You are here:--Kurani – Xhuzi 1b

Kurani – Xhuzi 1b

2018-10-14T22:44:38+00:00October 14th, 2018|Categories: Kuran|

Kurani – Xhuzi 1b 

Sure Bekare (70-141)

70. Ata thanë[1]: “Lutu Zotit tënd të na sqarojë se cila është ajo, sepse të gjitha lopët po na duken njësoj, dhe ne, në dashtë Allahu, kemi për t’u udhëzuar[2].”

71. Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e pashtruar me lërimin e tokës dhe as me ujitjen e të mbjellave, por pa të meta dhe pa lara.” Ata thanë: “Tani na e solle të vërtetën[3].” Dhe e therën atë, megjithëse për pak e lanë pa bërë[4].

72. Edhe kur[5] vratë një njeri dhe u grindët me njëri-tjetrin për të, sigurisht që Allahu do e nxirrte (zbulonte) atë që ju mbanit fshehtë.

73. Aëherë u thamë: “Goditeni atë (të vdekurin) me një pjesë të saj[6].” Kështu i ngjall Allahu të vdekurit dhe u tregon juve[7] shenjat e Tij, në mënyrë që të kuptoni[8].

74. Por pas kësaj, zemrat tuaja[9] u ngurtësuan dhe u bënë si gurët apo edhe më të forta, pasi që ka prej gurëve nga të cilët burojnë lumenjtë. Ka prej tyre edhe që çahen e prej tyre del ujë, edhe të tjerë që rrokullisen poshtë[10] nga frika prej Allahut. E Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ju punoni.

75. A shpresoni[11] që t’iu besojnë[12] juve, ndërkohë që një grup prej tyre[13] e dëgjonin Fjalën e Allahut[14] pastaj e ndryshonin[15] atë pasi e kishin kuptuar[16], duke qenë se e dinin mirë[17]?

76. Dhe kur takonin ata të cilët kishin besuar, thonin: “Ne besojmë[18]”, ndërsa kur veçoheshin tek njëri-tjetri, thonin: “A u tregoni atyre për atë që Allahu u ka shpallur juve[19], që pastaj ta përdorin si argument kundër jush tek Zoti juaj? A nuk kuptoni?”

-11-


[1] Për herë të tretë, kështu që kufizimi dhe vështirësia ju shtua edhe më shumë për shkak të pyetjeve të tyre të pavend. Ndaj Pejgamberi ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos më pyesni për atë që ua kam lënë në heshtje, sepse ata që kanë qenë para jush nuk janë shkatërruar veçse nga pyetjet e tyre të shumta dhe kundërshtimi i pejgamberëve të tyre. Kur ju urdhëroj për diçka, kryeni prej saj sa të mundni, dhe kur ju ndaloj nga diçka, lëreni atë.” [Muslimi 3244, Nesai 2618].

[2] Kemi për ta gjetur lopën që duhet të therim.

[3] Tani na e sqarove mirë dhe saktë dhe ne e mësuam se cilën lopë duhet të therim.

[4] E therën lopën e përshkruar nga Allahu, dhe për pak e lanë pa therur për shkak të çmimit të lartë të saj dhe për shkak të zbulimit të turpit të tyre me zbulimin e vrasësit.

[5] Kujtoni gjithashtu kur…

[6] Me një copë mishi nga lopa e therur.

[7] O mohues dhe përgënjeshtrues të Muhamedit dhe asaj me të cilën ai ka ardhur.

[8] Të kuptoni se Muhamedi ka të drejtë dhe thotë të vërtetën, kështu që ta besoni dhe ta pasoni atë.

[9] U drejtohet bijve të Israilit, bijve të vëllait të të vrarit, pasi u ngjalli të vdekurin dhe u zbuloi atë që mbanin fshehur.

[10] Nga maja e malit në fushë.

[11] O besimtarë që keni besuar Muhamedin dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Zoti i tij.

[12] Çifutët prej bijve të Israilit.

[13] Prej të parëve të tyre.

[14] Teuratin. E dëgjonin nga Musai alejhi selam.

[15] Ndryshonin kuptimin dhe interpretimin e tij duke i dhënë kuptim tjetër nga ai që kishte për synim.

[16] Domethënien, interpretimin dhe qëllimin e tij.

[17] Se ishin duke mashtruar në ndryshimin që i bënin Teuratit.

[18] Ashtu si edhe ju; besojmë Muhamedin dhe atë me të cilën ai ka ardhur nga Zoti i tij. Gjithnjë vazhdon të bëhet fjalë për çifutët prej bijve të Israilit, të cilët gjendeshin në Medine në kohën e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por këtu janë për qëllim hipokritët prej tyre.


77. Po a nuk e dinë ata se Allahu di çfarë ata fshehin[20] dhe çfarë publikojnë[21]?

78. Madje ka prej tyre që janë analfabetë dhe nuk e njohin Librin[22], por trillojnë disa shpifje dhe flasin vetëm nga hamendja.

79. Mjerë[23] ata të cilët e shkruajnë librin me duart e tyre[24], pastaj thonë: “Ky është prej Allahut”, me qëllim që të fitojnë me të diçka të pakët! Mjerë ata për shkak të asaj që shkruajtën duart e tyre dhe mjerë ata për shkak të asaj që fitojnë!

80. Dhe thanë: “Nuk ka për të na prekur zjarri veçse për disa ditë të numëruara[25].” Thuaju[26]: “A mos vallë keni marrë nga Allahu ndonjë premtim[27], e Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, apo jeni duke thënë për Allahun diçka që nuk e dini?”

81. Përkundrazi, kushdo që fiton të keqe[28] dhe rrethohet nga gabimet e veta[29], ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

82. Ndërsa ata të cilët besojnë[30] dhe bëjnë vepra të mira, ata janë banorët e xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

83. Edhe kur[31] morëm besën e bijve të Israilit: “Të mos adhuroni tjetër përveç Allahut, të silleni mirë me prindërit, me të afërmit, me jetimët dhe me të varfrit. Njerëzve t’u thoni fjalë të mira, të kryeni faljen dhe të jepni zekatin.” Por ju u shmangët, me përjashtim të një pakice prej jush, dhe i keni kthyer shpinën[32].

-12-


[19] Në Teurat për profetësinë dhe cilësitë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Paria çifute kritikonte ata çifutë të cilët u tregonin besimtarëve se çfarë shkruhej në Teurat për dërgimin e Pejgamberit të fundit, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), duke zbuluar kështu atë që fshihte paria e tyre fetare.

[20] Prej mohimit dhe përgënjeshtrimit të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kur veçoheshin me njëri-tjetrin.

[21] Kur takojnë pasuesit e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe u thonë: “Ne besojmë”.

[22] Nuk dinë çfarë thuhet në Teurat.

[23] Dënim me pirje të qelbit të mbetur nga djegia e banorëve të xhehenemit, i cili do të jetë për çifutët të cilët e shkruajnë të pavërtetën me duart e tyre pastaj thonë se ajo është prej Allahut.

[24] Janë për qëllim ata çifutë prej bijve të Israilit, të cilët e ndryshuan Teuratin dhe shkruajtën një libër sipas interpretimeve dhe komenteve të tyre, ndryshe nga ai që Allahu i kishte shpallur të dërguarit të Tij, Musait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pastaj ua shisnin disa njerëzve të cilët nuk kishin njohuri rreth tij dhe as se çfarë thuhej në Teurat.

