IMORALITETI (6)

 

Autor: Ahmed ibën Hasen en Nehari

Përktheu: Edmond AJDINI

 

Shkaqet që çojnë te imoraliteti

 

Shkaqet të cilat çojnë te imoraliteti janë të shumta. Së pari do t'i përmendim ato të gjitha së bashku, ashtu siç vijon më poshtë dhe më pas do ta shqyrtojmë secilën prej tyre në veçanti.

1. Shikimi

2. Përzierja (midis meshkujve dhe femrave)

3. Dalja zbuluar e femrave

4. Dalja e femrës nga shtëpia e saj e parfumosur dhe e zbukuruar

5. Të veçuarit me gruan e huaj

6. Përshëndetja dhe dhënia e dorës grave të huaja

7. Zbukurimi i zërit nga ana e femrave dhe të folurit me lajka

8. Udhëtimi i gruas vetëm duke mos patur shoqërues

9. Rrëfimi i mëkateve

10. Mosveçimi në shtrat i fëmijëve

11. Shikimi i filmave pornografik

12. Dëgjimi i muzikës

13. Pirja e alkoolit

14. Të shoqëruarit me njerëz të pamoralshëm

15. Skamja dhe varfëria

 

Lexues i nderuar, pasi që i përmendëm së bashku shkaqet të cilat çojnë te imoraliteti, po i përmendim ato një e nga një në veçanti, në mënyrë që të të qartësohet më tepër rrezikshmëria e tyre.

 

 

- 1 -

Shikimi

 

Shikimi është pikënisja e imoralitetit…

Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "S'ka dyshim se shkaku kryesor i imoralitetit është shikimi. Nëse mashkulli e hedh shpesh shikimin e tij te bukuria e një femre, kjo mund të bëhet shkak që ajo të zeri vend në zemrën e tij, në mënyrë të atillë që ajo të jetë burimi i shkatërrimit për të (Allahut i kërkojmë mbrojtje prej kësaj!). Shikimi pra, është pikë nisja e imoralitetit.

Muslim ibën el Uelid el Ensari lidhur me këtë ka thurur këto vargje:

I mundësova zemrës një shikim           

që të kënaqej me të syri im

dhe ai për mua ishte burim i trishtimit.

Nuk gjeta si epshi më të vështirë për të kuruar

I Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai i Cili epshin ka krijuar!

 

Ndërsa një tjetër poet ka thënë:

 

A nuk e ke ditur vallë se syri drejt zemrës vërshon si shigjetë?!

Vërtet ajo që sytë i mahnit, mahnit edhe zemrën vet.

 

Duke u nisur prej faktit se shikimi është pikënisja e të gjitha të këqiave, Allahu i Madhëruar urdhëroi që të ulet shikimi. I Madhëruari ka thënë:

"Thuaju besimtarëve të ulin prej shikimeve (nga harami), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që veprojnë." [En Nurë: 30]

Es Seadi (Allahu e mëshiroftë!) në komentim të këtij ajeti ka thënë: "Kuptimi i këtij ajeti është: Udhëzoi besimtarët, ata të cilët zemrat i kanë të mbushura me iman, besim ky i cili i ruan ata prej punëve të këqia; t'i ulin shikimet e tyre prej gjërave të ndaluara, femrave të huaja, si dhe prej vezëllimeve mashtruese të kësaj bote të cilat bëhen shkak për kryerjen e punëve të ndaluara…Ai i cili e ruan nderin dhe shikimin e ka pastruar vetveten prej ndyrësive me të cilat janë përlyer njerëzit me moral të prishur…Ai i cili e ul shikimin e tij Allahu i Madhëruar ia ndriçn atij rrugët e jetës. Kjo sepse nëse njeriu e ruan nderin dhe shikimin e tij prej gjërave të ndaluara dhe prej atyre punëve që i paraprijnë ato, duke i kundërshtuar në këtë mënyrë epshin dhe dëshirat e tij, kjo do të bëj që ruajtja nga ana e tij e ndalesave të tjera të jetë më e plotë.

