Tema e pestë

Lindja e Diellit nga Perëndimi

Nga libri me titull

SHENJAT E KIAMETIT

Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili

Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme

Përgatiti: Dr. BLEDAR ALBANI


Lindja e Diellit nga Perëndimi është nga shenjat e mëdha të Kiametit, dhe kjo është e aprovuar në Kuran, Sunet dhe unanimitetin e dijetarëve të Islamit.

Allahu i lartësuar thotë: “A mos vallë presin ata t’u vijnë engjëjt ose të vijë Zotit yt, ose të vijnë disa shenja të Zotit tënd? Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mire me besimin e tij! Thuaju: “Pritni, se edhe ne po presim!”. [El En’am, 158].

Ibën Xherir Et taberi (Allahu e mëshiroftë!), pas përmendjes së fjalëve të dijetarëve interpretues të Kuranit në lidhje me ajetin e mësipërm, thotë: “Fjala më e saktë prej këtyre është ajo që mbështetet nga argumentet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili ka thënë: “Ajo është dita kur Dielli do të lindë nga perëndimi.”[1]

Kurse nga hadithet që flasin për këtë Ditë, është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të bëhet Kiameti, deri sa Dielli të lindë nga perëndimi dhe, kur Dielli të lindë nga perëndimi, njerëzit do të besojnë që të gjithë, por atë ditë nuk do i bëjë dobi besimi askujt prej atyre që nuk kanë besuar më parë apo që nuk kanë vepruar vepra të mira të shtyrë nga besimi i tyre.”[2]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Ebu Musa el Esh’ari (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu e shtrin Dorën e Tij gjatë natës për të pranuar pendimin e atij që bën gabime ditën, dhe e shtrin Dorën e Tij gjatë ditës për të pranuar pendimin e atij që bën gabime natën, deri sa të lindë dielli nga perëndimi i tij.”[3]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Safvan ibën Asal (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka hapur një derë për pendimin nga ana e perëndimit, gjerësia e të cilës është shtatëdhjetë vjet, dhe kjo derë nuk mbyllet asnjëherë, deri ditën kur Dielli të lindë nga ajo derë (nga perëndimi).”[4]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse dalin tre gjëra, askujt nuk do i bëjë dobi besimi në rast se nuk ka besuar më parë apo nuk ka bërë vepra të mira të shtyra nga besimi: Lindja e diellit nga perëndimi, Dexhali (ose tymi)[5] dhe kafsha e tokës që do t’u flaës njerëzve.”[6]

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur mospranimin e pendimit pas lindjes së diellit nga perëndimi, duke thënë: “Dijetarët thonë: “Nuk i bën dobi besimi askujt kur dielli të lindë nga perëndimi, sepse atë ditë do të shkulet çdo lloj dëshire nga zemrat e tyre për shkak të tmerrit të madh të asaj dite, dhe trupat e tyre nuk do të kenë asnjë lloj fuqie. Të gjithë njerëzit atë ditë janë të bindur se po bëhet Kiameti njësoj si ai, të cilit i vjen vdekja dhe i priten të gjitha dëshirat dhe nxitësit për të bërë mëkate. Kështu që ata që pendohen në këtë gjendje, nuk iu pranohet pendimi ashtu si nuk i pranohet atyre që i ka ardhur shpirti në fyt në shtratin e vdekjes.”[7]

Nga hadithet që flasin për ditën kur të lindë dielli nga perëndimi, është edhe hadithi i përcjellë nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) një hadith të cilin nuk e kam harruar. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Shenja e parë që do të shfaqet nga shenjat e Ditës së Kiametit, është lindja e diellit nga perëndimi…”[8]

Ibën Haxheri thotë: “Nga bashkimi i të gjitha argumenteve, arrihet në përfundimin se dalja e Dexhalit është shenja e parë nga shenjat e mëdha që tregojnë për ndryshimin e gjendjes së përgjithshme të jetës në Tokë, e cila do të përfundojë me vdekjen e Isait, birit të Merjemes. Kurse lindja e diellit nga perëndimi është shenja e parë e madhe që tregon ndryshimin e gjendjes së botës së sipërme, e cila përfundon me ndodhjen e Kiametit. Dalja e kafshës që iu flet njerëzve mund të ndodhë në po të njëjtën ditë që do të lindë dielli nga perëndimi.”[9]

