IMORALITETI

Përkufizimi i tij, moslejueshmëria, dëmet, shkaqet, mbrojtja prej tij

dhe rregulla të përgjithshme në lidhje me të

Autor: Ahmed ibën Hasen en Nehari

Përktheu: Edmond AJDINI

 

 

 

 

Parathënie

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, i Cili është i mirënjohur për shikimet me cep të syve, si dhe për atë që fshehin zemrat. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Madhëruar, i Cili i jep lavdi atij që i frikësohet qëndrimit para Tij në ditën e dhënies së llogarisë dhe që e frenon vetveten prej epsheve dhe shthurjes. Dëshmoj se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është i Dërguar i Tij, posedues i pozitës së lartë dhe nderit të ruajtur, i cili ka thënë: "Allahu më ka nxjerr prej martese dhe nuk më ka nxjerr prej imoraliteti."

Gjithashtu ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Kam dalë prej martese dhe nuk kam dalë prej imoraliteti, që prej Ademit e deri kur më ka lindur nëna dhe babai im, si dhe nuk më ka prekur asgjë prej ndyrësive të injorancës."

Allahu i Lartësuar thotë:

"Nëse falenderoni do t'ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s'ka dyshim, dënimi Im është i vështirë." [Ibrahim: 7]

 

Gjithashtu i Lartësuari thotë:

"Çfarë ka Allahu me dënimin tuaj nëse ju e falënderoni Atë dhe besoni tek Ai. Allahu është Mirënjohës i Dijshëm." [En Nisa: 147]

 

Ndërsa në një ajet tjetër ka thënë:

"Çfarë do e mirë që të vjen është nga Allahu, e ç'ka të ndodh ndonjë e keqe, ajo është nga vetë ti." [En Nisa: 79]

 

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: "Nuk zbresin fatkeqësitë, veçse si pasojë e gjynaheve dhe nuk ngrihen, vetëm se duke u penduar prej tyre." Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Gjynahet i shfarrosin mirësitë e pranishme dhe i ndërpresin mirësitë e vazhdueshme, pra i zhdukin mirësitë aktuale dhe bëhen pengesë për arritjen e mirësive të tjera."

 

Zoti ynë e ka thënë të vërtetën në Librin e Tij madhështor:

"Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat), derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre…" [Err Rra'd: 11]

Imam Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë në këtë ajet se Ai nuk ia pengon një populli mirëqenien dhe mirësitë, derisa ata vetë të heqin dorë nga bindja dhe adhurimi i Tij. Kuptimi i kësaj është se Ai nuk i zhduk mirësitë të cilat ia ka dhuruar një populli, derisa ata të heqin dorë prej nënshtrimit ndaj Tij dhe prej bërjes së punëve të mira. Të njëjtin kuptim Allahu i Lartësuar e ka qartësuar edhe në ajete të tjera, siç është Fjala e Tij:

 

"Këtë (masë ndëshkuese) e bëri, sepse Allahu nuk e ndryshon një begati, të cilën ia ka dhuruar një populli, derisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre." [El Enfal: 53]

Po ashtu ka thënë:

"Çfarë do e keqe që mund t'ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqia), e për shumë të tjera Ai u falë." [Esh Shura: 30]

Fjala e Allahut të Lartësuar në ajetin e mësipërm "derisa ata ta ndryshojnë gjendjen e tyre", është përfshirëse edhe në qoftë se ky ndryshim do të bëhej nga një pakicë e tyre, ashtu siç ndodhi në betejën e Uhudit ku shigjetarët i ndryshuan pozicionet e tyre të luftës, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kishte urdhëruar ata të mos lëviznin prej pozicioneve të tyre për çfarë do arsye. Kur ata e thyen urdhërin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e gjithë ushtria pësoi disfatë. E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A mund të na përfshij dënimi, duke qenë se midis nesh gjenden edhe njerëz të mirë? I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: "Po, nëse shtohen pislliqet."

