FETVA

 

 

OPINIONET  E  DIJETARËVE RRETH

FATKEQËSIVE  TË  ZYMTA BASHKËKOHORE 

SI DHE PAFAJSHMËRIA E THIRRJES SË PASUESËVE TË

MUHAMED IBËN ABDULVEHAB NGA AKUZA E EKSTREMIZMIT DHE TERRORIZMIT

 

Mblodhi dhe renditi: Muhamed ibën Husejn el Kahtani

Përktheu: Bledar Albani

 

 

FETVATË E DIJETARËVE TË MËDHENJ

PËR GJYKIMIN RRETH SHPËRTHIMEVE DHE SHKATËRRIMEVE

NË VENDET ISLAME E VENDE TË TJERA

 

 

Sqarim i Institucionit të Dijetarëve të Mëdhenj rreth ngjarjeve të shpërthimeve të fundit

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi më fisnikun e Lajmëtarëve dhe të Dërguarëve të Allahut, ppejgamberin tonë Muhamedin, dhe mbi familjen e të gjithë shokët e tij.

Në vijim:

Këshilli i Institucionit të Dijetarëve të Mëdhenj, në mbledhjen e radhës së tij të pesëdhjetë e nëntë, të zhvilluar në qytetin e Taifit, e cila filloi më Dt. 11/6/1424 h. (2003), shqyrtoi ngjarjet e fundit të ndodhura në Mbretërinë e Arabisë Saudite prej shpërhtimeve të cilat kanë pasur objektiv shkatërrimin dhe vrasjen e njerëzve, gjë e cila ka shkaktuar prishjen e qetësisë dhe trondotjen e popullit.

 Si dhe shqyrtoi gjithashtu faktin e zbulimit të magazinave të armëve e lëndëve shpërthyese të rrezikshme, të cilat ishin përgatitur për ndërmarrjen e sulmeve shkatërruese e rrënuese në këto vende të cilat janë fortesa e Islamit dhe në to gjendet Vendi i Shenjtë i Allahut dhe Kibla e muslimanëve si dhe xhamia e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kjo, nisur nga fakti se këto përgatitje të tilla të rrezikshme që synojnë kryerjen e krimeve dhe shkatërrimeve e prishjes në tokë, janë tronditëse të sigurisë dhe shkaktojnë vrasjen e njerëzve, shkatërrimin e pronave private apo shtetërore dhe ballafaqim i interesave të popullit musliman me rreziqet më të mëdha.

Duke vështruar në detyrën që u ngarkohet dijetarëve të këtyre vendeve lidhur me sqarimet rreth këtyre rreziqeve; prej obligueshmërisë së bashkëpunimit ndërmjet të gjithë individëve të popullit musliman për zbulimin e tyre, eliminimin e sherrit të tyre, paralajmërimin prej tyre dhe ndalimin (të qënurit haram) e të heshturit nga njoftimi për çdo rrezik që i kanoset sigurisë së popullit:

Këshilli doli në përfundimin se sqarimi rreth këtyre çështjeve është i obligueshëm për faktin se shumë çështje kërkojnë sqarim të domosdoshëm në këtë kohë. Dhe kjo për t'u çliruar nga borxhi që i kemi popullit, për të këshilluar popullin dhe nga dhembshuria për bijtë e muslimanëve nga të qenurit mjet i prishjes e shkatërrimit dhe ndjekës të thirrësve të errësirës, fitnes (trazirave, sprovave) e përçarjes.

A nuk e ka marrë Allahu besën nga dijetarët që t'ua sqarojnë njerëzve (fenë)?! –Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe (përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e parë për ta bërë të njohur e të qartë lajmin dhe të mos e fshihnin atë…" [Al Imran: 187].

Pikërisht për këtë dhe për të përkujtuar njerëzit, e për të paralajmëruar nga shpërfillja e çështjes së ruajtjes së vendeve tona nga rreziqet, këshilli vendosi të bëjë sqarimin në vijim:

 

Së pari: Kryerja e veprave shkatërruese e prishëse –prej shpërthimeve, vrasjeve dhe rrënimit të kapitaleve- është një vepër kriminale e rrezikshme, agresion kundër njerëzve gjaku i të cilëve është i ndaluar të derdhet dhe shkatërrim i kapitalit të konsiderueshëm e të ndaluar.

