TREGU I KAPITALIT - BURSA 

NË PESHOREN E LEGJISLACIONIT ISLAM

 

Bledar Karaj el Albani 

 

Hyrje

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!"

"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju."

"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe."

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë), ndërsa çdo humbje e ka vendin në zjarr.

Allahu e krijoi njeriun për një qëllim madhështor, ashtu siç ka thënë në Librin e Tij: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse për të më adhuruar vetëm Mua.” [Edh Dharijat, 56]. As nuk e ka krijuar atë më kotë; që nuk urdhërohet e ndalohet; Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” [El Kijame, 36], por ka derdhur mirësitë e Tij mbi robët e Tij, dhe u ka nënshtruar atyre tokën dhe detin, djellin dhe hënën, natën dhe ditën, burimet dhe lumenjtë, dritën dhe errësirën; u ka dërguar atyre Lajmëtarët e Tij dhe u ka shpallur Librat e Tij, për t’i ftuar ata në lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Lavdëruar qoftë Ai, i Cili i shpalli robit të Vet (Muhamedit) Librin (Kuranin) të dëlirë nga çdo shtrembërim.” [El Kehf, 1]; i Cili e ka ngritur na shkallët e larta të lumturisë atë që zbaton Librin e Tij; që konsideron të lejuar atë që është lejuar në të dhe të ndaluar atë që është ndaluar në të, dhe ka ulur dhe poshtëruar atë që i ka kthyer shpinën Librit të Tij, që nuk e zbaton atë, por e hedh pas shpine dhe e kërkon udhëzimin në tjetër gjë përveç tij; dhe e ka fundosur atë në gropat më të thella të xhehenemit.

Jeta e njeriut në këtë botë nuk mund të ndahet nga jeta e tij fetare (e besimit), përndryshe ai do të humbë dhe do të shkatërrohet, dhe nuk ka lumturi në këtë botë veçse me pasimin e asaj që ka urdhëruar Allahu dhe me largimin nga ato që Ai ka ndaluar. E, Allahu i Madhëruar nuk urdhëron veçse diçka që është e mirë dhe e dobishme për njeriun, dhe nuk ndalon veçse nga ajo që është e keqe dhe e dëmshme për njeriun.

Zoti ynë na ka njoftuar në Librin e Tij se nuk ka lënë asgjë të nevojshme për ne në jetën e kësaj bote, veçse na e ka sqaruar atë, siç ka thënë: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Libër (Kuran).” [El En’am, 38] “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” [El Maide, 3].

Ekonomia është një nga fushat e jetës së njeriut, madje një fushë e rëndësishme e jetës në këtë botë, ndaj edhe Islami i ka kushtuar asaj një përkujdesje të veçantë, e ka sistemuar atë me një sistem të përpiktë dhe ka vendosur për të rregulla të përpikta, të cilat i ka zbatuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe halifët e drejtë pas tij. Dhe më pas, rrugën dhe hapat e tyre i ndoqën dijetarët e metit mysliman dhe ua mësonin ato njerëzve, brez pas brezi, deri në ditët e sotme, ditë në të cilat gjërat janë zhvilluar shumë, dija ka përparuar dhe ekonomia ka lulëzuar dhe është larguar mjaft nga ato format e thjeshta të marrëdhënieve mes njerëzve. Kështu që, muslimanëve të thjeshtë u janë pështjelluar shumë çështje, për të cilat kanë nevojë të njohin ligjin e Allahut në lidhje me to. Dhe kështu, dijetarët u ngritën me detyrën e tyre dhe studiuan mirë e në hollësi çështjet bashkëkohore të tregut dhe ekonomisë, për të zbuluar ligjin e Allahut në ato risi, me qëllim që të udhëzohet ai që udhëzohet me argument dhe të humbë ai që humb pasi i është bërë i qartë argumenti.

Në këtë këtë libërth do të shohim një prej marrëdhënieve ekonomike më të rëndësishme bashkëkohore, e cila është “Tregu i kapitalit”, apo siç njihet me emrin “Bursa”; për të mësuar realitetin e saj, me çfarë përshtatet në ligjet Islame dhe a mund të përfitohet prej saj me rrugë të ligjshme Islame?

Në këtë temë kanë folur shumë dijetarë dhe i kanë publikuar kërkimet e tyre në libra e revista të ndryshme, dhe ne kemi për qëllim këtu që ta paraqesim çështjen në një mënyrë sa më të qartë e të thjeshtë për t’u arritur, dhe me ide të radhitura e të sistemuara që të lidhen me njëra-tjetrën dhe të kuptohen sa më lehtë, dhe e kemi titulluar: “Tregu i kapitalit (Bursa) në peshoren e legjislacionit Islam”, i cili në origjinë është një kërkim plotësues i lëndës “Çështje ixhtihadije bashkëkohore”, për studentët e doktoratës, në degën e Fihkut dhe Bazave të tij.

