You are here:--SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT 2

SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT 2

2018-11-01T18:40:23+00:00November 1st, 2018|Categories: Besim|

Tema e tretë

Zbritja e Isait, birit të Merjemes  (alejhis-selam)

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme

Përgatiti: Dr. BLEDAR ALBANI


Nga shenjat e mëdha dhe madhështore të Kiametit është zbritja nga qielli e Isait, birit të Merjemes (alejhis-selam). Tekstet e Kuranit dhe Sunetit kanë pohuar se ai do të zbresë para se të ndodhë Kiameti, do të vrasë Dexhalin, do të thyejë kryqin dhe do të gjykojë me drejtësi sipas Sheriatit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), duke ringjallur edhe shumë prej asaj që njerëzit do e kenë lënë në atë kohë. Do të qëndrojë në tokë aq sa të ketë caktuar Allahu, pastaj do të vdesë, do i falet xhenazeja dhe do të varroset.

Diskutimi rreth Isait (alejhis-selam) përfshin disa çështje:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti që vërtetojnë zbritjen e Isait (alejhis selam) nga qielli

Në Kuran kanë ardhur tre ajete që provojnë zbritjen e Isait (alejhis-selam):

Ajeti i parë: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Në të vërtetë, ai (Isai) është njohje e ardhjes së Orës (së Kiametit), në ardhjen e së cilës mos dyshoni kurrsesi!” [Zuhruf, 61]. D.m.th. qe zbritja e Isait (alejhis-selam) para Kiametit është shenjë e afrimit të Kiametit, dhe këtë e forcon edhe leximi tjetër i të njëjtit ajet me kuptimin: “Në të vërtetë, ai (Isai) është shenjë e Kiametit…”[1] D.m.th. dalja e tij është një nga shenjat e Kiametit që tregojnë afrimin e tij. Imam Ahmedi dhe el Hakim kanë nxjerrë nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma), se në interpretimin e ajetit të mësipërm, ai ka thënë: “Bëhet fjalë për daljen e Isait, birit të Merjemes (alejhis selam) para ditës së Kiametit.”[2]

Ky kuptim është tranmsetuar nga disa prej imamëve të Tefsirit, dhe këtë e ka zgjedhur edhe Hafiz Ibën Kethiri, e të tjerë.[3]

Ajeti i dytë: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi…” [Muhammed, 4].

Begaviu (Allahu e mëshiroftë!), në interpretim të këtij ajeti, thotë: “Domethënia e ajetit është kështu: I shkatërroni idhujtarët me goditje dhe robërim deri sa të gjithë ata të pranojnë Islamin dhe feja e njerëzve të tokë të jetë vetëm për Allahun, dhe të mos ketë më pas xhihad dhe as luftë e vrasje; dhe kjo do të ndodhë kur të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam).”[4]

Ajeti i tretë: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159].

Ibën Xherir et Taberi ka transmetuar nga Ebu Malik, se në lidhje me këtë ajet, ky ka thënë: “Kjo do të ndodhë kur të zbresë Isai biri i Merjemes; nuk do të mbesë asnjë prej ithtarëve të Librit (të krishterët) veçse do t’i besojnë atij (dhe do të bëhen muslimanë si ai).”[5]

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk ka dyshim se kjo është e vërteta, dhe ajetet para dhe pas pohojnë pavërtetësinë e fjalës së hebrenjve për vrasjen e Isait dhe kryqëzimin e tij, gjë të cilën e pranuan edhe ata që e pranuan nga të krishterët pa pasur dije të sigurtë. Por Allahu tregoi se çështja nuk ishte ashtu, por atyre iu shfaq shëmbëlltyra e Isait dhe ata vranë shëmbëlltyrën pa e ditur çfarë kishte ndodhur, deri sa Allahu njoftoi se e kishte ngritur atë ne qiell tek Ai, dhe se ai vazhdon të jetë gjallë dhe se do të zbresë para Ditës së Kiametit, siç kanë vërtetuar dhe pohuar në detaje edhe hadithet e vërteta që do të sjellim më pas inshaAllah. Kur të zbresë, Isai do të vrasë mesihun e humbjes (Dexhalin), do të thyejë kryqin dhe do të vrasë derrin, do të anullojë haraçin (xhizje), dmth. nuk do e pranojë atë nga ithtarët e asnjë feje dhe nuk do të pranojë veçse Islamin ose vrasjen e tyre. Ky ajet tregon gjithashtu se në atë kohë Isait do i besojnë të gjithë të krishterët dhe nuk do ta kundërshtojë askush prej tyre.”[6]

Argumentet nga Suneti i pastër për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumta. Prej tyre përmendim:

Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Shumë shpejt pritet të zbresë tek ju i biri i Merjemes si udhëheqës i drejtë; do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin e nuk do ta pranojë atë nga jomuslimanët. Në atë kohë pasuria do të jetë me bollëk dhe askush nuk do e pranojë lëmoshën, sa që një sexhde e vetme do të jetë më e mirë se e gjithë bota dhe çka në të.”[7]

Pastaj Ebu Hurejra tha: “Nëse doni, lexoni fjalën e Allahut: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159].

