You are here:--SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT 3

SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT 3

2018-12-04T22:50:25+00:00December 4th, 2018|Categories: Besim|

Tema e Katërt

Dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme

Përgatiti: Dr. BLEDAR ALBANI

 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit, për të cilat ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është edhe dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve. Trajtimi i kësaj shenje përfshin çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Origjina dhe prejardhja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Ka mospajtim në lidhje me origjinën e këtyre dy fjalëve:

Disa thonë: “Këto dy fjalë janë emra të huaj që nuk kanë origjinë në morfologjinë arabe, kështu që nuk kanë kuptim apo bazë nga e cila përfitohen.”

Të tjerë thonë: “Këto janë dy fjalë arabe”. Por ka mospajtim në lidhje me origjinën e tyre morfologjike; Disa thonë se rrjedhin nga flakërimi i zjarrit (exhixhun-nar), kurse të tjerë thonë se rrjedhin nga fjala “el Exhaxh”, që do të thotë “Ujë shumë i kripur”; Një grup i tretë thotë se rrjedhin nga “EL Uxh”, që do të thotë “Armik i shpejtë”; Dhe një grup i katërt thotë se rrjedhin nga “El Uxhxheh”, që do të thotë “përzierje dhe çrregullim”.

Përfundimi është se të gjitha këto mendime në lidhje me origjinën morfologjike të këtyre dy emrave i përshtatet gjendjes së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.

Ka mospajtim gjithashtu në lidhje me prejardhjen e tyre:

Disa thonë se ata janë nga pasardhësit e Ademit (alejhis selam), pra janë njerëz. Madje Ibën Haxheri thotë se këta janë dy fise nga djali i Nuhut, Jafith bin Nuh[1]. Pra ata janë nga fëmijët e Ademit dhe Havasë, dhe këtë e përforcon edhe hadithi i përcjellë nga Ebu Seid el Khudri (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të thotë: “O Adem!” Ai do i përgjigjet: “Urdhëro me gjithë kënaqësinë  Tënde!” Atëherë do të thirret me zë të lartë: “Allahu të urdhëron të nxjerrësh një grup nga pasardhësit e tu për në Zjarr!” Ademi thotë: “O Zot! Kush janë grupi i Zjarrit?” Ai thotë: “Në çdo një mijë njerëz, 999 prej tyre (janë grupi i Zjarrit).” Atëherë gruaja shtatzënë do të dështojë barrën e saj dhe fëmija do të thinjet; “Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barren e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” [El Haxh, 2]. Kjo gjë i tronditi shumë të pranishmit sa që iu ndryshuan fytyrat. Atëherë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nga Jexhuxhët dhe Maxhuxhët do të jenë 999, kurse nga ju vetëm një…”[2]

Çështja e dytë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti për daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Dalja e tyre është përmendur në Kuran, në Fjalën e Allahut: “93. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folme. 94. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?” 95. Ai tha: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96. Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.” 97. Kështu, ata (Jexhuxhët dhe Mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të. 98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku. 100. Atë ditë do t’ua tregojmë haptazi Xhehenemin mohuesve, 101. të cilët i kishin sytë të mbuluar para këshillave të Mia dhe të cilët nuk mund të dëgjonin.” [El Kehf, 93-101].

Po kështu, në Fjalën e Allahut: “96. Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie, 97. dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.” [El Enbija, 96-97].

Pika e argumentimit me këto dy ajete për faktin që dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e Kiametit, qëndron se ato shprehin qartë daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve duke treguar afrimin e premtimit të vërtetë, me të cilin është për qëllim Dita e Kiametit.”[3]

Argumentet nga Suneti për daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve janë të shumta

Prej atyre haditheve është hadithi i përcjellë nga Umu Habibe binti Sufjan (radiallahu anha), nga Zejneb binti Xhahsh (radiallahu anha), se: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri tek ajo i frikësuar, duke thënë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut! Mjerë për arabët nga një e keqe që është afruar; Sot është hapur një shtresë nga prita e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve sa kjo trashësi -duke bërë një rreth me gishtin e madh dhe atë tregues.” Zejneb binti Xhahsh tha: “O i Dërguari i Allahu! A do të shkatërrohemi, nëse në mesin tonë do të ketë njerëz të mirë?!” – Po, tha ai (salallahu alejhi ue selem), nëse shtohet e keqa (imoraliteti).”[4]

