Bota islame sot dhe rruga drejt lavdisë

 

Muhamed Nasirudin el Albani

(Allahu e mëshiroftë!) 

Përktheu: Bledar Karaj el Albani

  

بسم الله الرحمن الرحيم

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

Pyetje: Shejhu ynë! Siç e dimë, në këto ditë Islami luftohet në të gjithë botën. Po kështu shohim mosinteresim nga qeveritë (muslimane). Cila është detyra jonë në lidhje me këtë gjendje, dhe a kemi gjynah për qëndrimin tonë pa vepruar asgjë? Kjo është pyetja e parë.

 

Përgjigje: Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje! I kërkojmë mbrojtje Allahut nga e keqja e veteve tona dhe nga punët tona të këqia! Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e të Pashoq. Gjithashtu dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

+يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ اتَّقُواْ اللّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلاَ تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ_

"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!" [Al Imran, 102].

+يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُواْ رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيراً وَنِسَاء وَاتَّقُواْ اللّهَ الَّذِي تَسَاءلُونَ بِهِ وَالأَرْحَامَ إِنَّ اللّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيباً_

"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju." [En Nisa, 1].

+يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلاً سَدِيداً. يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَن يُطِعْ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزاً عَظِيماً_

"O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe." {El Ahzab, 70-71].

Fjala më e mirë është Fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ndërsa punët më të këqija janë ato të shpikurat, e çdo e shpikur është risi, çdo risi është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr!

Kjo pyetje për nga ana e jashtme dhe nga shprehja e saj është disi më pak se sa ka për qëllim shprehësi i saj kur ai thotë: "qëndrojmë pa vepruar asgjë".

Me fjalën "asgjë", ai nuk ka për qëllim asgjë fare, por ka për qëllim diçka të caktuar. Sepse askush, kurrë nuk mund të thotë se muslimani duhet të jetojë ashtu si jetojnë kafshët, pa vepruar asgjë. Pasi që njeriu është krijuar për një qëllim shumë të madh, i cili është adhurimi vetëm i Allahut, Një e i Pashoq.

Ndaj, të mos i shkojë në mendje ndokujt, nga pyetje të tilla, se pyetësi ka për qëllim mosveprimin e asgjëje absolutisht, por ai ka për qëllim mosbërjen e diçkaje që i përshtatet dhe i përgjigjet këtij aktualiteti, i cili i ka rrethuar muslimanët nga të gjitha anët. Kjo kuptohet nga qëllimi i pyetësit dhe jo nga shprehja e tij, dhe sipas kësaj do të përgjigjemi.

Gjendja e muslimanëve sot nuk ndryshon shumë, madje as pak, nga gjendja që ka qenë thirrja islame në fillimet e saj, dhe kam për qëllim periudhën Mekase. Dhe të gjithë ne e dimë se sipërmarrësi i thirrjes në atë kohë ishte Pejgamberi ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kam për qëllim me këtë fjalë se thirrja (islame) luftohej nga populli, në mesin e të cilëve u dërgua i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nga gjiri i tyre, siç thuhet në Kuranin e Ndershëm.

Më pas, thirrja filloi të përhapej dhe t'i zgjerohej rrethi në mesin e fiseve arabe, e më pas Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u urdhërua për emigrim nga Meka në Medine.

Sigurisht që ne tani po përmendim vetëm disa fragmente, sepse historia e fillimit të Islamit dhe fillimet e historisë pejgamberike, është e  mirënjohur tek shumë nga të pranishmit. Por unë, me këtë përmbledhje të shkurtër kam për synim arritjen tek qëllimi për përgjigjen e pyetjes.

Ndaj, prej këtu them: Pasi që Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) emigroi në Medine dhe e pasuan disa prej shokëve të tij, si dhe filloi të hidhte themelet për ngritjen e shtetit Islam, atje në Medinen e ndritshme, në atë kohë filloi gjithashtu një armiqësi e re, mes kësaj thirrje të re në Medine dhe mes të krishterëve, pasi që kjo thirrje iu afrua territorit të tyre, i cili në atë kohë ishte Siria, ku sundonte Herakli, mbreti i romakëve.

Pra, u hap kështu një armiqësi e re për thirrjen islame, jo vetëm nga arabët në Gadishullin Arabik, por edhe nga të krishterët, në veri të Gadishullit Arabik, pra, nga Siria. Më pas u shfaq edhe një armik tjetër, i cili ishte Persia. Dhe kështu, thirrja islame filloi të luftohej nga të gjitha anët; nga idhujtarët në Gadishullin Arabik, nga të krishterët dhe çifutët në periferi të saj, dhe më pas nga persët, armiqësia mes të cilëve dhe të krishterëve ishte e madhe, siç është e ditur nga Fjala e Allahut të Madhëruar:

+الم. غُلِبَتِ الرُّومُ. فِي أَدْنَى الْأَرْضِ وَهُم مِّن بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَ. فِي بِضْعِ سِنِينَ_.

 "Elif, Lam, Mim. Romakët u thyen. Në tokën e afërt dhe pas humbjes ata do të jenë fitimtarë, brenda pak viteve." [Er Rum, 1-4].

Argumentimi është këtu; nuk duhet të habitemi për gjendjen e thirrjes islame sot për nga fakti se ajo luftohet nga çdo anë, pasi që kështu ka qenë ajo edhe në hapat e para të saj, po kështu edhe sot ajo luftohet nga çdo anë.

Dhe kështu na vjen pyetja dhe përgjigja: Si duhet të veprojmë? Si veproi i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij, numri i të cilëve ishte i pakët në raport me numrin e muslimanëve sot sa që numri i tyre sot është shumë e shumë i madh.

Këtu fillon përgjigja: A i luftuan muslimanët arabët armiqtë të tyre, d.m.th. popullin e tyre, në fillimet e thirrjes? A i luftuan muslimanët të krishterët që në fillim? A i luftuan persët që në fillim?

Përgjigja është "Jo". Për të gjitha këto përgjigja është "Jo". Atëherë çfarë bënë muslimanët?

Ne sot duhet të bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë muslimanët e parë, sepse ajo e keqe që na ka goditur ne është po ajo që i ka pas goditur edhe ata. Dhe ashtu si e kanë trajtuar ata të keqen e tyre, ashtu duhet ta trajtojmë edhe ne të keqen tonë. Mendoj se kjo hyrje u përcjell të gjithë të pranishmëve përgjigjen, por tërthorazi dhe kjo do të përforcohet nga shprehja e drejtpërdrejtë.

Ndaj them: Nga kjo rrjedhë historike dhe logjike, në të njëjtën kohë, duket qartë se Allahu i Madhëruar i ka ndihmuar besimtarët e parë, numri i të cilëve ishte shumë i vogël në raport me mosbesimtarët dhe idhujtarët nga të gjitha fetë dhe besimet e tyre.

Allahu i Madhëruar i ndihmoi ata vetëm për shkak të besimit të tyre. Kështu që, ai që ka qenë ilaçi dhe kurimi në atë kohë për atë armiqësi të fortë, e cila e kishte rrethuar thirrjen, ai është i njëjti ilaç dhe e njëjta kurë, të cilën duhet ta marrin dhe ta praktikojnë muslimanët sot, me qëllim që të vërtetohet fryti i këtij trajtimi dhe kësaj kure, ashtu si u vërtetua fryti i atij trajtimit të parë.

Pra, çështja është, siç i thonë: "Historia përsëritet".

Madje edhe më e mirë se kjo fjalë është që të themi se: Allahu i Madhëruar ka vendosur ligje dhe rregulla tek njeriu, në kozmosin që Ai ka krijuar dhe e ka përsosur krijimin e tij, që e ka përshtatur dhe e ka përsosur përshtatjen e tij, në të gjitha këto Allahu ka caktuar ligje dhe rregulla, të cilat nuk ndryshojnë dhe nuk ndërrohen;

+فَلَن تَجِدَ لِسُنَّتِ اللَّهِ تَبْدِيلاً وَلَن تَجِدَ لِسُنَّتِ اللَّهِ تَحْوِيلاً_

Kështu pra, ti nuk do të gjesh asnjë ndryshim dhe as shndërrim në Ligjet e Allahut.” [El Fatir, 43].