[25] Ata pretendonin se do të qëndrojnë në xhehenem vetëm dyzet net apo ditë, periudhën gjatë së cilës adhuruan viçin, por Allahu i përgënjeshtroi ata dhe ata kanë për të qëndruar përgjithmonë në xhehenem.

[26] O Muhamed!

[27] Për këtë që thoni, se nuk do të dënoheni në zjarr veçse për pak ditë.

[28] Vepron keq dhe si rezultat fiton shpërblim të keq. E keqja që është për qëllim këtu është: “idhujtaria” dhe “mohimi”, pasi që idhujtarët dhe mohuesit janë banorët e zjarrit të cilët do të qëndrojnë përgjithmonë në të. Por do të ketë edhe prej besimtarëve mëkatarë të cilët do të dënohen për gjynahet e tyre, por më pas do të dalin nga zjarri dhe do të hyjnë në xhenet, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[29] I grumbullohen gabimet dhe gjynahet dhe vdes pa u penduar dhe pa u kthyer prej tyre. Kuptimi i ajetit është kështu: Kushdo që vepron si vepra juaj (e çifutëve) dhe mohon ashtu si ju, deri sa mohimi t’i rrethojë të gjitha të mirat e tij, ata janë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[30] Atë me të cilën ka ardhur Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[31] Kujtoni gjithashtu, o bijtë e Israilit, kur morëm besën tuaj…

[32] Besës së dhënë dhe të gjithave këtyre që përmenden në ajet.


 

84. Edhe kur morëm besën tuaj se nuk do ta derdhni gjakun tuaj[33] dhe as nuk do ta nxirrni njëri-tjetrin nga shtëpitë tuaja, pastaj ju e pranuat këtë dhe ishit dëshmues[34].

85. Por më pas, ja! Ju jeni ata të cilët vrisni vetet tuaja (njëri-tjetrin) dhe disa prej jush i nxirrni prej shtëpive të tyre duke u ndihmuar me të tjerë[35] kundër tyre, në mëkat dhe padrejtësi. E nëse ata u sillen të kapur rob, ju paguani për lirimin e tyre, ndërkohë që nxjerrja e tyre ka qenë e ndaluar për ju. A besoni një pjesë të Librit[36] dhe pjesën tjetër e mohoni? E çfarë dënimi mund të ketë ai i cili e bën këtë gjë[37] prej jush, veçse poshtërim në jetën e kësaj bote, ndërsa në ditën e Kiametit do të kthehen në dënimin më të rëndë. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ju veproni.

86. Këta janë ata të cilët e kanë blerë jetën e kësaj bote me botën tjetër, ndaj atyre nuk ka për t’ju lehtësuar dënimi dhe as nuk do të ndihmohen[38].

87. Ne i patëm dhënë Librin Musait dhe pas tij i dërgonim pejgamberët njëri pas tjetrit[39]. Edhe Isait, birit të Merjemes, Ne i dhamë provat e qarta[40] dhe e fuqizuam[41] atë me shpirtin e shenjtë[42]. Por sa herë që u vinte një i dërguar me atë që nuk u pëlqente juve[43], ju bëheshit kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa të tjerë i vratë.

88. Ata thonë: “Zemrat tona janë me kapak[44]!” Përkundrazi, ata i ka mallkuar[45] Allahu për shkak të mohimit të tyre dhe ata besojnë shumë pak[46].

-13-


[33] Duke vrarë njëri-tjetrin.

[34] Se kjo është e vërteta e besës që u kam marrë të parëve tuaj, në kohën e Musait (alejhi selam) dhe më pas edhe juve, që jeni bashkëkohës të Muhamedit, pasi që ju e gjeni këtë në Teurat.

[35] Me idhujtarë të fiseve el Eus dhe el Hazraxh. Çifutët, bashkëkohës të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ishin ndarë në dy grupe: fisi el Kajnuka të cilët kishin bërë aleancë me fisin idhujtar el Hazraxh, dhe fiset en Nadir dhe Kurajdha, aleatë me fisin idhujtar el Eus. Kur kishte luftë mes fisit el Hazraxh dhe el Eus, këta dilnin në luftë me aleatët e tyre dhe kështu luftonin njëri-tjetrin, gjë e cila u ishte ndaluar në Teurat. Pastaj paguanin për lirimin e njerëzve të tyre të rënë rob në kampin kundërshtar, sipas ligjit të Teuratit, dhe nga ana tjetër i vrisnin me duart e tyre ndërkohë që ligji i Teuratit ishte që të mos e bënin këtë gjë dhe të mos e nxirnin njëri-tjetrin nga shtëpitë e tyre, as të mos bëheshin aleatë me njerëz të cilët i bënin shok Allahut dhe adhuronin idhujt në vend të Tij, duke shpresuar ndonjë përfitim të pakët nga gjërat e dynjasë. Prandaj, në vijim të ajetit, Allahu thotë: “A besoni një pjesë të librit dhe pjesën tjetër e mohoni?” [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[36] Teuratit. Besimi i tyre ishte kur paguanin për lirimin e robërve të tyre, ndërsa mohimi ishte kur i vrisnin me duart e tyre, duke qenë në kampe kundërshtare, gjë nga e cila ishin ndaluar.

[37] Me të cilën ai ka thyer besën e dhënë më parë në Teurat, të cilën e ka pranuar dhe për të cilën ka dëshmuar.

[38] Në ditën e gjykimit nga askush, as me fuqi, as me ndërmjetësim dhe as me gjë tjetër.

[39] Pas Musait, Allahu dërgoi shumë pejgamberë njëri pas tjetrit te bijtë e Israilit. Të gjithë ata pejgamberë kishin të njëjtën rrugë dhe të njëjtin ligj, atë të Musait në Teurat, deri sa u dërgua Isai (alejhi selam), të cilit iu dha Inxhili.

[40] Mrekullitë dhe argumentet e gjalla që vërtetonin për profetësinë e tij, si ngjallja e të vdekurve me Lejen e Allahut, shërimi i të sëmurëve, etj.

[41] E forcuam dhe e ndihmuan me engjëllin Xhibril kur e dërguam tek ju, o bijtë e Israilit!

[42] Me engjëllin Xhibril, i cili është quajtur “shpirti i shenjtë” për arsye se Allahu e ka krijuar atë duke ia dhënë vetë shpirtin, pa e lindur atë ndonjë prind, dhe kështu e quajti “shpirt”. Po për këtë arsye është quajtur edhe Isai “shpirt”, ngaqë Allahu e krijoi atë duke ia dhënë vetë shpirtin atij, pa pasur baba. Ndërsa fjala “i shenjtë” (el kudus), ka kuptimin “i pastër”.

[43] I drejtohet çifutëve prej bijve të Israilit.

[44] Të mbyllura me kapak, të mbështjella me këllëf; d.m.th. ata thonë: “nuk kuptojmë, nuk na arrin deri në zemër ajo që thua, o Muhamed!”.

[45] I ka larguar, i ka dëbuar, i ka turpëruar e poshtëruar, i ka shkatërruar për shkak të mohimit të tyre dhe përgënjeshtrimit të provave të Allahut dhe pejgamberëve të Tij.