Po kështu hadithi i përcjellë nga En Nevas ibën Sem’an, i cili është përmendur disa herë më parë, dhe në të thuhet gjithashtu: “Allahu do i shpallë Isait (alejhis selam): “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, të cilët nuk ka njeri me dy duar që mund t’i luftojë, prandaj shko dhe strehoi robët e Mi besimtarë në malin Tur!” Atëherë Allahu do të lirojë Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët do të dalin nga çdo kodër. Të parët që do të dalin prej tyre do të kalojnë nga Deti Tiberian dhe do të pijnë nga uji i tij, deri sa të kalojë i fundit i tyre dhe të thotë: “Dikur këtu kishte ujë.” Profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të rrethohet bashkë me shokët e tij, dhe një kokë demi në atë kohë do të vlejë me shumë se njëqind dmonedha ari nga ato që keni ju sot. Isai dhe shokët e tij do i luten Allahut, e Allahu do të dërgojë një lloj krimbi në supet e secilit prej tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhave), dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh. Pastaj, profeti i Allahut, Isai bashkë me shokët e tij do të zbresin nga mali dhe nuk do të gjejnë asnjë pëllëmbë tokë pa u mbuluar nga trupat dhe kërmat e tyre. Atëherë, profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij do t’i luten Allahut, dhe Allahu do të dërgojë disa shpendë fluturuese si qafat e deveve, që do i mbartin trupat e tyre dhe do i çojnë andej nga do Allahu t’i çojnë.”[5]

Në një transmetim tjetër, pas fjalës “Dikur këtu ishte ujë”, thuhet: “Pastaj do të ecin deri sa të arrijnë në Malin El Khamr, i cili është mali i Bejtil Makdis (Kuds), dhe do të thonë: “Vramë të gjithë ata që ishin në tokë, dhe tani të vrasim ata që janë në qiell!” Atëherë do të gjuajnë me harqet dhe bajonetat e tyre nga qielli, kurse Allahu do jua kthejë ato të përlyera me gjak.”[6]

Hadith tjetër në këtë temë është hadithi i përcjellë nga Hudhejfe ibën Usejd (radiallahu anhu), i cili përmend shenjat e Kiametit, dhe prej tyre është edhe dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.[7]

Hadith tjetër është ai i Abdullah ibën Mesudit (radiallahu anhu), i cili thotë: “Natën, në të cilën i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u soll nga Meka në Kuds dhe prej aty u ngrit në qiell, ai takoi Ibrahimin, Musain dhe Isain (alejhimu selam), dhe ata përmendën Kiametin me njëri-tjetrin, dhe ndër tjera, hadithi thotë: “Pastaj e kthyen bisedën te Isai, duke përmendur vrasjen e Dexhalit, pastaj Isai (alejhis selam) tha: “Pastaj njerëzit do të kthehen në vendet e tyre, veç kur i presin Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët do të dalin nga çdo kodër. Nuk do të kalojnë në ndonjë det apo liqen, veçse do e pijnë të gjithin, dhe nuk do të gjejnë gjë para tyre, veçse do e shkatërrojnë. Atëherë do të vijnë tek unë, kurse unë do i lutem Allahut, e Allahu do i vdesë të gjithë ata, sa që e gjithë toka do të kërmoset nga era e kufomave të tyre. Atëherë njerëzit do të vijnë përsëri tek unë, dhe unë do t’i lutem Allahut, e Allahu do të dërgojë nga qielli shi, dhe do i mbartë kufomat e tyre tej në det.”[8]

Hadith tjetër është hadithi i Ebu Hurejrës (radiallahu anhu), ku thuhet: “Jexhuxhët dhe Maxhuxhët gërmojnë pritën e tyre çdo ditë deri sa gati sa e shohin dritën e diellit, por drejtuesi i tyre thotë: “Kthehuni tani dhe do të vini ta hapni neser!” Por Allahu e kthen atë edhe më të plotë dhe më të fortë nga ç’ishte më parë, deri sa të vijë afati i tyre dhe kur Allahu të dojë t’i nxjerrë ata te njerëzit, ata do të gërmojnë deri sa gati e shohin dritën e diellit, por i pari i tyre do ju thotë: “Kthehuni dhe do e hapni nesër InshaAllah – në dashtë Allahu!” Duke ia dedikuar dëshirës së Allahut, dhe pjesa e gërmuar nuk do të mbushet por do të qëndrojë aty ku e lanë, kështu që të nesërmen ata do të gërmojnë dhe do iu dalin njerëzve, e do të pijnë ujin e tyre, kurse njerëzit do të vrapojnë për t’u larguar prej tyre. Pastaj do të gjuajnë me harqet e tyre në qiell, dhe shigjetat do iu kthehen të lyera me gjak, e ata do të thonë: “I shtypën banorët e tokës dhe u ngritëm mbi ata të qiellit me fuqi dhe madhështi!” Atëherë Allahu do iu çojë atyre një krimb që do i pickojë në fund të qafës, dhe ata do të vdesin të gjithë. Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit, kafshët e tokës do të shëndoshen, do të dhjamosen, do të mbushen me qumësht dhe do të mbushen në trup nga mishi i tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve).”[9]