Allahu i Madhëruar e quajti atë "ruajtje" për shkak se nëse ruajtësi i diçkaje tregohet i pavëmendshëm dhe e humbet mbikëqyrjen ndaj saj e nuk i merr masat e nevojshme për ruajtje, atëherë nuk do të ishte më e ruajtur. Po ashtu, nëse njeriu nuk përpiqet për ruajtjen e shikimit dhe pjesëve të turpshme të tij, i ka hapur në këtë mënyrë vetvetes probleme dhe telashe të shumta.

Allahu i Madhëruar në ajetin e mësipërm urdhëron në mënyrë të prerë për ruajtjen e pjesëve të turpshme, kjo sepse ekspozimi i tyre nuk lejohet në asnjë mënyrë. Ndërsa në lidhje me shikimin ka thënë: "… të ulin prej shikimeve (nga harami)", pra është përdorur "prej" e cila tregon për veçimin e një pjese. Kjo sepse shikimi në disa raste të nevojshëme është i lejuar; siç është shikimi i dëshmitares, punonjëses, të fejuarës, atj. Në mbyllje të këtij ajeti Allahu i Madhëruar u tërheq vërejtje besimtarëve dhe ua bën atyre të qartë se Ai është i mirënjohur për punët e tyre, në mënyrë që ata të përpiqen për ruajtjen e vetes së tyre prej gjynaheve.[1]

 

Vërejtje!

Prej Fjalës së Allahut të Madhëruar "… të ulin prej shikimeve (nga harami)" përftohet urdhëresa e Tij drejtuar besimtarëve në mënyrë që t'i ulin shikimet prej çdo gjëje të ndaluar. Për sa i përket fjalës së atyre që thonë se është i lejuar shikimi i femrës së huaj nëpërmjet pasqyrës, apo pasqyrimit të ujit; kjo fjalë e tyre është e pabazë. Këtë fjalë e ka përmendur El Amiri. S'ka dyshim se kjo fjalë bie në kundërshtim me urdhërin e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Madhëruar, ashtu siç i urdhëron besimtarët për ulje të shikimit, urdhëron edhe besimtaret duke thënë:

"Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre…" [En Nurë: 31]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka tërhequr vërejtje rreptësisht prej shikimit të harameve. Po paraqes për ty lexues i nderuar disa prej haditheve të sakta të transmetuara nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me këtë temë, në mënyrë që të jesh sa më i kujdesshëm, e s'ka dyshim se Allahu është ndihmëtari më i mirë.

Nga Ebu Said el Hudrij (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Të mjerët ju nëse qëndroni rrugëve! - O i Dërguari i Allahut, ne shpeshherë e kemi të nevojshëme të qëndrojmë dhe bisedojmë në to - thanë sahabët.

- "Nëse patjetër keni nevojë të qëndroni në to, atëherë i jepni rrugës të drejtën e saj!

-E çfarë është e drejta e saj o i Dërguari i Allahut?.

- "Ulja e shikimit, largimi i pengesave, kthimi i selamit, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi prej së keqes."[2]

Nga Ebu Burajde, e ky nga babai i tij, transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Aliut i ka thënë: "O Ali, mos e paso shikimin tënd të parë me shikim tjetër, sepse e para është e lejuar për ty, ndërsa e dyta jo."[3]

Nga Xherir ibën Abdullahi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: "E pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në lidhje me shikimin e befasishëm dhë më urdhëroi që ta shmang atë."[4]

Nga Ibën Mes'udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Sytë bëjnë zina, duart bëjnë zina, këmbët bëjnë zina, si dhe organi seksual bën zina."[5]

Nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: "Ndërkohë që Fadli[6] kishte hipur mbi kafshë bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vjen një grua prej Hath'amit. Fadli po e vështronte atë dhe ajo nisi ta vështrojë Fadlin. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ktheu fytyrën e Fadlit nga ana tjetër. Ajo tha: O i Dërguari i Allahut, obligueshmëria e haxhit e gjeti babain tim në moshë të madhe e ai nuk i përballon dot vështirësitë e udhëtimit. A ta kryej unë haxhin në vend të tij? – Po, tha ai." - Kjo ka ndodhur në haxhin e lamtumirës.[7]

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndaloi djaloshin prej shikimit të saj, ndalesë kjo jo me fjalë por me vepër. Nëse shikimi do të ishte i lejuar, ai do ta aprovonte atë..."[8]

Nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ka thënë: "Nuk kam dëgjuar fjalë më të çuditshme se ajo e Ebu Hurejrës kur transmeton se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Allahu i ka përcaktuar birit të Ademit hisën e tij prej kurvërisë (zinasë) e ai do të bjerë pre e saj në mënyrë të padiskutueshme. Kurvëria e syve është shikimi (i femrave të ndaluara), kurvëria e veshëve është dëgjimi, kurvëria e gjuhës është të folurit, kurvëria e dorës është prekja, kurvëria e këmbës është ecja (për kryerjen e harramit), zemra dëshiron dhe përfytyron, ndërsa organi seksual i vërteton ose i përgënjeshtron ato." [9]

Fjalë me vend ka thënë el hafidhu Ebu Bekër el Amiri në lidhje me hadithin e Burajdes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Aliut i thotë: "O Ali, mos e paso shikimin tënd të parë me shikim tjetër, sepse e para është e lejuar për ty, ndërsa e dyta jo."[10] Ebu Bekër el Amiri thotë: "Këtë këshillë ia drejton Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) edhe pse ai (Profeti) e di më se miri pastërtinë e brendëshme dhe të jashtme të Aliut, dëlirësinë dhe vetpërmbajtjen e tij. Ai e këshillon atë që t'i ruhet tundimit e të mos bjerë pre e shikimit të ndaluar. Pas kësaj nuk mbetet më vend për asnjë "të fortë" të pretendoj se ai është i ruajtur dhe i paprekshëm prej gjynaheve, e askush nuk e ndjen veten të sigurt prej sprovës së Allahut përveç popullit mizor."[11]

Po ai (Allahu e mëshiroftë!) vazhdon e thotë: "Është i papranueshëm veprimi i shumë njerëzve të cilët nuk e kanë për gjë të vështrojë vëllai bashkëshorten e vëllait të vet, apo motra të vështrojë burrin e motrës së vet, e sidomos kur bashkohen në të njëjtën shtëpi. Ndodh që ndonjëri nga vëllezërit e burrit të veçohet me bashkëshorten e vëllait të vet pa prezencën e dikujt tjetër prej pjestarëve të familjes, e ky veprim është i ndaluar në fenë islame me aprovimin e të gjitha medh'hebeve…"[12]

Ibnul Kajim (Allahu e meshirofte!) ka thënë: "Shikimi është pikë nisja e të gjitha fatkeqësive. Është shikimi ai i cili në zemër ngjall pasion, pastaj pasioni ngjall ide, ideja ngjall epsh, epshi ngjall dëshirë, dëshirë kjo e cila sa vjen edhe bëhet më e fortë, derisa shndërrohet në vendosmeri të pakundërshtueshme. Mbas kësaj, nëse nuk ekziston ndonjë pengesë e jashtme, e padëshiruara medoemos që ka për të ndodhur. Për këtë arsye kanë thënë: "Durimi ndaj uljes së shikimit është shumë më i lehtë sesa durimi ndaj pasojave që sjell shikimi."[13]

Të vërtetën ka thënë ai që tha:

 

Si fillim një shikim,

një buzëqeshje,

pastaj përshëndetje,

pastaj shkëmbehen dy fjalë,

jepet një premtim dhe shkohet ne takim.

