You are here:---Kohët e namazit dhe Kohët në të cilat ndalohet namazi

Kohët e namazit dhe Kohët në të cilat ndalohet namazi

2018-07-05T00:06:13+00:00 July 4th, 2018|Categories: Namazi|

Kohët e namazit dhe Kohët në të cilat ndalohet namazi

Nga libri: Fikhu Sunneh

Autor: Sejid Sabik

Nxjerrja e haditheve sipas gjykimeve te shejh Albanit: Dr. Bledar Albani


Çdo namaz ka kohën e përcaktuar brenda së cilës ai duhet të kryhet

Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّ الصَّلاَةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا

“Falja e namazit në kohë të caktuara është detyrim për besimtarët”. (En-Nisa, 103)

Që do të thotë se është detyrim i vërtetuar me Kuran.

Vetë Kurani përqendrohet në këto kohë:

Allahu thotë:

وَأَقِمْ الصَّلاَةَ طَرَفِي النَّهَارِ وَزُلَفًا مِنْ اللَّيْلِ إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ ذَلِكَ ذِكْرَى لِلذَّاكِرِينَ

“Dhe fale namazin në dy skajet e ditës edhe në orët e afërta (me ditën) të natës[1]. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që i pranojnë këshillat”. (Hudë, 114)

Në një ajet tjetër kuranor, Allahu i Madhëruar thotë:

أَقِمْ الصَّلاَةَ لِدُلُوكِ الشَّمْسِ إِلَى غَسَقِ اللَّيْلِ وَقُرْآنَ الْفَجْرِ إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًا

“Fale namazin kur dielli zbret[2] (nga zeniti) e deri në errësirën e natës dhe bëje lutjen (namazin) e agimit. Vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar”, (El Isra, 78) dhe:

وَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ قَبْلَ طُلُوعِ الشَّمْسِ وَقَبْلَ غُرُوبِهَا وَمِنْ آنَاءِ اللَّيْلِ فَسَبِّحْ وَأَطْرَافَ النَّهَارِ لَعَلَّكَ تَرْضَى

“… Falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës e në skajet e ditës, në mënyrë që të gjesh kënaqësi (me shpërblim)”. (Taha, 130)

Ky ajet i referohet në mënyrë të veçantë namazit të sabahut dhe atij të drekës, ashtu sikurse është regjistruar edhe në dy sahihet.

Xherir ibën Abdullah El Bexheli transmeton: “Ne ishim duke ndenjur me të Dërguarin e Allahut dhe e pamë hënën (gjatë një nate të kthjellët). Profeti (a.s.) tha: “Do ta shihni Zotin tuaj ashtu sikurse jeni duke parë këtë hënë dhe nuk do të dëmtoheni duke e parë Atë. Pra, nëse mundeni, mos e lini veten të ligështoheni në kohën e namazit para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij”.[3]

Pastaj ai përmendi ajetin e mësipërm.

Këto janë kohët e namazit që përmenden në Kuran. Ndërsa, nga Suneti përmenden kohët e namazit, si më poshtë:

Abdullah ibën Amër transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Koha e namazit të drekës është atëherë kur dielli e kalon pikën kulmore dhe hija e njeriut është sa gjatësia e trupit të tij. Kjo kohë zgjat deri në hyrjen e namazit të pasdites (iqindisë). Koha e namazit të pasdites është deri atëherë kur dielli fillon të zverdhet (në prag të perëndimit të tij). Koha e namazit të akshamit është për aq kohë sa zgjat muzgu, koha e namazit të jacisë zgjat deri në mesin e natës, ndërsa koha e namazit të mëngjesit fillon nga agimi dhe deri në lindjen e diellit. Mos u falni gjatë kohës së lindjes së diellit, sepse ai lind mes brirëve të shejtanit”.[4] E transmeton Muslimi.

Xhabir ibën Abdullahu tregon se engjëlli Xhibril shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha atij: “Çohu dhe falu!”. Ai e fali namazin e drekës kur dielli e kishte kaluar pikën e tij kulmore. Pastaj, engjëlli shkoi tek i Dërguari i Allahut për namazin e iqindisë dhe i tha: “Çohu dhe falu!”. Ai e fali namazin e iqindisë, ndërkohë që hija e një objekti ishte e njëjtë me gjatësinë e tij. Pastaj, engjëlli erdhi në perëndim të diellit dhe i tha: “Çohu dhe falu!”. Ai e fali namazin e muzgut, kur dielli sapo ishte zhdukur. Pastaj engjëlli shkoi në darkë kur muzgu nuk ishte më. Ai erdhi përsëri në kohën e agimit (dhe ai fali namazin e mëngjesit). Xhibrili shkoi ditën tjetër në mesditë dhe i tha (të Dërguarit të Allahut): “Çohu dhe falu!”. Kështu, ai fali namazin e mesditës atëherë kur hija e një objekti ishte sa gjatësia e tij. Pastaj, Xhibrili shkoi për namazin e pasdites dhe i tha: “Çohu dhe falu!”. Ata u falën ndërkohë që hija e një objekti ishte sa dyfishi i gjatësisë së tij. Pastaj ai shkoi në të njëjtën kohë (sikurse një ditë më parë) për namazin e mbrëmjes, pa asnjë ndryshim. Më pas ai shkoi për namazin e natës pasi kishte kaluar gjysma e saj (“ose” tha ai, “një e treta e natës”). Më vonë ai shkoi në kohën kur qielli ishte shumë i verdhë dhe i tha: “Çohu dhe falu!”. Kështu ai e fali namazin e mëngjesit. Në fund, engjëlli Xhibril i tha: “Këto janë kohët gjatë të cilave mund të falet namazi!”.[5]

Hadithi i mësipërm transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Buhariu thotë se ky është transmetimi më autentik në lidhje me kohët e namazit.

