Në mesin e detit të thellë dhe në forcën e rrymës së verbër marramendëse të cilat shoqërojnë ditë e natë jetën bashkëkohore, qëndron grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar mbi shkëmbin e qëndrueshmërisë në të cilin përplasen dallgët kryeneçe. E vërteta ngul këmbët mbi tokë të fortë e cila nuk zbutet dhe e mira vazhdon të qëndrojë prezente, në grindje të vazhdueshme me të kotën dhe ithtarët e saj. E nëse ndonjë ditë shuhet drita e të vërtetës, kjo është përgëzim për daljen e saj përsëri nga fillimi. Nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës buron shpresa dhe përmes errësirës shpërthen drita e ditës, sa më shumë që dendësohet errësira e natës, aq më shumë afrohet lindja e agimit.
Prej mrekullive të Pejgamberit tonë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është se ai ka njoftuar për të ardhmen e këtij ymeti deri në ndodhjen e Kiametit. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka njoftuar se një grup nga ky ymet do të vazhdojë të qëndrojë e të triumfojë, pa e dëmtuar atë munduesit apo përçmuesit e tij, deri (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të vijë Urdhëri i Allahut dhe ai grup të jetë po në atë gjendje. Kështu që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndezur shpresën në shpirtrat tanë, e ka shpërndarë errësirën dhe e ka zhdukur dëshpërimin dhe pesimizmin.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Një grup nga ymeti im do të vazhdojë të ngadhënjejë me të vërtetën, deri sa të ndodhë Kiameti.”[1]
Ky hadith përforcon ekzistencën e një grupi të ndihmuar dhe ngjadhënjimtar në çdo kohë, dhe ky grup është i shpëtuar nga përçarja dhe kundërshtimi në këtë botë, si dhe nga humbja dhe zjarri të cilat janë fundi i shtatëdhjetë e dy grupeve në botën tjetër, pasi që të gjitha ato grupe i kanë anashkaluar të vërtetës dhe kanë humbur veten dhe të tjerët.
Muslimani sheh grupe të shumta dhe parti të shpërndara, të cilat supozojnë të gjitha se janë në të vërtetën, ndaj gjërat janë ngatërruar dhe njeriu është bërë si druvar nate që nuk dallon dot të vërtetën nga e kota, helmin nga dhjami apo të dobëtën nga e shëndosha.
Kështu që e ishte e domosdoshme t’i paraqesim lexuesit të nderuar sqarimet e ndryshme të dijetarëve rreth grupit të shpëtuar dhe palës së ndihmuar, pasi që kjo shprehje është përdorur në shumë domethënie, nga më të rëndësishmet e të cilave janë:
Mendimi i parë: Masa e gjerë e popullit
Kjo është një fjalë në kundërthënie me vetveten, në kundërshtin me hadithet e sakta, dhe ndjekësit e kësaj fjale bazohen në një hadith të adresuar te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në të cilin thuhet: “Në qoftë se shihni kundërshtim, atëherë kapuni për masën e gjerë (të popullit).”[2]
Por shumica nuk ka konsideratë në vështrimin e sheriatit, Islami nuk është fe popullore apo shumicë demokratike, ku gjykohet me mendimin e shumicës, por Islami aprovon gjykimin e Allahut në çdo çështje.
Është mëse e ditur se ithtarët e të vërtetës janë më të pakët në numër se sa ithtarët e të pavërtetës, dhe ky është një ligj i krijimit, kështu që numri i madh nuk ka peshë në këtë mejdan.
Pra, të komentuarit e shprehjes “grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar”, me shumicën përbërësit e së cilës janë populli i thjeshtë, barinjtë dhe turmat e njerëzve, nuk mund të qëndrojë para kritikës akademike, sepse për këtë nuk ka argumentim, ka nevojë për prova dhe i mungon argumenti i saktë.
Mendimi i dytë: Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!)
