You are here:---Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (9)

Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (9)

2018-03-24T19:18:37+00:00 March 31st, 2018|Categories: Metodologji|

Metoda e të Parëve në trajtimin e Sprovave (9)

Autor: Dr. Bledar Albani


 

Kapitulli i nëntë

 

Si duhet t’i kuptojmë hadithet e fitneve[1]

 

Fenomeni i të treguarit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të fshehtat dhe profetësitë, pushton pasionin dhe vëmendjen e çdo lexuesi të librave të sunetit: Ç’domethënie kanë? Ç’është për qëllim me to? Cili është ndikimi edukativ i tyre në shpirtin njerëzor? Cilat janë gjurmët e tyre në akiden Islame, në hovin e muslimanit drejt thirrjes për tek Allahu i Madhëruar dhe në praktimin e Islamit në mënyrën e të jetuarit?

Për të njohur diçka nga të gjitha këto, duhet patjetër ta analizojmë këtë fenomen me analizë ligjore, që buron nga parimet kuranore, hadithet profetike, gjurmët e selefëve dhe konceptet autentike islame, pastaj t’i interpretojmë ato sipas atyre bazave të përgjithshme, si dhe të analizojmë qëllimet e tyre në formimin e personalitetit Islam.

Ky fenomen, tërheq vazhdimisht vëmendjen tonë për të ditur se ç’mund të përfitojmë nga ky grumbull i madh i haditheve profetike, të cilat flasin për fitnet dhe shenjat e Kiametit, dhe ndoshta është shpejt dhe para kohe që të nxitohemi e të themi se ky fenomen kërkon studim analitik të drejtë nga persona të kualifikuar e të interesuar për shkencat sociologjike, humane dhe psikologjike.

Por, kjo nuk na pengon që në këtë shqyrtim të shpejtë të hedhim pak dritë mbi disa pika të lidhura me shkaqet e atyre, për të cilat jemi duke folur, si dhe të bëjmë aluzion për shkarjet e rrezikshme, pre e të cilave bien shumë prej muslimanëve sot, për shkak të të kuptuarit të tyre të gabuar kundrejt domethënies së haditheve dhe profetësive.

Kjo është një çështje kritike, sidomos kur gjejmë tek shumë të rinj muslimanë, për të cilët do të ishte më e denjë të qëndronin më larg se të tjerët nga këto shkarje të rrezikshme ideologjike, (gjejmë tek ata) lejim të ndodhjes së ngjarjeve dhe dorëzim tek caktimet (sipas supozimit të tyre), si dhe largim nga kërkimi dhe zbulimi i shkaqeve të vërteta dhe faktorëve të fshehtë, të cilat manovrojnë lëvizjen e historisë dhe ndryshojnë trajektoren e lëvizjes shoqërore të çdo lloj shoqërie qoftë.

Shumë prej muslimanëve sot, veçanërisht kur lexojnë këto hadithe apo profetësi, preken nga steriliteti, negativiteti dhe të izoluarit nga puna islame.

Sterilitet në fushën e studimit dhe ekzaminimit, të ndjekjes dhe zbulimit të së panjohurës.

Negativitet në lëvizje, thirrje dhe punë.

Izolim nga bota reale dhe shoqëria, si dhe të mjaftuarit me supozimin e përmirësimit të vetvetes. Një përmirësim i ftohtë, negative, i burgosur, i cili është më pranë arratisjes nga aktualiteti sesa përmirësimit.

Këta që rrinë ulur dhe nuk i përcaktojnë shkaqet e aktualitetit të hidhur, as nuk i njohin faktorët dhe ligjet e ndryshimit të shoqërisë dhe individëve, këta nuk janë më të mirë se ata të cilët janë zhytur në pasuritë e kësaj bote dhe stolitë e saj, ata të cilët dështuan në fushën e ndryshimit psikologjik dhe shoqëror, kështuqë iu drejtuan shpërthimit të energjive të efektshme në fushën e garimit për dynjanë dhe përkujdesjes për kënaqësitë e saj, pasi panë se çështjet ishin mbi mundësitë e tyre, sipas supozimit të tyre.

