You are here:--KUJDESTARIA PER FEMIJET

KUJDESTARIA PER FEMIJET

2018-02-19T18:07:48+00:00February 15th, 2018|Categories: Familja|

KUJDESTARIA PER FEMIJET NË ISLAM

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Kuptimi i kujdestarisë: Fjala Hadaneh (Kujdestari) është marrë prej fjalës “El- Hidane” që do të thotë pjesë e trupit nga poshtë sqetullës e deri tek fundi i brinjës së fundit.Merr kuptimin edhe të anëve të diçkaje duke e kufizuar atë. Shprehet ruajti zogu vezën kur e kufizon nga anët me krahët e tij, po kështu nëna fëmijën kur e përfshin atë me krahët e saj dhe e mbledh në vetveten e saj.

Juristët islamë e kanë përkufizuar kujdestarinë duke thënë se ajo nënkupton “mbrojtjen e fëmijës së vogël në moshë[1]dhe të sëmurit nga ana mendore, i cili nuk është i aftë të gjykojë dhe nuk mund të mbështetet tek vetja e tij që ta ruajë interesin e atij që ka nën kujdestari, ta mbrojë atë nga dëmtimi, ta rrisë dhe ta edukojë atë në mënyrë adekuate si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana shpirtërore dhe mendore. Që të jetë fëmija i fuqishëm dhe i aftë për të përballuar vështirësitë e jetës dhe përgjegjësitë në të.

Kujdestaria ndaj djalit ose vajzës së vogël në moshë është obligim fetar dhe neglizhimi i saj ka pasoja fatale për fëmijën.

Kujdestaria është e drejtë e përbashkët

Kujdestaria është e drejtë e fëmijës sepse ai ka nevojë për një person që të kujdeset për të, ta mbrojë, t’i kryejë nevojat jetike që ka dhe ta edukojë. Nëna gjithashtu ka të drejtë më shumë se kushdo tjetër që të kujdeset për fëmijën e saj. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ti (duke ju drejtuar nënës së fëmijës) ke më shumë të drejtë për fëmijën.”[2]

Kujdestaria është e drejtë e fëmijës dhe nëna është e detyruar që të kujdeset për fëmijën e saj përderisa nuk ka një person tjetër që ta bëjë këtë që të mos humbasë e drejta e fëmijës për t’u rritur dhe edukuar. Nëna nuk është e obliguar që të kujdeset për fëmijën nëse gjyshja e merr përsipër kujdestarinë e tij dhe nëna heq dorë prej saj. E drejta e nënës për kujdestarinë e fëmijës anullohet vetëm nëse ajo vetë heq dorë prej saj. Kujdestaria është e drejtë e nënës dhe askush nuk mund t’ia mohojë atë.

Gjykatat civile kanë nxjerrë disa rregulla që e mbështesin idenë që thamë më sipër. Gjykata e Xherxhas, me datë 13.07.1933, ka nxjerrë këtë vendim: “Kujdestarja dhe personi që është nën kujdestarinë e saj (fëmija), secili prej tyre, ka të drejta në lidhje me kujdestarinë. Sidoqoftë, e drejta e personit që është nën kujdestari është më e madhe dhe më e rëndësishme se e drejta e kujdestares. Nëse kujdestarja heq dorë nga e drejta e saj, kjo nuk e anullon të drejtën e fëmijës për kujdestari.”

Ndërsa Gjykata e Ajatit, me datë 07.10.1927, ka nxjerrë këtë vendim: “Nëse dikush tjetër përveç nënës, në mënyrë vullnetare, ofron shpenzimet e saj për fëmijën, kjo nuk e anullon të drejtën e nënës për t’u kujdesur për fëmijën e saj. Nëna ka të drejtë që të kujdeset vetë për fëmijën nëse dëshiron dhe askush nuk mund t’ia mohojë asaj këtë të drejtë përderisa fëmija ushqehet me qumështin e gjirit të saj.

Ky gjykim ka për qëllim mbrojtjen e fëmijës nga dëmtimi që mund të rezultojë nga ndarja e tij prej nënës. E cila është personi që ka më shumë dhembshuri për foshnjën e saj dhe është më e duruar se kushdo tjetër për t’i shërbyer atij.”[3]

Nëna ka më shumë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës se babai, përderisa nuk martohet me burrë tjetër

Mënyra më e përsosur e rritjes dhe edukimit të fëmijës është që ai të rritet dhe edukohet në krahët e prindërve të tij. Kjo i siguron fëmijës të gjithë përkujdesjen e duhur me qëllim që ai të zhvillohet në mënyrë të rregullt si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana shpirtërore dhe mendore. Përveç kësaj, kjo përkujdesje e përbashkët e prindërve e bën fëmijën më të përgatitur për të përballuar vështirësitë e jetës.

Nëse ndodh që prindërit divorcohen, atëherë nëna ka më shumë të drejtë se babai për kujdestarinë e fëmijës me kusht që të mos ketë ndonjë pengesë ligjore për këtë,[4] ose fëmija ka veti që i lejojnë të zgjedhë vetë.

Shkaku i dhënies prioritet nënës në aspektin e kujdestarisë dhe gjithësisë është se ajo e di dhe është me e aftë ta edukojë atë. Për më tepër, gruaja është më e duruar se burri në lidhje me përkujdesjen ndaj fëmijës dhe ka më shumë kohë në dispozicion për t’i përkushtuar atij. Me fjalë të tjera, gruas i është dhënë më shumë prioritet në këtë aspekt me qëllim mbrojtjen e interesave të fëmijës.

Abdullah Bin Amri (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, barkun për të e kisha enë, prehërin fole, dhe gjirin shtëmë, pastaj e kam mbajtur në krahët e mi dhe e kam ushqyer me qumështin e gjirit tim. Babai i tij dëshiron që ta mohojë të drejtën time për kujdestarinë e tij.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Ti ke më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk do të martohesh përsëri.”[5] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Jahja Bin Saidi tregon se e ka dëgjuar Kasim Bin Muhamedin duke thënë: “Omer Ibn Khatabi ka qënë i martuar me një grua nga Ensarët dhe me të ka pasur një djalë që quhej Asim Bin Omeri. Një ditë, pasi Omeri e kishte divorcuar gruan, ai pa djalin e tij, Asimin, duke luajtur në oborrin e xhamisë. Ai e mori atë në krahët e tij dhe e vendosi mbi kafshën e tij të udhëtimit. Në atë moment erdhi gjyshja e Asimit nga nëna dhe ia mori Omerit fëmijën duke i thënë se ai nuk kishte të drejtë që ta merrte atë. Për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje, ata shkuan tek Ebu Bekri (r.a.). Secili prej tyre pretendonte se ai kishte të drejtë që ta merrte fëmijën. Por Ebu Bekri i tha Omerit: “Lëre gruan që të largohet së bashku me fëmijën.” Omeri nuk e kundërshtoi vendimin e Ebu Bekrit[6]. Transmetuar nga Maliku në librin e tij “El Meuta”. Ibn Abdulberri ka thënë se ky hadith është i njohur sepse vargu i tij i transmetimit në disa vende ka shkëputje dhe në disa vende të tjera është i pandërprerë. Dijetarët islamë e konsiderojnë këtë hadith të pranueshëm. Në disa transmetime të tjera tregohet se Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “Nëna është më e dhembshur, më e dashur, më e butë, më e mëshirshme dhe më e mirë. Ajo ka më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk martohet përseri.”[7]

Cilësitë e nënës që ka përmendur Ebu Bekri (r.a.) në fjalën e tij janë arsyeja pse gruas i është dhënë prioritet në lidhje me kujdestarinë e fëmijës.

