritur vulës së Pejgamberëve (salallahu alejhi ue selem).

Patjetër që ky vend tek i cili sillet boshti i Islamit kërkon perceptim të përpiktë të pikave të kundërshtimit ku mund të ketë vend për t'u kapur (nga ndjekësit e dëshirave të veta), e cila është bazë në rradhitjen e prishjes të kufizuar në përmendjen e tyre dhe të paralajmërimit nga ato, pa e hedhur vështrimin në të mirat e ndjekësve të dëshirave, të cilët i arnojnë ato në fjalët e tyre boshe dhe të zhveshura, për t'i zbukuruar në sytë dhe në vështrimet e atyre që i shohin.

Para duarve tuaja, lexues i nderuar, ke disa studime nga perlat e dijes, fillimi i fillit të së cilave lidhen me metodologjinë e selefëve të mirë prej Ehli Sunetit dhe Xhematit, në kritikën e individëve, grupeve dhe librave, të shkruar nga një vëlla i nderuar, i kujdesshëm për qëndrimin e menhexhit selefi të kulluar, ashtu siç e kanë njohur dijetarët e thelluar në dije, si dhe i kujdesshëm për të rinjtë muslimanë që të mos mashtrohen nga vegimet (mirazhet) e bidatçinjve dhe nga kurorat e lavdisë që ata vendosin në kokat e tyre dhe të thirrësve të tyre, dhe me parrullat e tyre të gjera pas mureve të të cilave ata mbrohen, pasi që pretendojnë se nuk kanë dashur veçse të bëjnë mirë dhe të bashkojnë.

Kështu e quaj atë (autorin e librit, shejh Rabij-un), dhe Allahu është Ai i Cili e llogarit atë dhe unë nuk pastroj askënd tek Allahu.

Me këtë rast hedh dritë tek diçka e rëndësishme: kthimi i vështrimit nga të mirat e bidatçinjve në temën e këshillimit, është një çështje elastike e rrezikshme, dhe nën këmbët e thirrësit të saj ka lëndë rrëshqitëse, prandaj të ketë kujdes nga rrëshqitja dhe të marrë masat e duhura me të cilat është i siguruar nga rrëshqitja.

Adresimi i këtij menhexhi (menhexhit të balancimit) tek selefët është adresim fatkeq, i denjë për t'u hapur dera e fitneve plotësosht para tij, pasi që ai i hedh mjetet e të ardhmes në prehërin e adobtuesve; pasi që të mirat e tyre do t'i mbulojnë bidatet e tyre, dhe kështu tregojnë miqësi me ta, ndërkohë që janë urdhëruar t'i frikësojnë ata  nga mbrapa dhe t'i godasin në të gjitha mollëzat e gishtave.

Dijetarët e mëparshëm kanë paralajmëruar nga rrezikshmëria e kësaj:

Hafizi kritik, historiani i Islamit, Dhehebiu, duke kritikuar halifen abasit El Mensur-in për shkak të mashtrimit nga koka e mutezilive Amër ibën Ubejd, sa që për të thuri edhe vargje:

Të gjithë ju ecni ngadalë

Dhe që të gjithë kërkoni gjahun (dynjanë)

Përveç Amër ibën Ubejdit

Dhehebiu thotë (pas këtyre fjalëve): "U mashtrua nga asketizmi dhe sinqeriteti i tij, por harroi bidatin e tij."[1]

(Shejh Selimi thotë:) Them: Kjo është natyra e ndjekësve të bidatit: shfaqin gjë tjetër nga ajo që fshehin brenda tyre dhe këndojnë (flasin) atë që nuk e besojnë. Ai i cili nuk flet nga vetja e tij, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) i ka përshkruar ata kështu: "Pas meje do të ketë disa prijës të cilët nuk do të ecin sipas udhëzimit tim dhe nuk do të ndjekin rrugën (sunetin) tim. Në mesin e tyre do të ketë njerëz me zemra shejtanësh në trupa njerëzish."[2]

Por, të mos ju mashtrojë drita, sepse është agimi i rrejshëm.