Ndoshta nuk habitemi nëse i shohim të zotët e këtyre bindjeve ideologjike, larg fitneve (sipas shprehjeve të tyre) dhe të izoluar nga jeta. As kur i shohim ata t’ia ngjisin çdo gjë caktimit dhe përcaktimit të Allahut, pasi ata nuk kanë mundësi t’i bëjnë rezistencë gjendjes së keqe aktuale, sepse këto (sipas asaj mbi të cilën ata janë edukuar), janë fitne të pashmangshme, për të cilat ka paralajmëruar i Dërguari i Islamit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kështu që nuk ka asnjë mundësi për t’u bërë ballë atyre, sepse ato janë prej dëshirës së Allahut të Lartësuar.

Nuk habitemi gjithashtu, nëse mësojmë se ata justifikues të vetes së tyre, që janë mbështetur tek fati, ata në fakt janë mbetje të kohëve të izolimit ideologjik, të cilët nuk janë edukuar mbi bazat e sakta për konceptet ligjore që gjenden në Kuran, në sunetin e ndershëm profetik dhe në gjurmët e sahabëve të ndershëm, as nuk i kanë perceptuar faktorët historik të ndryshimit të njerëzisë në përgjithësi dhe të Islamit në veçanti.

Ata në fakt, jetuan duke shtënë në dorë hadithe të shpërndara për paracaktimin e Allahut, për fitnet, kasaphanet, shenjat e Kiametit, Dexhalin etj, duke qëndruar krejt larg perceptimit të pikësynimeve të vërteta të sheriatit islam dhe larg lëvizjes për ndryshim në jetën e brezit të parë të sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).

E para gjë që tërheq vëmendjen (veçanërisht kur jemi duke folur për hadithet e fitneve dhe rrëmujave), është koncentrimi i fortë në efikasitetin e njeriut në këtë jetë dhe në influencën e tij të madhe në procedurën për ndryshim dhe për konstruksionin e botës dhe sundimin e saj. Kjo gjë na bëhet e qartë në të perceptuarin e vërtetë të domethënies së xhihadit në Islam, por të xhihadit me kuptimin e tij të gjerë e gjithpërfshirës, si dhe me përcaktimin e misionit themelor të njeriut musliman në jetë, i cili është sakrifikimi i të gjitha orvajtjeve për të ngritur lartë Fjalën e Allahut në tokë.

Pastaj koncentrimi kuranor në formimin e bindjes së prerë për akiden e teuhidit “La ilahe il lAllah” dhe bindja e plotë se varësia në Ditën e Gjykimit do të jetë varësi individuale dhe çdo njeri do të llogaritet për punën e tij.

Të gjitha këto, përbëjnë një pjesë të madhe të mjeteve për të arritur te personaliteti i efektshëm islam; personoliteti, i cili nuk justifikohet me aktualitetin e hidhur dhe të supozojë se kjo është koha që muslimani duhet të shtrëngojë fortë me dhëmballë trungun e pemës dhe të largohet nga fitnet…, prej nga ai jep vendim me vdekje për veten e tij para se t’ia japë dikush tjetër, dhe as personaliteti i mbështetur tek fati, i pështjelluar dhe i mundur  përbrenda.

Por, ai personalitet, i cili nuk ia hedh të gjitha fajet rrethanave dhe ambjentit, sikur vetë të ishte i pastër nga të metat dhe defektet.

Ai personalitet, i cili nuk i gjymton fuqitë që i ka dhuruar Allahu në rolin e tyre për konstruksionin e botës dhe përmirësimin e saj.

Ai personalitet reagues në betejat e jetës, marrës dhe dhënës, ndërtues dhe ambicioz, personalitet i ekstraktuar nga Drita e Allahut, i frymëzuar nga hapat e pejgamberëve dhe përtëritësve, orbita e të cilit ndriçohet nga shembuj të gjallë nga jeta e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe nga biografitë e të gjitha figurave që kanë vënë në jetë akiden islame në historinë e gjatë të muslimanëve.[2]

Fitnet për të cilat ka folur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk janë ndonjë lloj detyrimi, apo ndonjë paracaktim i pashmangshëm që kufizon njerëzit, duke mos pasur ata asnjë faj në të, apo pa i favorizuar atyre shkaqe, rezultatet e të cilave i godasin ata.

Jo, fitnet nuk janë veçse rezultat i punës së vetë njerëzve: “Dhe çfarëdo fatkeqësie që t’ju bjerë, ajo është rezultat i punës së duarve tuaja, megjithëse Ai fal shumë të tjera.” [Esh Shura: 30].

