بسم الله الرحمن الرحيم
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona të këqia. Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është rob dhe i Dërguari i Tij.
Transmetohet nga prijësi i besimtarëve, Ebi Hafsa Umer bin el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: "Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve. Dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Kështu, kush emigron për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, emigrimi e tij do të jetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa kush emigron për ndonjë interes të kësaj bote, apo për ndonjë grua që të martohet me të, emigrimi e tij do të jetë tek ajo që ai ka synuar."[1]
Shumica e dijetarëve të hershëm i fillonin librat e tyre me këtë hadith madhështor, ku prej tyre përmendim: imam Buhariu me këtë hadith ka filluar "Sahihun" e tij, En Neveviu "Dyzet hadithet" e "Rijadus Salihin", Abdulgani el Makdesi "Umdetul Ahkam" El Begauiju "Mesabihu es Sunneh" dhe "Sherhu es Sunneh", Es Sujuti "El Xhamus Sagir" etj.
- Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) dhe të tjerë përveç tij në lidhje me këtë hadith kanë thënë: "Ai është një e treta e dijes."
- Ndërsa imam Ebi Seid Abdurrahman bin Mehdi ka thënë: "Kush dëshiron që të shkruaj libër, atëherë le të fillojë me këtë hadith."
- Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Bazat e islamit ngrihen mbi tri hadithe: Hadithi i transmetuar nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): "Punët janë sipas qëllimeve.", hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): "Kush vepron diçka që nuk është në çështjen tonë dhe nuk përputhet me të, atëherë ajo është e refuzuar." Si dhe hadithi i En Numan bin Beshir: "Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë."
- El Hakimi ka thënë: Na është treguar nga Abdullah bin Ahmed, nga babai i tij se ai përmendi fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve" dhe fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) "Me të vërtetë krijimi i çdokujt prej jush fillon të bashkohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë" dhe fjalën e (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) "Kush vepron diçka që nuk është në çështjen tonë dhe nuk përputhet me të, atëherë ajo është e refuzuar." Dhe tha: "Kërkohet që të fillohet me këto hadithe në çdo libër, sepse këto janë bazat e hadithit."
- Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Muslimanët kanë rënë dakord në mënyrë unanime për madhështinë e këtij hadithi dhe numrin e madh të dobive të nxjerra nga ai."[2]
Transmetohet nga Is'hak bin Rahauejh se ka thënë: "Katër hadithe janë prej bazave të fesë:
-"Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve"
-"Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë."
-"Me të vërtetë krijimi i çdokujt prej jush fillon të bashkohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë."[3]
-"Kush vepron diçka që nuk është në çështjen tonë dhe nuk përputhet me të, atëherë ajo është e refuzuar."[4]
Transmetohet nga Uthman bin Said nga Ebi Ubejde se ka thënë: "Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përmblodhi të gjithë çështjen e ahiretit në fjalën "Kush vepron diçka që nuk është në çështjen tonë dhe nuk përputhet me të, atëherë ajo është e refuzuar."
Dhe përmblodhi të gjithë çështjen e dynjasë në fjalën: "Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve."[5]
- El Hafidh El Iraki ka thënë: "Ky hadith është parim (rregull) prej parimeve të islamit."[6]
- Kanë thënë: "Hadithi "Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve." është peshojë e veprave të brendëshme të njeriut ndërsa hadithi "Kush vepron diçka që nuk është në çështjen tonë dhe nuk përputhet me të, atëherë ajo është e refuzuar." është peshoja e jashtme e tij."
Rëndësia e këtij hadithi në jetën e muslimanit
Ky është një prej haditheve madhështorë dhe peshore për veprat e njeriu. Sepse çdo punë të cilën njeriu e bën dhe s'ka për qëllim me këtë Fytyrën e Allahut, atëherë ajo punë është e kotë dhe vepruesi i saj nuk shpërblehet si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër[7].
Imam Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Veprat e mira me qëllime të mirë."[8]
Uekij ka thënë: Kam dëgjuar Sufjan eth Theurin të thotë: "Nuk ka punë më të mirë se kërkimi i dijes, nëse qëllimi është i pastër e i saktë."[9]
Pra, që një vepër të jetë e pranuar tek Allahu i Madhëruar duhet që të plotësojë dy kushte:
1. Sinqeriteti për hir të Allahut të Madhëruar.
2. Të jetë në përputhje me udhëzimin e të Dëguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Dikush prej selefëve ka thënë: "Për çdo vepër sado e vogël qoftë hapet një dosje dhe shkruhet: Përse? Si? D.m.th: Përse e bëre (a e bëre për hir të Allahut apo jo?) dhe si e bëre (a e bëre në përputhje me sunetin apo jo)?[10]
Nijeti-Qëllimi: Dijetarët në lidhje me këtë kanë thënë dy fjalë:
E para: Dallimi i adhurimeve ndërmjet tyre. Si p.sh.: dallimi i namazit të drekës nga namazi i ikindisë dhe agjërmi i Ramazanit me agjërimin përveç tij.