[46] Besimi i tyre është i pakët, i përciptë, i mangët. Ata besonin një pjesë të Teuratit dhe mohonin pjesën tjetër të tij, e mohuan profetësinë e Muhamedit, të cilin e gjenin të shënuar në Teurat dhe ishin urdhëruar ta besonin atë, etj.


89. Dhe kur atyre u erdhi nga Allahu një Libër[47], i cili është vërtetues i atij që kishin ata[48], dhe duke qenë se më parë ata luteshin për ndihmë[49] kundër mosbesimtarëve, kur u erdhi ajo[50] që tashmë e njihnin, ata e mohuan atë. Pra, mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!

90. Nuk ka më të keqe se ajo me të cilën e shitën vetveten: që të mohojnë atë që ka zbritur Allahu, nga zilia se Allahu i zbret prej Mirësisë[51] së Tij kujt të dëshirojë prej robërve[52] të Tij! Prandaj merituan zemërim mbi zemërim [53], dhe për mohuesit[54] ka dënim poshtërues[55].

91. Kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që ka zbritur[56] Allahu!” -ata thonë: “Ne besojmë në atë që na është zbritur neve[57].” Ndërsa atë pas tij[58], ata e mohojnë, ndërkohë që ajo[59]është e vërteta dhe vërtetues[60] i asaj që kanë ata. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, atëherë përse më parë i vrisnit lajmëtarët e Allahut?”

92. Juve u erdhi Musai me prova të qarta, por pas tij[61] ju adhuruat viçin dhe ishit të padrejtë.[62]

93. Edhe kur[63] morëm besën tuaj[64] dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, (u thamë): “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni (binduni)!” Ata thanë: “Dëgjuam dhe kundërshtuam[65]!” Dhe për shkak të mohimit të tyre, zemrat e tyre u mbushën me viçin[66]. Thuaju: “Nuk ka më të keqe se ajo me të cilën ju urdhëron besimi juaj[67], nëse jeni besimtarë[68]!”

-14-


[47] Kurani, i cili iu shpall Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[48] Teurati dhe Inxhili.

[49] I luteshin Allahut të dërgonte Pejgamberin e pritur, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), që të fuqizoheshin dhe të triumfonin me ndihmën e tij. Çifutët i kërcënonin armiqtë e tyre prej idhujtarëve e mohuesve arabë duke u thënë se “Allahu do të na forcojë ne me një pejgamber, të cilin do ta dërgojë tek ne, dhe tashmë ka ardhur koha e dërgimit të tij. Dhe kur të vijë ai, ka për t’ju shkatërruar si shkatërrimi i popullit të Adit dhe Iremit.” Por kur Allahu e dërgoi pejgamberin nga mesi i arabëve kurashit, çifutët e mohuan atë, dhe ishin armiqtë e tyre ata të cilët e ndoqën dhe e besuan, edhe pse më parë kishin qenë idhujtarë. [Taberiu]

[50] Shpallja e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo Kurani dhe Muhamedi.

[51] Shpallja, urtësia, profetësia, provat, etj.

[52] Njerëzve të tjerë përveç tyre, d.m.th. përveç çifutëve prej bijve të Israilit.

[53] Çifutët kishin merituar zemërime të mëparshme nga Allahu, si me adhurimin e viçit, mohimin e Isait, birit të Merjemes, etj.

[54] E profetësisë së Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prej të gjithë njerëzve në çdo vend dhe në çdo kohë.

[55] Në botën tjetër, ose në këtë botë dhe në botën tjetër. Dënim poshtërues është ai dënim i cili i trashëgon njeriut poshtërim dhe përçmim të përhershëm, i cili nuk del kurrë nga poshtërimi në nderim e respekt. Me këtë lloj dënimi Allahu ka veçuar mohuesit e Tij dhe të Pejgamberëve të Tij. Ndërsa dënim jo poshtërues është dënimi pastrues dhe filtrues i njeriut që e merr atë dënim, siç është dënimi i vjedhësit musliman të cilit i pritet dora, apo si dënimi i atij që bën imoralitet prej muslimanëve, e të tjera dënime të cilat Allahu i ka bërë falje të gjynaheve për personin që i merr ato (dënime).

[56] Kuranin të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[57] Teuratin të cilin Allahu ia zbriti Musait (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[58] Ato libra që janë zbritur nga Allahu pas Teuratit.

[59] Kurani, të cilin Allahu ia zbriti Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[60] Të gjithë librat e zbritur nga Allahu tek pejgamberët e Tij janë vërtetues të njëri-tjetrit, dhe Kurani përputhet me Teuratin në atë që çifutët përgënjeshtrojnë. Pra, në të vërtetë çifutët përgënjeshtrojnë edhe Teuratin ashtu si përgënjeshtrojnë Inxhilin dhe Kuranin, duke i bërë kryeneçësi Allahut, duke thyer urdhrin e Tij dhe në kundërvënie ndaj të Dërguarve të Tij.

[61] Pas largimit të tij për takimin me Zotin e tij.

[62] Sepse adhuruat atë që nuk duhet dhe nuk meriton të adhurohet.

[63] Kujtoni gjithashtu, o bijtë e Israilit, kohën kur…

[64] Besën e të parëve tuaj.

[65] E dëgjuam fjalën tënde dhe e kundërshtuam urdhrin tënd.

[66] Me dashurinë për viçin.

[67] Nëse besimi juaj ju urdhëron të vrisni të dërguarit e Allahut, të përgënjeshtroni librat e Tij dhe të mohoni atë me të cilën ata kanë ardhur, atëherë nuk ka besim më të keq se ky i juaji.

[68] Në fakt ata nuk janë besimtarë, sepse Teurati ua ndalon këto gjëra ndërsa ata i veprojnë.


94. Thuaju: “Nëse banesa e botës tjetër[69] tek Allahu është vetëm për ju, dhe për askënd tjetër prej njerëzve, atëherë dëshironi vdekjen, nëse jeni të sinqertë.”[70]

95. Por ata nuk kanë për ta dëshiruar kurrë atë (vdekjen) për shkak të asaj që kanë vepruar duart e tyre, e Allahu është më se i Dijshëm për të padrejtët[71].

96. Madje, ke për t’i gjetur ata (çifutët) njerëzit më dëshirues për jetën, madje edhe më shumë se ata të cilët i bëjnë shok Allahut[72], çdonjëri prej të cilëve[73] dëshiron të jetojë një mijë vjet. Por edhe sikur të jetojë aq, kjo nuk e largon atë nga dënimi[74]. Allahu është Shikues i gjithçkaje që ata veprojnë.

97. Thuaju[75]: “Kushdo që është armik i Xhibrilit, dhe padyshim se ai (xhibrili) e zbriti atë (Kuranin) në zemrën tënde (o Muhamed) me lejen e Allahut, vërtetues të atyre (librave) para tij, udhëzues dhe përgëzues për besimtarët,

98. kushdo që është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe Mikailit, atëherë padyshim se Allahu është armik i mohuesve.”

99. Ne të kemi zbritur ty prova të qarta[76], të cilat nuk i mohojnë veçse të pabindurit.

100. A nuk është e vërtetë se sa herë që lidhin një besë[77], një grup prej tyre e thyejnë atë? Madje shumica e tyre nuk e besojnë[78].