El Berzhenxhi, në librin “El Ishaah”, thotë: “Ky është një përfundim shumë i qëlluar – Allahu e mëshiroftë Ibën Haxherin!”[10]

Ebu Dheri (radiallahu anhu), ka përcjellë se: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “A e dini se ku shkon Dielli?” Të pranishmit thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “Dielli vazhdon lëvizjen e tij deri sa arrin strehën e tij poshtë Arshit (Fronit të Allahut) ku bie në sexhde dhe vazhdon të qëndrojë në sexhde deri sa t’i thuhet: “Ngrihu dhe shko andej nga erdhe!” Ai ngrohet dhe lind nga lindja e tij e zakonshme, pastaj vazhdon ecjen e tij në qiell pa vërejtur njerëzit asgjë nga këto, deri sa të arrijë përsëri strehën e tij poshtë Arshit, deri sa t’i thuhet: “Ngrihu dhe lind nga perëndimi yt!” Atëherë ai do të lindë nga perëndimi. Pastaj i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “A e dini kur do të ndodhë kjo? Kjo do të ndodhë kur askujt nuk do i bëjë dobi besimi në rast se nuk ka pas besuar më parë apo të ketë vepruar vepra të mira nga besimi.”[11]

Ne nuk e dimë si është kjo sexhde që bën Dielli, madje këtë nuk e di askush veç Allahut, të Cilit i bën sexhde gjithçka në qiej e në tokë, siç thotë Allahu: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.” [El Haxh, 18].

Po kështu në suren En Nahl: “48. A nuk e vërejnë ata se si të gjitha ato që i ka krijuar Allahu, hija e tyre anon djathtas e majtas, duke iu falur Allahut dhe duke iu përulur? 49. Allahut i përulet në sexhde çdo gjallesë, në qiej dhe në Tokë, edhe engjëjt, të cilët nuk janë kryelartë. 50. Ata i frikësohen Zotit të tyre lart mbi ta dhe bëjnë atë, që u urdhërohet.”

Ibën Kethiri thotë: “Në këto ajete, Allahu i Madhëruar tregon për Madhështinë dhe Lartësinë e Tij, të Cilit i është nënshtruar gjithçka, e ngurtë apo e gjallë, kafshë apo njeri, xhinë e engjëj; që të gjitha krijesat që bëjnë hije nën rrezet e diellit, djathtas e majtas; d.m.th. mëngjes e mbrëmje, që të gjithë i bëjnë sexhde Allahut me hijet e tyre.”[12]

Dijetarët kanë folur rreth hadithit të sexhdes që bën Dielli nën Arshin e Allahut, dhe i janë kundërpërgjigjur të gjithë atyre që kanë dashur ta interpretojnë ndryshe këtë hadith, dhe kanë sqaruar se kjo sexhde që bën Dielli nën Arsh është sexhde e vërtetë.

Ebu Sulejman el Khatabi (Allahu e mëshiroftë!), në lidhje me fjalën e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “në strehën e tij poshtë Arshit”, thotë: “Nuk e mohojmë që Dielli të ketë strehë nën Arsh, në atë mënyrë që ne nuk mund ta perceptojmë apo ta shohim me sytë tanë, por jemi njoftuar për diçka të fshehtë të cilën nuk e mohojmë dhe nuk e përshkruajmë apo imagjinojmë, sepse dija jonë nuk mund ta përfshijë këtë të vërtetë…” Më pas, për sexhden e Diellit nën Arsh, ai thotë: “Këtu njoftohemi për sexhden që bën Dielli nën Arshin e Allahut, dhe nuk ka çudi që kjo mund të ndodhë kur ai kalon përbri Arshit gjatë rrugës që bën Dielli në orbitën e tij ashtu si është urdhëruar. Kurse në lidhje me Fjalën e Allahut: “Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull.” [El Kehf, 86], këtu është për qëllim kufiri i shikimit njerëzor të perëndimit të Diellit, ku më pas Dielli vazhdon rrugën e tij poshtë Arshit për të rënë në sexhde.”[13]

