You are here:-, Pastrimi-Esenca e Dispozitave (1)

Esenca e Dispozitave (1)

2018-03-22T22:30:52+00:00March 22nd, 2018|Categories: Hadith, Pastrimi|

KAPITULLI  I  PASTËRTISË

 

Nga Libri: Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam

“Umdetu el Ahkam”

Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi

Përktheu: Dr. Bledar Albani


1. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë:

“Veprat nuk konsiderohen (të vlefshme apo të plota) veçse sipas qëllimeve –në një transmetim tjetër thuhet: sipas qëllimit – dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Kështu, kush emigron për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, emigrimi e tij do të jetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa kush emigron për ndonjë interes të kësaj bote, apo për ndonjë grua që të martohet me të, emigrimi e tij do të jetë tek ajo që ai ka synuar.”[1]

 

2. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu nuk e pranon namazin e askujt prej jush, pas hadethit (jashtëqitjes dhe çdo gjëje që prish avdesin), veçse pasi të pastrohet.”[2]

 

3. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën el Asi, si dhe nga Ebu Hurejra dhe Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se kanë thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Mjerë për thembërat e këmbëve nga Zjarri (i Xhehenemit)!”[3]

4. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kur dikush prej jush të marrë avdes, të fusë ujë në hundën e tij dhe pastaj ta shfryjë (ta nxjerrë) atë. Kush pastrohet (me gurë a diçka tjetër pas jashtëqitjes), t’a bëjë këtë me numër tek. Kur dikush prej jush të zgjohet nga gjumi, të lajë duart tre herë para se t’i fusë në enë, sepse ju nuk e dini ku ka shkuar dora gjatë gjumit.”[4]   

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Të thithë ujë me dy vrimat e hundës.”[5]

5. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush të mos urinojë në ujë të ndenjur i cili nuk ecën, e pastaj të lahet prej tij.”[6]

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Askush të mos lahet në ujë të ndenjur, duke qenë se ai është xhunub (ka kryer marrëdhënie intime).”[7]

 

6. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse pi qeni në enën e dikujt prej jush, atëherë t’a lajë atë shtatë herë.”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “ku herën e parë ta lajë me dhe.”[8]

 

7. Transmetohet nga Humran –shërbëtori i Uthman ibën Afan- se: “Ai pa Uthmanin të kërkonte ujë për avdes dhe pastaj hodhi ujë nga ena në dy duart e tij dhe i lau ato tri herë. Pastaj futi dorën e djathtë në enë (dhe mori ujë), futi ujë në gojë e në hundë, pastaj lau fytyrën tri herë dhe krahët deri në bërryla, tri herë. Pastaj i dha mes’h (e preku me dorë të lagur) kokës së tij dhe lau këmbët nga tri herë, pastaj tha: Kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të marrë avdes si mora unë, dhe pastaj tha: “Kush merr avdes kështu siç mora unë, pastaj fal dy rekate në të cilat nuk flet me vete (por përqendrohet në namaz), atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë më parë.”[9]

 

8. Transmetohet nga Amër ibën Jahja el Mazini; nga babai i tij; se ai ka thënë: “E pashë Amër ibën Ebi Hasen të pyeste Abdullah ibën Zejd për avdesin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai kërkoi një enë me ujë dhe mori avdes për t’u treguar atyre formën e avdesit të të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!); ai hodhi ujë nga ena në duart e tij dhe i lau ato tri herë, pastaj futi dorën në enë dhe mori ujë e shplau gojën dhe hundën nga tri herë me tre grushta ujë. Pastaj futi dorën në enë (mori ujë) dhe lau fytyrën e tij tri herë, pastaj futi dorën përsëri në enë dhe lau krahët deri në bërryla nga dy herë. Pastaj futi dorën në enë dhe me duar të lagura i dha mes’h (fërkoi) kokës, duke i shkuar ato para dhe mbrapa kokës, një herë të vetme, pastaj lau këmbët e tij.”[10]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Filloi me pjesën e përparme të kokës deri afër damarëve të qafës, pastaj i ktheu ato në vendin ku filloi me mes’hun.”[11]

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Na erdhi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ne i nxorëm një enë prej tunxhi me ujë.”[12]

9. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e preferonte të filluarit me të djathtën në veshjen e sandaleve, në krehjen e flokëve, në pastrimin e tij (avdesin dhe larjen e trupit) dhe në të gjitha çështjet e tij.”[13]

 

