You are here:---Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (10)

Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (10)

2018-03-24T19:20:16+00:00 April 1st, 2018|Categories: Metodologji|

Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (10)

Autor: Dr. Bledar Albani


Kapitulli i dhjetë

Sprova dhe nxënësit shqiptarë të dijes

 

Është e natyrshme që edhe muslimanët shqiptarë dhe veçanërisht nxënësit të cilët studiojnë në vendet islame të kenë qëndrimin e tyre në lidhje me këto trazira, sepse ata janë pjesë e popullit musliman.

Kështu, nëse do të hidhje një vështrim në gjendjen e tyre, do t’i gjeje ata të ndikuar nga vendi në të cilin ata gjenden dhe pse jo edhe të përzierë në çfarë ndodh rreth tyre. Ata mund të konsiderohen individë të shoqërisë ku ata i kalojnë ato vite të jetës së tyre studentore, por me një dallim, ata gjenden në këto vende posaçërisht për kërkimin e dijes fetare dhe jo si individë të thjeshtë të popullit.

Që të mësonim më shumë për gjendjen e nxënësve shqiptarë të dijes do të na duhej të njhnim gjendjen e nxënësve të dijes së vendeve në të cilat ata studiojnë, sepse siç e thamë, ata bëhen pjesë e asaj shoqërie.

Kemi dëgjuar shumë dhe kemi parë që gjendja e këtyre nxënësve nuk është e kënaqshme dhe nuk është duke ecur në rrugën e duhur. Shpeshherë, duket sikur ata ia kanë kaluar mosmarrëveshjeve të vetë nxënësve të dijes të konsideruar, gjë e cila ka çuar në përçarjen dhe ndarjen e tyre në grupe, ku secili grup e quan grupin kundërshtar me terma e llagape, të cilat nuk u shkojnë për shtat nxënësve të dijes.

Më e keqja është se këto gjëra transportohen në atdhe tek muslimanët e pastër e të pafajshëm të atij vendi të shumëvuajtur, për të derdhur helmin tek ata, në fazën e tyre të çeljes.

Për Zotin, përgjegjësia është e madhe dhe ende nuk është kuptuar ashtu siç duhet. Duhet të bëhet e ditur se kjo nuk është e veçantë për nxënësit shqiptarë të dijes, por për të gjithë nxënësit e dijes muslimanë kudo që ndodhen dhe të çdo kombësie.

Të gjithë ata pohojnë se duhet bërë bashkim dhe njësim i fjalës së muslimanëve, por ata harrojnë themelin, harrojnë bazat dhe faktorët ndikues, mashtrojnë veten dhe popullin.

Nuk ka bashkim, nëse nuk bashkohen idetë dhe mendimet, sepse siç thonë dijetarët e mëdhenj: “Ne jemi grup që na bashkon të kuptuarit e idetë dhe jo trupat tanë.[1]

Prandaj, duhet ta dinë të gjithë nxënësit shqiptarë dhe jo shqiptarë të dijes se bashkimi i fjalës së këtij populli musliman bëhet vetëm mbi paravija, zbatime dhe përfundime të sakta. Kemi për qëllim me “paravijat”, bazat dhe menhexhet në të cilat duam të ndërtojmë, dhe kemi për qëllim me “të sakta”, sipas sheriatit dhe në përputhje me të.

Të gjitha këto, bëhen duke pyetur dijetarët dhe duke ndjekur udhëzimet e tyre, duke hequr dyshimet dhe duke u kthyer te të sigurtat.

Unë u bëj thirrje të gjithë vëllezërve të mi, të cilët janë nxënës të dijes, të kenë frikë Allahun në veten e tyre, në nxënësit e tyre dhe në vëllezërit e tyre muslimanë!

Të ulin kokën dhe të mësojnë fenë e Allahut dhe ligjet e sheriatit, me qëllim që kur të kthehen në vendin e tyre, ta edukojnë popullin sipas Islamit të vërtetë dhe dijes së saktë!

Të bashkohen të gjithë në zemrën e një burri të vetëm pas udhëzimeve të dijetarëve të mëdhenj edukatorë si Ibën Bazi, El Albani, Ibën Uthejmini etj.!

Nëse vendi ku ata ndodhen është i përzierë në fitne e trazira, ata e dinë se ç’duhet të bëjnë! E vërteta është e qëndrueshme, ndërsa e kota nuk ka rrënjë. Menhexhi i saktë është bazë, ndërsa dyshimet dhe devijimit janë aksidentale e të paqëndrueshme, siç e vumë re edhe në ngjarjet e shtjelluara në këtë libër.

Tërheqim vëmendjen këtu për një fenomen të kohëve të fundit, rrënjët e të cilit nuk janë shumë të largëta, por efekti i tij ka qenë i fortë dhe ka prekur shumë prej nxënësve të dijes së kësaj kohe. Mund të them se nuk ka shpëtuar prej tij, vetëm se një pakicë, të cilën e ka ruajtur Allahu i Lartësuar me Mëshirën e Tij, madje nuk do të ngurroja të aprovoja këtu (sidomos pas atyre që pamë në këtë libër) se Allahu nuk humb kënd vetëm nëse ai e humb veten e tij dhe nuk e kërkon të vërtetën me përkushtim dhe sinqeritet të plotë.

Ky fenomen është mikstura apo përzjerja ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, ndërmjet të drejtës dhe të shtrembërës, ndërmjet sunetit dhe bidatit. Këta marrin nga selefët atë që iu intereson si dhe emrin, marrin nga ihuanul muslimin atë që iu intereson, marrin nga tabligët atë që iu intereson, marrin nga hauarixhët atë që iu intereson dhe në përfundim dalin me një miks, të cilit i vënë emrin “selefi” apo “ehli suneh”.

SubhanAllah! Sikur rruga e selefëve të mos jetë e plotë dhe e mjaftueshme. Sikur të parëve, të cilët janë brezi i ndritshëm dhe i zgjedhur nga Allahu për shoqërimin e të Dërguarit të Tij dhe për ndihmën e fesë së Tij, t’u kenë shpëtuar gjëra që i kanë kapur këta!!!

Kur do të jetë ajo kohë kur muslimanët të gëzojnë dhe të shijojnë bashkimin e tyre në kënaqësi të Allahut dhe në rrugën e hartuar nga Ai?

A e dini se të fundit e këtij populli nuk mund të rregullohen e përmirësohen vetëm se me atë që u rregulluan dhe u përmirësuan të parët e tij?![2]

Kur do të jetë ajo kohë kur muslimanët t’i kthehen Fesë dhe udhëzimeve të dijetarëve të tyre?

Kur do të jetë ajo ditë kur nxënësit e dijes do të ecin përkrah njëri-tjetrit, dashamirë të njëri-tjetrit, tolerues dhe vëllezër të njëri-tjetrit?

“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata vetë ta ndryshojnë gjendjen e tyre.” [Er Rad: 11].

 

Lusim Allahun e Madhëruar të na udhëzojë në të drejtën e asaj në të cilën ka kundërshtim dhe të na japë sukses në fjalë e në vepër!

O Zot, ktheji muslimanët te feja e tyre me një mënyrë të mirë!

O Zot, bashkoje fjalën e muslimanëve mbi të vërtetën dhe jepu atyre vendin që u takon në mesin e popujve! Ti je Zot i kësaj dhe i Mundshëm për çdo gjë!

Aman, Jordani  25.08.2004


[1] Origjina e kësaj fjale është nga imam Shafiu në librin e tij “Er Risale”.

[2] Origjina e kësaj fjale është nga imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!).

error: Alert: Content is protected !!