You are here:-, Hadith-Esenca e Dispozitave (5)

Esenca e Dispozitave (5)

2018-05-13T12:55:01+00:00May 13th, 2018|Categories: Agjerimi, Hadith|

KAPITULLI  I  AGJËRIMIT

Nga Libri: Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam

“Umdetu el Ahkam”

Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi

Përktheu: Dr. Bledar Albani

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e paraprini (prisni) Ramazanin me agjërimin e një apo dy ditëve (para tij), përveç atij që ka pasur një agjërim të rregullt, ky le ta vazhdojë agjërimin e tij.”[1]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kurt a shihni atë (hënën e re), agjëroni dhe kur ta shihni atë (hënën e shevalit, muajit pas Ramazanit), çeleni agjërimin. E nëse iu mbulohet qielli me re, llogariteni atë (muajin me tridhjetë ditë).”[2]

 

  1. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Hani syfyr sepse syfyri ka bereqet!”[3]

 

  1. Transmetohet nga Enes ibën Maliku; nga Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ky ka thënë: “Hëngrëm syfyr me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ai u ngrit për t’u falur (namazin e sabahut). –Enesi thotë: I thashë Zejdit: Sa ishte koha ndërmjet syfyrit dhe ezanit? –Sa për të lexuar pesëdhjetë ajete, -tha ai.”[4]

 

  1. Transmetohet nga Aisha dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) se: “Kishte raste që të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zinte agimi duke qenë se ishte xhunub nga marrëdhëniet me gruan e tij. Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lahej dhe agjëronte.”[5]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush është agjërueshëm dhe ha ose pi nga harresa, ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka ushqyer Allahu dhe i ka dhënë për të pirë.”[6]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: Ndërsa ishim të ulur tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), aty erdhi një burrë dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Unë u shkatërrova (mora fund).
  • Ç’të ka shkatërruar? –Tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
  • Kam bërë marrëdhënie me gruan time në Ramazan.
  • A ke mundësi që ta lirosh një rob?
  • “Jo”.
  • A je në gjendje që të agjërosh dy muaj rresht?
  • “Jo”.
  • A je në gjendje të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?
  • “Jo”.
  • Ulu këtu.

Ai u ul. Më pas, dikush i solli të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një shportë me hurma. Pejgamberi (alejhi selam) i tha (burrit që kishte kryer marrëdhënie në Ramazan): Jepe lëmoshë këtë.

– Nuk ka asnjë më të varfër se unë në mes këtyre dy maleve, -tha ai.

– Ai (transmetuesi) tha: Atëherë i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qeshi sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqeje familjen tënde me to.”[7]

 

Tema

Agjërimi në udhëtim

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: Hamza ibën Amër el Eslemi i tha të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A të agjëroj kur jam në udhëtim? –Duke ditur se ai agjëronte shpesh. – Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Nëse dëshiron, agjëro dhe nëse dëshiron, çele agjërimin (mos agjëro)!”[8]

 

  1. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ne udhëtonim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe agjëruesi nuk e quante gabimtar atë që nuk agjëronte dhe as ai që nuk agjëronte nuk e quante gabimtar atë që agjëronte.”[9]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Darda (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në muajin e Ramazanit, në një të nxehtë të madh, saqë askush prej nesh nuk guxonte ta vendoste dorën e tij mbi kokë nga nxehtësia e madhe. Në mesin tonë nuk kishte asnjë që agjëronte përveç të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Abdullah ibën Ravaha.”[10]

 

  1. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në një udhëtim dhe gjatë rrugës ai pa një grumbullim njerëzish dhe një burrë të cilit po i bënin hije. –Çfarë ka? –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Është agjërueshëm, -thanë ata. –Agjërimi në udhëtim nuk është nga devotshmëria, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Merrni lehtësimin e Allahut që u ka dhënë juve.”[11]

 

