TREGU I KAPITALIT - BURSA 

NË PESHOREN E LEGJISLACIONIT ISLAM

(PJESA III)

Bledar Karaj el Albani 

Kapitulli i katërt

Alternativat Islame në lidhje me mjetet

e përdorura në bursë

 

1. Sa i përket “aksioneve”, siç e pamë ato janë të lejuara dhe po kështu përvetësimi dhe qarkullimi i tyre është i lejuar, përderisa ato lëshohen nga shoqëri të cilat nuk kanë veprimtari të ndaluar dhe nuk bashkëpunojnë në gjëra të ndaluara, pa pasur dallim dhe as privilegj të disa aksioneve mbi disa të tjera, siç e pamë më parë.

Prej këtu, dera e aksioneve është e hapur, duke iu përmbajtur rregullave të përmendura.

2. Ndërsa në lidhje me “kambialet”, siç e pamë, ato janë çeqe që përmbajnë borxh dhe fajde të borxheve, dhe për këtë arsye ato janë të ndaluara, sepse futen në kamatën e borxhit, të cilën e ka ndaluar Kurani dhe Suneti, dhe për ndalimin e së cilës janë bashkuar unanimisht të gjithë dijetarët, siç e pamë më parë.

Alternativa Islame për zëvendësimin e këtyre kambialeve: qëndron në lëshimin e çeqeve të Mudarabes [1] , qoftë me afat të gjatë apo për një projekt të caktuar, ose në lëshimin e çeqeve të shoqërimit në një projekt të caktuar, qoftë nëse vlera e këtyre çeqeve kthehet në fund njëherësh apo gradualisht.

Të mjaftuarit vetëm me aksionet, çfarë do arsye që të ketë, nuk ia vlen, veçanërisht në një botë ku ideja kapitaliste vjen çdo ditë me të re, në lidhje me gjërat parësore të tregut, apo me mjetet dhe mënyrat e përdorura në të, kështu që do të përpiqemi të përmendim disa lloje letrash me vlerë të pranuara në legjislacionin Islam, si në vijim:

A) Kambialet e Mukarada-s [2] , apo çeqet e Mudarabes, rregullat dhe kushtet e të cilave i ka vendosur “Asambleja e fikhut Islam”, në sezonin e katërt të saj. Këtë vendim ne po e përmendim të plotë në vijim:

Vendimi nr. 5, D. 4/08/99, në lidhje me kambialet e mukarada-s dhe kambialet e investimit:

Këshilli i Asamblesë së legjislacionit Islam, në seancën e katërt të tij, të mbajtur në Xhidde, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, nga data 18-23 Xhumadal Ahira, 1408 H, e cila i takon datës 6-11 shkurt 1988, pas njohjes me kërkimet e paraqitura në lidhje me “Kambialet e Mukaradas dhe Kambialet e investimit”, çështje e cila ka qenë rezultat i Simpoziumit të mbajtur nga Asambleja në bashkëpunim me Institutin Islam për kërkime dhe praktikë, në Bankën Islame për zhvillim, më dt. 6-9 Muharem 1408, e cila i takon datës 30-8 deri 2-9 1987, në zbatim të vendimit nr. 10, të marrë në sezonin e tretë të Asamblesë, në të cilin morën pjesë disa prej anëtarëve të Asamblesë dhe ekspertëve të saj, kërkuesit e Institutit, si dhe qendra të tjera shkencore dhe ekonomike, dhe kjo për rëndësinë e madhe të kësaj çështje dhe domosdoshmërinë e plotësimit të të gjitha hollësive të saj, për rolin e madh të kësaj shprehje në shtimin e kompetencave për zhvillimin e burimeve të të ardhurave të përgjithshme me anë të bashkimit të kapitalit dhe punës së bashku.

Pas rishikimit të dhjetë rekomandimeve, të cilat ishin përfundimi ku arriti Simpoziumi, dhe pas diskutimit të tyre në dritën e kërkimeve të paraqitura, e të tjera, u dha vendimi i mëposhtëm:

Së pari: Në lidhje me termin e pranuar në legjislacionin Islam të çeqeve të Mukaradas:

1. Kambialet e Mukaradas: janë një mjet investitor i cili bën ndarjen e kapitalit bazë të borxhit (el mudarabe), me lëshimin e çeqeve të pronësisë për kapitalin e mudarabes, në bazë të pjesëve të barabarta në vlerë dhe të regjistruara në emër të zotëruesve të tyre, duke i konsideruar ata zotërues të pjesëve kapitalit bazë të mudarabes dhe çfarë i kthehet asaj, sipas përqindjes së zotërimit të secilit prej tyre në të.