 

Ibnul Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Dije se fillimi i dashurisë magjepsëse "el ishk"  është mosruajtja e shikimit. Ashtu siç është kjo gjë e rrezikshme për burrat, është edhe për gratë. Sa e sa prej atyre të cilët konsideroheshin shembull i lartë i vërtyteve dhe fisnikërisë e humbën devotshmërinë, madje humbën fenë e tyre, për shkak të mos ruajtjes së shikimit dhe pasojave të tij?! Ruajuni prej kësaj![14]

Sa me vend janë këtu fjalët e poetit:

 

Ishte shkëmbimi i shikimit me shikim

ai i cili në zemër mbolli shkatërim!

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë[15]: "Duke u nisur prej faktit se shikimi i ndaluar është prej shkaqeve kryesore që ndikojnë në prishjen e zemrës, sa që disa prej të parëve tanë të mirë e kanë quajtur atë "shigjetë e helmuar", Allahu i Madhëruar, ashtu siç ka urdhëruar për ruajtjen e pjesëve të turpshme, ka urdhëruar edhe për ruajtjen e shikimit i cili është stimulues për tek ajo. I Lartëmadhëruari ka thënë:

"Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (nga harami), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre..." [En Nurë: 30]

Ruajtja e pjesëve të turpshme të trupit, nganjëherë bëhet duke i penguar prej imoralitetit, ashtu siç kuptohet prej fjalës së Allahut të Lartësuar:

"Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (pjesët e turpshme) " [El Mu'minunë: 5]

E nganjëherë tjetër është për qëllim mosekspozimi i tyre, ashtu siç ndalon prej kësaj hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) :"Ruaji pjesët e turpshme të trupit, përveç se ndaj bashkëshortes tënde apo ndaj atyre (robëreshave) që ke në posedim."[16]

Ibnul Kajim (Allahu e meshirofte!) ka thënë[17]: "Vërtet ndermjet syrit dhe zemrës ka një shteg dhe rrugë. Nëse syri prishet dhe shthuret, prishet dhe shthuret edhe zemra sa që behet e ngjashme me vendgrumbullimin e pislliqeve, mbeturinave dhe plerave. Është më se e natyrshme që një zemër e tillë nuk vlen për të zënë vend në të njohja e Allahut dhe dashuria e Tij, përkundrazi, ajo çka do të mbizotëroj në të është neglizhenca dhe epshi…"

Të vërtetën e ka thënë poeti:

 

Një këshillë dëgjoje o rob i Allahut

hiq dorë prej të rendurit pas kotësive

se fundi i dashurisë është veç trishtimi

ndërsa fillimi ngjason me lojën e fëmijëve

 

Ibnul Kajim (Allahu e meshirofte!) po në lidhje me këtë temë ka thënë: "Allahu i Madhëruar ka urdhëruar uljen e shikimit prej bukurisë femërore, edhe pse ai shikim do të manifestonte qartë përsosmërinë e krijesës së Allahut dhe do të argumentonte fuqishëm mjeshtërinë e Tij krijuese; mirëpo përderisa si rrjedhojë e atij shikimi lindin edhe pasoja negative të shumta, atëherë i ka dhënë përparësi mbrojtjes prej dëmeve duke e mbyllur derën e së keqes…"[18]

Shikimi është burimi i çdo fatkeqësie dhe sëmundjeje pasi ai në të shumtën e rasteve bëhet shkak për shkuarjen drejt imoralitetit, Allahut i kërkojmë mbrojtje nga kjo! Prandaj dije o vëlla musliman, se ty nuk të lejohet ta pasosh shikimin me shikim, pasi kjo është një çështje shumë e rrezikshme.

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmia (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Është i ndaluar shikimi me epsh i grave (femrave të huaja), dhe ai i cili e bën të lejuar një gjë të tillë nga ana fetare është kafir (jobesimtarë) me aprovimin e të gjithë dijetarëve…"[19]

Përgëzohu o ti që e frenon shikimin tëndë nga harami me ëmbëlsinë e besimit, e cila ka për të zënë vend në zemrën tëndë. Me të vërtetë ai i cili e lë diçka (të ndaluar) për hir të Allahut, Allahu i Madhëruar ia zëvendëson atij me diçka më të mirë se ajo.

