Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Atë falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Lusim Allahun të na ruajë nga të këqijat e vetes e veprave tona.
Atë që e udhëzon Allahu, askush nuk e humbet dhe atë që Ai e humbet, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj gjithashtu se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, familjen, shokët dhe, sidomos ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.[1]
Para se të filloja këtë libër, isha në dilemë, sepse shumë njerëz që e kanë trajtuar këtë temë, kanë shkruar një historik të pabazë dhe rrallëherë kanë përmendur të vërtetën.
Ky libër që keni në duar, përshkruan ngjarje që kanë jetuar dhe jetojnë në shpirtrat e muslimanëve, edhe pse ka kaluar një periudhë shumë e gjatë nga ai brez i kulluar që i ngjason një ylli të madh, në të cilin qëndrojnë njerëz të zgjedhur.
E vërteta është dritë me të cilën duhet të udhëzohemi, prandaj është detyra jonë që të hedhim pak dritë, për të sqaruar disa çështje që kanë të bëjnë me sahabët, shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të cilët me dijen dhe punën e tyre u bënë të paarritshëm. Ata ishin, me plot kuptimin e fjalës, krenaria dhe mburoja e Islamit.
Këtë e bëjmë për të kryer detyrën që kemi ndaj tyre, sepse ata ndryshojnë nga të tjerët dhe çështja e tyre nuk është si gjithë të tjerat. Ne vërtet i lavdërojmë sahabët, por kjo nuk nënkupton se i bëjmë të pagabueshëm, sepse kjo cilësi është vetëm për engjëjt dhe profetët fisnikë.
Disa prej tyre (sahabëve) është e vërtetë që kanë gabuar gjatë jetës së Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), madje edhe pas vdekjes së tij, por po t’i krahasosh këto gabime me të mirat që kanë bërë, ato u ngjajnë gurëve të vegjël në një mal të madh ose pikave të ujit në një det të gjerë.
Historia është një çështje shumë e rëndësishme që shëmbëllen me një shtyllë, e cila mban popuj të tërë.
Ajo i tregon një populli rrugën që duhet të ndjekë në jetën e përditshme dhe në të ardhmen. Çdo popull që është ngritur dhe zhvilluar, e ka lidhur ngushtë gjendjen e tij, në të cilën ndodhet, me të kaluarën dhe në këtë mënyrë ka mundur të ndërtojë një të ardhme të dobishme.
Populli islam është i prirur ta bëjë një gjë të tillë, sepse historia e tij përmban trimëri, krenari dhe fitore të njëpasnjëshme, gjë që e bën çdo histori të duket e vogël në krahasim me të. Po të hedhim një shikim në historinë islame, do të vëmë re se momentet më të bukura të saj ishin në kohën që jetoi Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me shokët e tij. Ky brez (sahabët) mbajti mbi shpatullat e tij përhapjen e mesazhit islam dhe me të drejtë u quajtën njerëzit më të zgjedhur pas profetëve.
Historisë islame i janë mveshur shumë gjëra që nuk i përkasin, nga grupe (sekte) që mundoheshin të poshtëronin njëri-tjetrin, me qëllim që t’i ngrinin pozitat vetes.
Në popullin islam u gjendën njerëz që e tepruan dashurinë për Aliun (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), por kjo gjë prishi gjithçka, sepse filluan t’i mvishnin thënie dhe vepra që nuk i përkisnin. Ata nuk u mjaftuan me kaq, por nën maskën e dashurisë për të, i armiqësuan të tjerët, duke i quajtur të padrejtë ndaj Aliut. Kjo dashuri u shtua aq shumë, sa edhe nipërit e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i quajtën prijësa (imamë) me pretendimin se përmenden në ajete dhe hadithe, madje i quajtën të pagabueshëm, duke i përngjasuar kështu me profetët.…[2]
Këto mendime u përhapën në mesin e shekullit III hixhri. Argument për këtë është se ne nuk kemi gjetur që sahabët e mëdhenj të kenë pasur armiqësi ndërmjet njëri-tjetrit, ashtu siç pretendon ky grup, por të gjithë e dinë faktin se Aliu e ka martuar vajzën e tij me Umerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)[3] dhe fëmijëve u ka vënë emrat e Ebu Bekrit, Umerit dhe Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) .[4]
Duke u nisur nga këto që përmenda dhe duke marrë miratimin e disa dijetarëve, e pashë më të dobishme të shkruaja për këtë temë, me atë dije që më ka dhënë Allahu. Nëse e kam arritur të vërtetën, kjo është nga Allahu, dhe nëse jo, kjo është vetëm nga unë dhe shejtani.