Muslimani duhet patjetër që t'i vërejë dhe t'i ruajë këto ligje ashtu si i takon dhe veçanërisht ato ligje që janë ligje fetare, sepse ekzistojnë ligje fetare dhe ligje universale, e këtyre të fundit mund t'u thuhet sot "ligje natyrore". Në njohjen e ligjeve universale-natyrore bashkohet muslimani dhe jomuslimani, i miri dhe i keqi, me kuptimin: Cfarë është ajo që e mban jetën fizike të njeriut?

-Ngrënia, pirja, ajri i pastër, e të tilla. Në qoftë se njeriu nuk ha, nuk pi dhe nuk thith ajër të pastër, kjo do të thotë se ai i kanoset vdekjes fizike, materiale. A mund të jetosh nëse del nga këto ligje universale dhe nuk i zbaton këto?

Përgjigja është "Jo". "Ky është Ligji i Allahut." "Dhe nuk do të gjesh asnjë  ndryshim në Ligjin e Allahut."

Siç e thashë më parë, këtë e di me dije të provuar çdo njeri, pa pasur dallim mes muslimanit dhe jomuslimanit, as mes të mirit dhe të keqit. Por ajo që na intereson tani është të dimë se ekzistojnë edhe ligje fetare.

Pra, është detyrë për ne që ta dimë se ekzistojnë ligje fetare, të cilat kush i merr (zbaton), arrin në synimet e tyre dhe vjel frytet e tyre dhe anasjelltas, kush nuk i zbaton ato, nuk do të arrijë tek synimet për të cilat janë vendosur ato ligje fetare, ashtu si thamë në lidhje me ligjet universale-natyrore, të cilat nëse njeriu i beson dhe i zbaton ato, do të arrijë qëllimet për të cilat ato janë vendosur.

Po kështu edhe ligjet fetare, nëse muslimani i zbaton ato, i përmbushet qëllimi për të cilin Allahu i ka vendosur ato ligje, përndryshe jo (nuk arrihet qëllimi).

Besoj se kjo fjalë është e kuptueshme, por ka nevojë për pak më shumë sqarim. Këtu qëndron thelbi i çështjes dhe këtu fillon përgjigja e asaj pyetje të rëndësishme.

Të gjithë ne e lexojmë një nga ajetet e Allahut të Madhëruar, madje me këtë ajet mund të zbukurohen hyrjet e tubimeve dhe muret e disa shtëpive. Është për qëllim Fjala e Allahut të Madhëruar:

+تَنصُرُوا اللَّهَ يَنصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ_

"Nëse ju e ndihmoni Allahun (fenë e Tij), Ai do t’ju ndihmojë ju." [Muhamed, 7].

Korniza të zbukuruara dhe të shkruara me shkrim ari të bukur vendosen mbi mure, dhe për të të ardhur keq, ky ajet është bërë zbukurim për muret ndërsa zemrat e muslimanëve janë boshatisur nga ai, sa që thuajse nuk e ndjejmë qëllimin tek i cili rreh ky ajet: "Nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t'ju ndihmojë juve."

Prandaj gjendja e botës islame sot është kthyer në gjendje kaosi dhe ankthi për të cilën thuajse nuk po gjendet zgjidhje, megjithëse zgjidhja dhe rrugëdalja është përmendur në shumë ajete, një nga të cilat është edhe ky ajet që përmendëm.

Nëse ua kujtojmë muslimanëve këtë ajet, besoj se kjo çështje nuk ka nevojë për shumë shpjegime dhe sqarime, por  vetëm përkujtojmë:

+وَذَكِّرْ فَإِنَّ الذِّكْرَى تَنفَعُ الْمُؤْمِنِينَ_

 "Dhe përkujtoi (me Kuran), sepse përkujtimi u bën dobi besimtarëve." [Dharijat, 55].

Të gjithë ne e dimë, inshaAllahu, se Fjala e Allahut të Madhëruar: "Nëse e ndihmoni Allahun" është kusht, rezultati i të cilit është: "Ai do t'ju ndihmojë juve."

Nëse ha, nëse pi, nëse ..., rezultati i të gjitha këtyre është: "jeton". Nëse nuk ha e nuk pi, atëherë cili është rezultati? -Vdes.

Po kështu është edhe kuptimi i këtij ajeti: "Nëse e ndihmoni Allahun, do t'ju ndihmojë." Dhe anasjelltas, siç thonë dijetarët e usuli fikhut, kuptimi i anasjelltë i këtij ajeti është: "Nëse nuk e ndihmoni Allahun, as Ai nuk ju ndihmon ju."

Ky është aktualiteti i muslimanëve sot. Qartësimi i këtij ajeti ka ardhur në sunet dhe në një numër tekstesh të sheriatit, veçanërisht në hadithet Pejgamberike prej atyre teksteve.

"Nëse e ndihmoni Allahun", dihet vetvetiu se këtu nuk është për qëllim që të ndihmojmë Allahun kundër armikut të Tij, me ushtritë tona, me flotat dhe fuqitë tona materiale. "Jo", assesi; "Allahu ka fuqi dhe kontroll të plotë mbi të gjitha çështjet." Ai nuk ka nevojë që ta ndihmojë ndokush me ndihmë materiale, kjo është diçka mëse e njohur vetvetiu, prandaj në ajet thuhet: "Nëse e ndihmoni Allahun", d.m.th: Nëse ndiqni dispozitat e Allahut, kjo është ndihma juaj për Allahun e Madhëruar.

Shtrohet pyetja: A e kanë përmbushur muslimanët këtë kusht e këtë vaxhib i cili është kusht për arritjen e ndihmës së Allahut për myslimanët?

Përgjigja është tek secili prej jush. Muslimanët nuk janë ngritur me ndihmën e Allahut të Madhëruar.

Desha të përmend këtu një fjalë, e cila është gjithashtu përkujtim dhe jo sqarim e komentim, të paktën për disa prej të pranishmëve.

Shumica e muslimanëve sot janë larguar nga të njohurit e fesë së tyre dhe nga të mësuarit e tyre dispozitat e fesë së tyre, dhe shumica e tyre nuk e njohin Islamin. Dhe shumë, apo shumica e tyre, kur njohin diçka nga Islami, nuk e njohin atë ashtu siç është në të vërtetë në Islam, por mësojnë diçka të devijuar nga ajo në të cilin ishte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.

Ndihma e Allahut e premtuar për atë i cili e ndihmon Allahun qëndron së pari në njohjen e Islamit  me njohje të saktë, çfarë ka ardhur në Kuran dhe në Sunet, pastaj në të vepruarit me të, së dyti.

Në të kundërt, njohja do të jetë barrë dhe fatkeqësi për të zotin e saj, siç ka thënë Allahu i Madhëruar:

+يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا لِمَ تَقُولُونَ مَا لَا تَفْعَلُونَ. كَبُرَ مَقْتاً عِندَ اللَّهِ أَن تَقُولُوا مَا لَا تَفْعَلُونَ_

"O ju të cilët keni besuar, pse po e thoni atë që vetë nuk e veproni?! Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e veproni." [Saf, 2-3].

Pra, ne kemi nevojë që ta mësojmë Islamin dhe ta praktikojmë atë. Siç e thashë pak më parë, ajo që desha t'ju kujtoj është se zakoni i shumicës së muslimanëve sot të gjithë fajin për përçmimin dhe përuljen që i ka zënë mbarë muslimanët, ia vënë udhëheqësve të shtetit. Ata ia hedhin të gjithë fajin udhëheqësve të tyre, të cilët nuk e ndihmojnë fenë e tyre. Dhe ata (udhëheqësit), për fat të keq kështu janë, nuk e ndihmojnë fenë e tyre; nuk i ndihmojnë muslimanët e përçmuar nga ana e kufarëve prej çifutëve, të krishterëve, etj.

Kështu është zakoni që zotëron sot në mesin e muslimanëve; që t'ja hedhin të gjithë fajin udhëheqësve, ndërsa vetë popullin sikur nuk i përfshin ky faj të cilin ata ia hedhin pushtetarëve! Por e vërteta është se ky faj i hidhet të gjithë ymetit, pushtetarë dhe nënshtetas.