Hadithi i transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Një grup nga populli im do të vazhdojë të luftojë triumfues për të vërtetën deri në Ditën e Kiametit.” Pastaj tha: “Pastaj do të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam), dhe prijësi i besimtarëve do i thotë atij (Isait): “Eja, na pri në namaz!” Ai do të thotë: “Jo! Ju jeni prijës për njëri-tjetrin.” -Si prestigj nga Allahu për këtë ymet.”[8]

Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Profetët janë vëllezër me nëna të ndryshme por me fe të njëjtë. Unë jam më i afërti i tyre me Isanë, birin e Merjemes, sepse mes meje dhe atij nuk ka pasur profet tjetër dhe, ai do të zbresë, dhe kur ta shihni, do e njihni nga këto cilësi: Një burrë i mesëm në lartësi, me ngjyrë mes të kuqes dhe të bardhës, i veshur me dy rroba me ngjyrë që anon nga e verdha e hapur, me kokën që i pikon (sikur të ishin të lagura) megjithëse nuk i ka prekur uji. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, do të heqë haraçin dhe do t’i ftojë njerëzit në Islam. Në kohën e tij, Allahu do i shkatërrojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit, dhe do të shkatërrojë gjithashtu Dexhalin. Pastaj toka do mbushet me siguri, sa që luanët do të kullosin bashkë me devetë, tigrat me lopët dhe ujqërit me delet. Fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë pa u dëmtuar prej tyre. Ai do të qëndrojë në tokë 40 vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin xhenazenë.”[9]

Ibën Kethiri, duke komentuar hadithet e zbritjes së Isait (alejhis selam), thotë: “Këto janë hadithe të transmetuara masivisht nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), si nga Ebu Hurejra, Ibën Mesudi, Uthman ibën Ebi el As, En Nevas ibën Sem’an, Abdullah ibën Amër ibën el As, Muxhemea ibën Xharije, Ebu Seriha Hudhejfe ibën Usejd, (Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha ata!); dhe të gjitha këto transmetime argumentojnë për mënyrën e zbritjes së Isait (alejhis selam) dhe vendin  e zbritjes që është Levanti, madje Damasku, mbi minaren Lindore të tij, në kohën kur do të thirret ikameti për namazin e sabahut… Ai do të vrasë derrin, do të thyejë kryqin dhe do të heqë haraçin, dhe nuk do të pranojë veçse Islamin, siç u përmend në hadithet e dy Sahihave të Buhariut dhe Muslimit. Ky është njoftim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), pohim, legjitim dhe lejim për të në atë kohë, kur të gjithë të krishterët do të hyjnë në fenë Islame duke pasuar Isain (alejhis selam), siç thotë Allahu në Kuran: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159]. Ky ajet është i ngjashëm me ajetin: “Ai është njoftim për Orën (e Kiametit)” [Ez Zukhruf, 61], i cili lexohet gjithashtu me zanoren “a” dhe me kuptimin “Shenjë” dhe “argument” për afrimin e Ditës së Kiametit, dhe kjo sepse ai do të zbresë pas daljes së mesihit Dexhal (Antikrishti), të cilin Allahu do e vrasë para Isait (alejhi selam). Në ditët e Isait, Allahu do të nxjerrë edhe Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët Allahu do i shkatërrojë me begatinë e lutjes së Isait (alejhis selam).”[10]

Ymeti Islam është bashkuar unanimisht në besimin në zbritjen e Isait (alejhis selam) si një nga shenjat e Kiametit, dhe këtë gjë nuk e ka kundërshtuar askush, me përjashtim të ndonjërit që nuk i merret fjala.[11]

Es Sefarini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ymeti musliman është bashkuar unanimisht për zbritjen e Isait (alejhis selam) dhe askush nga dijetarët e sheriatit nuk e ka kundërshtuar këtë, por e kanë kundërshtuar filozofët dhe ateistët, kundërshtimi i të cilëve nuk merret parasysh. Është lidhur unanimiteti i ymetit musliman se Isai do të zbresë dhe do të gjykojë me sheriatin e Muhamedit dhe nuk do të zbresë me sheriat tjetër kur të zbresë nga qielli…”[12]

Çështja e dytë: Cilësitë e Isait (alejhis selam)

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na ka njoftuar për cilësitë e Isait (alejhis selam). Transmetimet thonë se ai është një mesoburrë, as shumë i gjatë, as i shkurtër, me flokët kaçurrel, me ngjyrë të kuqe, gjoks të gjerë, që ngjan më shumë me Urvah ibën Mesud eth Thekafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Ibën Abasi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “E pashë Musain, Isain dhe Ibrahimin. Isai ishte i kuq, me kaçurrela, dhe me gjoks të gjerë.”[13]

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, që është përmendur më parë, thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mes meje dhe atij (Isait) nuk ka pasur profet tjetër, dhe ai do zbresë patjetër, dhe kur ta shihni, ju mund ta njihni nga këto cilësi:  Një burrë i mesëm në lartësi, me ngjyrë mes të kuqes dhe të bardhës, i veshur me dy rroba me ngjyrë që anon nga e verdha, me kokën që i pikon (sikur të ishin të lagura) megjithëse nuk i ka prekur uji. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, do të heqë haraçin dhe do t’i ftojë njerëzit në Islam. Në kohën e tij, Allahu do i shkatërrojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit…”[14]