Renditja e personave që kanë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës

Meqenëse nëna ka më shumë të drejtë se cilido tjetër për kujdestarinë e fëmijës, atëherë juristët islamë kanë gjykuar se të afërmet femra nga nëna kanë më shumë prioritet se të afërmet femra nga babai në lidhje me kujdestarinë. Duke u bazuar mbi këtë mendim, renditja e grave që kanë të drejtë për kujdestarinë e fëmijës është kjo:

Së pari, nëna ka të drejtë më shumë se kushdo tjetër që të jetë kujdestarja e fëmijës së saj. Nëse ka ndonjë pengesë ligjore për këtë[8], atëherë kujdestaria i kalon nënës së nënës (gjyshes nga nëna). Nëse përseri ka ndonjë pengesë, atëherë kujdestaria i kalon nënës së babait (gjyshes nga babai). Pas tyre renditja vijon në këtë mënyrë: motra nga të dy prindërit, motra nga nëna, motra nga babai, vajza e motres nga të dy prindërit, vajza e motres nga nëna, tezja nga të dy prindërit, tezja nga nëna, tezja nga babai, vajza e motres nga babai, vajza e vëllait nga të dy prindërit, vajza e vëllait nga nëna, vajza e vëllait nga babai, halla nga të dy prindërit, halla nga nëna, halla nga babai, tezja e nënës, tezja e babait, halla e nënës dhe halla e babait duke i dhënë prioritet në të gjitha rastet atyre që janë nga të dy prindërit.

Nëse fëmija nuk ka asnjë grua të afërt nga kategoritë që përmendëm më sipër, ose ka por ato nuk i plotësojnë kushtet e kujdestarisë, atëherë kujdestaria u kalon burrave të afërm nga babai. Renditja e burrave në këtë rast është njëlloj si renditja e tyre në trashëgimi. Kështu, babai ka të drejtë më shumë se të tjerët për kujdestarinë e fëmijës së tij. Pas tij vijnë: babai i babait (gjyshi nga babai), vëllai nga të dy prindërit, vëllai nga babai, djali i vëllait nga të dy prindërit, djali i vëllait nga babai, xhaxhai nga të dy prindërit, xhaxhai nga babai, xhaxhai i babait nga të dy prindërit dhe xhaxhai i babait nga babai.

Nëse fëmija nuk ka asnjë burrë të afërm nga babai nga personat që përmendëm më sipër, ose ka por ata nuk i plotësojnë kushtet e kujdestarisë, atëherë kujdestaria u kalon burrave të afërm nga nëna. Kështu, babai i nënës (gjyshi nga nëna) është i pari në renditje. Pas tij vijnë: vëllai nga nëna, djali i vëllait nga nëna, xhaxhai nga nëna, daja nga të dy prindërit, daja nga babai dhe daja nga nëna. Nëse fëmija nuk ka asnjë të afërm edhe nga kjo kategori, atëherë gjykatësi cakton një grua që të kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës së vogël.

Renditja e personave që kanë të drejtë për kujdestarinë ndaj fëmijës është caktuar në këtë mënyrë sepse kujdestaria për fëmijën është një çështje e domosdoshme. Njerëzit që kanë më shumë prioritet për kujdestarinë janë të afërmit e fëmijës. Disa të afërm kanë më shumë prioritet se disa të afërm të tjerë duke u bazuar në shkallën e afërsisë. Nëse fëmija nuk ka të afërm të parë, atëherë kujdestaria u kalon të afërmëve të tjerë më të largët sipas renditjes. Nëse fëmija nuk ka asnjë të afërm, atëherë gjykatësi është i obliguar që të ngarkojë një person të përshtatshëm për t’u kujdesur për fëmijën.

Kushtet e kujdestarisë

Kushtëzohet që gruaja e cila kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës të ketë mundësi dhe aftësi për ta kryer këtë detyrë. Në mënyrë që gruaja të ketë mundësi dhe aftësi për t’u kujdesur për fëmijën, ajo duhet të plotësojë disa kushte të caktuara. Nëse gruaja nuk e plotëson njërin nga këto kushte, atëherë e drejta e saj për kujdestari anullohet. Këto kushte janë:

1- Aftësia mendore

Personi që merr përsipër kujdestarinë e fëmijës duhet që të jetë i aftë nga ana mendore për ta kryer këtë detyrë. Në këtë mënyrë, i çmenduri dhe budallai nuk mund të jenë kujdestarë. Një person i cili nuk është i aftë të kujdeset për veten e tij nuk mund të autorizohet për t’u kujdesur për një person tjetër. Një proverb thotë: “Personi që nuk e posedon diçka vetë, nuk mund t’ua japë atë të tjerëve.”

2- Mosha madhore

Ai që merr përsipër kujdestarinë e fëmijës duhet që të ketë arritur moshën madhore. Personi që është në moshë të vogël, edhe nëse ka aftësi për të gjykuar, ka nevojë për dikë që të kujdeset për të. Si rrjedhim, ai nuk mund të jetë kujdestar për një person tjetër.

3- Aftësia për të edukuar të tjerët

Është kusht që kujdestari të jetë i aftë për të mësuar dhe edukuar të tjerët. Në këtë mënyrë, nuk mund të jetë kujdestare e fëmijës gruaja e verbër, gruaja me shikim të dobët, gruaja e sëmurë me një sëmundje ngjitëse dhe gruaja e sëmurë me një sëmundje të rëndë që nuk është e aftë të kujdeset për dikë tjetër. Gjithashtu nuk mund të jetë kujdestare gruaja në moshë të thyer e cila ka nevojë që dikush tjetër të kujdeset për të dhe as ajo grua që i neglizhon punët e shtëpisë së saj dhe që del shpesh nga shtëpia. Neglizhenca e saj mund të rezultojë në dëmtimin e fëmijës apo në humbjen e tij. Nuk mund të jetë kujdestare as ajo grua që banon me një person të sëmurë nga një sëmundje ngjitëse ose me një person që e urren fëmijën, qoftë edhe i afërm i tij. Gruaja, në këtë rast, nuk mund t’i japë fëmijës përkujdesjen e duhur dhe nuk mund t’i garantojë atij një ambient të përshtatshëm për t’u rritur.

4- Besnikëria dhe morali

Kujdestaria nuk mund t’i besohet një gruaje të shthurur pasi nuk jemi të sigurtë se ajo do të kujdeset për fëmijën në mënyrë të përshtatshme. Përveç kësaj, ka rrezik që fëmija të influencohet nga sjellja dhe morali i gruas së shthurur. Ibn Kajimi e ka analizuar këtë kusht duke thënë:

“Gjykimi më i saktë është se drejtësia nuk është kusht për kujdestarinë e fëmijës pavarësisht se ndjekësit e Shafiut dhe Ahmedit e kanë kushtëzuar atë. Kushtëzimi i drejtësisë në kujdestarinë e fëmijës është largim prej bazave të jurisprudencës islame dhe mund të rezultojë në humbjen e fëmijëve. Kjo gjë do të shkaktonte shumë vuajtje dhe vështirësi për njerëzit. Që nga koha e ardhjes së Islamit dhe deri në ditën e gjykimit, të shthururit dhe imoralët janë kujdesur, kujdesen dhe do të kujdesen për fëmijët e tyre pasi ata janë shumica dhe askush nuk mund t’i pengojë që ta bëjnë këtë. Kur ka ndodhur që Islami t’ia ketë mohuar të drejtën e kujdestarisë njërit apo të dy prindërve për shkak të shthurjes së tyre?! Kjo është diçka e vështirë për t’u realizuar në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohërat, në ndryshim nga kushti i drejtësisë për kujdestarët në martesë, i cili është gjithmonë i mundur për t’u zbatuar në të gjitha vendet dhe kohërat. Megjithatë, në shumicën e rasteve kujdestarët në martesë janë njerëz të padrejtë sepse padrejtësia akoma egziston tek njerezit.