Kjo është një vepër që meriton dënimin e sheriatit që është zmbrapsës dhe parandalues, duke praktikuar kështu tekstet e sheriatit dhe ngritjen e pushtetit të tij për ndalimin e ngritjes krye kundër përgjegjësve të popullit musliman. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kushdo që del nga bindja (ndaj imamit - udhëheqësit) dhe ndahet nga grupi (i muslimanëve) pastaj vdes në këtë gjendje, ai vdes me vdekje të (kohës së) injorancës (paraislamike). Dhe kushdo që lufton nën një flamur të verbër (që nuk i dihet drejtimi); nxehet për cënimin e një grupi, apo thërret në një grup, apo ndihmon një grup, pastaj vritet në këtë gjendje, atëherë vrasja e tij është vrasje e injorancës. Dhe kushdo që del kundër popullit tim dhe mësyn të prishurin e të mirin pa e ruajtur besimtarin prej tyre, dhe as nuk i përmbahet paktit të atyre që janë me pakt, ai nuk është prej meje dhe unë nuk jam prej tij."[1]

 

Ndaj, kushdo që pretendon se këto rrënime dhe ajo që synohet të arrihet me shpërthime e vrasje është prej xhihadit, ai është injorant i humbur. Këto nuk janë kurrsesi prej xhihadit në Rrugë të Allahut.

Nga ato që përmendëm më sipër shfaqet qartë dhe mësohet se këto që veprojnë ata dhe ata që janë pas tyre, janë prej shkatërrimit, prishjes dhe humbjes së qartë. Ata duhet t'i frikësohen Allahut të Madhëruar, të kthehen tek Ai me pendim, t'i vështrojnë gjërat duke u bazuar në dije të sigurtë dhe të mos shkojnë pas shprehjeve e parrullave të prishura të cilat ngrihen për përçarjen e popullit dhe shkatërrimin e tij, e që në të vërtetë nuk janë prej fesë, por prej mashtrimit të injorantëve e tendenciozëve.

Ndërsa tekstet e sheriatit flasin për dënimin e atyre që ngrihen me vepra të tilla, për parandalimin e tyre dhe zmbrapsjen nga të përsëriturit e veprave të tilla, dhe vendimi për këtë dënim i kthehet gjykatës.

 

Së dyti: Meqënëse kjo që thamë më sipër është bërë e qartë, Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj përkrah atë që bën shteti (Saudian) –Allahu e forcoftë atë me Islamin- për ndjekjen e atij grupi dhe zbulimin e tyre, me qëllim që të ruhen vendet dhe njerëzit nga sherri i tyre, për të eliminuar fitnen (fatkeqësitë, trazirat) nga vendet e muslimanëve dhe për të ruajtur fuqinë dhe unitetin e tyre.

Për këtë shkak, është detyrë e të gjithëve që të bashkëpunojnë për asgjësimin e kësaj çështjeje të rrezikshme, pasi që kjo hyn në bashkëpunimin në të mira e devotshmëri, për të cilin na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar në Fjalën e Tij: "Dhe ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira e përkushtim ndaj Allahut dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynah dhe padrejtësi. Dhe kini frikë Allahun, se padyshim Allahu është i ashpër në ndëshkim." [El Maide: 2].

Këshili tërheq vërejtjen nga të fshehurit e këtyre, apo nga strehimi i tyre, sepse kjo është prej gjynaheve të mëdha dhe bën pjesë nën domethënien përgjithësuese të fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "Allahu e mallkoftë atë që strehon një fajtor!"[2] Ky hadith është muttefekun alejhi. Ndërsa dijetarët e kanë komentuar fjalën "muhdith" –fajtor- në këtë hadith se është për qëllim ai i cili bën shkatërrim dhe prishje në tokë. E nëse është ky kërcënim kaq i madh për atë që e strehon atë, atëherë si do të ishte kërcënimi për atë që e ndihmon apo e përkrah veprën e tyre?!

 

Së treti: Këshilli i bën apel (thirrje) dijetarëve që të kryejnë detyrën e tyre dhe të shtojnë këshillat për drejtimin e njerëzve dhe kuptimin e kësaj çështjeje të rrezikshme, me qëllim që të bëhet e qartë e vërteta.