Prej këtu, procedura për ndryshim, për ndalimin nga e keqja, si dhe ngritja e njerëzve me shtyerjen e shkaqeve të fitneve dhe kauzave të tyre, do të ndihmonin shumë në mbrojtjen dhe në të qëndruarit larg tyre.

Fitnet, për të cilat ka folur i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk janë ndonjë lloj detyrimi, aq sa mund të jenë paralajmërim me disa të fshehta, të cilat do të ndodhin si rezultat i faktorëve shpirtëror të brendshëm dhe faktorëve shoqëror; d.m.th. ato janë në rolin e ligjeve dhe standardeve në kaldajën e të cilave bien njerëzit, duke u bërë kështu e detyrueshme rënia e rezultateve të tyre mbi ta.

Bindja jonë se këto faktorë janë të përcaktuar faktikisht dhe realisht, është ajo që na dikton neve llojin e punës së kërkuar prej nesh për të mbrojtur vetet tona nga zonat e dënimit të Allahut dhe zemërimit të Tij.

Sipas këtij perceptimi të realitetit të ligjeve ndëruniversale dhe lirisë së Dëshirës Hyjnore (gjithashtu), mundemi të vizatojmë rrugën në të cilën duhet të ecim, aq më tepër kur në shumicën e rasteve ne nuk posedojmë argumente të mjaftueshme (praktike) të cilat vërtetojnë se ato shkaqe kanë ndodhur vërtetë, që më pas të themi prerë e të vulosim se do të ndodhin rezultatet e tyre prej fitneve, katastrofave e fatkeqësive.

Prej atje shfaqet marrëzia e atij vështrimi pesimist, larg realitetit të jetës dhe të izoluar nga përmirësimi i rrjedhës së jetës njerëzore.

Prej këtu, nuk ka vend për atë mentalitet të lëkundshëm, aq më tepër kur këndvështrimi i tyre nuk është i saktë…

Megjithatë, nëse do të supozonim se shkaqet e fitneve kanë ndodhur vërtetë dhe të supozojmë se të gjithë faktorët tregojnë se fitneja është shumë pranë dhe njerëzve u është dhënë lamtumira.

Të supozojmë gjithashtu, se ne e vërtetuam (ndërmjet shkaqeve paraprake) se rezultatet e tyre do të ndodhin patjetër; a do të thotë kjo se

ne duhet t’i dorëzohemi fitneve dhe t’i hipin dallgëve të tyre pa anije dhe pa vela, pa bërë rezistencë dhe pa i kundërshtuar ato?! Apo t’i nënshtrohemi rrymës së zhurmshme të tyre, pa rezistencën më të vogël?!

A mos është ky misioni i muslimanit, me të cilin e ka ngarkuar Allahu?! A mund të justifikohet me të para Zotit të tij atë ditë kur të ngrihen njerëzit para Zotit të botëve?! A e pëlqen Zoti i tij nga ai këtë negativitet therrës, saqë të arrijë gjendja me ne deri aty sa të mos mundemi të ndryshojmë të paktën vetet tona?!

Nuk është më brenda mundësive të muslimanit që të ndryshojë shoqërinë e tij në atë mënyrë rrënjësore të kërkuar. Kështu, më e pakta që mund të bëjë, është që ai vetë në veten e tij t’i përmbahet ligjeve dhe rregullave të atij ndryshimi dhe të përpiqet me të gjithë mundin e tij që të ruajë më të afërmit e tij e t’i mbrojë nga katastrofa e fitneve.

Ndërsa negativiteti, qëndrimi duarkryq dhe dorëzimi para kundërvajtjeve të sheriatit dhe trysnisë së aktualitetit, pastaj nënshtrimi para kërkesave të tij dhe mbytja në situatat e tij; kjo nuk është prej kësaj feje, as nga afër dhe as nga larg.