Madje nuk është vetëm kjo, por ekziston edhe një grup prej atyre që hedhin faje mbi udhëheqësit e muslimanëve për shkak të mosngritjes së tyre me praktikimin e dispozitave të fesë së tyre, dhe në fakt ata kanë të drejtë në bërjen me faj të tyre, por këta kanë kundërshtuar Fjalën e Allahut të Madhëruar: "Nëse e ndihmoni Allahun..."

Kam për qëllim se vetë ata muslimanë fajësues të pushtetarëve, kur i veçojnë vetëm ata me faj, kanë kundërshtuar dispozitat e Islamit, kur kërkojnë ndryshimin e kësaj gjendjeje të mjeruar që i rrethon muslimanët sot, me një rrugë e cila e kundërshton rrugën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për shkak se këta shpallin dezertimin nga feja të udhëheqësve të muslimanëve, kjo së pari, pastaj shpallin obligueshmërinë e kryengritjes ndaj tyre, së dyti.

Dhe kështu ndodhin fitne (trazira) të verbëra, të shurdhëta dhe memece ndërmjet vetë muslimanëve, sa që ata përçahen me njëri-tjetrin, dhe prej tyre, nga të cilët janë edhe këta që përmendëm më parë, të cilët mendojnë se ndryshimi i kësaj gjendje të mjeruar dhe të keqe të muslimanëve, sipas tyre bëhet duke ngritur krye kundër udhëheqësve të shtetit.

Por nuk mbaron çështja me këtë problem, por zgjerohet e zgjerohet, deri sa mosmarrëveshja të futet në vetë mesin e këtyre muslimanëve, ndërsa udhëheqësit të jenë jashtë këtij kundërshtimi.

Mosmarrëveshja fillon me ekstremizmin e disa muslimanëve për trajtimin e gjendjes aktuale të mjeruar, me mendimin se kjo bëhet duke luftuar udhëheqësit e muslimanëve që të përmirësohet gjendja.

Por gjejmë që çështja përmbyset dhe këta muslimanë grinden me muslimanë të tjerë, të cilët mendojnë se trajtimi i aktualitetit të dhimbshëm nuk bëhet me kryengritje kundër udhëheqësve, edhe pse shumë prej tyre e meritojnë kryengritjen ndaj tyre, për shkak se ata nuk gjykojnë me atë  që ka zbritur Allahu.

Por a mund të jetë kurimi i kësaj ashtu si pretendojnë këta njerëz?!

A mund të hiqet poshtërimi që i ka kapur muslimanët prej kufarëve, duke filluar me gjykimin e udhëheqësve prej muslimanëve në vendet Islame?!

Edhe pse disa prej tyre i konsiderojmë muslimanë për nga pozita gjeografike, në këtë rast ne themi një shembull:

"Seadi i ngau devetë me të shpejtë,

por devetë nuk ngahen kështu, o Sead!"

Nga gjërat në të cilat nuk ka dyshim është se qëndrimi i armiqve të vërtetë të Islamit, çifutët, të krishterët dhe ateistët, nga jashtë vendeve të Islamit, padyshim se dëmi i këtyre është më i madh se dëmi i disa prej këtyre udhëheqësve, të cilët nuk i përgjigjen dëshirës së muslimanëve që të gjykojnë mes tyre me atë që ka zbritur Allahu.

Atëherë çfarë mund të bëjnë këta muslimanë, dhe kam për qëllim një pjesë apo një anë të tyre, të cilët shpallin obligueshmërinë e luftimit të udhëheqësve muslimanë. E çfarë munden të bëjnë këta, sikur ngritja krye kundër udhëheqësve të shtetit të ishte vërtet obligim?

-Jo, por fillimi duhet të jetë me rregullimin e veteve tona, siç ka qenë edhe kurimi me të cilin filloi Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).[15]

Këta nuk munden të bëjnë absolutisht asgjë dhe aktualiteti është prova më e madhe për këtë.

Megjithëse trajtimi që ata kërkojnë, që të fillojnë me luftimin e udhëheqësve të muslimanëve, nuk i jep frytet e pritura, sepse siç e thashë më parë, problemi nuk qëndron vetëm te udhëheqësit e shtetit, por edhe te shtetasit gjithashtu. Që të gjithë ata duhet të përmirësojnë veten e tyre, dhe përmirësimi është temë më vete për të cilën kemi folur shpesh dhe vazhdimisht dhe mund të flasim rreth tij përsëri së afërmi, inshaAllahu.

E rëndësishme është se të gjithë muslimanët sot janë të një mendjeje se gjendja e tyre nuk është për t'u pasur zili, as për t'u lakmuar.

Përkundrazi, ata janë në një gjendje përçmimi dhe poshtërimi të paparë në Islam.

 

 

Atëherë nga të fillojmë?

A të jetë fillimi me luftimin e pushtetarëve të cilët qeverisin muslimanët, apo me luftimin e mbarë mosbesimtarëve prej të gjitha vendeve, apo të jetë fillimi me luftimin e nefsit (vetes, shpirtit) që të urdhëron për punë të këqia?

Pikërisht nga kjo e fundit duhet të fillohet, dhe kjo sepse Pejgamberi (alejhi selam) filloi pikërisht me rregullimin dhe përmirësimin e shpirtit të disa individëve muslimanë në fillim të thirrjes islame, siç e përmendëm në fillim të kësaj fjale.

Thirrja filloi në Meke dhe më pas kaloi në Medine, pastaj filluan përleshjet mes kufarëve dhe muslimanëve dhe më pas mes muslimanëve dhe romakëve, pastaj mes muslimanëve dhe persëve, dhe kështu, siç e thamë edhe më parë, historia përsëritet.

Tani, detyra e muslimanëve është të ndihmojnë Allahun (të zbatojnë fenë e Tij) për trajtimin e këtij realiteti të hidhur dhe jo duke trajtuar një anë, e cila nuk i jep frytet e shpresuara, edhe nëse munden të ngrihen me të (ta bëjnë).

Cila është ajo anë?

-Luftimi i qeveritarëve të cilët gjykojnë me ligj tjetër nga ai që ka zbritur Allahu.

Kjo së pari, siç e thashë edhe më parë, dhe këtu duhet të qëndrojmë pak.

Sot nuk është e mundshme që të luftohen udhëheqësit e shtetit, dhe kjo sepse, sikur këta udhëheqës të ishin kufarë si çifutët dhe të krishterët, a munden muslimanët sot që t'i luftojnë çifutët dhe të krishterët? Përgjigja është "Jo".

Pra, gjendja është e njëjtë siç kanë qenë muslimanët e parë në periudhën Mekase. Ata ishin të dobët, të përçmuar, të luftuar, të dhunuar, të cënuar.

-Përse?

-Sepse ata ishin të dobët, nuk kishin as mundësi dhe as fuqi, përveç besimit i cili hyri në gjokset e tyre e për shkak se ndoqën thirrjen e Pejgamberit të tyre (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Pikërisht ky pasim i shoqëruar me durim në sprova, është ai që solli frytet e kërkuara të cilat ne kërkojmë sot.

-Pra, cila është rruga që të çon tek këto fryte?

-Ajo është e njëjta rrugë, të cilën ka ndjekur Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me shokët e tij.

Sot muslimanët nuk munden t'i luftojnë kufarët, të çfarëdo lloji qofshin ata.

-Atëherë çfarë duhet të bëjnë ata?

-Detyra e tyre është që të besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij me besim të vërtetë.

Por muslimanët sot janë ashtu siç thotë Zoti i botëve: "Por shumica e njerëzve nuk e dinë."