Këtë kërkim e kam ndarë në këtë Hyrje, katër kapituj dhe një mbyllje, pastaj përmendja e burimeve të përdorura në të.

Kapitulli i parë: bën fjalë për shfaqjen dhe zhvillimin e tregut të kapitalit – Bursës.

Kapitulli i dytë: bën fjalë për njohjen me tregun e kapitalit, dhe nën të ka disa tema.

Kapitulli i tretë: bën fjalë për mjetet e përdorura në tregjet e kapitaleve dhe gjykimi fetar i tyre, dhe nën të ka disa tema e nëntema.

Kapitulli i katërt: bën fjalë për mënyrat dhe alternativat Islame për zëvendësimin e tyre.

Lus Allahun e Madhëruar që të më ruajë nga gabimi dhe rrëshqitja, në fjalë e në vepër, dhe t’i bëjë të gjitha veprat tona të sinqerta për Hir të Fytyrës së Tij, Ai është afër dhe i përgjigjet lutjes!

 

KAPITULLI I PARE

Shfaqja dhe zhvillimi i tregut të kapitalit – Bursës

 

Shfaqja e këtyre tregjeve kthehet tek Romakët, të cilët kanë qenë të parët që i kanë njohur tregjet e kapitalit, në shekullin e pestë p.e.s. Ndërsa në mesjetë, Brugge, Anverse, Amsterdami dhe Londra u bënë qendra të rëndësishme të kapitalit, dhe në to u ngritën edhe Bursat[1] përbri tregjeve tregtare. Në këto Bursa bëhej shkëmbimi i mallrave, valutave, transfertave dhe aksioneve të firmave tregtare. Lista e parë e çmimeve të aksioneve u shfaq në Anverse, në vitin 1531, dhe pas saj u shfaqën në Amsterdam, Paris dhe Londër.

Në shekullin e 19, vjen roli i Parisit si qendër për shitjen dhe blerjen e letrave me vlerë, dhe në gjysmën e dytë të po këtij shekulli, Londra zuri vendin e parë në botë për kapitalet. Megjithëse mes dy luftërave botërore, rëndësia e Londrës u dobësua disi, por qendra kapitale e saj vazhdoi të qëndronte aktive.

Më pas u zhvillua Ëall Street, dhe megjithë krizën e vitit 1929 e cila ndikoi në shumë prej bankave dhe firmave tregtare, por tregu amerikan e fitoi shumë shpejt besimin dhe sigurinë, dhe më pas zgjerimin e tij si rezultat i rolit të madh të dollarit amerikan.

Nuk mohohet që këto tregje të kapitalit ndihmuan në kapërcimin e ekonomisë së shtetve të mëdha, nga faza primitive bujqësore, në fazën industriale.[2]

Ndërsa në ditët tona, tregjet e kapitalit jane zhvilluar së shumti, mekanizmat e tyre kanë lulëzuar dhe në to janë futur sisteme shumë të përparuara për nga lidhja, sa që e gjithë bota është lidhur me to me anë të kompjuterëve dhe ato janë bërë unaza të lidhjes në tregtinë botërore, për eksport dhe import.

Por, tregjet e kapitalit –bursat- në gjendjen aktuale nuk janë shembull i mirëfilltë i asaj që kërkon legjislacioni islam prej arritjes së fitimit të lejuar (hallall), investimit të pasurisë dhe kursimeve në atë formë që siguron të lejuarën e mirë. Prej këtu, kjo çështje kërkon nga njerëzit me dije dhe të besueshëm që t’i përkushtojnë përkujdesje të veçantë studimit të këtyre bursave, me qëllim që të arrijnë në një formë të kompletuar, Islame tregu të kapitalit, ku të përmbushen kushtet dhe rregullat e legjislacionit Islam dhe të ndërtohen mbi bazat e tij.

Bota jonë Islame sot ka nevojë të madhe për tregje të kapitalit, duke vështruar për nga gjerësia e kufijve të saj, për nga pasuritë minerale e xeherore që i ka dhuruar Allahu asaj, dhe numri i madh i nënshtetasve të saj, me qëllim që dobitë e këtyre t’u kthehen vetë atyre. Shto këtu që edhe bankat islame kanë nevojë të madhe për këto tregje të kapitalit – Bursat.[3]

 

KAPITULLI I DYTË

NJOHJE ME TREGJET E KAPITALIT

 

Këtë kapitull e kemi ndarë në katër tema kryesore:

Tema e parë

Përkufizimi morfologjik i këtyre dy fjalëve: “treg” dhe “kapital”

1. “Tregu” është vendi ku shiten e blihen mallra apo kafshë të ndryshme. Vendi ku njerëzit kryejnë marrëdhënie ekonomike me njëri-tjetrin.[4]

Me këtë kuptim ka ardhur fjala “treg” në Fjalën e Allahut: “Gjithashtu ata thonë: “Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!” [El Furkan, 7] Si dhe ne Fjalën e Allahut: “Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.” [El Furkan, 20].