  1. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një udhëtim dhe disa prej nesh agjëronin e disa jo. Në një ditë të nxehtë u ulëm në një vend, ku më të shumtit që mund të qëndronin në hije ishin ata të cilët posedonin pelerina (me të cilat bënin hije), ndërsa disa prej nesh i ruheshin diellit me duart e tyre. Agjëruesit u rrëzuan, ndërsa ata që nuk agjëronin u ngritën dhe ngritën tendat, e u dhanë për të pirë udhëtarëve. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sot shpërblimin e morën ata të cilët nuk agjëronin.”[12]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Kishte raste që më kishte mbetur pa kompensuar agjërimi i Ramazanit dhe nuk mundesha ta kompensoja atë veçse në Shaban (muajin para Ramazanit tjetër).”[13]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që vdes dhe ka lënë agjërim (nga Ramazani) pa plotësuar, atëherë për të duhet të agjërojë i afërmi i tij.”[14]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Nëna ime vdiq dhe la pa agjëruar një muaj (agjërim të detyrueshëm). A të agjëroj unë për të? –Po sikur nëna jote të kishte borxh pa larë, a do t’ia laje atë asaj? –”Po”, -tha ai. –Atëherë borxhi i Allahut është më parësor për t’u larë.”[15]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Nëna ime vdiq dhe la pa agjëruar një agjërim për të cilin ishte zotuar. A të agjëroj unë në vend të saj? –Po sikur nëna jote të kishte lënë borxh pa larë dhe ti t’ia laje atë asaj, a do t’i lahej borxhi asaj? –”Po”, -tha ajo. –Atëherë agjëro për nënë tënde, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[16]

 

  1. Transmetohet nga Sehl ibën Sead es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë, përderisa do ta shpejtojnë iftarin (çeljen e agjërimit menjëherë pas perëndimit të diellit).”[17]

 

  1. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të vijë nata nga kjo anë dhe të përmbyset dita nga kjo anë, atëherë agjëruesi e la çelur agjërimin.”[18]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga të agjëruarit e vazhdueshëm (pa e çelur agjërimin për dy a më shumë ditë rresht) dhe njerëzit i thanë: Por ti agjëron pa e çelur agjërimi? –Unë nuk jam si ju, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), -unë ushqehem dhe më jepet të pij (nga Allahu).”[19]

 

  1. Në një transmetim tjetër të Muslimit; nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thuhet: “Kushdo që dëshiron të agjërojë pa e çelur agjërimin, atëherë ta vazhdojë atë deri në kohën e syfyrit.”[20]

 

Tema

Agjërimi më i mirë

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën el As (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u njoftua se unë kisha thënë: Betohem për Allahun se unë do të agjëroj çdo ditë dhe do të falem çdo natë (gjatë gjithë natës) për sa të jem gjallë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ti je ai që ka thënë kështu? –Po për Zotin, e kam thënë. –Por ti nuk mundesh ta bësh këtë, ndaj agjëro (disa ditë) dhe çele (agjërimin në disa ditë të tjera), falu natën dhe fli. Në çdo muaj agjëro nga tri ditë sepse sevapi i tyre është sa dhjetëfishi i tyre, kështu që të quhet sikur të kesh agjëruar të gjithë kohën.”

-Por unë mundem për të bërë edhe më shumë se kaq.

-Atëherë një ditë agjëro dhe dy ditë çele agjërimin.

-Unë mundem edhe më shumë se kaq.

-Atëherë një ditë agjëro dhe një ditë çele agjërimin. Ky është edhe mënyra e agjërimit të Daudit, dhe ky është agjërimi më i mirë.”

-Por unë mundem për të bërë edhe më mirë (shumë) se kaq.

-Më mirë se kaq nuk ka, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk ka agjërim më të mirë se agjërimi i vëllait tim, Daudit –agjërimi i gjysmës së kohës-, ndaj një ditë agjëro dhe një ditë çele agjërimin.”[21]

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën el Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Daudit dhe namazi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Daudit; ai flinte gjysmën e natës, falte një të tretën e saj, pastaj flinte një të gjashtën e saj (të mbetur). Ndërsa agjërimin e bënte një ditë po e një ditë jo.”[22]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I dashuri im (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më këshilloi me tre gjëra: agjërimin e tre ditëve në çdo muaj, dy rekatet e duhasë (paradites, pas lindjes së diellit) dhe që ta fal namazin e vitrit para se të fle.”[23]

 

  1. Transmetohet nga Muhamed ibën Abad ibën Xheafer se ka thënë: “Pyeta Xhabir ibën Abdullah: A ka ndaluar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga agjërimi i ditës së xhuma? –”Po”, -tha ai.”

