KAPITULLI I AGJERIMIT (2)

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Dr. Bledar Albani


Plotësimi i ditëve të agjërimit të lëna mangut

Lejohet për ata që janë të sëmurë kronikë dhe ata që janë udhëtarë ta ndërpresin agjërimin gjatë Ramazanit, me kushtin që ato ditë t’i plotësojnë më vonë.

Allahu (xh.sh.) thotë: Ata që janë të sëmurë ose në udhëtim le t’i plotësojnë aq ditë nga ditët e mëvonshme”.

Muadhi thotë: “Me të vërtetë Allahu e bëri të detyruar agjërimin për Profetin duke thënë: “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte dhe për ata përpara jush … ”,deri te fjalët: “Dhe për kë mund të agjërojë (por nuk e bën) ka një sasi që duhet paguar”. Muadhi tregon se pas zbritjes së këtij ajeti, kush donte agjëronte dhe kush dëshironte të ushqente ndonjë të varfër, e bënte këtë dhe ishte e mjaftueshme për të. Pastaj, Allahu shpalli ajetin: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani” dhe më tej “…kush e gjen këtë muaj, le të agjërojë!”. Me këtë ajet agjërimi u vendos për ata që ishin të shëndetshëm dhe jo udhëtarë. Një lejim u bë për të sëmurët, udhëtarët dhe u konfirmua ushqimi i një të varfëri nga i moshuari që nuk mund të agjëronte.[1] Transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu me sened të vërtetë.

I sëmuri mund ta ndërpresë agjërimin, nëse ai ndikon në përkeqësimin e sëmundjes ose vonon shërimin e saj[2]. Në librin “El Mugni” thuhet: “Transmetohet nga disa dijetarë të hershëm se çdo lloj sëmundjeje e bën të lejuar për personin ndërprerjen e agjërimit, madje dhe një plagosje në gisht apo dhe një dhimbje dhembi. Ata e bazojnë mendimin e tyre mbi dy argumente:

– Fjalët e përdorura në ajet janë të përgjithshme dhe i referohen të gjitha sëmundjeve.

– Udhëtarit i lejohet të mos agjërojë, edhe në rast se ai nuk e ka të nevojshme.

I njëjtë me këtë është dhe rasti i të sëmurit”.

Gjithashtu, ky është dhe mendimi i Buhariut, Ataut dhe shkollës dhahirite.

Ai që ka frikë se mos sëmuret nga agjërimi, mund ta ndërpresë atë siç bën ai që është përfshirë nga uria ose etja dhe ka frikë se mos vdesë për këtë shkak, edhe nëse është i shëndetshëm dhe nuk është udhëtar. Ai duhet t’i plotësojë ato ditë më vonë.

Këtë ide e mbeshtesin edhe dy ajetet e mëposhtme kuranore:

وَلاَ تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

“Mos e vrisni veten, se Allahu është i mëshirshëm me ju” (En-Nisa, 29) dhe                                                                        وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ

“Ai nuk ka vënë mbi ju vështirësi në fenë tuaj”. (El-Haxh, 78)

Nëse një person agjëron, megjithëse është i sëmurë, agjërimi i tij është i papëlqyeshëm, pasi ai nuk praktikon lehtësimin e dhënë nga Allahu dhe në këtë mënyrë vështirëson veten e tij. Në kohën e Profetit (a.s.) disa nga shokët agjëronin e disa jo (kjo nëse ishin të sëmurë apo në udhëtim) sipas porosive të Profetit.

Hamza El Eslemi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam forcë të agjëroj edhe kur jam udhëtar. A bëj gabim po të veproj kështu?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ky është një lehtësim nga ana e Allahut. Kush e shfrytëzon, vepron drejt dhe kush do të agjërojë, nuk ka ndonjë vërejtje për të”.[3] Transmeton Muslimi.