Dhe të mos ju trembë e papritura, sepse ekspertët dijetarë i shoshitin ata me shosh.

Sigurisht që secili duhet të veprojë sipas mundësisë dhe fuqisë së tij konform rrugës pejgamberike; këshilla për çdo musliman është marrëveshje pejgamberike.

Drejt Allahut është synimi i rrugës sonë!

E shkroi këtë

Ebu Usame Selim ibën Ijd el Hilali

 

 

Parathënia e botimit të parë të librit 

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë).

Allahu i Madhëruar dërgoi Muhamedin me udhëzimin dhe fenë e vërtetë që ta ngrejë atë mbi të gjitha fetë, edhe pse politeistët e urrejnë këtë, dhe e urdhëroi atë që të ftojë për tek Allahu me urtësi, me këshillë të butë dhe me polemikë në mënyrën më të mirë.

Allahu e urdhëroi gjithashtu atë që ta thotë hapur të vërtetën: "Kësisoj shpalle hapur atë (Mesazhin e Allahut) që je urdhëruar dhe largohu prej Mushrikëve (politeistëve)." [El Hixhr, 94].

Dhe e urdhëroi që të luftojë politeistët, mosbesimtarët dhe hipokritët, me Kuran, shpatë dhe shigjetë, me qëllim që të mos mbetet fitne (sprovë e trazira) dhe që e gjithë feja të jetë vetëm për Allahun; që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e ulëta ndërsa Fjala e Allahut më e larta.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e kreu këtë detyrë madhështore prej shpalljes hapur të së vërtetës dhe luftimit në Rrugë të Allahut me një luftë të vërtetë deri sa i erdhi e vërteta (vdekja).

Sipas rrugës dhe mësimeve të tij (salallahu alejhi ue selem) ecën zëvendësit e tij të drejtë (elhulefau rashidun), të cilët i luftuan dezertorët nga feja në Gadishullin Arabik dhe e shtypën lëvizjen e rrezikshme të dezertimit. Pastaj e mbartën flamurin e xhihadit në të gjitha skajet dhe Allahu u dha triumfin atyre edhe kundër fuqive më të mëdha të kufrit në atë kohë: persëve, romakëve etj, dhe për ta u vërtetua premtimi i Allahut: "Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë Fasikunë (kryeneçë, të pabindur ndaj Allahut)." [En Nur, 55].

Prijësi i besimtarëve, Umer ibën el Hatab (radiallahu anhu), me të cilin Allahu i dha krenari Islamit, ishte pengesë e pathyeshme dhe derë e mbyllyr në fytyrë të fitneve (trazirave, sprovave), prishjes dhe të së keqes. Zindikët (mosbesimtarët më të këqinj, që tallen me fenë) dhe mexhusët përgatitën komplot kundër tij dhe e zbatuan atë, dhe ai e takoi  Zotin e tij si dëshmor, pasi e kishte mbushur tokën me drejtësi, besim e dritë.

Me vrasjen e Umerit (radiallahu anhu) u thye ajo derë e fortë, dhe trazirat filluan të lëvizin ngadalë dhe të depërtonin në rradhët e muslimanëve, në kohën e halifes së drejtë, Uthman ibën Affan (radiallahu anhu). Ato me sa vinin dhe bëheshin më serioze deri sa çuan në vrasjen e këtij halife, dhe ai e takoi Zotin e tij si dëshmor dhe i shtypur (që i është bërë padrejtësi).

Për shkak të atyre trazirave ndodhi ajo që ndodhi mes halifes së drejtë Ali ibën Ebi Talib (radiallahu anhu) dhe mes Muavije ibën Ebi Sufjan (radiallahu anhu), të cilët që të dy ishin muxhtehid; ai që ia ka qëlluar të vërtetës ka dy shpërblime dhe ai që nuk ia ka qëlluar asaj ka vetëm një shpërblim.