Në vijim; ndoshta në të gjithë këtë gjendet diçka që i bind ata mbështetës në mëshirën e fatit dhe ata që qëndrojnë duarkryq, t’i kthehen praktikimit të rolit të tyre të rrezikshëm në jetën e njerëzve dhe të mbarë njerëzisë, dhe të ngjiten nga ajo humnerë e pafundë, në të cilën janë duke rënë. Ndoshta ne do të perceptonim kuptimin e fitnes dhe se si i pushton ajo njerëzit. Ajo i pushton ata në varësi të disa ligjeve dhe kushteve. Ajo i pushton ata për shkak të harresës së tyre të shumë realiteve, ose për shkak të injorimit të saj dhe pavëmendjes së tyre se ajo punon fortë në aktualitetin e jetës së tyre. Kështu, fitneja dhe fitnet, ashtu siç janë prej paracaktimit të Allahut, si dhe çdo incident tjetër në botë, por ato kanë lidhje me rregullin e shkakut dhe përfundimit: “Kështu që, ata i goditi e keqja e punës së duarve të tyre.” [Zumer: 51.]

Me këtë perceptim të kësaj feje dhe të domethënies së fitnes, ne mbrojmë vetet tona nga të qënurit si shumë prej njerëzve, të cilët nuk lëvizin gisht (nuk e prishin gjakun) duke supozuar se gjenden përballë një fitneje të verbër për të cilën nuk ekziston ndonjë “Ebu Bekër” dhe muslimani nuk mund të bëjë gjë tjetër përballë saj vetëm se të izolohet, të mbyllet dhe të dorëzohet.

Ky perceptim i domethënies së imanit (besimit) dhe rruga e punës së kësaj feje në jetën njerëzore, na imponon neve pathyeshmërinë para fitneve, madje jo vetëm kaq, por të ndryshojmë aktualitetin shoqëror dhe para tij atë shpirtëror; në mënyrë që t’i ndryshojmë drejtimin kësaj gjendjeje dhe ta kthejmë aktualitetin njerëzor në drejtimin që kënaq Allahun e Madhëruar.

Nuk ka ndonjë dallim nëse dështojmë apo kemi sukses, e rëndësishme është që ne të përmbushim misionin tonë, për të cilin jemi krijuar; d.m.th. të mos jemi pasivë në ballafaqimin me aktualitetin, të punojmë, edhe nëse i vjelim frytet e punës sonë këtu, sepse frytet e vërtetë të punës sonë do t’i vjelim në xhenet.

“Dhe thuaj: “Punoni, sepse Allahu do ta shohë punën tuaj, edhe i Dërguari i Tij e besimtarët!” [Et Teube: 105].

“Ai i Cili krijoi vdekjen dhe jetën ashtu që t’ju sprovojë juve se cili prej jush do të veprojë më mirë?!” [El Mulk: 2].

Fitnet që kanë ndodhur në kohët e vjetra, pas të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk janë dhe nuk do të jenë autorizim për këmbëkryqët që të na bindin edhe neve të qëndrojmë ulur dhe të mbështetemi te fati. Menhexhi (drejtimi, metodologjia) është baza, ndërsa historia islame nuk është  vetëm se praktikim i menhexhit, me të cilin mund të përputhet shumë, ose ta kundërshtojë e të dalë nga ai ndonjëherë.

Ishin të domosdoshme (në mbyllje) këto fjalë të kësaj natyre, me qëllim që të mos keqkuptohen tekstet dhe përfitimi prej tyre te disa njerëz, si dhe që të jetë faktor për vëmendjen dhe përkujdesjen, për punën kundër rrymës së fitneve dhe jo të pajtohemi me të, t’i dorëzohemi dhe t’i nënshtrohemi asaj.

Nga ana e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ato kanë qënë njoftim për çështje të fshehta, argument për vërtetësinë e profetësisë së tij, paralajmërim për muslimanët nga të zhyturit në fitne, nga lehtësimi i rrugës së tyre, apo nga të kontribuarit për lindjen dhe vazhdimin e tyre. Si dhe me qëllim që sahabet (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të ishin të vëmendshëm për çdo të papritur.


Kapitulli i dhjetë

Sprova dhe nxënësit shqiptarë të dijes

Vijon …


[1] “Iraku…”  Vëll 2, f.  750 e në vijim.

[2] Vështro atë që paraqitëm më parë nga shejhu i Islamit Ibën Tejmija në fjalën e tij rreth gjëmës së tatarëve kundra muslimanëve dhe meditoje me kujdes për të parë të kuptuarin e ndriçuar të sheriatit për ngjarjet dhe hadithet e fitneve!

error: Alert: Content is protected !!