Edhe në sunetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), fjala “treg” është përmendur shpesh. Për këtë kthehu në librat e Suneneve dhe posaçërisht në Sahihun e Buhariut,i cili ka veçuar katër tema të ndryshme në lidhje me tregun.

2. “Kapitali”, në kuptimin morfologjik është: Vlera materiale që zotëron dikush, qoftë ar, argjend, mall, kafshë, prona, etj.

Ndërsa në përdorimin e dijetarëve të fikhut, ka dy mendime për domethënien e fjalës “Kapital”:

I pari: Medhhebi i hanefive, nga përkufizimet e të cilëve përmendim: “Çdo gjë nga e cila anon natyra e njeriut dhe mundet të depozitohet deri kur të nevojitet.”[5] Dijetarët hanefi vënë kusht që diçka të quhet kapital: a) materien, d.m.th. që të mos jetë përfitim dhe dobi, siç është banimi dobi e banesës, dhe b) dobinë e zakonshme prej saj.[6]

I dyti: Medhhebi i shumicës së dijetarëve, të cilët thonë se kapitali është: “Çdo gjë që ka vlerë materiale tek njerëzit dhe lejohet në sheriat të përfituarit prej saj në rastet normale dhe me zgjedhjen e njeriut.”[7]

 

 

Tema e dytë

Përkufizimi terminologjik i “Tregut të kapitalit” – Bursës

 

Bursa është një grup veprimesh të cilat kryhen në një vend të caktuar ndërmjet një grupi njerëzish për marrëveshje tregtie rreth prodhimeve bujqësore e industriale, apo  letrave me vlerë, qofshin present apo në mungesë të tyre, madje edhe nëse nuk ekzistojnë fare në kohën e bërjes së marrëveshjes, por që mund të gjenden dhe të dorëzohen.”[8] Pra, marrëveshja në këtë rast bëhet për diçka të panjohur dhe të pasigurt, e cila në sheriatin islam quhet “Garar”.

Në fjalorin elektronik shpjegues, bursa përkufizohet kështu: “Institucion financier e tregtar në vendet kapitaliste, ku kapitalistët ndjekin kursin e monedhave të arit, të aksioneve e të letrave të tjera me vlerë, luajnë me to dhe bëjnë marrëveshje financiare e tregtare për të nxjerrë fitime në kurriz të masave punonjëse dhe të njëri-tjetrit; ndërtesa e këtij institucioni.”

Ndërsa në Kodin tregtar francez, neni 71, bursa përkufizohet kështu: “Qendra ku mblidhen tregtarët, pronarët e anijeve, ndërmjetësit dhe përfaqësuesit (të autorizuarit), me autorizim dhe nën kujdesin e shtetit.”[9]

Pra, tregjet e kapitalit – bursat, në përgjithësi janë ndërmjetësi me anë të të cilit depozituesit që dëshirojnë të financojnë depozitimet e tyre ua reklamojnë ato drejtpërdrejtë ose me ndërmjetësues, shoqatave të punës, pronarëve të projekteve dhe personave të cilët kanë nevojë për huazimin e atyre kapitaleve. Ky ndërmjetës (bursa), përfshin të gjitha llojet e bankave, shoqërive të sigurimit, shoqatat e pensioneve, firmat tregtare, shoqatat financuese, ndërmjetësit … etj. Me anë të këtyre ndërmjetësve, bursa siguron një balancim ndërmjet kapitalit të veçuar për investim dhe rrugëve të investimit të tij, duke i siguruar atij mundësitë e disponueshme në veprimtarinë ekonomike.[10]

Por, përderisa këto bursa nuk kanë lindur nën hijen e Islamit, nuk pritet që të jenë islame. Nuk e presim këtë, edhe pse në to mund të ketë gjëra që përputhen me Islamin, por nuk presim që të jenë plotësisht Islame, madje kur të shohim veprimet që kryhen në bursë, do të gjejmë se shumica e tyre janë larg Islamit.