Preferohet që këto mjete investimi të quhen “çeqe mukarada”.

2. Forma e pranuar në legjislacionin Islam, në lidhje me kambialet e mukarada-s, në përgjithësi, është ajo në të cilën duhet të plotësohen elementet e mëposhtme:

Elementi i parë: Këto çeqe duhet të përfaqësojnë pronësi në varësi të sasisë së tyre në projektin për ngritjen dhe investimin e të cilit ato janë lëshuar, dhe kjo pronësi duhet të vazhdojë gjatë gjithë kohës së projektit nga fillimi në fund të tij.

Këto çeqe gëzojnë të gjitha të drejtat dhe veprimet e aprovuara në sheriatin Islam për zotëruesin e një prone, dhe ai mund t’i shesë, t’i dhurojë, t’i lërë peng, t’i trashëgojë, etj, por duke pasur parasysh se këto çeqe përbëjnë kapitalin bazë të kësaj shoqërie.

Elementi i dytë: Në çeqet e mukarada-s, kontrata ngrihet në bazë të faktit se kushtet e saj i cakton “buletini i lëshimit”, dhe se në këto çeqe “oferta” shprehet me termin “nënshkrim”, ndërsa “pranimi” bëhet me miratimin e anës lëshuese të tyre.

“Buletini i lëshimit” duhet patjetër që të përfshijë të gjitha hollësitë e kërkuara nga sheriati në kontratën e mudarabes, siç është njoftimi me kapitalin bazë dhe ndarjen e fitimeve, si dhe sqarimi i kushteve të veçanta për secilin lëshim të caktuar, në atë mënyrë që të gjitha kushtet të përputhen me ligjet e sheriatit Islam.

Elementi i tretë: Çeqet e mukarada-s duhet të kenë natyrë qarkulluese pas përfundimit të afatit të caktuar në investim, duke e konsideruar këtë gjë të lejuar nga pala investuese në kohën e lëshimit të kambialeve, duke iu përmbajtur rregullave të mëposhtme:

a) Nëse kapitali i shoqërisë mudarabe që është mbledhur pas nënshkrimeve dhe para fillimit të punës me të, vazhdon të jetë valutë, atëherë qarkullimi i çeqeve të mukarada-s  konsiderohet këmbim i të hollave me të holla, dhe në këtë rast praktikohen rregullat e kambizmit.

b) Nëse kapitali i mudarabes kthehet në borxhe, atëherë në qarkullimin e çeqeve praktikohen rregullat e qarkullimit të borxheve.

c) Nëse kapitali i mudarabes bëhet nga mallra të përziera prej të hollave, borxheve, objekteve, dobive të objekteve, etj, atëherë lejohet të qarkullohen çeqe mudarabe në përputhje me çmimin për të cilin bien dakord palët kontraktuese, por me kusht që pjesa më e madhe në këtë rast të jetë prej objekteve dhe dobive të tyre. E, nëse pjesa më e madhe e kapitalit është valutë ose borxhe, atëherë në qarkullimin e tyre duhet të merren parasysh rregullat të cilat do t’i sqarojë një tabelë sqaruese, e cila do të përpilohet dhe do të shfaqet nga Asambleja në sezonin e ardhshëm.

Elementi i katërt: Ai i cili e merr rezultatin e nënshkrimit të çeqeve për investimin dhe ngritjen e projektit me to, është punëtori i mudarabes, i cili nuk zotëron nga projekti veçse aq sa kontribuon në blerjen e disa prej çeqeve. Pra, ai është pronar i atij kapitali me të cilin ka kontribuar plus faktit që ai është ortak në fitim pas realizimit të tij, në varësi të pjesës së caktuar për të në buletinin e lëshimit, dhe sipas kësaj baze është edhe pronësia e tij në projekt. Dora e punëtorit në rezultatin e nënshkrimit të çeqeve dhe të kapitaleve të tjera të projektit është dorë e besueshme; d.m.th. ai nuk kompenson gjë vetëm se për ndonjë prej shkaqeve të kompensimit që janë përcaktuar në legjislacionin Islam.