El Kadi Ijad, në sqarim të hadithit të mësipërm, thotë: “Ky hadith merret në kuptimin e tij të drejtëpërdrejtë tek të gjithë dijetarët e Fikhut, Hadithit, dhe Mutekeliminët prej Ehli Sunetit, në kundërshtim me ata që e interpretojnë ndryshe hadithin prej bidatçinjve dhe batinive (një nga sektet e humbura), dhe ky hadith bën fjalë për një nga shenjat e mëdha të Kiametit.”[14]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sexhdja që bën Dielli është me vetëdije dhe perceptim që Allahu e ka krijuar tek ai.”[15]

Imam Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Gjithçka përulet (bën sexhde) para madhështisë së Allahut të Lartësuar, qoftë me bindje apo e detyruar, dhe sexhdja e secilit bëhet në atë formë që i përshtatet.”[16]

Hafiz Ibën Haxher el Askilani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas kuptimit të drejtëpërdrejtë të hadithit, streha e Diellit është arritja e tij në çdo ditë e natë në vendin ku bën sexhde, dhe e kundërta e strehës apo e vendqëndrimit, është lëvizja e përhershme që në Kuran është emërtuar me fjalën “jexhri” – “vrapon apo ecën me shpejtësi”, e Allahu e di më mirë.”[17]


[1] Buhariu (4359), Muslimi (157).

[2] Buhariu (6704), Muslimi (157), Ebu Daudi (4312), Tirmidhiu (3072), Ibën Maxheh (4068), Ahmedi (2/398).

[3] Muslimi (2759), Ahmedi (4/404).

[4] Tirmidhiu (3535), Ibën Maxheh (1353), Ahmedi (4/240). Shejh Albani e ka konisderuar “Hasen”, në “Sahihul Xhami” (2/443).

[5] Shejh Albani thotë: “Në Musnedin e Ahmedit, në vend të fjalës “Dexhali”, thuhet “Duhani – Tymi”, por unë mendoj se ky është gabim nga shkruesit. [Es Sahiha, 3620].

Kurse ne mendojmë se fjala e saktë është “Duhani” pra “Tymi”, dhe jo “Dexhali”, sepse hadithi flet për mospranimin e pendimit kur të ndodhin këto tre gjëra, ndërkohë që dihet se Dexhali do të vritet nga Isai (alejhis selam), i cili do të zbresë në tokë pas daljes së Dexhalit, dhe me zbritjen e Isait do të bëhen muslimanë të gjithë të krishterët e asaj kohe, pra do iu pranohet pendimi dhe Islami, madje Isai (alejhis selam) nuk do të pranojë xhizjen por vetëm Islamin nga ata që nuk janë muslimanë. Kurse mundësia më e madhe për daljen e Tymit është pikërisht dita në të cilën dielli do të lindë nga perëndimi, siç do e shohim më pas në temën e shtatë të librit; dhe kështu bashkohet mes haditheve, e Allahu është i Gjithëdijshmi. [Përkthyesi].

[6] Buhariu (6704), Muslimi (158), Tirmidhiu (3072), Ebu Daudi (4312), Ibën Maxheh (4068), Ahmedi (2/446).

[7] Et Tedhkirah, (2/753,794).

[8] Muslimi (2941), Ebu Daudi (4310), Ahmedi (2/201).

[9] Fet’hul Bari, (11/353).

[10] El Ishaah Li-Eshrati es Saah, f. 350.

[11] Buhariu (3027), Muslimi (159), Ebu Daudi (4002), Tirmidhiu (3227), Ahmedi (5/165).

[12] Tefsiri Ibën Kethirit (2/572).

[13] “Sherhu Suneh”, El Begavi, (15/95).

[14] “Ikmalul Mualim”, (3/700).

[15] Sherh Sahihu Muslim, (2/197).

[16] Tefsiri Ibën Kethirit, (3/571).

[17] Fet’hul Bari, (8/403).