Prej gjynaheve më të mëdha dhe prej krimeve më të shëmtuara të cilat bëhen shkak për zhdukjen e mirësive dhe për përhapjen e fatkeqësive, është edhe krimi i imoralitetit. Ky krim ia ndryshon njeriut rrjedhën e jetës së tij, si dhe ia shkatërron këtë botë dhe botën tjetër. Këtë krim të shëmtuar (Zoti na ruajt prej tij!) e refuzojnë shpirtrat e ndershëm dhe e përbuzin njerëzit me natyrshmëri të pastër. E urrejnë atë poseduesit e moralit të lartë, si dhe largohen prej tij ata që kanë logjikë të shëndoshë. Si të mos jetë kështu, kur këtë krim e kanë ndaluar të gjitha shpalljet e zbritura nga Allahu i Lartësuar, pra u shkatërroftë dhe përsëri u shkatërroftë ai person të cilin e robëroi epshi i tij mëkatar, derisa e shtyri atë të kryejë marrëdhënie me një femër imorale!

Mjerim, mjerim për atë person i cili e humbi moralin dhe nderin e tij për një dëshirë momentale!

I drejtohem atij të cilin vetja e tij e shtyri të bjerë pre’ e këtij krimi të shëmtuar dhe e këtij gjynahu të madh..! A nuk ka ardhur koha të pendohesh me zemër të sinqertë, përpara se të hidhërohesh dhe përpara se të mbërrij shpirti në fyt (të  vij vdekja) ?!

Mjerë për atë person i cili ka vdekur pasi që ka qenë pre’ e këtij krimi të shëmtuar, krim i cili bëhet shkak për humbjen e burrërisë dhe personalitetit si dhe për zhdukjen e xhelozisë nga zemrat.[1]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Nëse xhelozia zhduket prej zemrës, atëherë zhduket prej saj edhe dashuria, madje zhduket e gjithë feja."

Është detyrë për çdo musliman të tregojë kujdes për ruajtjen e personalitetit si dhe për mbrojtjen e nderit të tij. Që në kohët e hershme, njerëzit krenoheshin me moralin e mirë dhe përkujdeseshin duke i kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së personalitetit dhe nderit, madje edhe në kohën e injorancës. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u mori premtimin grave se nuk do të bëjnë kurvëri, Hind bintu Utbe tha: "A mos vallë, gratë e lira (të cilat nuk janë robëresha) ndodh që të veprojnë kështu?!"

Xhelozia ka qenë e madhe tek sahabët. Shiko për këtë xhelozinë e sahabiut të nderuar Sead ibën Ubade, në hadithin të cilin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi, nga El Mugira ibën Shuabe, i cili ka thënë: "Sead ibën Ubade tha: “Nëse do të shihja një burrë me gruan time do ta godisja atë me tehun e shpatës sime." Kur i arriti kjo fjalë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: "A çuditeni me xhelozinë e Seadit?! Dijeni se unë jam më xheloz se ai, ndërsa Allahu është më xheloz se unë."

Në "Sahihun" e Buhariut është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Askush nuk xhelozon më tepër se sa Allahu, kur bën kurvëri robi i Tij, apo kur bën kurvëri robëresha e Tij. O popull i Muhamedit! Betohem në Allahun se sikur ta dinit ju atë që di unë, do qeshnit pak e do qanit shumë."

 

O popull musliman!

Ku është xhelozia në lidhje me ndalesat e Allahut?! Ne sot jetojmë në kohë të vështira, ku çdokush është në gjendje të bjerë pre’ e kurvërisë, e këtij krimi të shëmtuar, si dhe të përlyet në llumin e ndyrësive dhe megjithatë komenti që i bëjnë kësaj është se këto janë nevoja trupore të cilat nuk përbëjnë shkelje ligjore, përderisa ato bëhen me kënaqësinë e të dyja palëve dhe pa përdorimin e dhunës!

