You are here:---Sulmet në kërkim të shehidllëkut

Sulmet në kërkim të shehidllëkut

2018-02-21T16:21:33+00:00February 21st, 2018|Categories: Xhihadi|

Gjykimi për zhytjen në mesin e armikut dhe Gjykimi për sulmet vetvrasëse në kërkim të shehidllëkut tek dijetarët tanë bashkëkohorë[1]


Pergatiti: Dr. Bledar Albani

[1] Kjo temë i referohet kryesisht librit “Rregullat e Xhihadit te Ibën Tejmije dhe praktikimet e tij bashkëkohore”; autor: Hasen Abdurrahman Husejn Vehdan, kontrolluar dhe shikuar nga shejh Meshhur Hasen Al Selman.


Zhytja në mesin e armikut ka tre forma

  1. Një musliman shkon dhe futet i vetëm në mesin e ushtrisë armike, gjë e cila quhet zhytje në mesin e armikut, sepse personi që e bën këtë zhytet në mesin e tyre si sendi që zhytet në lëndën që e mbulon atë.
  2. Dikush prej muslimanëve vret dikë prej kokave të mosbesimtarëve duke qenë në mesin e njerëzve të tij, si p.sh. ta sulmojë atë haptazi në befasi, duke llogaritur që t’a vrasë atë dhe të largohet pa e vënë re njeri.
  3. Kur dikujt i vriten të gjithë shokët e grupit dhe lufton vetëm, ose lufton bashkë me një grup të vogël, gjë e cila e dëmton armikun dhe e pezmaton atë, por duke llogaritur se do të vriten.

Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të gjitha këto forma janë të lejuara tek të gjithë muslimanët e të katër medhhebeve etj.”[2]

Ibën Tejmija është argumentuar me argumente nga Kurani, Suneti, vepra e selefëve dhe Kijasi, për lejimin e këtij lloji të sulmit:

1. Nga Kurani, është argumentuar me Fjalën e Allahut: “Ka prej njerëzve që e shesin veten e tyre në kërkim të kënaqësisë së Allahut, e Allahu është shumë i mëshirshëm për robët e Vet.”[El Bekare, 207].

“E shesin veten”: D.m.th. e shesin veten duke e sakrifikuar atë aty ku do dhe pëlqen Allahu, edhe nëse vriten apo besojnë se mundësia më e madhe është se do të vriten.

Ibën Tejmije thotë: “Blerësit i dorëzohet ajo që ka blerë, dhe kjo bëhet me sakrifikimin e vetes dhe pasurisë në rrugë të Allahut dhe në bindje ndaj Tij, edhe nëse beson se mundësia më e madhe është se do të vritet dhe kali do të plagoset, por kjo është dëshmia (rënia dëshmor) më e mirë.”

2. Ndërsa nga Suneti, Ibën Tejmije ka sjellë argument hadithin, të cilin e ka nxjerrë Buhariu në Sahihun e tij, nga Ebu Hurejra, se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dërgoi një ekspeditë përgjimi prej dhjetë burrash dhe në krye të tyre caktoi Asim ibën Thabit el Ensari, gjyshi i Asim ibën Umer ibën el Hatab (nga nëna). Ata u nisën dhe kur mbërritën në El Hedeeh, vend mes Asfanit dhe Mekës, dikush i përmendi te një fis Hudhelij të cilëve u thuhej “Benu Lihjan”. Këta dolën në kërkim të tyre me një grup harkëtarësh prej afro njëqind vetësh (në një transmetim tjetër thuhet: “prej dyqind vetësh”). Kërkuan gjurmët e tyre dhe gjetën vendin ku kishin ngrënë hurma në shtëpinë ku kishin ndenjur, dhe thanë: “Këto janë hurmat e Jethribit (Medines).” Kur Asimi dhe shokët e tij e kuptuan prezencën e tyre, u drejtuan në një vend të ngritur dhe atje u rrethuan prej tyre. Ata u thanë: -Zbritni të jepni dorën dhe do të keni besën se nuk do të vritet askush prej jush.

Asim ibën Thabit tha:

-O shokë! Pasha Allahun! Unë nuk zbres në besën e kafirit. O Zot! Njoftoje pejgamberin Tënd për çështjen tonë!

