You are here:--Kurani – Xhuzi 1a

Kurani – Xhuzi 1a

2018-03-21T22:39:24+00:00March 21st, 2018|Categories: Kuran|

Kurani – Xhuzi 1a

Përkthim me komentim në gjuhën shqipe

Ky është një përkthim i ri me komentim i Kuranit në gjuhën shqipe, i cili nuk është i pari, por lusim Allahun e Madhëruar që ta bëjë më të qëlluarin, më të saktin dhe më të dobishmin! Allahu është dhuruesi i suksesit dhe i Plotfuqishëm për gjithçka.

Pas vëzhgimit në versionet e përkthyera të Kuranit deri më tani nga njerëz me dije fetare dhe përkthyes të ndryshëm, shpërblimi i të cilëve është tek Allahu për të gjitha përpjekjet e tyre, dhe ata janë të falënderuar nga populli musliman shqiptar i cili uron që Allahu t’i shpërblejë me të mira të gjithë ata për mundin dhe kontributin e tyre, megjithatë bie në dukje fakti se një përkthim më i qëlluar për nga ana gjuhësore, kuptimore dhe ajo e komentimit ende nuk ekziston, ndërkohë që mundësia për të dalë në dritë një version më i saktë dhe më i plotë i përkthimit të Kuranit, me ndihmën dhe lejen e Allahut, ekziston. Dhe pikërisht kjo është ajo që duam të arrijmë me ndihmën e Allahut dhe duke shpresuar suksesin vetëm nga Ai.

Metoda e ndjekur në këtë përkthim është si më poshtë:

1. Kemi bërë krahasime ndërmjet shumicës së versioneve të përkthyera deri më tani, siç është përkthimi i H. Sherif Ahmetit, përkthimi i Prof. Hasan Nahit botuar nga “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam” 2006, përkthimi i Feti Mehdiut dhe përkthimi i “Darus Selam”.

2. Jemi kthyer tek librat nënë të tefsirit të Kuranit, si Tefsiri i Taberiut, i Kurtubiut, Ibën Kethirit. Si dhe në tefsirin e dijetarit Abdurrahman es Seadi (Allahu e mëshirfotë!), i cili e ka përfunduar tefsirin e tij në vitin 1344 H, dhe në tefsirin e dijetarit Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshirfotë!).

3. Kemi përdorur fjalorë të ndryshëm të gjuhës arabe, angleze dhe shqipe, për vendosjen e fjalës më të saktë dhe më të qëlluar në vendin e duhur.

4. Në rastet kur hasim në ndonjë problem apo kur ka më shumë se një mendim për domethënien apo komentimin e një fjale apo ajeti të caktuar, kthehemi zakonisht te tefsiri i Seadit dhe i Ibën Uthejminit, për shkak se këta konsiderohen dijetarë bashkëkohorë dhe tefsirët e tyre janë më përmbledhës, më të qartë në gjuhë dhe kanë zgjedhur në to mendimet më të sakta të selefëve dhe në përputhje me akiden e selefëve, edhe pse nuk pretendojmë se janë të pagabueshëm. Shpeshherë i kthehemi me pyetje drejtpërdrejtë dijetarëve dhe shejhave bashkëkohorë në Jordani dhe jashtë saj.

5. Përkthimi është i shoqëruar me komentim të shkurtër dhe përmbledhës, dhe në shumicën e rasteve është treguar vetëm domethënia dominuese tek dijetarët e tefsirit në lidhje me një ajet apo fjalë të caktuar. Të gjitha këto i kemi vendosur në shënimet poshtë faqes, dhe ndonjëherë kemi shënuar në kllapa titullin e librit nga është marrë ai komentim. Ndërsa në rastet kur nuk është shënuar burimi, duhet të dihet se ai është përfituar nga tefsiret e sipërpëmendura pa dalur asnjë herë prej tyre.

Allahut i mbështetemi dhe vetëm Atij i lutemi të na japë sukses, dhe ta bëjë këtë vepër të sinqertë vetëm për hir të Fytyrës së Tij! Lusim Allahun që kjo vepër t’u vijë në ndihmë muslimanëve shqiptarë dhe t’u bëjë dobi atyre për ta kuptuar sa më mirë dhe saktë Librin e Allahut dhe Shpalljen e Tij! Allahu është Zot i kësaj dhe i Plotfuqishëm për gjithçka.

Dr. Bledar Albani


SURJA EL FATIHA

 

Xhuzi[1] 1

Surja[2] 1, El Fatiha[3], Mekase[4], 7 ajete[5]

 

1. Me emrin e Allahut[6],

të Gjithëmëshirshmit[7], Mëshirëplotit[8]!

2. I gjithë lavdërimi i përket Allahut, Zotit[9] të të gjitha botëve[10],

3. të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,

4. Sunduesit të ditës së llogarisë.[11]

5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë e mbështetje[12].

6. Na udhëzo në rrugën e drejtë[13]!

7. Në rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar mirësi[14], jo të atyre që kanë merituar zemërimin (Tënd)[15] dhe as të atyre të cilët kanë humbur[16]!

-1-


[1] Xhuz do të thotë pjesë. Kurani është i ndarë në 30 xhuze.

[2] Sure do të thotë ndarje apo kapitull, dhe me këtë emër quhen vetëm suret e Kuranit. Kurani ka 114 sure.

[3] El Fatiha do të thotë: Hapja. Kjo sure është quajtur me këtë emër për shkak se Kurani hapet me të dhe me të fillohet leximi nga Kurani në namaz. Kjo sure është quajtur edhe me emra të tjerë, siç ka ardhur në hadith të saktë të transmetuar nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ajo (Fatihaja) është Nëna e Kuranit, Hapja e Librit dhe Shtatë të përsëriturat  (ajetet)” [Hadith i saktë. “Es Sahiha” 1183. E ka nxjerrë Darakutni 118, Bejhakiu 2/45].

[4] Mekase do të thotë që ka zbritur në Meke para emigrimit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Medine, ndërsa suret që kanë zbritur pas emigrimit janë quajtur sure Medinase.

[5] Ajet do të thotë shenjë. Ajetet janë quajtur kështu për shkak se ato janë shenja dalluese për ndarjen e një fjale, fjalie apo paragrafi nga një tjetër. Ose sepse ato janë si shenjat udhëzuese në rrugë.

[6] D.m.th. Filloj leximin me Emrin e Allahut. Kështu e ka mësuar Allahu të Dërguarin e Tij dhe të gjithë besimtarët, që para se të fillojnë çdo vepër apo thënie, ta fillojnë atë me Emrin e Allahut (Bismilah).

“Allah” është emër i përveçëm nga emrat e Zotit që do të thotë: i hyjnizuar dhe i adhuruar nga të gjitha krijesat.

[7] Mëshirues i të gjitha krijesave në këtë botë dhe në botën tjetër.

[8] Mëshirues i besimtarëve posaçërisht, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[9] Krijuesi, Rregulluesi, Zotëruesi i Pashoq dhe i Pashembullt. Kjo është domethënia e fjalës “Rabb”.

[10] Prej njerëzve dhe xhinëve, brez pas brezi, si dhe të gjitha krijesave në të gjitha kohërat.

[11] Askush tjetër nuk zotëron asnjë gjykim dhe asgjë atë ditë, ditën e llogarisë dhe shpërblimit për veprat e bëra në këtë botë, ditën e gjykimit.

[12] Në adhurimin tonë për Ty dhe në të gjitha çështjet tona, dhe nuk i mbështetemi askujt tjetër.