Koha e namazit të drekës (Dhuhr)

Hadithi që u përmend më lart e bën të qartë faktin se koha e namazit të mesditës (drekës) fillon atëherë kur dielli e kalon pikën e tij kulmore dhe vazhdon derisa hija e një objekti është përafërsisht sa gjatësia e vetë objektit. Nëse është shumë nxehtë, preferohet shtyrja e namazit të mesditës, derisa koha të freskohet. Kjo bëhet me qëllim që të ruhet nënshtrimi dhe përulja që e karakterizon namazin. Nëse nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë, atëherë namazi i mesditës duhet të falet në kohën e vet. Ky mendim bazohet në hadithin e mëposhtëm:

Enesi (r.a.) transmeton: “Nëse koha ishte tepër e ftohtë, Profeti (a.s.) falej herët (në fillim të kohës së namazit), e nëse koha ishte shumë e nxehtë, ai priste derisa ajo të freskohej dhe pastaj falej”.[6]

Ebu Dherri tregon: “Ishim me të Dërguarin e Allahut në një udhëtim. Kur erdhi koha e namazit, muezini deshi të thërrasë ezanin. Profeti (a.s.) tha: “Le të freskohet pak koha!”. Kjo gjë ndodhi dy apo tre herë, derisa ne pamë hijet e kodrave. Atëherë, Profeti (a.s.) tha: “Nxehtësia e madhe është nga aroma e xhehenemit. Nëse koha është kaq e nxehtë, atëherë shtyjeni namazin derisa ajo të freskohet”.[7] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Megjithatë, kjo shtyrje e kohës së namazit të mesditës e ka një limit të caktuar. Në “Fet’h El Bari”, Ibën Haxher thotë se dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me faktin se sa duhet të presë një njeri, në mënyrë që ta lërë temperaturën të zbresë (apo kohën të freskohet). Disa të tjerë thonë derisa hija e një objekti të bëhet sa gjatësia e krahut apo derisa hija e një objekti të bëhet sa një e katërta e lartësisë së vetë objektit. Të tjerë thonë sa një e treta apo sa gjysma, e kështu me radhë. Kjo mund të ndryshojë sipas rastit, por me kusht që të mos shtyhet deri në fund të kohës.

Koha e faljes së namazit të pasdites (Asr)

Koha e këtij namazi fillon pasdite, atëherë kur hija e një objekti është në të njëjtën gjatësi me vetë objektin dhe vazhdon deri në perëndim të diellit. Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: Personi që fal një rekat të namazit të iqindisë, përpara se të perëndojë dielli (dhe pastaj i fal rekatet e mbetura pasi dielli të ketë perënduar), e ka falur këtë namaz brenda kohës së vet”.[8]

Koha më e mirë dhe më e preferuar për ta falur namazin e iqindisë mbaron atëherë kur dielli bëhet i verdhë në horizont. Kjo kuptohet nga hadithi i mësipërm i Xhabirit dhe Abdullah ibën Umerit. Edhe pse e lejuar, shtyrja e namazit deri në kohën kur dielli bëhet i verdhë, është një veprim i papëlqyer (i urryer), përderisa të mos ekzistojë ndonjë nevojë apo arsye për të vepruar në këtë mënyrë.

Enesi (r.a.) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Ai është namazi i hipokritit: ai pret derisa dielli të jetë ndërmjet brirëve të shejtanit, pastaj çohet e fal katër rekate të shpejta dhe e përkujton shumë pak Allahun”.[9] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut dhe Ibën Maxhes.

Në komentin e tij mbi “Sahih Muslim”, Neveviu thotë: “Kanë thënë dijetarët tanë (shafitë) se koha e namazit të iqindisë mund të ndahet në pesë kategori: koha më e përshtatshme (më e mirë), koha e preferuar për falje, koha e lejuar (në të cilën nuk ka ndonjë aspekt të papëlqyer), koha e lejuar e cila është pak e papëlqyer dhe koha e cila shfrytëzohet për faljen e namazit për shkak të ndonjë arsyeje të fortë apo ndonjë nevoje. Koha më e mirë është në fillim të kohës së lejuar për faljen e namazit. Koha e preferuar është derisa hija e një objekti bëhet sa dyfishi i gjatësisë së vetë objektit. Koha e lejuar, e cila nuk përmban në vetvete ndonjë aspekt jopëlqimi, është kur dielli fillon të zverdhet. Koha e lejuar që është e papëlqyer fillon atëherë kur dielli bëhet i verdhë dhe deri në perëndim të tij.

Në fakt, koha e justifikuar apo koha e faljes së namazit për shkak të ndonjë nevoje të caktuar, fillon qysh në kohën e namazit të mesditës, për atë person që i bashkon namazet (për shkak të udhëtimit apo të shiut). Nëse namazi i iqindisë falet brenda kësaj kohe, atëherë ai është falur siç duhet në kohën e vet. Nëse kjo kohë kalon dhe dielli ka perënduar, atëherë ky person duhet ta kompensojë namazin e tij (duhet ta falë kaza)”.

Në ditët me re, namazi duhet falur sapo të hyjë koha e tij. Burejde El Eslemi ka treguar: “Ishim me të Dërguarin e Allahut gjatë një lufte dhe ai tha: “Shpejtojeni faljen e namazit në një ditë me re, sepse atij që i kalon namazi i pasdites pa e falur, i shkatërrohen të gjitha veprat e tij”.[10] Transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxhe.

Në lidhje me këtë çështje, Ibën El Kajimi thotë: “Lënia e namazit është e dy llojeve: lënia e tij në mënyrë të plotë apo mosfalja e tij asnjëherë, gjë e cila i shkatërron të gjitha veprat e një personi dhe lënia e tij gjatë një dite të veçantë, gjë e cila i shkatërron të gjitha e veprat e bëra gjatë asaj dite”.