3. Duke marrë parasysh rregullat e mësipërme për qarkullimin, lejohet qarkullimi i Mukarada-s në tregjet e letrave me vlerë, nëse gjenden, duke iu përmbajtur rregullave të sheriatit, dhe kjo në përputhje me kushtet e ofertës dhe kërkesës, duke iu nënshtruar pëlqimit të dy kontraktuesve. Po kështu, lejohet që qarkullimi të bëhet me ngritjen e palës lëshuese të çeqeve në disa periudha kohore të caktuara, me njoftim apo ofertë të drejtuar publikut, ku investuesit i detyrohen përmbajtjes së saj për një kohë të caktuar për të blerë këto çeqe me fitimet e kapitalit të mudarabes, me çmim të caktuar, për caktimin e të cilit preferohet të konsultohen me ekspertë, sipas kushteve të tregut dhe qendrës së kapitalit të projektit. Po kështu, lejohet të bëhet njoftim për detyrimin në blerjen nga palë tjetër përveç palës lëshuese të çeqeve, nga kapitali personal, siç është përmendur.

4. Nuk lejohet që buletini i lëshimit ose çeku i mukaradas të përmbajë shënim ku thuhet se punëtori i mudarabes duhet të garantojë kapitalin bazë apo fitim të prerë apo të adresuar te kapitali bazë, e nëse ndodh një gjë e tillë e shkruar qartë apo tërthorazi, atëherë kushti i garantimit është i pavlefshëm dhe investuesit i takon fitimi i zakonshëm i mudarabes.

5. Nuk lejohet që buletini i lëshimit dhe as çeku i mukarada-s i lëshuar në bazë të buletinit, të përmbajë shënim ku thuhet se shitja e tij është e detyruar, qoftë edhe i lidhur apo i afatizuar për në të ardhmen. Por, lejohet që çeku i mukaradas të përmbajë premtim për shitje, dhe në këtë rast nuk përmbushet shitja veçse me kontratë dhe me vlerë të përcaktuar nga ekspertët, si dhe me pëlqimin e dy palëve kontraktuese.

6. Nuk lejohet që buletini i lëshimit dhe as çeqet e lëshuara në bazë të tij, të përmbajnë shënim i cili çon në mundësinë e një fitimi fiks e të prerë të shoqërisë, dhe nëse ndodh kjo, atëherë kontrata është e pavlefshme.

Nga këto pika rrjedh:

a)  Moslejimi i kushtëzimit të një shume të caktuar për mbajtësit e çeqeve apo për pronarin e projektit, në buletinin e lëshimit dhe në çeqet e mukarada-s të lëshuara në bazë të tij.

b) Subjekti që ndahet është fitimi në kuptimin e ligjshëm të tij: pjesa që shtohet mbi kapitalin bazë, dhe jo fondi dhe as prodhimi. Sasia e fitimit njihet me anë të inventarit ose vlerësimit të projektit me të holla, dhe pjesa që tepron nga kapitali bazë, është fitimi i cili i ndahet mbajtësve të çeqeve dhe punonjësve të mudarabes, sipas kushteve të kontratës.

c) Llogaritja e fitimeve dhe humbjeve të projektit duhet të vlerësohet në transparencë dhe nën veprimin e mbajtësve të çeqeve.

7. Fitimi meritohet menjëherë pas shfaqjes së tij dhe zotërohet me anë të vlerësimit por nuk detyrohet veçse pasi të ndahet. Ndërsa projekti në të cilin ka fond apo prodhim, lejohet që prodhimi i tij të ndahet, dhe ajo që u ndahet dy palëve kontraktuese para inventarit konsiderohet si shumë e paguar në llogari të tyre.

8. Nuk ka gjë në sheriat që e ndalon shënimin e zbritjes së një përqindje të caktuar në buletinin e lëshimit, në fund të çdo sezoni, qoftë nga pjesa e mbajtësve të çeqeve në fitimet e tyre, në rast se bëhet inventar sezonal, apo nga pjesët e tyre në fonde apo në prodhimin e ndarë në llogari të tyre, me qëllim të të lihet mënjanë si rezerva të posaçme për përballimin e rrezikut të humbjes së kapitalit bazë.

9. Nuk ka gjë në sheriat që e ndalon shënimin në buletinin e lëshimeve apo në çeqet e mukaradas, për premtimin e një pale të tretë të ndarë dhe të veçantë në individualitet, që të kontribuojë pa pagesë për përballimin e humbjeve në një projekt të caktuar, por me kusht që ky të jetë angazhim i pavarur nga kontrata e mudarabes, me kuptimin që ngritja e tij me përmbushjen e angazhimit nuk është kusht në zbatimin e kontratës dhe në rregullat që pasojnë atë mes palëve kontraktuese. Kështu që, mbajtësit e çeqeve apo punëtori i mudarabes nuk ka të drejtë të kthehet nga përmbushja e kontratës për shkak se kontribuuesi është kthyer nga angazhimi që kishte marrë, duke u justifikuar se ky angazhim ka pasur konsideratë në lidhjen e kontratës.” [Këtu përfundon vendimi i Asamblesë].