101. Dhe kur atyre u erdhi një i dërguar[79] nga Allahu, vërtetues i asaj që kishin ata[80], një grup prej atyre të cilëve u është dhënë libri[81] e hodhi librin e Allahut[82] pas shpine, sikur të mos e dinin[83].

-15-


[69] Xheneti.

[70] Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj. Me këtë ajet, Allahu i Madhëruar përforcon të dërguarin e Tij me prova kundër çifutëve bashkëkohës të tij dhe nxjerr në shesh të fshehtat e rabinëve dhe dijetarëve të tyre, të cilët pretendonin se ishin bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij. Me këtë ajet, atyre që ishin në dyshim për çështjen e çifutëve iu bë e qartë gënjeshtra, mashtrimi dhe armiqësia e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut, dhe triumfoi fjala e të Dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij, e cila vazhdon të triumfojë kundër ithtarëve të çdo feje tjetër. “Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton: “Sikur çifutët ta kishin dëshiruar vdekjen, do të kishin vdekur menjëherë.” [Taberiu].

[71] Dhe çfarë veprojnë ata.

[72] Dhe kjo për shkak të vetëdijes së tyre se në botën tjetër do të kenë përçmim dhe poshtërim të përhershëm, sepse ata besojnë në ringjalljen në botën tjetër, ndërsa idhujtarët nuk besojnë se do të ringjallen dhe as se do të dënohen.

[73] Idhujtarët, të cilët e uronin njëri-tjetrin duke u thënë: “Rrofsh dhjetë mij vjet!” [Taberiu; nga Ibën Abasi].

[74] Sepse në fund kthimi do të jetë përsëri tek Allahu, sado gjatë të jetojnë.

[75] Ibën Abasi thotë: “Kur çifutët e pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për shumë gjëra dhe ai iu përgjigj për to ashtu siç ishte edhe tek ata, me përjashtim të “Xhibrilit”, i cili tek çifutët ishte sjellës dënimi dhe ndëshkimi, dhe jo sjelljës i shpalljes dhe mëshirës. Kur i Dërguari i Allahut i njoftoi ata se Xhibrili ishte sjellësi i shpalljes së Allahut, i ndëshkimit të Tij dhe i mëshirës së Tij, ata thanë: “Ai nuk është sjellës i shpalljes dhe as i mëshirës. Ai është armiku ynë!” Atëherë, Allahu e zbriti këtë ajet për t’i përgënjeshtruar ata.” [Taberiu].

[76] Prova, shenja, argumente dhe mrekulli argumentuese për profetësinë e Muhamedit dhe se ajo me të cilën ai ka ardhur është nga Allahu.

[77] Është fjala për besën që bijtë e Israilit i kanë dhënë Allahut herë pas here për zbatimin e asaj që thuhet në Teurat, por më pas, disa prej tyre e thyenin atë herë pas herë. Allahu i qorton pasardhësit e bijve të Israilit dhe tregon se ata ndjekin rrugën e të parëve të tyre në thyerjen e besës së dhënë, se do ta besonin Muhamedin kur ai të vinte, por ata e mohuan atë që thuhej në Teurat prej cilësive dhe përshkrimit të tij.

[78] Dhe jo vetëm një grup, i cili mund të jetë i vogël, por shumica e tyre nuk besojnë.

[79] Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[80] Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte vërtetues i Teuratit dhe Teurati vërtetues i tij se ai është i dërguar nga Allahu te i gjithë njerëzimi.

[81] Rabinët dhe dijetarët çifutë.

[82] Teuratin, kur e panë se ai përputhej me Kuranin dhe tregonte për profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[83] Se çfarë thuhet në Teurat prej urdhrit për të besuar Muhamedin dhe për ta ndjekur atë.


 

102. Dhe ndoqën atë që thoshin[84] shejtanët në kohën e sundimit të Sulejmanit. Dhe nuk mohoi Sulejmani[85], por ishin shejtanët ata që mohuan; u mësonin njerëzve magjinë dhe atë që iu zbrit në Babil[86] dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. Por ata të dy[87] nuk mësonin askënd pa u thënë: “Ne jemi vetëm sprovë, ndaj mos bëj mohim (mosbesim)!” Megjithëkëtë[88], ata mësonin prej këtyre të dyve gjëra me të cilat ndanin burrin nga gruaja, por nuk mund të dëmtonin me të (magjinë) askënd, veçse me lejen (dijeninë) e Allahut[89]. Ata (njerëzit) mësonin diçka që i dëmtonte dhe nuk u bënte dobi, madje e dinin mirë se ai i cili e bleu atë[90](magjinë), nuk do të ketë pjesë[91] në botën tjetër. Nuk ka më të keqe se ajo për të cilën e shitën vetveten, veç sikur ta dinin[92]!

103.  Sikur ata të kishin besuar[93] dhe të ishin ruajtur[94], atëherë shpërblimi nga Allahu do të ishte shumë më i mirë, veç sikur ta dinin[95]!

104. O ju që keni besuar! Mos thoni: “Raina”[96], por thoni: “Undhurna”[97] dhe dëgjoni[98]! E për mohuesit do të ketë dënim të dhimbshëm.

105. As ata të cilët kanë mohuar prej ithtarëve të Librit dhe as idhujtarët nuk duan që juve t’ju zbresë ndonjë e mirë[99] nga Zoti juaj, por Allahu veçon me Mëshirën[100] e Vet atë që dëshiron, e Allahu është Zotëruesi i mirësisë së madhe.

-16-


[84] Që flisnin, tregonin, transmetonin, ndiqnin dhe mësonin prej magjisë. Taberiu transmeton nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “Në kohën kur Sulejani u sprovua, shejtanët shkuan dhe shkruajtën libra me përmbajtje magjie dhe mosbesimi, -i vulosën me vulën e Sulejmanit të cilën mundën me e marrë tinësisht- pastaj i groposën nën karrigen e Sulejmanit. Më pas (pas vdekjes së Sulejmanit), i nxorën ato dhe ua lexonin njerëzve.” Kur njerëzit i dëgjuan ato, e fajësuan Sulejmanin dhe thanë që ai ka qenë mohues. Kështu mbeti çështja e Sulejmanit (alejhi selam) deri sa Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e pastroi Sulejmanin nga shpifja dhe padrejtësia që i ishte bërë, kur zbriti ajetin “Dhe ndoqën atë që thoshin shejtanët në kohën e Sulejmanit … [Taberiu].

[85] Çifutët, ndjekës të asaj që thoshin shejtanët prej magjisë dhe mosbesimit pretendonin se ishte Sulejmani ai i cili mohoi dhe bëri kufër, duke thënë se këto libra magjie ishin nga dija dhe transmetimi i tij dhe se ai i kishte nën sundim ata njerëz, xhinë e krijesa të tjera të Allahut si rezultat i magjisë. Dhe kështu e bënë veten të mirë para njerëzve injorantë dhe të paditur me atë që thuhej në Teurat, duke lejuar atë që Allahu e kishte ndaluar prej magjisë, pastaj justifikoheshin duke ja atribuar këtë gjë Sulejmanit (alejhi selam), pejgamberit të Allahut, i cili ishte njeri si edhe ata. Ata e mohuan që ai të kishte qenë pejgamber, dhe thanë se ka qenë magjistar. Atëherë Allahu e pastroi Sulejmanin, të birin e Daudit (Paqja e Allahut qoftë mbi të dy ata!) nga magjia dhe mosbesimi. [Taberiu].