Shah el Kermani ka thënë: "Ai i cili e frenon shikimin e tij nga e ndaluara, e disiplinon vetveten (brendësinë) e tij vazhdimisht me Mbikqyerjen e Allahut të Madhëruar, e zbukuron pamjen e jashtme me pasimin (zbatimin) e sunetit, nuk e ushqen vetveten veçse me hallall dhe e ndalon veten e tij nga pasimi i epsheve; nuk gabon gjykimi i tij. E nëse ky person pas këtyre cilësive paiset edhe me dituri, punon me të, e do hakun (të vërtetën) dhe e pason atë, atëherë ky person në këtë mënyrë bëhet i pastër, i devotshëm dhe i bëhet atij obligim xheneti…"[20]

Gjithashtu prej fjalëve të Ibën Tejmies është: "Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk i lejohet gruas shikimi me epsh i burrave të huaj…"[21]

Po ashtu ai (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: " …Ndalimi i shikimit prej harameve është prej shkaqeve të hyrjes në xhenet."[22]

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) transmeton nga Ubade ibën es Samit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Më garantoni mua gjashtë gjëra dhe unë ju garantoj xhenetin. Kur të flisni thoni gjithmon të vërtetën, nëse premtoni plotësojeni premtimin, nëse dikush ju lë në besim diçka, kthejani të plotë atë, ruajini pjesët e turpshme të trupit (mos i ekspozoni ato), ulini shikimet tuaja (prej gjërave të ndaluara) dhe frenojini duart tuaja (prej vjedhjes)."[23]

Shiko se si reagoi Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ndaj veprimit të atij burrit me të cilin kishte shkuar për vizitë, ndërsa ai nisi të shoh vjedhurazi në brendësi të shtëpisë.

Nga ibën Ebi edh Dhuhejl transmetohet se ka thënë: "Abdullahi bashkë me një burrë tjetër shkuan për vizitë te një shoku i tyre. Kur hynë në shtëpinë e tij, burri që ishte me të nisi të shoh në brendësi të saj. Abdullahi i tha: Për Allahun, sikur të të verbohej shikimi do të ishte më mirë për ty."[24]

Pra, ruajtja e shikimit është shkak për futjen në xhenet, e në të kundërt, shikimi i gjërave të ndaluara mund ta shtyjë njeriun drejtë idhujtarisë dhe mosbesimit, – Allahut i kërkojmë mbrojtje!

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në lidhje me këtë ka thënë: "Shikimi apo lidhjet e zjarrta mund të çojnë edhe drejt shirkut, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:

"E nga njerëzit ka prej tyre që në vend të Allahut i përkushtohen idhujve, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun" [El Bekare: 165]

Nisur nga kjo themi se dashuria magjepsëse[25] dhe lidhja e fortë e zemrës me imazhet tërheqëse ndodh vetëm atëherë kur dashuria ndaj Allahut të Madhëruar dhe besimi në zemër është i dobët. Allahu i Madhëruar e përmend këtë lloj dashurie kur tregon për bashkëshorten e zotërisë në shtëpinë e të cilit banonte profeti Jusuf (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ashtu siç e përmend edhe kur tregon për popullin e profetit Lut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!); e gjëja e përbashkët ndërmjet bashkëshortes së zotërisë në shtëpinë e të cilit banonte Jusufi dhe popullit të Lutit është se ata ishin idhujtarë.[26]

I magjepsuri shumë shpejtë shndërrohet në adhurues të asaj gjëje e cila e ka magjepsur duke iu nënshtruar tërësisht pasi që ajo ia ka robëruar zemrën…[27]             

