Fetva e Komisionit të përhershëm të fetvave në Arabinë Saudite
në rast se bashkohen dy festa në të njëjtën ditë,
kur dita e Bajramit qëllon në ditën e Xhuma
[Fetvaja nr. 21162]

Falënderuar qoftë Allahu dhe paqja e bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij të fundit, familjen dhe shokët e tij! Shumë pyetje kanë ardhur në lidhje me bashkimin e dy festave në të njëjtën ditë: festa e Fiter Bajramit ose e Kurban Bajramit me festën e ditës së Xhuma, e cila është festa javore e muslimanëve; a është detyrim falja e namazit të xhumasë për atë që e ka falur namazin e Bajramit, apo ky i fundit e shlyen namazin e të xhumasë dhe kështu në vend të xhumasë, të falet namazi i drekës? A duhet të thirret ezani për namazin e drekës së kësaj dite nëpër xhamia, apo jo? Si dhe pyetje të tjera në lidhje me këtë temë.
Në lidhje me këtë, Komisioni i përhershëm i Fetvave nxori fetvanë e mëposhtme:
Në këtë çështje janë përcjellë disa hadithe profetike dhe fjalë apo vepra të sahabeve, prej të cilave përmendim:

  1. Hadithi i transmetuar nga Zejd ibën Erkam (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Muavije ibën ebi Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti atë: “A ke dëshmuar ndonjëherë me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të bashkohen dy festa në të njëjtën ditë?” Ai tha: “Po!” –Si veproi ai (salallahu alejhi ue selem)? –tha Muavija. Zejdi u përgjigj: “Fali namazin e Bajramit dhe dha lejë për lënien e namazit të xhumasë, duke thënë: “Kush dëshiron që ta falë atë, le ta falë.” [E ka nxjerrë Ahmedi, Ebu Daudi, Nesai, Ibën Maxheh, ed Darimi, el Hakim në “El Mustedrak”. (Sahih Ebi Daud, 981, i shejh Albanit)].
  2. Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ju janë bashkuar sot në këtë ditë dy festa, prandaj kush dëshiron, të mjaftohet me faljen e bajramit nga namazi i xhumasë. Por gjithësesi, ne do të falim edhe të xhumanë.” [El Hakim, Ebu Daudi, Ibën Maxheh, Ibën Xharud, Bejhakiu, etj. (Sahih Ibën Maxh, 1311, i shejh Albanit)].
  3. Hadithi i transmetuar nga Ibën Umeri (radiallahu anhuma), i cili thotë: “U bashkuan dy festa në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe pasi fali Bajramin, ai u tha njerëzve: “Kush dëshiron të vijë për namazin e xhumasë, le të vijë, dhe kush dëshiron të mungojë, le të mungojë.” [Ibën Maxheh, Taberani në “El Kebir”, por me këtë tekst: “U bashkuan dy festa në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem): festa e Fiter Bajramit dhe e xhumaja. Profeti fali Bajramin me njerëzit, pastaj ju drejtua atyre me fjalët: “O njerëz! Ju keni përfituar të mira dhe shpërblime të mëdha, por ne gjithësesi do ta falim edhe të xhumanë, prandaj kush të dojë të falë të xhumanë me ne, le të vijë, dhe kush dëshiron të kthehet te familja e tij, le të kthehet.”
  4. Hadithi i transmetuar nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “U bashkuan dy festa në këtë ditë, prandaj, kush dëshiron, le te mjaftohet me namazin e Bajramit dhe ta lërë të xhumanë, por ne do ta falim të xhumanë inshaAllah.” [Ibën Maxheh. El Buvejsiri thotë se zinxhiri i transmetuesve të tij është i saktë. (Sahih Ebu Daud, 984, i shejh Albanit)].
  5. Hadithi që është mursel (nuk përmendet sahabiu që e ka dëgjuar nga Profeti), dhe transmetohet nga Dhekvan ibën Salih, i cili thotë: “U bashkuan dy festa në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), dita e xhumasë dhe festa e bajramit. Profeti fali Bajramin, pastaj u ngrit dhe u predikoi njerëzve (në hytbe): “Keni bërë dhikër (përmendje të Allahut) dhe keni marrë hajër të madh, por gjithësesi ne do ta falim edhe namazin e xhumasë. Kush dëshiron të qëndrojë –në shtëpinë  e tij-, le të qëndrojë dhe kush dëshiron të vijë të falë të xhumanë, le të vijë.” [Bejhakiu, në “Es Sunenu el Kubra”].
  6. Transmetohet nga Ata ibën Ebi Rabah, se ka thënë: “Ibën Zubejri fali me ne (si imam) namazin e Bajramit në ditën e xhuma, në fillim të ditës. Më vonë, ne shkuam të falnim namazin e xhumasë, por ai nuk doli tek ne dhe kështu që u falëm vetë pa të. Ndërkohë Ibën Abasi kishte qenë në Taif dhe kur u kthye, ia përmendëm këtë gjë, e ai tha: “Ia ka qëlluar sunetit (traditës profetike).” [Ebu Daudi dhe Ibën Huzejme, pork y i dyti me tekst tjetër, në fund të të cilit shton: “Ibën Zubejri tha: “Kam parë Umer ibën el Hattab të vepronte kështu kur bashkoheshin dy festa në një ditë.”
  7. Në “Sahihun” e Buhariut dhe në “El Muata” e imam Malikut, transmetohet nga Ebu Ubejd, shërbëtori i Ibën Ez’her, se ai ka thënë: “Kam qenë present në dy festa me Uthman ibën Affan, në ditën e xhuma. Ai u fal (Bajramin) para hytbes dhe pastaj mbajti hytbe dhe tha: “O njerëz! Në këtë ditë u janë bashkuar dy festa, prandaj kush dëshiron të presë namazin e të xhumasë nga njerëzit që vijnë nga larg, le të presë, dhe kush dëshiron të kthehet (te shtëpia e vet), ia kam dhënë lejën.”
  8. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talib (radiallahu anhu), se kur u bashkuan dy festa në një ditë, ai tha: “Kush dëshiron të falë të xhumanë, le ta falë dhe kush dëshiron të qëndrojë në shtëpi, le të qëndrojë.” [Abdurrazaku në “El Musannef” dhe ngjashëm me të e ka nxjerrë edhe Ibën Ebi Shejbe.