Xhabir ibën Abdullah (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “M’u shfaqën para syve të gjithë profetët. Pashë Musain… pashë edhe Isain, birin e Merjemes, i cili më ngjante më shumë nga ata që kam parë me Urvah ibën Mesud…”.[15]

Çështja e tretë: Vendi i zbritjes së Isait (alejhis selam)

Isai (alejhis selam) do të zbresë te Minarja e Bardhë në Lindje të Damaskut, me duart të vendosura mbi krahët e dy engjëjve, i veshur me dy rroba me ngjyrë të verdhë të hapur. Zbritja do të jetë në kohën e namazit të sabahut kur muslimanët do të jenë rreshtuar për faljen e namazit dhe imami i tyre do të ketë dalë para për t’i prirë në namaz -me shumë mundësi ky imam është Mehdiu, i cili kur të mësojë se Isa zbriti, do të tërhiqet për t’i lënë vendin e imamit atij, dhe do i kërkojë që ai t’i prijë në namaz, por Isai do të kundërshtojë dhe imam do të jetë Mehdiu.

En Nevas ibën Sem’an (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “…atëherë Allahu do të dërgojë Isain birin e Merjemes, i cili do të zbresë te Minarja e Bardhë në lindje të Damaskut, i veshur me dy rroba me ngjyrë të verdhë të hapur, me duart e vendosura mbi krahët e dy engjëjve. Nëse e tund kokën, nga ajo pikojnë pika uji, dhe nëse e ngre atë, prej saj bien kokrra argjendi si perla. Nuk ka asnjë mohues që e ndjen frymën e tij, veçse vdes në vend, ndërkohë që fryma e tij arrin aq sa arrin shikimi i tij. Ai do e ndjekë Dexhalin dhe do e arrijë në hyrje të qytetit Lud (në Palestinë) dhe atje do e vrasë. Pastaj Isai do të shkojë te disa njerëz të cilët Allahu i ruajti nga Dexhali. Ai do i shohë fytyrat e tyre dhe do i tregojë secilit gradat që do të ketë në Xhenet.”[16]

Koha që do të qëndrojë Isai (alejhis selam) në tokë kur të zbresë

Në disa transmetime thuhet se ai do të qëndrojë shtatë vite, kurse në transmetime tjera thuhet se do të qëndrojë dyzet vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin atij xhenazenë.

Në hadithin e transmetuar nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhuma), thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Atëheër Allahu do të dërgojë Isain, birin e Merjemes… pastaj për shtatë vite nuk do të ketë asnjë armiqësi mes njerëzve. Pastaj Allahu do të dërgojë një erë të ftohtë nga ana e Levantit, e cila nuk do të lërë asnjë njeri që ka një kokërr të mire apo besimi në zemrën e tij veçse do ta marrë (do të vdesë).”[17]

Na hadithin e mëparshëm të transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) thuhet: “Ai do të qëndrojë në tokë 40 vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin xhenazenë.”[18]

Ibën Kethiri bashkoi mes dy transmetimeve duke thënë: “Kështu ka ardhur në hadith, se Isai do të qëndrojë dyvet vjet, por në Sahihun e Muslimit është transmetuar nga Abdullah ibën Amër se ai do të qëndrojë shtatë vite, dhe këto të dyja janë problem, përveç nëse këto shtatë vite janë vitet që do të qëndrojë pas zbritjes dhe nëse i shtohen viteve që ka qenë në tokë para se të ngrihej në qiell, që siç dihet mosha e tij ka qenë 33 vjeç, do të plotësohen dyzet vite të plotë, e Allahu e di më mirë.”[19]

Por Sefarini e ka kundërshtuar këtë lloj harmonizimi mes haditheve, dhe pasi e përmend atë në librin e tij pa ia dedikuar ndokujt, thotë: “Allahu e di më mirë, por ky lloj harmonizimi nuk është i saktë për shkak të hadithit të Aishes (radiallahu anha), që e ka nxjerrë imam Ahmedi e të tjerë, ku thuhet: “… Isai do të vrasë Dexhalin, pastaj do të qëndrojë në tokë dyzet vjet.”[20] Pastaj kujtoi se Bejhakiu ka zgjedhur transmetimin e dyzet viteve, dhe po kështu është përcjellë edhe nga Sujuti, dhe kjo sepse shtesa e transmetuesit të besueshëm është e pranueshme dhe sepse ata privilegjojnë transmetimin e shumicës për dijen më tepër që gjendet në të, dhe se fjala e tyre është pohuese, dhe pohimi paraprihet mbi mohimin.”[21]

El Berzenxhi thotë: “Numri më i vogël nuk e mohon numrin më të madh.”[22]

Mendojmë se më e sakta është të thuhet: Transmetimi i dyzet viteve është bazë, sepse ky është transmetimi i shumicës, siç e ka thënë edhe Sefarini, dhe ndoshta këto dyzet vite kalojnë sikur të ishin shtatë vite, dhe këtë mund ta përforëcojë hadithi i transmetuar nga Abd ibën Hamid, se në lidhje me komentimin e Fjalës së Allahut: “Në të vërtetë, ai (Isai) është dije për Orën (e Kiametit)”, Ebu Hurejra ka thënë: “Dmth. dalja e Isait, i cili do të qëndrojë në tokë dyzet vjet, e ato do të jenë si katër vite, gjatë të cilave ai do të shkojë në Haxh dhe në Umra.”[23] E Allahu e di më mirë.