Nuk ka dyshim se Sahabet (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) janë të shpëtuar nga humbja dhe për drejtësinë e tyre ka dëshmuar Zoti i krijesave, dhe ata i ka lavdëruar Allahu me Fjalën e Tij: “Allahu është i Kënaqur me ta dhe ata të kënaqur me Të. Ky është (shpërblimi) për atë i cili e ka frikë Zotin e vet.” [El Bejine, 8].
Sahabët janë larg mundësisë së rrëshqitjes dhe shkatërrimit, sepse ata janë brezi më i mirë i këtij ymeti, siç thuhet në fjalën e më të sinqertit dhe të besueshmit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Njerëzit më të mirë janë brezi im.” Dhe “Më të mirët e ymetit tim janë brezi im.”[3]
Sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u mjafton për nderim shoqërimi me më të mirin e pejgamberëve dhe vulën e tyre (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por hadithi që njofton për grupet, njofton se ato grupe do të jenë pas kohës së sahabëve.
Pra thënia se grupi i shpëtuar janë sahabët qëndron për kohën e sahabëve, por pas shkuarjes së sahabëve te Zoti i tyre, rezulton që grupi i shpëtuar të ketë shkuar dhe të mos ekzistojë më. Por hadithet njoftojnë se ky grup do të vazhdojë të qëndrojë dhe të ekzistojë në çdo kohë të njëpasnjëshme, edhe pas shkuarjes së sahabëve te Zoti i tyre.
Kështu që grupi i shpëtuar janë ata të cilët pasojnë gjurmët e tyre, në akide, menhexh, edukim dhe sjellje.
Mendimi i tretë: Muslimanët të gjithë nëse bashkohen pas një prijësi:
Kjo është fjalë e sinqertë dhe komentim i vërtetë, sepse nëse muslimanët bashkohen pas një prijësi dhe i japin besën atij, atëherë ata do të jenë grupi i shpëtuar dhe pala ngadhënjimtare e ndihmuar. Ndërsa kush u kthen shpinën atyre, ai ka marrë rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve. E në qoftë se muslimanët bashkohen, kjo do të thotë mosekzistencë të një morie (shumëllojshmërie) grupesh e partishë, por ne po kërkojmë për grupin e shpëtuar në rast kundërshtimi dhe përçarje, jo në rast bashkimi dhe harmonie. Kur muslimanët bienë në ujdi, ata janë të shpëtuarit.
Kështu që të komentuarit e këtij grupi me fjalën se ata janë “mbarë muslimanët nëse i japin besën unanimisht një prijësi të vetëm”, nuk është objekt i kërkimit dhe studimit tonë, dhe ai nuk asnjë lidhje me grupin e shpëtuar i cili është për qëllim në hadith.
Mendimi i katërt: Dijetarët e hadithit, pasuesit e gjurmëve të sahabëve dhe mbartësit e dijes:
Fjala rreth dijetarëve të hadithit vjen në disa pikëpamje:
1. Dijetarët dhe besimtarët janë pajtuar për komentimin e “grupit të shpëtuar dhe palës së ndihmuar” me fjalën se ata janë dijetarët e hadithit.
Dije, o ti rob i Allahu që kërkon të vërtetën, se fjalët e dijetarëve janë bashkuar për faktin se dijetarët e hadithit, ata janë grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar.
Në vijim do të paraqesim disa prej atij numri të madh dijetarësh që e kanë thënë këtë gjë dhe atëherë nuk do të gjesh nga t’ia mbathësh veçse të ndjekësh rrugën e tyre dhe të pasosh të kuptuarin e tyre, sepse ata janë mbajtësit e fesë së Zotit të botëve dhe të besuarit e Sheriatit, të cilët i ka përmendur Libri dhe ata flasin me të, me të cilët është ngritur suneti dhe ata janë ngritur me të, dhe kushdo që kërkon rrugë tjetër nga ajo e tyre, ai e ka poshtëruar veten e tij.