Bazuar mbi këto hadithe profetike dhe fjalë e vepra të disa prej sahabeve, si dhe mbi konkluzionin që kanë nxjerrë dijetarët nga kuptimi i këtyre argumenteve, komisioni i fetvave sqaron rregullat dhe përfundimet e mëposhtme:

  1. Kush e falë namazin e Bajramit, i lejohet që të mos shkojë në namazin e xhumasë, por duhet të falë drekën në kohën e drekës. Nëse dikush zgjedh që të shkojë dhe ta falë të xhumanë bashkë me të tjerët, kjo do të ishte më e mira.
  2.  Kush nuk ka qenë present dhe nuk e ka falë nëmazin e Bajramit, ai nuk përfshihet në këtë lehtësim dhe namazi i xhumasë qëndron në ndërgjegjen e tij deri sat a kryejë atë. Ky duhet të shkojë në xhami dhe vetëm nëse nuk ka aq njerëz sa të plotësohen për namazin e xhumasë, aim und të falë namazin e drekës në kohën e drekës.
  3. Imami i  xhamisë ku falet namazi i xhumasë e ka detyrim që të jetë present në namazin e xhumasë të kësaj dije, me qëllim që t’i japë mundësinë ta falin të xhumanë ata që nuk e kanë falur Bajramin. Nëse plotësohet numri i nevojshëm për faljen e namazit të xhumasë (3 ose më shumë musalin), e fal të xhumanë me ata dhe në të kundërt, falin namazin e drekës.
  4. Kush fal namazin e Bajramit dhe zgjedh lehtësimin për të mos prezentuar në namazin e xhumasë, duhet të falë namazin e drekës, pasi të hyjë koha e drekës.
  5. Nuk ka ezan në këtë rast, përveç se në xhamitë ku falet namazi i xhumasë, kurse për namazin e drekës në këtë ditë nuk ka ezan.
  6. Mendimi se kush prezenton namazin e Bajramit, lirohet nga namazi i Xhumasë dhe i drekës së kësaj dite, është mendim i gabuar, prandaj edhe dijetarët e kanë braktisur këtë mendim dhe kanë gjykuar se ai është i pasaktë dhe i panjohur, për shkak se bie ndesh me sunetin dhe rrëzon një nga farzet e caktuara nga Allahu pa pasur argument. Ky person (që prezenton namazin e Bajramit) e ka detyrim që të falë namazin e drekës së asaj dite nëse nuk fal të xhumanë. E Allahu është i Gjithëdijshmi.

I gjithë suksesi është në Dorë të Allahut dhe paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedi, familjen dhe shokët e tij!

Komisioni i përhershëm i kërkimeve shkencore dhe i fetvave
Kryetar: Abdulaziz ibën Abdullah Al esh Shejh
Anëtar: Salih el Feuzan
Anëtar: Bekër Ebu Zejd
Anëtar: Abdullah ibën Gudejan

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.