A është shejh Albani Muxhtehid

(Mr. Bledar Karaj el Albani)

  

Pyetje: A është çdo Muxhtehid Muhaddith dhe e kundërta e kësaj? Sepse po ndëgjojm nga dikush që këtu bëjnë dallim p.sh. Shejh Albani thuhet se ka qenë Muhaddith e asesi Muxhtehid?

Përgjigja: Personi që i thotë këto fjalë mund të cilësohet me një nga këto të treja, ose të gjitha së bashku:

1. Ose nuk e di kuptimin e fjalës “Muhaddith” dhe as të fjalës “Muxhtehid”.

2. Ose nuk e njeh shejh Albanin aspak, dhe as nuk ka dëgjuar për të.

3. Ose është bidatçi që ka qëllim të largojë njerëzit nga dijetarët e mëdhenj selefij dhe t’ua çojë pre injorantëve që ngrenë kryet me diçka që nuk e kanë; për të humbur veten e tyre dhe të tjerët bashkë me ta.

Këtu nuk është vendi të sqarohen të gjitha këto, por nëse do të shihnim rregullin që përmendet në pyetje, për atë nuk ka ndonjë argument tjetër përveç vështrimit në historinë e dijetarëve muslimanë në shekuj, dhe pas analizimit të tyre, mund të dilet në përfundimin se: “Çdo muhaddith është muxhtehid dhe jo çdo muxhtehid është muhadith”. Që do të thotë, çdo dijetar hadithi, patjetër që është muxhtehid në çdo gjë që lidhet me hadithin, me senedin apo metnin e tij, si edhe me domethënien dhe ligjet e marra prej tij. Prandaj dijetarët e hadithit kanë rrugën e tyre të posaçme në lidhje me fikhun, usuli fikhun, madje edhe me mënyrën e përfitimit të akides, dhe kjo është mënyra e selefëve, siç e shihni në librin “Akidja e selefëve dhe dijetarëve të hadithit”, të Imam Sabunit. Të gjithë dijetarët e Ehli Sunetit janë bashkuar në faktin se grupi i shpëtuar që përmendet në hadithe, janë dijetarët e hadithit. Imam Ibën Haxheri ka qenë hafiz i hadithit dhe dijetar i madh në fikh dhe në usul. Të gjithë dijetarët e hadithit ndër shekuj kanë qenë të mëdhenj, të njohur dhe emri i tyre është ngritur lart në të gjitha kohët, sepse ata ngrenë lart fjalën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), e pastrojnë atë nga ndotësitë që i mvishen, e ruajnë atë të pastër dhe të kulluar, prandaj Allahu u ka dhënë vend të lartë ndër shekuj.

Ndërsa për muxhtehidët e tjerë të fikhut dhe usuli fikhut, të cilët nuk kanë qenë muhadithin, ata janë dijetarë dhe e kanë shpërblimin e tyre tek Allahu për përpjekjet e tyre, por grada më e lartë u takon dijetarëve të hadithit, me unanimin e ymetit musliman.

Tani të kthehemi te muhadithi i shekullit dhe përtëritësi i fesë në të, me dëshminë e dijetarëve më të mëdhenj të kohës, me në krye dijetarin e madh Abdulaziz ibën Baz (Allahu e mëshiroftë!), dhe deri tek urrejtësit e tij prej ndjekësve të epsheve dhe rrugëve të humbura, që të gjithë dëshmojnë për dijetarin e madh Muhamed Nasirudin el Albani, për dijen e tij, përpjekjen e tij, devotshmërinë e tij, akiden e tij të saktë, menhexhin e tij, dhe se padyshim që ai është njeri dhe gabon si të gjithë njerëzit. Por ajo që është për t’u theksuar këtu, është se për sinqeritetin e shejh Albanit dhe dashurinë e tij për të vërtetën dëshmojnë edhe ata që e urrejnë, kur shohin kthimet e tij në gjykimet për shumë hadithe, duke qenë se në ixhtihadin e parë shihte për shembull se një hadith është i dobët dhe më pas i bëhej i qartë se është i saktë, ai e ndërronte menjëherë gjykimin për të, pa e çuar mendjen se mund të shahej për këtë dhe të akuzohej se gabon, etj, etj.

Në fetvanë me nr. 5981, të Komisionit të përhershëm të fetvave, thuhet: “Ai burrë (shejh Albani) është i njohur tek ne për dijen e tij, vlerat e tij, madhërimin e sunetit dhe shërbimin për të dhe për përkrahjen e medhebit të ehli sunetit dhe xhematit në paralajëmrimin nga fanatizmi dhe pasimi i verbër. Librat e tij janë të dobishme, por edhe ai, ashtu si edhe dijetarët e tjerë, nuk është i pagabueshëm; por gabon dhe ja qëllon të vërtetës. Ne urojmë për të që të arrijë dy sevape në ato që ja qëllon të vërtetës dhe në atë që gabon të marrë shpërblimin e muxhtehidit, siç  është vërtetuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur gjykatësi gjykon pas përpjekjes (ixhtihadit) së tij dhe ja qëllon të vërtetës,ai ka dy shpërblime, dhe nëse gjykon pas përpjekjes së tij, por gabon, ai ka një shpërblim.” Lusim Allahun të na japë sukses neve, juve dhe atij (shejh Albanit) për qëndrueshmëri në të vërtetën dhe të na ruajë nga humbjet e fitneve (sprovave, trazirave, provokimeve).” Allahu e ka suksesin në Dorë! Dhe paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

“Komisioni i përhershëm për kërkimet shkencore dhe për fetva”

Kryetar: Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz.