Namazi i pasdites (iqindisë) është namazi i “mesëm”

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلاَةِ الْوُسْطَى وَقُومُوا لِلَّهِ قَانِتِينَ

“Kujdesuni për namazet tuaja si dhe për namazin e mesëm dhe jini të bindur ndaj Allahut!”. (El Bekare, 138)

Hadithi autentik e ka bërë të qartë se namazi i pasdites është namazi “i mesëm”. Aliu (r.a.) ka transmetuar se ditën e Ahzabit (luftën midis grupeve), Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu ua mbushtë varret dhe shtëpitë e tyre me zjarr, sepse ata na penguan për faljen e namazit të “mesëm”, derisa perëndoi dielli”.[11] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Daudi transmetojnë: “…na penguan për faljen e namazit të mesëm, namazit të iqindisë…”[12]

Duke e shpjeguar kontekstin e këtij hadithi, Ibën Mesudi ka thënë: “Idhujtarët e penguan Profetin (a.s.) nga falja e namazit të iqindisë, deri kur dielli mori ngjyrë të kuqe në të verdhë. I Dërguari i Allahut tha: “Ata bënë të jemi të zënë për faljen e namazit të iqindisë – Allahu i mbushtë me zjarr barqet dhe varret e tyre!”[13] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ibën Maxhe.

Koha e faljes së namazit të akshamit

Koha e faljes së namazit të akshamit fillon atëherë kur dielli nuk duket më në horizont dhe zgjat derisa mbaron muzgu.

Abdullah ibën Amër transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Koha e namazit të akshamit fillon atëherë kur dielli nuk duket më në horizont dhe zgjat deri në mbarim të muzgut”.[14]

Ebu Musa ka treguar se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut në lidhje me kohët e namazit dhe ai përmendi hadithin, ku thuhet se ai e caktoi kohën e faljes së namazit të akshamit, atëherë kur dielli kishte perënduar. Ndërsa ditën tjetër ai e fali këtë namaz në kohën kur muzgu[15] ishte duke mbaruar dhe pastaj tha: Koha (për faljen e namazit të akshamit) është brenda këtij limiti”.[16]

Në komentin e tij mbi “Sahih Muslim”, Neveviu thotë: “Shafitë mendojnë se lejohet shtyrja e faljes së këtij namazi për sa kohë të zgjasë muzgu. Pra, falja e këtij namazi është e lejuar të kryhet në secilin moment të kësaj kohe të përcaktuar. Shtyrja e këtij namazi nuk përbën ndonjë mëkat”.[17]

Për sa i përket hadithit të cituar më sipër në të cilin engjëlli Xhibril u fal me Profetin (a.s.) dhe e fali namazin e akshamit në të njëjtën kohë në të dyja ditët, ai tregon se është shumë e preferueshme falja e namazit të akshamit sa më herët që të jetë e mundur. Kjo çështje qartësohet nga disa hadithe të tjera:

Saib Ibën Jezidi ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njerëzit e umetit tim do të jenë gjithmonë në rrugën e drejtë, për sa kohë që ta falin namazin e mbrëmjes përpara se të duken yjet në qiell”.[18] Transmeton Ahmedi dhe Tebaraniu.

Në musnedin e Ahmedit transmetohet nga Ebu Ejub El Ensari se Profeti (a.s.) ka thënë: “Faleni namazin e mbrëmjes në atë kohë kur agjësruesi e prish agjërimin e tij si dhe para daljes së yjeve në qiell”. [19]

Në “Sahih Muslim” transmetohet nga Rafia ibën Hadixh se: “Ne e falnim namazin e akshamit me të Dërguarin e Allahut dhe pas këtij namazi ndonjëri prej nesh mund të largohej dhe ishte në gjendje të shihte se ku e kishte hedhur shigjetën e tij (sepse kishte ende dritë).[20]

Po aty transmetohet nga Seleme ibën El Akvea se i Dërguari i Allahut e falte namazin e akshamit në kohën kur dielli kishte perënduar dhe ishte zhdukur nga horizonti.[21]

Koha e faljes së namazit të jacisë

Koha e këtij namazi fillon kur ngjyra e kuqe e muzgut është zhdukur dhe vazhdon deri në mesin e natës. Aishja (r.a.) transmeton: “Ata e falnin namazin e jacisë në kohën ndërmjet zhdukjes së muzgut dhe një të tretës së natës”.[22]

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse nuk do të ishte mundim për umetin tim, atëherë do t’i urdhëroja ata që ta shtynin namazin e jacisë derisa të ketë kaluar një e treta apo gjysma e natës”.[23] Transmeton Ahmedi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është i vërtetë.

Në një transmetim tjetër, Ebu Seidi thotë: “Njëherë, ne e pritëm të Dërguarin e Allahut që të na drejtonte gjatë namazit të jacisë derisa kishte kaluar gjysma e natës, kohë pas së cilës ai erdhi dhe u fal me ne”. Pastaj Profeti (a.s.) iu drejtua të pranishmëve dhe u tha: “Qëndroni në vendet tuaja të faljes ndërkohë që njerëzit e tjerë kanë shkuar në vendet e fjetjes, sepse ju jeni në namaz për aq kohë sa pritni për faljen e tij. Nëse nuk do të ishte dobësia e të dobëtit, sëmundja e të sëmurit dhe nevoja e atyre që kanë nevojë, unë do ta kisha shtyrë kohën e këtij namazi deri në gjysmën e natës”.[24]

Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Nesaiu dhe Ibën Huzejme. Zinxhiri i tij është sahih. Hadithi përshkruan kohën më të mirë të faljes së namazit. Ndërsa, përsa i përket kohës së lejuar dhe kohës së faljes së namazit për shkak të ndonjë nevoje të caktuar, ajo zgjat deri në agim.

Ebu Katade ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk ka teprim në gjumë, por teprimi qëndron në mosfaljen e një namazi deri sa të vijë koha e namazit tjetër”[25]. Ky hadith tregon se koha e çdo namazi vazhdon deri në fillim të kohës së namazit tjetër, përveç namazit të sabahut, për të cilin të gjithë dijetarët bien dakord se koha e faljes së tij zgjat vetëm deri në lindjen e diellit.