 

Së katërti: Këshilli e dënon faktin e daljes së ndonjë fetvaje apo mendimi që e përkrah këtë krim, apo e inkurajon atë, për faktin se kjo është prej çështjeve më të rrezikshme dhe më të shëmtuara. Ndërsa Allahu i Lartësuar e ka zmadhuar çështjen e të dhënies fetva (opinion) pa dije, i ka paralajmëruar robët e Tij nga kjo gjë dhe ka sqaruar se kjo është prej punëve të djallit. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Hani prej asaj që është hallall dhe e mirë në tokë dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit. Padyshim që ai është për ju armik i hapur. Ai iu urdhëron ju vetëm të keqen dhe të shthururën dhe që ju të thoni kundër Allahut atë që nuk e dini." [El Bekare: 168-169].

Gjithashtu thotë: "Dhe mos thoni për atë që ua thotë goja duke gënjyer: "Kjo është hallall dhe kjo është haram", që të shpifni gënjeshtër ndaj Allahut, pasi ata të cilët shpifin gënjeshtra ndaj Allahut kurrë nuk do të fitojnë. Veç një kënaqësi të shpejtë e kalimtare do të shijojnë, por për ata do të ketë ndëshkim të dhimbshëm." [En Nahl: 116-117].

Dhe thotë: "Dhe mos ndiq atë gjë për të cilën (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)'ke dijeni. Me të vërtetë që të dëgjuarit, të shikuarit dhe zemra, secila prej tyre do të pyetet (nga Allahu në Ditën e Gjykimit)."

Në një hadith të saktë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kushdo që fton në një vepër të humbur, ai merr gjynah njësoj si ai që e pason atë në atë vepër, pa pakësuar asgjë nga gjynahet e tyre."[3] Muttefekun alejhi.

 

Kushdo që nxjer fetva të atilla apo idera të cilat përkrahin këtë krim, është detyrë e përgjegjësve të shtetit ngritja e çështjes së tyre para gjyqit, që të japë për të vendimin e sheriatit. Ky është këshillim për popullin, shlyerje e borxhit dhe mbrotje e fesë. Dhe është detyrë e atyre të cilëve Allahu u ka dhënë dije, që të paralajmërojnë nga thëniet e pabaza, të sqarojnë dëmin e tyre dhe të zbulojnë falsifitetin e tyre. Është evidente (e mirënjohur) se kjo është prej detyrave të tyre më të rëndësishme dhe prej këshillimit për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për imamët (dijetarët) e muslimanëve dhe për popullin e thjeshtë.

Rreziku i këtyre fetvave shtohet edhe më shumë nëse qëllimi i tyre është cënimi i sigurisë, mbjellja e fitneve (trazirave) dhe stresit, dhe të folurit për fenë e Allahut pa dije dhe sipas epsheve e pasioneve, pasi ky është shfrytëzim i atyre të rinjëve të papërvojë dhe të cilët nuk kanë dije rreth përmbajtjes së këtyre fetvave, si dhe mbulim i të vërtetës nga sytë e tyre duke argumentuar me iluzione e supozime dhe duke ua mbuluar mendjet me qëllimet e tyre të kota, gjë e cila është shumë e shëmtuar dhe tepër e madhe në fenë Islame. Këtë nuk e dëshiron askush prej muslimanëve të cilët i njohin kufijtë e sheriatit dhe qëllimet e tij të larta e fisnike.

Vepra e këtyre që shpifin për dijen është prej shkaqeve më të mëdha për përçarjen e popullit dhe përhapjen e armiqësive në mesin e tij.

 

Së pesti: Është detyrë e përgjegjësve të shtetit që t'i ndalojnë ata të cilët guxojnë të cënojnë fenë dhe dijetarët, dhe të cilët ia zbukurojnë njerëzve tolerancën në çështjet e fesë dhe guximin e të folurit kundra saj dhe dijetarëve të saj, pastaj e lidhin atë që ndodh me të kapurin për fenë dhe me organizatat fetare.