Ebu Seid El Hudri tregon: “Njëherë (gjatë një beteje) po udhëtonim me Profetin (a.s.) për në Mekë dhe ishim agjërueshëm. Ndaluam në një vend dhe Profeti (a.s.) tha: “Po i afroheni armikut. Do të jeni më të fortë po ta prishni agjërimin”. Ai ishte një lehtësim dhe kështu disa nga ne e prishën agjërimin dhe disa të tjerë vazhduan të agjëronin. Pastaj ne mbërritëm në një vend tjetër dhe Profeti (a.s.) tha: Në mëngjes ju do të përballeni me armikun tuaj. Prishja e agjërimit do t’ju jepte më shumë forcë”. Kështu, ne e prishëm agjërimin duke qenë se ajo ishte gjëja më e mirë për t’u bërë. E megjithatë, disa nga ne agjëronin me Profetin (a.s.) gjatë udhëtimit”.[4] Transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër, Ebu Seid El Hudri ka thënë: “Ne luftuam nën udhëheqjen e Pejgamberit (a.s.) gjatë Ramazanit. Disa nga ne agjëruan dhe disa jo. Ata që nuk agjëronin nuk e shihnin si të gabuar veprimin e atyre që agjëronin dhe anasjelltas. Ata e dinin se, nëse dikush kishte mundësi të agjëronte kjo ishe e mirë dhe, nëse dikush ishte i dobët dhe nuk agjëronte, edhe kjo ishte e mirë”.[5] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Juristët kanë mendime të ndryshme për atë që është më e vlefshme të bësh për të agjëruar ose jo gjatë udhëtimit. Ebu Hanife, Shafiu dhe Maliku janë të mendimit se, nëse dikush ka mundësi të agjërojë, është më mirë për të që të agjërojë. Ahmedi thotë që është më mirë ta prishësh agjërimin.

Umer ibën Abdul Aziz thotë: “Veprimi më i mirë prej atyre të dyve është ai që është më i lehti. Nëse për dikë është më e lehtë të agjërojë sesa të plotësojë ditët më vonë, atëherë është më mirë për të që të agjërojë”. Sheukani ka dalë në konkluzionin se, nëse është e vështirë për një individ të agjërojë dhe nuk dëshiron ta praktikojë lehtësimin gjatë udhëtimit, atëherë më e mirë për të është të mos agjërojë. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush mendon se agjërimi i tij gjatë udhëtimit do të dukej si mburrje apo sa për sy e faqe, atëherë më mirë për të është të mos agjërojë. Nëse dikush nuk përballet me këto rrethana, atëherë është e preferuar për të që të agjërojë.

Nëse udhëtari e bën nijetin në darkë për të agjëruar dhe e ka filluar atë, ai mund ta prishë agjërimin e tij gjatë ditës. Xhabir ibën Abdullahu tregon: “I Dërguari i Allahut po udhëtonte me sahabët për në Mekë në vitin e çlirimit të saj. Profeti (a.s.) ishte agjërueshëm e bashkë me të edhe sahabët. Kur arritën në luginën e Gumejmit[6], dikush i tha Profetit se njerëzit ishin shumë të lodhur nga agjërimi, megjithëse ata preferonin të ndiqnin shembullin e tij. Pastaj ai kërkoi një enë me ujë, e ngriti lart dhe e piu që ta shihnin njerëzit. Më vonë i treguan se disa njerëz ende vazhdonin të agjëronin. Ai tha: Ata janë mëkatarë”.[7] Transmeton Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Tirmidhiu e quan këtë hadith të vërtetë.

Nëse dikush ka vendosur që të agjërojë duke mos qenë udhëtar, por gjatë ditës vendos të udhëtojë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai duhet të agjërojë.

Ahmedi dhe Is’haku thonë se ai mund ta prishë agjërimin. Ky mendim bazohet mbi transmetimin e Muhamed ibën Keab, i cili tregon: “Shkova te Enes ibën Maliku gjatë Ramazanit dhe ai mendonte të udhëtonte. Kafsha e tij ishte gati dhe ai kishte veshur rrobat e udhëtimit. Ai kërkoi ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: “A ështe kjo prej Sunetit?” Ai tha: “Po”. Pastaj i hipi kafshës së tij dhe u largua”.[8] Transmeton Tirmidhiu, i cili e cilëson atë të besueshëm.