 

O ju që keni besuar!

Ky krim dhe gjynah i madh është përhapur në kohën e sotme, si dhe ka gjetur përkrahës të cilët nxisin dhe inkurajojnë për në këtë rrugë pa krye. Janë të shumta organizatat e armiqëve të Allahut të cilat programojnë dhe thurin plane për përhapjen e këtij krimi. Sa e sa shoqata të ndryshme përkrahin financiarisht përhapjen e tij?!

 

O ju që keni besuar!

Si pasojë e imoralitetit janë përhapur në ditët e sotme sëmundje nga më të rrezikshmet, siç janë sëmundja e sidës, gonorresë etj. të cilat kanë qenë shkak për vdekjen e miliona njërëzve. Doktorët në të gjithë botën u treguan të paaftë për t’i gjetur kurim këtyre sëmundjeve të rrezikshme.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka thënë të vërtetën: "Nuk shfaqet në një popull imoraliteti dhe kamata, veçse ai popull ia ka bërë të lejuar vetvetes dënimin e Allahut." Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: "…ndëshkimin e Allahut."[2]

 

Është transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: "I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye drejt nesh dhe tha: "O emigruesit në rrugë të Allahut! Janë pesë gjëra për të cilat lus Allahun të mos sprovoheni me to e të mos i arrini ato: Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin hapur, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera të cilat nuk kanë ekzistuar te të parët e tyre…" Hadithin e ka transmetuar El Hakim dhe Ibën Maxhe… do të vij më vonë analiza e tij.

 

 

Kam përgatitur në këtë libër për ty lexues i nderuar temat e mëposhtme:

 

  1. Përkufizimi i imoralitetit (kurvërisë) nga ana gjuhësore dhe fetare.

  2. Domethënia e kurvërisë në gjuhën arabe.

  3. Ajetet e shpallura mbi ndalimin e kurvërisë, si dhe mbi urdhërimin për mosekspozimin e pjesëve të turpshme.

  4. Hadithet e transmetuara mbi ndalimin e kurvërisë, si dhe mbi urdhërimin  për mosekspozimin e pjesëve të turpshme.

  5. Fjalë të të parëve tanë të mirë (selefëve) mbi diskreditimin e imoralitetit.

  6. Urtësia legjislative në lidhje me moslejueshmërinë e imoralitetit  (kurvërisë).

  7. Dëmet shëndetësore të imoralitetit.

  8. Shkaqet që çojnë te imoraliteti.

  9. Masat mbrojtëse kundër imoralitetit (kurvërisë).

10. Gjykimi i imoralitetit.

11. Hadithe të dobëta në lidhje me imoralitetin.

 

Dije lexues i dashur se ti ke fatin e mirë të përfitosh dobitë e këtij libri dhe të korrësh frytet e tij, ndërsa autori është lodhur dhe ka derdhur mund, prandaj nëse e gjen atë të përshtatshëm dhe të dobishëm, kërkoi Allahut falje për mua.[3] E nëse gjen në të ndonjë gabim apo pasaktësi, drejtoje këshillën apo sugjerimin tënd në adresën time të mëposhtme.

Lus Allahun ta pranojë këtë punë timen dhe ta bëjë atë të kuptueshme dhe të dobishme!       

 

Shkroi: Ahmed ibën Hasen en Nehari err Rrimi

Jemen, Dhemar, El Lisi, "Markez el Iman"

Kutia postare: (80781)

Fax: (503244)

 

 

 

Kuptimi i kurvërisë (zinasë) në gjuhën arabe

 

Kjo fjalë përdoret për disa kuptime:

 

1. Fjala "Ez zina" përdoret me kuptimin "ngushtësi."

Për këtë arsye emërtohet personi i cili vuan nga mbajtja e urinës "zennaun", sepse atij i janë ngushtuar rrugët e daljes së urinës. Po ashtu thuhet "zene'a" për personin i cili ngjitet në majën e malit, për shkak se ai ndjehet ngushtë dhe lodhet gjatë ngjitjes në të.