Nuk ka asnjë rast që Profeti (s.a.u.s.) ose ndonjë nga shokët e tij ta kenë ndaluar ndonjë person të shthurur që të kujdeset për rritjen dhe edukimin e fëmijës së tij apo që të martojë vajzën e tij.

Faktet nga jeta e përditshme tregojnë se edhe personi i shthurur kujdeset për vajzën e tij me të gjitha mundësitë duke i dëshiruar asaj të mirën. Edhe nëse vërehen raste të kundërta me këtë, ato janë të papërfillshme në krahasim me rastet e tjera.

Sikur personi i shthurur të mos kishte të drejtë që të kujdesej për fëmijët e tij apo t’i martonte vajzat e tij, atëherë kjo gjë do të kishte qënë ndër gjërat më të rëndësishme që na janë transmetuar dhe që i kemi trashëguar nga të parët tanë. Por kjo gjë nuk na është transmetuar dhe nuk e kemi trashëguar nga të parët. Si është e mundur që ata nuk na e kanë transmetuar një gjë të tillë por kanë vazhduar të veprojnë në të kundërtën?! Sikur shthurja ta anullonte të drejtën e kujdestarisë për fëmijët, atëherë imorali, përdoruesi i alkoolit dhe ai që kryen një nga mëkatët e mëdha do të ndahej nga fëmijët e tij të vegjël dhe dikush tjetër do të caktohej për t’u kujdesur për ta në vend të prindërve. Sidoqoftë, Allahu e di më mirë këtë çështje!”

5- Feja islame

Gruaja jobesimtare nuk mund të jetë kujdestare e një fëmije musliman. Kujdestaria nënkupton “pushtet” dhe Allahu (xh.sh.) nuk ua ka mundësuar jobesimtarëve që të kenë pushtet mbi besimtarët. Ai ka thënë në Kuran:

وَلَنْ يَجْعَلَ اللَّهُ لِلْكَافِرِينَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ سَبِيلا

“Allahu nuk ua mundëson jobesimtarëve që të kenë pushtet mbi besimtarët.”[9]

Kujdestaria për fëmijët i ngjason kujdestarisë në martesë dhe në pasuri. Përveç kësaj, nuk mund të sigurohemi se gruaja kujdestare nuk do të ketë influencë mbi besimin e fëmijës dhe se nuk do të përpiqet që ta edukojë atë me rregullat e besimit të saj. Më pas do të jetë e vështirë që fëmija të rikthehet në besimin e tij islam. Ky do të ishte dëmi më i madh që i shkaktohet fëmijës. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë në një hadith: “Çdo fëmijë lind në besimin e natyrshëm, por prindërit e tij e bëjnë atë çifut, kristian ose adhurues të zjarrit.”[10]

Juristët e shkollës hanefije, Ibn Kasimi nga juristët malikijë dhe Ebu Theuri janë të mendimit se lejohet që gruaja jobesimtare të jetë kujdestare për një fëmijë musliman. Ata argumentojnë se kujdestaria e fëmijës nuk nënkupton asgjë më shumë se gjidhënien dhe përkujdesjen ndaj fëmijës. Të dyja këto janë të lejuara që të bëhen nga një jobesimtare.

Ebu Daudi dhe Nesaiu transmetojnë se Rafia Bin Sinani e pranoi fenë islame ndërsa gruaja e tij refuzoi që ta pranonte atë. Gruaja e Rafias shkoi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe kërkoi që të merrte vajzën e saj të cilës ia kishte ndërprerë gjidhënien. Edhe Rafia Bin Sinani kërkoi që ta merrte ai vajzën. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) u lut: “O Zot, udhëzoje vajzën që të zgjedhë.”[11] Vajza anoi më shumë nga babai dhe ai e mori atë.[12]

Megjithëse juristët e shkollës hanefije e lejojnë kujdestarinë e një gruaje jobesimtare për një fëmijë musliman, ata kanë kushtëzuar që gruaja të mos e ketë braktisur fenë islame. Sipas tyre, gruaja që ka braktisur fenë islame meriton të burgoset derisa të pendohet dhe të rikthehet në Islam ose të izolohet derisa të vdesë. Nuk lejohet që asaj t’i jepet mundësia për t’u kujdesur për një fëmijë musliman. Nëse gruaja pendohet dhe rikthehet në Islam, atëherë ajo e rifiton të drejtën e kujdestarisë.[13]

6- Gruaja kujdestare nuk duhet të jetë e martuar

Nëse gruaja martohet, atëherë e drejta e saj e kujdestarisë anullohet. Abdullah Bin Amri (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, ky fëmijë ka qënë në barkun tim, pastaj e kam mbajtur në krahët e mi dhe e kam ushqyer me qumështin e gjirit tim. Babai i tij dëshiron që ta mohojë të drejtën time për kujdestarinë e tij.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Ti ke më shumë të drejtë për fëmijën nëse nuk do të martohesh përseri.”[14] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të saktë.

Ky gjykim vlen për rastin kur gruaja martohet me ndonjë person të huaj. Nëse gruaja martohet me një të afërm të fëmijës, si p.sh. me xhaxhain e tij, atëherë e drejta e kujdestarisë nuk anullohet pasi edhe xhaxhai ka të drejtë kujdestarie për fëmijën. Nga ana tjetër, afërsia e burrit me fëmijën e bën atë që të jetë i dhembshur dhe i kujdesshëm për të. Në këtë mënyrë, të dy bashkëshortët bashkëpunojnë në lidhje me përkujdesjen ndaj fëmijës.

Ndërsa në rastin kur gruaja martohet me një burrë të huaj, nuk mund të jemi të sigurtë se burri do të jetë i dhembshur dhe i kujdesshëm ndaj fëmijës. Nga ana tjetër, në këtë rast as gruaja nuk ka mundësi që t’i kushtojë fëmijës përkujdesjen e duhur. Për këto arsye, fëmija nuk mund të gjejë atmosferën e përshtatshme dhe kushtet e volitshme për t’u rritur në mënyrë adekuate.

Hasani dhe Ibn Hazmi janë të mendimit se e drejta e kujdestarisë nuk anullohet edhe nëse gruaja martohet.

7- Liria

Personi që është rob nuk ka mundësi që të kujdeset për fëmijën e vogël pasi ai është i zënë duke i shërbyer pronarit të tij.

Ibn Kajimi ka thënë:

“Kushtëzimi i lirisë në lidhje me kujdestarinë e fëmijës nuk mbështetet në ndonjë argument bindës. Liria e personit kujdestar është kushtëzuar nga ndjekësit e Ebu Hanifes, Shafiu dhe Ahmedi, etj. Ndërsa Maliku ka thënë në lidhje me burrin e lirë që ka një djalë të vogël me një robëreshë: “Nëna ka më shumë të drejtë për fëmijën derisa ajo të shitet dhe të kalojë në pronësinë e një burri tjetër. Nëse kjo ndodh, atëherë babai ka më më shumë të drejtë për fëmijën.” Ky është mendimi më i saktë.”