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Fadl ibën Zijadi ka thënë: Kam dëgjuar tek e pyetën Ebu Abdullahin në lidhje me martesën duke i thënë: Çfarë mendimi ke në lidhje me martesën në këtë kohë? Tha: Martesa në këtë kohë është më se e domosdoshme, madje sa mirë do të ishte sikur burrat të martoheshin jo me një por me dy gra. A nuk po frikësoheni se mos po ju sheh syri diçka e t'ju shkojnë dëm punët tuaja?! – Thashë: Po si t'ia bëj, me se t'i ushqejë? – Tha: A mos furnizimi i tyre është në dorën tënde?! Furnizimi i tyre është në Dorë të Allahut të Madhëruar!"[28]

 

Prej dobive të uljes së shikimit:

Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur disa prej dobive të cilat përftohen si pasojë e uljes së shikimit. Në vijim po i përmendim disa prej tyre me pak ndryshime nga ana jonë. Ai (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:[29]

Prej dobive që përftohen si pasojë e uljes së shikimit përmendim:

  1. Mbrojtja e zemrës nga dhimbja e cila shkaktohet si pasojë e të dëshiruarit atë që nuk mund ta ketë. Ai i cili nuk e shmang shikimin prej harameve ia ka hapur derën dëshpërimit, e nuk ka gjë më të dëmshme për zemrën sesa përcjellja e shikimit.
  2. Ulja e shikimit në zemër ngjall dritë dhe shkëlqim, sa që shenjat e asaj drite shfaqen qartë në sytë, fytyrën dhe gjymtyrët e personit, ndërsa në të kundërt; përcjellja e shikimit shkakton errësirë dhe neveritje, gjë e cila pasqyrohet edhe në fytyrë.
  3. Ajo ia mundëson njeriut të jetë i saktë në gjykimin e tij dhe i suksesshëm në vendimet që merr, pasi ky sukses është fryt i dritës të cilën Allahu e vendos në zemrën e robit.
  4. Ajo ia hap njeriut rrugët e dijes dhe ia lehtëson përvetësimin e saj.
  5. Ajo ngjall në zemër vendosmëri dhe guxim, duke i mundësuar njeriut kthjelltësi dhe vetëkontroll.
  6. Kënaqësia, lumturia dhe hareja e cila përftohet si pasojë e uljes së shikimit (duke patur për qëllim shpërblimin) është shumë më e madhe sesa kënaqësia e cila mund të arrihet si pasojë e përcjelljes së shikimit.
  7. Ajo e shpëton zemrën prej robërisë së epshit.
  8. Ajo ia mbyll njeriut një derë prej dyerve të xhehenemit.
  9. Ulja e shikimit e përforcon fuqinë e të menduarit dhe të logjikuarit, ndërsa përcjellja e shikimit nuk lind veçse si pasojë e marrëzisë mendjelehtësisë, dhe moskokëçarjes në lidhje me rezultatet dhe frytet e hidhura.
  10. Ulja e shikimit e shpëton zemrën prej trallisjes së epshit duke ia larguar gjumin e shpërkujdesjes.

Imam El Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Syri është shtegu kryesor i zemrës pasi ai përbën shqisën e cila ndikon mw sw tepwrmi tek ajo, për këtë arsye edhe ata që bien pre e tij nuk janë të pakët. Nisur nga kjo themi se është më se e domosdoshme të qartësohet rreziku i tij, e s'ka dyshim se shmangia e shikimit nga harramet si dhe nga çdo gjë tjetër e dëmshme është vaxhib (obligative).[30]

Ibën Dekik el Aid ka thënë: "Devotshmëria është shkaku kryesor i cili bën të mundur uljen e shikimit dhe ruajtjen e moralit."[31]

Said ibën Ebi el Hasen ka thënë:[32] "Hasenit i thashë: Gratë e huaja (jomuslimanet) i zbulojnë kraharoret dhe kokat e tyre (pra a na lejohet t'i shohim ato?). Tha: Ule shikimin prej tyre! Allahu i Madhëruar thotë:

"Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që veprojnë." [En Nurë: 30]"

 

- 2 -

Përzierja

(midis meshkujve dhe femrave)

 Vijon ...


[1] "Tejsiru El kerimi Err Rrahman" [vëll.III, f. 445].