 

2. Fjala "Ez zina" nuk kufizohet vetëm në kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një femër jashtë aktit martesor.

Kurvëria e syrit është shikimi…

Kurvëria e gjuhës është të folurit…

Kurvëria e dorës është prekja…

Dëshmi për këtë është hadithi të cilin e ka transmetuar Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Birit të Ademit i është përcaktuar në mënyrë të padiskutueshme hisa (pjesa) e tij prej kurvërisë (zinasë). Kurvëria e syve është shikimi (i femrave të ndaluara), kurvëria e veshëve është dëgjimi, kurvëria e gjuhës është të folurit, kurvëria e dorës është prekja, kurvëria e këmbës është ecja (për kryerjen e haramit), zemra dëshiron dhe përfytyron, ndërsa organi seksual i vërteton ose i përgënjeshtron ato." E transmeton Muslimi.

 

3.Përdorimi i fjalës"Ez Zina" për marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme.

Ky kuptim është për qëllim në përdorimin e kësaj fjale në Kuranin madhështor, ashtu siç është përmendur në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

"O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se nuk do t’i shoqërojnë shok Allahut, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë kurvëri…" [El Mumtehine: 12]

Në një ajet tjetër thuhet:

"Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe rrugë shumë e keqe." [El Israë: 32]

 

 

Përkufizimi i prostuticionit (kurvërisë) nga ana fetare

 

Ibën Rrushd el Kurtubi ka thënë: "Kurvëria është kryerja e marrëdhënieve seksuale, pa praninë e një akti martesor të saktë, madje pa praninë e një akti martesor qoftë ai edhe i dyshimtë, me një femër e cila nuk është nën posedimin e mashkullit (nuk është as bashkëshorte dhe as robëresh e tij). Për këtë kanë rënë dakord në përgjithësi të gjithë dijetarët islamë."[4]

Imam en Neueui (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Vërtetësia legjislative (fetare) e cila e bën të detyrueshëm ndëshkimin (për kurvërinë), është futja e majës së organit seksual mashkullor, apo e përmasës së saj, në organin seksual femëror…”[5]

Uthman el Hanbeli ka thënë: "Kurvëria është kryerja e marrëdhënieve seksuale të jashtëligjshme në vaginë apo anus.”[6]

Esh Sheukeni (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Zinaja është kryerja e marrëdhënieve seksuale që kryen mashkulli në organin seksual të femrës, pa praninë e një akti martesor qoftë ai edhe i dyshimtë.” Po ashtu kanë thënë: “Kurvëria është penetrimi i organit seksual mashkullor në një tjetër organ seksual, sigurisht të ndaluar nga feja."[7]

Khalili në "Muhtesarin" e tij ka thënë: "Zinaja është kryerja e marrëdhënieve seksuale nga ana e muslimanit i cili i plotëson kushtet për përmbushjen e obligimeve fetare (ka hyrë në moshën e pjekurisë dhe është i rregullt psiqikisht), në organin e një njeriu tjetër që nuk është nën posedimin e tij, me vetëdije dhe qëllimisht."[8]

Përveç përkufizimeve të mësipërme ka edhe të tjerë, e Allahu e di më së miri.

Përkufizimi më i saktë për "zinanë" është: "Kryerja e marrëdhënieve seksuale në vaginë, me femrën e cila nuk është nën posedimin e mashkullit, duke mos patur në të paqartësira që të lënë të dyshosh."[9]

Bekër ibën Abdullah Ebu Zejd e ka pëlqyer këtë përkufizim, si dhe ka theksuar se penetrimi (futja) i organit seksual mashkullor në anus nuk konsiderohet "zina" (kurvëri) dhe se gjykimi për të është i ndryshëm nga ai i kurvërisë, por gjithsesi gjykimi për këtë të dytën është vrasja.

