Lidhja ndërmjet moralit dhe besimit

Lidhja ndërmjet moralit dhe bindjes e besimit është shumë e fortë dhe vendi i tij në Islam është shumë i lartë. Sjellja e mirë është prej besimit, ndërsa sjellja e keqe është rrjedhojë e dobësimit në besim.

Duke u nisur nga kjo pikë, ka ardhur në hadithin (thënien e Muhamedit salall-llahu alejhi ue sel-lem) të cilin e transmeton Muslimi nga En-Neas bin Sem’an El-Ensarij ( Allahu qoftë i kënaqur prej tij ) se ka thënë:

Pyeta të dërguarin e Allahut (Paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) për punën e mirë dhe punën e keqe (gjynahin). Ai tha:

 

» البِرُّ حُسْنُ الخُلُقِ، و الإثْمُ ما حاكَ في صَدْرِكَ  و كَرِهْتَ أَنْ يَطَّلِعَ  عَلَيهِ النَّاسُ «

 

“Puna e mirë është morali i mirë dhe puna e keqe është ajo që fsheh në gjoksin tënd dhe nuk dëshiron që  ta dinë atë njerëzit.”[1]

 

Thotë imam Ibnu Kajjim (Allahu e mëshiroftë) në shpjegimin e këtij hadithi:

“Kjo argumenton që morali i mirë është vetë feja, e gjithë, e ai është e vërteta e besimit dhe e legjislacionit Islam. Për këtë shkak e vuri atë përballë punës së keqe (gjynahit).”[2]

 

Thotë gjithashtu (Allahu e mëshiroftë):

 “Feja është e gjitha moral dhe ai që ngrihet në moral ngrihet në fe gjithashtu.”[3]

I  Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) na ka lajmëruar se më i miri e më i dobishmi prej nesh është ai që ka moral më të lartë dhe se morali i mirë të con në dashurinë e tij (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të ) kundrejt nesh dhe në afërsinë e vendeve tona tek ai.

 

Ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Buhariu nga Abdullah bin Amr se i dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

 

» إنَّ خِيارَكُمْ أَحْسانُكُمْ أَخْلاقًا «

 

“ Më të mirët ndër ju janë ata që kanë moralin më të lartë”[4]

 

Dhe në një hadith tjetër transmeton ibn Abasi se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

 

» إنَّ مِنْ أحَبِّكُمْ إلَيَّ  و أَقْرَبِكُمْ مِنِّي مَجْلِسًا يَوْمَ القِيامَةِ   أَحاسِنُكُمْ  أَخْلاقاً « 

 

-“Më të dashurit ndër ju tek unë dhe më pranë meje në ditën e kiametit janë ata që kanë moralin më të lartë.”[5]

 

Ajo që e shtyn muslimanin dhe e nxit atë për të fituar moralet më të mira e të mvishet me to është dija e tij për dobinë dhe peshën e tyre në peshojë si dhe qënia e tyre shkak për hyrjen në xhenet (parajsë).

 

Transmetohet nga Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

 

» ما مِنْ شَيْءٍ أَثْقَلُ في ميزانِ المُؤْمِنِ يَوْمَ القِيامَةِ مِنْ خُلُقٍ حَسَنٍ « 

 

“Nuk ka gjë më të rëndë në peshojën e muslimanit Ditën e Kiametit se morali i mirë.”[6]

 

Thuhet në hadithin e transmstuar nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se është pyetur i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) për atë punë që i fut njerëzit më shumë në xhenet (nëse e bëjnë atë) e ai tha:

 

»تَقْوَى اللهِ و حُسْنُ الخُلُقِ «

 

“Frika ndaj Allahut (bindja ndaj Tij) dhe morali i lartë.”[7]

     

Hadithet që sqarojnë vendin e moralit në Islam dhe nxitjen në të, janë të shumta. Nuk është qëllimi i këtij libërthi të përmbledhur të përfshijë e të tregojë të gjitha moralet për të cilat nxit Islami në to. E as të sqarojë mirësinë e dobinë e tyre.

Kjo gjë do të zgjaste shumë. Por qëllimi i shkrimit të këtij libërthi është përkujtimi dhe sqarimi i lidhjes së moralit me besimin.

 

Vlen të përmendim këtu që njerëzit në këtë cështje janë ndarë në dy ekstremet dhe të mesëm.

Njëri grup i kufizon degët e besimit dhe rregullat e Islamit të gjitha në moral dhe e hedh fenë pas shpine kur është fjala për marëdheniet me njerëzit.