Atëherë ata i gjuajtën me harqe dhe e vranë Asim-in bashkë me gjashtë të tjerë, ndërsa tre të tjerët zbritën në besën dhe fjalën e tyre. Ata ishin Khubajbi dhe Zejdi, djemtë e Dethnes, dhe një burrë tjetër. Kur i kapën, hoqën litarët e priftërinjve prej tyre dhe i lidhën me to. Ky burri i tretë tha: “Ky është fillimi i shkeljes së besës! Pasha Allahun! Nuk vij me ju! Shembulli im janë këta! -duke pasur për qëllim të vrarët. Ata e tërhoqën zvarrë dhe e futën në mesin e tyre, por ai refuzoi të shkonte me ta. Atëherë ata e vranë edhe atë dhe u larguan bashkë me Khubajbin dhe Zejdin , të cilët i shitën në Mekë si skllevër, pas ngjarjes së Bedrit. Khubajbin e bleu fisi i El Harith ibën Amir ibën Neufel ibën Abdimenaf, duke qenë se Khubajbi e kishte vrarë El Harith ibën Amër, ditën e Bedrit. Khubajbi qëndroi tek ata si rob, deri sa vendosën që ta vrasin. Ky i kërkoi njërës prej vajzave të El Harith-it t’i huazonte një brisk për t’u rruajtur (vendet e turpshme) dhe ajo ia huazoi. Një fëmijë i saj shkoi zvarrë deri sa u ul në kofshën e Khubajbit, pa e vënë re e ëma, ndërkohë që ai kishte briskun në dorë. Kur e pa, ajo u tremb aq shumë, sa që Khubajbi i vuri re dhe i tha:

-A ke frikë se mos e vras? Nuk e bëj kurrë këtë gjë.

-Pasha Allahun! Nuk kam parë rob më të mirë se Khubajbi! – tha ajo. Pasha Allahun! E kam gjetur atë duke ngrënë një vesh rrush që e mbante në dorë, duke qenë se ishte i prangosur me hekura dhe në Mekë nuk kishte asnjë lloj fruti në atë kohë (nuk ishte koha e frutave)! Dhe thoshte: Patjetër që ai ishte rrisk që Allahu i jepte Khubajbit.

Kur dolën me të nga Haremi i Mekës që ta vrisnin në vend të lejuar, Khubajbi u tha: “Më lini të fal dy rekate namaz!” Ata e lanë dhe ai fali dy rekate, pastaj tha: “Pasha Allahun! Sikur të mos mendonit se unë jam i frikësuar, do të falja më shumë (apo më gjatë). O Zot! Gurëzoi pandërprerë të gjithë ata, vriti një nga një dhe mos lër asnjë prej tyre!” Pastaj recitoi:

Nuk shqetësohem kur vritem musliman

Se nga më vjen vdekja, kur është për Allahun …

Atëherë, Ebu Suruah Ukbeh ibën el Harith i shkon dhe e vret.

Dhe kështu, Khubajbi është ai i cili e ka bërë rrugë (sunet) faljen e namazit për  çdo musliman që vritet durueshëm.

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i njoftoi shokët e tij për çka ndodhi në ditën që ata u vranë.

Disa prej kurejshëve dërguan disa njerëz te trupi i Asim ibën Thabit kur morën vesh se ai u vra, me qëllim që të prenin një copë na trupi i tij dhe t’ia çonin atyre, pasi që ky kishte vrarë një prej të mëdhenjve të tyre. Por Allahu i dërgoi Asimit një si hije (nga mbrapa), e cila e ruajti atë nga të dërguarit e kurejshëve dhe nuk mundën të presin asgjë nga trupi i tij.”[3]

Pika argumentimit në hadith: Ibën Tejmije thotë: “Këta ishin vetëm dhjetë vetë dhe luftuan njëqind apo dyqind armiq, pa pranuar që t’u dorëzohen atyre, deri sa u vranë shtatë prej tyre. Edhe kur tre prej tyre u dorëzuan, përsëri njëri prej të treve refuzoi t’i ndiqte ata deri sa e vranë.”

Po kështu është argumentuar me historinë e djalit besimtar dhe magjistarit, të cilën e ka nxjerrë Muslimi dhe në të përmendet se këshilltari i mbretit dhe murgu u ndanë më dysh me sharrë por nuk u kthyen nga besimi i tyre. Po kështu, të gjithë besimtarët duruan djegien me zjarr në hendek dhe nuk u kthyen nga besimi i tyre. Ndërsa djaloshi urdhëroi për vrasjen e tij kur pa se kjo gjë do të shfaqte besimin tek njerëzit, pasi që ai i cili duron, vritet ose duron deri sa vritet, shfaq besimin nga kjo pikëpamje.

Ndërsa nga Suneti me vepër

1. Në luftën e Bedrit, numri i muslimanëve ishte treqind e ca luftëtarë, ndërsa numri i armikut ishte tre apo më shumë herë se ata, megjithatë Bedri ka qenë lufta më e mirë dhe më madhështore.