[86] Emër vendi; mund të jetë për qëllim Babil në Irak ose Babilonia.

[87] Këta dy engjëj ishin dërguar sprovë për njerëzit, ashtu si edhe shejtani është sprovë për njeriun, ashtu si edhe e mira dhe e keqja janë sprovë për njeriun në këtë botë, dhe kështu që nuk i lejohet kujt të arsyetohet me këtë fakt për të bërë të lejuar mësimin e magjisë dhe praktikimin e saj. Madje edhe vetë vazhdimi i ajetit e sqaron këtë nga vetë fjala e atyre dy engjëjve.

[88] Njerëzit e refuzonin paralajmërimin e tyre dhe kështu, mësonin gjëra me të cilat ndanin burrin nga gruaja…

[89] Magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt veçse me lejen dhe dijeninë e Allahut; vetëm nëse Allahu e ka caktuar që ajo magji do t’i bëjë dëm dikujt, asgjë nuk del nga mbikqyrja e Allahut dhe Vullneti i Tij.

[90] Magjinë duke shitur dhe hedhur Librin e Allahut. Janë për qëllim çifutët që e bënë këtë gjë, dijetarët dhe rabinët çifutë, qoftë në kohën e Musait (alejhi selam) kur zbriti Teurati, apo në kohën e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[91] Nuk do të ketë pjesë dhe as shpërblim me të mira në xhenet, por pjesa dhe shpërblimi i tij do të jetë e keqja dhe zjarri.

[92] Përfundimin e tyre të keq, dënimin e rëndë për veprën e tyre.

[93] Allahun dhe të dërguarin e Tij bashkë me shpalljen.

[94] T’i ruheshin Allahut duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[95] Që shpërblimi i Allahut për ta, për besimin dhe devotshmërinë e tyre, është më i mirë se magjia dhe ajo që fituan prej saj nga dynjaja.

[96] Për domethënien e kësaj fjale ka disa mendime tek dijetarët e tefsirit. Disa thonë se ajo do të thotë “kundërshtim”, të tjerë thonë “na dëgjo dhe të dëgjojmë”, apo “na vër veshin”. Të tjerë thonë se kjo ishte një fjalë të cilën e përdornin çifutët për tallje dhe përqeshje.Të tjerë thonë se kjo fjalë në arabisht përputhej në të shqiptuar me një fjalë të çifutëve me domethënie të keqe dhe sharje, etj. Më e sakta është të thuhet se Allahu i ka ndaluar besimtarët që të përdorin këtë fjalë me Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si respekt ndaj tij. Allahu urrente që kjo fjalë t’i thuhej Pejgamberit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe besimtarët ishin urdhëruar që ta respektonin dhe ta madhëronin Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). [Taberiu].

[97] Na prit dhe na vëzhgo në mënyrë që të kuptojmë dhe të na bëhet e qartë ajo që na thua, o i Dërguari i Allahut!

[98] Dëgjoni atë që ju thuhet dhe ju lexohet nga Libri i Zotit tuaj dhe kuptojeni e perceptojeni mirë atë.

[99] Me këtë të mirë është për qëllim Kurani dhe ajo që Allahu i shpalli Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) prej urtësisë dhe provave të Tij.

[100] Me shpalljen dhe profetësinë e Tij.


 

106. Ne nuk shfuqizojmë[101] një ajet apo ta lëmë të harrohet[102] atë, veçse sjellim një tjetër më të mirë se ai ose njësoj si ai[103]. A nuk e ke ditur se Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka?

107. A nuk e ke ditur se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i tokës, dhe përveç Allahut ju nuk keni as mbrojtës dhe as ndihmës?

108. Apo mos doni të pyesni të Dërguarin tuaj[104] ashtu siç është pyetur Musai më parë[105]? Por kushdo që e ndërron besimin me mohim[106], padyshim që e ka humbur rrugën e drejtë[107].

109. Shumë prej ithtarëve të Librit[108] duan që pas besimit tuaj t’ju kthejnë në mosbesimtarë, nga zilia që kanë në vetvete, edhe pse e vërteta[109] u është bërë e qartë. Por ju falni[110] dhe bëni lëshim deri sa Allahu të sjellë urdhrin e Tij.[111] Padyshim se Allahu është i Gjithëfuqishëm për gjithçka.

110. Kryeni faljen dhe jepni zekatin, e çfarëdo të mire që përgatisni për veten tuaj[112], keni për ta gjetur tek Allahu. Vërtet që Allahu është Shikues i asaj që ju veproni.[113]

111. Ata[114] thonë: “Nuk ka për të hyrë në xhenet askush përveç atyre që janë jehudi ose të krishterë.” Këto janë vetëm dëshirat e tyre[115]. Thuaju: “Sillni provën tuaj, nëse jeni të drejtë[116].”

112. Përkundrazi[117], kushdo që ia ka dorëzuar fytyrën e tij Allahut[118] dhe është mirëbërës[119], ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk kanë për t’u pikëlluar.[120]

-17-


[101] Është për qëllim dryshimi i ligjit të një ajeti me një tjetër të mëvonshëm, si lejimi i diçkaje të ndaluar më parë apo ndalimi i diçkaje të lejuar më parë, etj. Por ky shfuqizim dhe ndryshim nuk ka  ndodhur veçse në ajete që flasin për ligje dhe dispozita, jo për njoftime dhe gjëra që kanë lidhje me besimin dhe akiden, sepse njoftimet dhe besimi nuk pranon ndryshim, përndryshe nuk do të ishte i vërtetë. Çifutët e mohonin shfuqizimin (en neskh) dhe pretendonin se ai nuk lejohet që të ndodhë në Librin e Allahut, por në të vërtetë ai (shfuqizimi) përmendet edhe tek ata në Teurat, kështu që mohimi i tyre atë është mosbesim dhe devijim i tyre.

[102] Të harrohet nga njerëzit, të fshihet nga kujtesa e tyre, ose të lihet pa u ndryshuar.

[103] Kjo tregon se ndryshimi i një ligji nuk është më pak i dobishëm se i pari, por më i mirë se ai ose si ai, pasi që mirësia e Allahut vjen gjithnjë e në rritje veçanërisht ndaj popullit mysliman, të cilit Ai ia ka lehtësuar më së shumti fenë dhe ua ka bërë të lehtë atë.

[104] Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Është për qëllim ndalimi nga pyetjet e kokëfortësisë dhe kundërshtimit dhe jo pyetjet e të mësuarit dhe udhëzuarit.

[105] Që t’i bënte të shihnin Allahun drejtpërdrejtë.

[106] Duke bërë pyetje të ndaluara të cilat arrijnë deri në mohim.

[107] Ajo rrugë e drejtë është rruga për të cilën jemi urdhëruar që t’i lutemi Allahut të na udhëzojë në të, në suren el Fatiha, Ajetet 6 dhe 7.

[108] Çifutët dhe të krishterët.

[109] Për çështjen e Muhamedit (Pqaja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe profetësinë e tij.

[110] Fyerjet dhe gabimet e bërë nga ata ndaj jush në lidhje me fenë tuaj.

[111] Më pas Allahu solli urdhrin e Tij dhe ky ajet u shfuqizua nga ajeti 29 në suren et Teube: “Luftoni ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe as ditën e fundit…”

[112] Në jetën e kësaj bote.