Këshilli e dënon atë që përflasin disa shkrimtarë të cilët lidhin ndërmjet këtyre veprave shkatërrimtare dhe programeve mësimore në vendet tona (duke thënë se i kryejnë këto vepra për shkak se shteti ndërroi programet mësimore të shkollave me programe të marra nga perëndimi). Si dhe dënon gjithashtu shfrytëzimin e këtyre ngjarjeve për të tronditur themelet e këtij shteti të bekuar i cili ngrihet mbi akiden e të parëve tanë të mirë, si dhe për të tronditur thirrjen përmirësuese me të cilën është ngritur dijetari i Islamit Muhamed ibën Abduluehab (Allahu e mëshiroftë!).

 

Së gjashti: Feja Islame ka ardhur të urdhërojë për bashkim, gjë të cilën e ka urdhëruar Allahu në Librin e Tij, si dhe ka ndaluar përçarjen dhe ndarjen në parti e grupe. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për Litarin e Allahut dhe mos u përçani!" [Al Imran: 103].

Dhe thotë: "Vërtet ata të cilët e ndajnë fenë e tyre dhe shpërndahen në grupe e parti, ti nuk ke aspak të bësh me ta…" [El Enam: 159]. Këtu Allahu e ka shfajësuar të Dërguarin e Tij dhe e ka pastruar nga ata të cilët e ndajnë fenë në parti dhe përçahen ën grupe, gjë e cila argumenton për ndalimin e ndarjes në grupe e parti dhe se kjo gjë është prej gjynaheve të mëdha.

Është e njohur vetvetiu dhe në mënyrë të domosdoshme nga feja jonë se qëndrimi me grupin e muslimanëve është vaxhib (detyrë e domosdoshme), dhe se bindja ndaj përgjegjësve të çështjeve të muslimanëve (pushtetarëve) në bindje të Allahut është gjithashtu vaxhib. Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besur! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve të çështjeve tuaja (dijetarëve dhe udhëheqësve të shtetit)." [En Nisa: 59].

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Detyra jote është të dëgjosh e të bindesh (prijësit) në të mirë e në të keqe, në atë që pëlqen e në atë që urren…" E transmeton Muslimi.[4]

Transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kush më bindet mua, ai i është bindur Allahut dhe kush më kundërshton mua, ai ka kundërshtuar Allahun. Dhe kush i bindet prijësit, ai më është bindur mua, e kush e kundërshton prijësin, ai më ka kundërshtuar mua." Ky hadith është Muttefekun alejhi.[5]

Sipas kësaj kanë ecur të parët e këtij populli musliman prej sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe ata që erdhën pas tyre në obligimin e dëgjimit dhe bindjes ndaj prijësit të muslimanëve.

 

Nisur nga ajo që u përmend më sipër, Këshilli paralajmëron për ruajtjen nga thirrësat e humbjes, qorrsokakut dhe përçarjes, të cilat janë shfaqur në këto kohë dhe të cilët ua kanë përmbysur muslimanëve çështjet e tyre dhe i kanë nxitur ata që të kundërshtojnë prijësat e tyre dhe të ngrenë krye kundër tyre, gjë e cila është prej harameve më të mëdha. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Vërtet që do të ketë (pas meje) dobësi e dobësi, por kushdo që kërkon të përçajë çështjen e këtij populli pasi ka qenë i bashkuar, vriteni atë me shpatë kushdoqoftë ai!" E transmeton Muslimi.[6]

Në këtë hadith ka paralajmërim për thirrësat në humbje, qorrsokake e ndarje të popullit dhe paralajmërim për ata të cilët ecin në hapat e tyre; paralajmërim nga këmbëngulja në gabim e shthurje gjë e cila shpie në dënimin e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Detyra e të gjithëve është të kapurit për këtë Fe të Vërtetë dhe të ecurit në Rrugën e Drejtë të bazuar në Kuran dhe Sunet sipas kuptimit të sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe atyre të cilët i kanë ndjekur ata me sinqeritet.

Gjithashtu, është i obligueshëm edukimi i të rinjëve sipas kësaj metodologjie të saktë dhe kësaj rruge të drejtë, me qëllim që të shpëtojnë –me Lejen dhe ndihmën e Allahut- nga tendencat e prishura dhe nga ndikimi i thirrësve të humbjes, trazirave e përçarjes, dhe me qëllim që Allahu t'i bëjë dobi popullit me ta dhe që të jenë mbartës të dijes dhe trashëgues të pejgamberëve. Njerëz të së mirës, pozitivitetit dhe drejtudhëzimit.