 

B)  Kuponët e investimit të Bankës Islame për Zhvillim:

Banka Islame për Zhvillim bëri lëshimin e disa kuponëve të cilat përfaqësojnë pronësinë e investuesve. Në dosjet e Bankave Islame të cilat drejtohen nga Banka Islame për Zhvillim, këto kuponë cilësohen kështu: “Dokumente të cilat përfaqësojnë një pjesë në pronësinë e kasafortës, dhe lëshohen nga Banka Islame për Zhvillim. Ato regjistrohen në regjistrin e kuponëve në emër të zotëruesve të tyre.”

Kjo kasafortë veçohet për investimin e tregtisë me vendet Islame, dhe përmbajtja e sa është në dorë të Bankës, me cilësinë Mudarib (si palë që paraqet kapitalin në shoqërinë e Mudarabes). [3]

Gjenden dy lloje të këtyre kuponëve:

1. Kuponë të lëshuara për themelim: një grup kuponësh të cilat lëshohen kur themelohet kasaforta, dhe pronësia e tyre i përket vetëm Bankës Islame për Zhvillim, dhe Bankave e organizatave të tjera kapitale Islame.

2. Kuponët e lëshimeve të mëpasshme: një grup kuponësh të cilat lëshohen pas themelimit të kasafortës dhe paraqiten për nënshkrimin e përgjithshëm.

Këto kuponë gëzojnë të drejtën e qarkullimit me një nga dy mënyrat e mëposhtme:

1. Shitja e tyre në një institucion bankar Islam, me çmimin për të cilin bien dakord, dhe kjo ndodh pas kohës së nënshkrimit dhe futjes së tyre realisht në punë.

2. Blerja e tyre nga Banka Islame për Zhvillim, e cila është angazhuar me blerjen e kuponëve që zotërojnë Bankat Islame dhe i paraqesin për shitje, dhe kjo me një kufi tavan prej 50 % të kuponëve që zotëron një Bankë e vetme, prej lëshimeve themeluese. [4]

C) Aksionet e ortakërisë pa të drejtë vote:

Rregulli i përgjithshëm për aksionet është lejimi, vetëm nëse veprimtaria e tyre lidhet me gjëra të ndaluara në sheriat, siç e pamë.

Duke parë nevojën e institucioneve Islame për këto aksione, dhe pas vështrimit të tyre në mos epërsinë e atyre që nuk e dëshirojnë të ardhmen e shoqërisë (kompanisë), këto institucione në bashkëpunim me dijetarët e legjislacionit Islam dhe me ekonomistë islamë, ranë dakord për lëshimin e aksioneve të privilegjuara, zotëruesit e të cilave kanë të gjitha të drejtat si për aksionet e zakonshme, përveç të drejtës së votës në organizatën e përgjithshme.

Allahu i Madhëruar e lehtësoi dhe mundësoi që idetë të kalonin nga rrethi i teorisë në atë të praktikës reale nëpërmjet themelimit të Shoqërisë “Et Teufik” për kasafortat e investimit, më 15-1-1987, dhe nëpërmjet shoqërisë “El Emin” për letrat me vlerë, më 28-6-1987, në shtetin e Bahrejnit. Që të dyja këto shoqëri synojnë parashtrimin e mjeteve të reja të investimit për masën investuese.

Kasafortat e investimit marrin disa forma të ndryshme për nga fitimi, rrezikshmëria dhe afati i tyre. Kështu, ato mund të jenë kasaforta që bëjnë tregti Murabaha (me fitim të njohur nga dy palët kontraktuese), ose të japin me qira, ose të bëjnë kontratë Selem, ose projekte të ndryshme, gjë për të cilën është marrë vendim ministrie me nr. 17 në Bahrejni, në vitin 1986, ku lejohet themelimi i shoqërive aksionare islame. [5]

Po kështu edhe Banka e Devotshmërisë, e themeluar në Bahama, në vitin 1988, u ngrit me praktikimin e këtij lloji, duke lëshuar dy lloje aksionesh: i pari ishte veçuar për aksionet e zakonshme, ndërsa i dyti për aksionet e privilegjuara, zotëruesi i të cilave nuk e ka të drejtën e prezantimit në organizatën e përgjithshme dhe as votën në të, por mund ta paguajë vlerën e tyre më tre këste të barasvlershme, ku mes çdo kësti dhe tjetrit ka një afat prej gjashtë muajsh, ndërsa kësti i parë paguhet me nënshkrimin e kontratës.