Nuk i jep rëndësi zbatimit të detyrave (obligimeve) apo largimit prej të ndaluarave. Shohin që personi, nëse  është  me sjellje e moral të lartë dhe i kryen detyrat e tij kudrejt njerëzve, ka arritur  qëllimin e kërkesat e Islamit, edhe nëse bie në gjynahe e punë të ndaluara,apo i nënvlerëson të drejtat e Allahut të Lartësuar.

 

Nuk ka dyshim që ky drejtim është lloj ateizmi e devijimi nga feja, dhe hedhja poshtë e kësaj ideje është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë të sqarohet kotësia e saj.

Por ajo që na intereson këtu është grupi i kundërt i kësaj ideje; ata të cilët nuk i japin shumë rëndesi anës së moralit, qoftë kjo nga pakujdesia, padituria apo lënia pas dore.

 

        Gjithashtu mund të mungojë nga mendja e tyre lidhja e moralit me bindjen dhe besimin.

 

Ky lloj, edhe pse nuk është aq i rrezikshëm sa i pari, madje dallimi ndërmjet tyre është shumë i madh sa nuk ka pikë në të cilën bashkohen, tërhiqet vërejtja për të si shkak i rënies së shumë njerëzve në të, kush më shumë e kush më pak.

 

Thotë Ibn Raxheb (Allahu e mëshiroftë):

 

 “Shumë prej njerëzve mendojnë se devotshmëria (bindja ndaj Allahut) është kryerja e të drejtave të Allahut  duke i lënë mënjanë ato të njerëzve. Kështu që ndodh shpesh tek ata që kujdesen të kryejnë të drejtat e Allahut me dashuri për Të, frikë prej denimit të Tij e bindje ndaj Tij, të lënë pas dore të drejtat e njerëzve.

Ndërsa të bashkosh ndërmjet kryerjes së të drejtave të Allahut e të drejtave të njerëzve është shumë e vështirë dhe nuk e arrijnë atë vetëm se një pakicë e njerëzve dhe ata janë të dërguarit e Allahut dhe të sinqertët (es-sidijkinët) në fenë e Allahut…”[8]

 

Kush studion gjendjet e njerëzve sot, gjen shumë prej muslimanëve ta kënë harruar e mos ta llogarisin këtë fushë të rëndësishme. Madje  mund të mos e dijë lidhjen e fortë që ekziston ndermjet moralit të lartë dhe çështjes së besimit e bindjes.

 

Nëse gjen një person për të cilin mendon se e ka plotësuar besimin dhe njësimin e Allahut, Një e të vetëm, e sheh atë të  mveshur me morale të keqia e të meta të tjera të cilat ndikojnë negativisht në  bazat e besimit ose e pengojnë atë nga arritja e besimit të plotë. Siç është p.sh. mendjemadhësia, smira, mendimi i keq për të tjerët, mashtrimi e të tjera.

 

Me të gjitha këto mundet që mos ta dijë dëmin e tyre  në besimin dhe bindjen e tij.

Ose mund të injorojë gjithëpërfshirjen e kësaj feje të gjitha lëmitë e jetës, siç thotë Allahu i Lartësuar:

 

] قُلْ إنَّ صَلاتي و نُسُكي و مَحْيايَ و مَماتِي لِلَّهِ رَبِّ العالَمِينَ لا شَريكَ لَهُ و بِذلِكَ أُمِرْتُ و أنا أَوَّلُ المُسْلِمينَ[  ( سورة الأنعام: 162-163 )

 

“Thuaj (O Muhamed): Sigurisht falja ime, kurbani im,jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e Aleminit (njerëzve,xhinëve dhe gjithckaje që ekziston).”[9]

 

Vërtetimi i njësimit dhe plotësimi i besimit nuk është vetëm me largimin nga shirku i madh (shokvënia e Allahut e cila të nxjerr nga Islami), por ai është me largimin prej cdo gjëje që bie ndesh me bindjet Islame dhe me cdo gjë që prish apo ndikon negativisht në plotësimin e bindjes dhe besimit, siç janë dyftyrësia, mosbesimi dhe shokvënia Allahut, qofshin këto të mëdha (që të nxjerrin nga Islami) apo të vogla (që nuk të nxjerrin nga Islami por që janë gjynahe të mëdha), si dhe shtesat në fe (bidatet) e haramet (gjynahet). Plotësohet gjithashtu (besimi) me kryerjen e detyrave ndaj Allahut, qofshin ato të dukshme apo të padukshme.