Përsërisim edhe një herë obligueshmërinë e të qëndruarit rreth dhe përkrah udhëheqësave të këtyre vendeve dhe dijetarëve të tyre, obligueshmëri e cila shtohet edhe më shumë në kohë të tilla në të cilat po jetojmë; në kohët e trazirave e fitneve.

Këshilli paralajmëron gjithashtu të gjithë popullin pa përjashtim, udhëheqës dhe të udhëhequr; nga gjynahet dhe shpërfillja e çështjes së Allahut, sepse çështja e gjynaheve është shumë e rrezikshme.

Të gjithë të ruhen nga gjynahet, t'i përmbahen urdhërave të Allahut, të zbatojnë ritet e fesë së tyre, të urdhërojnë për të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja!

 

Allahu i ruajtë vendet tona dhe të gjitha vendet e muslimanëve nga çdo e keqe! Allahu e bashkoftë fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe udhëzimin e drejtë!

Allahu i shoftë armiqtë e Tij, armiqtë e fesë dhe e ktheftë kurthin e tyre në grykët e tyre! Allahu është Gjithëdëgjues, afër!

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij dhe pasojnë gjurmët e tij deri në Ditën e Kijametit!

 

Këshilli i Dijetarëve të Mëdhenj

Kryetari i Këshillit / Abdulaziz ibën Abdullah ibën muhamed Al esh Shejh

Salih Muhamed el Lehijdan

Abdullah ibën Sulejman el Menij

Abdullah ibën Abdurrahman el Gadejan

Dr. Salih ibën Feuzan ibën Abdullah el Feuzan

Hasen ibën Xheafer el Atemi

Muhamed ibën Abdullah es Sebil

Dr. Abdullah ibën Muhamed ibën Ibrahim Al esh Shejh

Muhamed ibën Sulejman el Bedr

Dr. Abdullah ibën Abdulmuhsin et Turki

Muhamed ibën Zejd Al Selejman

Dr. Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd / nuk ka prezentuar për shkak të sëmurjes së tij

Dr. Abdulvehab ibën Ibrahim Ebu Sulejman

Dr. Salih ibën Abdullah ibën Hamid

Dr. Ahmed ibën Ali Sejr el Mubaraki

Dr. Abdullah ibën Ali er Rukban

Dr. Abdullah ibën Muhamed el Mutlak

[11/6/1424 h. (2003)]

 

 

Përgjigjet e dijetarit të nderuar

Abdulaziz ibën Abdullah bën Baz (Allahu e mëshiroftë!)

 

Në përgjigjen e tij shkëlqesisë së tij për një pyetje të drejtuar nga gazeta "Medina" rreth dënimit të atyre që prishin qetësinë dhe sigurinë e njerëzve, siç ka ndodhur në ngjarjen e shpërthimeve në Rijad, të kryer nga disa kriminelë të cilët shkaktuan prishjen e qetësisë, vrasjen e të pafajshmëve dhe frikësimin e robëve të Allahut. Më poshtë po paraqesim tekstin e përgjigjes së tij (Allahu e mëshiroftë!):

 

"Nuk ka dyshim se kjo ngjarje është një krim dhe gjynah i madh mbi të cilin shkaktohet shkatërrim i madh, të këqia të shumta dhe padrejtësi të mëdha. S'ka dyshim se këto vepra i kryen dikush që nuk beson në Allahun dhe në ditën e Fundit. Nuk ka mundësi të gjesh dikë që beson Allahun dhe ditën e Fundit me një besim të saktë dhe të veprojë këtë vepër kriminale të poshtër, nga e cila u shkaktua dëm i madh dhe prishje e madhe. Këtë vepër e të ngjashme me të i kryejnë njerëzit e prishur, shpirtrat e të cilëve janë mbushur me urrejtje, smirë, sherr, shkatërrim dhe mosbesim në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. –Lusim Allahun të na japë shëndetin dhe të na ruajë nga këta! Dhe lusim Allahun të ndihmojë përgjegjësit e muslimanëve (udhëheqësat e shtetit) për gjetjen e të gjithë atyre dhe për hakmarrjen ndaj tyre! Sepse krimi i tyre është shumë i madh dhe prishja e tyre është e madhe –e nuk ka fuqi e as mundësi veçse me Allahun-!