Prej atyre dijetarëve janë:
1. Abdullah ibën el Mubarek (ka vdekur në vitin 181 h, Allahu e mëshiroftë!).
2. Ali ibën el Medini (vd. 234 h, Allahu e mëshiroftë!).
3. Ahmed ibën Hanbel (vd. 241 h, Allahu e mëshiroftë!).
4. Ahmed ibën Senan (vd. 256 h, Allahu e mëshiroftë!).
5. Muhamed ibën Ismail el Buhari (vd. 256 h, Allahu e mëshiroftë!).
6. Abdullah ibën Muslim ibën Kutejbe (vd. 267 h, Allahu e mëshiroftë!).
7. Muhamed ibën Isa et Tirmidhi (vd. 276 h, Allahu e mëshiroftë!).
8. Muhamed ibën Hiban (vd. 354 h, Allahu e mëshiroftë!).
9. Muhamed ibën el Husejn el Axhuri (vd. 390 h, Allahu e mëshiroftë!).
10. Muhamed ibën Abdullah el Hakim en Nisaburi (vd. 405 h, Allahu e mëshiroftë!).
11. Ahmed ibën Ali ibën Thabit el Hatib el Bagdadi (vd. 463 h, Allahu e mëshiroftë!).
12. El Husejn ibën Mesud el Begavi (vd. 516 h, Allahu e mëshiroftë!).
13. Abdurrahman ibën el Xheuzi (vd. 597 h, Allahu e mëshiroftë!).
14. Muhjidin ibën Jahja ibën Sheraf en Nevevi (vd. 676 h, Allahu e mëshiroftë!).
15. Ahmed ibën Abdulhalim ibën Tejmije, profesori i Islamit (vd. 728 h, Allahu e mëshiroftë!).
16. Is’hak ibën Ibrahim esh Shatibi (vd. 790 h, Allahu e mëshiroftë!).
17. Ahmed ibën Ali ibën Haxher el Askelani (vd. 852 h, Allahu e mëshiroftë!).[4]
Të gjithë këta dijetarë e shumë të tjerë e kanë shprehur qartë se grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar nga Allahu janë dijetarët e hadithit, dhe ai i cili udhëzohet me fjalët e tyre dhe ndjek gjurmët e tyre, nuk ka për të humbur, me Lejen e Allahut. E si të ndodhë ashtu kur ata janë njerëzit, shoqëruesit e të cilëve nuk dëshpërohen kurrë?!
Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) ka përcjellë pajtimin e dijetarëve për këtë gjë, duke thënë: “Me gjithë këtë, ata (dijetarët e hadithit) kanë merita të qarta dhe në ruajtjen e dijes nga ata ka argumente të pakundërshtueshme. Në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Një grup nga ymeti im do të vazhdojë të ngadhënjejë me të vërtetën dhe ata nuk kanë për t’i dëmtuar ata të cilët i poshtërojnë ata.” Dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai grup janë dijetarët.”[5]
Cilët janë selefët, ithtarë të hadithit
Ata janë ata të cilët kanë ecur në rrugën e sahabëve dhe ndjekësve të tyre me të mirë, në të kapurin për Kuranin dhe sunetin dhe të privilegjuarit e tyre mbi çdo fjalë tjetër qoftë në menhexh, akide, adhurim, marrëdhënie shoqërore e ekonomike, moral, politikë apo në çdo fushë të jetës, të vogël apo të madhe.
Ata janë ata të cilët janë të vendosur në bazat e fesë dhe në degët e saj, ashtu si e ka zbritur Allahu me shpallje tek robi, i Dërguari dhe i zgjedhuri i Tij nga krijesat e Tij, Muhamedi i biri i Abdullahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Janë ata të cilët ngrihen me thirrjen tek Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), me fjalë dhe vepër, me gjithë forcën, vendosmërinë, sinqeritetin dhe qëndrueshmërinë.