Preferohet shtyrja e namazit të jacisë

Është shumë e preferuar shtyrja e namazit të jacisë deri në fund të kohës së përshtatshme për faljen e tij, kohë e cila është mesi i natës. Aishja (r.a.) ka transmetuar: “Një natë, Profeti (a.s.) e fali namazin e jacisë pasi kishte kaluar një pjesë e madhe[26] e natës dhe kur shumica e njerëzve në xhami ishin të përgjumur. Pastaj ai doli, u fal dhe tha: “Kjo do të ishte koha më e përshtatshme (për faljen e jacisë), nëse nuk do të ishte një gjë e vështirë për umetin tim”.[27]

Profeti (a.s.) nuk e bënte këtë gjë në mënyrë të vazhdueshme, sepse ai e dinte mirë që një shtyrje e tillë e namazit të jacisë do të ishte një barrë për umetin e tij. Ai e merrte parasysh dhe e vlerësonte shumë situatën e njerëzve që ishin në xhami. Ndonjëherë ai e shpejtonte namazin dhe herë të tjera e shtynte faljen e tij.

Xhabiri tregon: “Profeti (a.s.) e falte namazin e drekës gjatë kohës më të nxehtë të mesditës, namazin e iqindisë në kohën kur dielli ishte i pastër në horizont, namazin e akshamit në kohën kur dielli ishte zhdukur dhe namazin e jacisë ndonjëherë e shtynte e ndonjëherë e shpejtonte faljen e tij, nëse i gjente njerëzit të grumbulluar në xhami. Nëse ai e vërente se ata nuk e kishin me ngut, atëherë e shtynte faljen e namazit. Ai e falte namazin e mëngjesit ndërkohë që ishte ende errësirë”.[28] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Fjetja përpara namazit të jacisë dhe biseda pas këtij namazi

Muslimani nuk duhet të flejë përpara faljes së namazit të jacisë dhe as të mos marrë pjesë në ndonjë diskutim pas faljes së tij. Ebu Berzete El Eslemi tregon se i Dërguari i Allahut e pëlqente shtyrjen e namazit të jacisë dhe e urrente të fjeturit para faljes së këtij namazi apo të fliste e të diskutonte pas tij.[29] Transmeton “Grupi”.

Në një version tjetër nga Ibën Mesudi, thuhet: “I Dërguari i Allahut na urdhëronte të mos rrinim pas faljes së namazit të jacisë”.[30] Transmeton Ibën Maxhe.

Si arsye për një gjë të tillë është gjumi, i cili mund të bëjë që personit t’i kalojë namazi i jacisë pa e falur në kohën e tij të lejuar, apo mund të bëjë që ai të mos e kapë faljen e tij me xhemat. Ndërsa të folurit apo të diskutuarit pas faljes së namazit të jacisë, bën që personi mund ta shpërdorojë kohën në të cilën ai mund të ketë shumë përfitime. Nëse dikush do të flejë dhe ka ndonjë njeri tjetër që mund ta zgjojë, apo nëse bisedon për ndonjë çështje të dobishme, atëherë një veprim i tillë nuk është i ndaluar.

Ibën Umeri ka thënë: “Profeti (a.s.) diskutonte me Ebu Bekrin në lidhje me disa çështje të muslimanëve gjatë natës, kur unë isha me të”.[31] Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen.

Ibën Abasi ka treguar: “Një natë fjeta në shtëpinë e Mejmunes kur Profeti (a.s.) ishte aty. Unë po vëzhgoja me shumë kujdes për mënyrën se si falej Profeti (a.s.) gjatë natës. Ai foli me gruan e tij për pak kohë dhe pastaj fjeti”.[32]

Koha e namazit të sabahut

Koha e namazit të sabahut fillon në agim dhe zgjat deri në lindjen e diellit. Preferohet që ky namaz të falet sa më herët në kohën e tij të lejuar. Ebu Mesud El Ensari ka transmetuar se i Dërguari i Allahut e falte namazin e sabahut në errësirë (në kohën e fillimit të agimit). Një herë tjetër ai e fali këtë namaz atëherë kur agimi po shkëlqente. Pas kësaj, ai gjithmonë falej në errësirë (koha e fillimit të agimit), derisa ndërroi jetë”.[33] Transmeton Ebu Daudi dhe Bejhakiu. Zinxhiri i këtij hadithi është sahih.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Besimtaret e falnin namazin e sabahut me Profetin (a.s.) duke qenë të mbuluara me rrobat e tyre. Ato ktheheshin në shtëpitë e tyre pas namazit dhe askush nuk i dallonte për shkak të errësirës (së agimit)”.[34] Transmeton “Grupi”.

Rafia ibën Hadixh ka transmetuar një hadith, në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë: Faleni namazin e sabahut në agim sepse shpërblimi juaj për të do të jetë më i madh”. Në një transmetim tjetër thuhet: “Faleni namazin e sabahut në kohën shkëlqimit (të agimit), sepse shpërblimi juaj do të jetë më i madh”.[35] Transmeton grupi i “të pestëve”. Tirmidhiu dhe Ibën Hibani e klasifikojnë këtë hadith si të vërtetë.

Ky hadith i referohet kohës së mbarimit të faljes së namazit nga personi në fjalë dhe jo kur ai e fillon atë. Pra, muslimani duhet ta zgjasë namazin në mënyrë që ai të jetë në namaz deri në kohën kur agimi bëhet i ndritshëm. Kjo është mënyra se si vepronte i Dërguari i Allahut, duke kënduar nga 60 deri në 100 ajete kuranore ose me këtë ka pasur për qëllim verifikimin rreth agimit dhe mosfaljen në bazë të dyshimit.

Falja e një rekati brenda kohës së namazit

Personi që fal një rekat të namazit përpara se koha e tij të ketë kaluar, atëherë ai e ka falur të gjithë namazin në kohën e duhur.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Personi që e kap një rekat nga namazi, atëherë ai e ka falur të gjithë namazin e tij”.[36] Transmeton “Grupi”.

Kjo gjë është e vlefshme për secilin nga namazet. Buhariu ka regjistruar: “Kushdo nga ju që kap një ruku të namazit të pasdites, përpara se të ketë perënduar dielli, atëherë duhet ta plotësojë namazin e tij. Nëse ndonjëri prej jush kap një rekat të namazit të sabahut përpara se të ketë lindur dielli, ai duhet ta plotësojë namazin e tij”.[37]

Këtu kuptimi i fjalës “ruku” është rekat. Kuptimi i qartë i hadithit është se ai që kap një rekat të namazit të sabahut apo të iqindisë, duhet ta plotësojë namazin edhe nëse dielli është duke lindur apo duke perënduar, ndonëse këto janë kohët në të cilat nuk është e pëlqyeshme falja e namazit. Nëse falet një rekat, atëherë namazi duhet të plotësohet dhe obligimi i faljes përmbushet, edhe pse nuk është e lejuar shtyrja në mënyrë të qëllimshme e faljes së këtyre namazeve deri sa të arrijë në lindjen apo perëndimin e diellit.