Si dhe shumë hadithe të tjera që argumentojnë për daljen e Jexhuxhëve de Maxhuxhëve, besimi i të cilave është i detyrueshëm.

Ibën Kudame el Makdisi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është i detyrueshëm besimi në çdo gjë që ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), që e kemi parë në transmetime të sakta që i dimë apo që nuk i dimë, por që e dimë se ai thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, qoftë nëse ne e perceptojme me logjikën tonë apo jo, siç mund të jetë ndodhia e natës së Israit dhe Miraxhit… Prej këtyre haditheve janë edhe ato që flasin për shenjat e Kiametit, si dalja e Dexhalit, zbritja e Isait birit të Merjemes (alejhis selam), i cili do e vrasë Dexhalin, dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, etj…”[10]

Gjykatësi El Ijad (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në lidhje me hadithet që flasin për Jexhuxhët dhe Maxhuxhët: Këto hadithe duhet të besohen ashtu si kanë ardhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë, sepse dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e Kiametit, dhe në hadithet që flitet për ta thuhet se askush nuk ka fuqi t’i luftojë ata për shkak të numrit të tyre të madh, dhe se ata do ta rrethojnë Isain (alejhis selam) bashkë me besimtarët që do të jenë me të dhe që do të kenë shpëtuar nga Dexhali. Isai do të lutet kundër tyre, dhe Allahu do i shkatërrojë ata me krimba – në qafat e tyre. Kufomat e tyre do të qelbin tokën dhe besimtarët, kështu që Isai dhe shokët e tij do t’i luten Zotit, e Ai do të dergojë shpendë të mëdhenj të cilët do i mbartin kufomat e tyre në një vend ku të dojë Allahu.”[11]

Es Sefarini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dalja e tyre nga pas pritës tek njerëzit është një e ëvrtetë e pamohueshme për faktin se është përmendur në Kuran dhe në thëniet e zotëriut të njerëzimit, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), kështu që besimi i kësaj çështje është i detyrueshëm.”[12]

Çështja e tretë: Prita e Jexhuxhëve e Maxhuxhëve

Pritën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve e ndërtoi Dhul Karnejni, me qëllim që të ndante mes tyre dhe fqinjëve të tyre, të cilët i kërkuan ndihmë Dhul Karnejnit kundër tyre. Kjo pritë është përmendur në Kuranin Famëlartë, ku thuhet: “93. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folur. 94. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?” 95. Ai tha: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96. Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.” 97. Kështu, ata (Jexhuxhët dhe Mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të. 98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku.” [El Kehf, 93-99].

Kështu thuhet në Kuran për ndërtimin e pritës së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, kurse në lidhje me vendin ku gjendet kjo pritë: Ajo gjendet nga ana e Lindjes, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “90. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli.” [El Kehf, 90].

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!), ka përmendur një tregim në lidhje me Pritën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve dhe përpjekjen e disa mbretërve për të arritur tek jo pritë. Ai thotë: “Halifi Abasit El Uathik Harun ibën Muhamed el Muatesim dërgoi dikë nga komandantët e tij me një ushtri zbuluese për të gjetur Pritën, për ta parë dhe për tia përshkruar atij kur të ktheheshin. Ata kërkuan për Pritën vend pas vendi e mbretëri pas mbretërie, deri sa e gjetën të ndërtuar me hekur e plumb. Ata thanë se tek ajo Pritë panë një portë të madhe me dryna të mëdhenj. Panë gjithashtu pjesën tjetër të pritës dhe punën që bëhej në një nga kullat e saj. Prita kishte roje nga mbretëritë që gjendeshin pranë saj, dhe ajo ishte një pritë e lartë në një vend shumë të thepisur, që nuk mund të ngjitej as mbi pritë as mbi malet rreth saj. Pastaj u kthyen në vendin e tyre, 2 vjet pasi ishin larguar…”[13]

Ibën Kethiri nuk ka përmendur zinxhir transmetuesish për këtë histori dhe nuk ka thënë asgjë në lidhje me vërtetësinë e saj, por ajo që tregohet në ajetet e mësipërme është se kjo pritë gjendet mes dy maleve, sepse Alllahu thotë: “Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folur.” [El Kehf, 93]. Më pas thotë: “Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” [El Kehf, 96].