[2] E transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij me nr [6229], Muslimi me nr [2121], po ashtu Ebu Daudi me nr [4815] dhe Ahmedi me nr [11295] prej haditheve të Ebu Said el Hudri dhe me nr [16346] prej haditheve të Ebu Talha el Ensarit. Hadithin e transmeton edhe El Bejhaki [vëll 7, faq 89].

[3] E transmeton Ebu Daudi në "Sunenin" e tij me nr [2149], Et Tirmidhi [2777], Ahmedi [22968], El Hakimu [vëll. 3, faq. 123], El Bejhaki [vëll. 7, faq. 90], Ed Darimi [vëll.2, f. 298] dhe Et Tahaui në "El Mushkil" me nr [1866]. El Albani (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij "Xhilbabul mer'etil muslime – Mbulesa e femrës muslimane" e ka vlerësuar këtë hadith si Hasen – të mirë. Shiko faqen 77.

[4] E transmeton Muslimi në "Sahihun" e tij me nr [2159], Ebu Daudi [2148], Et Tirmidhi [2776], Ahmedi [19111], El Bejhaki [vëll. 7, faq. 89 - 90], El Hakimu [vëll. 2, faq. 396], Et Tahaui në "El Mushkil" me nr [1868] dhe En Nesai në "Aishratu nisai" [351].

[5] E transmeton imam Ahmedi në "Musnedin" e tij me nr [3911] dhe Ebu Nuajm në "El Hiljeh" [1622]. Shejh el Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Zinxhiri i tij i transmetimit është i mirë…" Shiko "Irvau el galil" [vëll.VIII, f. 38]. Po ashtu shejh Mukbili e ka vlerësuar si të mirë këtë hadith në librin "El xhamiu es sahih" [vëll. III, f. 129].

[6] Është fjala për sahabiun e nderuar Fadl ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[7] E transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij me nr [1513], Muslimi me nr [1334], po ashtu Ebu Daudi me nr [1809] dhe En Nesai [vëll.V, f. 118-119].

[8] Shiko librin "Raudatu el muhibbin" [f.104].

[9] E transmeton Buhariu në "Sahihun" e tij me nr [6243], Muslimi me nr [2657], Ebu Daudi [2152], Ahmedi [7701], dhe El Begaui në librin "Sherhu es sunneh" [vëll. I, f. 136-137], me nr [75].

[10] E kemi përmendur pak më sipër nxjerrjen e këtij hadithi.

[11] Në dorëshkrimin e tij të begatë me titull: "Ahkamu en nedhari ila el muharramati ue ma fihi minel ekhtari ue el efati" [f. 45].

[12] I njëjti burim i mësipërm [f. 44].

[13] "Ed deu ued deueu" [f. 234].

[14] "Ahkamu en nisa'ë" [f. 82]. 

[15] Shiko Tefsirin e tij [vëll.III, f. 273].

[16] E transmeton imam Ahmedi ne "Musnedin" e tij me nr [19978]. Ai (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Transmetohet nga Jahja ibën Said dhe Ismail ibën Ibrahim, e këta: Nga Behzi, se ai ka thënë: Më ka treguar babai im se gjyshi im ka thënë: E kam pyetur profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): "O i Dërguari i Allahut, çfarë lejohet të duket prej pjesëve të turpshme dhe çfarë nuk duhet treguar? Tha: "Ruaji pjesët e turpshme të trupit, përveç se ndaj bashkëshortes tënde apo ndaj atyre (robëreshave) që ke në posedim." Tha: I thashë: O i Dërguari i Allahut, po kur njerëzit përzien me njeri-tjetrin? Tha: "Nëse mundesh të mos i shfaqësh ato, atëherë kështu vepro! Thashë: Po në qoftë se dikush prej nesh ndodhet vetëm, larg prej shikimit të njerëzve? Tha: "Të turpërohesh ndaj Allahut të Lartmadhëruar është më parësore." E transmeton Ebu Daudi me nr [4017] dhe El Bejhaki [vëll. 3, f. 273]. Shejh el Albani (Allahu e mëshiroftë!) në "Es sahihu el xhemia" [203] e ka vlerësuar këtë hadith si të mirë (Hasen).         