Esh Sheukeni e ka përkrahur këtë fjalë kur ka thënë: "Nëse arrihet të argumentohet se kryerja e marrëdhënieve në anus konsiderohet "zina" atëherë është i obligueshëm ndëshkimi, duke u argumentuar për këtë në fjalën e Allahut të Lartësuar:

 

 

"Laviren dhe lavirin i rrihni secilin prej tyre me nga njëqind të rëna (me kamzhik)…" [En Nurë: 2]

Mirëpo nëse nuk arrihet të vërtetohet nga ana gjuhësore dhe legjislative se kjo vepër quhet "zina", atëherë nuk është i obligueshëm ndëshkimi (i posaçëm për kurvërinë) për atë që vepron këtë punë dhe as për atë i cili akuzon pa patur prova dikë se e ka vepruar këtë punë (pra nuk dënohet ashtu siç dënohet ai që ka shpifur për kurvërinë sh.p.). Të argumentuarit me hadithin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili urdhëron që të vritet bërësi dhe atij që i bëhet[10] nuk është me vend këtu. Kjo, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri të detyrueshme vrasjen e atij i cili e kryen këtë krim, duke mos bërë dallim mes atij i cili ka qenë i martuar dhe beqarit. Ndërsa në rastin e kurvërisë dënimi për atë i cili është i pa martuar (i virgjër) është goditja njëqind herë me kamzhik, kurse dënimi për të martuarin është gurëzimi (vrasja). Për sa i përket argumentimit të autorit[11] se kryerja e marrëdhënieve seksuale në anus është krim më i madh se kurvëria, kjo nuk vlen për këtë çështje, sepse ndëshkimet (el hudud) nuk përpilohen me krahasime.[12]

 

 

Ajetet e shpallura mbi ndalimin e kurvërisë,

si dhe mbi urdhërimin për mosekspozimin e pjesëve të turpshme

Vijon ...

 



[1] Autori ka për qëllim atë person i cili nuk është penduar.

[2] E ka transmetuar El Hakim nga Ibën Mesudi dhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

[3] Fjala këtu është e autorit, po sikur t'i kërkosh Allahut falje edhe për mua (përkthyesin) nuk bën keq inshaAllah.

[4] "Bidajetu el muxhtehid ue nihajetu el muktesid" [vëll. VI, f. 107].

[5] "El Mexhmua" [vëll.XXI, f. 292].

[6] "Hidajetu err rragib li sherhi umdeti et talib" [f. 530].

[7] "Fet'hu el Kadir" [vëll. IV, f. 4].

[8] "Muhtesar Khalil mea esh sherh" [vëll.VIIII, f. 245].

[9] "El hudud ue et ta'zirat" [f. 93].

[10] Esh Sheukani (Allahu e mëshiroftë!) ka për qëllim hadithin e ardhur nga Ibën Abasi të cilin e ka transmetuar Ibën Maxhe dhe të tjerë përveç tij, teksti i të cilit është: "Nëse gjeni dikë të veprojë punën e popullit të Lutit (homoseksualizmin) atëhere vriteni bërësin dhe atij që i bëhet." Po ashtu e ka transmetuar këtë hadith Ebu Daudi. Ndërsa Ahmedi dhe El Hakim e kanë transmetuar atë nga hadithet e Ebu Hurejrës, si dhe e ka saktësuar Esh Sheukeni në librin "Ueblu el gamam" [vëll. II, f. 326] dhe shejh el Albani (Allahu e mëshiroftë!) në "El irva" me nr [2350].

[11] Ka për qëllim El Emir el Husni, autorin e librit "Shifau el euem".

[12] "Ueblu el gammam ala Shifau el euem " [vëll.II, f. 323].

 

 

nentemat

fetva

faqe nga historia
imoraliteti
futbolli

© 2006 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.