Kërkimi për vendin e kësaj Prite nuk ka shumë rëndësi dhe mosnjohja e tij nuk e cënon besimin, por e rëndësishme është të besohet ajo që ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij që Prita e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve ekziston dhe do të ekzistojë deri sa të vijë koha që ajo të hapet dhe ata të dalin prej saj, gjë që do të ndodhë kur të afrohet dita e Kiametit, siç thotë Allahu: “98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku.” [El Kehf, 98-99].

Argumenti që tregon se Prita vazhdon të ekzistojë dhe të mos jetë prishur apo çarë, është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), në lidhje me Pritën, ka thënë: “Jexhuxhët dhe Maxhuxhët gërmojnë pritën e tyre çdo ditë deri sa gati sa e shohin dritën e diellit, por drejtuesi i tyre thotë: “Kthehuni tani dhe do të vini ta hapni neser!” Por Allahu e kthen atë edhe më të plotë dhe më të fortë nga ç’ishte më parë, deri sa të vijë afati i tyre dhe kur Allahu të dojë t’i nxjerrë ata te njerëzit, ata do të gërmojnë deri sa gati e shohin dritën e diellit, por i pari i tyre do ju thotë: “Kthehuni dhe do e hapni nesër InshaAllah – në dashtë Allahu!” Duke ia dedikuar dëshirës së Allahut, dhe pjesa e gërmuar nuk do të mbushet por do të qëndrojë aty ku e lanë, kështu që të nesërmen ata do të gërmojnë dhe do iu dalin njerëzve, e do të pijnë ujin e tyre, kurse njerëzit do të vrapojnë për t’u larguar prej tyre…”[14]

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!), në El Fet’h, thotë: “Ibnul Arabi thotë: “Në këtë hadith kemi 3 prova: E para: Allahu i ka mundësuar atyre të gërmojnë ditë e natë. E dyta: I aka ndaluar atyre të ngjiten mbi pritë me shkallë apo diçka tjetër, duke ia hequr nga mendja këtë gjë dhe duke mos ia mësuar atë. E treta: Allahu i largon ata nga shprehja e fjalës “InshaAllah” (në dashtë Allahu), deri sa të vijë afati i caktuar.”[15]

Pra, dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e mëdha të Kiametit që do të ndodhin shumë pranë Kiametit dhe kjo gjë nuk ka ndodhur ende, pasi hadithet e sakta të përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) argumentojnë se dalja e tyre do të ndodhë pas zbritjes së Isait (alejhis selam), i cili do i lutet Allahut që t’i shkatërrojë ata dhe të shpëtojnë njerëzit nga e keqa e tyre.

Çdo musliman e ka detyrim që të besojë atë që ka ardhur në Kuran dhe Sunet përsa i përket pritës së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, dhe nuk ka vlerë fjala e atyre që e mohojnë ekzistencën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve apo të pritës së tyre që e ka ndërtuar Dhul Karnejni për të ndarë mes tyre dhe njerëzve që ata dëmtonin, me pretendimin se sot janë shfaqur shtete shumë të zhvilluara industrialisht, dhe këto shtete kanë mundur të zbulojnë çdo cep të tokës sa që nuk kanë lënë vend pa shkuar, por megjithatë nuk i kanë gjetur Jexhuxhët dhe Maxhuxhët dhe as pritën e Dhul Karnejnit!

Nuk ka dyshim se kjo është një fjalë e pavërtetë dhe që nuk qëndron, sepse pikë së pari është në kundërshtim me atë që ka ardhur në Kuran dhe atë që ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe kushdo që përgënjeshtron diçka nga ajo që ka ardhur në Kuran apo Sunet, ka mohuar Allahun, i Cili thotë: “Nuk i mohojnë provat Tona veçse ata që nuk besojnë.” [El Ankebut, 47].