Çështja e katërt: Hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumënjohura (mutevatir)

U përmendën më sipër disa nga hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam), dhe ato argumentojnë në mënyrë shumë të qartë dhe të prerë për zbritjen e Isait (alejhis selam) në kohët  fundit të kësaj bote; dhe nuk ka asnjë provë ai që i refuzon këto hadithe apo thotë se janë hadithe të transmetuara me një rrugë transmetimi (ahad) që nuk merren për argument apo që thotë se zbritja e Isait nuk është prej besimeve të muslimanëve që e kanë detyrim ta besojnë; sepse kur vërtetohet saktësia e hadihit, pranimi dhe besimi i asaj që ai përmban bëhet i detyrueshëm, sepse ky është njoftim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe askujt nuk i lejohet ta refuzojë fjalën e tij qoftë edhe nëse është me rrugë teke transmetimi, megjithëse dijetarët kanë theksuar se hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë mutevatir (me shumë rrugë transmetimi).

Imam Ahmed ibën Hanbel (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Bazat e sunetit tek ne janë: kapja për rrugën e shokëve të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe imitimi i tyre, dhe lënia e risive në fe (bidateve), sepse çdo bidat është humbje…” Pastaj përmend disa nga besimet e Ehli Sunetit, pastaj thotë: “Po ashtu besimi se mesihu Dexhal do të dalë dhe se mes syve të tij është shkruar “kafir” (mohues i Zotit), dhe besimi se këto do të ndodhin dhe se Isai do të zbresë dhe do ta vrasë Dexhalin në portën e Ludit (emër vendi në Palestinë).”[24]

Ibën Xherir et Taberi, pasi përmend mospajtimin në lidhje me të kuptuarit e vdekjes së Isait (alejhis selam), thotë: “Fjala më e saktë, për mendimin tonë, është fjala e atyre që thonë se domethënia e ajetit për ngritjen e Isait është: “Unë do të marr nga toka dhe do të ngre tek Unë”, për faktin e ardhjes së haditheve të shumënjohura nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) që thotë: “Isai, biri i Merjemes, do të zbresë dhe do të vrasë Dexhalin.”[25] Pastaj përmend disa hadithe që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam).

Ibën Kethiri thotë: “Janë të shumënjohura (mutevetira) hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) para Ditës së Kiametit, si prijës dhe gjykues i drejtë.”[26]

Sadik Hasen Khan thotë: “Hadithet për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumta, dhe prej tyre Sheukani ka përmendur 29 hadithe… disa janë përmendur kur flitet për Dexhalin, dhe disa në hadithet që flasin për Mehdiun e pritshëm. Këtyre iu shtohen edhe fjalët e përcjella nga Sahabet dhe që marrin gjykimin e hadithit të ngritur te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), pasi sahabet nuk mund të flasin për gjëra të tilla nga vetja e tyre përveç nëse e kanë dëgjuar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).” Pasi i përmend këto transmetime, thotë: “Të gjitha këto që përmendëm arrijnë në gradën e hadithit mutevatir, siç  e kuptojnë ata që kanë njohuri nga fusha e hadithit.”[27]

Nga dijetarët që kanë mbledhur hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) është edhe Muhamed Enver Shah El Kishmiri[28], në librin “Thënia e hapur e haditheve të shumënjohura (mutevatir) që flasin për zbritjen e Mesihut (Isait – alejhis selam)”, ku përmend më shumë se 70 hadithe.

Muhamed Shemsul Hak el Adhim Abadi (Allahu e mëshiroftë!), autori i “Aunul Mabud komentar i Suneneve të Ebu Daudit” thotë: “Kanë ardhur hadithe mutevatira nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me zbritjen e Isait, birit të Merjemes (alejhis selam), nga qielli në tokë, me trupin e tij fiziologjik, kur të afrojë Dita e Kiametit. Kjo është rruga e Ehli Sunetit.”[29]

Shejh Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Zbritja e Isait (alejhis selam) në kohët e fundit të kësaj bote është një çështje për të cilën nuk ka kundërshtim mes muslimanëve për shkak të ardhjes së haditheve të sakta nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me këtë… Kjo është nga gjërat që njihen domosdoshmërisht nga feja dhe kush e mohon këtë nuk është besimtar.”[30]