E dyta: Dallimi ndërmjet adhurimeve prej zakoneve. Si p.sh.: larja prej xhunubllëkut nga larja prej pastërtisë."[11]
Vendi i nijetit është zemra dhe nuk lejohet shqiptimi i tij me gojë, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me sheriatin dhe sunetin e pastër profetik. Nuk është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), as nga shokët e tij dhe as nga El Hulefau er Rashidin se ata e shqiptonin nijetin me gojë. Ibën el Kajjim ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishte që në fillim të abdesit të thoshte "bëra nijet që të largoj papatërtinë"…Dhe nuk transmetohet prej tij asnjë shkronjë e vetme as me sened të saktë dhe as dobët."
Shejh Ibën Baz (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: Cili është gjykimi i shqiptimit të nijetit në namaz dhe në marrjen e abdesit?
Shejhu u përgjigjë: Gjykimi për këtë është se kjo gjë është bidat, sepse një gjë e tillë nuk na ka ardhur (transmetuar) nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe as nga shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Eshtë obligim që kjo gjë të lihet, sepse vendi i nijetit është zemra dhe nuk është e nevojshme shqiptimi i nijetit me gojë. Allahu është poseduesi i suksesit.[12]
Po ashtu shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: ...I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka shqiptuar nijetin në abdesin e tij, as në namazin e tij dhe në asnjë prej adhurimeve të tij. Me të vërtetë Allahu e di për atë çfarë ka në zemër dhe nuk është e nevojshme që ta njoftosh për atë që ka në të.[13]
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Me të vërtetë njerëzit do të ringjallen sipas nijetit të tyre (që kanë pasur)."[14]
Përktheu: Xhabir SHEME
[1] Buhariu 1, 54, 2529, 3898, 5070, 6689, 6953, Muslimi 1907, Ahmedi 1/168, Ebu Daudi 2201, Tirmidhiu 1647, En Nesai 1/59-60, Ibën Maxheh 4227 etj.
[2] "Behxhetun Nadhirin sherhu Rijadis Salihin" të shejh Selim el Hilalit (Allahu e ruajtë!).
[3] Hadithi i plotë është: "Krijimi i çdokujt prej jush fillon të bashkohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj bëhet copë gjaku e mpiksur, po për aq kohë. Pastaj bëhet si një copë mishi e përtypur, po për aq kohë, pastaj Allahu dërgon tek ai një melek me katër gjëra: Me rrizkun e tij, punën e tij, exhelin (kohën e vdekjes) e tij dhe nëse do të jetë fatkeq apo fatmirë. Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Dikush prej jush mund të punojë punë të banorëve të xhenetit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe xhenetit më tepër se një pash, pastaj do t'a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të zjarrit e do të hyjë në të. Dhe vërtet që ndokush nga ju mund të punojë punë të banorëve të zjarrit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe zjarrit më tepër se një pash, pastaj do t'a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të xhenetit, e do të hyjë në të." Buhariu dhe Muslimi.
[4] "Xhamiul ulumi uel hikem" Ibën Rexhebi
[6] "Zubdetul efham bifeuaidi umdetil ahkam" shejh Selim el Hilali.
[7] Ndërsa në botën tjetër atë e prej dënimi i Allahut, ashtu siç ka ardhur në hadith e saktë ku Allahu në ditën e Gjykimit do t'i fusë në zjarr dijetarin, lexuesin e kuranit dhe peronin i cili është vrarë në luftë. Për shkak se ata nuk kishim për qëllim me veprat e tyre kënaqësinë e Allahut, porse kishin për qëllim famën në këtë botë.
[8] "Zubdetul efham bifeuaidi umdetil ahkam" shejh Selim el Hilali.
[10] "Dija në hadithet e sakta dhe në fjalët e parëve." Ebu Umer Jusuf bin Abdulberr.
[11] "Zubdetul efham bifeuaidi umdetil ahkam" shejh Selim el Hilali (Allahu e ruajtë!).
[12] "Fetaua el Merah" shejh Ibën Bazi, f. 18.
[13] "Fetaua ue rasail el ulemai li nisai" Shejhul islam, Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në "Mexhmu'u el Fetaua" vëll. 22, fq. 227-228, thotë: "Shqiptimi i nijetit është mangësi në logjikë dhe fe, e është prej bidateve të këqija."
[14] Sahihu et Tergib 11 dhe 12 nga Xhabiri.