Ibën Tejmije thotë: “Lejohet që një grup njerëzish të luftojnë një armik, numri i të cilit e kalon dyfishin e numrit të tyre, dhe këtu nuk ka dallim mes një individi dhe një grupi: kështu që luftimi i një personi të vetëm tre armiq është njësoj si luftimi i tre personave dhjetë armiq.”

2. Po kështu në luftën e Uhudit, muslimanët ishin sa çereku i armikut. Numri i armikut ishte rreth tre mij luftëtarë, ndërsa numri i muslimanëve ishte rreth shtatëqind.

3. Në luftën e Hendekut, numri i armiqve ishte shumë herë më i madh se numri i muslimanëve. Ata ishin rreth dhjetë mij luftëtarë, nga bashkimi i grupeve që sulmuan muslimanët, prej kurejshëve dhe aleatëve të tyre.

4. Në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), ndodhte që një burrë të hidhej i vetëm tek armiku, para syve të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), dhe luftonte deri sa vritej, gjë e cila ishte e njohur në mesin e muslimanëve, në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe halifëve të tij.[4]

3. Vepra e selefëve:

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), për lejimin e zhytjes në mesin e armikut, është argumentuar gjithashtu me veprën e selefëve, siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga autorët e Suneneve, me senedin e tyre deri tek Eslem Ebi Imran, i cili thotë: “Luftuam qytetin duke synuar Kostandinopojën dhe në krye kishim Abdurrahmanin, të birin e Khalid ibën Velid. Romakët mbroheshin pas mureve të qytetit, dhe një burr nga ne u mbart (me katapult) dhe u hodh mbi armikun. Disa njerëz thanë: “La ilahe il-lallah! Vrau veten me duart e tij!” Ebu Ejubi tha: “Ky ajet ka zbritur në lidhje me ne, ensarët, kur Allahu ndihmoi pejgamberin e Tij dhe i dha triumfin Islamit; kur ne thamë: “Hajde të merremi me pasuritë tona tani dhe t’i rregullojmë ato (t’i shtojmë). Atëherë Allahu zbriti ajetin: Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” [El Bekare, 195]. “Çuarja e vetes në shkatërrim”: është që të merremi me pasuritë tona dhe shtimin e tyre, dhe të lëmë xhihadin.”

Ebu Imrani thotë: “Ebu Ejubi vazhdoi gjithnjë të luftonte në rrugë të Allahut, deri sa u varros në Kostandinopojë.”[5]

Mënyra e argumentimit me këtë transmetim:

Së pari: Mohimi i Ebu Ejubit nga të konsideruarit e atij që zhytet në mesin e armikut sikur ka çuar veten e tij në shkatërrim me duart e veta, veçmas muxhahidinëve të tjerë që luftojnë në rrugën e Allahut, në të kundërt nga ajo që imagjinojnë këta të cilët ndryshojnë Fjalën e Allahut nga domethënia e saj, duke e komentuar ajetin në kuptimin e lënies së xhiahdit në rrugë të Allahut.

Së dyti: Ajeti urdhëron për të luftuar në rrugë të Allahut dhe ndalon nga gjërat që pengojnë nga xhihadi. Kuptimi i ajetit është ashtu si ka thënë Umeri, Ebu Ejubi, e të tjerë prej të parëve të këtij ymeti, dhe kjo sepse para këtij ajeti Allahu thotë: Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Vritini ata kudo që t’i gjeni dhe dëbojini prej vendeve, ashtu siç ju dëbuan ata ju. Mosbesimi është më i rëndë se vrasja.” [El Bekare, 190-191].

Ky dhe ajete të tjera që urdhërojnë për luftë në rrugën e Allahut dhe për shpenzimin e pasurisë në rrugë të Allahut, nuk lënë vend për të kundërtën e kësaj prej ndalimit të asaj që plotëson xhihadin, edhe pse në këtë gjë ka përballje të jetës me rënien dëshmor, pasi që vdekja do të ndodhë patjetër, por vdekja më e mirë është vdekja e dëshmorëve.

Së treti: Ajeti: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” [El Bekare, 195], argumenton se të kapurit për pasurinë dhe kopracia e të shpenzuarit e saj në rruën e Allahut, pikërisht ky është shkatërrimi, siç e transmeton Ebu Ejubi.