Dhënia e këtij privilegji (ndarja e pagesës në këste) këtij lloji aksionesh nuk bie në kundërshtim me sheriatin e nderuar Islam, sepse në këtë rast nuk llogaritet fitimi veçse në varësi të sasisë së paguar të aksioneve, por kjo është një lloj lehtësimi që i jepet atij me pëlqimin e aksionarëve të tjerë. Përveç kësaj, përshtatja Islame  e kësaj çështje qëndron në atë se kur zotëruesi i aksioneve të privilegjuara paguan këstin e parë, ai bëhet ortak me aq aksione sa ka paguar, ndërsa më pas ka premtuar se do të vazhdojë të paguajë pjesën tjetër të tyre. P.sh. nëse dikush paguan këstin e parë të 30 aksioneve, ai është bërë ortak real me 10 aksione, ndërsa në këstin e dytë bëhet ortak me 10 aksione të tjera, e në të tretin me 30 aksione. D.m.th. ai bleu 10 aksione në fillim dhe premtoi se do të blinte edhe sasinë tjetër për të cilën kanë rënë dakord, dhe kjo nuk ka ndonjë ndalesë në sheriatin Islam.

Ndërsa çështja e të drejtës së votës në organizatën e përgjithshme, është një çështje administrative, nga e cila i lejohet të tërhiqet çdokush prej ortakëve dhe të mos marrë pjesë në të.

 

D) Kuponët e qiradhënies, ose qiratë e zvogëlueshme:

Këto janë disa kuponë, tek të cilat u udhëzua banka “Shtëpia Tuniziane për Investim”, me ndihmën e konsultimeve dhe rekomandimeve të këshillit mbikëqyrës të saj, dhe të cilat ajo i bleu nga “Kompania Tuniziane për qiradhënie”, në formën e mëposhtme:

“Kompania Tuniziane për qiradhënie” përvetëson aparatura e pajisje të ndryshme, të cilat ua jep me qira klientëve të saj, me një çmim qiraje të caktuar, dhe me mbarimin e kontratës mes tyre, pronësia e aparatit apo e pajisjes së dhënë me qira i kalon klientit, përderisa ai i ka paguar të gjitha këstet e qirasë. Gjatë gjithë kohës së qirasë, “Kompania Tuniziane për qiradhënie” lëshon kuponë në interes të blerësve, me vlerë të caktuar, e cila përbën një këst nga çmimi i blerjes së aparatit apo pajisjes së caktuar. Blerësit e kuponëve marrin një pjesë nga fitimi i qirasë, dhe me sa duket, ky lloj tregon zhvillim.

Këto kuponë i ngjajnë kuponëve të investimit të posaçëm, por ato ndryshojnë prej tyre në faktin se ato përbëjnë një lloj kontribuimi të zvogëlueshëm, pasi që këstet e qirasë përfshijnë edhe fitimet e qiradhënësit, plus konsumimin e kapitalit bazë. Prej këtu, kuponët e qirasë do të likuidohen gradualisht, deri sa të mbarojnë përfundimisht me këstin e fundit. [6]

Përveç këtij lloji i cili pa dritë, nuk ka gjë që ndalon nga lëshimi i kuponëve të qirasë me vlerë jo të zvogëlueshme, të cilat sjellin përqindje më të madhe fitimi se kuponët e zvogëlueshme, si rezultat i mundësisë së riinvestimit të kësteve të paguara, dhe kjo sepse banka, për shembull, i investon të vjelat e kësteve të paguara në kontrata qiraje të reja.

Këtë lloj kuponësh mund ta quajmë “Kuponë qiraje të qëndrueshëm”. [7]

E) Çeqet e pjesëmarrjes në kompani:

Nëse vështrojmë në filozofinë e ekonomisë Islame, gjejmë se ajo ngrihet në metodat e shoqërive me format e ndryshme të tyre, qoftë në formimin e shoqërive të kapitalit, pastaj pjesëmarrjen në fitimet dhe në humbjet e tyre, apo në formimin e  shoqërive të kapitalit nga njëra palë dhe punës e eksperiencës nga pala tjetër, pastaj pjesëmarrja e të dyja palëve në fitim apo në humbje, ku pjesëmarrësi me pasurinë e tij humb nga pasuria e tij ndërsa pjesëmarrësi me punën e tij humb kohën pa fituar asgjë, e kështu. Pra, secili prej ortakëve merr pjesë në fitim dhe në humbje, dhe në rrezikshmëri. Kjo është baza e ekonomisë Islame, dhe kjo bazë (pjesëmarrja në shoqëri tregtare) është ajo që i mundëson ekonomisë lidhjen e ciklit ekonomik (d.m.th. prodhimin e mallrave dhe shërbimet) me ciklin kapital (d.m.th. me të hollat e monedhat), dhe kështu pakësohet rreziku i rrëshqitjes mes këtyre dy cikleve, ajo rrëshqitje e rrezikshme e cila i ka shkaktuar katastrofa të ndryshme bankave, instituteve ekonomike dhe tregjeve të kapitalit. [8]