Do të mundohem të paraqes periudhën më delikate të historisë islame, që fillon me vdekjen e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e deri në vitin gjashtëdhjetë e një hixhri.
Libri është i ndarë në katër kapituj.
Kapitulli i parë: Sqaron metodën e leximit të historisë, rrugën që ndjek imam Taberiu në librin e tij me titull "Tarijhu Taberi" dhe rëndësinë e senedit (zinxhirit të transmetuesve) në historinë islame.
Kapitulli i dytë: Vë në dukje ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur pas vdekjes së Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e deri në vitin gjashtëdhjetë e një hixhri, sipas senedeve të sakta, pa harruar dhe sqarimin e historive të pavërteta.
Kapitulli i tretë: Bën fjalë për drejtësinë dhe besnikërinë e shokëve të Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke u bazuar në ajetet kur’anore dhe hadithet.
Kapitulli i katërt: Shqyrton çështjen e halifatit (qeverisjes) dhe argumentet e bidatçijve, që mendojnë se halifati (qeverisja) i përket vetëm Aliut dhe pasardhësve të tij. Argumentet e tyre janë të diskutuara me një mënyrë shumë të prerë, që nuk mund ta hasësh në ndonjë libër tjetër.
Këtë nuk e them për t’u mburrur, por për t’u treguar njerëzve mirësinë që më ka dhuruar Allahu, i Cili thotë: “E të mirat që të dhuroi Zoti yt, tregoji.” [5]
***
Gënjeshtra më e madhe që i është mveshur historisë islame, është pretendimi i disa njerëzve se shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fshihnin në vetvete armiqësi për njëri-tjetrin.
Kjo që thanë, nuk bazohet askund, madje bie në kundërshtim me fjalët e Allahut që thotë: “Ju jeni populli më i mirë i ardhur për të mirën e njerëzve, të udhëzoni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqijadhe t’i besoni Allahut.” [6]
Ndërsa i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Njerëzit më të mirë janë bashkëkohësit e mi.[7]
Me kalimin e tre brezave të parë, ai i Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe dy të tjerët pas tij, u shfaqën disa shkrimtarë që i dhanë ngjyrë të rreme historisë islame. Ata kundërshtuan faktet e vërteta, duke ndihmuar të kotën dhe shpifjet.
Ata pretendonin se shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk i kishte lidhur vëllazëria për hir të Allahut e as nuk njihnin mëshirë për njëri-tjetrin. Sipas tyre, ata ngrinin kurthe, bënin hipokrizi e dredhira, sepse urrenin njëri-tjetrin dhe ndiqnin epshet.
Betohem për Allah se këto që thanë, nuk janë veçse gënjeshtra dhe shpifje të thurura, sepse të gjithë sahabët si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Talha, Zubejri, Ebu Ubejdja, Aishja dhe Fatimja ishin më të lartë dhe më të pastër për t’i lejuar vetes gjëra të tilla.
Vëllai im! Dije se thënjet e sakta të transmetuara nga njerëzit e besueshëm, dëshmojnë bindshëm se të gjithë shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin më të mirët që ka njohur historia pas profetëve. Ndërsa lajmet që prishin figurën e tyre, duke thënë se ishin njerëz me shpirtra të ngushtë, janë transmetime të sjella nga gënjeshtarët.
Në të vërtetë, historia islame duhet të rishkruhet edhe një herë sipas burimeve të pastra e të vërteta, veçanërisht në vendet ku është futur dora e gënjeshtarëve, të cilët i kanë vënë detyrë vetes shtrembërimin e transmetimeve autentike, sipas mendjes dhe epsheve të tyre.