Më pas filloi të lëvizë fitneja e bidatçinjve havarixhë, të cilët me gjithë përpjekjen e madhe në adhurim, Pejgamberi ynë (salallahu alejhi ue selem) i ka përshkruar kështu: "Ata dalin nga feja ashtu siç del shigjeta nga harku." Dhe se: "Ata janë më të këqiat krijesa të krijuara." Dhe se: "Ata janë më të këqinjtë që ekzistojnë nën kupën e qiellit." Dhe ka thënë për ta: "Vritini kudo që t'i gjeni, sepse kush i vret ata, ka shpërblim tek Allahu." [Muttefekun alejhi].

Prej asaj ku ka edhe më shumë mësim për ata që thërrasin për afrim dhe butësi me ndjekës të bidatit, të cilët janë edhe më të këqinj, më të prishur dhe më kurthngritës se ata (ndjekësit e bidatit të hershëm), është se Aliu (radiallahu anhu) i luftoi dhe i vrau ata ashtu si e urdhëroi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).

Më pas u shfaq bidati i rafidive dhe zindikëve, dhe për qetësimin e zemrave të muslimanëve Aliu (radiallahu anhu) nuk pa mënyrë tjetër veçse djegien e tyre me zjarr, mendim në të cilin u bashkuan edhe ata që u bashkuan nga sahabët e tjerë.

Kështu na e ka bërë rrugë dhe na e ka mësuar Pejgamberi ynë (salallahu alejhi ue selem) dhe sahabët e nderuar këtë vendosmëri dhe këtë vendim në sjelljen ndaj ndjekësve të bidatit dhe zindikëve.

Me kalimin e kohës dhe me mbarimin e brezave më të mirë të këtij ymeti u përhapën bidatet, rrethi i tyre u zgjerua dhe grupet e tyre u shtuan, dhe kështu u vërtetua mbi ta ajo për të cilën kishte njoftuar dhe paralajmëruar Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) me fjalën e tij: "Ju keni për të ndjekur rrugën e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë më pëllëmbë dhe hap pas hapi, sa që sikur të hyjnë në gropën e një hardhuce, do të shkonit pas tyre." Thamë: O i Dërguari i Allahut! Çifutët dhe të krishterët? Tha: "Cilët atëherë përveç atyre?"[3]

Gjithashtu Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: "Çifutët janë ndarë në shtatëdhjetë e një grupe, të krishterët janë ndarë në shtatëdhjetë e dy grupe dhe populli im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe: që të gjitha do të jenë në zjarr (të xhehenemit) përveç njërit grup." Thanë: "Cili është ai grup, o i Dërguari i Allahut?" Tha: "Ata të cilët do të vazhdojnë të ecin sipas asaj në të cilën jam unë sot dhe shokët e mi." Dhe në një transmetim tjetër thotë: "Ai është xhemati"[4]

Dijetarët e mëdhenj të Islamit si Ibën Mubareku, Jezid ibën Harun, Ibën el Medini, Ahmed ibën Hanbel, Buhariu dhe të tjerë (të mëvonshëm) në mesin e të cilëve është Hatibi i Bagdadit, Ibën Tejmije, Ibën Raxheb, këta dijetarë e kanë komentuar grupin e shpëtuar dhe të ndihmuar se ata janë dijetarët e hadithit dhe ata të cilët ecin sipas rrugës së tyre. Shumica e komentimeve të tyre në lidhje me këtë kanë ardhur në komentimin e fjalës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): "Një grup nga populli im do të vazhdojë të qëndrojë dhe të ngrihet me të vërtetën. Ai nuk ka për t'u dëmtuar nga ata tw cilwt e braktisin dhe e kundërshtojnë atw, deri sa të vijë Urdhri i Allahut dhe ata t'i gjejë në këtë (qëndresë në të vërtetën)."[5]

Ky grup ka qenë dhe vazhdon të jetë që kur kanë filluar fitnet (trazirat dhe sprovat) dhe u degëzuan devijimet në popull deri sa arritën numrin e përmendur.