Përderisa formimi i shoqërive tregtare është garanci për uljen e rrezikut të rrëshqitjes, atëherë këtë parim e plotëson një parim tjetër Islam, i cili është: solidariteti dhe bashkëpunimi, me anë të veçimit të një pjese të caktuar prej fitimeve të kompanisë, për rast rrezikshmërie, dhe kjo, me lëshimin e aksionarëve një pjesë shumë të vogël prej fitimeve të tyre, me të cilat zëvendësohen humbjet që mund të kenë disa marrëveshje, apo humbjet e ndonjë viti.

Padyshim se për këtë nuk ka ndonjë ndalim në sheriat, në lidhje me aksionarët, sepse kompania është e gjitha e tyre, dhe kjo pjesë që shkëputet shkon në rezervat e kompanisë dhe si rrjedhojë është pjesë e saj.

Por problemi për nga ana e sheriatit shfaqet në lidhje me depozituesit investitorë të cilët nuk mbajnë humbje tjetër përveç asaj që kap kapitalet e tyre, dhe në varësi të viteve të pjesëmarrjes në shoqëri. Prej këtu, kurimi i kësaj mund të bëhet me një nga format e mëposhtme:

1. Që një palë e tretë të kontribuojë falas në humbje të tilla, si në nenin nr. 9, të vendimit të Asamblesë në lidhje me çeqet e mudarabes, siç e pamë më sipër.

2. Me caktimin e një projekti të caktuar në të cilin bashkohen palët e mudarabes dhe angazhohen që t’i përmbahen afatit të caktuar për përmbushjen e saj, pastaj bien dakord që të veçojnë një pjesë të fitimeve për raste të tilla rrezikshmërie, pastaj bëhet ndarja e të gjitha fitimeve –ku përfshihen edhe rezervat-, tek të gjithë ortakët sipas përqindjes së rënë dakord në marrëveshje.

Kjo vepër mund të përshtatet në sheriat me mudaraben e cila nuk përfundon veçse me plotësimin e projektit, apo me shprehje tjetër: malli nuk mbaron veçse me mbarimin e projektit. Prej këtu, të gjitha fitimet dhe humbjet llogariten sipas të gjithë projektit, ndërsa llogaritjet dhe inventarët vjetor janë balancime të pjesshme dhe formale. [9]

F) Kambialet e kasafortës të posaçme për investime Islame:

Këtë ide e ka parashtruar Dr. Sami Mahmud, i cili gjithashtu ka themeluar idenë e lëshimit të këtyre kambialeve sipas rregullave të mëposhtme:

1. Lëshimi i kambialeve të kasafortës për pjesëmarrje në projektet prodhuese për të ardhurat, dhe kjo në bazë të shitjes së një projekti të caktuar, apo një numri projektesh kundrejt dhënies së kambialeve të cilat përfaqësojnë pjesët e pronësisë dhe përfitimin nga të ardhurat e projektit apo projekteve të caktuara.

2. Lëshimi i kasafortës së qirasë për projekte që janë pronësi e organizatave apo shoqërive aksionare me përfitim të përgjithshëm, dhe kjo, duke i konsideruar këto kambiale si përbërës të disa pjesëve në pronësi, që mund të jepen me qira.

3. Lëshimi i kambialeve të kasafortës së naftës me anë të Es Selem, në bazë të shitjes së prodhimit të ardhshëm me sistemimin e shitjes së parë të es Selem, si dhe shitjet paralele, me qëllim të baraspeshimit mes sasive të mallit (naftës) për të cilin është paguar më parë (esselem) dhe të atij që kërkohet të blihet.

Por, në lidhje me këto kambiale (apo çeqet ose kuponët), duhen pasur parasysh rregullat e sheriatit Islam, siç është ortakëria, mos garantimi i kapitalit bazë (d.m.th. që të ekzistojë rrezikshmëria e humbjes), mos caktimi i asnjë lloj përqindje fajdesh, por lidhja e tyre të jetë direkt me fitimet reale. Shto këtu edhe kushtet e kontratës esselem për nga cilësimet, dorëzimit të çmimit në dorë, në kohën e lidhjes së kontratës, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, dhe brenda tri ditëve, sipas mendimit të imam Malikut.