Nuk duhet të harrojmë se populli islam është nga popujt më të pasur në fushën e historisë dhe e ka ruajtur atë me fanatizëm, duke u bazuar në transmetimet e sakta.
Selefët (të parët) tanë të ndershëm arritën t’i mblidhnin transmetimet e sakta dhe të pasakta para se të humbisnin dhe ua tërhoqën vërejtjen njerëzve, në mënyrë që ta dallonin të vërtetën nga gënjeshtra.
Tani është radha jonë që të pasojmë gjurmët e selefëve (të parëve) tanë të mirë, në mënyrë që të bëhemi pasardhës dobiprurës si ata.
Ka kaluar një kohë shumë e gjatë kur popullit musliman i është ndaluar një ndër burimet më të mëdha të forcës: Besimin në heroizmat e së kaluarës.
Siç thamë dhe më lart, nuk është shkruar histori më e pastër dhe më e lulëzuar se ajo e këtyre njerëzve (sahabëve). Le ta mësojnë të gjithë se historia e shokëve të Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e cila është siç ishin zemrat e tyre, e pastër dhe e shëndoshë.
E lus Allahun e Madhëruar ta bëjë këtë vepër të sinqertë për hir të Tij.
KAPITULLI I PARË
SI TA LEXOJMË HISTORINË
Historia islame duhet të studiohet njësoj si thëniet (hadithet) e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për të cilat duhet të sigurohemi nëse janë të sakta apo jo.
Që të themi se një thënie është nga Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duhet të studiojmë senedin[8] pa lënë mënjanë edhe tekstin e hadithit. Dijetarët islamë i kanë kushtuar rëndësi të madhe hadithit dhe atyre që e transmetonin atë. Duke i kaluar ato (hadithet) në një kontroll të lartë, ata gjykonin sa i saktë apo i dobët ishte ai, derisa erdhi koha që u pastruan hadithet nga gënjeshtrat dhe gjërat e shpikura.
Në këtë rast, historia ndryshon nga hadithet, sepse në të hasim tregime që nuk kanë zinxhir transmetuesish. Në disa raste të tjera mund ta gjejmë zinxhirin, por disa prej burrave që e transmetojnë, u mungon biografia (d.m.th. nuk hasim ndonjë nga dijetarët që të ketë folur mirë apo keq për ata njerëz) dhe për këtë arsye është shumë e vështirë të gjykojmë për saktësinë e këtij tregimi.
Duke u nisur nga kjo, nuk duhet të tregohemi indiferentë ndaj transmetimeve, por duhet të sigurohemi dhe të dimë nga e marrim historinë tonë.
Ndoshta dikush thotë: Nëse ndjekim këtë rrugë, atëherë do të humbasë një pjesë e madhe e historisë islame!
I themi: Nuk humbet aspak, kjo për vetë faktin se shumë thënje (sidomos ato që na interesojnë për këtë temë) janë të transmetuara dhe kanë sened (zinxhir përcjellësish) të saktë, si në librat e historisë, ashtu dhe në ato të hadithit, p.sh: “Tarijh Taberi”, “Sahihu i Buhariut”, “Musnedi i imam Ahmedit” etj.
Por nëse nuk gjejmë ndonjë sened, atëherë mbështetemi në një themel të përgjithshëm që është i vlefshëm dhe i veçantë për ngjarjet që kanë ndodhur në kohën e sahabëve: Lavdërimi dhe përgëzimi që Allahu dhe i dërguari i Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kanë bërë atyre.
Kryesorja është se sahabët janë njerwz të besueshëm e të drejtë e nëse hasim transmetime që përmbajnë sharje ndaj tyre, na bën të kontrollojmë. Nëse thënia është e saktë, atëherë duhet të mundohemi ta komentojmë, por, nëse është e dobët apo nuk ekziston, duhet t’i rikthehemi kryesores qw përmendëm më parë.