10. Transmetohet nga Nuajm el Muxhmiru; nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Populli im do të thirren nga gjurmët e bardha të avdesit në fytyrë dhe gjymtyrë, në ditën e Kijametit, ndaj kushdo prej jush që ka mundësi ta shtojë këtë gjurmë (që t’i lajë ato më shumë se kufiri i caktuar në avdes), t’a bëjë këtë.”[14]

Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “E pashë Ebu Hurejrën të marrë avdes. Ai lau fytyrën dhe duart e tij deri sa thuajse arriti te shpatullat, pastaj lau këmbët deri në mbi kërcinj. Pastaj tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Populli im do të thirren nga gjurmët e bardha të avdesit në fytyrë dhe gjymtyrë, në ditën e Kijametit, ndaj kushdo prej jush që ka mundësi ta shtojë këtë bardhësi në fytyrën dhe gjymtyrët e tij (që t’i lajë ato më shumë se kufiri i caktuar në avdes), t’a bëjë këtë.”[15]

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: Kam dëgjuar të dashurin tim (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Drita e besimtarit (në ditën e Kijametit) arrin aq sa arrin avdesi i tij (sa pjesa e larë në marrjen avdes, d.m.th. kjo pjesë do të ndriçojë).”[16]

Tema

Të pastruarit pas jashtëqitjes

11. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në v.c, thoshte: “Allahume inni eudhu bike minel hubuthi uel habaithi” – O Zot! Unë të kërkoj mbrojtje prej të ligëve dhe të ligave!”[17] – Ai i kërkoi mbrojtje Allahut prej djajve meshkuj e femra.

12. Transmetohet nga Ebu Ejub el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të shkoni në vendin e kryerjes së nevojave personale, mos u ktheni nga Kibla gjatë kryerjes së nevojës së trashë apo të hollë, dhe as mos i ktheni shpinën asaj, por kthehuni nga lindja apo nga perëndimi.”[18]

 

13. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se ka thënë: “Një ditë u ngjita mbi shtëpinë e Hafsës dhe pashë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke kryer nevojat personale i kthyer nga Shami dhe me shpinë nga Qabja.”

Në një transmetim tjetër thotë: “I kthyer nga Shtëpia e Shenjtë e Kudsit.”[19]

 

14. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në v.c, ndërsa unë dhe një djalosh tjetër mbartnim një enë ujë dhe një shkop në dorë, e ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pastrohej me ujë (pas jashtëqitjes).”[20]

 

15. Transmetohet nga Ebu Katade – el Harith ibën Ribij – el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush të mos e prekë organin e tij (gjenital) me dorën e djathtë gjatë urinimit, dhe as të mos pastrohet me dorën e djathtë pas jashtëqitjes, as të mos marrë frymë në enë (kur pi ujë).”[21]

 

16. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi pranë dy varreve dhe tha: Këta të dy janë duke u dënuar tani, dhe jo për ndonjë gjë të madhe; njëri prej tyre nuk ruhej nga urina e tij, ndërsa tjetri ecte lartë e poshtë me thashetheme. – Pastaj mori një degë palme, e ndau më dysh dhe nguli nga një pjesë mbi çdo varr. – Njerëzit thanë: O i Dërguari i Allahut! Përse e bëre këtë? – Se ndoshta u lehtësohet atyre dënimi deri sa këto të thahen.”[22]

 

Temë

Për misvakun

 

17. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur të mos e rëndoja popullin tim, do t’i urdhëroja ata të përdornin misvak (për pastrimin e dhëmbëve) në çdo namaz (para fillimit të çdo namazi).”[23]

 

18. Transmetohet nga Hudhjefe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej natën, ai e pastronte gojën e tij me misvak.”[24]

 

19. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Abdurrahman ibën Ebi Bekër es Sidik (vëllai i saj) hyri tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili ishte mbështetur mbi gjoksin tim dhe në dorë kishte një misvak të njomë me të cilin pastronte dhëmbët. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia nguli sytë misvakut dhe unë ia mora atij, e breva me dhëmbë, e parfumosa dhe ia dhashë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai i pastroi dhëmbët me të, me një të pastruar të cilin nuk e kisha parë më parë prej tij. Pasi mbaroi së pastruari dhëmbët me misvak, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngriti dorën – apo gishtin e tij-, pastaj tha: “Tek Shoqëruesi më i Lartë! (Tek Allahu, apo tek shoqëruesit e tij në xhenet). Këtë e tha tri herë, pastaj shkoi për tek Ai. – Aisha thoshte: Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë duke qenë ndërmjet barkut dhe gushës sime.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “E pashë atë të shihte tek misvaku dhe e kuptova që ai donte të pastronte gojën me të, ndaj i thashë: A e do të ta marr? – Ai bëri me shenjë me kokën e tij, për të thënë që “Po”.[25]  

Ky është teksti i Buhariut, ndërsa Muslimi e transmeton të ngjashëm me të.