Muslimanët sot janë muslimanë në emër dhe jo muslimanë me plotë kuptimin e fjalës. Besoj se ju e kuptoni nga unë qëllimin e këtij mohimi. Por unë iu kujtoj Fjalën e Allahut të Madhëruar:

+قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ. الَّذِينَ هُمْ فِي صَلاتِهِمْ خَاشِعُونَ. وَالَّذِينَ هُمْ عَنِ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ. وَالَّذِينَ هُمْ لِلزَّكَاةِ فَاعِلُونَ. وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ. إِلا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ. فَمَنِ ابْتَغَى وَرَاء ذَلِكَ فَأُوْلَئِكَ هُمُ الْعَادُونَ. وَالَّذِينَ هُمْ لأَمَانَاتِهِمْ وَعَهْدِهِمْ رَاعُونَ_

"Vërtetë që tashmë kanë fituar besimtarët. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit. Edhe ata të cilët largohen nga fjalët e kota, të rreme. Edhe ata që japin zekatin. Edhe ata që ruajnë dëlirësinë (organet gjenitale). Përveç me bashkëshortet ose (robëreshat) që i kanë në posedim, pasi në këto raste ata nuk ngarkohen me faj. Por kush kërkon përtej kësaj, atëherë të tillët janë që kalojnë caqet." [Muminun, 1-8]. D.m.th. vepërkëqinj dhe zullumqarë.

Sikur të merrnim vetëm këto veçanti dhe ajete që përmbajnë këto veçori, si dhe ajete të tjera, në të cilat janë përmendur veçori të tjera që nuk janë përmendur në këto ajete, dhe që të gjitha ato sillen rreth të punuarit me Islamin.

Dhe kushdo që i vërteton këto veçori të përmendura në ajetet që recituam pak më parë, si dhe në ajete të tjera, të tillë janë ata për të cilët Allahu  i Madhëruar ka thënë: "Të tillët janë besimtarët e vërtetë."

-A jemi ne besimtarë të vërtetë?

-Përgjigja është: "Jo".

Prandaj o vëllezër, mos u hutoni dhe mos neglizhoni, por përkujtoni që të njihni sëmundjen tuaj, ashtu që të njihni ilaçin tuaj. Muslimanët sot nuk janë besimtarë të vërtetë, sepse besimi i vërtetë kërkon që të punosh me të vërtetën. Ne që falemi sot, kjo veçori: "Vërtetë që tashmë kanë fituar besimtarët. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit."

A jemi ne të nënshtruar në namazin tonë?

Dhe unë nuk flas për disa individë, për pesë, dhjetë apo njëqind, dyqind, apo një mijë, dy mijë njerëz. Jo, por po flas për muslimanët dhe të paktën për ata që pyesin.

Atëherë cila është zgjidhja për atë që i ka kapur muslimanët?

Dhe nuk kam për qëllim ata muslimanë të devijuar e të prishur, të cilët nuk i kushtojnë rëndësi përfundimit të tyre në ahiret (botën tjetër), por u intereson vetëm realizimi i epsheve të tyre dhe mbushja e barkut!

Jo, por unë flas për muslimanët që falen. A janë mveshur ata që falen me këto cilësi të përmendura në fillim të sures Muminun?

Përgjigja në shkallë shoqërie dhe ymeti: "Jo"

Kështu që:

"Shpreson shpëtimin por nuk ndjek rrugët e tij.

Anija në të thatë nuk noton."

Pra, duhet patjetër që të merren shkaqet, të cilat janë plotësisht nga ligjet fetare, pas atyre (ligjeve) universale, me qëllim që Zoti ynë ta largojë këtë poshtërim i cili na ka mbuluar të gjithëve.

Unë përmenda këto cilësi prej cilësive të besimtarëve të përmendura në fillim të kësaj sure, por ekzistojnë hadithe pejgamberike me të cilat i kujtojmë gjithnjë vëllezërit tanë, të cilat të kujtojnë gjendjen e keqe të muslimanëve sot dhe se ata, sikur ta kujtonin këtë të keqe, do të ishte turp për ta që të pyesnin veten:

Përse na ka kapur ky përçmim?

-Sepse ata janë treguar të pavëmendshëm në shkeljet e tyre të Sheriatit të Allahut.

Nga ato hadithe është edhe fjala e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "Kur të shisni e blini me Ijne (lloj kamate), të shkoni pas bishtit të lopëve (pasurive të dynjasë), t'ju kënaqin të mbjellat, dhe të lini xhihadin në Rrugën e Allahut, atëherë Allahu do të hedhë mbi ju poshtërim, të cilin nuk ka për ta hequr nga ju deri sa të ktheheni në fenë tuaj."[16]

Rreth këtij hadithi kam folur shumë dhe në raste të shumta e të ndryshme, por këtu desha të qëndroj pak vetëm në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "Kur të shisni e blini me Ijne".

Ijne është nga llojet e të punuarit me fajde. As këtu nuk desha të hyj me hollësi, por a ka ndonjë prej jush që nuk e di se muslimanët punojnë me lloje të ndryshme të fajdeve dhe se këto bankat me fajde janë ngulur me rrënjë në të gjitha vendet muslimane, dhe ato janë pranuar si të ligjshme nga të gjitha sistemet qeverisëse në vendet Islame.

Kthehem dhe them se kjo nuk është vetëm nga udhëheqësit por edhe nga nënshtetasit, sepse nënshtetasit janë ata të cilët punojnë me këto banka dhe janë pikërisht ata, me të cilët kur diskutohet dhe u thuhet:

Ju e dini se fajdet janë haram dhe se çështja e tyre është ashtu si ka thënë Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "Një dirhem nga fajdet që e ha njeriu është më e rëndë tek Allahu i Madhëruar se 36 herë bërje zina (prostitucion)."[17]

(Kur i thua dikujt) -Përse vëlla punon me fajde?

Ai të thotë: "Si t'ja bëjmë? Do të jetojmë!"

Në fakt populli i meriton këta udhëheqës të tillë. Dhe siç i thonë: Këta udhëheqës nuk na kanë zbritur nga Marsi, por ata kanë dalë nga ne dhe tek ne.

Kështu që, nëse dëshirojmë përmirësimin e gjendjes sonë, kjo nuk bëhet duke shpallur luftë guerilase kundër udhëheqësve tanë dhe të harrojmë vetet tona, ndërkohë që problemi i vërtetë i botës islame sot jemi vetë ne.

Prandaj ne i këshillojmë muslimanët që të kthehen te feja e tyre dhe të praktikojnë atë që dijnë nga feja e tyre;

+وَيَوْمَئِذٍ يَفْرَحُ الْمُؤْمِنُونَ_

"E atë ditë besimtarët do gëzohen me ndihmën e Allahut."  [Rrum, 4-5].

Të gjitha problemet që janë sot dhe për të cilat influencohen disa të rinj dhe thonë: Si të veprojmë? Qoftë kjo për fatkeqësinë që ka rënë pranë nesh (pranë Jordanisë), që i ka rënë botës islame dhe asaj arabe, prej pushtimit çifut në Palestinë, apo për luftën e të krishterëve kundër muslimanëve në Artiria, Somali, Bosnje-Hercegovinë, e në vende të tjera të njohura sot. Të gjitha këto probleme nuk mund të zgjidhen me emocione, por ato zgjidhen me dije dhe punë.

+وَقُلِ اعْمَلُواْ فَسَيَرَى اللّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ وَسَتُرَدُّونَ إِلَى عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ_

"Dhe thuaju: "Punoni se Allahu do t'i shohë punët tuaja dhe i Dërguari i Tij e edhe besimtarët. Pastaj ju do të ktheheni me veprat që keni punuar." [Teube, 105].

"Dhe thuaju: "Punoni". Të qëndrojmë pak tek kjo pikë.

Puna për Islamin sot në terrenin  musliman, ka forma nga më të shumtat, që ushtrohen nga grupe dhe parti të shumta. Dhe e vërteta është se këto parti janë nga problemi i botës islame, të cilat e zmadhojnë problemin edhe më  shumë nga ç'e mendojnë disa prej tyre. Dikush prej tyre mendon se problemi është pushtimi i Palestinës nga çifutët.

Pra, ajo që përmendëm më parë për luftimin e shumë vendeve muslimane nga kufarët. Ndërsa ne themi se problemi është edhe më i madh se kaq; problemi është përçarja e muslimanëve. Vetë muslimanët janë të ndarë në grupe e parti në kundërshtim me Fjalën e Allahut të Madhëruar:

+وَلَا تَكُونُوا مِنَ الْمُشْرِكِينَ. مِنَ الَّذِينَ فَرَّقُوا دِينَهُمْ وَكَانُوا شِيَعاً كُلُّ حِزْبٍ بِمَا لَدَيْهِمْ فَرِحُونَ_

"Dhe të mos jeni prej idhujtarëve, nga ata të cilët e shpërbënë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, secili grup duke u kënaqur me të veten." [Rrum, 31-32].