Ithatërt e këtij grupi gjithnjë vazhdojnë në çështjen e Allahut, thërrasin në të vërtetën, përhapin dijen pejgamberike, e ruajnë atë, e mbrojnë dhe i bëjnë ball intrigave të intrigantëve, anulimit të përgënjeshtruesve dhe interpretimit të injorantëve. Ata nuk i largon nga kjo rrugë dëmtimi që hasin, as intrigat e intrigantëve, as kurthet e kurthngritësve. Vështirësitë nuk u shtojnë atyre veçse qëndrueshmëri në të vërtetën dhe fortësi në fytyrë të të pavërtetës, ashtu siç ndodhi në kohën e Imam Ahmedit, Abdulgani el Makdisi dhe Ibën Tejmijes.

Më pas, Allahu i mundësoi Gadishullit Arabik, vendzbritjes së shpalljes dhe pikënisjes së saj, thirrjen e Imamit përtëritës (novator), shejh Muhamed ibën Abdulvehab pasi kishte sunduar në të errësira e injorancës, humbjes dhe rrëmujës për shekuj me rradhë.

Ai (Ibën Abdulvehabi) i ngriti flamurin Teuhidit dhe Islamit, dhe me përpjekjet e tij dhe të vëllezërve të tij ndjekës të Teuhidit dhe Sunetit (pas ndihmës së Allahut) u ngrit shteti i Teuhidit dhe Sunetit, dhe lufta mes tyre dhe ndjekësve të së pavërtetës sillej herë më fitoren e tyre dhe herë me të atyre, deri sa shteti i Teuhidit dhe Sunetit u vendos përfundimisht dhe vuri bazat e tij në duart e mbretit Abdulaziz dhe vëllezërve të tij nga ithtarët e Teuhidit, ushtarë të besuar dhe dijetarë të sinqertë, dhe drita e Teuhidit dhe besimit ndriçoi në të gjithë botën.

Ajo dritë shpërndau errësirat e shirkut dhe bidateve këtu e atje, përhapi librat e selefëve të sinqertë: prej hadithit, tefsirit dhe teuhidit, dhe veçanërisht librat e shejhut të Islamit, Ibën Tejmijes dhe të Ibën el Kajim. U themeluan shkolla të niveleve të ndryshme, duke filluar nga shkollat fillore dhe deri tek universitetet dhe studimet e larta akademike të specializuara (magjistraturë dhe doktoraturë). Shto këtu edhe qendra të shumta për Davan (thirjen Islame), të cilat u përhapën brenda dhe jashtë vendit, me qëllim të mbartjes dhe përcjelljes së thirrjes së Teuhidit dhe Sunetit, gjë e cila e bëri me gunga vendin (shtratin) e çdo armiku të së vërtetës dhe Teuhidit, prej ateistëve, çifutëve, të krishterëve, komunistëve, ndjekësve të bidatit dhe të humurve prej trilluesve, partiakëve dhe orgaizatorëve.

Më të zemëruarit dhe më të ndikuarit nga kjo ishin ndjekësit e bidatit ziliqarë, pasi që me intrigën e tyre, kurthin dhe mbulimin e tyre me rrobën e Sunetit mundën të depërtojnë në çdo fortesë dhe të hynë vjedhurazi në çdo vrimë, prej shkollave, universiteteve, xhamive etj, dhe mundën të ndërtojnë një brez i cili mbart idenë e tyre tërësisht ose pjesërisht, me apo pa vetëdije. Ky brez të cilin ata e stërvitën dhe e përgatitën me duart e tyre filloi të lëvizë duke thirrur në idenë e tyre dhe duke e mbrojtur atë me vullnet këtu e atje, nëpër shkolla, universitete etj.

Në këto kohë të vështira, ku thirrja për tek Allahu kërkon burra që kanë xhelozi për fenë e tyre, që e ngrenë me forcë dhe vendosmëri flamurin e saj, që e sulmojnë mizërinë e të pavërtetës dhe intrigat e intrigantëve, dhe i zmbrapsin ata të poshtëruar.