Ndërsa nga Ebu Musa el Eshari (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se ai ka thënë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili po pastronte gojën me një misvak të njomë. – Thotë: Njëri cep i misvakut ishte mbi gjuhën e tij, ndërsa ai thoshte: Uë! Uë! Me misvak në gojë, sikur donte të villte.”[26]

 

Tema

Mes’hi mbi meste[27]

20. Transmetohet nga el Mugira ibën Shubeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Isha me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një udhëtim dhe unë u ula t’i hiqja shoshonet (apo këpucët a çizmet), por ai më tha: Lëri ato, se unë i kam veshur duke qenë se kisha avdes. Dhe u dha mes’h atyre.”[28]

 

21. Transmetohet nga Hudhejfe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Isha me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai urinoi, pastaj mori avdes dhe i dha mes’h këpucëve të tij.”[29] –Ky hadith është marrë i shkurtuar.

 

Tema

Medhiu[30] e të tjera

  

22. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Isha një burrë që më dilte shumë medhij dhe më vinte turp të pyesja të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shkak të vendit të vajzës së tij tek unë (ngase ishte e shoqja e tij), kështu që i thashë Mikdad ibën el Esved, që ta pyeste ai. I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: “Të lajë organin e tij dhe të marrë avdes.”[31]

Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Laje organin tënd dhe merr avdes.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Merr avdes dhe spërkit me ujë organin tënd.”

 

23. Transmetohet nga Abad ibën Temim; nga Abdullah ibën Zejd Asim el Mazini (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Dikush iu ankua të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)për atë që i bëhet sikur ndjen diçka (në bark) kur është duke u falur, dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Të mos ngrihet (dalë) nga namazi deri sa të dëgjojë zë, ose të ndjejë erë.”[32]

 

24. Transmetohet nga Umu Kajs bintu Mihsan el Esedije, se ajo erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  bashkë me një fëmijë të vogël të saj, i cili ende nuk kishte filluar të hante. “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e uli fëmijën në prehërin e tij dhe ai urinoi mbi rroben e tij. Atëherë i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kërkoi ujë dhe spërkiti me të rroben e urinuar, dhe nuk e lau atë.”[33]

 

25. Transmetohet nga Aisha, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “Të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i sollën një fëmijë dhe ai urinoi në rroben e tij. Ai kërkoi ujë dhe ia hodhi asaj (vendit të urinës).”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “ia hodhi atë urinës së tij dhe nuk e lau (rroben).”[34]

26. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Një beduin hyri dhe urinoi në një cep të xhamisë. Njerëzit iu vërshuan ta ndëshkonin, por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ndaloi ata dhe kur ai mbaroi së urinuari, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi të sillnin një kovë ujë, të cilën ia hodhën mbi të (vendin ku urinoi).”[35]

 

27. Transmetohet nga ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Natyrshmëria (fitra) është në pesë gjëra: Në të bërit synet, heqjen e qimeve nga vendet e turpshme, shkurtimin e mustaqeve, prerjen e thonjëve dhe në shkuljen e qimeve të sqetullave.”[36]

 

Tema

Xhenabeti[37]

 

28. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Ai u ndesh me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një nga rrugicat e Medines, duke qenë se ky ishte xhunub. –Thotë: U fsheha prej tij (apo ndërrova rrugë) dhe shkova të lahem, pastaj erdha dhe ai më tha: Ku shkove, o Ebu Hurejra? – Isha xhunub, -tha ai, – dhe nuk doja të ulesha me ty duke qenë i papastër. – Subhanallah! – tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), – Besimtari nuk bëhet i papastër (i pisët).”[38]

 

 29. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lahej nga xhenabeti, ail ante duart, pastaj merrte avdes si për namaz, pastaj lahej; i fërkonte flokët me duart e tij saqë dukej sikur e ripte lëkurën dhe hidhte ujë mbi kokë tre herë, pastaj lante të gjithë trupin.”