Grupet islame sot janë në kundërshtim me njëri-tjetrin në lidhje me rrugën dhe mënyrën e trajtimit të problemit, nga i cili vuajnë të gjitha ato grupe; poshtërimi që ka rënë mbi muslimanët dhe mënyra e të shpëtuarit nga ai.

Ekzistojnë disa rrugë të ndryshme, e para e të cilave, optimalja dhe idealja, përveç të cilës nuk ka tjetër, ajo tek e cila ne thërrasim gjithnjë dhe kurdoherë; ajo është: të kuptuarit e Islamit me kuptim të saktë, praktikimi i tij dhe edukimi i muslimanëve sipas këtij Islami të kulluar.

Kjo është rruga dhe suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), siç e thamë dhe e themi gjithnjë e kurdoherë.

Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) filloi me shokët e tij duke i thirrur të besonin në Allahun dhe të Dërguarin e Tij. U mësoi atyre shtyllat e Islamit dhe i urdhëroi ata që t'i praktikonin ato. Dhe kur ata  ankoheshin tek ai për zullumin që u bëhej atyre nga ana e politeistëve dhe për torturat që u bëheshin, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëronte ata që të bënin durim. Pra, i urdhëronte që të duronin.

Kështu është ligji i Allahut për krijesat e Tij, që e vërteta të luftohet nga e pavërteta dhe besimtarët nga idhujtarët, e kështu.

Rruga e parë për trajtimin dhe zgjidhjen e kësaj çështje aktuale është dija e dobishme dhe puna e mirë.

Në terren sot ekzistojnë lëvizje dhe thirrje të tjera, të cilat takohen të gjitha në kundërshtimin e rrugës së parë dhe ideales, përveç të cilës nuk ka të dytë, dhe ajo rrugë e tyre është: Lëreni Islamin mënjanë tani, për nga obigueshmëria e të kuptuarit e tij dhe të punuarit me të, sepse çështja tani është më e rëndësishme. Çështja tani është që të bashkohemi dhe të bëhemi një në luftimin e kafirave!

SubhanAllah! E si mund të luftohen kafirat pa pasur armë?!

Çdo njeri që ka sadopak logjikë, e di që nëse nuk ka armë materiale, nuk mundet kurrë që ta luftojë armikun e tij të armatosur, jo me një por me shumë armë materiale.

Në qoftë se kërkon të luftojë armikun e tij të armatosur dhe vetë është i paarmatosur, çfarë i thuhet atij?

 -Luftoje! Luftoje atë pa u armatosur!

-Apo i thuhet: Armatosu pastaj lufto?

Nuk ka  pikë kundërshtimi se përgjigja do të jetë: Armatosu pastaj lufto!

Kjo për nga ana materiale. Por për nga ana morale, çështja është shumë më e rëndësishme se kjo. Në qoftë se duam t'i luftojmë kafirat, nuk do mund t'i luftojmë kurrë ata duke e lënë Islamin mënjanë, sepse kjo është në kundërshtim me atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë urdhëruar besimtarët, në ajete të shumta, si në Fjalën e Allahut:

+وَالْعَصْرِ. إِنَّ الْإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ. إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ. وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ_

 "(Betohem) për kohën! Me të vërtetë që njeriu është në humbje të plotë, përveç atyre që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin të jenë të durueshëm." [Asr, 1-3]

 

"Me të vërtetë që njeriu është  në humbje të plotë." Padyshim që ne tani jemi në humbje.

Përse?

-Sepse ne nuk kemi zbatuar atë që Allahu i Madhëruar ka thënë prej përjashtimit nga ajo humbje, kur thotë:

 

+إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ_

 

"Përveç atyre që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin të jenë të durueshëm."  [Asr, 2-3]

Ne tani themi: Besojmë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Por kur i ftojmë muslimanët e partiakshëm, të bashkuar dhe në koalicion, në kundërshtim me thirrjen e vërtetë, për kthim tek Kurani dhe Suneti, ata thonë: Ta lëmë mënjanë këtë tani, sepse më e rëndësishmja është luftimi i kafirave!

Ne u themi: Me apo pa armë?

Eshtë e domosdoshme të paisemi me dy armë:

Arma e parë është arma morale, për të cilën ata thonë: "Lëreni këtë armë morale mënjanë, dhe kapni armën materiale!"

Mirëpo as armë materiale nuk ka, sepse kjo është e pamundur për shkak të gjendjes zotëruese sot, jo vetëm nga kafirat që na rrethojnë nga çdo anë, por edhe nga disa udhëheqës të cilët na sundojnë. Ne sot nuk mundemi, duam apo nuk duam, që të përgatitemi nga arma materiale. Këtë nuk mundemi ta bëjmë.  Pastaj themi: Duam të luftojmë me armë materiale, ndërkohë që nuk ka rrugë për atje.

Ndërsa arma morale, të cilën e kemi para duarve:

"Dije se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut..."

Pra, dija pastaj puna me aq sa mundemi.

Pastaj me gjithë thjeshtësinë, thonë: "Lëreni mënjanë këtë!"

Kjo është e mundur dhe na urdhërojnë ta lëmë mënjanë, ndërsa ajo tjetra që është e pamundur, na thuhet: "Duhet të luftojmë!" Po me çfarë të luftojmë?

Kështu që, i humbëm që të dyja armët, armën morale, të dijes, për të cilën na thuhet që ta shtyjmë se nuk e ka kohën, dhe armën materiale të cilën nuk e kemi, kështu që kemi ngelur të shkatërruar, të shkretuar dhe të dobët në të dyja llojet e armëve; shpirtërore dhe materiale.

Nëse do të ktheheshim në kohën e parë dhe të ndritur, e cila është koha e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), a kishte ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) armë materiale?

Përgjigja është "Jo".

Atëherë cili ishte çelësi i fitores, arma materiale apo ajo morale dhe shpirtërore?

Padyshim që ishte arma shpirtërore dhe me atë armë filloi thirrja, si në ajetin: "Dije se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut..."

Pra, dija është para gjithçkaje. Dija për Islamin është para së gjithash. Pastaj praktikimi i këtij Islami me sa të mundemi.

Ne mundemi ta mësojmë akiden Islame, akiden e saktë sigurisht. Mundemi gjithashtu të mësojmë adhurimet dhe dispozitat Islame, mundemi ta mësojmë moralin dhe sjelljen Islame.

Të gjitha këto gjëra, edhe pse janë brenda mundësive, por shumica e muslimanëve me partitë dhe koalicionet  e tyre, i kanë kthyer shpinën këtyre. Dhe pastaj ngrenë zërat lart, duke thënë: "Duam xhihad!"

Ku është xhihadi, përderisa arma e parë ka humbur, ndërsa të dytën nuk e posedojmë?

Sikur të gjenim sot një grup musliman të bashkuar vërtetë në Islamin e pastër dhe që e praktikojnë saktësisht atë, por që nuk posedojnë armë materiale, këtyre u vjen urdhëri i Allahut, në ajetin e mirënjohur:

+وَأَعِدُّواْ لَهُم مَّا اسْتَطَعْتُم مِّن قُوَّةٍ وَمِن رِّبَاطِ الْخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدْوَّ اللّهِ وَعَدُوَّكُمْ_

"Dhe përgatisni kundër tyre sa të mundeni prej fuqisë që keni, bashkë me kalorinë, për ta frikësuar armikun e Allahut dhe tuajin..." [El Enfal, 60].

Sikur ne ta posedonim armën e parë, atë shpirtërore, përveç kësaj ne urdhërohemi që të përgatitemi gjithashtu materialisht. A mund të luftojmë nëse nuk posedojmë forcë ushtarake?

Përgjigja është "Jo", sepse kështu nuk e praktikojmë këtë ajet, i cili na urdhëron që të përgatitemi materialisht (ushtarakisht).