Pagesa e kujdestarisë

Pagesa për kujdestarinë është njëlloj si pagesa për gjidhënien. Nëna nuk paguhet për kujdestarinë e saj ndaj fëmijës nëse ajo është akoma e martuar ose në periudhën e pritjes pasi ajo përfiton shpenzimet martesore ose shpenzimet e periudhës së pritjes. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

“Nënat që duan ta plotësojnë gjidhënien janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet të plota, për ato që duan ta plotësojnë kohën e gjidhënies. Babai i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e gruas ashtu siç duhet.”[15]

Pas përfundimit të periudhës së pritjes, gruaja duhet të paguhet si shpërblim për kujdestarinë e saj ndaj fëmijës njëlloj siç paguhet për gjidhënien. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Nëse ato (gratë e divorcuara) janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa të lindin. Nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuni atyre shpërblimin që u takon dhe merruni vesh me njëri-tjetrin me mirësi. Nëse keni vështirësi për të rënë dakord në mes jush, atëherë le t’i japë gji foshnjës një grua tjetër.”[16]

Gratë e tjera, përveç nënave, duhet të shpërblehen për kujdestarinë e tyre ndaj fëmijëve që nga koha e fillimit të kujdestarisë njëlloj si ato gra që u japin gji fëmijëve.

Përveç pagesës së kujdestarisë dhe gjidhënies, babai është i obliguar që t’i sigurojë fëmijës edhe banesën nëse nëna nuk ka në posedim ndonjë banese ku mund të kujdeset për fëmijën. Nëse babai është në gjendje të mirë financiare dhe nëna ka nevojë për një shërbetore, atëherë ai është i obliguar që të gjejë dhe të paguajë një shërbetore. Përveç kësaj, babai është i obliguar që të përballojë të gjitha shpenzimet e fëmijës për ushqim, veshmbathje, medikamente dhe nevoja të tjera parësore.

Ky shpërblim obigohet që nga momenti i fillimit të kujdestarisë. Kjo pagesë konsiderohet borxh i vërtetë për babain e fëmijës dhe nuk anullohet derisa të paguhet ose të falet.

Kujdestaria vullnetare

Cili është gjykimi i juristëve islamë në lidhje me rastin kur nëna kushtëzon se nuk kujdeset për fëmijën e saj pa pagesë ndërsa njëra nga të afërmet e fëmijës, që i plotëson kushtet e kujdestarisë, ofron kujdestari vullnetare?

Juristët islamë mendojnë se kur babai i fëmijës është në gjendje të mirë financiare, ai është i detyruar që t’i paguajë gruas së tij të divorcuar (nënës së fëmijës) shpërblimin e kujdestarisë. Nuk lejohet që ai t’ia japë fëmijën gruas që ka ofruar kujdestari vullnetare. Fëmija qëndron me nënën pasi kujdestaria më e mirë për të është kujdestaria e nënës perderisa babai është i aftë që ta paguajë shpërblimin e kujdestarisë.

Ndërsa në rastin kur babai është në gjendje të vështirë financiare, lejohet që ai t’ia japë fëmijën gruas që ka ofruar kujdestari vullnetare për shkak të pamundësisë së tij për t’i dhënë nënës së fëmijës shpërblimin e kujdestarisë. Sidoqoftë, është kusht që gruaja, e cila ka ofruar kujdestari vullnetare, t’i plotësojë kushtet e kujdestarisë dhe të jetë e afërme e fëmijës.

Ky gjykim vlen për rastin kur babai është i obliguar që të përballojë shpenzimet e fëmijës së tij. Nëse fëmija ka ndonjë pasuri personale, atëherë fëmija i jepet vullnetares në mënyrë që t’i ruhet pasuria nga një anë, dhe se gjendet kush  kujdeset për të nga të afërmit nga ana tjetër.

Në rastin kur burri është në gjendje të vështirë financiare, fëmija nuk ka asnjë pasuri personale, nëna refuzon që të kujdeset për fëmijën pa pagesë dhe asnjë nga të afërmet e fëmijës nuk ofron kujdestari vullnetare, atëherë nëna detyrohet që të kujdeset për fëmijën. Në këtë rast shpërblimi i kujdestarisë mbetet borxh për burrin dhe nuk anullohet derisa të paguhet ose falet.

Përfundimi i kujdestarisë së fëmijës

Kujdestaria përfundon kur fëmija nuk ka më nevojë për kujdesin e një gruaje pasi ka arritur moshën e aftësisë për të gjykuar dhe për t’u mbështetur tek vetja. Kjo nënkupton se fëmija në këtë fazë është i aftë që t’i kryejë vetë nevojat e tij parësore, d.m.th. ha vetë, vishet vetë dhe pastrohet vetë.

Kujdestaria nuk ka ndonjë kohëzgjatje të përcaktuar pasi ajo ndryshon në varësi të zhvillimit të fëmijës. Aspektet që duhet të merren në konsideratë në këtë rast janë se fëmija duhet “të jetë i aftë për të gjykuar” dhe “të mos ketë nevojë për kujdesin e një gruaje”. Nëse një fëmijë është i aftë për të gjykuar, nuk ka nevojë për kujdesin e një gruaje dhe i kryen vetë nevojat e tij parësore, kjo do të thotë se kujdestaria e tij ka përfunduar.

Juristët e shkollës hanefije dhe disa juristë të tjerë kanë gjykuar se kujdestaria për djalin përfundon kur ai mbush shtatë vjeç, ndërsa kujdestaria për vajzën përfundon kur ajo mbush nëntë vjeçe. Ata kanë gjykuar se periudha e kujdestarisë për vajzën duhet të jetë më e gjatë në mënyrë që ajo të mësojë nga gratë disa aspekte të veçanta që lidhen me natyrën e grave.

Neni 20 i ligjit nr. 25, i miratuar në vitin 1929, thotë në lidhje me përcaktimin e moshës së kujdestarisë:

“Gjykatësi ka të drejtë që të lejojë zgjatjen e afatit të kujdestarisë për djalin nga shtatë deri në nëntë vjeç dhe për vajzën nga nëntë deri në njëmbëdhjetë vjeçe, nëse shihet se kjo është më e dobishme.”

Gjykatësi është i autorizuar që të vlerësojë deri në cilën moshë kujdestaria është e dobishme për fëmijën.

Në udhëzimet shpjeguese të këtij ligji thuhet:

“Deri tani gjykatat veprojnë se e drejta e kujdestarisë përfundon kur djali mbush shtatë vjeç dhe kur vajza mbush nëntë vjeçe. Për këtë moshë, praktika tregon se fëmija nuk i’a kalon dot pa kujdestari. Ndarja e fëmijës nga kujdestarja e dëmton atë, veçanërisht nëse babai është i martuar me një grua tjetër. Shumë gra janë ankuar për shkak të anullimit të së drejtës së kujdestarisë për fëmijët e tyre në këtë moshë. Sipas gjykimit të shkollës juridike hanefije në lidhje me kujdestarinë, djali i dorëzohet babait kur ai nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje ndërsa vajza i dorëzohet babait kur ajo arrin pragun e pjekurisë seksuale. Por juristët islamë kanë mendime të ndryshme në lidhje me përcaktimin e moshës kur fëmija nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje. Disa juristë kanë gjykuar se djali nuk ka më nevojë për përkujdesjen e një gruaje kur ai mbush shtatë vjeç, ndërsa disa të tjerë kanë vlerësuar se kjo ndodh kur djali arrin moshën nëntë vjeçare. Gjithashtu disa juristë islamë kanë gjykuar se vajzës i shfaqen shenjat e pjekurisë seksuale në moshën nëntë vjeçare, ndërsa disa të tjerë kanë vlerësuar se kjo ndodh kur vajza mbush njëmbëdhjetë vjeçe. Ministria ka parë të arsyeshme që t’i japë gjykatësit liri për të shqyrtuar nëse është në interesin e fëmijës ose jo që mosha e kujdestarisë të shtyhet pasi djali të ketë mbushur shtatë vjeç dhe vajza të ketë mbushur nëntë vjeçe. Nëse gjykatësi e shikon të arsyeshme, ai ka të drejtë të vendosë zgjatjen e afatit të kujdestarisë për djalin nga shtatë në nëntë vjeç dhe për vajzën nga nëntë në njëmbëdhjetë vjeçe. Nëse gjykatësi mendon se nuk është e arsyeshme zgjatja e afatit të kujdestarisë, atëherë fëmija i kthehet babait.”[17]

Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa shpjegon se gjykatat në Sudan, deri në miratimin e aktit ligjor nr. 34 me 12.12.1932, kanë gjykuar se kujdestaria e djalit përfundon kur ai mbush shtatë vjeç dhe kujdestaria e vajzës përfundon kur ajo mbush nëntë vjeçe.

Neni i parë i aktit ligjor nr. 34 thotë:

“Gjykatësi ka të drejtë që të lejojë zgjatjen e kujdestarisë për djalin pas moshës shtatë vjeçare derisa të arrijë moshën e pjekurisë dhe për vajzën pas moshës nëntë vjeçare derisa të martohet, nëse ai e shikon këtë të arsyeshme. Babai dhe kujdestarët e tjerë të fëmijës kanë të drejtë që të kujdesen për mësimin dhe edukimin e tij edhe gjatë kohës që ai është nën kujdestarinë e gruas.”

Neni i dytë i këtij akti ligjor përcakton:

“Gruaja kujdestare nuk përfiton shpërblim për kujdestarinë e fëmijës pasi djali të ketë arritur moshën shtatë vjeç dhe vajza të ketë arritur moshën nëntë vjeçe.”

Neni i tretë thotë:

“Nëse babai e marton vajzën me qëllim anullimin e kujdestarisë së ish-gruas së tij për vajzën, atëherë martesa nuk e anullon kujdestarinë.”

Nëse shqyrtojmë aktin ligjor nr. 18-6-1942, i cili është lëshuar në Hartum me datë 05.12.1942, do të gjejmë se ai shpjegon nenet e përmendura më sipër. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se akti ligjor nr. 34 e ka zgjatur afatin e kujdestarisë së djalit nga mosha shtatë vjeçare deri në moshën e pjekurisë dhe afatin e kujdestarisë së vajzës nga mosha nëntë vjeçare derisa të martohet. Akti ligjor, në këtë rast të veçantë, nuk ka gjykuar sipas shkollës juridike të Ebu Hanifes por është mbështetur në mendimin e Imam Malikut.

Ky është rast i veçantë dhe gjatë zbatimit të tij duhet që të merren në konsideratë këto detaje:

Gjykatësi vendos shtyrjen e afatit të kujdestarisë nëse gruaja kujdestare kërkon prej gjykatës që fëmija të mbetet nën kujdestarinë e saj. Gruaja duhet të argumentojë se kërkesa e saj është në dobi të fëmijës. Gjykatësi mund të marrë këtë vendim gjithashtu edhe kur gruaja refuzon që t’ia dorëzojë fëmijën ish-burrit të saj duke pretenduar se kjo gjë nuk është në dobi të fëmijës. Nëse babai refuzon që fëmija të qëndrojë tek gruaja kujdestare, atëherë gruaja obligohet që të paraqesë prova për të vërtetuar se kërkesa e saj është në dobi të fëmijës. Nëse gruaja nuk ka mundësi që ta vërtetojë këtë, atëherë gjykata jep gjykimin që ajo mendon se është në interes të fëmijës. Kur gruaja nuk paraqet prova ose kur provat e paraqitura prej saj nuk janë të mjaftueshme dhe gjykata nuk është e bindur se është në interesin e fëmijës që ai të qëndrojë me gruan kujdestare, atëherë gjykata i kërkon babait të betohet se nuk është në interesin e fëmijës që ai të qëndrojë me gruan kujdestare. Nëse babai e bën këtë betim, atëherë gjykata vendos përfundimin e kujdestarisë dhe kthimin e fëmijës tek babai. Nëse babai refuzon të betohet, atëherë fëmija qëndron nën kujdestarinë e gruas.

Kur gruaja kujdestare nuk refuzon që t’ia dorëzojë fëmijën babait ose kur nuk paraqet ndonjë kërkesë në gjykatë, atëherë gjykatësi është i obliguar që të zbatojë rregullat e shkollës juridike hanefije. Kjo do të thotë se ai ia dorëzon babait fëmijën sapo të arrijë moshën e caktuar (shtatë vjeç për djalin dhe nëntë vjeçe për vajzën) pa pasur nevojë që të argumentojë se ky vendim është në dobi të fëmijës.

Nëse gruaja kujdestare nuk është e pranishme në seancën gjyqësore ku burri ka kërkuar që t’i dorëzohet fëmija, atëherë ajo ka të drejtë që të kundërshtojë vendimin e gjykatës dhe të kërkojë që ta mbajë vetë fëmijën. Në këtë rast gjykata ndjek të gjitha procedurat gjyqësore si në rastin e gruas kujdestare e cila ka qënë e pranishme.

Nëse gjykata ka vendosur që fëmija të qëndrojë nën kujdestarinë e gruas duke argumentuar se kjo është në interesin e fëmijës dhe më pas ky interes ndryshon, atëherë babai ka të drejtë të kërkojë nga gjykata rishikimin e çështjes. Lejohet që gjykata ta rrëzojë vendimin e saj të parë nëse rezulton se nuk ka dobi për fëmijën që ai të qëndrojë me gruan. Në këtë rast gjykata vendos që fëmija t’i dorëzohet babait.[18]

Fëmija, pas përfundimit të kujdestarisë, ka të drejtë të zgjedhë prindin me të cilin ai dëshiron të qëndrojë

Kur djali i vogël arrin moshën e aftësisë për të gjykuar dhe nuk ka më nevojë për kujdesin e një gruaje, atëherë kujdestaria e tij ka përfunduar. Nëse babai dhe gruaja kujdestare e zgjidhin me mirëkuptim çështjen se cili prej tyre do ta mbajë djalin, atëherë lejohet zbatimi i marrëveshjes së tyre. Nëse ata nuk mund të bien dakord në lidhje me këtë, atëherë djalit të vogël i jepet e drejta për të zgjedhur[19] njërin prej prindërve.

Djali i vogël do të qëndrojë me atë prind që zgjedh.

Ebu Hurejra (r.a.) tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, burri im do që ta marrë djalin tim prej meje. Ai ka qënë i dobishëm për mua dhe më ka sjedhur ujë nga pusi i Ebu Unbes[20].”

Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i është drejtuar djalit të vogël dhe i ka thënë: “Ky është babai yt dhe kjo është nëna jote. Merre dorën e cilit të duash prej tyre.” Djali mori për dore nënën e tij dhe u larguan së bashku.[21] Transmetuar nga Ebu Daudi.

Sipas këtij mendimi ka gjykuar Omeri, Aliu dhe Shurejhu. Këtë mendim e kanë mbështetur edhe juristët e shkollës shafiije dhe hanbelije. Sipas tyre, nëse djali i vogël zgjedh të dy prindërit ose nuk zgjedh asnjërin prej tyre, atëherë ata duhet të hedhin short.