Janë ata të cilët kanë zhveshur shpatën e dijes dhe kanë ringjallur vyshkjen e të vërtetës, që ta pastrojnë fenë nga shtrembërimi i ekstremistëve, mishërimi i mashtruesve dhe interpretimi i injorantëve.
Janë ata të cilët luftojnë të gjitha grupet e devijuara nga menhexhi i sahabëve, qofshin ata mutezili, xhehmije, havarixh, shija e ravafid, murxhie, sufije, batinije, esharije, maturidije, kaumije, ilmanije (laikë) apo çdokush që ka devijuar nga udhëzimi i drejtë dhe ka ndjekur epshet e dëshirat në çdo kohë e vend, pa i trembur asgjë në rrugën e Allahut.
Janë ata të cilët punojnë për të vërtetuar Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut dhe mos u përçani!” [Al Imran, 103].
Janë ata të cilët praktikojnë Fjalën e Allahut: “Dhe të kenë kujdes ata të cilët kundërshtojnë diçka nga urdhri i tij (Muhamedit) se mos i kap ndonjë fitne (sprovë), ose t’u vijë ndonjë dënim i dhembshëm.” [En Nur, 63].
Dhe Fjalën e Allahut: “Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në vendimin e tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” [El Ahzab, 36].
Kështu që janë njerëzit më larg kundërshtimit të urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), më larg fitneve të shfaqura dhe të fshehura.
Janë ata të cilët kushtetutë të tyre kanë Fjalën e Allahut: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” [En Nisa, 65].
Ata i kanë vlerësuar tekstet e Kuranit dhe Sunetit ashtu si e meritojnë dhe i kanë privilegjuar mbi fjalët e të gjithë njerëzve. I kanë marrë për të gjykuar me kënaqësi të plotë dhe gjokse të hapur e pa ndonjë ngushtim a siklet. I janë dorëzuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij plotësisht, nga jashtë dhe nga brenda, në menhexhin e tyre, bindjet e tyre, adhurimet e tyre, marrëdhëniet e tyre, moralet e tyre dhe në çdo fushë të jetës së tyre.
Sipas kësaj domethënieje, selefët janë dijetarët e hadithit, rrethi i të cilëve zgjerohet për të përfshirë mijëra dijetarë punëtorë, emrat e të cilëve kanë mbushur memorien e historisë, përmendja e tyre ka mbushur faqet e librave. Me dijen, meritën, punën dhe përpjekjen e tyre ata kanë ngritur zërin e kohës (në të cilën kanë jetuar).
Kushdo që dëshiron të njohë realitetin e tyre, nuk i duhet tjetër veçse të kthehet tek ato libra të historisë. Në vijim po paraqesim një listë përmbledhëse për radhitjen e tyre:
Të parët janë sahabët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilët e kanë takuar të Dërguarin, e kanë parë atë, e kanë besuar atë dhe kanë vdekur në Islam (duke qenë muslimanë). Në krye të tyre janë katër Hulefau Rashidin dhe dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Më pas vijnë ndjekësit e tyre tabiinë në krye të cilëve është: Uvejs el Karni, Seid ibën el Musejib, Urvah ibën ez Zubejr, Salim ibën Abdullah ibën Umer, Ubejdullah ibën Abdullah ibën Utbeh ibën Mesud, Muhamed ibën el Hanefije, Ali ibën el Hasen Zejnul Abidin, el Kasim ibën Muhamed ibën Ebi Bekër es Sidik, el Hasen el Basri, Muhamed ibën Sirin, Umer ibën Abdulaziz, Muhamed ibën Shihab ez Zuhri, etj.
Më pas vijnë ndjekësit e tabiinëve me në krye: Malik ibën Enes, el Euzai, Sufjan eth Theuri, Sufjan ibën Ujejne el Hilali, El Lejth ibën Sead, etj.