Si është e mundur që një besimtar apo një musliman të ndërmarrë një krim aq të madh nga i cili shkaktohet padrejtësi e madhe, prishje e madhe, marrje jetësh dhe plagosje e të tjerave me pa të drejtë. E gjitha kjo është një shkatërrim dhe krim i madh dhe ne lusim Allahun që ata të gjenden, të kapen dhe të dënohen! Dhe lusim Allahun t'u japë dështimin atyre dhe përkrahësve të tyre!

Lusim Allahun t'u japë sukses udhëheqësave të shtetit në kapjen e tyre, në hakmarrjen ndaj tyre dhe në dënimin e tyre për këtë ngjarje të ulët e këtë krim të madh!

Unë këshilloj dhe nxis të gjithë ata të cilët dinë ndonjë lajm për këta, që të lajmërojnë organet kompetente. Është detyrë e çdokujt që di diçka për ta dhe rreth tyre, që të njoftojë, sepse kjo është nga bashkëpunimi për eliminimin e krimit dhe dhunës, për ruajtjen e njerëzve nga sherri, krimi dhe tirania dhe për mundësimin e shkuarjes së drejtësisë në vend me dënimin e këtyre tiranëve, ku për ata dhe të ngjashmit me ta Allahu i Lartësuar ka thënë: "Dënimi për ata të cilët luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe kryejnë mizori në tokë është që ata të vriten, ose të kryqëzohen, ose t'u pritet njëra dora dhe njëra këmbë nga e kundërta (dora e djathtë dhe këmba e majtë), ose të dëbohen nga vendi. Ky është turpi i tyre në këtë botë, ndërsa në botën Tjetër ata do të kenë ndëshkim të madh." [El Maide: 33].

 

Nëse ai i cili u del njerëzve në rrugë për t'u marrë pesë, dhjetë apo njëqind rijal është prishës në tokë, atëherë si do të ishte puna me atë që derdh gjak, që shkatërron prodhimet e bagëtitë dhe u bën tirani e padrejtësi njerëzve?! Ky është me të vërtetë një krim i madh dhe një shkatërrim i madh.

Prerja rrugën njerëzve për t'u marrë pasuritë, apo shkuarja në tregjet e tyre për këtë është një krim dhe poshtërsi e madhe, ndërsa ky shpërthim nga i cili shkaktohet marrje e jetëve të njerëzve, rrënim në tokë, plagosje të njerëzve të sigurtë, shkatërrim i shtëpive, ndërtesave, makinave e të tjera; pa dyshim se ky është prej krimeve më të mëdha dhe prej prishjes më të madhe në tokë, autorët e të cilit janë të parët që meritojnë të vriten e të prehen, për shkak të krimit të madh që kanë bërë. Lusim Allahun t'ua prishë qëllimet e tyre, t'i zbulojë ata dhe të kapen të gjithë ata dhe shokët e tyre! Lusim Allahun të na ruajë nga sherri i tyre dhe sherri i të ngjashmëve me ta! Organizimin e tyre ta bëjë shkatërrim të tyre dhe të ngjashmëve me ta! Ai i Lartëmadhruari është Bujari më i Madh, Fisniku me Bujar.

Lusim Allahun t'i japë sukses shtetit për kapjen e tyre dhe dënimin e tyre me atë që meritojnë! Dhe nuk fuqi e mundësi veçse me Allahun!"[7]

 

Ai –Allahu e mëshiroftë!- gjithashtu ka thënë:

"Bismilah! Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)!