Ndërsa Ebu Hanifja është i mendimit se babai ka të drejtë që ta marrë djalin e vogël dhe nuk lejohet që të bëhet zgjedhja e fëmijës. Ai argumenton se fjala e djalit të vogël nuk mund të merret për bazë pasi ai nuk e di çfarë është në të mirën e tij. Ndoshta ai do të zgjedhë atë prind me të cilin dëfrehet më shumë duke neglizhuar edukimin dhe mësimin dhe kjo do të shkaktojë shthurjen morale të tij. Fëmija që nuk e ka arritur moshën e pjekurisë nuk ka të drejtë që të bëjë zgjedhje njëlloj si fëmija që nuk i ka mbushur shtatë vjeç.

Maliku është i mendimit se gruaja ka më shumë të drejtë për ta mbajtur djalin e vogël derisa të arrijë moshën e pjekurisë.

Çfarë thamë më sipër vlen për djalin e vogël.

Përsa i përket vajzës së vogël, Shafiu është i mendimit se ajo ka të drejtë zgjedhjeje njëlloj si djali i vogël. Ndërsa Ebu Hanifja gjykon se nëna ka më shumë të drejtë për ta mbajtur atë derisa të martohet ose derisa të arrijë moshën madhore. Edhe Maliku është i mendimit se nëna ka më shumë të drejtë për ta mbajtur atë derisa të martohet dhe ta marrë burri në shtëpi. Kurse Ahmedi ka thënë se babai ka të drejtë për ta marrë atë pasi të ketë mbushur nëntë vjeçe dhe nuk është e nevojshme që ajo të bëjë zgjedhje. Nëna ka të drejtë që ta mbajë vajzën e vogël derisa ajo të mbushë nëntë vjeçe.

Në fakt, nuk ka asnjë argument të përgjithshëm në legjislacionin islam që të tregojë prioritetin e njërit prej prindërve ndaj tjetrit në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë argument që të tregojë se fëmija bën zgjedhjen në të gjitha rastet pa kufizim.

Dijetarët islamë janë dakord se nuk mund të përcaktohet njëri prind për ta marrë fëmijën në të gjitha rastet. Në këtë mënyrë, nuk mund t’i jepet prioritet prindit agresiv dhe neglizhent ndaj prindit të drejtë, të devotshëm dhe të kujdesur. Ajo që duhet të merret në konsideratë në këtë rast është aftësia e prindit për ta mbrojtur fëmijën dhe për t’u kujdesur për të. Nëse babai i neglizhon këto detyra dhe nuk mund t’i plotësojë ato, ndryshe nga nëna, e cila është e përkushtuar dhe e kujdesshme, atëherë kujdestaria i takon gruas. Ibn Kajimi ka thënë:

“Nëse dikush e merr fëmijën me zgjedhje, me short apo me ndonjë mënyrë tjetër, ne duhet që ta aprovojmë këtë veprim vetëm nëse është në dobi të fëmijës. Nëse gruaja e ruan fëmijën me më shumë kujdes se burri, atëherë ajo ka më shumë prioritet për ta mbajtur atë. Në këtë rast nuk është e nevojshme që të pyetet djali apo të hidhet shorti. Fëmija e ka aftësinë e gjykimit të dobët dhe mund të gënjehet lehtë nga dëfrimi dhe loja. Nëse fëmija zgjedh prindin që e ndihmon atë për të luajtur dhe për t’u dëfryer, atëherë zgjedhja e tij nuk mund të merret në konsideratë përderisa prindi tjetër është më i dobishëm dhe më i përkushtuar. Ky është kuptimi i legjislacionit islam i cili nuk mbart veç këtij kuptimi. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj që të fillojnë faljen në moshën shtatë vjeçare, ndëshkoni ata nëse e lënë faljen në moshën dhjetë vjeçare dhe ndani në mes tyre në shtrat.”[22]

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“O ju që keni besuar, ruajeni veten dhe familjet tuaja prej zjarrit, lëndë djegëse të së cilit janë njerëzit dhe gurët.”[23]

Hasani ka thënë: “Edukoni fëmijët tuaj, dhe mësojuni atyre rregullat e fesë.”

Kur nëna e edukon fëmijën dhe i mëson atij Kuranin, ndërsa babai i mundëson atij që të luajë dhe të dëfrehet me shokët, atëherë nëna ka më shumë prioritet për ta mbajtur fëmijën pa qënë nevoja e hedhjes së shortit apo e zgjedhjes së fëmijës. I njëjti gjykim vlen edhe për rastin e kundërt.

Nëse njëri nga prindërit i thyen urdhërat e Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.), ndërsa tjetri i respekton dhe i zbaton ato, atëherë prindi që i respekton urdhërat e Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.) ka më shumë prioritet për ta marrë fëmijën.

E kam dëgjuar Sheikhul Islamin, Ibn Tejmien, duke thënë: “Një herë dy prindër shkuan para gjykatësit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre rreth çështjes se cili prej tyre kishte të drejtë që ta mbante djalin. Gjykatësi i dha djalit të drejtën për të zgjedhur prindin që dëshironte dhe ai zgjodhi babanë. Nëna i tha gjykatësit: “Pyete djalin përse e zgjodhi babanë.” Gjykatësi e pyeti dhe djali i tha: “Nëna më dërgon çdo ditë tek mësuesi që të mësoj të shkruaj dhe të lexoj dhe mësuesi më rreh. Ndërsa babai më lejon që të luaj gjithë ditën me djemtë e tjerë.” Atëherë gjykatësi ia dha nënës të drejtën për të mbajtur fëmijën.

Ibn Tejmia ka thënë gjithashtu se kur ndonjëri nga prindërit e neglizhon edukimin dhe mësimin e fëmijës, ai konsiderohet mëkatar pasi në këtë mënyrë nuk ka zbatuar urdhërat e Allahut (xh.sh.). Si rrjedhim, ai nuk ka të drejtë kujdestarie përderisa nuk e përmbush atë siç duhet. Në këtë rast, ai duhet të heqë dorë nga kujdestaria duke ia dhënë fëmijën prindit tjetër që i plotëson kriteret e kujdestarisë. Një zgjidhje tjetër është që ai të pajtohet dhe të bashkohet me prindin tjetër në mënyrë që të dy së bashku të përmbushin detyrimet e kujdestarisë. Qëllimi gjithmonë duhet të jetë bindja ndaj urdhërave të Allahut (xh.sh.) dhe të Profetit (s.a.u.s.) nëse kjo është e mundur.”

Fëmija në mes të babait dhe nënës

Juristët e shkollës shafiije kanë thënë:

“Nëse djali i vogël zgjedh për të qëndruar me nënën, atëherë ai e kalon natën në shtëpinë e saj ndërsa gjatë ditës babai ka të drejtë që ta marrë atë për ta dërguar në shkollë ose për t’i mësuar një profesion. Nëse fëmija zgjedh babain, atëherë ai e kalon natën dhe ditën në shtëpinë e babait. Sidoqoftë, babai nuk ka të drejtë që ta ndalojë atë për të vizituar nënën e tij pasi kjo është mosmirënjohje dhe mospërmbushje e obligimit për të ruajtur lidhjet e gjakut. Nëse fëmija sëmuret, atëherë nëna ka më shumë të drejtë se kushdo tjetër që të kujdeset për të pasi i sëmuri konsiderohet njëlloj si fëmija i vogël i cili ka nevojë për përkujdesjen e nënës.