Nënkryetar: Abdurrazak Afifi.

Anëtar: Abdullah ibën Gudejan.

Anëtar: Abdullah ibën Kaud.

Pra, dijetarët e mëdhenj dëshmuan për shejh Albanin se ai është prej dijetarëve dhe prej muxhtehidinëve, dhe kushdo që është i paanshëm në veten e tij, e di mirë se shejh Albani ka rrënjë të thella në fikh dhe në ixhtihad, dhe argumentet për këtë mund t’i përmbledhim në pikat e mëposhtme:

1. Dëshmia e dijetarëve të mëdhenj për këtë gjë, të cilat i gjen të mbledhura në librin “Jeta e Albanit”, e shejh Muhamed ibën Ibrahim esh Shejbani.

2. Librat e tij të forta në fikh, disa prej të cilave nuk kanë qenë shkruar më parë si ato dhe as në forcën e tyre. Mjafton të sjellim shembull këtu, librin “Rregullat e xhenazes”, i cili është shumë i fortë, dhe tregon për kuptim të mprehtë të sunetit, të përkrahur nga rregullat e fikhut të njohura tek selefët e ymetit. Shto këtu librin “Rregullat e martesës”, “Tamamul Mineh”, ku ka bërë shënime mbi librin “Fikhu Suneh”, etj.

3. Kasetat e tij të cilat kanë mbushur dheun, dhe nga të cilat janë bërë publike rreth 1000 kaseta, ndërsa 5000 orë të tjera janë ende pa u publikuar. Që të gjitha këto kanë qenë inçizime të disa tubimeve dhe jo të gjitha tubimeve të tij.

Vërejtje:

Tërheqim vërejtjen këtu, në pikat e mëposhtme:

1. Shhejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) është njeri; gabon dhe ja qëllon të vërtetës, kështu që nuk i lejohet askujt të besojë se ai është i pagabueshëm.

2. Nuk i lejohet atij muslimani që pason shejh Albanin, që kur i bëhet e qartë forca e argumentit të dikujt tjetër prej dijetarëve, të vazhdojë me fanatizëm në fjalën e shejh Albanit, pasi që në këtë fjalë ai mund të ketë gabuar. Ndërsa ne jemi urdhëruar që të ndjekim të vërtetën, kudo që të jetë dhe me cilindo që të jetë.

3. Shejh Albani nuk ka sjellë gjë të re në rregullat e fesë, madje shpesh ai ka shprehur se nuk ka thënë ndonjë gjë duke qenë i pari në thënien e saj, por ka thënë fjalë që është thënë nga dijetarët e mëparshëm, qoftë edhe nga njëri prej tyre. Prandaj, të kenë frikë Allahun ata të cilët zgjatin gjuhën kundër shejhut duke thënë se ai ka ardhur me gjëra të reja dhe të pashembullta, si dhe të kenë frikë Allahun ata që e imitojnë verbërisht shejhun.

4. Nuk është prej menhexhit të shejh Albanit, madje as i ndonjërit prej dijetarëve të ymetit, që nxënësi i dijes fillestar dhe i vogël në dije, të marrë ajetin apo hadithin dhe të nxjerrë ligje prej tij sipas qejfit. Madje shejhu ankohej nga kjo gjë dhe thoshte shpesh: “Vuanim nga fanatizmi dhe ja tani, vuajmë nga hapja dhe liria e madhe.” Shejhu ka thënë gjithashtu se “imitimi i dijetarëve të parë është shumë herë më i mirë se kjo hapje, madje imitimi është vaxhib për masën e gjerë e të paditur, ndërsa kjo hapje është haram.

5. Ai që pason shejhun verbërisht, duhet ta dijë se vetë shejhu e kundërshton pasimin e verbër dhe këshillon për marrjen e dijes, që muslimani të jetë ndjekës i argumentit nga Kurani dhe suneti.

Pra, le të mbajnë gojën ata të cilët flasin kundër shejh Albanit, apo ndonjë dijetari tjetër nga dijetarët e ehli sunetit dhe xhematit, të kenë frikë Allahun dhe të afrojnë njerëzit nga dijetarët dhe jo t’i largojnë prej tyre, sepse përndryshe ata do të mbartin gjynahin e tyre dhe të atyre që i ndjekin ata pa dije, do të humbin veten e tyre dhe të tjerët!

Lusim Allahun t’i ruajë dijetarët e ymetit dhe t’i sjellë atij gjithnjë dijetarë të mëdhenj dhe edukues të popullit. Sepse vërtet, dija nuk do të humbë nga njerëzit duke u ngritur në qiell, por do të humbë me humbjen e dijetarëve, dhe kur të mos mbesin më dijetarë, njerëzit do të drejtohen tek disa koka injorantësh, të cilët do të pyeten dhe do të përgjigjen pa pasur dije, dhe kështu, do të humbin veten e tyre dhe të tjerët.

Pra, të kenë frikë Allahun ata që largojnë njerëzit nga dijetarët dhe flasin kundër tyre, sepse çështja është shumë serioze dhe me rrezik për ta dhe për të gjithë ymetin!

Allahu e ka suksesin në Dorë! Dhe paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

 

 

 

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.