Ubejd ibën Xhubejr tregon: “Gjatë Ramazanit udhëtova në një anije nga Fustati[9] me Ebu Basra El Gafarin. Ai përgatiti ushqimin, ma serviri dhe më tha: “Urdhëro!” Unë i thashë: “Ende nuk jemi përtej shtëpive të qytetit (që do të thotë se nuk jemi nisur ende). Atëherë Ebu Basra m’u drejtua dhe më tha: “A po kërkon të largohesh nga Suneti i Profetit?”[10] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Ata që e transmetojnë këtë janë njerëz të besueshëm.

Sheukani shton: “Këto dy hadithe tregojnë se udhëtari mund ta prishë agjërimin përpara se të fillojë udhëtimin”. Më tej Sheukani citon Ibën El Arabiun të ketë thënë: “Përsa i përket hadithit të Enesit, ai është i vërtetë dhe tregon se dikush mund ta prishë agjërimin kur përgatitet të udhëtojë. Ky është një qëndrim i drejtë”.

Lloji i udhëtimit kur lejohet ndërprerja e agjërimit është i njëjtë me atë të shkurtimit të namazit. Po ashtu edhe koha e qëndrimit në të cilën i lejohet mysafirit të mos agjërojë është e njëjtë me dispozitat e namazit të udhëtarit. Ne i kemi diskutuar të gjitha mendimet për këtë pikë në pjesën “Shkurtimi i namazit” dhe kemi mbledhur perfundimet e Ibën El Kajimit për këtë çështje.

Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Tahavi kanë regjistruar nga Mensur El Kelbi se Dihja ibën Halife udhëtoi njëherë nga një fshat i Damaskut në në një distancë 1 farsah gjatë Ramazanit. Kur e prishi agjërimin, disa njerëz bënë të njëjtën gjë. Disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë veprim. Kur u kthye në fshatin e tij, Dihjau tha: “Unë pashë diçka sot që nuk kisha dyshuar se do ta shihja. Njerëzit u larguan nga udhëzimet e Profetit dhe të shokëve të tij”. Ai e tha këtë për ata njerëz që vazhduan të agjëronin. Pastaj tha: “O Allah! Më merr tek Ti!”.[11] Të gjithë ata që e tregojnë janë njerëz të besueshëm, përveç Mensur El Kelbit, megjithëse El Ixhli pohon për besueshmërinë e tij.

Ata të cilët nuk lejohet të agjërojnë dhe duhet të plotësojnë ditët e lëna mangut

Dijetarët bien dakord se gruaja gajtë periodave mujore dhe gruaja lehonë duhet ta prishin agjërimin dhe t’i zëvendësojnë ato ditë më vonë. Nëse agjërojnë, agjërimi i tyre është i pavlefshëm dhe nuk është i pranuar.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aishja (r.a.) ka thënë: “Kur ne kishim ciklin (me perioda) gjatë kohës që Profeti ishte gjallë, ishim të urdhëruara t’i plotësonim më vonë ditët e lëna të agjërimit, por nuk ishim të urdhëruara të plotësonim namazet e humbura”.[12]

Ditët në të cilat ndalohet agjërimi

Ka hadithe që tregojnë qartë se agjërimi është i ndaluar në ditë të caktuara. Këto ditë janë:

1- Ditët e festave të Bajramit:

Të gjithë dijetarët bien dakord se agjërimi gjatë ditëve të festave të Bajramit është i ndaluar. Nuk ka rëndësi nëse agjërimi në këto ditë është i detyrueshëm apo vullnetar. Umeri dëshmon se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin në këto ditë. Ai ka thënë: “Profeti (a.s.) e ka ndaluar agjërimin në ditët e festave të Bajrameve. Përsa i përket ditës së Fitër-Bajramit, veproni si në kohën e iftarit gjatë Ramazanit, ndërsa në Bajramin e Kurbanit ju duhet të hani nga kurbani juaj”.[13] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