Pastaj ata që erdhën pas tyre me në krye: Abdullah ibën el Mubarek, Vekiju, Shafiu, Abdurrahman ibën Mehdi, Jahja el Katan, etj.
Pastaj nxënësit e tyre të cilët ndoqën rrugën e tyre me në krye: Ahmed ibën Hanbel, Jahja ibën Muin, Ali ibën el Medini, etj.
Më pas vijnë nxënësit e tyre me në krye: Buhariu, Muslimi, Ebu Hatim, Ebu Zurah, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Nesai.
Pastaj ata që ecën në rrugën e tyre nëpër shekuj e breza njëri pas tjetrit; si Ibën Xherir et Taberi, Ibën Huzejme, Ibën Kutejbe ed denjuri, el Hatib el Bagdadi, Ibën Abdulberr en Nemeri, Abdulgani el Makdisi, Ibën Salah, Ibën Tejmije shejhu i Islamit, el Muzi, Ibën Kethir, Edh Dhehebi, Ibën Kajim el Xheuzije, Ibën Muflih, Ibën Raxheb el Hanbeli.
Për të kaluar më pas te imam Muhamed ibën Abdulvehab dhe profesorët tanë të nderuar; el Albani, Ibën Bazi dhe Ibën Uthejmin, Allahu i mëshiroftë të gjithë!
Pastaj ata të cilët kanë ndjekur gjurmët e tyre në të kapurin për Kuranin dhe Sunetin me të kuptuarit e sahabëve të nderuar (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), deri sa të vijë Urdhri i Allahut dhe të fundit e tyre të luftojnë Dexhalin.
Këta janë ata të cilët kemi për qëllim me Selefët dijetarë (ithtarë) të hadithit.
Pa dyshim se ky adresim nuk mund të jetë i vërtetë vetëm nëse vepra e pretenduesve të tij është konform menhexhit të pejgamberik.
A mund ta imagjinojë ndonjë i logjikshëm se ky adresim është gabimisht, apo i ndryshueshëm e i dyshimtë, apo i vërtetuar vetëm me thjeshtë pretendimin e tij? Apo se mund të ndryshosh nga menhexhi i tij sa këtej e andej, duke marrë e duke dhënë sipas dëshirës së pretenduesit të tj?
Jo, por ky adresim kërkon nga pretenduesi i tij që të jetë besnik dhe i sinqertë me Islamin në atë pretendimin, me qëllim që ai të jetë vërtetë i tillë dhe pa njolla në të.
Çdo njeri për shekuj me rradhë dhe brez pas brezi, nuk beson në sinqeritetin e pretenduesit të këtij adresimi vetëm në qoftë se ai është i lidhur me shembullin pejgamberik, në menhexh, akide, sjellje e adhurim, duke qenë se këto nuk dalin veçse si rezultat i tij dhe nuk devijon nga ato deri sa të takojë Zotin e tij.
Allahu e mëshiroftë shejhun e Islamit, Ibën Tejmijen, i cili i ka bashkuar të gjitha këto në një fjalë të vyer, ku thotë:
“Ne nuk kemi për qëllim me ithtarët e hadithit vetëm ata të cilët janë veçuar me të dëgjuarit, të shkruarit apo të transmetuarit e tij, por kemi për qëllim të gjithë ata të cilët janë më afër të mësuarit e hadithit për mendësh, më afër të njohurit dhe të kuptuarit e tij sipërfaqësor dhe thelbësor, si dhe të ndjekurit e tij sipërfaqësor dhe thelbësor. Po kështu edhe ithtarët e Kuranit.