Megjithëse tregjet e kapitalit sot nuk i realizojnë qëllimet e kërkuara nga Islami, kjo nuk do të thotë që t’i injorojmë ato totalisht apo të japim gjykim të prerë se ato janë të ndaluara, por amaneti i dijes fetare na ngarkon që t’i analizojmë dhe studiojmë të gjitha hollësitë dhe pjesët përbërëse të tyre, me qëllim që ta nxjerrim gjykimin pas përfytyrimit të përpiktë të secilës pjesë dhe të përpiqemi me të gjitha mundësitë dhe forcat që të arrijmë në zëvendësues Islame, të cilët bashkojmë mes origjinales dhe të resë e të zhvilluarës.[11]

 

Tema e tretë

Dallimi mes  “Tregut të kapitalit” dhe tregut të zakonshëm

 

1. Në tregun e zakonshëm, marrëveshjet bëhen për gjëra që ekzistojnë vërtet, ndërsa në tregjet e kapitalit bëhen marrëveshje sipas mostrës[12] ose sipas përshkrimit të plotë të mallit.

2. Në treg bëhen marrëveshje për të gjitha llojet e mallrave, ndërsa në tregjet e kapitalit është kusht që malli të jetë i depozitueshëm, që ka shembull, që mund të përsëriten marrëveshjet për të dhe çmimet e të cilit pranojnë ndryshim në kohë të ndryshme për shkak të kushteve të ofertës dhe kërkesës, apo gjendjeve atmosferike.

3. Në tregjet e zakonshme çmimet janë të qëndrueshme dhe nuk ndikohen nga pakësimi i tyre zakonisht, ndërsa tregjet e kapitalit ndikojnë në çmimet e mallrave në përgjithësi, për shkak të marrëveshjeve të shumta që bëhen në to, ndaj edhe bursat janë cilësuar se janë si ferri (xhehenemi).[13]

 

Tema e katërt

Llojet e marrëveshjeve në tregjet e kapitalit

dhe alternativat Islame për zëvendësimin e tyre

 

Marrëveshjet e tregjeve të kapitalit janë dy llojesh: të menjëhershme dhe të afatizuara.

a) Marrëveshjet e menjëhershme: janë ato marrëveshje përmbushjes së të cilave duhet t’i përmbahet si shitësi edhe blerësi; shitësi dorëzon letrat me vlerë dhe blerësi dorëzon çmimin e tyre menjëherë ose Brenda një kohe të shkurtër –jo më shumë se 48 orë. Marrëveshjet që bëhen në tregun e menjëhershëm përfshijnë sasi të ndryshme të letrave me vlerë, qoftë edhe një letër të vetme, dhe qëllimi i atyre që i bëjnë këto marrëveshje në tregun e menjëhershëm kthehet në një nga dy shkaqet e mëposhtme, ose të dyja ato:

Shkaku i parë: Me qëllim që t’i ruajnë ato (letrat me vlerë), të përfitojnë prej tyre në kohën e ndarjes së fitimit, dhe për të drejtat që gëzojnë letrat me vlerë që blihen.

Shkaku i dytë: Me qëllim të spekulimit në ngritjen e çmimit të tyre, dhe kur shohin që çmimi i tyre ngrihet, ata i shesin ato letra, por duhet pasur parasysh se ngritja e çmimit të letrave me vlerë në tregun e menjëhershëm është më i ulët se në tregun e mëvonshëm.[14]

Me “spekulimin”, këtu është për qëllim: të rrezikosh me shitjen apo blerjen sipas parashikimeve të përmbysjes së çmimeve, për ta shfrytëzuar atë në interesin tënd.

Shumë njerëz e kanë përkthyer fjalën “spekulim”, në arabisht me fjalën “mudarabe”, por ajo ndryshon totalisht nga domethënia e “mudarabes” në sheriatin Islam, sepse “mudarabe” është marrëveshje midis dy palëve, ku njëra palë paraqet kapitalin ndërsa tjetra punën, dhe fitimin e ndajnë sipas përqindjes së rënë dakord që në fillim.[15]

Gjykimi i këtyre marrëveshjeve: Marrëveshjet e menjëhershme, në përgjithësi janë marrëveshje shitje dhe blerje të ligjshme (të lejuara), ndërsa gjykimin e tyre në hollësi, për secilën pjesë përbërëse të tyre, do ta shohim më pas kur të flasim për shitjen dhe blerjen e aksioneve, kambialeve, etj.

b) Marrëveshjet e afatizuara: marrëveshjet përmbushjes së të cilave duhet t’i përmbahet si shitësi edhe blerësi në afatin e caktuar, ku bëhet dorëzimi dhe pranimi, duke u përjashtuar ato gjendje të shtyrjes së afatit me marrëveshjen e të dyja palëve sipas disa kushteve në lidhje me vonimin dhe kompensimin e përmbajtjes së marrëveshjes.