Bota Islame e ka dënuar atë që ndodhi në Mekën e Nderuar, në shpërthimin e mbrëmjes së ditës së hënë dt. 7/12/1409 (1988), dhe e ka konsideruar atë krim të madh dhe poshtërsi të turpshme, për faktin se kjo ka shkaktuar frikësim të pelegrinëve në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, prishje të sigurisë, shkeljen e shenjtërisë së vendit të shenjtë dhe tirani ndaj robëve të Allahut. Por Allahu i Madhëruar e ka bërë të ndaluar Qytetin e Shenjtë deri në ditën e Kijametit, ashtu si ka ndaluar edhe gjakun e muslimanëve, pasurinë dhe nderet e tyre deri në ditën e Kijametit. Allahu e ka konsideruar shkeljen e këtyre ndalesave prej krimeve dhe gjynaheve më të mëdha, dhe atë që guxon të shkelë diçka nga shenjtëria e Vendit të Shenjtë, Allahu e ka kërcënuar me hedhje në dënimin e dhembshëm, siç ka thënë: "Dhe kushdo që përziehet atje me vepra të liga ose ta përdhosë atë, Ne do ta bëjmë që të shijojë një ndëshkim të dhimbshëm." [El Haxh: 25].

Nëse ai i cili synon të bëjë vepra të liga në vendin e Shenjtë është kërcënuar me dënimin e dhimbshëm  edhe nëse nuk e bën atë vepër të ligë, atëherë si është gjendja e atij që e bën atë?! Sigurisht që krimi i tij është shumë më i madh dhe e meriton më shumë dënimin e dhimbshëm. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka paralajmëruar popullin e tij nga padrejtësia dhe tirania në shumë hadithe, nga të cilët është edhe hadithi në të cilin i sqaroi popullit të tij në haxhin e Lamtumirës dhe tha: "Gjakërat tuaj dhe pasuritë tuaja janë haram (e ndaluar që të merren) për ju, njësoj si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend." –Njerëzit thanë: Dëshmojmë se ti komunikove, e kreve amanetin dhe këshillove. –Atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngriti gishtin e tij tregues nga qielli dhe e pastaj e drejtoi nga njerëzit dhe tha: O Zoti im! Dëshmo! O Zoti im! Dëshmo!"[8]

Ndërsa ky krim i shëmtuar në gjetjen e lëndëve shpërthyese në afërsi të Shtëpisë së Shenjtë sigurisht që është prej krimeve më të mëdha dhe prej gjynaheve të mëdha. Atë nuk mund ta ndërmarrë dikush që beson Allahun dhe Ditën e Kijametit, por dikush që ka smirë kundër Islamit dhe njerëzve të tij dhe kundër pelegrinëve të Shtëpisë së Shenjtë të Allahut. Sa i madh që është shkatërrimi i tij dhe sa i madh krimi i tij!

Lusim Allahun t'ia kthejë atij kurthin në grykën e tij dhe ta turpërojë atë në mesin e krijesave të Tij.

Lusim Allahun t'i japë sukses qeverisë së shërbyesit të dy Haremave (mbretit Fehd ibën Abdulaziz) për zbulimin dhe zbatimin e Ligjit të Allahut kundër tij!

Allahu është Zot i kësaj dhe i Mundshëm për gjithçka.

Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!

 

Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz

Kryetar i Këshillit themelues të Lidhjes së Botës Islame

Dhe kryetar i përgjithshëm i Drejtorisë së kërkimeve shkencore,

të Fetvave, Thirrjes dhe Edukimit, n ë Mbretërinë e Arabisë Saudite    

 

Opinioni (fetvaja) i dijetarit të nderuar Abdulaziz ibën Abdullah ibën Muhamed Al esh Shejh rreth ngjarjes së përplasjes së dy aeroplanëve në ndërtesat e Tregtisë Botërore në Amerikë

Vijon ...


[1] E transmeton Muslimi (1848).

[2] E transmeton Buhariu (6875), Muslimi (1978).

[3] E transmeton Buhariu (6889), Muslimi (2674).

[4] E transmeton Muslimi (1836).

[5] E transmeton Buhariu (2797), Muslimi (1835).

[6] E transmeton Muslimi (1852).

[7] Shkëputur nga "Mexhmuu el fetava ue mekalatin muteneviah" të shejhut të madh Abdulaziz ibën Baz –Allahu e mëshiroftë!- (9/253).

[8] E transmeton Buhariu (1741) dhe Muslimi (1679).

 

nentemat

fetva

faqe nga historia
imoraliteti
futbolli

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.