2- Ditët e teshrikut (Tre ditë pas Kurban-Bajramit):

Nuk lejohet të agjërohet tre ditë pas ditës së Kurban-Bajramit. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut e ka dërguar Abdullah ibën Hudhafen të lajmëronte në Mina: “Nuk duhet të agjëroni në këto tre ditë. Ato janë ditë në të cilat hahet, pihet dhe kujtohet Allahu”.[14]Transmetohet nga Ahmedi me një zinxhir transmetimi të besueshëm.

Ibën Abasi transmeton se Pejgamberi (a.s.) dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë, pasi në to hahet, pihet dhe dëfrehet me bashkëshorten”.[15] Tabaraniu e tregon këtë hadith në librin e tij “El Eusat”.

Shafitë e lejojnë agjërimin në ditët e teshrikut, nëse ka ndonjë arsye për këtë, si për shembull agjërimi për shkak të një premtimi, për shlyerje apo për të plotësuar ditët e Ramazanit. Për agjërimin që nuk ka arsye të veçantë, nuk ka kundërshtim dhe rrjedhimisht nuk lejohet të bëhet në këto ditë. Shafitë përdorin të njëjtin arsyetim me namazet e veçanta që lejohen të falen dhe në kohët kur nuk lejohet namazi (për shembull namazi i përshendetjes së xhamisë etj).

3- Ndalohet ta veçosh të premten si ditë agjërimi:

Dita e premte është si një bajram i përjavshëm për muslimanët dhe për këtë është e ndaluar të agjërohet në këtë ditë. Shumica e dijetarëve thonë se kjo gjë është më shumë e papëlqyeshme[16]sesa një ndalim i mirëfilltë.

Nuk është e papëlqyeshme të agjërosh të premten, nëse agjëron një ditë para ose një ditë pas saj (bashkë me xhumanë) nëse kjo i bie të jetë në ditën e Arafatit, të Ashures apo nëse është në një nga ditët që dikush i agjëron vazhdimisht, si në rastin kur dikush zotohet se do të agjërojë ditën e shërimit të tij etj.

Abdullah ibën Amër tregon se, njëherë i Dërguari i Allahut ka hyrë në dhomën e Xheurije bint El Harithit, ndërkohë që ishte e premte dhe ajo po agjëronte. Ai e pyeti: “A ke agjëruar dje?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Ai tha: “A ke ndërmend të agjërosh nesër?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Pastaj ai tha:“Atëherë prishe agjërimin”.[17] Transmetohet nga Ahmedi dhe Nasaiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Amir El Eshari tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (a.s.) të thotë: “Në të vërtetë dita e premte është ditë feste për ju, prandaj mos agjëroni në të, përveç nëse agjëroni një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[18] Transmeton Bezari me zinxhir të besueshëm transmetimi.

Aliu (r.a.) këshillon dhe thotë: “Ai që dëshiron të agjërojë vullnetarisht duhet të agjërojë të enjten e të mos agjërojë të premten, pasi e premtja është një ditë përkujtimi, në të cilën hahet dhe pihet”. Transmeton Ibën Ebi Shejbe me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Në të dy “Sahihet” e Buhariut dhe Muslimit, Xhabiri tregon se Profeti ka thënë: “Mos agjëroni të premten, përveçse kur të agjëroni bashkë një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[19]

Në versionin e Muslimit thuhet: “Mos e zgjidhni në veçanti natën e së premtes për të kryer namaz nate dhe gjithashtu mos e zgjidhni në veçanti ditën e premte si ditë agjërimi, përveç rastit kur ajo qëllon të jetë në një nga ditët që ju agjëroni rregullisht”.[20]

4- Ndalohet ta veçosh të shtunën si ditë agjërimi:

 Busr Es-Selmi transmeton nga motra e tij Sama, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos agjëroni të shtunave, përveç nëse bëhet fjalë për një agjërim të detyrueshëm. Nëse nuk gjeni diçka për të ngrënë, merrni disa lëvore rrushi ose dege peme dhe përtypini”.[21] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Hakimi thotë se hadithi është i vërtetë (sahih) sipas kushteve të Muslimit, ndërsa Tirmidhiu e quan të besueshëm (hasen). Tirmidhiu ka thënë se ajo çka është e papëlqyeshme është caktimi i veçantë i të shtunës nga dikush si ditë agjërimi, kjo pasi është dita që e nderojnë çifutët.