Shejh Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijeni se hadithet që flasin për Dexhalin dhe zbritjen e Isait (alejhis selam) janë mutevatira, dhe besimi i tyre është i detyrueshëm. Mos u mashtroni nga ata që thonë se këto hadithe janë me një rrugë transmetimi (Ahad), sepse ata që e thonë këtë janë injorantë në këtë fushë (shkencën e hadithit), dhe askush prej tyre nuk i ka ndjekur rrugët me të cilat janë transmetuar këto hadithe, se përndryshe do e kishte parë se janë mutevatira, siç e kanë dëshmuar edhe dijetarët e mëdhenj të kësaj fushe, si Hafiz Ibën Haxheri, e të tjerë. Është vërtet për të ardhur keq, se si guxojnë disa të flasin për diçka që nuk është në specialitetin e tyre, sidomos kur ka të bëjë me çështje të fesë dhe akides?!”[31]

Çështja e pestë: Urtësia në zbritjen e Isait (alejhis selam) posaçërisht, dhe jo të ndonjë profeti tjetër

Disa dijetarë kanë përmendur urtësinë që lidhet me zbritjen e Isait (alejhi selam) posaçërisht, dhe jo të ndonjë profeti tjetër. Nga fjalët  e tyre përmendim:

  1. Si kundërpërgjigje ndaj hebrenjve që thonë se e kanë vrarë Isain (alejhis selam), kurse Allahu e sqaron gënjeshtrën e tyre, madje thotë se do të jetë Isai ai që do i vrasë ata dhe Dexhalin, prijësin e tyre. Këtë mendim ka zgjedhur edhe Ibën Haxheri, e të tjerë.[32]
  2. Isai (alejhis selam) gjeti në Inxhil të përshkruhen muslimanët si në fjalën e Allahut: “Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit.” [El Fet’h, 29], dhe Isai iu lut Allahut që ta bënte atë prej tyre, kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe e mbajti gjallë deri sa ta zbresë përsëri në tokë para Kiametit, për të ripërtëritur atë që do jetë harruar nga feja Islame, feja e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Zbritja e tij do të përkojë me daljen e Dexhalit, dhe ai do ta vrasë atë.”[33]
  3. Zbritja e Isait (alejhi selam) nga qielli para se të bëhet Kiameti është sepse i është afruar exheli (koha e vdekjes) që të varroset në tokë, sepse askush që është krijuar nga dheu nuk duhet të vdesë në vend tjetër veçse në tokë. Zbritja e tij do përkojë me daljen e Dexhalit, të cilin Isai do e vrasë.”[34]
  4. Isai (alejhis selam) do të zbresë për të përgënjeshtruar të krishterët dhe të shfaqë falsifitetin e tyre në besimet e pavërteta, dhe në kohën e tij, Allahu do t’i asgjësojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit. Isai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin, për të mos pranuar asnjë fe tjetër përveç Islamit.
  5. Veçimi i Isait me këto gjëra është për shkak të fjalës së Profetit tonë (salallahu alejhi ue selem) i cili thotë: “Unë jam më i afërt me Isain, birin e Merjemes, sepse mes meje dhe atij nuk ka asnjë profet tjetër.”[35] Pra, i Dërguari Muahmed (salallahu alejhi ue selem) është më i veçanti dhe më i afërti me Isain (alejhis selam), kurse ky ka përgëzuar për ardhjen e Muahmedit (salallahu alejhi ue selem) pas tij, dhe i ftoi njerëzit që ta besojnë atë dhe t’i besojnë atij[36], siç thuhet në Fjalën e Allahut: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje”. [Es Saff, 6]. Në një hadith thuhet: “Sahabet thanë: “O i Dërguari i Allahut! Na trego për veten tënde.” Ai tha: “Po, unë jam lutja e babait tim, Ibrahimit, dhe përgëzimi i vëllait tim, Isait.”[37]

Çështja e gjashtë: Gjërat që do të ndodhin në kohën e zbritjes së Isait (alejhis selam)

  1. Vrasja e Dexhalit

Përmendëm më parë se profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të zbresë në një kohë kur muslimanët do të jenë në gjendje përgatitje për të luftuar Dexhalin. Kur ai të zbresë, do të jetë koha e namazit të sabahut dhe do të falet pas “njeriut të mirë” (Mehdiut), dhe kur Dexhali të mësojë për zbritjen e Isait (alejhis selam), do t’ia mbathë dhe të fshihet prej tij, por Isai do e ndjekë dhe do e kapë në Bejtil Makdis (Kuds) ku ai do të ketë rrethuar një grup prej muslimanëve. Isai (alejhis selam) do i kërkojë atyre të hapin portën e qytetit dhe ata do e hapin. Pas tij do vijë Dexhali dhe kur të marrë vesh që Isai është aty, do të largohet menjëherë, por Isai do e ndjekë atë dhe do e zërë te porta lindore e Ludit, ku edhe do ta vrasë bashkë me hebrenjtë që do jenë me të.