Më e pakta gjë që gjendet tek këta (ithtarët e Kuranit dhe të Hadithit) është dashuria për Kuranin dhe Hadithin, kërkimi i tyre dhe i domethënies së tyre dhe të punuarit sipas asaj që mësojnë nga përmbajtja e tyre. Juristat e hadithit janë më të njohur me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se sa juristët (fukahatë) e tjerë, asketët prej tyre janë pasues më të shumtë se sa asketët e tjerë, prijësit prej tyre kanë më shumë të drejtë në zbatimin e politikës pejgamberike se sa të tjerët dhe populli i thjeshtë prej tyre janë më pranë dashurisë për pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se sa të tjerët.”[6]
Vërejtje për çdo mendjehollë dhe plotësim për çdo zemërgjerë
Në qoftë se thuhet: Përse nuk janë adresuar te Kurani dhe të thuhet: Ithtarët e Kuranit?
Them: A nuk e ke dëgjuar çfarë ka thënë imami selefi El Lalikai:
“Pastaj, kushdo që beson një medhheb, ai medhheb adresohet te shpikësi i asaj fjale dhe te ideja e tij, përveç ithatërve të hadithit, sepse thënësi i fjalës së tyre është i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ata tek ai adresohen, në dijen e tij mbështeten, me të argumentojnë, te ai drejtohen, mendimin e tij kanë shembull, me këtë mburren, me afrimitetin te ai i luftojnë armiqtë e sunetit të tij.
Kush mund të jetë ai që krahasohet me ta në nderin e përmendjes? Kush mund të konkurojë me ta në fushën e krenarisë dhe vendin e lartë? Emri i tyre është nga domethëniet e Kuranit dhe Sunetit dhe i përmban ato për shkak se me to ai emër vërtetohet, apo sepse ata janë veçuar në të bazuarit tea to dy (Kurani dhe Suneti). Ata (ithtarët e Hadithit) sillen, në adresimin e tyre tek Hadithi, mes përmendjes së Allahut të Madhëruar në Librin e Tij, siç thotë Allahu: “Allahu ka shpallur hadithin (fjalën) më të bukur.” [Ez Zumer, 23]. E ai hadith është Kurani. Pra ata janë mbartësit e Kuranit, ithtarët e tij, lexuesit e tij dhe hafizat e tij. Dhe (sillen) mes të adresuarit te hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), sepse ata janë përcjellësit dhe mbartësit e tij.
Dhe pa dyshim që ata e meritojnë këtë adresim për shkak të ekzistimit të dy këtyre kuptimeve tek ata, pasi që ne e shohim se njerëzit e marrin Kuranin dhe Sunetin nga ata dhe tek ata bazohen për verifikimin e saktësisë së tyre, sepse ne nuk kemi dëgjuar nga brezat para nesh dhe as nuk kemi parë në kohën tonë ndonjë bidatçi që të jetë kokë në leximin e Kuranit dhe që njerëzit të kenë marrë prej tij në ndonjë kohë prej kohësh, dhe as nuk është ngritur flamuri i ndonjërit prej tyre asnjëherë në transmetimin e hadithit të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ne ditët e mëparshme. As nuk i ka ka marrë (bidatçinjtë) kush shembull në fe apo në ndonjë prej ligjeve të Islamit.”[7]
Falënderuar qoftë Allahu, i Cili ia plotësoi këtij grupi të gjitha pjesët e Islamit, e nderoi atë me to, e dalloi dhe e udhëzoi në Rrugën e Tij dhe të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai është grupi i shpëtuar, pala e ndihmuar[8], grupi i udhëzuar dhe i drejtë, i kapur për Sunetin dhe që nuk dëshiron zëvendës të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), as fjalë tjetër në vend të fjalës së tij dhe as të devijojnë nga rruga e tij. Ata nuk i nxjerr nga ajo rrugë përmbysja e dhe ndryshimi i kohëve, as nuk i ngatërron nga shenja e saj shpikjea e atij që bën kurthe për Islamin që të largojë nga rruga e Allahut dhe kërkon ta shtrembërojë atë, që pengon nga ajo rrugë me polemikë e fjalë boshe, me supozime mashtruese e të kota, duke menduar se do të fikë dritën e Allahut, por Allahu do ta plotësojë dritën e Tij edhe nëse mosbesimtarët e urrejnë këtë.”[9]
Ithtarët e Hadithit janë hovi i madh