E si mund të luftojmë kur ne jemi të zbrazur nga të dyja llojet e armatimeve; shpirtërore dhe ushtarake?!

Për armatim ushtarak tani nuk mundemi, ndërsa për armatim shpirtëror kemi mundësi. Kështu që;

+لاَ يُكَلِّفُ اللّهُ نَفْساً إِلاَّ وُسْعَهَا_

"Allahu nuk ngarkon askënd më tepër mundësive të tij." [El Bekare, 286].

+فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ_

"Kini frikë Allahun (zbatoni fenë) sa të mundeni!" [Et Tegabun, 16]. Dhe ajo që ne mundemi të bëjmë tani është dija e dobishme dhe puna e mirë.

Ndoshta e zgjata ca përgjigjen më tepër se ç'duhet, por tani po e përmbledh dhe them:

Problemi i muslimanëve nuk është vetëm në Palestinë, o vëllezër! Sepse, me keqardhje të madhe, nga grumbulli i devijimeve që ka kapur muslimanët sot është se ata e kundërshtojnë dijen e tyre në të vepruar.

Kur flasim për Islamin dhe vatanin Islam, themi se të gjitha vendet islame janë vatan për çdo musliman. Nuk ka dallim mes një arabi dhe një joarabi, as mes një saudiani, jordanezi, egjiptiani etj.

Por në realitet këto dallime ekzistojnë. Këto dallime ekzistojnë në terren, dhe jo vetëm nga politika. Kjo nuk është aspak për t'u habitur, por ajo është prezente edhe në mesin e atyre që e praktikojnë fenë.

P.sh.: Disa thirrës muslimanë i gjen të interesohen për Palestinën, ndërsa për muslimanët e vendeve të tjera atyre nuk u intereson.

P.sh: Kur lufta ishte ende e ndezur mes muslimanëve afganë dhe sovjetikëve dhe bishtave të tyre komunistë. Në atë kohë kishte parti muslimanësh që nuk interesoheshin për këtë luftë mes muslimanëve afganë dhe komunistëve. Përse? Sepse ata nuk ishin p.sh. sirianë, egjiptianë, e kështu.

Pra, problemi tani nuk është i kufizuar vetëm në Palestinë, por ai është përhapur edhe në vende të tjera muslimane.

Atëherë si ta zgjidhim këtë problem të përgjithshëm?

-Me të dyja forcat së bashku; shpirtërore dhe ushtarake.

 

Me cilën prej tyre të fillojmë?

-Të fillojmë para çdo gjëje me atë që është më e rëndësishme pastaj me atë më pak të rëndësishme, veçanërisht kur ajo më e rëndësishmja është e mundshme që të bëhet, dhe ajo është arma moralo-shpirtërore; të kuptuarit e Islamit me kuptim të saktë dhe praktikimi i tij saktësisht, pastaj vjen armatimi ushtarak nëse është mundësia.

Por sot, me keqardhje të madhe dhe në lidhje me atë që ndodhi në Afganistan, armët me të cilat muslimanët luftuan kundër komunistëve, armatimet ushtarake me të cilat ata luftuan, a ishin armatime muslimane?

Përgjigja është "Jo". Ato ishin armatime perëndimore.

Pra tani, nga ana e armatimit ushtarak ne jemi të robëruar. Sikur të donim të luftonim dhe të ishim të fortë nga armatimi shpirtëror dhe të donim të luftonim me armë ushtarake, do të na duhet ta importojmë këtë armë duke e blerë atë, ose me bursë apo në shkëmbim të diçkaje tjetër, siç e dini nga politika e sotme perëndimore.

Siç i thonë në një fjalë të popullit: "Më thuaj të të them." D.m.th. asnjë shtet nuk të shet armë qoftë edhe me çmim, pa vendosur më parë kushte që ti, o popull musliman, të zbresësh dhe t'i pranosh ato kundrejt kësaj arme të cilës ti i paguan gjithashtu edhe çmimin e saj material.

Pra, vëllezër, çështja nuk është ashtu si mund të imagjinohet; thjesht emocione, gjaknxehtësi të rinjsh apo revolucione si shkuma e sapunit, e cila fryhet pastaj shkrin në vend dhe nuk lë absolutisht asnjë lloj gjurme.

Dhe së fundi them: "Thuaju: Punoni, se Allahu do ta shohë punën tuaj, edhe i Dërguari i Tij..."

Por e përsëris, se puna s'bën dobi veçse duke qenë e shoqëruar me dije të dobishme, dhe dija e dobishme është: "Allahu thotë", "I Dërguari thotë"; ashtu si ka thënë edhe Ibën el Kajim (Allahu e mëshiroftë!): "Dija është: "Allahu thotë", "I Dërguari thotë", "Sahabët kanë thënë".

Fatkeqësia e botës islame sot është më e rrezikshme dhe disa prej jush mund të habitet për këtë që po them; fatkeqësia e botës islame sot është më e rrezikshme se pushtimi i çifutëve në Palestinë!

Fatkeqësia e botës islame sot është se ata e kanë humbur rrugën e drejtë, dhe se ata nuk e kanë njohur Islamin, me të cilin arrihet lumturia e dynjasë dhe e ahiretit së bashku.

Dhe nëse në disa raste muslimanët jetojnë në përçmim e të persekutuar nga kafirat dhe idhujtarët, edhe nëse vriten dhe kryqëzohen, pastaj vdesin, nuk ka dyshim se ata vdesin të lumtur, edhe nëse në dynja kanë jetuar të përçmuar dhe të persekutuar.

Ndërsa ai i cili jeton i nderuar në dynja, por larg të kuptuarit e Islamit ashtu si ka dashur Allahu dhe i Dërguari i Tij, ky ka për të vdekur i trishtuar, edhe nëse ka jetuar i lumtur në pamjen e jashtme.

Pra, Allahu ju begatoftë, dhe për t'i dhënë rastin ndonjë pyetje tjetër, trajtimi dhe zgjidhja është:

+فَفِرُّوا إِلَى اللَّهِ_

"Pra, ikni shpejt drejt Allahut!"

"Pra, ikni shpejt drejt Allahut!" do të thotë: Kuptoni atë që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Allahut, dhe veproni me atë që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Me kaq e përfundoj këtë përgjigje.  Allahu ua shpërbleftë me të mira!

 

Pyetësi: Kjo pyetje ka lidhje me diçka që keni përmendur në një takim të mëparshëm, se ju nuk i keni lejuar sulmet vetvrasëse.

Shejhu: -Po, e vërtetë.

Pyetësi: -Pra, ju nuk i keni lejuar sulmet vetvrasëse dhe duam pak sqarim rreth kësaj çështje. Dhe a mundet burri apo gruaja që të shkojë në xhihad pa lejen e prindërve?

Shejhu: -Për mendimin tim, në lidhje me sulmet vetrasëse, për të cilat kam folur disa herë disi në detaje, por problemi është se tubimet ndryshojnë nga njëri-tjetri; herë flasim përmbledhur dhe herë me hollësi.

Eshtë e ditur tek të gjithë dijetarët pa përjashtim dhe unanimisht, se muslimanit nuk i lejohet të vrasë veten; me kuptimin që t'i japë fund fatkeqësive, varfërisë apo për shkak të ndonjë sëmundje të gjatë dhe të dhimbshme, e të ngjashme, kjo vetvrasje që bëhet për t'i dhënë fund gjërave të tilla, padyshim që është haram.

Gjenden hadithe të sakta në dy "Sahihat" e Buhariut dhe Muslimit, ku thuhet: "Kushdo që e vret veten e tij me helm, apo me mbytje, a diçka tjetër, ai do të vazhdojë të torturohet me po atë mjet, në botën tjetër."

Madje disa dijetarë kuptuan nga kjo se ai që vret veten, vdes si kafir. Kjo sepse ai nuk e bën këtë vetëm ngase mbart në vetvete mëri për Zotin e tij për shkak të asaj që bëri me të prej fatkeqësive të cilat ai nuk i duroi dot.

Muslimani nuk arrin as atje që ta mendojë vetvrasjen dhe jo më ta bëjë atë.