[13] Dhe na mundëso qëndrueshmërinë në të. Rruga e drejtë është Islami, feja e Allahut në të cilin nuk ka kthesë as shtrembërim.

[14] Të binden dhe të adhurojnë vetëm Ty. E ata janë: engjëjt, pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe vepërmirët. [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[15] Ata janë çifutët, të cilët e dinë të vërtetën dhe veprojnë të kundërtën e saj.

[16] Ata janë të krishterët, të cilët nuk janë udhëzuar tek e vërteta por veprojnë pa dije.


SURJA EL BEKARE

Surja 2, Medinase, 286 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

1. Elif, lam, mim.[17]

2. Ky është libri[18] në të cilin nuk ka pikë dyshimi[19], udhëzues për të devotshmit[20].

3. Ata të cilët besojnë në të fshehtën[21], kryejnë faljen[22] dhe shpenzojnë nga ajo që Ne u kemi furnizuar[23].

4. Ata të cilët besojnë në atë që të është zbritur ty[24] (O Muhamed) dhe atë që është zbritur para teje[25], dhe besojnë me bindje të plotë në botën tjetër.[26]

5. Ata janë të udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre[27] dhe ata janë të shpëtuarit[28].

-2-


[17] Këto janë germa prej germave të alfabetit arab. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

[18] Kurani, të cilin Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), të ndarë në një periudhë kohore prej 23 vjetësh.

[19] Se është nga Allahu.

[20] Besimtarët, të cilët i ruhen Allahut me ruajtjen prej ndalesave të Tij dhe me kryerjen e urdhrave të Tij.

[21] E fshehta (el Gajb) është ajo gjë të cilën njerëzit nuk e shohin, por për ekzistimin e saj ka njoftuar Allahu në Kuran; siç janë engjëjt, pejgamberët, ringjallja pas vdekjes, dita e gjykimit, xheneti dhe xhehenemi, etj.

[22] Kryejnë rregullisht faljen e detyrueshme, pesë herë në një ditë-natë, në atë formë që është përcjellë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[23] Nxjerrin zekatin e pasurive të tyre dhe shpenzojnë për ata ndaj të cilëve kanë detyrime.

[24] Ajo që i është zbritur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është Kurani dhe Suneti (tradita pejgamberike).

[25] Të gjitha librat dhe fletushkat qiellore të mëparshme, të cilat Allahu ua ka zbritur Pejgamberëve të mëparshëm, si: Teurati, Zeburi, Inxhili, fletushkat e Ibrahimit dhe Musait.

[26] Besojnë bindshëm në jetën në botën tjetër, në ringjallje, në llogari, në peshojë, në shpërblim e dënim, etj.

[27] Ata janë në dritë nga Zoti i tyre dhe të qëndrueshëm në atë që u ka ardhur nga Ai, si rezultat i suksesit të dhënë nga Allahu dhe mundësimit nga Ai.

[28] Të fituarit, të cilët arritën atë që kërkonin tek Allahu i Lartësuar me besimin dhe veprat e tyre, prej fitimit të shpërblimit, përjetësisë në kopshtet e xhenetit dhe shpëtimit nga dënimi që Allahu ka përgatitur për armiqtë e Tij.


6. Ndërsa për ata të cilët mohuan[29] është njësoj si t’i këshillosh apo të mos i këshillosh, ata përsëri nuk besojnë[30].

7. Allahu ua ka vulosur zemrat[31] dhe dëgjimin atyre, ndërsa në sytë e tyre ka perde[32], dhe ata kanë dënim të madh.

8. Disa njerëz[33] thonë: “Ne kemi besuar në Allahun dhe në ditën e fundit[34]”, por në realitet ata nuk janë besimtarë.

9. Ata kërkojnë të mashtrojnë  Allahun dhe ata që kanë besuar[35], por në të vërtetë nuk mashtrojnë veçse vetveten, por nuk e ndiejnë.

10. Në zemrat e tyre ka sëmundje[36] dhe Allahu ua ka shtuar edhe më shumë sëmundjen. Ata kanë dënim të dhimbshëm për shkak se gënjejnë[37].

11. Kur atyre u thuhet: “Mos prishni[38] në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi vetëm rregullues e pajtues[39]”.

12. Nuk është ashtu! Në të vërtetë, pikërisht ata janë prishësit, por nuk e ndiejnë.

13. Dhe kur u thuhet: “Besoni ashtu si kanë besuar njerëzit[40]!”, ata thonë: “A të besojmë ashtu siç besojnë mendjelehtët?” Nuk është ashtu! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë.

14. Ndërsa kur takojnë ata të cilët kanë besuar, u thonë: “Ne besojmë”, por kur veçohen tek shejtanët[41] e tyre, thonë: “Në të vërtetë ne jemi me ju[42]. Ne vetëm sa tallemi me ta.”

15. Allahu tallet me ta[43] dhe i lë (të jetojnë) që të sorollaten edhe më shumë në humbjen dhe mosbesimin e tyre.

16. Këta janë ata të cilët e kanë blerë humbjen me udhëzimin[44], por tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk ditën të zgjedhin.

-3-


[29] Mohuan profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e fshehën çështjen e tij nga njerëzit, megjithëse e njihnin atë ashtu siç njihnin bijtë e tyre, sepse e kishin të shënuar në librin e tyre, në Teurat. Kështu vepruan priftërinjtë çifut të cilët ndodheshin në Medine, në kohën e ardhjes së Muhamedit.

[30] Ata kanë mohuar edhe më parë atë që u ka ardhur nga Zoti i tyre duke qenë se e dinin mirë se ishte nga Zoti, kështu që si do ta dëgjojnë këshillën dhe paralajmërimin tënd, ndërkohë që ata kanë mohuar edhe vetë librin e tyre ku flitet për ty, o Muhamed.

[31] Kur gjynahet pasojnë njëri-tjetrin, ato e mbyllin zemrën dhe kur zemra mbyllet, asaj i vjen vulosja nga Allahu i Madhëruar, kështu që besimi nuk gjen rrugë për në zemrat e tyre dhe as mohimi nuk gjen rrugë për të dalë.

[32] Kështu që nuk e shohin rrugën e drejtë dhe të vërtetë, dhe as të shtrembëtën në të cilën ata janë.

[33] Ajetet në vijim kanë zbritur në lidhje me disa njerëz hipokritë të cilët gjendeshin në Medine në fillim të Islamit, megjithatë ato bëjnë fjalë për cilësitë e hipokritëve në çdo kohë.

[34] D.m.th. ditën e kiametit, ditën e ringjalljes. Është quajtur “dita e fundit” për shkak se pas saj nuk ka më ditë-natë.

[35] Me shprehjen e besimit me gjuhë duke qenë se në zemër fshehin dyshim dhe përgënjeshtrim. Këtë e bëjnë nga frika dhe për t’i shpëtuar ligjit të Allahut të Madhëruar në lidhje me përgënjeshtruesit. Ky është mashtrimi që ata bëjnë.

[36] Sëmundje dyshimi në besim dhe në fe, në të besuarit e Muhamedit dhe në atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[37] Kur thonë se besojnë në Allahun dhe në ditën e fundit.

[38] Prishja është: mosbesimi, kryerja e ndalesave të Allahut dhe humbja e atyre që Ai ka urdhëruar të ruhen.

[39] Duam të pajtojmë mes dy grupeve: besimtarëve muslimanë dhe ithtarëve të librit (çifutëve e të krishterëve).