E sa për pretendimin e tyre që toka qënka zbuluar e gjitha dhe se nuk janë gjetur Jexhuxhët dhe Maxhuxhët apo prita e tyre; Ky është një pretendim që hidhet poshtë dhe që tregon për paaftësinë njerëzore dhe mangësinë e tyre, pasi që njohjen e të gjitha vendeve dhe cepave të tokës në mënyrë të plotë me të gjitha krijesat që ajo përmban, nuk mund ta arrijë askush përveç Allahut, i Cili ka përfshirë gjithçka me dijen e Tij absolute, dhe mosgjetja e tyre Jexhuxhët dhe Maxhuxhët apo pritën e tyre nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë, pasi që mundet që Allahu t’ia ketë mbuluar ata syve të tyre, apo të ketë vendosur mes tyre dhe njerëzve gjëra që e pengojnë arritjen tek ata, siç ka ndodhur me Beni Israilët në kohën e Musait (alejhis selam), kur Allahu i ndëshkoi ata me sorollatje nëpër shkretëtirë për dyzet vjet, dhe megjithëse sipërfaqa mbi të cilën ata silleshin rrotull ishte vetëm disa kilometra, njerëzit e tjerë nuk i shihnin ata dhe nuk e dinin vendin e tyre, deri sa mbaroi koha e ndëshkimit. Allahu është i Plotëfuqishëm për gjithçka, dhe për gjithçka Ai ka vendosur limit dhe kohë të caktuar. Allahu i Madhëruar thotë: “66. Kombi yt[16] (o Muhamed) e përgënjeshtroi atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaju: “Unë nuk jam roja juaj.[17] 67. Çdo profetësi ka kohën e vet të përmbushjes dhe ju do ta merrni vesh.”[18] [El Enam, 66-67].

Dijeni se, nuk janë sfiduar të mëparshmit nga zbulimi i gjërave që kanë zbuluar ata të mëvonshmit, vetëm për shkak se Allahu ka caktuar afat për çdo gjë.

Çështja e katërt: Fundi i Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve dhe jeta e e mirë dhe e begatë pas tyre

Pas prishjes, arrogancës dhe shkatërrimit të njerëzve dhe të mbjellave që do të bëjnë Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, i Dërguari i Allahut, Isai biri i Merjemes (alejhis selam) do t’i lutet Allahut bashkë me shokët e tij që t’i shpëtojë ata nga belaja dhe sprova e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, para të cilëve nuk kishin  forcë apo rrugë shpëtimi, e Allahu do i përgjigjet lutjes së tyre, dhe do t’i shkatërrojë ata me anë të një krimbi të vogël që do i pickojë në qafë, dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh si karkalecat, njëri mbi tjetrin. Toka do të mbulohet nga kufomat e tyre të qelbura dhe njerëzit nuk do e durojnë erën e keqe të tyre edhe më shumë nga ç’i duronin kur ishin të gjallë, kështu që i Dërguari i Allahut, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij, do t’i luten përsëri Allahut, e Allahu do të dërgojë disa shpendë të mëdhenj, të cilët do i kapin trupit e tyre dhe do i hedhin larg në det. Pastaj Allahu do të zbresë shi për të larë ndytësirën e mbetur prej tyre, dhe do të urdhërojë tokën që të rikthejë bereqetin e saj dhe të japë prodhimet e saj, dhe kështu do të zotërojë begatia dhe bollëku, dhe Isa (alejhis selam) bashkë me besimtarët që do të jenë me të, do të jetojnë jetë të mirë e të begatë.

Në hadithin e gjatë, të përcjellë nga En Nevas ibën Sem’an, i cili është përmendur edhe më parë, thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të rrethohet bashkë me shokët e tij, dhe një kokë demi në atë kohë do të vlejë me shumë se njëqind dmonedha ari nga ato që keni ju sot. Isai dhe shokët e tij do i luten Allahut, e Allahu do të dërgojë një lloj krimbi në supet e secilit prej tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhave), dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh. Pastaj, profeti i Allahut, Isai bashkë me shokët e tij do të zbresin nga mali dhe nuk do të gjejnë asnjë pëllëmbë tokë pa u mbuluar nga trupat dhe kërmat e tyre. Atëherë, profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij do t’i luten Allahut, dhe Allahu do të dërgojë disa shpendë fluturuese si qafat e deveve, që do i mbartin trupat e tyre dhe do i çojnë andej nga do Allahu t’i çojnë. Pastaj Allahu do të zbresë një shi, sa që nuk do të ketë shtëpi fshati apo qyteti veçse do të bjerë shi mbi to, dhe ai shi do të lajë të gjithë tokën duke e lënë atë si pasqyrë. Pastaj do i thuhet tokës: “Lëshoje prodhimin tënd dhe ktheje begatinë tënde!” Atë ditë, një grup njerëzish do të ngopen nga një kokërr shegë dhe do të qëndrojnë nën hijen e lëvores së saj. Do t’i jepet begati e madhe edhe qumështit, sa që një deve qumështi do i mjaftojë një grupi të madh njerëzish, një lopë qumështi do i mjaftojë një fisi të tërë, dhe një dele qumështi do i mjaftojë një familje të tërë (duke përfshirë gjyshërit dhe nipërit e familjes)…”[19]