Nuk ka dyshim se gjendja fetare e njerëzve është në prapambetje të vazhdueshme me kalimin e kohës, siç është prekur në disa hadithe të sakta, por kjo është një prapambetje në pikëpamje të përgjithshme, jo individuale. Madje vetë kjo prapambetje e përgjithshme nuk është në të përgjithshmen e saj, por një e përgjithshme nga e cila janë bërë përjashtime, siç ka thënë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Shembulli i popullit tim është si ai shiu të cilit nuk i dihet nëse fillimi apo fundi i tij është më i mirë.”[10]
Grupi i shpëtuar është mirësi e vazhdueshme në të gjitha kohërat, edhe nëse mund të kalojë nëpër vështirësi e çaste dobësie të cilat nuk mund të eliminohen dhe as të komandohen, por logjikisht kjo nuk ndalon që të nisë një hov të madh të formuar në një popull musliman dhe të shfaqet në ekzistencë për të realizuar edhe një herë një jetë të vërtetë Islame sipas rrugës pejgamberike dhe që praktikohet në botën reale të muslimanëve.
Allahu i Madhëruar ka njoftuar se feja e Tij do të zotërojë dhe do të përfshijë të gjitha anët e botës, me gjithë mosdashjen e çdo armiku të betuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhammedin a.s.) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin) për ta nxjerrë atë përmbi të gjitha fetë, edhe pse Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) e urrejnë (këtë).” [Teube, 33].
Ky ajet dhe të tjerë të ngjashëm me të, na përgëzojnë se e ardhmja i takon Islamit me zotërimin e tij, ngadhënjimin e tij dhe gjykimin e tij mbi të gjitha fetë.
Disa thirrësa të Islamit mendojnë se kjo gjë është vërtetuar në kohën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Halifëve të tij më pas, si dhe në kohën e mbretërve të mirë, por nuk është kështu. Ajo që është vërtetuar është vetëm një gjë e vogël nga ajo që është premtuar, siç e ka prekur këtë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në fjalën e tij: “Nuk ka për të kaluar nata dhe dita, vetëm se ka për t’u adhuruar Lati dhe Uza (dy idhuj të xhahilijes).”
Aisha tha: O i Dërguari i Allahut! Kur zbriti ajeti: “Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhammedin a.s.) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin) për ta nxjerrë atë përmbi të gjitha fetë, edhe pse Mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e Njësisë së Allahut) e urrejnë (këtë)”, unë mendova se kjo u përmbush?!
Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Nga kjo ka për të ndodhur aq sa do Allahu.”[11]
Kanë ardhur hadithe të shumta të sakta dhe mutevetira, të cilat bëjnë të qartë se Islami do të arrijë atje ku arrin nata dhe dita, e kjo do të thotë se ai do të dominojë (mbizotërojë) rretheqark sferës së tokës dhe do të hedhë rrënjët e së vërtetës së shpallur në të gjitha vendet e banuara. Ato hadithe nuk lënë vend për të dyshuar se ardhmëria i takon vetëm Islamit, me Lejën e Allahut të Vetëm. Prej atyre haditheve po përmendim:
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu ma tkurri tokën dhe unë pash lindjet dhe perëndimet e saj. Pashë gjithashtu se sundimi i popullit tim do të arrijë aq sa m’u tkurr prej saj.”[12]
Më i qartë, më i përgjithshëm dhe më gjithëpërfshirës është fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kjo çështje (thirrja Islame) ka për të arritur atje ku arrin nata dhe dita, me krenarinë e krenarit dhe me përçmimin e të përçmuarit. Krenari me të cilën Allahu forcon Islamin dhe përçmim me të cilin Allahu përçmon kufrin.”[13]
Këto hadithe përforcojnë domosdoshmërinë e të kthyerit e Islamit në qendër të sovranitetit dhe në vendin e udhëheqjes, si dhe shfaqin domosdoshmërinë e të kthyerit e shtetit të drejtë Islam i cili do të gjykojë sipas rrugës pejgamberike.[14]
Nuk ka dyshim se përhapja e Islamit rezulton në kthimin e muslimanëve të fortë në shpirtin e tyre, në materien e tyre, në armët e tyre, ashtu që të munden të triumfojnë mbi fuqitë e kufrit, ateizmit dhe tugianit (atyre që e bëjnë veten zot dhe adhurohen përveç Allahut).