        

Besimi i plotë e i fortë arrihet me kryerjen e veprave të pëlqyeshme vullnetare dhe me sunetet (veprat e të Dërguarit Muhamed a.s. të cilat nuk janë detyrë e prerë por kryhen vullnetarisht) si dhe me lënien e cdo gjëje që bie ndesh me to prej fjalëve a veprave.

Sa më shumë t’i bindet muslimani urdhërave të Zotit të tij, aq më shumë do t’i ngrihet e shtohet atij besimi.

E gjitha kjo në varësi me ato që kryen prej degëve të besimit dhe ligjeve të Islamit.

 

        Ajo që duam të themi është se morali është prej besimit dhe, sa me moral më të lartë të jetë muslimani aq më të lartë e ka besimin, siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë:

Ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të):

 

» أَكْمَلُ المُؤْمِنينَ إِيمانًا أحْسَنهُمْ خُلُقًا، و خِيارُكُمْ خِيارُكُمْ لِنِساءِكُمْ «   

 

“Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moralin më të lartë dhe, më  të mirët ndër ju janë ata që janë më të mirë për familjet (bashkshortet) e tyre.”[10]

 

Thotë dijetari i Islamit, Ibnu Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë) në sqarimin e këtij hadithi:

 “E kushtëzoi  i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) plotësimin e besimit me plotësimin e moralit të lartë.”[11]

 

        Kështu, morali i lartë është prej punëve të mira të cilat të rrisin besimin, madje moral-larti arrin me moralin e tij gradën e atyre që natën falen e ditën agjerojnë, siç ka ardhur në hadithin e trasmetuar nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se ka thënë:

Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) të thotë:

 

» إنَّ المُؤْمِنَ لَيُدْرِكُ بِحُسْنِ خُلُقِهِ دَرَجَةَ الصائِمِ القائِمِ «         

 

“Vërtet besimtari arrin me moralin e tij të lartë gradën e agjëruesit që falet natën.”[12]



[1] Transmton Muslimi në sahihun e tij në librin: “El-birru ues- sileh”, Hadithi Nr.14, 4/1980.

[2] Medarixhu- salikijn: 2/319.

[3] Medarixhu- salikijn: 2/320.

[4] Transmeton Buhariu tek “Libri i moralit” nën temën “Morali i mirë dhe koprracia e urryer”: 7/82.

[5] Transmeton Tirmidhiu në librin “El-birru ues-sileh” nën temë: “Cfarë është thënë për moralet e larta” 3/249-250. Dhe ka thënë shejh (dijetar) Muhamed Nasirudin El-Albani në librin “Sahih el-xhamiu” 1/439:- Hadith hasen (i mirë,i saktë).

[6] Transmeton Tirmidhiu në librin “El-birru ues-sileh” nën temë: “Cfarë është thënë për moralet e larta” 3/244.  Dhe Ebu Daudi në librin “Morali” nën temë: “Në moralet e larta” 4/253. Thotë shejh El-Albani në “Sahih Et-Tirmidhi” 2/194: -    Hadith sahih (i saktë).

[7] Transmeton Tirmidhiu në librin “El-birru ues-sileh” nën temë: “Cfarë është thënë për moralet e larta” 3/245. Ka thënë Tirmidhiu:- Ky hadith është sahih, garijb (i saktë dhe i transmetuar nga një sahab (shok i Muhamedit s.a.v.s.) i vetëm (në fillim të zinxhirit te transmetimit). Ka thënë- shejh El-Albani në “Sahih Et-Tirmidhi” 2/194 :-Hadith hasen (i mirë).

[8] “Xhamiul-ulumi el-hikem”  2/71-72.

[9] Suratu: En-Aam/162-163.

[10] Transmeton Tirmidhiu tek: “Libri i gjidhënies”, kap. “Cfarë ka ardhur për të drejtat e gruas mbi burrin e saj”    3/315- Thotë (Tirmidhiu): Ky është hadith hasen sahijh-        -(i mirë,   saktë). Dhe e ka saktësuar (ka nxjerrë që është i saktë) shejh El-Albani sic ka thënë në “Sahijhul-xhamiu”,  1/266-267.

[11] Mexhmu’ul-fetava  10/ 659.

[12] Transmeton Ebu Daudi tek: “Libri i moralit”, nëntema: “Me      moralet e larta” 4/252, dhe e ka saktësuar shejh El-Albani në “Sahijhul-xhamiu” 1/391. 

 

Shkëputur nga libri "Lidhja e moralit me bindjen dhe besimin"

Autor: Sulejman ibën Salih el Gasn

Përktheu: Bledar Albani

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.