Përgjumja apo harrimi i namazit

Personi që fle apo ka harruar të falë një namaz të caktuar duhet ta falë atë sapo të zgjohet apo sa të kujtohet në lidhje me të. Ebu Katade ka transmetuar se përgjumja në kohën e faljes së namazit iu përmend Profetit (a.s.) dhe ai tha: “Nuk ka pakujdesi në gjumë, por pakujdesia është atëherë kur personi në fjalë është zgjuar. Nëse ndonjëri prej jush e harron një namaz apo fle gjatë kohës së tij, atëherë ai duhet ta falë atë kur të kujtohet”.[38] Transmeton Nesaiu dhe Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është i vërtetë.

Enesi (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që e harron një namaz, duhet ta falë atë sapo të kujtohet dhe nuk ka shpagim për të përveç kësaj gjëje”. [39] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Imran ibën Husejni ka transmetuar: “E shoqëruam të Dërguarin e Allahut gjatë natës. Kur erdhi pjesa e fundit e natës ne u lodhëm dhe na zuri gjumi. Nuk u zgjuam derisa ndjemë nxehtësinë e diellit. Disa prej nesh u munduan me nxitim që të pastroheshin. Profeti (a.s.) na urdhëroi që të qetësoheshim. Pastaj ne vazhduam rrugën derisa dielli u ngrit në horizont. Morëm abdes dhe Profeti (a.s.) e urdhëroi Bilalin që të thirrte ezanin dhe falëm dy rekate përpara namazit të sabahut (synetet përpara dy rekateve farz). Më pas, u çuam dhe falëm namazin e detyruar. Shokët i thanë: “A ta përsërisim nesër në kohën e vet?” Pejgamberi (a.s.) u tha: “Allahu ua ka ndaluar kamatën, e si ta pranojë prej jush?”[40] Transmeton Ahmedi dhe të tjerë.

Kohët në të cilat është e ndaluar falja e namazeve

Është e ndaluar falja pas namazit të sabahut nga koha e lindjes së diellit e deri kur dielli të jetë ngritur në horizont sa gjatësia e një shtize, kur dielli është në pikën e tij kulmore derisa ai lëviz drejt perëndimit dhe po ashtu edhe pas namazit të iqindisë, derisa të perëndojë dielli.

Ebu Seid ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka namaz pas iqindisë derisa të perëndojë dielli, nuk ka namaz pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli”.[41] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Amër ibën Abese tregon se i ka thënë të Dërguarit të Allahut: “O i Dërguar i Allahut! Më trego në lidhje me namazet!”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Fale namazin e sabahut dhe pastaj mos u fal derisa dielli të ketë lindur dhe të ngrihet, sepse ai lind midis brirëve të shejtanit.[42] Kjo është koha në të cilën atij i gjunjëzohen jobesimtarët. Pas kësaj kohe falu, sepse namazi yt do të jetë i dëshmuar[43], derisa hija e një shtize të bëhet më e vogël se gjatësia e saj.[44] Pas kësaj, ndaloje faljen, sepse në këtë kohë xhehenemi ushqehet me lëndën e tij djegëse. Kur vjen hija, ti mund të falesh sepse namazi yt do të jetë i dëshmuar (nga engjëjt), derisa të falësh namazin e iqindisë. Pas tij, largohu nga falja derisa të perëndojë dielli, sepse ai perëndon midis brirëve të shejtanit dhe ajo është koha kur jobesimtarët i gjunjëzohen atij”.[45] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Ukbe ibën Amir ka thënë: “Janë tre kohë gjatë së cilave Profeti (a.s.) na ndaloi nga falja e namazit dhe nga varrosja e të vdekurve tanë [46]: lindja e diellit derisa dielli të jetë ngitur në horizont (në njëfarë lartësie); kur dielli është në pikën kulmore të tij dhe kur dielli është duke perënduar, derisa perëndimi i tij të jetë kryer plotësisht”.[47] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut.

Mendimet e dijetarëve në lidhje me të falurit pas namazit të sabahut dhe namazit të iqindisë

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se muslimani mund t’i plotësojë namazet e humbura pas namazit të sabahut dhe atij të iqindisë. Kjo bazohet në fjalët e Profetit (a.s.): Nëse dikush e harron namazin, ai duhet ta falë sapo të kujtohet për të”.[48] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Përsa i përket namazeve vullnetare, disa sahabë nuk e pëlqenin faljen e tyre gjatë kohëve në fjalë. Këta sahabë ishin Aliu, Ibën Mesudi, Zejd ibën Thabit, Ebu Hurejra dhe Ibën Umeri. Umeri i godiste ata persona që falnin dy rekate pas namazit të iqindisë (në praninë e sahabëve të tjerë) dhe nuk qortohej asnjëherë për një veprim të tillë. Gjithashtu edhe Halid ibën Valid vepronte në të njëjtën mënyrë. Prej tabi’inëve[49] që nuk e pëlqenin faljen e namazit në kohët e ndaluara ishin: El Hasani dhe Sejid ibën El Musejeb.

Gjithashtu, të këtij mendimi ishin edhe Ebu Hanife e Maliku. Shafiu mendonte se falja e namazit gjatë këtyre kohëve është e lejuar, vetëm nëse personi e ka një arsye për atë namaz (namazi i përshëndetjes së xhamisë, apo namazi pas marrjes së abdesit e kështu me radhë).[50] Ai përdor si argument faktin se Profeti (a.s.) ka falur dy rekate namaz sunet të drekës pas namazit të iqindisë.