Zakonisht likuidimet bëhen një herë në muaj dhe të gjitha marrëveshjet mbyllen në këtë kohë ku bëhet pagesa e çmimit dhe pranimi i letrave me vlerë në dorë, brenda disa ditëve nga data e likuidimit.[16]

Marrëveshjet më të shumta që bëhen në tregun e afatizuar, janë:

1. Marrëveshjet finale të sigurta: ato marrëveshje, përmbushja e të cilave caktohet me afat të prerë, i cili quhet afati i likuidimit, në të cilin të dyja palët duhet t’i përmbahen marrëveshjes për dorëzimin e çmimit dhe pranimin e letrave me vlerë – përmbajtjes së marrëveshjes, dhe nuk u lejohet atyre që të kthehen nga kryerja e marrëveshjes, por ata e kanë të drejtën e shtyrjes së afatit përfundimtar të likuidimit për më vonë.

Exekutimi i këtyre marrëveshjeve çon në humbjen e njërës palë –shitësit ose blerësit-, përveç rastit kur çmimi në ditën e likuidimit është i njëjtë me çmimin e tij në ditën e lidhjes së marrëveshjes.

Kjo marrëveshje mund të përmbajë edhe atë që quhet e drejta e tërheqjes nga afati, të cilën e gëzon vetëm blerësi; duke e përdorur këtë të drejtë për të ndaluar lëvizjen e rënies së çmimit, dhe kur ai ndjen se çmimet vazhdojnë të bienë, i kërkon shitësit dorëzimin e letrave me vlerë –subjektit të marrëveshjes- para afatit të rënë dakord. Atëherë shitësi i blen ato letra nga tregu me çmimin e menjëhershëm (në dorë) dhe kështu ngrihet kërkesa për to, dhe si rrjedhojë çmimi i tyre ngrihet përsëri, ose të paktën ndalon lëvizja e rënies së çmimit të një letre të caktuar, dhe blerësi i këtyre letrave me vlerë nuk është i detyruar të presë deri në afatin e likuidimit për të bërë tregti me to, por ai mundet që të ngarkojë një ndërmjetës me shitjen e tyre dhe llogaria e marrëveshjes së re regjistrohet në llogarinë e borxheve nëse shoqërohet me fitim.

Gjykimi për këtë lloj marrëveshje: Siç e pamë, në këtë lloj marrëveshje nuk kryhet dorëzimi i përmbajtjes së saj dhe as çmimi, por afatizimi i tyre është kusht në të, kështu që kjio marrëveshje nuk lejohet, sepse që marrëveshjet të jenë të vlefshme dhe të sakta në ligjin Islam, është e domosdoshme që të kryhet dorëzimi i të paktën njërit prej të ndërruarve –mallit ose çmimit-, dhe nuk lejohet afatizimi i të dyve atyre. Po kështu, në këtë lloj marrëveshje hyn “mosnjohja” nga dera më e gjerë e saj, d.m.th. dhënia e dy palëve të marrëveshjes të drejtën e shtyrjes së afatit të likuidimit për në një kohë të panjohur dhe të pacaktuar, gjë e cila është nga esenca e marrëveshjes, dhe kështu që kjo hyn në atë që quhet “garar” – rrezikshmëri që nuk dihet dhe mashtrim, gjë e cila është ndaluar në hadith të saktë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem).[17]

2. Marrëveshjet e afatizuara me kusht të kompensimit: Ato marrëveshjet përmbushjes së të cilave duhet t’i përmbahet si shitësi edhe blerësi në afatin e caktuar të likuidimit, në atë mënyrë që secili prej dy palëve të ketë të drejtën e mosekzekutimit të tyre kundrejt një shume të caktuar parash për të cilën bien dakord që në fillim, si kompensim për mospërmbushjen e marrëveshjes. Dita para ditës së likuidimit quhet “dita e kushtit”: ose të vazhdojë përmbushja e marrëveshjes dhe të hiqet kompensimi, ose të tërhiqen nga përmbushja e marrëveshjes dhe kjo quhet “tërheqje me të drejtën e kompensimit”.

Marrëveshjet e afatizuara me kusht të kompensimit ndahen në dy lloje:

a) Marrëveshjet e kushtëzuara nga blerësi: ku ai ka të drejtën e pranimit të letrave me vlerë ose të mospërmbushjes së marrëveshjes dhe pagesës së kompensimit, ndërsa shitësi është i detyruar t’i përmbahet vendimit përfundimtar të blerësit.

b) Marrëveshjet e kushtëzuara nga shitësi: ku ai ka të drejtën që në ditën para ditës së likuidimit të përmbushë marrëveshjen ose të tërhiqet nga ajo kundrejt pagesës së kompensimit të rënë dakord që më parë.