Librat që duhet të lexojmë në fushën e historisë
Nëse ke mundësi të kërkosh në senedin e hadithit, lexo librin e imam Taberiut, sepse është bazë për ata që shkruajnë në fushën e historisë. Nëse senedin nuk e gjen, atëherë lexo në librin e Ibën Kethirit “Bidaje ue Nihaje”, në librin e imam Dhehebiut “Tarijhul Islam'' apo në librin e Ebu Bekër bin el-Arabij ''El Auasim minel kauasim”, i cili është një prej librave më të mirë që flet për periudhën pas vdekjes së Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Gjërat prej të cilave duhet të kemi kujdes
Kur të lexojmë librat e historisë, duhet të kemi kujdes që të mos anojmë nga mendimi i atyre që e komentojnë sipas dëshirave, por duhet t’i përmbahemi tekstit original. Nëse lexojmë historinë e sahabëve, duhet të kemi të qarta dy gjëra:
1) Të besojmë se shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin njerëzit më të mirë pas profetëve. Kjo për arsye se Allahu i ka lavdëruar, madje edhe Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka sqaruar në hadithet e tij se janë njerëzit më të mirë pas profetëve dhe se populli (umeti) i tij është më i miri ndër të gjithë popujt e tjerë.
2) Të jemi të vetëdijshëm se shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ishin të pagabueshëm. Ne besojmë se janë të pagabueshëm kur i marrim në bashkësi, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ka lajmëruar se umeti i tij nuk bashkohet për në humbje.[9]
Ata janë të pagabueshëm në këtë kuptim dhe jo si persona në veçanti, sepse pagabueshmëria është cilësi e engjëjve dhe profetëve të Allahut. Për të tjerët nuk duhet të mendojmë dhe të besojmë se janë të pagabueshëm.
Nëse lexon ndonjë transmetim që përmban sharje kundrejt sahabëve, mos u nxito që ta mohosh menjëherë dhe as mos e prano derisa ta analizosh. Nëse e gjen senedin të saktë, atëherë dije se kjo hy në rregullin (bazën) që thotë: Ata nuk janë të pagabueshëm, por gabojnë si të gjithë njerëzit e tjerë.
Nëse senedi rezulton i dobët, atëherë qëndro në themelin që përmendëm: Ata janë njerëzit më të mirë pas profetëve.
Allahu i Madhëruar në librin e Tij i ka lavdëruar shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke thënë: “Muhamedi është i dërguari i Allahut, dhe ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm ndërmjet njëri-tjetrit. Ti i shikon ata kur përkulen, duke rënë me fytyrë në tokë e kërkojnë nga Allahu që t’i mëshirojë dhe të jetë i kënaqur me ta. Në fytyrat e tyre shikon gjurmët e lëna nga sexhdja. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil.
Ata janë si një farë e mbjellë, nga i cili mbin, rritet dhe forcohet filizi derisa qëndron në trungun e vet, kjo për të shtuar mllefin e jobesimtarëve. Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” [10]
Në këtë ajet kur’anor shprehet shumë qartë lavdërimi që Allahu u ka bërë sahabëve në përgjithësi, prandaj themi se nga origjina ata janë njerëz të lavdëruar.
Në një hadith të saktë, Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: Mos i shani shokët e mi, sepse, nëse ndonjëri nga ju jep sadaka me vlerë floriri aq sa është mali i Uhudit, nuk mund të arrijë as grushtin apo pëllëmbën e sadakasë që kanë dhënë ata. [11]
Kjo është një lëvdatë që Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u bën shokëve të tij, ndërsa për drejtësinë e tyre do të flasim më gjerë në kapitullin e tretë.
Abdullah el Kahtani në poezinë e tij ka thënë:
Mos prano nga historia çdo gjë që është shkruar
Hadithet pranoji vetëm nga njerëzit e nderuar
Nga Ibën Musejibi, Alaja, Maliku se janë të besuar
Nga Lejthi, Zuhriu dhe Sufjani, dijetarë të merituar.[12]
Ata (sahabët) janë të tillë dhe jo si shprehen disa njerëz, të cilët e ofendojnë historikun e tyre, duke thënë: Me të vërtetë historia jonë është e zezë, e errët dhe e keqe.