Së katërti: Shkatërrimi dhe humbja nuk ndodhin veçse nga lënia e urdhërit të Allahut ose kryerja e ndalesave të Tij.[6]

Të argumentuarit me Kijas (analogji):

Ibën Tejmije argumentohet gjithashtu me kijas, duke përngjasuar atë i cili detyrohet për të folur fjalë kufri por ai duron deri sa vritet dhe nuk e thotë atë fjalë, me atë i cili luftohet nga armiku deri sa vritet dhe nuk u dorëzohet atyre. Dhe anasjelltas: ai i cili e flet fjalën e kufrit me gjuhën e tij por duke qenë se në zemër ka besimin, përngjasohet me atë i cili i dorëzohet armikut.[7]

Pra, Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) mendon se zhytja te armiku është e lejuar në ç lloj forme që të jetë, madje ka shprehur se kjo gjë është sunet.

Por ai e ka lejuar këtë gjë me kusht që kjo të shkaktojë dëm dhe pezmatim te armiku, që në këtë gjë të ketë dobi dhe përfitim i përgjithshëm për muslimanët.

Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) shikon në pasojat e veprës, në dobitë dhe dëmet e saj. Drejtimi i Ibën Tejmijes është i ndërtuar mbi marrjen parasysh të domethënies dhe kuptimit të gjërave, dhe prej këtu, në lidhje me rastin kur armiku mbrohet me një grup muslimanësh të zënë robë në luftë, ai thotë: “Dijetarët janë të një mendimi se kur ushtria e mosbesimtarëve marrin për mburojë ata muslimanë që kanë zënë rob dhe muslimanëve u kanoset rreziku i hyrjes së armikut nëse nuk luftojnë, atëherë ata duhet të luftojnë edhe nëse kjo shkakton vrasjen e atyre muslimanëve të cilët ata i përdorin si mburojë.”[8]


Gjykimi për sulmet vetvrasëse në kërkim të shehidllëkut tek dijetarët tanë bashkëkohorë 

Nëse i ndjek fetvatë e dijetarëve bashkëkohorë në lidhje me gjykimin e këtyre sulmeve, gjen se ato kufizohen në tre mendime:

Mendimi i parë: i cili është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve bashkëkohorë, të cilët thonë se këto sulme janë të lejuara, por me disa kushte. Ky është mendimi i shejh Sulejman ibën Nasir el Alvan, mendimi i shejhut të Ez’herit, Dr. Sejid Tantavi, i shejh Abdullah ibën Abdurrahman el Besam, anëtar i organizatës së dijetarëve të mëdhenj në Mekë, i shejh El Luhejdan, etj.

Mendimi i dytë: është mendimi e shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!), i cili i ndalon këto sulme.

Mendimi i tretë: është ai i shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë!), mendim i cili ka shkaktuar polemika në mesin e njerëzve, edhe pse opinioni i tij nuk ndryshon shumë nga ai i Ibën Uthejminit, përveç në shtimin e disa kushteve që ato të bëhen të ligjshme.

Në fakt, të gjithë dijetarët i lejojnë në origjinë këto sulme, por me kushte të caktuara. Pikërisht në konsiderimin apo jo të disa kushteve ka mospajtim. Më poshtë po përmendim kushtet e vendosura prej tyre sipas të tre mendimeve:

Sipas mendimit të parë, përmendim kushtet e vendosura nga shejh Sulejman el Alvan:

1.  Sinqeriteti për Allahun e Madhëruar pa e drejtuar zemrën nga krijesat.

2. Qëllimi me këto sulme të jetë ngritja e Fjalës së Allahut, ndihmesa e fesë së Tij, shkaktimi i dëmit te armiku, mbjellja e frikës në shpirtrat e tyre, futja e përçarjes mes tyre dhe dëbimi i tyre nga toka e shenjtë (Kudsi).

3. Konsiderimi i dobisë dhe përfitimit prej tyre, pasi që shpirti i besimtarit është i shtrenjtë dhe nuk shpenzohet veçse për diçka të shtrenjtë.

4. Largimi nga vrasja e fëmijëve të cilët nuk luftojnë dhe nuk kapin armë.

Sipas mendimit të dytë: Shejh Ibën Uthejmin i ndalon sulmet që ndodhin sot në Palestinë e në vende të tjera, për shkak se dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre, gjë e cila duket qartë sipas tij. Nga fjala e shejhut nxjerrim këto përfundime:

1. Këto sulme kanë bazë në sheriat por me disa kushte, kështu që bashkimi i shejhut me ata të cilët i ndalojnë totalisht këto sulme nuk është i saktë.

2. Nga fjalët e shejhut kuptohet se pasojat e shkaktuara nga këto sulme janë ato të cilat vendosin lejueshmërinë apo jo të tyre.

3. Në lidhje me veprat që kryejnë disa prej muslimanëve të Palestinës, shejh Uthejmini thotë se ato janë të ndaluara, për shkak të pasojave të këqia që i shkaktohen individëve të tjerë të popullit palestinez.