[113] Sheh gjithçka dhe nuk i shpëton asgjë nga ato që ju veproni, pastaj shpërblen secilin sipas veprës së vet.

[114] Çifutët dhe të krishterët, secili për ithtarët e fesë së tij.

[115] Boshe, të padrejta dhe pa pasur argument për to.

[116] Në thënien tuaj se në xhenet nuk do të hyjë askush përveç atij që është jehudi ose i krishterë. Këtu në fakt nuk kërkohet vërtetë prova e tyre, pasi që ata nuk mund të sjellin asnjë provë për këtë, por është për qëllim përgënjeshtrimi i tyre nga Allahu.

[117] Nuk është ashtu si thonë ata, por…

[118] I është përulur Allahut me bindje dhe i është nënshtruar urdhrit të Tij me sinqeritet. Është përmendur fytyra dhe jo ndonjë pjesë tjetër e trupit të njeriut, për shkak se fytyra është pjesa më e nderuar për njeriun dhe me më shumë paprekshmëri e të drejta se pjesët e tjera të trupit.

[119] E bën adhurimin saktë dhe ashtu si e ka ligjëruar Allahu.

[120] Do të shpëtojnë nga ajo që i kishin frikën dhe do të arrijnë atë që dëshironin. [Es Seadi].


 

113. Jehuditë thonë: “Të krishterët nuk janë në asgjë[121].” Ndërsa të krishterët thonë: “Jehuditë nuk janë në asgjë[122].” Ndërkohë që të dyja palët lexojnë Librin[123]. Kështu kanë thënë edhe ata të cilët nuk kanë dije[124], njësoj si fjala e këtyre. Por Allahu do të gjykojë mes tyre në ditën e Kiametit[125] për atë që ata kundërshtoheshin.

114. E kush është më i padrejtë se ai i cili ndalon që në xhamitë[126] e Allahut të përmendet Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Atyre nuk u lejohej të hynin në to veçse me frikë.[127] Për ta ka poshtërim në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të kenë dënim të madh.

115. Të Allahut janë edhe lindja edhe perëndimi[128], ndaj ngado që të ktheheni[129], andej është Fytyra e Allahut[130]. Vërtet që Allahu është Bujar i Madh[131], i Dijshëm[132].

116. Ata[133] thonë: “Allahu ka fëmijë!” I Pastër është Ai nga kjo! Përkundrazi, Atij i përket gjithçka në qiell e tokë, që të gjithë Atij i nënshtrohen.

117. Shpikësi i qiejve e i tokës[134] dhe, kur vendos për diçka, mjafton të thotë “Bëhu!” e ajo bëhet[135].

118. Ata të cilët nuk kanë dije[136] thonë: “Përse nuk na flet neve Allahu, ose të na vijë ndonjë provë[137]!” Kështu kanë thënë edhe ata para tyre si fjala e këtyre. Zemrat e tyre janë të ngjashme. Ne tashmë i kemi sqaruar provat për njerëzit që besojnë binshëm.

119. Padyshim që Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed!) me të vërtetën[138] si përgëzues[139]dhe paralajmërues[140], dhe ti nuk ke për t’u pyetur[141] për banorët e zjarrit flakërues.

-18-


[121] Nuk janë në fe të vërtetë.

[122] Nuk janë në fe të vërtetë. Allahu u tregon besimtarëve se asnjëri prej dy grupeve, jehudi dhe të krishterë, nuk i janë përmbajtur gjykimit të Librit për të cilin ata shfaqin pohimin e saktësisë së tij dhe se ai është nga Allahu, por e mohojnë atë që Allahu thotë në të. Inxhili në të cilin besojnë të krishterët vërteton atë që thuhet në Teurat për profetësinë e Musait, për detyrimet që iu ngarkuan bijve të Israilit, etj. Po kështu edhe Teurati, për të cilin jehuditë besojnë se është i saktë dhe i vërtetë, vërteton dhe aprovon profetësinë e Isait (alejhi selam), si dhe ato që ai ka sjellë nga Allahu prej ligjeve dhe rregullave. Por megjithatë, secili grup iu drejtua tjetrit me fjalët që përmenden në ajet.

[123] Teuratin dhe Inxhilin, të cilët që të dy dëshmojnë për mohimin e jehudive dhe të krishterëve, dhe kundërshtimin e tyre urdhrin e Allahut me të cilin Ai i ka urdhëruar.

[124] Mund të jenë për qëllim idhujtarët arabë në fillim të Islamit, ose ndonjë popull tjetër para çifutëve dhe të krishterëve. Por megjithatë ajeti përfshin të gjithë ata që thonë si fjala e tyre në çdo kohë dhe vend.

[125] Kiameti është dita e ngritjes së krijesave nga varret e tyre për t’u ringjallur dhe për të dhënë llogari.

[126] Mendohet të jetë për qëllim xhamia e Kudsit në Jeruzalem, dhe ata që e bënin këtë gjë ishin të kreshterët në kohën e Buhtenasarit babilonas. Por megjithatë domethënia e ajetit është e përgjithshme dhe ai përfshin çdokënd që e bën këtë vepër të padrejtë dhe që i ka kaluar të gjitha kufijtë.

[127] Atyre që përpiqen për shkatërrimin e xhamive, Allahu ua ndaloi hyrjen në to veçse me frikë dhe drojtje nga ndëshkimi nëse hyjnë në to. Dhe kjo ka ndodhur vërtetë, siç transmetohet nga Katade se ka thënë: “Ata janë të krishterët, të cilët nuk hyjnë në xhami veçse vjedhurazi, e nëse kapen, ndëshkohen.” [Taberiu].

[128] Janë përmendur veçanërisht lindja dhe perëndimi për shkak se ato janë subjekt i provave të mëdha, dhe përderisa Allahu zotëron ato, Ai i zotëron të gjitha anët e tjera.

[129] Ngado që t’i ktheni fytyrat në namaz, qoftë nëse drejtimi i tyre është me urdhër nga Allahu, si në të drejtuarit nga Kabja pasi drejtoheshit nga xhamia e Kudsit, ose kur urdhëroheni për të falur namaz vullnetar mbi kafshë në udhëtim dhe ajo kthehet me ju në anë të ndryshme, ose kur dikush gjendet në vend të huaj dhe nuk e di drejtimin e Kibles, nëse drejtohesh gabimisht apo me urdhër  jo në drejtim të Kibles, atëherë në çdo rast, nga cilado anë që të drejtohesh, ajo nuk del nga zotërimi i Allahut. [Es Seadi].

[130] Në këtë ajet pohohet Fytyra e Allahut në atë mënyrë që i përshtatet madhështisë së Tij, dhe se Fytyra e Allahut nuk i përngjan asnjë fytyre nga fytyrat e krijesave. [Es Seadi].

[131] Allahu është Bujar i Madh dhe atributet e Tij janë madhështore dhe absolute. Nga bujaria dhe dija e Tij është edhe se Ai ua ka zgjeruar urdhrin, që të mund të kryeni ç’të mundni prej tij, dhe ua pranon atë që kryeni nga urdhri i Tij. Pra vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe falënderimi.

[132] Për gjithçka që ju mbani fshehtë apo që veproni.

[133] Ithtarët e Librit..

[134] Pa shembull të mëparshëm.