Ndërsa vajza e vogël qëndron ditën dhe natën me atë prind që ka zgjedhur. Sidoqoftë, prindi tjetër ka të drejtë që ta vizitojë atë në shtëpinë ku ajo banon por pa e tepruar me vizita të gjata apo të shpeshta. Divorci në mes të prindërve përcakton se ata nuk duhet që të shkojnë tek shtëpia e njëri-tjetrit për të qëndruar gjatë. Nëse vajza sëmuret, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që të kujdeset për të në shtëpinë e saj. Nëse njëri nga prindërit sëmuret dhe fëmija banon me prindin tjetër, atëherë ai duhet të shkojë tek prindi i sëmurë, po kështu të prezantojë në vdekjen e njërit prej tyre. Nëse fëmija më vonë zgjedh për të banuar me prindin tjetër, ai mund ta bëjë këtë pasi kjo varet nga dëshira e tij. Nëse fëmija ka dëshirë për të qëndruar për disa kohë tek njëri prind dhe pjesën e mbetur tek prindi tjetër, kjo është e lejuar. Dëshira e fëmijës në këtë aspekt duhet të merret për bazë njëlloj si dëshira e tij për të përzgjedhur ushqimin apo pijet që i pëlqejnë.

Udhëtimi së bashku me fëmijën

Nëse njëri prej prindërve e ka të domosdoshme që të udhëtojë në një vend tjetër përkohësisht ndërsa prindi tjetër nuk udhëton, atëherë prindi që nuk udhëton ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Ky gjykim është dhënë për shkak se udhëtimi është i lodhshëm për fëmijën dhe mund ta dëmtojë atë, veçanërisht kur ai ushqehet me gji. Ky rregull vlen për të gjitha llojet e udhëtimeve duke përfshirë edhe haxhin.

Nëse njëri nga prindërit udhëton në një vend tjetër për të qëndruar atje përgjithmonë dhe rruga apo vendi ku ai do të qëndrojë nuk janë të sigurtë, ndërsa prindi tjetër nuk udhëton, atëherë prindi që nuk udhëton ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Nëse rruga dhe vendi ku ai do të qëndrojë janë të sigurtë, atëherë ka dy mendime në lidhje me këtë rast. Sipas njërit mendim, kujdestaria i takon babait në mënyrë që ai të ketë mundësi ta rrisë, ta edukojë dhe ta mësojë fëmijën e tij. Ky është mendimi i Malikut dhe Shafiut. Transmetohet gjithashtu se Shurjhu ka gjykuar sipas këtij mendimi.

Sipas mendimit të dytë, kujdestaria i takon nënës.

Në lidhje me këtë rast ka edhe një mendim të tretë. Sipas këtij mendimi, nëse prindi që udhëton është babai, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që ta mbajë fëmijën. Nëse prindi që udhëton është nëna dhe ajo shkon në vendin ku ata janë martuar fillimisht, atëherë ajo ka të drejtë që ta marrë fëmijën me vete. Nëse ajo udhëton në një vend tjetër, atëherë babai ka më shumë të drejtë për ta marrë fëmijën. Ky është mendimi i Ebu Hanifes.

Transmetohet gjithashtu se Ebu Hanifja ka dhënë edhe një gjykim tjetër në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë: “Nëse nëna udhëton nga qyteti në fshat, atëherë babai ka më shumë të drejtë për ta mbajtur fëmijën. Nëse nëna udhëton nga një qytet në një qytet tjetër, atëherë ajo ka të drejtë që ta marrë fëmijën me vete.”

Sikurse shihet, këto mendime nuk bazohen në ndonjë argument bindës. Në fakt, ajo që duhet të merret në konsideratë në këtë rast është interesi dhe dobia e fëmijës. Nëse udhëtimi është më i dobishëm për të, atëherë ai duhet të shkojë me prindin që udhëton. Nëse jo, atëherë ai duhet të qëndrojë me prindin që nuk udhëton.

Çfarë thamë më sipër vlen për rastin kur prindi që udhëton nuk ka për qëllim që të dëmtojë prindin tjetër duke i mohuar atij të drejtën e kujdestarisë. Nëse prindi që udhëton ka për qëllim dëmtimin e prindit tjetër, atëherë ai nuk ka të drejtë kujdestarie.

Disa vendime gjyqësore[24]

Gjykatat civile kanë dhënë vendime të shumta dhe të larmishme në lidhje me problemet e kujdestarisë. Shumë nga këto vendime nënkuptojnë rregulla të ndryshme të cilat janë transformuar në parime gjyqësore. Në këtë temë do të mjaftohemi me shtjellimin e tre vendimeve gjyqësore:

Vendimi i parë

Ky vendim gjyqësor është marrë nga Gjykata e Kermuzit me datë 10.04.1932 dhe është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë e Aleksandrisë me datë 29.05.1932. Vendimi ka lidhje me refuzimin e kërkesës së një burri për të marrë kujdestarinë e vajzës së tij të vogël pasi nëna e vajzës (njëkohësisht edhe gruaja e tij) banonte në një vend tjetër larg vendit të banimit të burrit dhe pikërisht në vendin ku ata ishin martuar. Burri pretendonte në kërkesen e tij drejtuar gjykatës se mosbindja e gruas për të banuar me të e anullon të drejtën e saj për kujdestarinë e vajzës.

Gjykata argumentoi se, duke u bazuar në legjislacionin islam, gruaja ka të drejtën e kujdestarisë para dhe pas ndarjes. Mosbindja e gruas ndaj burrit nuk e anullon të drejtën e saj për kujdestarinë e fëmijës. Burri ka të drejtë, nëse dëshiron që ta marrë fëmijën, të kërkojë detyrimin e gruas për bindje ndaj burrit përderisa akti martesor është akoma në fuqi. Nëse burri nuk kërkon detyrimin e gruas për bindje ndaj tij por vetëm kujdestarinë e fëmijës, atëherë kjo konsiderohet padrejtësi ndaj gruas dhe kërkesa nuk pranohet. Kjo do t’ia mohonte gruas të drejtën e kujdestarisë dhe të drejtën për të shikuar fëmijën e saj. Nga ky vendim gjyqësor është formuluar rregulli i mëposhtëm:

“Nëse gruaja udhëton së bashku me fëmijën e saj të vogël në një vend tjetër, qoftë edhe të largët, burri nuk ka të drejtë që t’ia mohojë gruas të drejtën e kujdestarisë së fëmijës përderisa akti i tyre martesor është akoma në fuqi. Burri ka të drejtë të kërkojë detyrimin e gruas për bindje ndaj tij dhe në këtë mënyrë ai merr në shtëpinë e tij gruan së bashku me fëmijën. I njëjti gjykim vlen edhe për gruan gjatë periudhes së pritjes pasi ajo është e obliguar të qëndrojë në shtëpinë bashkëshortore.”

Vendimi i dytë

Ky vendim gjyqësor është dhënë nga Gjykata e Bibes me datë 25.05.1931 dhe është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë e Benu Suifit me datë 20.07.1931. Nga ky vendim gjyqësor është formuluar rregulli i mëposhtëm:

“Nëse burri kërkon kujdestarinë e fëmijës me pretendimin se ai nuk mund të shkojë për ta vizituar atë në vendin ku ai banon me nënën për shkak të largësisë, kërkesa e tij refuzohet nëse gruaja banon me fëmijën në vendin ku ata janë martuar. Është kusht gjithashtu që distanca në mes të vendit ku banon burri dhe vendit ku banon gruaja të mos jetë më e madhe se aq sa burri të ketë mundësi të shkojë për të vizituar fëmijën dhe të kthehet para mbrëmjes. Nuk merret në konsideratë fakti nëse burri është larguar nga vendi ku ka jetuar me gruan dhe fëmijën dhe ka shkuar në vendin ku ai jeton tani me ose pa dëshirën e tij.”