[40] Janë për qëllim shokët e Muhamedit, si dhe të gjithë ata që e besojnë atë dhe mesazhin e tij të ardhur nga Allahu.

[41] Kokat dhe shokët e tyre në mosbindje, mosbesim, idhujtari, prishje e në çdo të keqe.

[42] Në fenë tuaj dhe ndihmësit tuaj kundër Muhamedit dhe shokëve të tij, kundër besimtarëve.

[43] Tallja është vepra apo fjala e shfaqur nga tallësi para atij që kërkon të tallë, duke pasur për qëllim ta mashtrojë, ta gënjejë dhe ta fusë në kurth. Por në të vërtetë Allahu tallet me hipokritët si ndëshkim për ta; duke qenë se Ai ka caktuar ligje për ta në këtë botë, sipas të cilave ata gjykohen me atë që shfaqin prej besimit Islam, edhe pse mbajnë fshehur të kundërtën e tij. Por kur të ringjallen në botën tjetër bashkë me muslimanët dhe kur të mendojnë se do të futen me ta në xhenet, Allahu do t’i ndajë ata nga miqtë e Tij, dhe do t’i fusë ata në skajin më të thellë të zjarrit, duke u tallur me ta, duke i mashtruar dhe duke i futur në kurth. Por kjo cilësi e Allahut, është në vendin e saj dhe e drejtë, sipas asaj që ata meritojnë dhe jo tallje e padrejtë. Allahu ka cilësitë më të larta, më të përsosura dhe vetëm pozitive, ndryshe nga krijesat e Tij dhe shumë më të larta nga ato që njerëzit i përshkruajnë. [Taberiu].

[44] Zgjodhën humbjen dhe lanë udhëzimin, ndërruan besimin me mosbesimin pasi u urdhëruan të besonin.


17. Shembulli i tyre është njësoj si shembulli i atij që ndez një zjarr, dhe pikërisht kur ai zjarr ndriçon gjithçka përreth, Allahu ua merr dritën dhe i lë në errësira, e ata nuk shohin[45].

18. Të  shurdhër, memecë e të verbër[46], kështu që nuk kthehen[47].

19. Ose si një shtrëngatë nga qielli[48], me errësirë, gjëmim e shkreptimë, e prej frikës së vdekjes nga rrufeja, ata i fusin gishtat në veshët e tyre, por Allahu i ka gjithnjë në dorë mosbesimtarët[49].

20. Shkreptima gati sa nuk ua merr të pamurit. Sa herë që ajo u bën dritë atyre, ata ecin në të, ndërsa kur i lë në errësirë, ata mbesin në vend[50]. E sikur të donte Allahu, do t’ua kishte marrë të dëgjuarit dhe të pamurit. Vërtetë që Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka.

21. O njerëz! Adhurojeni[51] Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që kanë qenë para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm[52].

22. I Cili për ju e ka bërë tokën shtrat[53] dhe qiellin tavan[54], e nga qielli Ai zbret ujë (shi) me të cilin nxjerr prej fryteve të ndryshme furnizim për ju. Kështu që mos i bëni shokë Allahut duke qenë se e dini[55].

23. E në qoftë se jeni në dyshim për këtë që i kemi zbritur robit Tonë, atëherë sillni një sure të ngjashme me të dhe thërrisni edhe dëshmitarët[56] tuaj përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë.

24. Por përderisa nuk e keni bërë dhe as që keni për ta bërë kurrë, atëherë[57]ruajuni zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët; i përgatitur për mohuesit.

-4-


[45] Shembulli i ndriçimit të hipokritëve me shfaqjen e Islamit me gjuhët e tyre duke u thënë besimtarëve se besojnë Allahun dhe ditën e fundit, gjë me të cilën ata u përfshinë në gjykimin e përgjithshëm të njëjtë me muslimanët në dynja, duke ruajtur gjakun, pasuritë dhe sigurimin e fëmijëve nga robërimi, si dhe në martesë e trashëgimi; shembulli i tyre në të gjithë këtë është si shembulli i atij që ndez një zjarr dhe ndriçohet me të, dhe pikërisht kur zjarri ndriçon vendin përreth, ai fiket dhe i ikën drita, duke e lënë njeriun në errësirë dhe frikë. Kjo sepse hipokriti vazhdon të ndriçohet me dritën e fjalës me të cilën ai ka ruajtur jetën dhe robërinë, edhe pse fsheh të kundërtën e saj dhe mendon se mashtron Allahun, të dërguarin e Tij dhe besimtarët, por kur të kthehet tek Zoti i tij në botën tjetër dhe duke menduar se do të shpëtojë nga Ai ashtu si shpëtoi në dynja me gënjeshtër e hipokrizi, ai mbet në errësirë dhe e pret dënimi i dhimbshëm, siç thotë Allahu në suren “El Hadid”, 13-15. [Taberiu].

[46] Nuk e dëgjojnë të vërtetën, nuk e shprehin atë me gjuhët e tyre dhe nuk e shohin atë që të mund ta meditonin, pasi që Allahu ua ka vulosur zemrat atyre për shkak të hipokrizisë së tyre dhe ata nuk udhëzohen.

[47] Nga humbja në udhëzim dhe nuk pendohen nga hipokrizia e tyre.

[48] Shembulli i ndriçimit të hipokritëve me dritën e pranimit të Islamit me gjuhët e tyre duke mbajtur fshehur mosbesimin, është si shembulli i ndriçimit të atij që ndez një zjarr, në formën e përshkruar nga Allahu i Madhëruar më sipër, ose si shembulli i një shiu të rrëmbyeshëm që vjen nga qielli, në një natë të errët pus, e cila simbolizon mosbesimin, humbjen dhe hipokrizinë e tyre.

[49] Do t’i bashkojë të gjithë në xhehenem.

[50] Shkreptima simbolizon besimin e tyre të jashtëm, i cili u siguron atyre disa përfitime të kësaj dynjaje, dhe sa herë që ata i shohin këto përfitime, vazhdojnë dhe ecin në atë rrugë, ndërsa kur nuk shohin ndonjë interes në Islam; kur Allahu i sprovon robët e Tij besimtarë me ndonjë fatkeqësi, ata qëndrojnë në hipokrizinë dhe në humbjen e tyre.

[51] Allahu i urdhëron të gjithë njerëzit që të njësojnë Allahun duke adhuruar vetëm Atë, duke iu përulur dhe nënshtruar vetëm Atij, duke e veçuar Atë si të vetmin Zot, Krijues, Rregullues dhe Zotërues të gjithçkaje.

[52] T’i ruheni Allahut dhe dënimit të Tij duke adhuruar vetëm Atë dhe duke iu bindur Atij.

[53] D.m.th: të rrafshët dhe të përshtatshme për të ecur, qëndruar e jetuar mbi të.

[54] Qielli është quajtur “sema” – i ngritur, për shkak se ai është i ngritur lartë tokës dhe krijesave që gjenden në të, dhe ai (qielli) është si tavan dhe kupolë për tokën.

[55] E dini që nuk ka Zot tjetër që t’ju ketë krijuar e t’ju furnizojë përveç Allahut, dhe e dini se ajo në të cilën iu thërret Pejgamberi (Muhamedi) është e vërteta në të cilën nuk ka dyshim.

[56] Ndihmuesit dhe shokët tuaj në përgënjeshtrimin e Allahut dhe të Pejgamberit që t’ju ndihmojnë në formulimin e një sureje të ngjashme me Kuranin.