Por jo, ne themi se historia jonë është e bardhë, e shndritshme dhe e bukur. Ai që dëshiron ta zgjerojë më shumë horizontin e tij, le të lexojë në librat e imam Taberiut, Ibën Kethirit, Dhehebiut etj.
Libri i imam Taberiut konsiderohet si më me rëndësi në historinë islame, derisa shumë njerëz marrin dhe transmetojnë nga ai. Ehli Suneti argumentohet me të, madje edhe bidatçinjtë e marrin si bazë.
Pse i japim përparësi librit të Taberiut ndaj librave të tjerë
Kjo ndodh për shumë arsye:
- Afërsia e imam Taberiut me ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë.
- Ai transmeton çdo gjë me sened (zinxhir transmetuesish).
- Vlerat dhe gradat e larta që ka imam Taberiu në fusha të ndryshme të diturisë.
- Shumica e librave të historisë marrin nga ai.
Nëse ndonjë pyet: Ehli suneti argumentohet nga ky libër, por edhe bidatçijtë bëjnë të njëjtën gjë. Si të veprojmë në këtë rast?
Përgjigjen e kësaj e përmenda më lart, se ndër veçoritë e historisë së imam Taberiut është që ai e sjell atë me zinxhir transmetuesish. Ehli suneti marrin prej tij vetëm zinxhirët e saktë, ndërsa bidatçijtë i marrin të gjithë, qofshin të saktë apo të dobët. Për ta është e rëndësishme vetëm përputhja e transmetimit me epshet e tyre.
Përderisa puna qëndron kështu, neve na del për detyrë që të njihemi me rrugën që ka ndjekur imam Taberiu në librin e tij.
Metoda e imam Taberiut në librin e tij
Për shkak të mençurisë që i ka dhuruar Allahu, imam Taberiu ia ka lehtësuar lexuesit njohjen e rrugës që ka ndjekur në librin e tij të histories, duke e sqaruar në parathënien e tij. Sa mirë do ishte sikur ta lexonin këtë parathënie…!!![13]
Imam Taberiu në parathënien e librit të tij thotë: Le ta dijë çdo person që lexon në librin tone, se unë jam munduar që në ato që kam shkruar dhe përmendur, të transmetoj çdo gjë duke e lidhur me zinxhirin përkatës të transmetuesve. Ndoshta në të do të gjesh thënie që kam transmetuar nga të parët, të cilat janë të neveritshme për lexuesin dhe të bezdisshme për dëgjuesin. Kjo është për shkak se ai lajm nuk është i vërtetë dhe nuk përmban ndonjë kuptim, por detyra ime është të transmetoj çdo gjë që mbërrin tek unë, pa e ndryshuar.[14]
Me këtë parathënie, imam Taberiu e kreu detyrën e tij dhe të tregoi ty o lexues i nderuar se: Nëse gjen në librin tim ndonjë lajm që nuk e pëlqen, madje e urren, atëherë kthehu te njerëzit prej të cilëve e kemi marrë sepse detyra ime është të tregoj se kush është transmetuesi. Nëse gjen që ai është i besueshëm, atëherë pranoje, në të kundërtën mohoje.
Në këtë mënyrë kanë vepruar shumë dijetarë të hadithit në librat e tyre si: Tirmidhiu, Ebu Daudi, Darakutni, imam Ahmedi etj.
Tek ata do të hasësh vetëm përmendjen e senedit, sepse nuk ia kushtëzuan vetes vetëm përmendjen e haditheve të sakta. Kështu të del ty si detyrë të shikosh dhe të studiosh nëse është i saktë apo jo. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Taberiu. Ai nuk u zotua të përmendte vetëm ndodhitë e sakta, por të tregonte emrin e atij që e transmetonte.