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Umameh (radiallahu anhu), i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Ndërkohë që imami i muslimanëve doli para për t’i prirë ata në namazin e sabahut, do të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam). Atëherë imami i tyre zmbrapset për t’i lënë vendin Isait, por ai vendos dorën mes shpatullave të tij dhe i thotë: “Shko para dhe na prij, sepse ikameti u thirr për ty!” Atëherë namazin do e prijë imami i tyre, dhe kur të mbarojë namazin, Isai do të thotë: “Hapeni derën!” Ata do  ehapin derën, veç kur pas saj do të jetë Dexhali bashkë me 70 mij hebrenj, që të gjithë me shpata të zbukuara me dru tik. Kur Dexhali të shohë Isain, do të shkrijë si shkrin kripa në ujë, pastaj do largohet me vrap, kurse Isai do të thotë: “Kam për të dhënë një goditje, me të cilën nuk do të më kalosh.” Pastaj do e zërë atë te porta lindore e Ludit dhe do e vrasë. Atëherë Allahu do i mposhtë hebrenjtë, sa që nuk do të mbesë asgjë që ka krijuar Allahu ku do të fshihen hebrenjtë, veçse do të flasin, që të gjitha: gurët, pemët, muret dhe kafshët, përveç shkurres Garkadeh, e cila është nga shkurret e tyre, dhe nuk do të flaës, kurse të tjerat do të thonë: “O rob i Allahut musliman, këtu pas meje është një çifut, prandaj eja dhe vrite!…”.[38]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “… Ndërkohë që ata përgatiten për luftë, vihen në rreshta dhe thirret ikameti (për namazin e sabahut). Në atë çast zbret Isai, biri i Merjemes (alejhis selam). Kur armiku i Allahut (Dexhali) ta shohë atë, do të shkrijë si kripa në ujë, dhe sikur Isai ta linte, do të shkrihej i gjithi, por ai do ta vrasë atë me dorën e tij, dhe do i tregojë atyre (muslimanëve që janë me të) gjakun e Dexhalit në bajonetën e tij.”[39]

Pra, gjëja e parë që do të bëjë Isai (alejhis selam) pas zbritjes nga qielli është përballimi me Dexhalin dhe vrasja e tij bashkë me ata që e ndjekin atë prej hebrenjve.

  1. Shkatërrimi i Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Dalja e popujve Jexhuxh dhe Maxhuxh është nga shenjat e mëdha të Kiametit, për të cilën do të flasim më pas, por këtu është për qëllim sqarimi se pas vrasjes dhe dhënies fund sprovës së Dexhalit, këta dy popuj do të bëjnë shkatërrime të mëdha në tokë, dhe i dërguari i Allahut, Isai (alejhis selam) dhe shokët e tij do t’i drejtohen Allahut me lutje, e ata do të shkatërrohen totalisht që të gjithë pa përjashtim, siç do ta shohim më pas në fjalën rreth Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.

  1. Rrëzimi i të gjitha feve dhe gjykimi vetëm me Islam

Kur Isai (alejhis selam) të zbresë në tokë, do të ndjekë Sheriatin Islam dhe do të gjykojë me Kuranin dhe Sunetin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe kështu do i fshijë të gjitha ligjet dhe fetë e tjera. Kjo është diçka më se e njohur në fenë Islame, për të cilën nuk pranohet justifikim nga askush, pasi sheriati Islam është abrogues i të gjitha ligjeve para tij, dhe Allahu i ka marrë besën dhe premtimin të gjithë profetëve: që do e besojnë Muhamedin dhe do e ndjekin atë nëse ai vjen kur ata janë gjallë, siç thotë Allahu në Kuran: “Kujtoni kur Allahu mori besën e pejgambereve: “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, ju do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë! A e pranoni dhe më jepni besën për këtë?” Ata thanë: “E pranojmë.” Ai tha: “Atëherë dëshmoni, dhe Unë jam bashkë me ju prej dëshmitarëve.” [Al Imran, 81].

Për këtë shkak, Isai (alejhis selam) do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin për të mos pranuar nga askush veçse Islamin ose të vritet.

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dikush shkoi në mendimin se me zbritjen e Isait (alejhis selam), do të shfuqizohen ligjet e sheriatit, që ai të mos jetë i dërguar te njerëzit e asaj kohe duke i urdhëruar e ndaluar me ligjet e Allahut [përndryshe do të ishte profet pas Muhamedit (salallahu alejhi ue selem)], por kjo fjalë është e papranueshme për shkak të argumenteve që u përmendën më sipër në lidhje me të vërtëten e Isait, dhe sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.” [El Ahzab, 40]. Kurse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk do të ketë profet tjetër pas meje.”[40] Dhe në një hadith tjetër thotë: “Unë jam trashëguesii!”[41] D.m.th. i fundit i profetëve dhe vula e tyre. Pra, nuk lejohet që të mendohet se Isai (alejhis selam) do të zbresë si profet me sheriat tjetër nga sheriati i të Dërguarit tonë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), por kur të zbresë, ai do të jetë nga pasuesit e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), siç ka njoftuar vetë Muahmedi (salallahu alejhi ue selem) në fjalën drejtuar Umerit (radiallahu anhu): “Sikur Musai (alejhis selam) të ishte gjallë, nuk do i lejohej gjë tjetër veçse të më pasonte mua.”[42]

Pra, Isai (alejhis selam) do të zbresë me aprovim të sheriatit Islam dhe si rinovues i tij, sepse ky është sheriati i fundit dhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është profeti i fundit.”[43]