Veç kur disa zëra ngrihen në emër të selefizmit dhe në emër të drejtësisë dhe paanësisë për disa njerëz të cilët i përshkruajnë të shtypur padrejtësisht prej ndjekësve të bidatit, të cilët i kanë luftuar pasuesit e Sunetit dhe Teuhidit mu në mes të shtëpisë së tyre dhe kanë prishur arsyen dhe bindjet e shumë prej bijve të tyre, që kanë pështjelluar portretin e menhexhit selefi në sytë e bijve të tyre; dhe kështu të dalluarit e këtij brezi filluan të thërrasin në këtë menhexh të ri në lidhje me kritikën e metodave, thirrjeve, librave dhe individëve, duke pretenduar se ky është menhexh i mesëm, dhe kështu që shumë prej të rinjve, si dhe shumë prej atyre që kërkojnë t'u shkruhet nga të tjerët, kujtuan se ai është vërtet ashtu, madje me "pretendencën" se ky është menhexhi i Ehli Sunetit dhe Xhematit.

Ky menhexhi i ri u përhap dhe u publikua në shkrimet e disa që i adresohen selefëve, dhe nga ai u ndikuan shumë të rinj, e pranuan dhe u lidhën me të duke kujtuar se ai është e vërteta dhe e drejta. Dhe për fat të keq, ai filloitë zerë vend në zemrat e tyre dhe ata nuk e dinë se ai është medhheb i futur tek Islami dhe muslimanët, i cili depërton tek ata nga armiqtë e tyre, ashtu si edhe depërtimi i shumë iderave të tjera në shoqëritë muslimane.

Gjurmët e këtij menhexhi të ri janë shfaqur qartë në disa dialoge, diskutime, shkrime dhe qëndrime prej të rinjëve dhe profesorëve.

Dhe kështu, ky menhexh i ri filloi të zerë rrënjë në zemra, dhe nga pasojat e tij është dobësimi i parimit të miqësisë dhe armiqësisë për Allah, në Allah dhe për menhexhin e Allahut dhe robërve të Tij, dashuria dhe miqësia për të cilët për Hir të Allahut është obligim.

U shfaq qartë miqësia, dashuria dhe lavdërimi për thirrës, libra, ide dhe metoda të cilat që të gjitha janë larg metodologjisë (menhexhit) të selefëve[6], dhe ata nuk janë pasues të selefëve, madje janë seriozë në luftimin e menhexhit selefi dhe përpiqen me të gjitha forcat që ta shkulin atë nga rrënjët dhe të ngulin rrënjët e tyre në vendin e tij.

Ky menhexhi i ri pati ndikim edhe tek disa shkrimtarë të cilët mendojmë se janë prej selefive më të mirë, dhe nga fuqitë, llojet dhe personalitetet e mira, për të cilët lusim Allahun t'u japë sukses që të ndjekin rrugën dhe menhexhin e të parëve të tyre të sinqertë, në thirrjen në menhexhin e qartë selefi, në edukimin serioz të rinisë sipas tij, në mbjelljen e dashurisë për të dhe për ndjekësit e tij të gjalla e të vdekur prej tyre, në të ecurit pas gjurmëve të tyre dhe në të krenuarit me bashkangjitjen atij.

Ky menhexh të cilit i thonë "el vasatije uel adl" (i mesëm dhe i drejtë), ka pasur ndikim edhe tek disa të rinj për të cilët kemi shpresuar dhe shpresojmë që ta kapin me seriozitet menhexhin selefi, ta ngrejnë lart flamurin e tij, të thërrasin tek ai me krenari dhe të flijojnë për të gjithçka të shtrenjtë e të lirë prej pasurisë, pozitës,  aktivitetit dhe punës, por për fat të keq, aktualiteti (i tyre) është ndryshe.

Për këtë shkak, zemrat dridhen nga frika për ta se mos u ngatërrohen dhe u pështjellohen menhexhet, se mos u ngatërrohen dhe u pështjellohen flamujt, pasi që përveç të vërtetës nuk ka veçse humbje, dhe pastaj të mendojnë se që të gjithë janë në të vërtetë, apo se ato menhexhe janë vëllezër me njëri-tjetrin dhe mund të merret menhexh zëvendësues i menhexhit selefi, dhe t'i jepet privilegj flamurit të tij para flamurit të këtij, pasi që menhexhi i ri ka shumë lustrim, zhurmë dhe ndriçim, edhe pse është bosh nga brenda, i zhveshur nga një prej bazave të Islamit dhe i verbër në temën e të mbrojturit dhe të strehuarit tek Kurani dhe Suneti.