Ndërsa në transmetimin e Muslimit shtohet: “Për Zotin e Kabes!”[24]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarine Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Askush prej jush të mos agjërojë në ditën e xhuma, vetëm nëse agjëron një ditë para ose një ditë pas saj.”[25]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Ubejd, shërbëtori i Ibën Ez’her –emri i të cilit është Sead ibën Ubejd-, se ai ka thënë: Prezentova namazin e Bajramit me Umer ibën el Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe ai (në hytbe) tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar që këto dy ditë të agjërohen; dita e Fitër Bajramit pas agjërimit dhe dita tjetër, dita në të cilën hani prej kurbaneve tuaja.”[26]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga agjërimi i dy ditëve: ditës së Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit. Ka ndaluar gjithashtu nga të veshurit e rrobes pa mëngë dhe të ulurit përmbys duke qenë se ke veshur vetëm një rrobe, si dhe nga të falurit namaz sunet pas namazit të sabahut (deri në lindjen e diellit) dhe pas namazit të ikindisë.”[27]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush agjëron një ditë duke kërkuar Fytyrën e Allahut (për Hir të Allahut), Allahu ia largon fytyrën atij nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera.”[28]

Tema

Nata e Kadrit

 

  1. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Disa nga shokët e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) panë në ëndërr natën e Kadrit në shtatë ditët e fundit të Ramazanit dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Shoh që ëndërrat tuaja janë të njëjta dhe të bashkuara për (të qenurit e natës së Kadrit në) shtatë netët e fundit (të Ramazanit), kështu që kush dëshiron ta kërkojë atë, ta kërkojë në shtatë netët e fundit të Ramazanit.”[29]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit (të Ramazanit).”[30]

 

  1. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte mbyllur në xhami për itikaf në dhjetëditëshin e mesëm të Ramazanit. Një vit qëndroi në itikaf deri natën e njëzet e një –nata në mëngjesin e së cilës ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dilte nga itikafi i tij-, dhe tha: Ata të cilët qëndruan në itikaf me mua, të qëndrojnë në itikaf në dhjetëditëshin e fundit (të Ramazanit); sepse unë e pashë në ëndërr atë natë (natën e Kadrit) por e harrova atë dhe pashë në ëndërr sikur bëja sexhde në ujë dhe në baltë në mëngjesin e asaj nate. Kështu që kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit (të Ramazanit), në netët teke të tij.

-Atë natë ra shi dhe xhamia, e cila ishte në një kopësht filloi të pikojë e të rrjedhë dhe sytë e mi panë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ujë dhe gjurmë balte në ballin e tij, në mëngjesin e natës së njëzet e një (të Ramazanit).”[31]

 

Tema për Itikafin

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, deri sa Allahu ia mori jetën në këtë botë. Pas tij bënin itikaf gratë e tij (Allahu qoftë i kënaqur me to!).”[32]

 

  1. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ajo i krehte flokët të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke qenë se ajo ishte me perioda, ndërsa ai i mbyllur në itikaf në xhami dhe ajo në dhomën e saj; ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i zgjaste asaj kokën e tij.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Dhe nuk hynte në shtëpi veçse për nevojat personale.”

Në një transmetim tjetër thuhet se Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë hyja në shtëpi për të kryer nevojat dhe i sëmuri (dikush të cilin ajo e vizitonte) ishte aty, por unë nuk pyesja për të, por vetëm kaloja.”[33]

 

  1. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Në kohën e injorancës, unë isha zotuar të qëndroja një natë në itikaf –ndërsa në një transmetim tjetër thotë: një ditë- në xhaminë e shenjtë (në Kabe). –Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha: Përmbushe zotimin tënd!”