Hanbelitë thonë se është e ndaluar falja e namazit gjatë këtyre kohëve, edhe nëse dikush ka arsye për ta bërë një gjë të tillë, përveçse në rastin e dy rekateve për tavafin[51] rreth Qabes. Kjo bazohet në hadithin e Xhubejr ibën Mut’im se Profeti (a.s.) ka thënë: “O fisi i Abd Menafit, mos i ndaloni njerëzit nga tavafi rreth kësaj shtëpie (Qabesë) apo nga të falurit aty, në çdo kohë që duan ata, ditën apo natën”.[52] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe. Tirmidhiu dhe Ibën Huzejme e klasifikojnë këtë hadith si të vërtetë.

Falja e namazit në kohën e lindjes së diellit, perëndimit të tij si dhe kur ai është në pikën e tij kulmore

Hanefitë janë të mendimit se falja gjatë këtyre kohëve nuk është e vlefshme, pavarësisht nëse namazi që falet është farz apo vullnetar, apo nëse personi në fjalë plotëson një namaz (kaza) apo kur e fal atë në rast nevoje apo kërkese. Por, ata bëjnë një përjashtim për namazin e iqindisë të asaj dite dhe për namazin e xhenazes (pra, nëse varrimi bëhet në njërën prej kohëve në fjalë, atëherë namazi i xhenazes duhet falur). Ata gjithashtu lejojnë sexhden në përgjigje të këndimit të Kuranit, nëse ajetet përkatëse recitohen në kohë të tilla. Ebu Jusufi bën gjithashtu një përjashtim për namazet vullnetare ditën e Xhuma, ndërkohë që dielli është në pikën e tij kulmore. Shafitë thonë se namazet vullnetare që nuk falen për ndonjë arsye të veçantë, nuk pëlqehet që të falen gjatë këtyre kohëve. Namazet farze, namazet vullnetare për shkak të ndonjë rasti të caktuar, namazet vullnetare të ditës së Xhuma, kur dielli është në pikën e tij kulmore dhe namazi i tavafit rreth Qabesë janë të lejuar të falen në këto kohë pa ndonjë problem. Malikitë thonë se namazet vullnetare gjatë lindjes së diellit dhe gjatë perëndimit të tij janë të ndaluara, madje edhe nëse ka ndonjë arsye të veçantë për faljen e tyre. I njëjti gjykim jepet edhe në lidhje me sexhden për këndimin e Kuranit apo për namazin e xhenazes (vetëm nëse frikësohen se kufoma do të dekompozohet apo ta ndryshojë gjendjen e tij). Por, ata e lejojnë gjithmonë faljen e namazit vullnetar dhe atij farz në kohën kur dielli është në pikën e tij kulmore.

Në komentin e tij tek “El Muata”, El Baxhi ka shkruar: “Në ‘El Mebsut’ transmetohet nga Ibën Uehb se Maliku është pyetur në lidhje me faljen e namazit në mesditë dhe ai ka thënë: “I kam arritur njerëzit duke u falur në mesditën e së Premtes. Disa hadithe e ndalojnë një gjë të tillë (faljen në këtë kohë), por unë nuk i ndaloj njerëzit nga kjo gjë. Megjithatë, unë nuk dëshiroj të falem në atë kohë sepse nuk është gjë e mirë të veprohet në këtë mënyrë”.

Hanbelitë thonë se gjatë këtyre kohëve nuk duhen falur namazet vullnetare, pavarësisht nëse ka apo jo ndonjë arsye për ta bërë këtë gjë, qoftë në Mekë apo diku tjetër, pavarësisht nëse është e Premte apo jo, përveç për namazin e përshëndetjes së xhamisë ditën e Premte (ata e lejojnë këtë gjë pa ndonjë problem, ndërkohë që dielli është në pikën e tij kulmore apo edhe kur imami është duke mbajtur fjalimin e së Premtes). Gjithashtu ata thonë se namazi i xhenazes është i ndaluar në këto kohë, vetëm nëse ekziston frika për prishjen e trupit apo ndryshimin e gjendjes së të vdekurit. Ata e lejojnë plotësimin e namazeve të humbura, namazin e zotuar dhe namazin e tavafit rreth Qabes (edhe nëse ai është vullnetar) në secilën prej këtyre tre kohëve.[53]

Falja e namazit vullnetar pas agimit e përpara namazit të sabahut

Jesari, shërbyesi i Ibën Amarit, ka thënë: “Ibën Umeri më pa duke u falur pasi kishte filluar agimi dhe më tha: “I Dërguari i Allahut erdhi një ditë tek ne kur po faleshim në këtë kohë dhe na tha: Tregojuni edhe të tjerëve që nuk janë të pranishëm se nuk ka namaz pas (fillimit) të agimit, përveç dy rekateve”.[54] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Ebu Daudi. Edhe pse një hadith i tillë është i dobët, zinxhirët e shumtë të transmetimit e forcojnë njëri-tjetrin.

Ne mund ta përfundojmë diskutimin në lidhje me këtë çështje, duke thënë se është e papëlqyeshme falja e namazeve vullnetare, përveç dy rekateve sunet pasi të ketë filluar koha e agimit të ditës. Një përfundim i tillë është nxjerrë nga Sheukani.

El Hasani, Shafiu dhe Ibën Hazmi thonë se namazet vullnetare janë të lejuara në këtë kohë dhe nuk ka ndonjë problem në faljen e tyre.

Maliku e lejon faljen e namazeve gjatë kësaj kohe për ata që nuk i kanë falur namazet vullnetare gjatë natës, për shkak të ndonjë arsyeje. Ai përmend gjithashtu se edhe Abdullah Ibën Abasi, El Kasim ibën Muhamedi dhe Abdullah ibën Amir ibën Rab’ia e falnin namazin e vitrit pasi kishte filluar koha e agimit.

Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Nuk shqetësohem nëse ata e thërrasin ikametin për namaz, ndërkohë që jam duke falur namazin e vitrit”.[55]

Jahja ibën Seid ka transmetuar: “Ubade ibën Samiti ishte imami i njerëzve gjatë namazit. Një ditë ai shkoi për namazin e sabahut dhe muezini thirri ikametin. Ubade i tha ta ndërpresë derisa fali namazin e vitrit dhe pastaj ai i drejtoi njerëzit në namazin e sabahut”.[56]

Seid ibën Xhubejr ka transmetuar se një natë, Ibën Abasi fjeti, u zgjua dhe i tha shërbyesit të tij: “Shiko se çfarë janë duke bërë njerëzit!” (në atë kohë ai e kishte humbur shikimin). Shërbyesi u kthye pas pak dhe i tregoi se ata ishin duke u shpërndarë pas faljes së namazit të sabahut. Atëherë, Ibën Abasi u ngrit, fali namazin e vitrit dhe pastaj fali edhe namazin e sabahut.[57]

Falja e namazeve vullnetare kur thirret ikameti

Nëse namazi ka filluar, nuk pëlqehet të falen namazet vullnetare. Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse falja e namazit është duke filluar, atëherë nuk ka namaz tjetër përveç atij që është detyrim”. [58]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Përveç namazit për të cilin është thirrur ikameti”.[59] Transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe.

Abdullah ibën Sarxhis tregon: “Një burrë hyri në xhami në kohën kur Profeti (a.s.) ishte imam gjatë namazit të sabahut. Burri fali dy rekate në një anë të xhamisë dhe pastaj hyri për të falur namazin me xhemat pas Profetit (a.s.). Kur Profeti (a.s.) e mbaroi namazin, ai i tha: “O filan! Cilin prej dy namazeve llogarit, atë që fale vetëm apo atë që fale me ne?”[60] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

I Dërguari i Allahut e kundërshtoi veprimin e burrit në fjalë, por ai nuk e urdhëroi që ta përsëriste namazin. Kjo tregon se falja e një namazi të tillë është e vlefshme por jo e pëlqyer.

Ibën Abasi ka transmetuar: “Isha duke u falur kur muezini po thirrte ikametin. I Dërguari i Allahut më tërhoqi dhe më tha: “A e fal namazin farz të sabahut me katër rekate?”[61] Ky hadith transmetohet nga Bejhakiu, Tabaraniu, Ebu Daudi, Et-Tajalisi, Ebu Ja’la dhe Hakimi, i cili ka thënë se ky hadith është sahih, në përputhje me kriteret e Buhariut dhe Muslimit.

Ebu Musa El Eshariu tregon se, njëherë, Profeti (a.s.) pa një burrë duke falur dy rekate të namazit të sabahut në kohën kur muezini po thirrte ikametin. Profeti (a.s.) e preku bërrylin e tij dhe i tha: “A nuk është ky namaz (për të cilin po thirret ikameti) përpara atij që po fal ti?”[62] Transmeton Tabaraniu. El Irakiu thotë se ky hadith është përcjellë nëpërmjet një transmetimi të besueshëm.


[1] Hasani thotë që “Dy skajet e ditës” janë namazi i sabahut dhe iqindisë (pasdites), ndërsa me “orët (e afërtame ditën) të natës” nënkuptohet namazi i akshamit dhe i jacisë.

[2] Kjo është fillimi i kohës së faljes së namazit të drekës që vazhdon deri në mug. Në këtë moment hyn koha e namazit të iqindisë dhe më pas akshami dhe jacija. “Bëje lutjen e mëngjesit” ka si kuptim fljen e namazit të sabahut sepse vërtet që atë e dëshmojnë engjëjt e ditës dhe të natës.

[3] Buhariu 554,573,4851,7434, Muslimi 1342, Ebu Daudi 4729, Tirmidhiu 2551, Ibën Maxheh 177.

[4] Muslimi 1387, Ebu Daudi 396, Nesai 521.

[5] Hadith Sahih. “El Irva” 250. Ahmedi 3/330,331, Nesai 504, Tirmidhiu 149, El Hakim 1/195,196, Bejhakiu 1/368.

[6] Transmeton Buhariu 906.

[7] Buhariu 535,539,629,3258, Muslimi 1399, Ebu Daudi 401, Tirmidhiu 158.

[8] Buhariu 589, Muslimi 1373, Ebu Daudi 412, Nesai 516, Tirmidhiu 186, Ibën Maxheh 699, Ahmedi 2/462, Bejhakiu 1/368.

[9] Muslimi 1411, Ebu Daudi 413, Tirmidhiu 160, Nesai 511.

[10] Hadith Daif me këtë plotësim. “El Irva” 255, “Tamamul Mineh” 140. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 694, Ahmedi 5/361, Bejhakiu 1/444. Vetëm shprehja “atij që i kalon namazi i pasdites pa e falur…” deri në fund, është merfu, dhe gjendet edhe tek Buhariu 553.

[11] Buhariu 2931,4111,4533,6396, Muslimi 1419, Ebu Daudi 409, Tirmidhiu 2984, Nesai 472.

[12] Muslimi 1424, Ebu Daudi 409, Ahmedi 1/456.

[13] Muslimi 1425, Tirmidhiu 181,2985, Ibën Maxheh 686, Ahmedi 1/126.

[14] Transmeton Muslimi 1388.

[15] Muzgu është ajo skuqje e qiellit që fillon me perëndimin e diellit dhe përfundon kur zhduket kjo skuqje, sapo fillon errësira.

[16] Muslimi 1392, Ebu Daudi 395, Nesai 522.

[17] Fakti që një mendim i tillë është i shkollës shafite është me rëndësi, sepse imam Shafiu, ndërkohë që ishte ne Bagdad dhe në fillim të periudhës së tij në Egjipt, ishte i mendimit se e vetmja kohë për faljen e namazit të akshamit, ishte për aq sa i nevojitet personit që të marrë abdes dhe të falet menjëherë sapo të ketë perënduar dielli. Më vonë, në Egjipt, ai ndryshoi mendim në lidhje me këtë çështje.

[18] Ahmedi 3/249, Bejhakiu 1/448.

[19] Ahmedi 5/421.

[20] Buhariu 559, Muslimi 1439, Ibën Maxheh 687.

[21] Buhariu 561, Muslimi 1438, Ebu Daudi 417, Tirmidhiu 164, Ibën Maxheh 688.