  1. Ngritja e urrejtjes dhe smirës nga njerëzit, dhe përhapja e sigurisë dhe bollëkut mes tyre. Nga gjërat që na ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) se do të ndodhin në kohën e Isait (alejhis selam) është se: urrejtja, armiqësia dhe smira do të ngrihen nga njerëzit, dhe që të gjithë ata do të bashkohen në Islam, dhe si rrjedhojë do të përhapet begatia, do të shtohen të mirat, toka do të shtojë prodhimin dhe askush nuk do të lakmojë pasurinë për shkak të bollëkut. Në atë kohë, Allahu do ia heq helmin të gjitha krijesave me helm, sa që fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë dhe akrepat pa u dëmtuar prej tyre, dhe delet do të kullosin bashkë me ujqërit pa u ngrënë prej tyre. Toka do të mbushet me siguri dhe paqë. Nuk do të ketë më luftëra mes njerëzve, dhe çmimi i kuajve do të bjerë për shkak se nuk do të ketë luftëra, por do të ngrihet çmimi i demave sepse e gjithë toka do të mbillet.

Në hadithin e transmetuar nga Nevas ibën Sem’an, të përmendur më parë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “… Pastaj Allahu do të zbresë një shi, sa që nuk do të ketë shtëpi fshati apo qyteti veçse do të bjerë shi mbi to, dhe ai shi do të lajë të gjithë tokën duke e lënë atë si pasqyrë. Pastaj do i thuhet tokës: “Lëshoje prodhimin tënd dhe ktheje begatinë tënde!” Atë ditë, një grup njerëzish do të ngopen nga një kokërr shegë dhe do të qëndrojnë nën hijen e lëvores së saj. Do t’i jepet begati e madhe edhe qumështit, sa që një deve qumështi do i mjaftojë një grupi të madh njerëzish, një lopë qumështi do i mjaftojë një fisi të tërë, dhe një dele qumështi do i mjaftojë një familje të tërë (duke përfshirë gjyshërit dhe nipërit e familjes)…”[44]

Në hadithin e gjatë të transmetuar nga Ebi Umameh (radiallahu anhu), i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “…Isai (alejhis selam) do të jetë gjykues dhe udhëheqës i drejtë në popullin tim, do të thyejë kryqin, do të therë derrin, do të heqë haraçin dhe do të lërë lëmoshën, nuk do të kërkohet më as dele as deve (për zekat). Në atë kohë do të ngrihet armiqësia dhe urrejtja nga njerëzit dhe do të hiqet helmi i krijesave helmuese, sa që foshnja do të fusë dorën te gjarpri dhe ai nuk do e dëmtojë, dhe do e godasë luanin, kurse ai nuk do e dëmtojë. Ujqërit do të qëndrojnë mes deleve sikur të ishin qentë e tyre. Toka do të mbushet me paqë ashtu si mbushet ena me ujë. Njerëzit do të jenë të gjithë në një fjalë dhe nuk do të adhurojnë veçse Allahun. Luftërat do të kenë pushuar totalisht, dhe kurejshëve do i jetë marrë pushteti. Toka do të jetë si tas prej argjendi; do t’i japë prodhimet e saj si në kohën e Ademit, sa që një grup njerëzish do të bashkohen në një vesh rrushi dhe do ngopen të gjithë, do të bashkohen në një kokërr shegë dhe do ngopen të gjithë. Demi do  të shitet kaq e kaq monedha ari, kurse kali do të shitet me pak monedha argjendi…”[45]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Betohem në Allahu, se Isai, biri i Merjemes do të zbresë gjykues dhe udhëheqës i drejtë … Do të heqë haraçin dhe do ta lërë devenë (nuk do të mbledë zekatin). Armiqësia, urrejtja dhe smira do të largohen, dhe njerëzit do thirren që tju jepet pasuri, por nuk do ta pranojë askush.”[46]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e këtij hadithi thotë: “Kuptimi i kësaj është se njerëzit nuk do ta lakmojnë më pasurinë dhe nuk do të dëshirojnë të grumbullojnë prej saj, për shkak të bollëkut të saj dhe pakicës së ëndërrave, për mospasjen nevojë dhe për shkak të dijes së Kiameti është afër. Hadithi përmend një lloj të veçantë devesh, për shkak se ato janë më të kërkuarat dhe më të shtrenjtat tek arabët, dhe kjo i ngjan fjalës së Allahut: “Dhe kur devetë barrse të braktisen!” [Et Tekvir, 4].[47]

Çështja e shtatë: Vdekja e Isait (alejhis selam) dhe varrosja e tij

Nuk ka ardhur ndonjë tekst i qartë nga Suneti profetik në lidhje me vendin e vdekjes së Isait (alejhis selam), por disa dijetarë kanë përmendur se ai do të vdesë në Medinen e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Madje thuhet gjithashtu se ai do të varroset përkrah të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe dy shokëve të tij (Ebu Bekrit dhe Umerit – radiallahu anhuma!).