G) Çeqet e Murabaha-s:

Këtë ide e ka hedhur gjithashtu Dr. Sami Mahmud, në Simpoziumin e dytë të Bankës Islame El Berakeh, të mbajtur në Tunizi, në datat 4-7 nëntor 1984, ku thotë: “Shitja “El Murabaha” [10] ka qenë shembulli më i mirë i zgjedhur për shitjen e pjesëve aksionare, duke pasur parasysh se pas përmbushjes së kontratës në shitjen “murabaha”, është plotësisht e mundur njohja e fitimit dhe afati i meritimit të tij. Por, përderisa vetë borxhet nuk lejohet të shiten, veçse me të njëjtën vlerë, nëse këto borxhe janë pjesë të disponueshmeve të përziera me të hollat dhe objektet, atëherë ato bëhen të vlefshme për shitje, kështu që sipas këtij përfundimi, ato lejohen.” [11]

Kjo ide pasqyrohej në formimin e një shoqërie aksionare të varur nga Banka Islame El Berake, në Bahrejn, e cila ishte formuar posaçërisht për investimin e shitjes Murabaha, aksionet e të cilës ishin të vlefshme për shitje e blerje, sipas çmimeve të njoftuara që më parë, sipas një baze të llogaritur si rezultat i veprimeve të ekzekutuara dhe sipas fitimeve të merituara në shitjen murabaha që është aktive. Kjo, duke marrë parasysh se aksioni i shoqërisë pasuese përbën një pjesë të përbashkët të disponimeve totale të shoqërisë bazë.

Në Bahrejn u dha një vendim ministrie në lidhje me formimin e një shoqërie Islame aksionare, e cila praktikon lëshime të ndryshme kasafortash për kontratat e shitjes murabaha, për qira, esselem, projekte të ndryshme dhe për gjetjen e mjeteve kapitale Islame, të cilat gëzojnë qarkullueshmëri, mundësi fitimi, vlefshmëri tregtie të sistemuar në bazë të çmimit të njoftuar dhe transparent. [12]

H) Çeqet e “Esselem” dhe shitjet e afatizuara:

Mundet që të lëshohen çeqe me anë të kontratës së esSelem, ku sistemohen çështjet e saj dhe kjo gjë zgjidh problemin e kontratave në lidhje me mallra të të ardhmes. Po kështu, shitja e afatizuar zgjidh problemin e çmimeve të afatizuara.

K) Çeqet e “el Istisna”:

Ky lloj mund të konsiderohet më i rëndësishmi për zgjidhjen e shumë prej çështjeve bashkëkohore ekonomike, i cili, megjithëkëtë, nuk ka pasur përkujdesjen e duhur. Kemi folur më parë më gjerësisht rreth këtyre çeqeve, dhe po mjaftohemi me atë që kemi përmendur.

 

 

Mbyllje

 

Mendimi lëvizës i tregjeve bashkëkohore të kapitalit, është mënyra e përvetësimit të pasurisë me çdo lloj mënyre, si dhe tërheqja të pasurve me çdo mënyrë, pa ruajtur të drejtat e Allahut dhe as vlerat morale Islame.

Kështu që, nevoja është shumë e madhe për ngritjen e tregjeve Islame të kapitalit, ku të ruhen rregullat e legjislacionit Islam dhe të ecë me zhvillimet bashkëkohore.

Pa dyshim se besimi ynë që ky legjislacion i përsosur dhe i plotë është i aftë për t’i dhuruar njerëzimit lumturinë  dhe për t’i siguruar atij mëshirën dhe të mirën, është i patundshëm. Legjislacioni Islam përmban rregulla dhe parime të përgjithshme të cilat garantojnë ruajtjen e rregullave bazë bashkë me të ecurit me hapat e kohës dhe të zhvillimit.

Siç e pamë, legjislacioni ynë madhështor përmban kontrata e ide ekonomike me të cilat mund të ndërtohet një kala e lartë dhe e fortë ekonomike, sidomos nëse atij i bashkëngjiten përpjekjet e bashkëkohorëve (prej dijetarëve të fikhut dhe ekonomistëve), ekzistenca e vullnetit dhe drejtimi i synimit për nga ndërtimi i të gjitha institucioneve tona ekonomike sipas Islamit dhe legjislacionit të tij të lartë.

