A konsiderohen shijat kufarë
Shejh Ibën Uthejmin u pyet: A konsiderohen shijat kufarë? A t’i bëjmë lutje Allahut që t’i ndihmojë kufarët kundër tyre?
Përgjigja: Kufri është gjykim sheriati dhe ai i kthehet Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ajo vepër për të cilën argumenton Kurani dhe Suneti se është kufër, ajo është kufër, dhe anasjelltas. Kështu që, nuk e ka askush detyrim, madje nuk i lejohet askujt që të quajë një person tjetër kafir, deri sa të ketë argument nga Kurani dhe Suneti për kufrin e tij. E, përderisa dihet se askush nuk zotëron të bëjë të lejuar atë që Allahu e ka ndaluar dhe as të bëjë të ndaluar atë që Allahu e ka lejuar, ose të bëjë detyrim diçka që nuk e ka urdhëruar Allahu në Librin e Tij apo në sunetin e të dërguarit të Tij, po kështu askush nuk zotëron që të quajë kafir dikë që Allahu nuk e ka quajtur të tillë në Kuran apo në sunet.
Quajtja e dikujt kafir, duhet të plotësojë patjetër katër kushte:
1. Vërtetimi se kjo thënie e caktuar, ose kjo vepër apo lënie e një vepre të caktuar, është kufër sipas argumentimit të Kuranit dhe sunetit.
2. Vërtetimi i ekzistimit të kësaj tek personi i caktuar.
3. Arritja e sqarimit dhe argumentit (se ajo fjalë apo vepër është kufër) tek ky person.
4. Mosekzistenca e ndonjë shkaku pengues për quajtjen e tij kafir.
Nëse nuk vërtetohet që kjo fjalë e caktuar, apo vepër a lënie e një vepre, është kufër me argument nga Kurani dhe suneti, atëherë nuk i lejohet askujt që të japë gjykimin se ajo është kufër, sepse kjo është thënie për Allahun pa pasur dije, ndërsa Allahu thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” [El A’raf, 33]. Dhe thotë: “Mos shko pas asaj për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet që dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto do të japësh llogari.” [El Isra, 36].
Përderisa kufri nuk vërtetohet në lidhje me një person të caktuar, atëherë nuk lejohet që ai të akuzohet me hamendje, sepse Allahu thotë: “Mos shko pas asaj për të cilën nuk ke dijeni!” Pasi që kjo gjë çon në lejimin e derdhjes së gjakut të ndaluar pa të drejtë.
Në dy sahihat e Buhariut dhe të Muslimit, transmetohet nga Abdullah ibën Umer se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdokush që i thotë vëllait të tij: “O kafir!”, kjo fjalë i kthehet njërit prej tyre; nëse është ashtu si thotë, (atëherë bie mbi tjetrin) e nëse jo, i kthehet po atij.” Me këtë tekst e ka përmendur Muslimi.
Ebu Dheri transmeton se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Askush të mos e akuzojë tjetrin për shthurje dhe as për kufër, përndryshe do t’i kthehet mbi vete, nëse shoku i tij nuk është i tillë.” E ka nxjerrë Buhariu, ndërsa tek Muslimi gjendet me të njëjtin kuptim.
Po kështu, nëse atij nuk i ka arritur argument, nuk gjykohet për të me kufër, sepse Allahu thotë: “Mua më është shpallur ky Kuran, që t’ju paralajmëroj me të juve dhe ata të cilëve u përcillet ai.” [El Enam, 19]. Allahu gjithashtu thotë: “Zoti yt kurrë nuk i ka shkatërruar këto vendbanime, para se t’u çonte në kryeqytetet e tyre të dërguar, që t’u lexonte shpalljet e Tij. Ne kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet (pa shkak), por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë keqbërës.” [El Kasas, 59]. Dhe thotë: “Ne nuk dërgojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar.” [El Isra, 15].
Në sahihun e Muslimit, transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Nuk ka njeri që dëgjon për mua prej këtij populli -d.m.th. popullit të thirrjes-, jehudi apo i krishterë, dhe pastaj nuk beson në atë me të cilën kam ardhur, veçse do të jetë prej banorëve të zjarrit.”
Por, në qoftë se ai të cilit nuk i arrin argumenti, nuk praktikon fenë Islame, ai nuk kosniderohet musliman dhe me të nuk sillemi si me muslimanët, ndërsa në botën tjetër, fjala më e saktë e dijetarëve është se çështja e tij kthehet tek Allahu.