Kurtubiu thotë: “Ka mospajtim në lidhje me vendin ku do të vdesë Isai (alejhis selam). Thuhet se do të varroset në tokën e shenjtë të Kudsit, siç e ka përmendur El Hulejmi, ose do të varroset përkrah të Dërguarit tonë (salallahu alejhi ue selem) në Medine, bazuar në transmetimet e përmendura më parë.”[48]

 


[1] Në leximin e parë fjala (ilm) do të thotë dije dhe njohje, kurse në leximin e dytë kjo fjalë lexohet (alem) që do të thotë shenjë; që të dyja leximet janë të sakta dhe nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin.

[2] E ka nxjerrë Imam Ahmedi në Musned (4/329). Ahmed Shakir thotë: “Zinxhiri i transmetuesve të këtij transmetimi është i saktë (sahih). E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim në Mustedrak (2/254) dhe thotë: “Me sened të saktë, por nuk  e kanë nxjerrë 2 autorët e Sahihave, Buhariu dhe Muslimi.” Edhe Dhehebiu e ka aprovuar këtë fjalë të el Hakim.

[3] Tefsiri i Ibën Kethirit (4/131-132), Tefsiri i Taberiut (35/90).

[4] Tefsiri i Begaviut (4/179).

[5] Tefsiri i Taberiut (6/18).

[6] Tefsiri i Ibën Kethirit (1/514).

[7] Buhariu (3264), Muslimi (155), Ahmedi (2/483), Ebu Daudi (4324), Tirmidhiu (2233), Ibën Maxheh (4078).

[8] Muslimi (156), Ahmedi (3/384).

[9] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[10] Tefsiri Ibën Kethirit (1/519-520).

[11] “Esh Sherijah”, e Axhurrit (f. 381),“Esh Sherh uel Ibane” (241), dhe “Sherh el Akide et Tahavije” (505).

[12] “Levamiu el Envar el Behije” (1/94-95).

[13] Buhariu (3255).

[14] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[15] Muslimi (167), Tirmidhiu (3649), Ahmedi (3/334).

[16] Muslimi (2937), Ebu Daudi (3421), Ibën Maxheh (4075), Ahmedi (4/182).

[17] Muslimi (2940), Ahmedi (2/166).

[18] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[19] “En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim” (1/193).

[20] Ebu Daudi (4324).

[21] “Levamiu el Envar el Behije” (2/99).

[22] “El Ishaah” (f.304).

[23] “Ed Dur el Menthur” (6/20).

[24] “Tabakat el Hanabileh” (1/241-243).

[25] Tefsiri i Taberiut (3/291).

[26] Tefsiri i Ibën Kethirit (7/223).

[27] El Idhaah (f. 160).

[28] Ky është një dijetar i madh i Islamit nga India, autor i disa veprave të mëdha, si: “Fejdul Bari ala Sahih el Buhari” në katër vëllime, “El Urf esh Shedhi ala Xhami et Tirmidhi” (Interpretim i librit të Tirmidhiut), e shumë të tjera. Ka vdekur në Diuband, në vitin 1353 Hixhri.

[29] Aunul Meabud, (11/457).

[30] Shënimet në “Tefsirin e Taberiut” (6/460), me nxjerrjen e haditheve nga Ahmed Muhamed Shakir, verifikues Mahmud Muhamed Shakir, shtëpia botuese Darul Mearif, në Egjipt.

[31] Shënimet e shejh Albanit në librin “Akidja Tahavije”, me nxjerrjen e haditheve nga shejh Albani (f. 565).

[32] “Fet’hul Bari” (6/493).

[33] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/794).

[34] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/795).

[35] Buhariu (3258), Muslimi (2365), Ebu Daudi (4675), Ahmedi (2/437).

[36] “El Minhaxh fi Shuabil Iman” i El Hulejmi (1/424-425), “Et Tedhkirah” e Kurtubiut (2/679), “Fet’hul Bari” i Ibën Haxherit (6/493), “Et Tasrih bima tevetera fi nuzuli el Mesih”, (f. 94).

[37] Ahmedi në Musned (4/127). Ibën Kethiri thotë se zinxhiri i transmetuesve të tij është i mirë, dhe përmend disa transmetime nga rrugë të tjera që dëshmojnë për të; Tefsiri i Ibën Kethirit (4/324).

[38] Ibën Maxheh (4077), El Hakim (4/436). Hadith Sahih – Es Sahiha, e shejh Albanit (2457) dhe Sahihul Xhami (2970).

[39] Muslimi (2897).

[40] Buhariu (3268), Muslimi (1842), Ibën Maxheh (2871), Ahmedi (2/297).

[41] Buhariu (3339), Muslimi (2354), Tirmidhiu (2840), Ahmedi (4/80).

[42] Ahmedi (3/387), Darimiu (435).

[43] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/792).

[44] Muslimi (2255).

[45] Hadith Sahih; Sahihul Xhami  (2970), Es Sahiha (2457). E ka nxjerrë Ibën Maxheh, Ibën Huzejme, El Hakim].

[46] Muslimi. Është përmendur më parë.

[47] “Sherhu Sahihi Muslim” (2/192).

[48] Et Tedhkira (2/794), “Levamiul Envar el Behijjeh” (2/113).

error: Alert: Content is protected !!