Imam Taberiu transmeton shpesh nga një person me emrin Lut bin Jahja, i cili njihet ndryshe si Ebu Mihnef. Taberiu ka marrë nga ky person rreth 587 transmetime, të cilat fillojnë me vdekjen e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe mbarojnë me pushtetin e Jezidit (periudha për të cilën do të flasim në këtë libër).
Bidatçijtë u kushtojnë shumë rëndësi dhe i marrin për bazë thëniet e këtij personi por duhet të dimë se nuk është vetëm Ebu Mihnef, ka dhe shumë e shumë të tjerë si El Uakidi[15], i cili akuzohet për gënjeshtra etj. Transmetimet që vijnë nga ai, nuk duhet të merren, megjithëse mund të jetë historian i madh ose dijetar në këtë fushë, sepse problemi qëndron në besueshmërinë e tij.
I treti është Sejf bin Amër et-Temijmi[16]. Ky është historian i njohur, por e keqja është se transmetimet e tij nuk merren, sepse akuzohet si gënjeshtar. Gjithashtu është edhe një me emrin Kelbi[17] që njihet për gënjeshtrat e tij kështu që çdo njeri duhet të sigurohet për transmetimet që vijnë nga njerëz të tillë.
Le t’i kthehemi dhe një herë Ebu Mihnefit, për të cilin Ibën Meini ka thënë: Nuk është i besueshëm. Ndërsa Ebu Hatimi ka thënë: Lihen thëniet e tij. Darakutni ka thënë: I dobët. Dhe së fundi është fjala e imam Dhehebiut, që thotë: Lajmëtar i lodhur dhe i rraskapitur, nuk merren fjalët e tij.[18]
Kjo do të thotë se kur të hapësh dhe të lexosh në historinë e Taberiut dhe të gjesh ndonjë transmetim që shan shokët e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kërko në zinxhirin e transmetuesve. Nëse në të ndodhet Ebu Mihnef, anashkaloje atë transmetim, sepse ky person bashkon bidatin dhe gënjeshtrën dhe transmeton gjëra të rreme.
Mënyrat që janë përdorur për shtrembërimin e historisë
- Shpifjet dhe gënjeshtrat.
Shembull konkret është shpifja që njëri prej bidatçijve ka bërë për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!). Sikur në momentin që asaj i ka ardhur lajmi për vdekjen e Aliut, ka bërë sexhde për të falënderuar Allahun. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një histori e rremë.
- Shtimi apo pakësimi i fakteve në një ndodhi historike, me qëllim që ta keq interpretojnë atë.
Kjo do të thotë se një ndodhi në origjinë është e saktë, si p.sh., ajo e Sekifes. Është e vërtetë se Ebu Bekri, Umeri dhe Ebu Ubejdja kanë diskutuar me Habab ibën Mundhir, Sad bin Ubaden dhe të tjerë prej ensarëve, për çështjen e hilafetit, por në këtë ndodhi shtohen shumë gjëra të pavërteta.
- Komentimi i pabazë i ndodhive.
Këtu kemi si qëllim komentin e kotë dhe të pabazë që këta njerëz u bëjnë ndodhive, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me besimin dhe bidatin e tyre në të cilin bazohen.
- Shfaqja e të metave dhe gabimeve.
Një ndodhi mund të jetë shumë e saktë, por kur e shfaqin, ata u kushtojnë vëmendje vetëm të metave dhe gabimeve, duke fshehur të mirat që ndodhen në të.
- Shpikja e librave dhe broshurave të rreme.
Janë shpikur libra sikur janë të Uthmanit, Aishes, Aliut, Talhas apo Zubejrit, siç është ''Nehxhul Belagah'', sikur është i imam Aliut, dhe ''El imameh ue Sijaseh'', sikur e ka shkruar Ibën Kutejbja.[19]
Për këtë temë do të flasim më gjerë në historinë e vrasjes së Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
Kur filloi Ehli suneti saktësimin e transmetimeve
Ehli suneti e filloi saktësimin e transmetimeve që me fillimin e sprovave. Imam Muhamed bin Sijrijn ka thënë: Në fillim nuk pyesnim për senedin, por kur filloi fitnja (sprova), atëherë thamë: Na i emërtoni burrat tuaj. Atij që ishte nga Ehli suneti, ia pranonim hadithin, ndërsa atij që ishte bidatçi, nuk ia pranonim.[20]
Kjo për shkak se origjina e njerëzve në kohën e sahabëve ishte besueshmëria dhe besnikëria, por pasi u përhapën fitnet, njerëzit u ndanë në formacione të ndryshme.