– Ajo thoshte: “Unë dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) laheshin prej të njëjtës enë, nga e cila merrnim ujë që të dy.”[39]

30. Transmetohet nga Mejmune bintu el Harith, bashkëshorte e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo ka thënë: “I përgatita të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) enën me ujë për t’u larë nga xhenabeti. Ai hodhi ujë me dorën e djathtë mbi të majtën dy apo tri herë, pastaj lau organin e tij. Pastaj përplasi (fërkoi) dorën në tokë apo në mur, dy apo tri herë, pastaj shplau gojën dhe hundën, pastaj lau fytyrën dhe krahët, pastaj hodhi ujë mbi kokë , pastaj lau trupin. Pastaj u largua nga vendi ku u la dhe lau këmbët. Atëherë unë is olla një rrobe (për t’u fshirë – tharë) por ai nuk e deshi atë, dhe filloi ta fshinte ujin nga trupi me dorën e tij.”[40]

31. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! A mund të flejë dikush prej nesh, kur ai është xhunub (apo duhet të lahet patjetër)? – Po, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), – në qoftë se merr avdes, atëherë të flerë.”[41]

 

32. Transmetohet nga Umu Seleme, bashkëshortja e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo ka thënë: “Umu Sulejmi, bashkëshortja e Ebu Talhës erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk ka turp nga e vërteta. A duhet të marrë gusël (të lahet) gruaja, nëse ajo sheh ëndërr (sikur kryen marrëdhënie intime)? – Po, -tha i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), – në qoftë se sheh lëngun (t’i ketë dalë).”[42]

 

33. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Unë laja gjurmët e xhenabetit nga rrobja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai dilte në namaz me njollat e ujit në rroben e tij.”[43]

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Unë e gërvishja atë nga rrobja e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pastaj ai falej me atë rrobe.”[44]

 

34. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në qoftë se ulet ndërmjet katër gjymtyrëve të saj, pastaj e shtrëngon atë (kryen marrëdhënie), atëherë gusli (larja e trupit) është bërë i detyrueshëm.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “edhe nëse nuk e nxjer spermën.”[45]

 

35. Transmetohet nga Ebi Xheafer Muhamed ibën Ali ibën el Husejn ibën Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se: “Ai dhe babai i tij ishin tek Xhabir ibën Abdullah, tek i cili gjendeshin edhe disa njerëz të tjerë. Këta e pyetën atë për guslin dhe ai tha: Një tas ujë të mjafton. – Një burrë tha: Mua nuk më mjafton. – Kjo i ka mjaftuar atij i cili i ka pasur flokët më të dendura se ty dhe ka qenë më i mirë se ty, -tha Xhabiri, duke pasur për qëllim të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), – pastaj na priu (i Dërguari) në namaz i veshur me një rrobe të vetme.”[46]   et e

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hidhte tre herë ujë mbi kokë (kur lahej).”[47]

 

Temë për tejemumin

36. Transmetohet nga Imran ibën Husajn (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa një burrë të veçuar i cili nuk u fal me njerëzit, dhe i tha: O filan! Ç’të pengoi të faleshe me njerëzit? – O i Dërguari i Allahut! Unë isha xhunub, -tha ai, – dhe nuk kishte ujë (që të lahesha). – Atëherë mësy vendin (dheun) e ngritur nga toka (merr tejemum), sepse ai të mjafton.”[48]

 

37. Transmetohet nga Amar ibën Jasir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më dërgoi për një detyrë. Unë u bëra xhunub (gjatë rrugës, në gjumë) dhe nuk gjeta ujë të lahesha, kështu që unë u shgërryta në sipërfaqen e dheut, ashtu siç zhgërryet kafsha. Pastaj shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia përmenda këtë, ndërsa ai tha: “Të mjaftonte të veproje kështu me dy duart e tua: – dhe goditi tokën me të dyja duart një herë, pastaj fshiu të majtën mbi të djathtën, fërkoi dy duart nga ana e sipërme e tyre (jo nga pëllëmba) dhe fytyrën e tij.”[49]

 

38. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra të cilat nuk i janë dhënë asnjë pejgamberi para meje; më është favorizuar frika që në distancën prej një muaji (ecje), toka është bërë për mua faltore dhe pastrim, kështu që çdokënd prej popullit tim të cilin e zë namazi, të falet (aty ku e zë). Më është lejuar mua plaçka e luftës dhe nuk i është lejuar asnjë pejgamberi para meje. Më është dhënë ndërmjetësimi dhe çdo pejgamber dëgohej tek populli i tij, posaçërisht, ndërsa unë janë dërguar tek i gjithë njerëzimi në përgjithësi.”[50]

 

Tema

Menstruacionet

 

39. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se Fatime bintu Ebi Hubejsh pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “Mua vazhdon të më dalë istihada (dalje gjaku pas menstruacioneve, sëmundja e ishias tek gratë) dhe nuk pastrohem (nga gjaku pas periodave). A ta lë namazin?