Po kështu, Ebu Seid el Khudri (radiallahu anhu), thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “… Pastaj dikush prej tyre do të tundë shtizën e tij dhe do ta gjuajë atë në qiell, e ajo do të kthehet e përlyer me gjak, për t’i sprovuar edhe më shumë ata (që të mendojnë se janë të pavdekshëm apo më të fortë se gjithçka në tokë e në qiell). Pikërisht në këtë kohë, Allahu do të dërgojë tek ata krimba që do i pickojnë në qafat e tyre, si krimbat e karkalecave që i shfaqen në qafë, dhe që të gjithë ata do të vdesin dhe nuk do iu dëgjohet asnjë zë. Muslimanët do të thonë: “A ka ndonjë që do sakrifikojë veten për të parë se çfarë ka ndodhur me këtë armik?” Atëherë do të dalë njëri prej tyre duke menduar se do të vritet me siguri, dhe do të zbresë nga mali, veç kur do i shohë të gjithë të vdekur mbi njëri-tjetrin. Atëherë ky do të thërrasë me zë të lartë: “O muslimanë! Gëzohuni! Allahu jua shfarosi armikun tuaj!” Ata do të dalin nga vend-strehimi i tyre dhe do të nxjerrin edhe bagëtitë, të cilat nuk do të kenë kullotë tjetër përveç mishit të Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, për të cilin do të falënderojnë ashtu si nuk kanë falënderuar asnjëherë për kullotat që kanë ngrënë.”[20]


[1] “Fet’hul Bari” (13/106).

[2] Buhariu (7/196), Muslimi (1/301).

[3] Tefsiri i Ibën Kethirit, (3/187).

[4] Buhariu (6716), Muslimi (2880), Ibën Maxheh (3953), Ahmedi (6/429).

[5] Muslimi (2937), Tirmidhiu (2240), Ibën Maxheh (4075), Ahmedi (4/182).

[6] Muslimi (2250).

[7] Muslimi (2226).

[8] Ibën Maxheh (4081), Ahmedi (1/375).

[9] Hadith Sahih (Es Sahiha (1735); Tirmidhiu (8/597-599), Ibën Maxheh (2/1364-1365).

[10] “Lem’atul I’tikad”, f. 30.

[11] “Ikmalul Mualim” (6/115-116).

[12] “Levamiul Envar” (2/116).

[13] Tefsiri Ibën Kethirit (3/99).

[14] Hadith Sahih (Es Sahiha (1735); Tirmidhiu (8/597-599), Ibën Maxheh (2/1364-1365).

[15] Fet’hul Bari, (13/190).

[16] Është për qëllim fisi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) si dhe fiset e tjera të Mekës që ishin idhujtarë dhe përgënjeshtrues të Muhamedit, dhe jo ymeti-populli i tij, sepse ymeti i Muhamedit janë të gjithë besimtarët muslimanë në çdo kohë e vend, deri në ditën e Kiametit.

[17] Unë nuk jam mbikqyrës mbi ju dhe as rojë që ju detyron çfarë të bëni, por jam thjesht i Dërguar i Allahut dhe ju përcjell atë që më shpallet.

[18] Do ta merrni vesh të vërtetën e atyre që ju them dhe që më shpallen nga Allahu. E nuk ka dyshim se gjithçka që paralajmëroi i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), u përmbush dhe shumë paralajmërime e profetësi të tjera presin afatin e tyre të caktuar nga Allahu, dhe kur të ndodhë kjo, të gjithë do ta marrin vesh.

[19] Muslimi (2255).

[20] Ibën Maxheh (4079), Ahmedi (3/77). Hadith Sahih (Es Sahiha, 1793].

error: Alert: Content is protected !!