Nuk harrojmë të përmendim se Ibën Sirini është prej tabiinëve të mëdhenj, i cili e kishte arritur kohën kur jetuan sahabët. Fitnia që u shfaq dhe që kemi për qëllim, është ajo e shijave[21], hauarixhëve[22] dhe kaderive.[23]
KAPITULLI I DYTE
PROFETËSIA E MUHAMEDIT
(paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)
Vijon ...
[1] Kjo parathënie ndryshe njihet me emrin: "Hutbetul haxheh (fjalimi që përdoret për gjëra të rëndësishme)". Shejh Albani ka shkruar një libër me titull "Hutbetul haxheh", ku ka mbledhur të gjitha hadithet e transmetuara rreth kësaj teme. Sh.P.
[8] Sened quhet vargu i transmetuesve, i cili fillon me personin që transmeton dhe mbaron te Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Sh.P.
[9] Transmeton imam Ahmedi në musnedin e tij, nr. 26682, Ibën Maxheh, nr. 3998 nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) .
[11] Transmeton Buhariu, nr. 3673 dhe Muslimi, nr. 254.
[12] U mundova sadopak të përshtatja këtë poezi në gjuhën shqipe, por dije se kuptimi i saj në arabisht është shumë më i përkryer. Sh.P.
[13] Çdo njeri duhet t`i lexojë parathëniet e librave që ka në dorë sepse kjo e ndihmon në njohjen e metodës që ndjek autori në shkrimin e librit të tij.
[14] Shiko parathënien e librit të imam Taberiut, "Tarijh et-Taberi", f. 5.
[15] Emri i tij është Muhamed bin Umer bin Uakid. Lexo biografinë e tij në librin "Tehdhijbu et-Tehdhijb", vëll. 9, f. 363 dhe në librin "Mijzanul Iatidal", vëll. 3, f. 662.
[16] Lexo biografinë e tij në librin "Tehdhijbu et-Tehdhijb", vëll. 4, f. 295 dhe në librin "Mijzanul Iatidal", vëll. 2, f. 255.
[17] Emri i tij është Muhamed bin Saib el Kelbi. Lexo biografinë e tij në librin "Mijzanul Iatidal", vëll. 3, f. 556.
[18] "Mijzanul Iatidal", vëll. 3, f. 419, "El Xherh ue Teadijl", vëll. 7, f. 182 dhe "Lisanu el mijzan", vëll. 4, f. 492.
[19] Lexo parathënien e librit të Ibën Kutejbes "Teuijl mushkil el- Kuran", f. 32.
[21] Shijat janë ata që pretendojnë se janë ndihmësit e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe pasardhësve të tij, gjithashtu besojnë se udhëheqja (hilafeti) i takonte vetëm Aliut dhe pasardhësve të tij. Ata i quajnë të dalë nga Islami shumicën e sahabëve.
[22] Hauarixhët janë ata të cilët ngritën krye ndaj Aliut pas betejës së Sifinit. Ata mendojnë se çdo njeri që bën një mëkat të madh del nga feja dhe nuk është më musliman. Hauarixhët humbën sepse morën vetëm tekstet që flasin për dënimin e mëkatërëve me zjarr duke i lenë pas dore ato që flisnin për mëshirën dhe shpërblimin e Allahut. Aliu i luftoi ata në betejën e Nahravanit.
[23]Kaderitë janë ata që mendojnë se njerëzit i krijojnë vetë punët që bëjnë dhe se Allahu nuk i ka paracaktuar ato. Kjo do të thotë se punët e njerëzve ndodhin brenda pushtetit të Allahut por Ai nuk i ka paracaktuar.