Ky gjykim është dhënë sepse gruaja nuk ka asnjë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur.

Ky vendim është marrë rreth një burri që ishte martuar me një grua në vendin e quajtur Benu Mezar. Më vonë ata u divorcuan po në Benu Mezar edhe pse gruaja ishte shtatzënë. Periudha e pritjes përfundoi me lindjen e vajzës. Më pas, gruaja kërkoi nga Gjykata e Bibes të drejtën e saj për kujdestarinë e fëmijës dhe gjykata e aprovoi atë me datë 29.10.1930. Në atë kohë burri ka qënë me banim në Benu Mezar. Më pas, burri u shpërngul me banim në qytetin e Asjutit për shkak të detyrës. Në këtë kohë ai paraqiti në gjykatë kërkesen për të fituar të drejtën e kujdestarisë së vajzës, që në atë kohë ishte vetëm dy vjeçe dhe tetë muajshe.

Vendimi i tretë

Ky vendim gjyqësor është marrë nga Gjykata e Demenhurit me datë 25.10.1927. Ai përcakton se, duke u bazuar në rregullat e legjislacionit islam, gruaja kujdestare përveç nënës nuk ka të drejtë që të udhëtojë së bashku me fëmijën në një vend tjetër pa lejen paraprake të babait të fëmijës.

Disa juristë islamë kanë thënë se kjo ndalohet vetëm kur vendet janë larg njëri-tjetrit. Sipas tyre, nëse vendi është aq larg sa babai nuk ka mundësi të kthehet para mbrëmjes nëse shkon për të vizituar fëmijën e tij, atëherë ky udhëtim ndalohet. Nëse vendi është më i afërt se kjo largësi, atëherë kujdestarja ka të drejtë që të udhëtojë me fëmijën pa lejen e babait njëlloj si nëna e fëmijës.

Kështu, ne gjykojmë se është e domosdoshme që të analizohen vendimet gjyqësore të cilat nuk janë gjë tjetër veçse aplikim në praktikë i rregullave të legjislacionit islam. Këto vendime zgjidhin probleme që njerëzit i ndeshin në jetën e tyre praktike. Në këtë mënyrë, gjykatësi i shqyrton rregullat e legjislacionit islam në kuadër të realitetit shoqëror.


[1] Kujdestaria është e obliguar vetëm për fëmijën e vogël në moshë dhe për atë që është i sëmurë nga ana mendore. Personi i rritur dhe i shëndoshë nga ana mendore nuk ka nevojë kujdestarie. Ai ka të drejtë që të zgjedhë të jetojë me prindin që qëshiron, nëse është mashkull ai mund të vetmohet sepse është i pa nevojshëm për ta (prindërit). Është e pëlqyeshme që të mos ndahet e të jetë i sjellshëm me ta. N.q.s. ajo është vajzë ajo nuk duhet të vetmohet. Babai i saj ka të drejtë ta ndalojë vajzën që të jetë në kujdestari tjetër sepse është e pasigurt, se mos kryen imoralitet e kështu turpërohet ajo vetë dhe familja e saj. N.q.s. nuk ka baba ai që kujdeset për vajzën apo të afërmit e ndalojnë të vetmohet apo të kujdeset për të një i huaj.

[2] Hadith Hasen. “Es Silsiletu es Sahiha” 368, “Irvaul Galil” 2187. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2276 me shtesën “përderisa nuk martohesh”, Ahmedi 2/182, Bejhakiu 8/4-5, El Hakim 2/207, Abdurrazaku 12596, Darakutni 418.

[3] Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”.

[4] Me pengesë ligjore nënkuptojmë rastin kur nëna nuk i plotëson kushtet e kujdestarisë.

[5] Hadith Hasen. U përmend më sipër.

[6] Omeri nuk ka qënë i të njëjtit mendim me Ebu Bekrin në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, ai e ka pranuar gjykimin e Ebu Bekrit sepse ai ka qënë prijësi i besimtarëve. Kur Omeri është bërë kalif, ai ka gjykuar sipas mendimit të Ebu Bekrit në lidhje me kujdestarinë e fëmijës në moshë të vogël dhe që nuk është i aftë të gjykojë. Asnjë nga shokët e Profetit (s.a.u.s.) nuk e ka kundërshtuar këtë mendim.

[7] Ether Daif – i dobët.  “Irvaul Galil” 7/245. E ka nxjerrë Ahmedi në Musned 2/203, Abdurrazaku në Musanef 12600.

[8] Kur nëna nuk i plotëson kushtet e kujdestarisë siç do ta shqyrtojmë në vijim.

[9] Kuran: En Nisa 141

[10] Buhariu 1359, 4775, Muslimi 6700, 6701, 6702, 6703 “Kapitulli i kaderit”, Ebu Daudi 4714, Tirmidhiu 2138 të shkurtuar.

[11] Hadith Sahih. Ebu Daudi 2244, Nesai 3496 me kuptim të përafërt, Ibën Maxheh 2352.

[12] Dijetarët e hadithit e konsiderojnë këtë hadith të dobët. Ibn Mundhiri ka thënë: “Ka mundësi që Profeti (s.a.u.s.) ta ketë ditur se vajza do të zgjedhë babain pasi është lutur për këtë. Kjo veçori është e drejtë e Profetit (s.a.u.s.) dhe e askujt tjetër.”

[13] E drejta e kujdestarisë rifitohet edhe kur ajo anullohet për ndonjë shkak të caktuar dhe më pas ky shkak zhduket.

[14] Hadith Hasen. Është përmendur më parë.

[15] Kuran: El Bekare 233

[16] Kuran: Et Talak 6

[17] Neni 175 i projektligjit civil parashikon se në rastin kur nëna është kujdestare e fëmijës, ajo ka të drejtë që ta mbajë djalin deri në moshën njëmbëdhjetë vjeçare dhe vajzën deri në moshën trembëdhjetë vjeçare. Përveç kësaj, gjykatësi ka të drejtë që ta shtyjë këtë afat deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare kur kujdestarja është nëna e fëmijëve ose nëna e nënës së tyre. Autori është i mendimit se ligji nr. 25, i miratuar në vitin 1929, është më i përshtatshëm.

[18] Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”, fq. 516 dhe në vazhdim.

[19] Në zgjedhjen e fëmijës së vogël duhet të plotësohen këto dy kushte:

Palët që nuk bien dakord duhet të jenë kujdestarë ligjorë.

Fëmija duhet të jetë pa të meta mendore.

 Nëse fëmija ka të meta mendore, atëherë nëna ka më shumë të drejtë që ta mbajë atë, qoftë edhe pasi të rritet.

[20] Pus që gjendet një milje nga qyteti i Medinës.

[21] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 7/250. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2277, Nesai 3496, Tirmidhiu 1357, Ibën Maxheh 2351 të shkurtuar, Abdurrazaku 12611, Darimi f.298, El Hakim 4/97.

[22] Hadith Sahih. “Irvaul Galil” 247, 298. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe në “Musanef” 1/137/2, Ebu Daudi 495, Darakutni 85, El Hakim 1/197, Bejhakiu 7/94, Ahmedi 2/187.

[23] Kuran: Et Tahrim 6

[24] Prof. Dr. Muhamed Jusuf Musa, “Rregullat e Kodit Civil”.

error: Alert: Content is protected !!