Transmetohet nga Ebu Kabil se ka thënë: Ishim te Abdullah ibën Amër ibën el Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili u pyet: Cili prej dy qyteteve do të hapet (në duart e muslimanëve) më parë, Kostandinopoja[15] apo Roma[16]?
Abdullahi kërkoi t’i sillnin një sunduk i cili kishte një dorezë të hekurt dhe nga ai nxori një libër, pastaj tha (Abdullahi): “Ndërsa ishim përreth të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke shkruar, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet se cili prej këtyre dy qyteteve do të hapej më parë dhe ai tha: “Qyteti i Heraklit” D.m.th. Kostandinopoja.”[17]
Hapja e parë është vërtetuar në duart e Halifes Osmanlli Muhamed el Fatih (Allahu e mëshiroftë!), pas më shumë se tetëqind vjet nga njoftimi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë gjë. Edhe hapja e qytetit të dytë (Romës) do të ndodhë patjetër, me Lejen e Allahut.
Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A keni dëgjuar për një qytet, një pjesë e të cilit është në stere dhe një pjesë në det?”
-Po, o i Dërguari i Allahut –thanë njerëzit. [është për qëllim kostandinopoja]
-Nuk ka për t’u bërë Kiameti deri sa ta luftojnë atë shtatëdhjetë mij (njerëz) nga bijtë e Is’hakut. Kur t’i vijnë asaj, pa luftuar ende me armë dhe pa gjuajtur me shigjetë, do të thonë: “La ilahe il-lallah, ue Allahu Ekber”, dhe të dyja pjesët e saj do të bienë.
Theuri, një prej transmetuesve të hadithit thotë: Nuk di veçse të ketë thënë: “-do të bjerë pjesa e saj që është nga deti, pastaj do të thonë për herë të dytë: “La ilahe il-lallah, ue Allahu Ekber”, dhe do të bjerë pjesa tjetër e saj. Pastaj do të thonë për herë të tretë: “La ilahe il-lallah, ue Allahu Ekber”, dhe ajo do t’i hapet atyre, e ata do të marrin nga plaçka e saj. Ndërkohë që do të jenë duke ndarë plaçkën e saj, do t’u vijë dikush që bërtet me zë të lartë dhe u thotë: “Dexhali doli”. Atëherë ata lenë çdo gjë dhe kthehen.”[18]
Dijetari i madh, Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: “Hapja e Kostandinopojës, me të cilën jemi përgëzuar në këtë hadith, do të jetë në një të ardhme të afërt ose të largët, gjë të cilën e di vetëm Allahu i Madhëruar. Ajo do të jetë hapja e vërtetë dhe e saktë e saj kur muslimanët të kthehen në fenë e tyre të cilës i kanë kthyer shpinën. Ndërsa hapja e saj nga turqit, e cila ka qenë para kësaj kohës sonë, ka qenë përgatitje për hapjen e madhe. Pastaj, ajo (Kostandinopoja) ka dalë nga duart e muslimanëve që kur qeveria e saj shpalli se është një qeveri joislame dhe jofetare (laike), lidhi pakte e aleanca me armiqtë e Islamit, gjykoi popullin e saj me ligjet politeiste e kufare. Kështu që do të rikthehet hapja Islame e saj –me Lejen e Allahut- ashtu si ka përgëzuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[19]