[57] Atëherë iu është bërë e qartë e vërteta, prandaj ruajuni zjarrit… [Tabariu; nga Ibën Abasi].


25.  Ndërsa ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira përgëzoi se do të kenë xhenete (kopështe) nën të cilët rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre u jepet furnizim nga ndonjë fryt i atyre (xheneteve), ata thonë: “Ky është si ai që kemi ngrënë edhe më parë[58]!” Ngaqë u jepen fryte të ngjashme[59]. Ata do të kenë në to edhe bashkëshorte të pastra[60] dhe ata do të jenë përgjithmonë në to (xhenete).

26. Allahu nuk e ka për turp të sjellë si shembull qoftë duke filluar nga një mushkonjë e deri në diçka më të lartë se ajo[61]. Sa për ata të cilët kanë besuar, ata e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan thonë: “Çfarë ka pasur për qëllim Allahu me këtë si shembull?” Me të (shembullin e mësipërm) Ai humb shumë[62] dhe udhëzon shumë (të tjerë), por nuk humb me të veçse të pabindurit.

27. Ata të cilët[63] thyejnë besën e dhënë Allahut pas lidhjes së saj[64], shkëpusin ato për të cilat Allahu ka urdhëruar që të mbahen lidhur[65] dhe bëjnë prishje[66]në tokë. Këta janë të humburit.

28. Si mund ta mohoni Allahun kur dihet se keni qenë të vdekur[67] dhe Ai iu dha jetë, pastaj iu vdes, pastaj iu ringjall[68], pastaj ktheheni tek Ai[69]?

29. Është Ai i Cili për ju e krijoi gjithçka që gjendet në tokë[70], pastaj synoi[71]qiellin dhe e përsosi atë (duke e ndarë) në shtatë qiej[72]. Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.

-5-


[58] Në dynja.

[59] Në ngjyrë dhe emër, por jo në shije, ose vetëm në emër dhe në asnjë cilësi tjetër.

[60] Nga çdo e metë, mangësi a neveri, si: të përmuajshmet, lehonia, jashtëqitja, etj.

[61] Në madhësi, fuqi, etj. Allahu nuk e ka për turp që për të vërtetën të sjellë shembuj të mëdhenj apo të vegjël, për të sprovuar me të robët e Tij, me qëllim që të dallohen besimtarët nga mosbesimtarët, dhe si humbje nga Ai për disa njerëz dhe udhëzim nga Ai për të tjerë. Thuhet gjithashtu se Allahu e ka sjellë këtë shembull për të krahasuar dynjanë me mushkonjën e cila vazhdon të jetojë përderisa është e uritur, dhe kur ngopet, ngordh. Po kështu edhe këta njerëz për të cilët Allahu e ka sjellë këtë shembull, kur ngopen dhe mbushen nga dynjaja, Allahu i merr ata befasisht.

[62] Prej krijesave të Tij; d.m.th. hipokritët dhe mohuesit.

[63] Mohuesit dhe hipokritët prej çifutëve dhe të gjithë njerëzve që kanë këto cilësi të përmendura më sipër duke filluar që nga ajeti nr. 6 deri në ajetin nr. 20.

[64] Besën e dhënë Allahut në librat e zbritur nga Ai tek të dërguarit e Tij tek ata dhe me gjuhën e të dërguarve të Tij: se do të ndjekin Muhamedin dhe mesazhin e tij nga Allahu, do t’i binden Allahut në atë që u ka bërë detyrim në Teurat: se do t’ia sqarojnë njerëzve çështjen e Muhamedit dhe do t’i njoftojnë ata se e gjejnë atë të shënuar në librin e tyre dhe se ai është i dërguar nga Allahu dhe se bindja ndaj tij është e detyrueshme. Këtë nuk do ta fshehnin në asnjë mënyrë, por ata e thyen besën e dhënë. Në përmbajtjen e këtij ajeti përfshihen të gjithë ata që kanë cilësitë e këtyre prishësve prej hipokritëve dhe mohuesve; në thyerjen e besës, shkëputjen e lidhjeve familjare dhe prishjen në tokë.

[65] Lidhjet familjare, të drejtat e të afërmve dhe çdo gjë që Allahu ka urdhëruar të mbahet.

[66] Mohojnë Allahun, përgënjeshtrojnë të dërguarin dhe e mohojnë profetësinë e tij, kundërshtojnë Allahun dhe mohojnë të vërtetën që iu ka ardhur nga Allahu.

[67] Nuk keni qenë asgjë, nuk keni pas ekzistuar në dynja, nuk njiheshit e nuk përmendeshit.

[68] Në ditën e ringjalljes në botën tjetër.

[69] Sepse Allahu i ringjall njerëzit në varret e tyre para se të mblidhen në tokën e mahsherit dhe të dalin para Tij për të dhënë llogari.

[70] Duke nënshtruar gjithçka për njeriun që t’i shërbejë atij.

[71] Për domethënien e fjalës “isteva ila” ka dy mendime tek dijetarët e Ehli Sunetit. Imam Taberiu ka zgjedhur domethënien “u ngrit dhe u lartësua”, njësoj si kuptimi i fjalës “Isteva ala”, ndërsa Ibën Kethiri ka zgjedhur domethënien “synoi”. Shejh Abdurrahman es Seadi, në tefsirin e tij, ka zgjedhur fjalën e Ibën Kethirit, dhe po kështu Ibën uthejmin i ka dhënë epërsi mendimit të Ibën Kethirit, se në këtë rast vjen me kuptimin “synoi” (kasade), e Allahu e di më mirë.

[72] D.m.th: pasi përsosi tokën dhe e bëri atë të përshtashme për njeriun me gjithçka i duhej atij, si mirësi nga Allahu dhe mëshirë prej Tij, Allahu i Lartësuar rregulloi dhe përsosi qiellin duke e ndarë atë në shtatë qiej të përsosur dhe të rregullt, me fuqinë, vullnetin dhe dijen e Tij absolute.


30. Dhe kur[73] Zoti yt u tha engjëjve[74]: “Unë do të vendos një zëvendës të trashëgueshëm[75] në tokë”, ata thanë: “A do të vendosësh në të dikë që  bën prishje në të dhe derdh gjakrat[76], ndërsa ne të madhërojmë Ty me lavdërim dhe të shenjtërojmë[77] Ty?” Ai tha: “Unë di çfarë nuk dini ju[78].”

31. Dhe ia mësoi Ademit[79] të gjitha emrat (e gjërave), pastaj ua paraqiti ato engjëjve dhe u tha: “M’i tregoni emrat e këtyre, nëse jeni të saktë[80].”

32. “Lavdi të qoftë Ty!”, -thanë ata- “ne nuk dimë veçse atë që na ke mësuar Ti[81]. Vetëm Ti je i Gjithëdijshmi, më i Urti.”

33. Ai tha: “O Adem! Tregoja atyre emrat e tyre.” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, (Allahu) tha: “A nuk u kam thënë se Unë e di të fshehtën e qiejve dhe të tokës, dhe e di atë që ju shfaqni dhe atë që e mbani fshehur[82]?”

34. Dhe kur[83] u thamë engjëjve: “Bëni sexhde[84] për Ademin!”, ata menjëherë ranë në sexhde me përjashtim të Iblisit[85], i cili refuzoi, bëri mendjemadhësi dhe ishte prej mohuesve[86].