Dhe këtu vjen një shembull për një çështje të mëparshme, se dija duhet të shoqërohet nga puna, dhe në qoftë se nuk ka dije të saktë, nuk ka as punë të saktë.

Kur muslimani mëson dhe edukohet sipas asaj që ka ardhur në Kuran dhe në Sunet, frytet e hovit të tij në jetën e dynjasë ndryshojnë dhe ndryshojnë gjithashtu punët e tij nga punët e të tjerëve të cilët -nuk them që nuk besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij- jo, ata e besojnë këtë, por nuk e kanë njohur atë që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij.

E nga ajo që ka thënë Allahu i Madhëruar, në gjuhën e Pejgamberit të Tij, alejhi selam: "Çudi me të gjithë çështjen e besimtarit! Nëse atij i vjen ndonjë e mirë, ai lavdëron Allahun dhe e falënderon Atë, dhe kjo është e mirë për të. E nëse e kap ndonjë e keqe, ai duron dhe kjo është e mirë për të."[18]

Pra, çështja e besimtarit është e gjitha hajër: "Dhe kjo nuk është veçse për besimtarin."

Prandaj atë të cilin e kap ndonjë sëmundje kronike (e përhershme), apo skamje, duke qenë se ai është besimtar, kjo nuk ndikon tek ai, qoftë me shëndet të mirë apo me shëndet të keq, i pasur apo varfër, për të është njësoj. Sepse, siç i thonë edhe në një fjalë popullore, ai është si sharra, ngjitet apo zbret, ai ka sevape dhe fiton punë të mira. Nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falënderon Allahun dhe kështu shpërblehet me të mira, dhe nëse e kap ndonjë e keqe, ai duron dhe kjo është e mirë për të.

Atëherë cili është ai që vret veten?

Zakonisht ai nuk është besimtar. Por mund të përfytyrojmë që ndonjë musliman ta zërë ndonjë çast dobësie, ta humbë mendjen, dhe të vrasë veten.

Kjo është diçka që mund të ndodhë me këtë njeri dhe për shkak të kësaj mundësie ne nuk mund ta themi me siguri që ky njeri nuk është besimtar. Ky është si lënësi i namazit, i cili e mohon obligueshmërinë e tij.

Nëse vdes një musliman me emrin Ahmed bin Muhamed, apo Muhamed bin Zejd, e të ngjashme, por që ishte i njohur për mohimin e namazit dhe për mohimin e riteve të Islamit, nëse ky vdes (në këtë gjendje), ai nuk është prej muslimanëve.

Po kështu, është edhe me atë që vret veten dhe dihet se ai e bëri këtë për të shprehur inatin kundër Allahut të Madhëruar për shkak të fatkeqësive që i ndodhën.

Pra, thamë se mund t'i ndodhë çrregullim mendor dhe të vetëvritet, dhe nga ekzistenca e kësaj mundësie, ne nuk themi se çdokush që vret veten është kafir dhe se nuk varroset në varrezat e muslimanëve (nuk e themi këtë).

Tani vijmë tek sulmet vetvrasëse (kamikaze). Këto ne i kemi njohur nga japonezët dhe të ngjashëm me ta. Kur dikush për shembull sulmonte ndonjë anije luftarake amerikane me aeroplanin e tij, ai shpërthente bashkë me aeroplanin, duke goditur ata ushtarë që gjendeshin në atë anije ushtarake amerikane.

Ne themi: Sulmet vetëvrasëse në këtë kohë janë të palejuara në Sheriat, që të gjitha.

Që të gjitha ato janë haram dhe mund të jenë prej atij lloji, autori i të cilit do të jetë përgjithmonë në zjarr, ose prej atij lloji, autori i të cilit nuk do të jetë përgjithmonë në zjarr, siç e sqarova pak më parë.

Por që të jetë sulmi vetëvrasës adhurim me të cilin dikush dëshiron të afrohet tek Allahu duke qenë se lufton për tokën dhe vatanin e tij, këto sulme vetëvrasëse nuk janë kurrsesi islame.

Madje unë them sot atë që përfaqëson realitetin Islam, por jo atë realitet që duan disa muslimanë entuziastë.

Sot nuk ka xhihad në tokën Islame, absolutisht.

Eshtë e vërtetë se ka luftime në shumë vende, por që të ketë xhihad nën flamur dhe udhëheqje Islame, dhe që ngrihet mbi rregulla Islame, nga të cilat është gjithashtu se ushtari nuk mund të veprojë sipas mendjes së tij dhe as sipas përpjekjes së tij, por ai zbaton urdhrin e komandantit të tij. Dhe ky komandant nuk është ai i cili është vetëemëruar komandant, por ai të cilin e ka emëruar halifja i muslimanëve; por ku është halifja i muslimanëve sot?!

Ku është halifja, madje ku është ai udhëheqës që të ketë ngritur flamurin e Islamit dhe të thërrasë muslimanët që t'i bashkohen atij dhe të luftojnë në rrugën e Allahut të Madhëruar?

Kjo gjë nuk ekziston.

Përderisa xhihadi Islam është i kushtëzuar që të bëhet nën flamur Islam, dhe ky flamur Islam nuk ekziston, atëherë as xhihadi Islam nuk ekziston.

Kështu që as vetëvrasje Islame nuk ekziston, dhe kam për qëllim atë lloj vetëvrasje që ishte e njohur më parë, në kohën e të luftuarit me shtizë, me shpata e me harqe.

Një lloj i kësaj lufte i ngjante vetëvrasjes. P.sh: Kur një nga individët e ushtrisë sulmonte me shpatën e tij një grup nga ushtria e kafirave dhe idhujtarëve, dhe lufton duke i goditur djathtas-majtas. Ky njeri zakonisht, rrallë mund të shpëtojë pa u vrarë, atëherë a i lejohet atij që ta bëjë këtë?

Themi: Lejohet dhe nuk lejohet!

Në qoftë se komandanti i ushtrisë muslimane, i cili në atë kohë ka qenë vetë Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pra, nëse ai i jep lejë atij, atëherë i lejohet kjo gjë. Por që të bëjë sipas kokës së tij, kjo gjë nuk lejohet, sepse kjo është rrezikshmëri dhe aventurë për të mos thënë kumar dhe rezultati do të jetë humbje.

Pra, kjo nuk lejohet veçse me lejen e udhëheqësit musliman apo halifes musliman.

Përse?

-Sepse ky halife musliman supozohet që t'i peshojë gjërat dhe t'i vlerësojë ashtu si duhet. Ai e di për shembull se kur 100 ushtarë mund të sulmojnë 1000 nga kafirat ose më pak apo më shumë, dhe i urdhëron ata për atë që duhet bërë. Dhe ai e di se prej tyre mund të vriten dhjetëra, por e di që fitorja do të jetë për muslimanët.

Në qoftë se komandanti i ushtrisë muslimane, i emëruar nga halifja i muslimanëve, urdhëron një prej ushtarëve që të kryejë një nga mënyrat vetëvrasëse bashkëkohore, kjo do të ishte një nga llojet e xhihadit në Rrugën e Allahut të Madhëruar.

Por ama vetëvrasje me kokën e një të riu entuziast, siç dëgjojmë sot, p.sh; që disa individë ngjisin malet, shkojnë tek ndonjë grup nga ushtria çifute, vrasin disa prej tyre pastaj vriten.

Çfarë dobie kanë gjëra të tilla?

Këto janë veprime individuale, të cilat nuk sjellin asgjë në favor të thirrjes islame, kurrsesi.

Prandaj ne u themi të rinjve muslimanë: Ruajeni jetën tuaj, me kusht që të mësoni fenë tuaj, Islamin tuaj, ta njihni atë me njohje të saktë dhe të punoni me të në kufijtë e mundësive tuaja.

Kjo punë, edhe nëse është e ngadaltë por është ajo e cila do të japë frytet e kërkuara, të cilat i dëshiron sot çdo musliman, sado qofshin kundërshtimet ideore apo metodologjike mes tyre.

Që të gjithë ata janë të një mendjeje se Islami duhet të jetë gjykues (udhëheqës), por kundërshtohen në rrugët drejt kësaj, siç e kam përmendur në fillim.