Ashtu siç mundën ta shohin dritën bankat Islame, dhe ia dolën me sukses –me gjithë pengesat dhe vështirësitë që hasën-, po kështu edhe ideja e Bursave Islame do ta shohë dritën së shpejti, me Lejen e Allahun të Madhëruar, dhe kjo nuk është e vështirë për Allahun. Por secili prej nesh ka nderin e madh, nëse kontribuon në këtë fushë, madje kjo është një detyrim Islam të cilin e kemi mbi supe.

Lusim Allahun që të na japë sukses të gjithëve, në kryerjen e veprës së mirë dhe në ndërtimin e një kalaje Islame të përsosur, për ekonominë Islame. Allahu është Zoti ynë, dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.

Allahu është Ai i cili jep sukses, dhe paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit!

 

 

Literatura e përdorur

 

1. “Bankat Islame dhe tregjet e kapitalit”, Mubid el Xharihi; Kërkim shkencor i paraqitur në Kongresin e tretë të Bankave Islame, në Dubai, në tetor të 1985.

2. “Enciklopedia e dijes dhe praktikës për bankat Islame”.

3. “Fjalori elektronik shpjegues”, shqip.

4. “Gjykimi i veprimeve të Bursës në Legjislacionin Islam”, Dr. Ali Ahmed Salus.

5. “Marrëdhëniet ekonomike bashkëkohore”, Vehbe ez Zuhajli.

6. “Mjetet Islame të investimit dhe bursat e Gadishullit Arabik”, Muhamed Fejsal el Uhvah; Kërkim shkencor i paraqitur në Asamblenë legjislacionit islam, në sezonin e katërt të saj.

7. “Mjetet kapitale tradicionale”, Dr. Muhamed el Habijb el Xheraje; Kërkim shkencor i paraqitur në Asamblenë e Fikhut Islam, në Xhidde, në sezonin e shtatë të saj.

8. “Praktikimi i shitjeve Murabaha për urdhëruesin e shitjes, që nga investimi i thjeshtë deri në ndërtimin e tregut islam të kapitalit...”, Dr. Sami Hasen Mahmud; kërkim shkencor i paraqitur në një Simposium rreth një plani strategjik për investimin në Bankat Islame.

9. “Pronësia në sheriatin Islam”, Abduselam Daud el Abadi.

10. “Rregullat e tregut të kapitalit”, Dr. Muhamed Abdulgafar Sherif; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, në Xhidde (Arabi Saudite).

11. “Shoqëritë aksionere në ligjin Egjiptian”, Ebu Zejd Ridvan.

12. “Shoqëritë tregtare në legjislacionin Islam”, Abdulaziz el Hajat.

13. “Tregjet e kapitalit në peshoren e Fikhut Islam”, Dr. Ali Muhjidin Dagi; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, Xhidde (Arabi Saudite).

14. “Tregjet e kapitalit në këndvështrimin e sistemit ekonomik Islam”, Dr. Nebil Abdulilah Nasif; Kërkim shkencor i publikuar në revistën e Asamblesë së Fikhut Islam, në Xhidde (Arabi Saudite).

15. “Libraria elektronike gjithpërfshirëse”.

16. Disa prej librave të Suneneve.

 

 Shko në faqen ...



[1] E kemi përmendur më parë që Mudarabe është kontratë mes dy palëve për tregti, ku njëra palë ofron kapitalin ndërsa tjetra punën dhe fitimin e ndajnë sipas përqindjes së rënë dakord që në fillim.

[2] Mukarade dhe Mudarabe janë dy terma anonime me të cilat quhet kontrata për të formuar shoqëri mes dy, ku njëra ofron kapitalin ndërsa tjetra punën, për të bërë tregti dhe për ta ndarë fitimin mes tyre.

[3] Muhamed Fejsal el Uhvah, Kërkimi i tij për mjetet Islame të investimit dhe bursat e Gadishullit Arabik, i paraqitur në Asamblenë legjislacionit islam, në sezonin e katërt të saj.

[4] Burimi i mësipërm.

[5] Burimet e mësipërme.

[6] Mubid el Xharihi, kërkimi i tij për bankat Islame dhe tregjet e kapitalit.

[7] Burimi i mësipërm.

[8] Dr. El Munsif, kërkimi i tij i përmendur më parë.

[9] Burimi i mësipërm.

[10] Kontratë tregtie ku fitimi është transparent.

[11] “Praktikim i shitjeve Murabaha për urdhëruesin e shitjes, që nga investimi i thjeshtë deri në ndërtimin e tregut islam të kapitalit...”, Dr. Sami Mahmud; kërkim shkencor i paraqitur në një Simposium rreth një plani strategjik për investimin në Bankat Islame.

[12] Burimi i mësipërm.

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.