Në kundërshtim me transmetimin e mësipërm, Umu Seleme thotë se Profeti (a.s.) agjëronte më shumë të shtunave dhe të djelave se në ditët e tjera. Ai thoshte: “Ato janë festat e politeistëve dhe unë pëlqej të dallohem nga ata”.[22] Transmetohet nga Ahmedi, Bejhakiu, Hakimi dhe Ibën Huzejme. Dy të fundit e konsiderojnë hadithin në fjalë të vërtetë.

Hanefitë, shafitë dhe hanbelitë e konsiderojnë të papëlqyeshëm agjërimin e veçuar të të shtunave, për shkak të fakteve të mësipërme.

Maliku ka pikëpamje të kundërt nga ata dhe e lejon agjërimin e veçantë të kësaj dite, megjithëse hadithi është fakt kundër tij.

5- Ndalohet të agjërosh në “ditën e dyshimit”:

Amar ibën Jasiri ka thënë: “Kush agjëron në ditën e dyshimit[23] ka kundërshtuar Ebu El Kasim (Profetin)”.[24] Transmetohet nga Nesai, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Për statutin e këtij hadithi, Tirmidhiu thotë se është një hadith hasen-sahih dhe se shumica e dijetarëve veprojnë në përputhje me të. Ky është mendimi i Sufjan El Theurit, Malik ibën Enesit, Abdullah ibën El Mubarekut, Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Të gjithë ata e urrejnë agjërimin në “ditën e dyshimit”. Shumica e tyre besojnë se, nëse dikush agjëron në një ditë të tillë dhe më pas zbulohet se ka qenë Ramazan, ai duhet ta zëvendësojë atë ditë. Nëse kjo ditë qëllon të jetë në një nga ditët e zakonshme që dikush i agjëron rregullisht, atëherë është e mundur të agjërohet në një ditë të tillë.

Transmetohet nga “Grupi” se Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç rastit kur është një ditë që ju agjëroni rregullisht”.[25]

Rreth këtij hadithi Tirmidhiu thotë se ai është hasen-sahih dhe dijetarët veprojnë në përputhje me të. Ata nuk e pëlqejnë faktin që dikush ta shpejtojë Ramazanin duke agjëruar ditën para tij.

Nëse dikush agjëron një ditë që qëllon të jetë në “ditën e dyshimit” sipas mendimt të tyre nuk ka ndonjë problem me agjërimin e tij në atë ditë.

6- Ndalohet të agjëruarit e tërë vitit:

Kjo ndalohet, pasi në ditë të caktuara të vitit nuk lejohet agjërimi.

Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka agjërim për atë që agjëron përherë”.[26] Transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Nëse dikush që agjëron gjithmonë e prish agjërimin në ditët e Bajramit dhe të teshrikëve, atëherë agjërimi i tij nuk do të jetë i papëlqyeshëm, nëse ai është i fuqishëm dhe ka mundësi ta bëjë këtë.

Duke komentuar rreth kësaj çështjeje, Tirmidhiu thotë: “Një grup dijetarësh nuk e pëlqejnë agjërimin e çdo dite, nëse përfshin dhe ditët e bajramit dhe teshrikët. Nëse ai e ndërpret agjërimin në këto ditë, agjërimi i tij nuk është më i papëlqyeshëm, pasi nuk përfshin të gjithë vitin. Ky grup dijetarësh janë Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku.

