You are here:-, Zekati-Esenca e Dispozitave (4)

Esenca e Dispozitave (4)

2018-04-22T00:21:00+00:00 April 22nd, 2018|Categories: Hadith, Zekati|

KAPITULLI  I  ZEKATIT

 

Nga Libri: Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam

“Umdetu el Ahkam”

Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi

Përktheu: Dr. Bledar Albani


  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi Muadhin në Jemen, ai i tha atij: Ti po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit (të krishterë), ndaj ftoi ata (së pari) të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut. Nëse ata të binden për këtë, atëherër mësoi atyre se Allahu i ka bërë obligim atyre pesë namaze në ditë-natë. Nëse ata të binden edhe për këtë, atëherë mësoi ata se Allahu i ka bërë obligim atyre dhënien e sadakasë (zekatit) e cila u merret të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre. Nëse ata të binden për këtë, atëherë mos e merr kurrë pasurinë e tyre të shtrenjtë tek ata. Dhe ruaju lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse nuk ka pengesë ndërmjet asaj dhe Allahut.”[1]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka detyrim zekati për më pak se pesë njësi (dyzetëshe) argjend, as për më pak se pesë tufa (me nga 3-9 kokë) deveshë dhe as për më pak se pesë njësi (me nga 60 tasa të Medines në atë kohë) drith (apo të mbjella të tjera).”[2]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Muslimani nuk ka detyrim zekati në skllavin dhe as në kalin e tij.”[3]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Përveç zekatit të fitrit për skllavin.”[4]

 

  1. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Plaga e shkaktuar nga kafsha nuk kompensohet, pusi (rënia në të) është e pakompensueshme, xeherorët janë të pakthyeshme, ndërsa për thesarët e gjetur duhet të jepet një e pesta.”[5]

 

  1. . Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi Umerin që të mblidhte zekatin dhe më pas atij i thanë: Ibën Xhemili, Halid ibën el Velid dhe Abasi, xhaxhai i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e dhanë zekatin. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ibën Xhemili hakmerret për kohën kur ka qenë i varfër, ndërsa tani Allahu e ka pasuruar atë. Ndërsa Halidit ju i bëni padrejtësi sepse ai i ruan parzmoret dhe mjetet e luftës (kafshët e armët) për në Rrugën e Allahut të Lartësuar. Ndërsa zekatin e Abasit e marr përsipër unë, madje dyfishin e tij. Pastaj tha: O Umer! A nuk e ke vënë re se xhaxhai i dikujt është në vend të babait të tij.”[6]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Zejd ibën Asim se ka thënë: “Kur Allahu e hapi Hunejnin pa luftë për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i dhuroi pasuritë e tij, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) filloi ta ndante atë mes njerëzve dhe atyre që kërkonte t’u fitonte (zbuste) zemrat, ndërsa ensarëve nuk u dha asgjë. Nga kjo gjë, ata sikur ndjenë diçka në vetvete pasi nuk iu dha ashtu si njerëzve të tjerë. Por ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u mbajti hytbe atyre dhe u tha: “O grupi i ensarëve! A nuk iu kam gjetur të humbur dhe Allahu iu udhëzoi me mua? A nuk ishit të përçarë dhe Allahu iu bashkoi zemrat me mua? A nuk ishit të varfër dhe Allahu iu pasuroi me mua? –Sa herë që thoshte diçka, ata thoshin: Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më bujarët. –Atëherë ç’ju pengon t’i përgjigjeni të Dërguarit të Allahut? –Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më bujarët, -thanë ata. –Nëse doni ju mund të thoni: Ti na erdhe kështu e kështu. Po a nuk dëshironi që njerëzit të shkojnë me delet e devetë, ndërsa jut ë shkoni me të Dërguarin e Allahut në shtëpitë tuaja? Sikur të mos kishte qenë (caktuar) emigrimi, unë do të kisha qenë një prej ensarëve dhe sikur njerëzit të ndiqnin një shteg apo lëndinë dhe ensarët të ndiqnin një tjetër, unë do të ndiqja lëndinën e ensarëve dhe shtegun e tyre. Ensarët janë rrobja e brendshme e ngjitur me lëkurën, ndërsa njerëzit janë rrobat sipër tyre (d.m.th. ata janë më të afërm për mua, si ky krahasim). Pas meje ju do të shihni që njerëzve t’u jepet përparësi mbi ju në dynja, por ju duroni deri sa të më takoni mua në el Haud (Hauz, liqen i të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në xhenet).”[7]

 


Tema

Zekati i Fitrit

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim zekatin e Fitrit –apo ka thënë: zekatin e Ramazanit- mbi çdo mashkull e femër, të lirë apo skllav; nga një tas (nga ato të Medines) me hurma (arabie), ose një tas me elb.” –Thotë: Njerëzit më pas dhanë në vend të tij një gjysëm tasi me grurë, për të voglin dhe të madhin.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “që të jepet para se njerëzit të dalin për të falur namazin e Bajramit.”[8]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në kohën etë Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ne e jepnim atë (zekatin e Fitrit) nga një tas ushqim (grurë), ose një tas elb, një tas djath, ose një tas rrushi të thatë. Kur erdhi Muavija dhe gruri i Shamit, ai tha: Unë mendoj se një grusht nga ky (gruri i Shamit) është i barabartë me dy të tilla. –Ebu Seidi thotë: Ndërsa unë vazhdoj ta jap atë ashtu siç e jepja (një tas të plotë dhe jo gjysëm tasi) në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[9]

[1] E transmeton Buhariu (1395), Muslimi (19), etj.

[2] E transmeton Buhariu (1405), Muslimi (979), etj.

[3] E transmeton Buhariu (1463), Muslimi (982), etj.

[4] E transmeton Ebu Daudi.

[5] E transmeton Buhariu (1499), Muslimi (1710), etj.

[6] E transmeton Buhariu (1468), Muslimi (983), etj.

[7] E transmeton Buhariu (4330), Muslimi (1061), etj.

[8] E transmeton Buhariu (1503), Muslimi (984), etj.

[9] E transmeton Buhariu (1505), Muslimi (985), etj.

error: Alert: Content is protected !!