4. Kush e bën këtë gjë -d.m.th. këto sulme vetvrasëse-  me përpjekjen e tij dhe mendimin se ato janë vepra që të afrojnë tek Allahu, lusim Allahun që të mos e ndëshkojë atë, pasi që ai është komentues i paditur.[9]

Sipas mendimit të tretë: Shejh Albani, për lejueshmërinë  e këtyre sulmeve, ka vendosur këto kushte:

1. Ekzistenca e një sistemi udhëheqës Islam.

2. Marrja e lejës nga komandanti i ushtrisë.

3. Përcaktimi i dobive dhe dëmeve të shkaktuara nga këto sulme të bëhet nga komandanti i ushtrisë, përndryshe do të shkaktohet rrëmujë.

4. Duke parë se nga sulmet e ndodhura në Palestinë nuk janë arritur synimet e përcaktuara në sheriat, ato janë të ndaluara.

5. Përfundimi i atyre që vriten në këto sulme është tek Allahu dhe unë shpresoj nga Allahu që t’i pranojë ata (si dëshmorë)!

Përfundim

Nëse do të ndiqnim dhe do të qëndronim në ato që janë shkruar kohët e fundit në lidhje me këto sulme, si dhe duke vështruar thëniet e Ibën Tejmijes në lidhje me zhytjen në mesin e armikut, mund të arrijmë në përfundimet e mëposhmte:

1. Ata të cilët i lejojnë këto sulme argumentohen po me ato argumente që ka përmendur Ibën Tejmije.

2. Keto sulme përfshihen në rrethin e përpjekjes në argumentim, për të cilin dijetari merr dy sevape nëse ja qëllon të vërtetës dhe një sevap nëse gabon.

3. Mosakuzimi i dijetarëve që i ndalojnë këto sulme në kohën aktuale, duke thënë se nuk e kuptojnë aktualitetin apo se janë vegël, pasi që detyrimi i një fetvaje ndaj një dijetari është e ndaluar në sheriat. Po kështu edhe në lidhje me dijetarët të cilët i lejojnë këto sulme, nuk duhet të thuhet se janë entuziastë, ndjekës të emocioneve, të nxituar në fetva, partiak etj. Kjo fjalë u kthehet mbrapsht atyre që e thonë. Secili prej dijetarëve ka shpërblimin për përpjekjen e vet.

4. Këto sulme kanë bazë në sheriat për nga lloji i tyre (të krahasuara me zhytjen në mesin e armikut), dhe kjo sepse argumentet dhe argumentimi i lejuesve të tyre me kushtet e përcaktuara janë më të përpikta, më përfshirëse, më të gjera dhe më perceptuese të çështjeve të xhihadit, se sa fjala e atyre që i ndalojnë totalisht këto sulme.

5. Fjala se këto sulme kanë origjinë në sheriat, nuk do të thotë se lejohet të neglizhohet në kushtet dhe rregullat e përcaktuara nga dijetarët, siç është qëllimi i pastër, shkaktimi i dëmit te armiku, që këto sulme të jenë të planifikuara dhe jo në mënyrë të rastësishme individuale, që të merren parasysh dëmet dhe dobitë e shkaktuara prej tyre në mënyrë të përgjithshme, etj.

Allahu është Ai i cili jep sukses! Dhe paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

 


[1] Kjo temë i referohet kryesisht librit “Rregullat e Xhihadit te Ibën Tejmije dhe praktikimet e tij bashkëkohore”; autor: Hasen Abdurrahman Husejn Vehdan, kontrolluar dhe shikuar nga shejh Meshhur Hasen Al Selman.

[2] “Rregull për zhytjen në mesin e armikut”, f.14.

[3] E ka nxjerrë Buhariu 4/1465, 1499, Abdurrazaku 5/353, Ibën Hibani 15/512, Taberani në El Kebir 4/211, Ebu Nuajm në “Hiljetul eulija” 1/112.

[4] “Rregull për zhytjen në mesin e armikut”, i Ibën Tejmijes, f. 45-76.

[5] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2/516, Bejhakiu 9/99. [Es Sahiha, 1/47].

[6] “Rregull për zhytjen në mesin e armikut”, i Ibën Tejmijes, f. 60-64.

[7] “Rregull për zhytjen në mesin e armikut”, i Ibën Tejmijes, f. 68.

[8] “Mexhmuul Fetava”, 28/546,547.

[9] “Selefitë dhe çështja e Palestinës”, Meshhur Hasen Al Selman, f. 57-58.

error: Alert: Content is protected !!