Profeti (a.s.) e ka përkrahur agjërimin e vazhdueshëm të Hamza El Eslemit dhe i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Ky hadith është përmendur dhe më parë. [27]

Më e vlefshme është që një ditë të agjërohet dhe një ditë jo, ngase ky është agjërimi më i dashur tek Allahu. Megjithatë, për këtë do të flitet më vonë me detaje.

7- Nuk i lejohet gruas të agjërojë pa lejen e burrit, kur ky i fundit është me të

I Dërguari i Allahut ia ka ndaluar gruas të agjërojë kur burri i saj është prezent, përveç rasteve kur ai e lejon një gjë të tillë.

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Përveç muajit të Ramazanit, gruas nuk i lejohet të agjërojë qoftë edhe një ditë, kur burri i saj është prezent, përveçse me lejen e tij”.[28]Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët e interpretojnë këtë hadith si një ndalesë dhe ata e lejojnë burrin t’ia ndërpresë agjërimin gruas, nëse ajo ka agjëruar pa lejen e tij e të kërkojë të drejtën (seksuale) prej saj. Natyrisht që kjo qëndron për ato ditë jashtë ditëve te Ramazanit, pasi për agjërimin e detyruar të Ramazanit asaj nuk i duhet leja e burrit. Nëse burri mungon, ajo ka të drejtë të agjërojë vullnetarisht pa kërkuar lejen e tij, por është e drejtë e tij që kur të kthehet ta prishë agjërimin e saj. Nëse burri është i sëmurë apo i paaftë për të kryer marrëdhënie seksuale, gruas i lejohet të agjërojë pa lejen e tij, pasi ky rast është i ngjashëm me rastin kur burri nuk ndodhet pranë gruas së tij.

8 Është e ndaluar të agjërohet dy ditë rresht ose më shumë pa ngrënë fare:

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin (të agjëruarit pa ndërprerje)! Ai e tha këtë tre herë dhe njerëzit i thanë: “Por ju po e praktikoni vetë këtë o i Dërguari i Allahut”. Ai tha: “Ju nuk jeni si unë në atë çështje. Unë e kaloj natën në një gjendje të tillë dhe Allahu më ushqen dhe më jep për të pirë. Përkushtohuni në ato vepra që mund t’i bëni”.[29] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët janë të mendimit se kjo ndalesë tregon se veprimi në fjalë është i papëlqyeshëm.

Ahmedi, Is’haku dhe Ibën Mundhiri janë të mendimit se lejohet të agjërohet deri në kohën e syfyrit, për aq kohë sa kjo nuk është një vështirësi për vetë personin. Ky mendim bazohet në atë që Buhariu ka transmetuar nga Ebu Seid El Hudri, sipas të cilit i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin. Nëse ndonjëri nga ju ngul këmbë për ta bërë këtë, ai mund ta vazhdojë agjërimin e tij deri në kohën e syfyrit”.[30]

AGJËRIMET VULLNETARE

Vijon …


[1] Hadith Sahih. “El Irva” 4/21. E ka nxjerrë Ebu Daudi 507, Ibën Xherir et Taberi 2733, el Hakim 2/774, Bejhakiu 4/200, Ahmedi 5/246, 247.

[2] Kjo mund të përcaktohet me anë të eksperiencës ose duke u konsultuar me një mjek të besueshëm ose nëse ka prova të mjaftueshme që tregojnë se personi do të sëmuret.

[3] Muslimi 2624, Ebu Daudi 2403, Nesai 2303, Bejhakiu 4/243.

[4] Muslimi 2619, Ebu Daudi 2406, Ahmedi 3/35.

[5] Muslimi 2613, Tirmidhiu 713, Nesai 2308, Ahmedi 3/12, Bejhakiu 4/245.

[6] Ndodhet përballë Asfanit.

[7] Muslimi 2605, Tirmidhiu 710, Nesai 2263, Bejhakiu 4/246.

[8] Hadith Sahih. “Tas’hih hadith iftaris saimi kable seferihi” 13-28. E ka nxjerrë Tirmidhiu 799, Bejhakiu 4/246.