Disa prej transmetuesëve nuk e kanë përmendur kohën për një natë apo për një ditë.[34]

 

  1. Transmetohet nga Safije bintu Hujej (Allahu qoftë i kënaqur me të!) –bashkëshortja e të Dërguarit- se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në itikaf dhe unë shkova ta vizitoja një natë, bisedova me të, pastaj u ngrita për t’u larguar, ndërsa ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit me mua që të më përcjellë –banesa e saj ishte te shtëpia Usame ibën Zejd-. Dy burra prej ensarëve kaluan aty pranë dhe kur panë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nxituan të largoheshin, por ai u tha: Ngadalë! Kjo është Safije bintu Hujej (gruaja e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

-Subhanallah! O i Dërguari i Allahut! –thanë ata.

-Shejtani qarkullon te njeriu si qarkullimi i gjakut. Dhe unë kisha frikë se mos hidhte ndonjë të keqe në zemrat tuaja –ose ka thënë: ndonjë gjë.”

Në një transmetim tjetër thuhet se: “Ajo shkoi ta vizitonte atë (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ai ishte në itikaf në xhami në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Bisedoi me të për një farë kohe, pastaj u ngrit të largohej dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit bashkë me të që ta përcillte. Kur arriti në derën e xhamisë, te dera e dhomës së Umu Seleme…” Dhe e përmendi pjesën tjetër të hadithit të ngjashme me të mësipërmin.[35]


[1] E transmeton Buhariu (1914), Muslimi (1082), etj.

[2] E transmeton Buhariu (1900), Muslimi (1080), etj.

[3] E transmeton Buhariu (1923), Muslimi (1095), etj.

[4] E transmeton Buhariu (1921), Muslimi (1097), etj.

[5] E transmeton Buhariu (1925), Muslimi (1109), etj.

[6] E transmeton Buhariu (1933), Muslimi (1115), etj.

[7] E transmeton Buhariu (1936), Muslimi (1111), etj.

[8] E transmeton Buhariu (1943), Muslimi (1121), etj.

[9] E transmeton Buhariu (1947), Muslimi (1118), etj.

[10] E transmeton Buhariu (1945), Muslimi (1118/99), etj.

[11] E transmeton Buhariu (1946), Muslimi (1115), etj.

[12] E transmeton Buhariu (2890), Muslimi (1119), etj.

[13] E transmeton Buhariu (1950), Muslimi (1146), etj.

[14] E transmeton Buhariu (1952), Muslimi (1147), etj.

[15] E transmeton Buhariu (1935), Muslimi (1148), etj.

[16] Ky është teksti i Muslimit në burimin e mësipërm dhe i Ahmedit (1/3420).

[17] E transmeton Buhariu (1957), Muslimi (1098), etj.

[18] E transmeton Buhariu (1954), Muslimi (1100), etj.

[19] E transmeton Buhariu (1962), Muslimi (1102), etj.

[20] E transmeton Buhariu (1963) e të tjerë, por nuk e ka transmetuar Muslimi, siç thotë autori.

[21] E transmeton Buhariu (1131), Muslimi (1159), etj.

[22] E transmeton Buhariu (1131), Muslimi (1159), etj.

[23] E transmeton Buhariu (1178), Muslimi (721), etj.

[24] E transmeton Buhariu (1984), Muslimi (1143), etj.

[25] E transmeton Buhariu (1985), Muslimi (1144), etj.

[26] E transmeton Buhariu (1990), Muslimi (1137), etj.

[27] E transmeton Buhariu (1991), Muslimi (827), etj.

[28] E transmeton Buhariu (2840), Muslimi (1153), etj.

[29] E transmeton Buhariu (1158), Muslimi (1165), etj.

[30] E transmeton Buhariu (2017) dhe Muslimi (1169).

[31] E transmeton Buhariu (669) dhe Muslimi (1167).

[32] E transmeton Buhariu (2026), Muslimi (1172), etj.

[33] E transmeton Buhariu (295), Muslimi (297), etj.

[34] E transmeton Buhariu (2032), Muslimi (1656), etj.

[35] E transmeton Buhariu (2035), Muslimi (2175), etj.

error: Alert: Content is protected !!