Nëse plotësohen këto tre kushte; d.m.th. vërtetimi se një fjalë e caktuar, apo vepër ose lënie e veprës është kufër, me argument nga Kurani dhe suneti, dhe se ajo ka dalë nga një person i rritur (musliman në origjinë), dhe se këtij personi i është përcjellë argument për këtë, por gjendetnjë pengues për quajtjen e tij kafir, atëherë ai nuk bëhet kafir për shkak të këtij penguesi.
Prej penguesve të quajtjes kafir, përmendim:
1. Detyrimi me forcë. Nëse dikush detyrohet me forcë për të shprehur fjalën e kufrit dhe ai e thotë atë, apo e vepron, ndërkohë që zemra e tij është e mbushur me besim, atëherë nuk gjykohet kundër tij me kufër, për shkak se ekziston një pengues për këtë, i cili është detyrimi. Allahu i Madhëruar thotë: "Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim. Ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh." [En Nahl, 106].
2. Gabimi i paqëllimshëm, kur nuk di se çfarë thua nga gëzimi i madh, ose nga mërzitja, frika etj, sepse Allahu thotë: “Nuk keni gjynah nëse gaboni, por nëse veproni me qëllim nga zemrat tuaja. Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.” [El Ahzab, 5].
Në Sahihun e Muslimit, nga Enes ibën Malik transmetohet se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij kur ai pendohet, më shumë se ndokush prej jush kur ndodhet mbi kafshën e tij të udhëtimit në një shkretëtirë dhe ajo i humbet, duke qenë se mbi të ka ushqimin dhe ujin e tij. Pastaj ai i humb shpresat se mund ta gjejë më dhe shkon te një pemë të shtrihet nën hijen e saj i pashpresë. Ndërkohë që është në këtë gjendje, veç kur kafsha e tij qëndron para tij dhe ai kap kapistrën e saj pastaj, nga gëzimi i madh thotë: “O Zot! Ti je robi im dhe unë zoti yt!” Gaboi nga gëzimi i madh.”
Ky burr gaboi nga gëzimi i madh me një gabim i cili të nxjerrë nga Islami, por daljen e tij nga Islami e ka penguar fakti se atij ju mbyll qëllimi (gaboi paqëllimshëm) dhe nuk e dinte se çfarë thoshte nga gëzimi i madh. Ai pati për qëllim të falënderonte Zotin, por nga gëzimi i madh ai tha një fjalë të cilën sikur ta thoshte me vetëdije dhe qëllim, do të bëhej kafir.
Pra, detyra jonë është që të kemi kujdes nga quajtja kafir e një grupi apo personi të caktuar, deri sa ta dimë mirë plotësimin e kushteve të tekfirit tek tjetri dhe mosekzistencën e penguesve të tij.
Nëse kjo bëhet e qartë, atëherë dijeni se shijat janë grupe të ndryshme, të cilat i ka përmendur Es Sefarijni në sqarimin e Akides së tij, (El Akijde es Sefarinije), ku thotë se ata janë ndarë në njëzet e dy grupe. Prej këtu, gjykimi për secilin grup prej tyre ndryshon në varësi të largimit të tij nga suneti; sa më larg sunetit të jetë një grup prej tyre, aq më afër humbjes është ai.
Prej grupeve të shijave janë edhe Rafiditë, të cilët u bënë partiak të prijësit të besimtarëve, Ali ibën Ebi Talib (radiallahu anhu), halifes së katër prej hulefave të drejtë, me një particizëm të tepruar të cilin nuk e pranon as ai dhe askush prej prijësve të drejtëudhëzuar. Ndërsa nga hulefatë e tjerë ata u larguan shumë, e sidomos nga dy halifet: Ebu Bekri dhe Umeri, për të cilët ata kanë thënë fjalë që nuk i ka thënë askush prej grupeve të ymetit musliman.
Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije, në Mexhmuul Fetava 3/356, thotë: “Origjina e fjalës së Rafidive se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka caktuar Aliun -d.m.th. për të qenë halife- me tekst të prerë i cili nuk lë asnjë justifikim, dhe se ai është prijës i pagabueshëm, ndërsa kush e kundërshton atë, ka bërë kufër. Ndërsa muhaxhirinët dhe ensarët e kanë fshehur porosinë e Pejgamberit dhe e mohuan imamin e pagabueshëm, ndoqën epshet e tyre, e ndërruan fenë dhe e ndryshuan sheriatin, bënë padrejtësi dhe i kaluan kufijtë, madje që të gjithë ata bënë kufër, përveç disa personave të paktë në numër, nga 13-19 persona apo pak më shumë.” Përveç kësaj, ata thonë: “Ebu Bekri, Umeri dhe të tjerë si ata ishin hipokritë që në fillim.” Ndërsa disa prej tyre mund të thonë: “Në fillim besuan, pastaj mohuan.” Shumica e tyre (rafidive) e quajnë kafir atë që kundërshton fjalën e tyre, ndërsa vetet e tyre i quajnë besimtarë. Prej tyre kanë dalë rrënjët e mosbesimit (ez zendeka) dhe hiporizisë, si mosbesimi i Keramitave, Batinive e të tjerë si ata.” [Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes].