[22] Transmeton Buhariu 569.

[23] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu 167, Ibën Maxheh 691.

[24] Hadith Sahih. “El Mishkat” 618. E ka nxjerrë Ebu Daudi 422, Nesai 538, Ibën Maxheh 693, Ibën Huzejme 1/78.

[25] Transmeton Muslimi 1560.

[26] Kuptimi i saktë i hadithit është që profeti e fali namazin e jacisë, pasi kishte kaluar një pjesë e madhe e natës, por jo pjesa më e madhe e natës, sepse profeti thotë që çdo namaz falet në kohën e tij. Neveviu gjithashtu ka thënë se hadithi nuk ka si kuptim faljen e namazit të jacisë tej gjysmës së natës, sepse askush nga dijetarët nuk ka shprehur mendim se falja e namazit të jacisë pas mesit të natës është më e mirë.

[27]  Muslimi 1443, Nesai 535.

[28] Buhariu 560, Muslimi 1458, Ebu Daudi 397, Nesai 526.

[29] Buhariu 541,547,599,771, Muslimi 1460,1461, Ebu Daudi 398,4849, Tirmidhiu 168, Nesai 494,524,529, Ibën Maxheh 674.

[30] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 5/561. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 703, Ahmedi 1/410.

[31] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2781. E ka nxjerrë Tirmidhiu 169, Ahmedi 1/26.

[32] Buhariu 4569, Muslimi 1795.

[33] Hadith Sahih. “El Irva” 1/269-270.  E ka nxjerrë Ebu Daudi 394, Darakutni 93, El Hakim 1/192, Bejhakiu 1/363.

[34] Buhariu 423, Muslimi 1456,1457, Ebu Daudi 423, Nesai 546, Tirmidhiu 153, Ibën Maxheh 669, Maliku 1/20, Bejhakiu 1/454.

[35] Hadith Sahih. “El Irva” 258. E ka nxjerrë Ebu Daudi 424, Nesai 549, Tirmidhiu 154, Ibën Maxheh 672, Ahmedi 4/140,144.

[36] Buhariu 580, Muslimi 1370, Ebu Daudi 1121, Nesai 554, Tirmidhiu 524, Ibën Maxheh 1122.

[37] Buhariu 556.

[38] Hadith Sahih. “El Mishkat” 604. E ka nxjerrë Muslimi 1560 me të njëjtin kuptim, Ebu Daudi 441, Tirmidhiu 177, Nesai 615, Ibën Maxheh 698, Ahmedi 5/305.

[39] Buhariu 597, Muslimi 1564, Ebu Daudi 442.

[40] Ahmedi 19115. Domethënia e këtij hadithi është nxjerrë gjithashtu nga Muslimi 1561, por me shprehje tjetër.

[41] Buhariu 586, Muslimi 1920, Nesai 518, Ibën Maxheh 1249.

[42] Imam Neveviu ka thënë që Shejtani i mallkuar afron kokën e tij pranë diellit, me qëllim që të ngjajë sikur adhuruesit e diellit i përulen atij në pamje të jashtme dhe kështu duket sikur ai dhe pasuesit e tij kanë predominancë ndaj tyre dhe njëkohësisht më këtë veprim ata mund t’ua errësojnë dhe ngatërrojnë besimtarëve namazin e tyre, prandaj është parë si jo e pëlqyeshme falja në këtë kohë, pikërisht për ta ruajtur namazin nga këto errësime ashtu siç rekomandohet mosfalja në vendstrehimet e shejtanëve.

[43] E dëshmojnë dhe prezantojnë atë engjëjt.

[44] Ka si kuptim që hija e shtizës të zvogëlohet aq shumë sa që të mos mbesë pothuajse asnjë shenjë e saj mbi sipërfaqen e tokës. Kjo ndodh kur dielli është në zenit.

[45] Muslimi 1927, El Fet-hu er Rabani 2/287.

[46] Ndalimi i varrimit të të vdekurve në këto kohë shpjegohet me ndalimin e shtyrjes së varrimit të të vdekurit me dashje në njërën prej këtyre tre kohëve, por nëse një varrim përkon spontanisht, pa ndonjë qëllim të caktuar me një nga këto kohë, atëherë ai nuk konsiderohet si vepër e papëlqyeshme.

[47] Muslimi 1926, Ebu Daudi 3192, Tirmidhiu 1030, Nesai 559,564,2012, Ibën Maxheh 1519.

[48] Buhariu 598, Muslimi 1564, Ebu Daudi 442.

[49] Tabi’inët janë brezi pasardhës i sahabëve. – Shënim i redaktorit.

[50] Për rastin në fjalë, ky medh’heb është më pranë së mendimit të saktë.

[51] Tavafi është rrotullimi rreth Qabes, një prej riteve të adhurimit që kryhet gjatë Haxhit dhe Umres. – Shënim i redaktorit.

[52] Hadith Sahih. “El Irva” 481. E ka nxjerrë Tirmidhiu 868, Nesai 2924, Ibën Maxheh 1254, Darakutni 162, El Hakim 1/448, Bejhakiu 2/461, Ahmedi 4/80.

[53] Këtu janë përmendur mendimet e Imamëve, veçanërisht për forcën e argumentit të përdorur.

[54] Hadith Sahih. “El Irva” 2/233. E ka nxjerrë Ahmedi 2/104, Ebu Daudi 1276, Tirmidhiu 419, Darakutni 161, Bejhakiu 2/465.

[55] Bejhakiu 2/480.

[56] Bejhakiu 2/480.

[57] Bejhakiu 2/480.

[58] Muslimi 1642,1643, Ebu Daudi 1266, Tirmidhiu 421, Nesai 865,866, Ibën Maxheh 1151.

[59] Transmetim Sahih. “El Irva” 2/267. E ka nxjerrë Ahmedi 2/352, Ibën Ebi Shejbe 1/194.

[60] Muslimi 1648, Ebu Daudi 1265, Nesai 867, Ibën Maxheh 1152.

[61] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 6/171, nën hadithin nr. 2588.

[62] “Mexhmeu ez Zevaid” 2/78.

error: Alert: Content is protected !!