35. Pastaj thamë: “O Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet dhe hani prej tij sa të doni e ku të doni, por mos iu afroni kësaj peme[87], se përndryshe bëheni prej të padrejtëve[88].

36. Por shejtani i shtyu ata të dy që të gabonin në të[89] dhe i nxori[90] ata nga ajo ku ishin. Ne u thamë: “Zbritni! Ju jeni armiq të njëri-tjetrit. Në tokë do të keni vendqëndrim dhe jetesë deri në një kohë të caktuar.[91]

37. Ademi pranoi disa fjalë nga Zoti i tij[92], e Ai e fali atë. Vërtet që vetëm Ai është Pranuesi i Madh i pendimit[93], Mëshirëploti.

-6-


[73] Kujtoju atyre edhe këtë mirësi që Allahu ia dha njeriut, kur që para shumë kohësh u tha engjëjve …

[74] Allahu i ka krijuar engjëjt nga drita dhe ata janë quajtur me emrin “Melaike” për shkak të mesazhit që përcjellin nga Allahu tek pejgamberët dhe robërit e Tij ku Ai i dërgon ata.

[75] Ademin si zëvendës të Allahut në zbatimin e urdhrit të Tij në tokë, dhe njëkohësisht i trashëgueshëm nga bijtë e tij, të cilët edhe ata do të trashëgojnë njëri-tjetrin deri në ditën e Kiametit.

[76] Për komentimin e kësaj fjale të engjëjve ka disa transmetime. Mendimi më i saktë është fjala se engjëjt i kërkojnë Allahut t’u tregojë: “A po vendos në tokë krijesa me cilësi të tilla (që prishin dhe derdhin gjak), duke mos pasur për qëllim Ademin por disa prej pasardhësve të tij, dhe nuk na bën ne zëvendësit e Tu në tokë, ndërkohë që ne të madhërojmë Ty me lavdërim dhe shenjtërim?” Por nuk kanë për qëllim të kundërshtojnë diçka të tillë. Engjëjt e mësuan se njeriu do të bënte prishje dhe derdhje gjaku në tokë me njoftimin e Allahut, sepse ata nuk dinë nga e fshehta veçse atë që u tregon Allahu.

[77] Të pastrojmë nga të metat, të lartësojmë, të madhërojmë në formën më të plotë.

[78] Prej gjërave që engjëjt nuk dinin ishte se në mesin e tyre gjendej edhe Iblisi (djalli, shejtani), i cili fshihte brenda vetes kundërshtimin e parë që iu bë urdhrit të Allahut, mendjemadhësinë. Gjithashtu engjëjt nuk e dinin se prej njerëzve do të kishte pejgamberë, të sinqertë, dëshmorë dhe vepërmirë, të cilët do ia kalonin atyre për nga grada dhe vendi që kanë tek Allahu.

[79] Njeriut të parë, i cili u quajt Adem për sepse u krijua nga dheu i marrë në vende të ndryshme nga sipërfaqja e tokës.

[80] Në fjalën tuaj se me vendosjen e njeriut në tokë, pasardhësit e tij do të bëjnë prishje dhe gjakderdhje, ndërsa sikur të na vendosësh ne atje, do të adhurojmë, madhërojmë, do të bindemi plotësisht dhe nuk do ta thyejmë Urdhrin Tënd.

[81] Engjëjt u tërhoqën menjëherë nga fjala që thanë duke madhëruar Allahun dhe duke e pastruar Atë nga të diturit e tyre diçka që të mos ja ketë mësuar Ai. Pastaj thanë se Allahu është i Vetmi, dija e të Cilit nuk është e përfituar dhe as e mësuar nga dikush tjetër, por dije absolute dhe gjithëpërfshirëse.

[82] Në lidhje me atë që engjëjt mbanin fshehur ka dy komentime: I pari: Është për qëllim ajo që fshihte Iblisi, i cili në atë kohë ishte në mesin e engjëjve. I dyti: Kur engjëjt mësuan se Allahu do të krijojë një krijesë të re, i thanë njëri-tjetrit në fshehtësi se Allahu nuk ka për të krijuar krijesë më të nderuar dhe me vend më të lartë tek Ai se sa ata. Komentimi i parë është përcjellë nga Ibën Abasi ndërsa i dyti nga El Hasen dhe Katade. Më i saktë është mendimi i parë për shkak se është i argumentuar dhe atë e përkrahin edhe ajetet në vijim.

[83] Kujtoni gjithashtu që prej mirësive të Mia ndaj jush është se e nderova babanë tuaj duke urdhëruar engjëjt që të bëjnë sexhde para tij, në shenjë nderimi për të, dhe jo adhurimi.

[84] Sexhde quhet përkulja dhe vendosja e ballit dhe hundës në tokë.

[85] Iblis do të thotë: i pashpresë. Allahu e ka nxjerrë atë nga çdo e mirë dhe e ka bërë djall të mallkuar për shkak të gjynahut të tij. Ai është krijuar nga flaka e zjarrit dhe nuk është prej engjëjve por prej xhinëve.

[86] Prej mohuesve të mirësive të Allahut me kundërshtimin e urdhrit për t’ju përulur Ademit.

[87] Mos hani prej frutave të saj. Emri i asaj peme nuk është përmendur në ndonjë tekst Kuranor apo Hadith.

[88] Ndiqni rrugën e atyre që i kalojnë kufijtë e mi, kundërshtojnë urdhrin Tim dhe bëjnë të lejuara ndalesat e Mia.

[89] Në lidhje me pemën, duke i mashtruar që të hanin prej frutave të saj.

[90] U bë shkak që Allahu t’i nxjerrë ata nga e mira në të cilën ishin në xhenet.

[91] Do të jetoni dhe do të furnizoheni në të brez pas brezi deri në ditën e kiametit.

[92] Allahu i paraqiti Ademit disa fjalë dhe ai i pranoi ato i penduar, dhe Allahu ia pranoi atij pendimin dhe ia fali gabimin me shqiptimin dhe pranimin e atyre fjalëve. Kurani bën shenjë se fjalët e pranuara nga Ademi janë ato që thuhen në ajetin: “O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetvetes dhe nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, atëherë do të jemi prej të humburve.” [El Araf, 23].

[93] I Cili e pranon pendimin e robërve të Tij mëkatarë të kthyer tek Ai për t’iu bindur dhe të penduar pas gjynahut të kryer, dhe i fal gjynahet e tyre duke mos i dënuar për to, si mirësi tjetër nga mëshira e Tij e madhe.


38. Ne u thamë: “Zbritni që të gjithë[94] prej tij (xhenetit), dhe sigurisht që do t’ju vijë udhëzim[95] prej Meje; dhe kushdo që e ndjek udhëzimin Tim, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengosen[96].”

39. Ndërsa ata të cilët mohojnë dhe përgënjeshtrojnë shenjat[97] Tona, pikërisht ata janë banorët e zjarrit. Ata do të jenë në të përgjithmonë[98].

40. O bijtë e Israilit[99]! Kujtoni mirësinë Time[100] ndaj jush dhe mbani besën që më keni dhënë[101], që edhe Unë të mbaj premtimin[102] që ju kam dhënë, dhe vetëm Mua më kini frikë.

41. Besoni atë që kam zbritur (Kuranin), i cili është vërtetues i atij që keni ju[103], dhe mos u bëni mohuesit e parë të tij (Kuranit), as mos i shkëmbeni ajetet e Mia për një vlerë të pakët dhe vetëm Mua të ma kini frikën.

42. Mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe të fshihni të vërtetën duke qenë se e dini.[104]

43. Falni namazin, jepni zekatin[105] dhe përuluni[106] bashkë me ata që përulen.

44. A i urdhëroni njerëzit për punë të mira ndërsa veten tuaj e harroni, ndërkohë që ju lexoni edhe Librin (Teuratin)? A nuk logjikoni?

45. Kërkoni ndihmë me durimin[107] dhe namazin, megjithëse kjo është e madhe, por jo edhe për të përulurit[108],

46. të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.

47. O bijtë e Israilit! Kujtoni mirësinë Time ndaj jush, kur iu favorizova ndaj të gjitha krijesave[109].

48. Dhe kini frikë atë ditë kur askush nuk mund t’i shlyejë askujt asgjë[110], as nuk pranohet ndërmjetësimi i ndokujt[111], as nuk merret shpërblesë nga askush dhe as nuk do të ndihmohen.

-7-


[94] Ademi, Havaja dhe Iblisi.

[95] Sqarim për urdhrin Tim dhe bindjen ndaj Meje dhe udhëzim në rrugën dhe fenë Time. Kjo do t’ju vijë me anë të të dërguarve dhe pejgamberëve të Mi.

[96] Nuk do të kenë frikë nga tmerret e ditës së Kiametit dhe nga dënimi i Allahut, për shkak se iu bindën Allahut në dynja dhe ndoqën udhëzimin dhe rrugën e Tij, dhe nuk do të brengosen për atë që kanë lënë mbrapa në dynja pas vdekjes.

[97] Shenjat e Allahut janë argumentet dhe provat e Tij për Njëshmërinë dhe Hyjnizimin e Tij, si dhe shenjat dhe dëshmitë me të cilat kanë ardhur pejgamberët e Allahut për vërtetimin e Njëshmërisë së Allahut dhe vërtetësisë së asaj që ata kanë njoftuar nga Zoti i tyre.

[98] Është fjala për banorët e përhershëm të zjarrit, pasi që do të ketë edhe njerëz të tjerë që do të hyjnë në zjarr si dënim për gjynahet e tyre dhe më pas do të dalin prej tij dhe do të hyjnë në xhenet. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sa për banorët e zjarrit të cilët janë banorët e tij, ata as vdesin në të dhe as jetojnë, por janë disa njerëz (njësues të Allahut, besimtarë) të cilët i ka kapur zjarri për shkak të gjynaheve të tyre dhe i vdes ata një të vdekur sa që kur bëhen prush, jepet lejë (nga Allahu) për ndërmjetësim. Pastaj sillen torbe-torbe (si plaçkat) dhe përhapen mbi lumenjtë e xhenetit. Pastaj thuhet: “O banorë të xhenetit! Derdhni ujë mbi ta.” Atëherë mbijnë si fara e bishtajoreve mbi sjelljet e lumit.” [Muslimi, 458].

[99] Bijtë e pejgamberit Jakub, birit të Is’hakut, birit të Ibrahimit, (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Jakubi u quajt Israil me kuptimin: Rob i Allahut dhe i zgjedhuri i Allahut nga mesi i krijesave të Tij.

[100] Mirësitë e Allahut ndaj bijve të Israilit kanë qenë të shumta; prej tyre është se Ai ka zgjedhur pejgamberë prej tyre, u ka dërguar Libra, i ka shpëtuar nga vuajtjet dhe mjerimet e shkaktuara nga Faraoni dhe populli i tij, etj.

[101] Besa e dhënë nga ata është përmendur edhe më parë në ajetin 27; se ata do t’ua sqaronin njerëzve çështjen e  Muhamedit se ai është pejgamber dhe se ata e gjejnë atë të shënuar në librin e tyre, në Teurat, dhe se do ta besojnë dhe do ta pasojnë atë.

[102] Premtimi i Allahut është se do t’i fusë në xhenet n.q.s. ata e përmbushin besën që i kanë dhënë Allahut.

[103] I Teuratit dhe Inxhilit. Nëse ju besoni Kuranin, keni besuar edhe Teuratin e Inxhilin, e në të kundërt: nëse e përgënjeshtroni Kuranin, keni përgënjeshtruar edhe Teuratin e Inxhilin që keni në duar, për shkak se ajo që thuhet në Kuran për profetësinë e Muhamedit dhe urdhëri për pasimin e tij, thuhet edhe në Teurat dhe Inxhil, kështu që kush e përgënjeshtron Kuranin, ka përgënjeshtruar edhe Teuratin e Inxhilin.

[104] Mos ia ngatërroni njerëzve çështjen e Muhamedit, o rabinë të ithtarëve të Librit, dhe mos e fshihni atë që gjeni në librin tuaj në lidhje me të, duke qenë se ju e dini të vërtetën; e dini se Muhamedi është i Dërguari i Allahut për të gjithë njerëzimin dhe se ajo me të cilën ai ka ardhur është prej Allahut.

[105] Zekati është pastrimi i pasurisë dhe kultivimi i saj me dhënien e një pjese të caktuar si lëmoshë për ata që u takon.

[106] Nënshtrojuni Allahut me bindje ndaj Tij.

[107] Origjina e durimit është që t’ia ndalosh vetes epshet dhe dëshirat e saj.

[108] Besimtarët e vërtetë të cilët kanë frikë Allahun dhe dënimin e Tij.

[109] Të asaj kohe, kur u dërgonte pejgamberë, libra dhe u dha pushtet.

[110] Askush nuk shlyen borxhin e dikujt tjetër as nuk i bën dobi me asgjë, as prindi fëmijës dhe as fëmija prindit, pasi që kthimi i të drejtave në ditën e gjykimit do të jetë prej veprave të mira e të këqia.

[111] Allahu i drejtohet çifutëve prej bijve të Israilit me këtë ajet, të cilët thoshin: “Ne jemi bijtë e Allahut, të dashurit e Tij dhe bijtë e pejgamberëve të Tij, kështu që prindërit dhe të parët tanë kanë për të ndërmjetësuar tek Allahu për ne.” Atëherë Allahu i njoftoi ata se në ditën e gjykimit askush nuk i bën dobi askujt dhe as nuk ndërmjetëson për askënd, deri sa gjithsecili të marrë hakun e tij. Dhe kështu, Allahu ua hoqi shpresat atyre nga ajo që ata prisnin dhe dëshironin prej shpëtimit nga dënimi i Allahut, megjithë përgënjeshtrimin e asaj të vërtete që ata e mësuan dhe e dinin.

Por megjithëse shprehja e këtij ajeti është e përgjithshme, qëllimi i tij është i kufizuar për nga komentimi, për shkak se janë përcjellë hadithe nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili ka thënë: “Ndërmjetësimi im do të jetë për vepruesit e gjynaheve të mëdha nga ymeti im.” [Mishkatul Mesabih, 5598. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4739, Tirmidhiu 2435] Ai gjithashtu ka thënë: “Çdo pejgamberi i është dhënë e drejta e një lutjeje, ndërsa unë e ruajta lutjen time për të ndërmjetësuar për popullin tim, dhe ai (ndërmjetësimi im), me Lejën e Allahut, do të përfshijë prej tyre të gjithë ata të cilët vdesin dhe nuk i kanë bërë shok Allahut asgjë.” [Muslimi, 490]. Ndërsa në ajet përfshihen ata që vdesin duke qenë mosbesimtarë dhe pa u penduar tek Allahu i Madhëruar. [Taberiu].