Gjykimi për këto lloj marrëveshjesh është i njëjtë me gjykimin për llojin para këtij; marrëveshja nuk bëhet konform ligjit Islam, sepse në këto marrëveshje nuk bëhet dorëzim dhe as pranim i mallit dhe as i çmimit, por në to kushtëzohet shtyrja e afatit të tyre së bashku, dhe për këtë shkak, këto marrëveshje nuk lejohen. Shkaku i këtij ndalimi nuk kthehet te e drejta e zgjedhjes nga dy palët, sepse kjo është e lejuar, por ndalimi kthehet në mosplotësimin e shtyllave të aktit, shto këtu edhe kushtëzimin e tërheqjes nga një pjesë e kapitalit pa e lidhur atë me ndonjë dëm real, gjë e cila është gjithashtu e ndaluar.

3. Shitja me të drejtën e shtimit nga blerësi ose shitësi:

Në këto marrëveshje, i lejohet atij që ka të drejtën e shtimit, të bëjë shtesë në marrëveshje, kur vjen koha e likuidimit të caktuar që më parë, dhe nëse e drejta ka qenë për blerësin, ai ka të drejtë të kërkojë pranimin e dyfishit të letrave të blera ose edhe më shumë, por në këtë rast, marrëveshja konsiderohet finale për sasinë e rënë dakord që në fillim, ndërsa për shtesën konsiderohet e lirë, dhe çmimet e shtesës janë më të larta se çmimet e tregut final. Po kështu nëse të drejtën e ka shitësi; blerësi i dorëzon atij shumën e rënë dakord dhe me çmim më ta lartë se ai në tregun final. Pra, që të dy bëjnë krahasime mes çmimeve finale, çmimeve të afatizuara me kusht të shtimit, dhe çmimeve të tregut në afatin e likuidimit, duke u përpjekur që të arrijnë sasi sa më të madhe fitimi dhe të mos pësojnë humbje.

Gjykimi për këtë lloj marrëveshje: Përveç mosplotësimit të shtyllave të aktit të blerjes, kjo lloj marrëveshje përmban një lloj kumari, i cili në bursë quhet spekulim, dhe kjo sepse ai i cili ka të drejtën e shtimit, siç shihet, përveç që në pamje të jashtme përmban marrëveshje me premtim për në të ardhmen, por përmban gjithashtu një marrëveshje tjetër, dhe kështu përfshihet në ndalesën e lidhjes së dy marrëveshjeve në një marrëveshje.[18]

4. Marrëveshjet e afatizuara me kusht të zgjedhjes:

Në këto marrëveshje, shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes mes dy çmimeve dhe në afatin e likuidimit, secili prej tyre ka të drejtën e përmbushjes së marrëveshjes me njërin nga dy çmimet, dhe kjo sepse ata që bëjnë tregti në tregjet e letrave me vlerë presin të ndodhë ndryshim i madh në çmime, në ngritjen apo rënien e tyre, ndërsa ata që i shesin këto letra besojnë se nuk do të ndodhë ndonjë ndryshim që mund të përmendet.

Gjykimi për këtë lloj marrëveshje: Këto marrëveshje në këtë formë nuk konsiderohen tregti në ligjin e pastër Islam, sepse nga kushtet kryesore të tregtisë është caktimi i çmimit. Përveç kësaj, në këto marrëveshje nuk plotësohen kushtet e marrëveshjes së shitblerjes, si dhe vendosen kushte të shtyrjes së këmbimit të çmimit dhe letrave me vlerë, kështu që nuk ka asnjë dalje për lejimin apo saktësimin e tyre.

5. “El Murabeha” dhe “El Uedijah”:

Dy terma të përdorura në sheriatin Islam, që përdoren gjithashtu në Bursë, por me përmbajtje dhe domethënie të komplet të ndryshme nga ai në sheriatin Islam.

“El Murabeha” në sheriatin Islam është: Marrëveshje shitblerje midis shitësit dhe blerësit duke e caktuar fitimin e shitësit, si p.sh. shitësi të thotë: “Këtë mall e kam blerë me 100, dhe ta shes ty me 110.”

Ndërsa “el Uedijah” në sheriatin Islam është: Marrëveshje midis shitësit dhe blerësit, duke shprehur që shitësi humb në të 10 % për shembull. Dikush mund ta shesë një mall me më pak se sa e ka blerë për shkaqe të ndryshme.

Ndërsa në Bursë, “El Murabeha” dhe “El Uedijah” janë gjë tjetër; e para është borxh me fajde për blerësin ndërsa e dyta është borxh me fajde për shitësin.

