Eshtë mëse e ditur se kur njeriu synon të arrijë në një vend, duhet patjetër që njohë rrugën që të çon atje, e nëse ka më shumë se një rrugë për te ai vend, atëherë zgjedh më të shkurtrën dhe më të lehtën e tyre. Prej këtu, është shumë e rëndësishme që nxënësi i dijes ta ndërtojë kërkimin e dijes mbi baza dhe rregulla dhe të mos i ngatërrojë gjërat e t'i bëjë lëmsh, sepse "kush nuk i zotëron bazat, nuk mund të arrijë te synimi."
Poeti thotë:
Dija është det i madh i mbushur plot
Fundin e të cilit nuk mund ta arrijë kushdo që të përpiqet
Por në bazat e saj gjen lehtësim për arritjen e saj
Ndaj kujdesu për to, dhe ke për të gjetur rrugë
Shfrytëzoi rregullat dhe bazat
Sepse kush i humb ato, nuk arrin
Bazat janë dija dhe çështjet e ndryshme janë degët. Njësoj si rrënjët e pemës dhe degët e saj; n.q.s degët nuk janë mbi rrënjë të mira e të forta, atëherë ato dobësohen dhe vdesin.
Por, çfarë janë bazat?
A mos janë argumentet e sakta?
Apo rregullat dhe disiplinat?
Apo që të dyja këto së bashku?
Përgjigja: Bazat janë argumentet e Kuranit dhe të Sunetit, rregullat dhe disiplinat e përfituara nga vrojtimi dhe vëzhgimi i kujdesshëm dhe i studiuar nga Kurani dhe Suneti. Këto janë gjërat më të rëndësishme për të cilat ka nevojë nxënësi i dijes.
Për shembull, rregulli: "Mundimi dhe vështirësia tërheq lehtësimin", është marrë nga Kurani dhe Suneti. Nga Kurani është marrë nga Fjala e Allahut të Madhëruar: "Ai (Allahu) nuk u ka ngarkuar me ndonjë vështirësi në fe." [El Haxh, 78].
Ndërsa nga Suneti, nga fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) ku i thotë Imran ibën Husajnit: "Falu duke qëndruar në këmbë, e nëse nuk mundesh, atëherë falu i ulur, e nëse përsëri nuk mundesh, atëherë falu i mbështetur."[1]
Si dhe nga fjala e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): "Kur iu urdhëroj për diçka, bëni prej saj sa të mundeni."[2]
Duke ditur këtë rregull, sikur të të vijnë një mij çështje të formave të ndryshme, ti do të keshë mundësi të gjykosh për secilën prej tyre duke u bazuar mbi këtë rregull. Por sikur të mos e dish këtë rregull, ka për t'u pështjelluar çështja qoftë edhe nëse të vijnë vetëm dy çështje apo pyetje.
Për marrjen e dijes ka dy rrugë:
Rruga e parë: Marrja e saj nga librat e besueshëm dhe të saktë të cilët i kanë shkruar dijetarët e njohur për dijen e tyre, besnikërinë dhe akiden e tyre të pastër prej bidateve dhe trillimeve.
Duke e marrë dijen nga librat mund të arrish në një synim të caktuar, por këtu has dy vështirësi:
E para: Koha e gjatë. Njeriut i duhet shumë kohë, përpjekje e stërmundim që të arrijë atë dije që synon, vështirësi të cilën ndoshta nuk e përballojnë shumë prej njerëzve, sidomos kur sheh të tjerët rreth përreth që të kenë humbur shumë kohë pa pasur dobi, dhe kështu të hyn dembelizmi, lodhja dhe neveritja, dhe nuk e arrin atë që synon.
Vështirësia e dytë: Në shumicën e rasteve, dija e atij i cili e merr dijen vetëm nga librat është e dobët dhe mbi të nuk ndërtohen rregulla e baza. Ndaj gjejmë shumë gabime tek ata të cilët e marrin dijen nga librat, pasi që nuk kanë baza dhe rregulla mbi të cilat mbështetet dhe mbi të cilat të ndërtojë degëzimet që gjenden në Kuran dhe në Sunet.
Gjejmë disa njerëz që të mbështeten në një hadith i cili nuk ekziston në librat e konsideruara të hadithit prej "Sahihave", apo "Mesanideve", etj, rrugë e cila është në kundërshtim me bazat e konsideruara tek dijetarët, madje tek i gjithë ymeti musliman, pastaj i gjejmë ata të marrin këtë hadith dhe të ndërtojnë akiden e tyre mbi të, gjë e cila padyshim që është gabim, pasi që Kurani dhe Suneti kanë disa baza rreth të cilave sillen çështjet dhe degët e ndryshme. Dhe duhet patjetër që këto degëzime t'i ballafaqosh me bazat, në mënyrë që nëse në këto degëzime gjen diçka në kundërshtim me bazat dhe nuk mund të bashkosh mes tyre, atëherë i lëmë këto degëzime.
Rruga e dytë për kërkimin e dijes është: të kërkuarit e saj nga një mësues i besueshëm në dijen dhe fenë e tij. Kjo rrugë është më e shpejtë dhe më e sigurtë për kërkimin e dijes, pasi që në rrugën e parë mundet që kërkuesi të humbë rrugë pa e ditur për shkak të kuptimit të gabuar ose mosditurisë, apo për shkaqe të tjera. Ndërsa rruga e dytë përmban diskutim, marrje e dhënie me mësuesin, duke bërë që nxënësit ti happen dyer të shumta të kuptimit, verifikimit, mënyrës së mbrojtjes së fjalëve të vërteta dhe kundërpërgjigjes ndaj fjalëve të dobëta.
E nëse kërkuesi i dijes bashkon mes këtyre dy rrugëve, kjo është më e mira dhe më e plota.
Nxënësi i dijes duhet të fillojë me më të rëndësishmet dhe me versionet e shkurtuara në shkencat e ndryshme para atyre të zgjatura, në mënyrë që të ngjitet shkallë pas shkalle, dhe të mos ngjitet në një shkallë më lart pa e zotëruar mirë atë para saj, me qëllim që ngjitja e tij të jetë e saktë dhe e sigurtë.