49. Edhe kur[112] iu shpëtuam nga njerëzit e faraonit, të cilët iu shkaktonin juve vuajtjet më fyese: iu thernin bijtë tuaj ndërsa gratë tuaja i linin gjallë[113]. Padyshim që këtu kishte sprovë (mirësi) të madhe për ju nga Zoti juaj.

50. Edhe kur e ndamë detin[114] për ju dhe iu shpëtuam, ndërsa njerëzit e faraonit i mbytëm[115] dhe ju shihnit[116].

51. Edhe kur i caktuam takim Musait[117] për dyzet net, ndërsa ju morët viçin (për zot) pas tij[118] dhe ishit të padrejtë[119].

52. Por edhe pas kësaj Ne ua falëm juve me qëllim që të falënderoni.

53. Edhe kur[120] i dhamë Musait Librin[121] dhe Furkanin[122] me qëllim që të udhëzoheni[123].

54. Edhe kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Vërtet që ju i bëtë padrejtësi vetvetes me marrjen e viçit (për zot), ndaj kthehuni tek Krijuesi juaj me pendim dhe vritni vetët tuaja[124], kjo është më e mirë për ju tek Krijuesi juaj.” Dhe Ai ua pranoi pendimin juve. Vërtet që vetëm Ai është Pranuesi i Madh i pendimit, Mëshirëploti.

55. Edhe kur ju thatë: “O Musa! Ne nuk do të besojmë ty deri sa ta shohim Allahun hapur[125]!” Atëherë ju kapi  e befasishmja[126] dhe ju e shihnit (atë).

56. Më pas ju ringjallëm pas vdekjes tuaj me qëllim që të falënderoni.

57. Dhe retë i bëmë hije për ju, iu zbritëm lëng pemësh dhe thëllëza. Hani pra nga të mirat që u kemi furnizuar. Dhe ata nuk na bënë dëm Neve por i bënin dëm vetvetes.

-8-


[112] Kujtoni, o bijtë e Israilit, edhe mirësinë Time ndaj jush, kur …

[113] I thernin të posalindurit meshkuj dhe i linin gjallë ato që ishin femra, nga frika se prej bijve të Israilit do të dilte dikush që do ia merrte pushtetin faraonit.

[114] Duke hapur 12 rrugë në det për të kaluar 12 fiset e bijve të Israilit.

[115] Në det me mbylljen e rrugëve të hapura për popullin e Musait.

[116] Mrekullinë që u ndodhi atyre me ndarjen e detit në rrugë për t’i shpëtuar faraonit dhe mbylljen e atyre rrugëve që u hapën për të mbytur faraonin dhe njerëzit e tij.

[117] Që të shkonte në malin e Turit të fliste me Allahun dhe t’i shpallej Teurati.

[118] Pas ikjes së Musës në malin e Turit.

[119] Me vendosjen e adhurimit jo në vendin e vet, pasi që adhurimi i përket vetëm Allahut, ndërsa ju adhuruat viçin.

[120] Kujtoni gjithashtu mirësinë Time ndaj jush, kur…

[121] Teuratin.

[122] Dalluesin e të vërtetës nga e pavërteta. Kjo është cilësi e Teuratit dhe e të gjithë librave të zbritur nga Allahu.

[123] Me të, d.m.th. me Teuratin, i cili ishte dallues mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

[124] Duke vrarë njëri-tjetrin, dhe transmetohet se në këtë ngjarje janë vrarë 70 mijë prej tyre, sa që thuajse u shuan të gjithë. Me këtë vepër iu pranua pendimi dhe u falën të gjithë, të vrarët dhe ata që mbetën gjallë.

[125] Me sytë tanë dhe pa perde. Këtu, Allahu u kujton atyre (çifutëve) kundërshtimin e të parëve të tyre dhe mos qëndrimin drejt të tyre megjithë provat dhe argumentet që Allahu u sillte atyre. Me këtë ajet Allahu u bën të ditur çifutëve prej bijve të Israilit, të cilët ndodheshin në Medine në kohën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se me përgënjeshtrimin dhe mohimin e tyre, ata nuk do të jenë më tepër se paraardhësit e tyre, të cilët dilnin nga feja vazhdimisht.

[126] Dëgjuan zë të fortë, ose u ra tërmet apo zjarr dhe vdiqën të gjithë. Taberiu transmeton se këta që vdiqën ishin 70 burra të zgjedhur nga Musai (alejhi selam) për të shkuar në malin e Turit dhe të kërkonin falje për veprën e popullit të tyre. Këta i kërkuan Musait që të dëgjonin Fjalët e Zotit të tyre kur i fliste Musait dhe ai e bëri këtë, dhe ata e dëgjuan. Pastaj i kërkuan që ta shihnin Zotin me sytë e tyre… Pas vdekjes së tyre, Musai iu lut Allahut që t’i ringjallë ata


58. Edhe kur[127] ju thamë: “Hyni në këtë qytet[128] dhe hani prej tij ku të doni e sa të doni, por tek porta (e tij) hyni të përkulur[129] dhe thoni: “Falje!”,[130] e Ne t’ua falim[131] gjynahet dhe mirëbërësve do t’ua shtojmë shpërblimin[132].

59. Por ata të cilët vepruan padrejtësi e ndërruan me një tjetër fjalën që u ishte thënë[133]. Atëherë Ne zbritën ndëshkim nga qielli mbi ata të cilët vepruan padrejtësi, për shkak se ishin të pabindur.

60. Edhe kur Musai (na) kërkoi ujë për popullin e tij[134] dhe Ne i thamë: “Godite gurin[135] me shkopin tënd”, nga ai shpërthyen dymbëdhjetë burime, dhe secili grup[136] e dinte vendin e tij të pirjes[137]. Hani e pini nga furnizimi i Allahut dhe mos shkatërroni në tokë e të jeni prishës.

61. Edhe kur[138] ju thatë: “O Musa! Nuk do të durojmë vetëm një lloj ushqimi, ndaj lute Zotin tënd që të na nxjerrë nga ato që mbin toka prej bimëve të saj, trangujve, grurit, thjerrëzave dhe qepëve.” Ai (Musai) tha: “A kërkoni të ndërroni me më të ulët atë që është më e mirë? Atëherë zbritni në ndonjë qytet dhe keni për të gjetur atë që kërkoni.” Dhe kështu mbi ta u bë i detyrueshëm poshtërimi dhe skamja, dhe u kthyen duke marrë mbi vete zemërim nga Allahu. Kjo ngaqë ata i mohonin vazhdimisht shenjat e Allahut dhe i vritnin pejgamberët pa të drejtë, dhe kjo ngaqë kundërshtonin dhe vazhdonin t’i tejkalonin kufijtë.

-9-


[127] Kujtoni gjithashtu mirësinë Time ndaj jush, kur…

[128] Është fjala për Jerusalemin, Kudsin.

[129] Në sexhde apo në ruku.

[130] Hyrja jonë të përkulur në këtë portë është falje për gjynahet tona, apo: me qëllim që të na falen gjynahet.

[131] Do t’i mbulojmë gjynahet tuaja me mëshirë, do t’ua mbulojmë ato juve dhe nuk do t’i publikojmë as nuk do t’ju dënojmë për to.

[132] Kush ka qenë mirëbërës, do t’i shtohet shpërblimi tek Allahu dhe kush ka qenë gabimtar, do t’i falen gabimet. [Taberiu nga Ibën Abasi].