Ndërsa në librin e tij me vlerë “Iktida es Sirati el mustekim”, (f.951), Ibën Tejmije thotë: “Shirku dhe të gjitha bidatet janë të ndërtuara mbi gënjeshtër dhe shpifje, prandaj, kushdo që është më larg Teuhid dhe sunetit, aq më afër është ai nga shirku, bidati dhe shpifja, siç janë rafiditë, të cilët janë njerëz më shpifës prej njerëzve që ndjekin epshet e tyre dhe më të shumtit që bëjnë shirk prej tyre. Nuk gjen më gënjeshtarë se ata në mesin e të gjithë grupeve që ndjekin epshet e tyre, as më larg teuhidit se ata. Madje këta shkatërrojnë xhamitë e Allahut në të cilat përmendet Emri i Tij, duke ndaluar që në to të falen namazet me xhemat dhe të xhumatë, dhe në vend të tyre, mbushin tyrbet e ndërtuara mbi varre, gjë të cilën e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij.” [Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes].
Kush e lexon historinë, e sheh qartë se Rafiditë kanë pasur dorë në rënien e Bagdadit dhe mbarimin e hilafetit islam atje, pasi që ia lehtësuan tatarëve futjen në të. Në atë kohë, tatarët vranë dijetarë e njerëz të shumtë. Shejhu i Islamit, Ibën Tejmije, në librin “Minhaxhu es Suneh” 4/592, përmend se këta ishin ata të cilët u përpoqën për ardhjen e tatarëve në Bagdad, në qendrën e hilafetit, dhe kështu kafirat -tatarët- vranë prej muslimanëve aq shumë, sa që nuk e di numrin e tyre veçse Allahu, prej Beni Hashim e të tjerë. Në të gjitha anët e Bagdadit ata vranë një miljon e tetëqind e shtatëdhjetë e ca mij muslimanë, mes të cilëve edhe halifen abasit. Morën rob gratë hashimije dhe bijtë hashimij.” [Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes].
Nga akidja e Rafidive është edhe “Et Tukja”, që do të thotë të shfaqësh të kundërtën e asaj që fsheh, gjë e cila padyshim që është nga llojet e hipokrizisë, me të cilën mashtrohet kush mashtrohet prej njerëzve.
Hipokritët janë më të dëmshëm për Islamin se sa kufarët e hapur, ndaj edhe Allahu shpalli në lidhje me ta një sure të plotë, të cilën Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e kishte traditë që ta lexonte në namazin e të xhumasë, me qëllim që të njoftonte për gjendjet e hipokritëve dhe të paralajmëronte prej tyre në tubimin më të madh javor. Në këtë sure, për hipokritët thuhet: “Ata janë armiqtë, ndaj bëj kujdes prej tyre!” [El Munafikun, 4].
Ndërsa fjala e pyetësit: A duhet t’i lutet muslimani Allahu që të ndihmojë kafirat kundër shijave?
Përgjigja për këtë është: Më përshtat dhe më parësore për besimtarin është që t’i bëjë lutje Allahut që t’i poshtërojë kafirat dhe të ndihmojë besimtarët e sinqertë, të cilët thonë me zemrat dhe gjuhët e tyre, atë që ka përmendur Allahun për ta në fjalën e Tij: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë urrejtje për besimtarët. Zoti ynë! Vërtet, Ti je i Butë, Mëshirëplotë.” [El Hashr, 10].
Po kështu, besimtari duhet t’i dojë shokët e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), duke pranuar vlerën dhe vendin e secilit prej tyre, pa e tepruar dhe pa cënuar në të drejtën e tyre.
Lusim Allahun e Madhëruar që ta bashkojë fjalën e besimtarëve në të vërtetën dhe t’i ndihmojë ata kundër të tjerëve!
[“Mexhmuu Fetava ue Rasail Ibën Uthejmin” Fetvaja nr. 409]
|