[9] Egjipti i vjetër.

[10] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400, “El Irva” 928. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2412, Bejhakiu 4/246, Ahmedi 6/398.

[11] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400-401. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2413, Bejhakiu 4/241.

[12] Buhariu 321, Muslimi 761, Ebu Daudi 262,263, Tirmidhiu 130, Nesai 380, 2317, Ibën Maxheh 631.

[13] Buhariu 1990, 5571, Muslimi 2666, 5070, Ebu Daudi 2416, Tirmidhiu 771, Ibën Maxheh 1722, Ahmedi 1/24. “El Irva” 962.

[14] Ahmedi 5/75, 76, 224.

[15] Hadith Daif me shtesën në fund. “Tamamul Mineh” 402-403.

[16] Sipas Ebu Hanifes dhe Malikut nuk është e papëlqyeshme, por faktet e paraqitura kundërshtojnë mendimin e tyre në këtë çështje.

[17] Buhariu 1986, Ebu Daudi 2422, Ahmedi 2/189, 6/324.

[18] Hadith munker – i panjohur me këtë rrugë transmetimi. “El Irva” 4/116-117. E ka nxjerrë Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 216, el Hakim 1/437, Ahmedi 2/303, 532.

[19] Buhariu , Muslimi 2678, Ebu daudi 262, 263, Tirmidhiu 130, Nesai 382, Ibën Maxheh 631.

[20] Muslimi 2679.

[21] Hadith Sahih. “El Irva” 960, “Tamamul Mineh” 406. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2421, Tirmidhiu 744, Ibën Maxheh 1726, Darimi 2/19, Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 2164, el Hakim 1/435, Bejhakiu 4/302, Ahmedi 6/368.

[22] Hadith Daif. “Ed Daife” 1099. E ka nxjerrë Ahmedi 6/324, Ibën Huzejme 2167, Ibën Hibani 941, el Hakim 1/436, Bejhakiu 4/303.

[23] Për shembull, kjo ndodh kur njerëzit janë në dyshim nëse është dita e fundit e shabanit apo dita e parë e ramazanit, që do të thotë se ata nuk e kanë parë hënën, por agjërojnë për të qenë më të sigurt.

[24] Hadith Sahih. “El Irva” 961. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2334, Tirmidhiu 686, Nesai 2188, Ibën Maxheh 1645, Ibën Huzejme 2168, Darimi 2/2, Tahaviu 1/356, Datakutni 227, el Hakim 1/424, Bejhakiu 4/208.

[25] Buhariu 1914, Muslimi 2514, Ebu Daudi 2335, Nesai 2172, Tirmidhiu 738, Ibën Maxheh 1650, Ahmedi 2/234, 347, 408, 477, 497, Darimi 2/4.

[26] Buhariu 1977, 1979, 3419, Muslimi 2726, 2727, Tirmidhiu 768, Nesai 2378, Ibën Maxheh 1706, Ahmedi 2/164, 189, 190, 199, 212, 6/455.

[27] Është përmendur më parë me shprehje tjetër, ku nuk përmendet agjërimi i vazhdueshëm, por vetëm agjërimi në udhëtim. Teksti i këtij hadithi është: Esmaja tregon se Hamza ibën Amër El Eslemi ishte shumë i dhënë pas agjërimit dhe njëherë e pyeti Profetin (a.s.), nëse mund të agjëronte gjatë udhëtimit. Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

[28] Buhariu 2066, 5360, Muslimi 2367, Ebu Daudi 2458, Tirmidhiu 782, Ibën Maxheh 1761, Darimi 2/12, Ahmedi 2/316, 444, 476, 500.

[29] Buhariu 1966, Muslimi 2562, Maliku 1/301, Darimi 2/7,8, Ahmedi 2/231, 237, 244, 315, 345, 418.

[30] Buhariu 1963, Ebu Daudi 2361, Darimi 2/21, Ahmedi 3/8.