Sqarimi i kësaj: “El Murabeha” në Bursë kuptohet kështu: Ndodh që të vijë afati i likuidimit dhe blerësi të mos ketë mundësi për përmbushjen e marrëveshjes për shkak se çmimet kanë avancuar shumë, ndryshe nga ç’e kishte parashikuar ai. Ky p.sh. i ka blerë aksionet me 130 ndërsa ato zbritën deri me 100, dhe këtij i duhet të blejë aksione me 130 dhe t’i shesë me 100, duke humbur kështu 30 për çdo aksion të blerë, duke qenë se mund të ketë blerë numër të madh aksionesh dhe humbja e tij do të jetë shumë e madhe. Nëse blerësi sheh se nuk mund ta përmbushë marrëveshjen në afatin e likuidimit, në këtë rast ai mund ta shtyjë afatin e kësaj marrëveshje për më vonë, me anë të shtyrjes kundrejt fitimit që duhet t’i japë shitësit. Në këtë kohë, blerësi kërkon për investues që ta nxjerrë atë nga gjendja e vështirë kundrejt një shtese, fajde, dhe kjo është quajtur shtesë me fitim, apo shtyrje e afatit me fitim, d.m.th. borxh me fajde kundrejt shtyrjes së afatit.

Ndërsa “El Uedijah” në Bursë kuptohet kështu: Nëse shitësi sheh se çmimet e aksioneve të tij rriten në llogari të tij, dhe humbja e tij është e madhe, atëherë ai kërkon ta shtyjë afatin e përmbushjes së marrëveshjes për të kërkuar dikë që posedon aksionet e kërkuara dhe t’i blejë prej tij, pastaj t’ia shesë po atij në afatin e ardhshëm të likuidimit, me ulje. D.m.th. në këtë formë janë marrë hua letrat me vlerë kundrejt një shume të caktuar fajdesh, e cila quhet uedijah.

Gjykimi për këto lloj marrëveshjesh: Moslejimi  tyre është i qartë; ato nuk i plotësojnë shtyllat e aktit të tregtisë dhe as përmbushjen finale të tyre, plus që këto veprime janë në vend të borxhit me fajde kundrejt shtyrjes së afatit të likuidimit.[19]

6. Marrëveshjet e ndërthurura:

Ata që bëjnë tregti në tregjet e kapitalit shpesh i drejtohen marrëveshjeve të ndërthurura prej disa marrëveshjeve prej atyre që përmendëm më parë së bashku. Këto marrëveshje janë të pakufizuara në praktikë, por ato që përdoren më shumë janë katër marrëveshje kryesore:

a) Blerje e menjëhershme kundrejt shitjes me kusht të kompensimit (e drejta këtu i takon blerësit).

b) Blerje finale kundrejt shitjes me kusht të kompensimit.

c) Blerje me kusht të kompensimit kundrejt shitjes finale.

d) Blerje me kusht të kompensimit kundrejt shitjes me kusht të kompensimit.

Gjykimi për këto lloj marrëveshje të ndërthurura: është se ato nuk lejohen dhe nuk janë të vlefshme për arsyet që përmendëm në secilën prej tyre në veçanti, dhe sepse ato përmbajnë dy marrëveshje në një kontratë, gjë e cila është e ndaluar në Islam.

 

Alternativat e ligjshme islame për marrëveshjet e menjëhershme në Bursë

 

Për këto marrëveshje ekzistojnë alternativa të ligjshme të cilat realizojnë qëllimin e kërkuar të arsyeshëm dhe të drejtë. Këto alternativa janë:

1. “Es Selem”: “Shitja e diçkaje të përshkruar, që nuk ekziston në kohën e marrëveshjes por është borxh mbi shitësin, i cili do ta dorëzojë në afatin e caktuar, ndërsa çmimi paguhet në dorë, ose brenda tre ditëve, -siç thonë malikitë-.”[20] Kjo zakonisht bëhet në të mbjellat, ku blerësi i kërkon bujkut një sasi të caktuar gruri për shembull, duke e paguar çmimin e tij në dorë, ndërsa grurin do e marrë pasi të korret.

2. Shtyrja e pagesës së çmimit me këste ose pa këste (shitje e afatizuar). Argument për këtë është hadithi i saktë ku thuhet se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) bleu ushqim nga një çifut me çmim të afatizuar për më vonë dhe i la atij mburojën e tij si peng. Ibën Mundhiri thotë se për lejueshmërinë e kësaj shitje ka unanim në mesin e muslimanëve.[21]

3. “El Istisna”: “Blerësi i kërkon një prodhuesi që t’i prodhojë atij diçka të caktuar me çmim të caktuar.” Ibën Abidin thotë: “Kjo është shitje e diçkaje të përshkruar, për të qenë borxh mbi shitësin, dhe jo shitje e punës.”[22]

Kjo është një marrëveshje e pavarur tek Hanefitë, ndërsa të tjerët –malikitë, shafiitë dhe hanbelitë- nuk e kanë pranuar atë si marrëveshje e pavarur, por disa çështje të saj i kanë futur në shitjen “Es Selem”, ndërsa disa gjëra të tjera i kanë refuzuar, por nuk është ky vendi i sqarimit të tyre.