Ky menhexhi i sipërpërmendur ka pasur edhe ndikime të tjera, për të cilat nuk e shoh të arsyeshme t'i përmend tani.

Shepresoj që Allahu të më japë sukses në prezantimin e Metodologjisë Islame Selefije, në kritikën e individëve, grupeve, librave dhe thirrjeve, me anë të teksteve të Kuranit dhe të Sunetit, nga tekstet dhe qëndrimet e dijetarëve të konsideruar të umetit musliman dhe të imamëve të tij të mirëpranuar, si dhe nga metodat e përdorura nga ata në librat e "el Xherh uet Teadil" (kritikës dhe lavdërimit) dhe në librat e Sunetit dhe të akideve Islame.

E ndërmorra këtë inisiativë i shtyrë nga dashuria për këtë rini besimtare, të cilën, betohem në Allah, se e konsideroj si pasurinë më të madhe në këtë jetë dhe i bëhemi fli me shpirt dhe me gjak, si dhe përkujdesemi me të gjitha forcat që ajo të ecë në rrugën e drejtë dhe të saktë në të gjitha rrugët e jetës dhe errësirat e saj; dhe nëse zemrat, mendjet dhe shpirtrat e tyre përmallen për shtëpinë e të dashurit të tyre të parë[7], atëherë kjo është ajo që Allahu do dhe pëlqen.

Shpjere zemrën tënde ngado që të duash

prej dëshirave të tua

Por dashuria e vërtetë është vetëm për të dashurin e parë

Sa vende në tokë i dashuron djaloshi

Por malli i tij më i madh është gjithnjë për vendin e parë

E nëse disa prej tyre refuzojnë veçse lëkundjen, ngatërrimin e gjërave, kundërthënien dhe turbullimin, atëherë: zemrat janë mes dy Gishtave nga Gishtat e Mëshiruesit dhe Ai i kthen ato nga të dojë.

Dhe e gjithë çështja i takon Allahut, nga fillimi në fund.

 

 

Metodologjia e Islamit dhe dijetarëve të tij

në kritikën e fjalëve dhe individëve

dhe korrigjimin e tyre,

si dhe sqarimi se drejtësia e vërtetë

gjendet në këtë metodologji

Vijon ...

 



[1] "Sijeru Ealami en Nubelai" (6/105).

[2] E ka nxjerrë Muslimi (12/236,237, Nevevi); nga hadithi i Hudhejfes (radiallahu anhu).

[3] Buhariu (7320) dhe Muslimi (2669).

[4] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Ahmedi, Ebu Daudi, Darimi, Taberani etj.

[5] E transmeton Muslimi.

[6] Shkaku i kësaj është se këta janë rritur në një ambjent mukefir (që i quan muslimanët qafira për gjynahet e tyre), të cilin e sundon pështjellim i menhexhit selefi me metoda intriguese nga grupe armike të menhexhit selefi, të cilët nga jashtë hiqen sikur e respektojnë dhe e ndjekin atë, por nga brenda tyre janë armiq të tij. Kjo gjë ka pasur ndikimin e saj në mendjet e këtyre, dhe nuk kanë mundur që në këtë atmosferë ta shohin menhexhin e vërtetë në formën e tij të bukur dhe të kulluar siç është në të vërtetë, dhe as nuk kanë mundur t'i imagjinojnë ithtarët e tij ashtu siç janë në të vërtetë, dhe se ata janë njerëzit e vërtetë në fe dhe në moral, në akide dhe në devotshmëri ndaj Islamit.

[7] Kam për qëllim menhexhin e selefëve në Teuhid dhe në të mbrojturit me Kuran dhe Sunet.

 

 

nentemat

njohuri të përgjithshme

rruga ehli sunetit
spastrim dhe edukim
mes menhexhit dhe akides
emertimi selefi
shenjat e ehli sunetit
vecoritë e metodologjise
trajtimi i fitneve
kritika

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.