[133] Thanë fjalë tjetër nga ajo të cilën u urdhëruan të thonin. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bijve të Israilit iu tha: “tek porta (e Jerusalemit) hyni të përkulur dhe thoni: “Falje!”, ndërsa ata e ndryshuan fjalën dhe hynë duke u zvarritur me të ndenjurat e tyre dhe thanë: “farë në elb”, -apo: “farë në qime.” [Buhariu 3403, 4641 dhe Muslimi 7439]. Në një transmetim tjetër thuhet se: “ata filluan të hyjnë me prapanicat e tyre nga një derë e vogël (me qëllim që të përuleshin të detyruar nga dera dhe jo nga urdhri) dhe thonin: “Grurë”, duke u tallur.” [Taberiu nga Ibën Abasi].

[134] Në kohën kur ishin në shkretëtirë, Musai i kërkoi Allahut që të zbriste ujë për popullin e tij, Bijtë e Israilit.

[135] Një gur apo shkëmb nga mali i Turit, të cilin ata e mbartnin me vete.

[136] Bijtë e Israilit apo të Jakubit ishin dymbëdhjetë vëllezër ku secili prej tyre kishte familjen dhe pasardhësit e tij, duke formuar kështu dymbëdhjetë grupe njerëzish.

[137] Secili grup kishte burimin e tij të posaçëm në këtë gur dhe nuk i lejohej të pinte në burimin e grupit tjetër, ndërsa në burime të tjera, në kodra e fusha, ata mund të pinin lirisht së bashku.

[138] Kujtoni gjithashtu kohën kur të parët tuaj ishin në shkretëtirë dhe iu vinte ushqim i zgjedhur e i gatshëm nga qielli, ndërsa ata thanë…


62. Vërtet që ata të cilët kanë besuar[139]; ata të cilët kanë qenë jehudi[140], të krishterë[141] apo sabiunë[142], kushdo prej tyre që e ka pas besuar Allahun dhe ditën e fundit, dhe ka vepruar vepra të mira[143], ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk kanë për t’u pikëlluar.

63. Edhe kur[144] patëm marrë besën tuaj[145] dhe mbi ju ngritëm malin Tur[146]: “Merreni me seriozitet atë që iu dhamë[147] dhe përmendni ato që gjenden në të[148], në mënyrë që të ruheni[149].”

64. Pas kësaj ju kthyet shpinën[150] dhe sikur të mos ishte mirësia[151] e Allahut mbi ju dhe mëshira e Tij, padyshim që ju do të ishit prej të humburve.

65. Ju tashmë i njihni ata nga mesi juaj, të cilët e tejkaluan kufirin në ditën e shtunë[152] dhe Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përbuzur!”

66. Ne e bëmë këtë[153] si ndëshkim për të mëparshmet[154] dhe për të mëvonshmet[155], si dhe këshillë për të devotshmit.[156]

67. Edhe kur[157] Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë”[158], ata thanë: “A tallesh me ne?” Ai tha: “Allahu më ruajt nga të qenët prej injorantëve[159]!”

68. Ata thanë [160]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se cila është ajo?” Ai tha: “Ai (Allahu) thotë se ajo është një lopë jo shumë e vjetër dhe as mështjerrë, por e mesme. Zbatoni pra atë që ju urdhërohet.[161]

69. Ata thanë[162]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se çfarë ngjyre ka ajo?” Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë me ngjyrë të ndezur, e cila i kënaq shikuesit.”

-10-

Vijon … Xhuzi 1 b


[139] Kanë besuar të dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Allahu.

[140] Besimi i jehudëve ka qenë duke besuar në Musain (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në ndjekjen e rrugës së tij, deri sa erdhi Isa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur erdhi Isai, kushdo që kapej për Teuratin dhe rrugën e Musait, por nuk e ndiqte Isain, ai ishte i humbur.

[141] Besimi i të krishterëve ka qenë duke besuar në Isain (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në ndjekjen e rrugës së tij, deri sa erdhi Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur erdhi Muhamedi, kushdo që kapej për Inxhilin dhe rrugën e Isait, por nuk e ndiqte Muhamedin, ai ishte i humbur.

[142] Popull pa ndonjë fe, as çifutë dhe as të krishterë. Thuhet se adhuronin engjëjt.

[143] Ata jehudi,  të krishterë e sabiunë,  të cilët e kanë arritur Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nuk përfshihen në këtë ajet vetëm në rast se e besojnë Muhamedin dhe atë me të cilën ai është dërguar nga Allahu, besojnë botën tjetër dhe veprojnë vepra të mira, pastaj nuk ndryshojnë nga kjo dhe nuk ndërrojnë rrugë deri sa vdesin, këta do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre, siç përmendet në ajet.

[144] Kujtoni gjithashtu kur…

[145] Besa e marrë nga bijtë e Israilit do të përmendet më pas në ajetet 83-85, të kësaj sureje.

[146] Malin e Turit. Ata ishin në rrëzën e malit dhe ai iu ngrit atyre mbi kokë, si kërcënim.

[147] Veproni me përpjekje dhe pa neglizhim sipas asaj që thuhet në Teurat prej urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

[148] Prej premtimit dhe kërcënimit të ashpër.

[149] T’i ruheni dhe të keni frikë dënimin Tim, duke u kthyer nga kundërshtimi në bindje.

[150] E latë të vepruarit sipas asaj për të cilën morëm besën tuaj, se do të punonit me përpjekje dhe seriozitet.

[151] Sikur Allahu të mos ua pranonte pendimin pas shkeljes së besës nga ana juaj…

[152] Ata ishin ndaluar që të peshkonin në ditën e shtunë, ndërsa një grup prej tyre i hodhën rrjetat që ditën e xhuma dhe i mblodhën në ditën e djelë, gjë e cila tregon për shtrembërimin dhe arrogancën e tyre, duke menduar se do të talleshin me Allahun dhe do t’ja hidhnin Atij! Ndaj kujdes, o bijë të Israilit, që të mos bëni ashtu si bënë ata, dhe t’ju ndodhë ashtu si u ndodhi atyre!

[153] Dënimin dhe shndërrimin e tyre në majmunë, apo historinë e tyre…

[154] Gjynahet  dhe veprat e këqia të atyre njerëzve.

[155] Këtë dënim do të kenë edhe ata të cilët veprojnë si vepra e tyre pas tyre.

[156] Pas tyre.

[157] Kujtoni gjithashtu kohën kur…

[158] Shkaku që Musai u tha atyre këtë fjalë ishte se ata shkuan për gjykim tek ai për çështjen e një të vrari të cilit nuk i dihej vrasësi.

[159] Mendjelehtët të cilët i atribuojnë Allahut gënjeshtër dhe të pavërtetë.

[160] Pasi u bindën se Musai e kishte seriozisht atë që tha dhe se ajo ishte urdhër nga Zoti, ata thanë…

[161] Në mënyrë që duke ju bindur Allahut, të arrini te njohja e vrasësit që kërkoni.

[162] Për të mos u mjaftuar me urdhrin e parë që të therrnin një lopë prej lopëve, nga natyra e tyre e keqe, nga morali i tyre i ulët, nga mendimi i tyre i cekët dhe nga kokëfortësia  e tyre ndaj të dërguarit të Allahut, Musait (alejhi selam), ata kërkuan t’u përshkruhej lopa edhe më hollësisht. Atëherë Allahu i ndëshkoi ata duke e kufizuar urdhrin në therjen e një lope të veçantë, të cilën e gjetën me vështirësi dhe u kushtoi shumë.

error: Alert: Content is protected !!