-Jo, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), – sepse kjo është sëmundja e ishias (dhe nuk është prej menstruacioneve). Por ti mos u fal për aq ditë sa i ka pasur periodat normale, pastaj lahu dhe fale namazin.”   

Në një transmetim tjetër thuhet: “dhe nuk është prej menstruacioneve. Kur të vijnë menstruacionet, ti mos u fal në atë kohë dhe kur të kalojë koha e tyre e rregullt (që ke pasur më parë), atëherë laje gjakun (la trupin) dhe fale namazin.”[51]

40. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “Umu Habibe ndenji e sëmurë me istihada (ishia) për shtatë vjetë. Ajo pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë dhe ai e urdhëroi që të lahej. – Thotë: Dhe ajo lahej për çdo namaz.”[52]

 

41. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “Unë dhe iDërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) laheshim të dy me ujin e të njëjtës enë, duke qenë se që të dy ishim xhunub. Ai më urdhëronte të vishja izar (rrobë nga mezi e poshtë) dhe më afrohej mua (lozte, dëfrente me mua) duke qenë se isha me perioda. Edhe kur ishte në itikaf (i mbyllyr në xhami), ai nxirte kokën dhe unë ia laja atë atij, duke qenë se isha me perioda.”[53]

 

42. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbështetej në prehërin tim dhe lexonte Kuran, duke qenë se unë isha me perioda.”[54]

43. Transmetohet nga Muadhe se ajo ka thënë: “Pyeta Aishen: Si është puna me gruan me perioda, që agjërimin e kompenson më pas, ndërsa namazin nuk e kompenson? – Ajo tha: A harurije[55] je ti? – Jo, nuk jam harurije, por pop yes ashtu thjeshtë. – Edhe ne na ndodhte kjo gjë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe urdhëroheshim të kompensonim agjërimin, e nuk urdhëroheshim të kompensonim namazin.”[56]

 


[1] E transmeton Buhariu (1, 54, 2529, 3898, 5070, 6689, 6953), Muslimi (1907), Ahmedi (1/168), Ebu Daudi (2201), Tirmidhiu (1647), En Nesai (1/59-60), Ibën Maxheh (4227), etj.

Imam Neveviu thotë: “Muslimanët kanë rënë dakord në mënyrë unanime për madhështinë e këtij hadithi dhe numrin e madh të dobive të nxjerra nga ai. Imam Shafiu e të tjerë, kanë thënë: Ky hadith është një e treta e dijes.”

Ndërsa shejh Izudin ibën Abduselam thotë: Pjesa e parë e këtij hadithi tregon se cilat janë veprat e konsideruara në Islam, ndërsa pjesa e dytë tregon rrjedhojat e tyre.

[2] E transmeton Buhariu (2954), Muslimi (225), Tirmidhiu (76) dhe Ebu Daudi (60).

[3] E ka nxjerë Buhbariu (163, 165), Muslimi (241, 242, 240), Ahmedi (9/24570) dhe En Nesai (1/77-78).

[4] E transmeton Buhariu (162) dhe Muslimi (278).

[5] E ka nxjerë Muslimi (21/237).

[6] E ka nxjerë Buhariu (239), por me fjalën “në të”, në vend të “prej tij”, Muslimi (282), Ahmedi (2/265), En Nesai (1/49), Ebu Daudi (69), etj.

[7] E ka nxjerë Muslimi (283).

[8] E ka nxjerë Buhariu (172), Muslimi (91/229), Ahmedi (2/460) etj.

[9] E transmeton Buhariu (164, 159, 160, 1934, 6433), Muslimi (226), Ebu Daudi (106, 107 -110) dhe Nesai (1/64-65).

[10] E transmeton Buhariu (199, 191, 192, 186, 185, 197), Muslimi (235, 236), Maliku (32), Ebu Daudi (118), Tirmidhiu (35, 47) dhe Nesai (1/71, 72).

[11] E transmeton Muslimi (235).

[12] E transmeton Buhariu (197).