Këto alternativa zgjidhin shumicën e rasteve në të cilat çmimi ose malli shtyhet për në një afat të caktuar. Kështu, esselem zgjidh problemin e mallrave dhe gjërave që nuk ekzistojnë në kohën e marrëveshjes por që do të dorëzohen më pas, por çmimi duhet paguar në dorë, ose brenda tre ditëve, sipas fjalës së Malikive.

 

KAPITULLI I TRETË

MJETET E PËRDORURA NË TREGJET E KAPITALIT

DHE GJYKIMI ISLAM PËR TO

Vijon ...

 



[1] Termi “Bursë”, nuk ka origjinë në gjuhë, por ai kthehet në një prej dy gjërave: 1. Ose ky ka qenë emri i një hoteli në qytetin e Brukselit në Belgjikë, i cili kishte vendosur si reklamë në pamjen e përparme të tij shenjën e një valute mbi të cilën ishin vendosur tre qese ari. Ketu mblidheshin punonjës bankash dhe ndërmjetës kapitalesh për të administruar punët e tyre. 2. Ose ka qenë emri i një bankieri në Bruksel, i cili quhej: Van Der Bursa, tek kështjella e të cilit mblidheshin tregtarët e qytetit. Moto dalluese e familjes së tij ishte “tre qese ari”. [Funksioni i firmave investitore Islame, f.89].

[2] “Enciklopedia arabe” 1/430, Funksioni i firmave investitore Islame, f. 89.

[3] “Tregjet e kapitalit në peshoren e Fikhut Islam”, Dr. Ali Muhjidin Dagi; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, Xhidde (Arabi Saudite), 7/34-144.

[4] Shiko “Fjalorin elektronik shpjegues”, shqip.

[5] “Hashijetu Iben Abidin”, 2/205, 4/501.

[6] “Pronësia në sheriatin Islam”, 1/205.

[7] Burimi i mësipërm 1/210.

[8] “Enciklopedia e dijes dhe praktikës për bankat Islame”, 5/391.

[9] “Rregullat e tregut të kapitalit”, Dr. Muhamed Abdulgafar Sherif; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, në Xhidde (Arabi Saudite), 6/961.

[10] “Tregjet e kapitalit në këndvështrimin e sistemit ekonomik Islam”, Dr. Nebil Abdulilah Nasif; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, në Xhidde (Arabi Saudite), 6/1096.

[11] “Tregjet e kapitalit në peshoren e Fikhut Islam”, Dr. Ali Muhjidin Dagi.

[12] Pjesë e vogël prej diçkaje (prej një lënde, prej një cohe, prej një  malli etj.) që e nxjerrim a e marrim për t'ia treguar dikujt, me qëllim  që ai të njohë cilësitë e gjithë lëndës, të cohës, të mallit etj. [Fjalori elektronik shpjegues].

[13] “Marrëdhëniet ekonomike bashkëkohore”, f. 483, Vehbe ez Zuhajli.

[14] “Rregullat e tregut të kapitalit”, Dr. Muhamed Abdulgafar esh Sherif; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, në Xhidde (Arabi Saudite).

[15] “Marrëdhëniet ekonomike bashkëkohore”, f. 484, Dr. Vehbe ez Zuhajli.

[16] Burimi i mësipërm.

[17] Është fjala për hadithin ku thuhet se: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka ndaluar nga el garar.”, të cilin e ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij 3/1153, Ebu Daudi 2/228, Tirmidhiu 3/532, Ibën Maxheh 2/739, etj.

[18] “Tregjet e kapitalit në peshoren e Fikhut Islam”, Dr. Ali Muhjidin Dagi.

[19] “Tregjet e kapitalit në këndvështrimin e sistemit ekonomik Islam”, Dr. Nebil Abdulilah Nasif, dhe “Tregjet e kapitalit në peshoren e Fikhut Islam”, Dr. Ali Muhjidin Dagi.

[20] “Hashijetu Ibni Abidin”, 4/208, “Sherhul Harshi” 5/203, “el Mugni” i Ibën Kudames, 4/328.

[21] “El Ixhma”, i Ibën Mundhir, f. 93.

[22] “Hashijetu Ibni Abidin”, 5/225.

 

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.