Dhe udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

 

Pyetje: Kjo kohë është mbushur me fitne (sprova) dhe ato shtohen. A i lejohet muslimanit të ndahet (veçohet) nga njerëzit, dhe çfarë thoni në lidhje me Fjalën e Allahut: "O ju që keni besuar! Kujdesuni për veten tuaj..." [El Maide, 5]?

A hyn këtu gjithashtu fjala e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Hudhejfes: "Largoju të gjithave atyre grupeve...!" deri në fund të hadithit?

 

Përgjigje: Kjo pyetje përmban në vetvete një numër pyetjesh, prandaj po e filloj me pyetjen e parë.

A e ka detyrë muslimani që të ndahet nga njerëzit?

-Muslimanët ndryshojnë nga njëri-tjetri, së pari nga besimi i tyre, pastaj nga koha dhe nga vendi i tyre. Kush është me besim të fortë dhe nuk ka frikë për veten e tij se mund të devijojë, në akiden apo sjelljen e tij, më e mira për të është që të përziehet me muslimanët dhe të mos ndahet prej tyre.

Për këtë kemi tekst të qartë, në fjalën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të cilën e transmeton Tirmidhiu e të tjerë prej autorëve të "Suneneve", nga Abdullah bin Umer bin el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Besimtari i cili përziehet me njerëzit dhe i duron dëmet e tyre, është më i mire se ai që nuk përziehet me ta dhe nuk duron në dëmet e tyre."[19] 

Pra, "Besimtari i cili përziehet me njerëzit dhe i duron dëmet e tyre, është më i mire se ai që nuk përziehet me ta dhe nuk duron në dëmet e tyre."

Nga ajo që plotëson përgjigjen  e mëparshme, në lidhje me faktin se çështja ndryshon me ndryshimin e besimit të muslimanit, të vendit dhe kohës së tij, është se ekzistojnë hadithe në "Sahihun" e Buhariut dhe të Muslimit, etj.: "Se njeriu më i mirë në kohë fitnesh është një burrë i cili ka bagëti, dhe ndahet nga njerëzit duke shkuar nëpër fusha. Ha e pi nga bagëtitë e tij. Dhe kështu njerëzit janë të siguruar nga sherri i tij dhe ai nga sherri i tyre".

Kjo është në kohë sprovash (fitnesh). E s'ka dyshim se kohët e sprovave ndryshojnë për nga përmasat e tyre.

Kështu që, çështja kthehet në marrjen parasysh besimin e besimtarit; kush e ka besimin të fortë (siç e thamë më parë) dhe nuk ka frikë për veten e tij se mund të devijojë në akiden e tij, në adhurimin apo sjelljen e tij, më e mira për të është të qëndrojë me njerëzit, dhe padyshim se në të qëndruarit e tij mes tyre, ai do të ngrihet me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, do të këshillojë, e të ngjashme me këto.

Kjo është më e mirë dhe më e dobishme për të, se sa të ndahet nga njerëzit për të shpëtuar veten e tij. Kjo ishte pyetja e parë.

 

Pyetja e dytë: Në lidhje me Fjalën e Allahut:

+يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ عَلَيْكُمْ أَنفُسَكُمْ_

"O ju që keni besuar! Kujdesuni për veten tuaj..."

Tefsiri i këtij ajeti ka ardhur në "Sunenet", gjithashtu në "Musnedin" e imam Ahmedit nga hadithi i Ebu Bekër es Sidik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ai mbajti hytbe një ditë dhe tha: "O njerëz! Ju po e komentoni këtë ajet jo ashtu si është komentimi i tij. Unë kam dëgjuar Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: "O ju njerëz! Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja. E nëse urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja, atëherë nuk kanë për t'ju dëmtuar ata që kanë humbur, nëse jeni udhëzuar dhe ecni drejt."

Pra, nuk është kuptimi i ajetit që të ndaheni nga njerëzit dhe të mendoni vetëm për vete, të mos urdhëroni për të mirë dhe të mos ndaloni nga e keqja.

Jo, nuk është kështu. Por nëse urdhëroni për mirë dhe ndaloni nga e keqja, por njerëzit nuk i përgjigjen thirrjes suaj, atëherë nuk kanë për t'ju dëmtuar ata të humburit, nëse ju jeni të udhëzuar dhe veproni drejt (konform sheriatit).

Madje nga plotësimi i udhëzimit tuaj është se kur ju shihni ndonjë të keqe, ndaloni nga ajo dhe kur shihni diçka që duhet të veprohet, urdhëroni për mirë, e kështu. Kjo ishte pyetja e dytë.

 

Pyetja e tretë ka lidhje me hadithin e Hudhejfes; "Largoju të gjitha atyre grupeve!"

Ky hadith ka lidhje të plotë me aktualitetin tonë të tanishëm, d.m.th: kur muslimanët të ndahen në grupe e parti, ku secili bëhet fanatik për grupin dhe partinë e tij, nuk i lejohet muslimanit, në këtë rast, që të bëjë pjesë në ndonjë nga këto grupe, përveç një grupi të vetëm.

Nëse ai gjendet dhe ka në krye një prijës të cilit i është dhënë besa nga muslimanët, atëherë të gjithë duhet të jenë me këtë grup dhe me këtë palë.

Dhe nëse nuk ka një grup me në krye një prijës të cilit i është dhënë besa, atëherë duhen lënë të gjitha grupet e tjera.

Por që t'u largohesh të gjitha grupeve, nuk do të thotë që të ndahesh dhe të jetosh i vetëm në majë të malit.

Jo, por kuptimi i kësaj është që të mos bëhesh partiak me një grup kundër një grupi tjetër.

Kjo është për qëllim me hadithin e Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

 

Kjo ishte fjala e shejhut të nderuar, Allahu e mëshiroftë!

Lusim Allahun e Madhëruar që t’i kthejë muslimanët në fenë e Tij, me një kthim të vërtetë!

 

Lutja jonë e fundit është:

Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!



[1] Hadith Sahih. Atë e ka nxjerrë Ibën Maxheh (241), Ibën Hibani dhe Et Taberani në "El Mu'xhem es Sagir".

Gjithashtu transmetohet dhe nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kur njeriu vdes, atij i ndërprehet puna, përveç tri gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të." Hadith Sahih. E ka nxjerrë Muslimi (1631), Buhariu në librin e veçantë për moralin, Tirmidhiu (1376), En Nesai etj.

[2] Këtë hadith e ka nxjerrë imam Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibën Maxheh dhe Darakutni. Imam Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka quajtur të saktë.

[3] Sahih. Et Tabarani.

[4] Senedi i këtij etheri është Sahih.

[5] Shkëputur nga "Dija në hadithet e sakta dhe në fjalët e të parëve." Ebu Umer Jusuf bin Abdulberr.

[6]"Fetaua ulemai el beledi el haram" f. 407, Ibën Uthejmini

[7] Pjesë nga hadithi i transmetuar nga Buhariu, Muslimi etj.

[8] Sahih, Buhariu 6137.

[9] Hasen, transmeton Et Tirmidhiu 2322, Ibën Maxhe 4112 etj.

[10] Buhariu dhe Muslimi

[11] Transmetimi i parë është Hasen ndërsa i dyti është Sahih.

[12] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu (2685), Taberani në "El Kebir".

[13] Sahih. Ky tekst është prej hadithit të Ibën Abasit të përmendur nga Taberani në "El Kebir". Ky hadith ka gjithashtu dëshmues nga hadithi i Enesit, Abdullah bin Amër bin El Asi, Ebu Umame etj.

[14] Kjo është fjala e shejh Mesh'hurit shkëputur nga libri "Metoda e selefëve në trajtimin e fitneve". Botim i librarisë "Imam Albani".

[15] Siç thotë Allahu: "Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata vetë ta ndryshojnë gjendjen e tyre." [Er Rad, 11]. (Përkthyesi).

[16] Hadith Sahih. Es Silsiletu es Sahiha, 11.

[17] Es Sahiha 1033.

[18] Muslimi.

[19] Es Sahiha, 939.

 

 

 

 

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.