[13] E transmeton Ahmedi në Musned (6/188), Buhariu (168), Muslimi (268), etj.

[14] E transmeton Buhariu (136), Muslimi (35/246), Amedi (2/334, 362, 400, 523).

[15] E transmeton Muslimi në burimin e përmendur më sipër.

[16] E transmeton Muslimi (250).

[17] E transmeton Buhariu (142), Muslimi (375), Ahmedi, etj.

[18] E transmeton Buhariu (394), Muslimi (264), Ebu Daudi (9), etj.

Tërheqim vëmendjen këtu se qëllimi është që të mos kthehesh nga Kibla dhe as t’i kthesh shpinën asaj kur kryen nevojat personale, ndërsa përmendja e lindjes dhe perëndimit në hadith ka lidhje me Medinen, e cila e kishte drejtimin e Kiblës në jug, ndërsa ai që e ka drejtimin e Kiblës në lindje apo perëndim, duhet të kthehet nga jugu apo veriu. (Sh.P).

[19] E transmeton Buhariu (148), Muslimi (266), Tirmidhiu (11), etj.

[20] E transmeton Buhariu (150), Muslimi (271), Ebu Daudi (43) dhe Nesai (1/42,43).

[21] E transmeton Buhariu (153), Muslimi (267), Ebu Daudi (31), Tirmidhiu (15), etj.

[22] E transmeton Buhariu (216), Muslimi (292), Ebu Daudi (20), Ibën Maxheh (247), etj.

[23] E transmeton Buhariu (887), Muslimi (252), Ahmedi, etj.

[24] E transmeton Buhariu (245), Muslimi (255), Ebu Daudi (55), etj.

[25] E transmeton Buhariu (4438) dhe Ahmedi (6/48, 49).

[26] E transmeton Buhariu (244), Muslimi (254), Ebu Daudi (49) dhe Nesai (1/9).

[27] Është për qëllim fshirja e mesteve, apo këpucëve, sandaleve etj, me dorë të lagur.

[28] E transmeton Buhariu (206), Muslimi (274/79, 80), etj.

[29] E transmeton Muslimi (273).

[30] Medhiu është një lëng i bardhë që ngjit, i cili del nga organi gjenital si pasojë e ngacmimit të epsheve.

[31] E transmeton Buhariu (269), Muslimi (303), etj.

[32] E transmeton Muslimi (361), Buhariu (137).

[33] E transmeton Buhariu (223), Muslimi (287), etj.

[34] E transmeton Buhariu (222) dhe Muslimi (286).

[35] E transmeton Buhariu (219), Muslimi (284, 285), etj.

[36] E transmeton Buhariu (5889), Muslimi (257), etj.

[37] Xhenabeti është gjendja pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, apo pas daljes së spermës në përgjithësi.

[38] E transmeton Buhariu (283), Muslimi (371), etj.

[39] E transmeton Buhariu (248), Muslimi (316), etj.

[40] E transmeton Buhariu (249), Muslimi (317), etj.

[41] E transmeton Buhariu (289), Muslimi (260), etj.

[42] E transmeton Buhariu (282), Muslimi (310, 311, 313), etj.

[43] E transmeton Buhariu (229), Muslimi (289), etj.

[44] E transmeton Muslimi (288), Tirmidhiu (116) dhe Nesai (1/156).

[45] E transmeton Buhariu (291), Muslimi (348), etj.

[46] E transmeton Buhariu (252) dhe Muslimi (329).

[47] E transmeton Buhariu (254) dhe Muslimi (327).

[48] E transmeton Buhariu (344) dhe Nesai (1/171).

[49] E transmeton Buhariu (338), Muslimi (368), etj.

[50] E transmeton Buhariu (335), Muslimi (521), etj.

[51] E transmeton Maliku në Muata (137) dhe nga ai e ka nxjerë Buhariu (228), Muslimi (333). E ka transmetuar gjithashtu Nesai (1/122), Ibën Maxheh (621) dhe Ahmedi në Musned.

[52] E transmeton Buhariu (306), Muslimi (334), etj.

[53] E transmeton Buhariu (299), Muslimi (293), etj.

[54] E transmeton Buhariu (297), Muslimi (301), etj.

[55] Harura është emër vendi nga i cili dolën havarixhët dhe u quajtën me emrin e vendit të tyre –harurij.

[56] E transmeton Buhariu (321), Muslimi (335), etj.

error: Alert: Content is protected !!