[17] Shiko librin "Ed deu ued deueu" [f. 233].

[18] "Ialemu el muaki'in" [vëll.III, f. 151].

[19] "El Ihtijarat" [f. 200]. Shiko po ashtu "El Fetaua el kubra" [vëll. V, f 449].

[20] "Mexhmu'ul fetaua" [vëll. XV, f. 396].

[21] "El Fetaua" [vëll. XV, f. 396].

[22]" El Fetaua" [vëll. XV, f. 395].

[23] E transmeton imam Ahmedi ne "Musnedin" e tij me nr [22753]. Shejh el Albani (Allahu e mëshiroftë!) në "Silsiletu el ehadithi es sahiha" me nr [1470] e ka vlerësuar këtë hadith si të mirë (Hasen).

[24] E transmeton imam Buhariu në "El edebu el mufrad" me nr [1305]. El Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka vlerësuar si të mirë (hasen), meukuf në librin "Sahihu el edebi el mufrad".

[25] Bëhet fjalë për dashurinë e cila i kalon normat e lejuara nga sheriati dhe ndoshta pa e kuptuar shndërrohet në adhurim. A nuk të duket i tillë shembulli i atyre të rinjve dhe të rejave të cilët nga dashuria e madhe për këngëtarin e tyre të preferuar, nuk ngurronin madje edhe të vrisnin veten?! Kjo dukuri ishte jo pak e përhapur në vendet perëndimore, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Posterat e "idhujve" të tyre haseshin kudo nëpër mure. Fotografitë e tyre i gjeje në bluzat e të rinjve, në revista e gjithandej. Dalëngadalë në zemrat e tyre të zbrazëta ato imazhe të rreme hyjnizoheshin dhe shumë lehtë e dominonin krejtësisht logjikën dhe arsyen. Sa e sa të rinj dhe të reja i japin fund jetës së tyre për arsyen e vetme se i fejuari (e fejuara) e ka lënë?!

Vëlla i nderuar!

Vetëm Allahu i Madhëruar e meriton të duhet për Veten e Vet, kjo pasi Ai është i Përkryer dhe pa kurrfarë të mete, e njeriu prej natyrshmërisë së tij, e do atë që është i përkryer. Allahu i Madhëruar me bujarinë e Tij t'i ka falur ty të gjitha mirësitë, e njeriu e do atë që është i mirë dhe bujar; ndërsa gjithçka tjetër përveç Tij është i mangët dhe nuk meriton të duhet për gjë tjetër, por veçse për ato atribute të cilat Allahu ia ka falur atij… (sh.p).

[26] Duket sikur imam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dëshiron të thotë se kjo lloj dashurie magjepsëse është cilësi e njerëzve jobesimtarë apo e atyre me besim të dobët zemrat e të cilëve nuk e njohin dashurinë për Allahun e Madhëruar dhe se ajo nuk është cilësi e besimtarëve të devotshëm të cilët nuk e lidhin zemrën me askë dhe asgjë tjetër ashtu siç e lidhin atë me Zotin e tyre. (sh.p).

[27] "El Fetaua" [vëll. XV, f. 293].

[28] "Bedaiu el feuaid" [vëll. II, f. 354].

[29] Shiko në lidhje me këtë "Raudatu el muhibbin" [f. 110-119].

[30] "Nedhratu en naim" [vëll. VII, f. 3071]. Shiko gjithashtu edhe "El Xhemiu li ulumi el Kur'an" [vëll. II, f. 148].

[31] "Nedhratu en naim" [vëll. VII, f. 3075].

[32] I njëjti burim i mësipërm.

 

 

 

nentemat

fetva

faqe nga historia
imoraliteti
futbolli

© 2006-2007 Rrugetepaqes.net. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.