[135] Ashtu si e ka dashur dhe dëshiruar Ai. Po kështu ka qenë edhe krijimi i Mesihut, Isait kur Allahu dëshiroi ta krijonte atë pa babë; duke i thënë “Bëhu!”

[136] Prej idhujtarëve arabë, ithtarëve të Librit,etj.

[137] Provë e supozuar nga ata me logjikën e tyre të prishur dhe mendjen e tyre të mangët. Provë kokëfortësie dhe jo provë udhëzimi.

[138] Me Kuranin dhe Sunetin.

[139] Me lumturi në të dyja botët për ata që të binden ty.

[140] Me shkatërrim dhe mjerim në të dyja botët për ata që të kundështojnë ty.

[141] Nuk je përgjegjës për ta, por detyra jote është vetëm përcjellja e thirrjes, ndërsa llogaria e tyre është tek Ne.


 

120. As jehuditë dhe as të krishterët nuk kanë për t’u kënaqur me ty deri sa të ndjekësh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë.[142]” E nëse ti (o Muhamed) ndjek dëshirat e tyre pas asaj që të ka ardhur nga dija[143], atëherë nuk do të kesh mbrojtës që të mbrojë nga Allahu dhe as ndihmues.

121. Ata të cilëve u kemi dhënë Librin[144] dhe e lexojnë atë ashtu si është në të vërtetë[145], ata besojnë vërtet në të[146]. Ndërsa ata të cilët e mohojnë atë[147], ata janë të humburit.

122. O bijtë e Israilit! Kujtoni mirësinë Time ndaj jush, kur iu favorizova ndaj të gjitha krijesave[148].

123. Dhe kini frikë atë ditë kur askush nuk mund t’i shlyejë askujt asgjë[149], as nuk pranohet kompensim, as nuk bën dobi ndonjë ndërmjetësim dhe as nuk do të ndihmohen.

124. Kujto edhe kur Ibrahimin e provoi Zoti i tij me disa fjalë[150] dhe ai i përmbushi ato[151]. Ai (Allahu) i tha: “Unë do të të bëj ty prijës[152] të njerëzve.” Ai (Ibrahimi) tha: “Po nga pasardhësit e mi[153]?” Ai tha: “Premtimi[154] Im nuk i përfshin të padrejtët.[155]

125. Edhe kur[156] Shtëpinë (Kaben) e bëmë vend kthimi[157] dhe sigurie[158] për njerëzit dhe, (u thamë) “Vendqëndrimin e Ibrahimit[159] merreni për vend falje!” Pastaj e urdhëruam[160] Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni shtëpinë Time[161] për ata që bëjnë tavaf, që qëndrojnë aty për adhurim dhe që përkulen në ruku e në sexhde[162].”

126. Edhe kur[163] Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë (Mekën) një vend të sigurtë[164] dhe banorët e tij, ata të cilët besojnë Allahun dhe ditën e fundit prej tyre, furnizoji prej fryteve të ndryshme!” Ai (Allahu) tha: “Edhe atë që mohon do ta bëj të shijojë[165] për pak kohë[166], pastaj do ta shtyj atë për në dënimin e zjarrit, dhe nuk ka përfundim më të keq se ky!”

-19-


[142] Sqarimi i Allahut është sqarimi bindës dhe gjykues mes nesh.

[143] Për humbjen dhe mohimin e tyre Zotin e tyre.

[144] Prej popujve të mëparshëm, d.m.th. prej ithtarëve të Librit.

[145] E zbatojnë dhe e ndjekin në mënyrën e saktë dhe të vërtetë, ashtu si është shpallur.

[146] Besojnë Teuratin dhe besojnë gjithashtu Muhamedin, pasi që Teurati i urdhëron ata që të besojnë Muhamedin.

[147] Mohojnë ligjet e Teuratit dhe profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që përmendet në të.

[148] Të asaj kohe, kur u dërgonte pejgamberë, libra dhe u dha pushtet.

[149] Askush nuk shlyen borxhin e dikujt tjetër as nuk i bën dobi me asgjë, as prindi fëmijës dhe as fëmija prindit, pasi që kthimi i të drejtave në ditën e gjykimit do të jetë prej veprave të mira e të këqia.

[150] Urdhra e ndalesa.

[151] I kreu të gjitha, i plotësoi.

[152] Shembull për të gjithë besimtarët që do të vijnë pas teje.

[153] A do të bësh prijësa edhe nga pasardhësit e mi? Kjo është një kërkesë e Ibrahimit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) në formë të pyetjes.

[154] Profetësia dhe të qenët prijës dhe shembull në fe.

[155] Nga pasardhësit e Ibrahimit do të ketë edhe të padrejtë, e të padrejtët nuk mund ta zënë këtë vend; të qenët shembull në fe.

[156] Kujtoni gjithashtu kur…

[157] Ku shkohet çdo vit për të bërë Haxhin, pelegrinazhin, nga të gjitha anët e botës.

[158] Kushdo që hyn në të ndjehet i sigurtë dhe nuk ka frikë nga asgjë, përveç Allahut, për shkak të shenjtërisë së saj.

[159] Mund të jetë për qëllim Mekami i Ibrahimit i mirënjohur, në Kabe, përballë derës së saj, dhe në këtë rast është për qëllim falja e dy rekateve të Tavafit, të cilat është e preferuar të falen pas vendqëndrimit të Ibrahimit. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve të tefsirit. Ose mund të jetë për qëllim të gjitha vendet ku ka qëndruar Ibrahimi (alejhi selam) gjatë kryerjes së haxhit, si tavafi, seaji, qëndrimi në Arafat e në Muzdelife, etj. Kjo fjalë është më përfshirëse se e para pasi që e përfshin edhe atë. [Es Seadi].

[160] Dhe i shpallëm.

[161] Pastrojeni Kaben nga idhujtaria, mohimi, gjynahet, papastrëtitë e ndytësitë. Atribuimi i shtëpisë tek Allahu tregon për rëndësinë e saj tek Allahu, për vendin dhe madhështinë e saj. Kabja është shtëpia e Allahut, ndaj edhe ky emër i tërheq zemrat e njerëzve kah ajo. [Taberiu, Es Seadi].

[162] Që falin namaz.

[163] Kujtoni gjithashtu kur…

[164] Meka ka qenë e siguruar nga Allahu prej tiranëve e kryelartëve, që kur janë krijuar qiejtë dhe toka, siç ka ardhur në thënien e Pejgamberit (alejhi selam). Ajo ka qenë e siguruar nga Allahu edhe pse ndalimi i saj nuk i ka qenë shpallur ndonjë pejgamberi më parë, por iu shpall Ibrahimit (alejhi selam).

[165] Prej fryteve të tij, ashtu si edhe besimtarët.

[166] Deri sa të vdesë, pasi që jeta në këtë botë është shumë e shkurtër në krahasim me jetën në botën tjetër, e cila është e pafund.


 

127. Edhe kur[167] Ibrahimi bashkë me Ismailin ngritnin themelet e shtëpisë (Kabes, luteshin): “Zoti ynë! Pranoje prej nesh[168]! Me të vërtetë, Ti je Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.

128. Zoti ynë! Na bëj ne dy të nënshtruar[169] ndaj Teje! Edhe prej pasardhësve tanë bëj një grup[170] të nënshtruar Ty! Na i trego ritet tona[171] dhe na e prano pendimin[172]! Me të vërtetë, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.

129. Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar[173] nga mesi i tyre, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë Librin[174] dhe urtësinë[175], dhe t’i pastrojë[176]! Me të vërtetë, Ti je i Plotfuqishmi, më i Urti.”

130. E kush mund të largohet nga feja e Ibrahimit përveç atij që injoron[177] vetveten! Ne e kemi zgjedhur[178] atë (Ibrahimin) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër padyshim që ai do të jetë ndër të mirët[179].

131. Kur Zoti i tij i tha: “Nënshtrohu!” –ai u përgjigj: “Iu nënshtrova Zotit të botëve.”

132. Pastaj Ibrahimi ua dha këtë porosi[180] bijve të tij, po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Allahu ua zgjodhi juve fenë[181], ndaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë[182]!”

133. A ishit dëshmitarë[183] kur Jakubit iu afrua vdekja dhe u tha bijve të tij: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe të etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne vetëm Atij i jemi nënshtruar.”[184]

134. Ai është një popull që tashmë ka kaluar. Ai do të ketë atë që ka fituar ndërsa ju[185] atë që fitoni[186], dhe nuk keni për t’u pyetur për atë që vepronin ata.

-20-


[167] Kujtoni gjithashtu kur…

[168] Këtë vepër, bindjen tonë ndaj Teje, adhurimin që ne të bëjmë Ty.

[169] Dy muslimanë të dorëzuar dhe të nënshtruar Ty, të bindur ndaj urdhrit Tënd, që nuk të bëjmë shok në bindjen ndaj Teje dhe as në adhurimin Tënd.

[170] Është veçuar vetëm një grup për shkak se Allahu i tregoi më parë Ibrahimit se nga pasardhësit e tij do të ketë njerëz të cilët nuk i përfshin premtimi i Tij për shkak të padrejtësisë që bëjnë dhe shthurjes së tyre.

[171] Na i trego ritet e Haxhit me hollësi dhe na bëj që t’i shohim me sytë tanë. Mund të jetë për qëllim gjithashtu edhe të gjitha ritet e fesë, gjë e cila është më përfshirëse, por zakonisht fjala “Menasik” përdoret posaçërisht për ritet e Haxhit. [Es Seadi].

[172] Na e prano kthimin tek Ti të penduar për gjynahet e bëra, duke na i falur ato.

[173] Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kjo është lutja që ka bërë Ibrahimi dhe Ismaili (Paqja e Allahut qoftë mbi ata të dy!) për Pejgamberin tonë, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe kjo është lutja të cilën ka pasur për qëllim Pejgamberi ynë në fjalën e tij: “Unë jam lutja e babait tim, Ibrahimit dhe përgëzimi i Isait.” [Taberiu].

[174] Kuranin.

[175] Sunetin, traditën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), apo dijen për ligjet e Allahut e cila nuk mund të arrihet veçse me sqarimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[176] T’i pastrojë nga idhujtaria dhe mohimi, dhe t’i kultivojë bindjen ndaj Allahut dhe njësimin e Tij.

[177] D.m.th. nuk largohet nga feja e pastër e Ibrahimit askush përveç ndonjë mendjelehti i cili nuk e di se ç’është e mirë për veten e tij dhe as se çfarë e dëmton atë në të ardhmen.

[178] E kemi bërë prej të zgjedhurve. E kemi zgjedhur për të qenë miku dhe i dashuri i Allahut, dhe për ta bërë prijës të besimtarëve pas tij në dynja.

[179] Prej atyre të cilët i kanë plotësuar detyrimet ndaj Allahut.

[180] Që të jenë muslimanë, t’i nënshtrohen Allahut me bindje ndaj Tij, të adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i bëjnë shok.

[181] Islamin, të nënshtruarit vetëm Allahut.

[182] Dhe kjo arrihet vetëm duke qenë gjithnjë në Islam dhe duke mos iu ndarë atij për asnjë cast, përndryshe askush nuk e di se kur mund t’i vijë vdekja.

[183] I drejtohet çifutëve dhe të krishterëve, të cilët pretendonin se ishin në fenë e Ibrahimit dhe të Jakubit pas tij.

[184] Ata sigurisht që nuk kanë qenë prezent në atë kohë, sepse nuk kanë pas ekzistuar, por me këtë Allahu tregon se Ibrahimi dhe Jakubi i porositën bijtë e tyre për të qëndruar në fenë e pastër Islame dhe jo në atë çifute.

[185] U drejtohet çifutëve dhe të krishterëve, për t’u treguar se pretendimet e tyre se gjoja janë në fenë e Ibrahimit, nuk u bëjnë dobi tek Allahu, por secili do të marrë shpërblimin e veprës së vet.

[186] Secili do të shpërblehet për veprën e vet dhe askush nuk dënohet për gjynahun e tjetrit.


 

135. Ata gjithashtu thonë: “Bëhuni jehudi ose të krishterë që të udhëzoheni drejtë[187]!” Thuaju: “Përkundrazi, (ne ndjekim) vetëm fenë e drejtë të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë prej idhujtarëve.”

136. Thoni: “Ne besojmë në Allahun[188], në atë që na është zbritur neve[189], në atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve[190], në atë që i është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dhënë pejgamberëve[191] nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim mes tyre[192] dhe vetëm Atij (Allahut) i jemi nënshtruar[193].

137. Në qoftë se ata besojnë kështu si besoni edhe ju, atëherë janë udhëzuar[194], e nëse kthejnë shpinën, atëherë vërtet që ata janë në armiqësi[195]. Por Allahu do të të sigurojë prej tyre[196], e Ai është Gjithëdëgjuesi[197], i Gjithëdijshmi[198].

138. Ngjyrimin[199] e Allahut! E ku ka ngjyrim më të bukur se ai i Allahut! Ne vetëm Atë adhurojmë[200].

139. Thuaju: “A polemizoni me ne për Allahun[201], e Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj dhe ne kemi veprat tona e ju veprat tuaja? Ne jemi besnikë ndaj Tij.[202]

140. Apo mos thoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët kanë qenë jehudi apo të krishterë? Thuaju: “Ju e dini më mirë[203] apo Allahu?” E kush është më i padrejtë se ai i cili e fsheh dëshminë[204] që ai ka nga Allahu?” Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni ju.

141. Ai është një popull që tashmë ka kaluar. Ai do të ketë atë që ka fituar ndërsa ju atë që fitoni[205], dhe nuk keni për t’u pyetur për atë që vepronin ata.

-21-

Kthehu te Xhuzi 1 a Vazhdo te Xhuzi 2

[187] Çifutët i thanë Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokëve të tij besimtarë: “Bëhuni jehudi që të udhëzoheni drejt!”, ndërsa të krishterët thanë: “Bëhuni të krishterë që të udhëzoheni drejt!”

[188] Se Ai është Një Zot i vetëm, Zotërues i atributeve absolute dhe i pastër nga çdo mangësi, i Vetmi i Cili meriton të adhurohet.

[189] Atë që i është shpallur Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Allahu: Kurani dhe Suneti.

[190] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë pejgamberë.

[191] Besojmë gjithashtu në të gjitha Librat që Allahu u ka shpallur pejgamberëve të Tij të ndryshëm.

[192] Nuk besojmë disa dhe i mohojmë disa të tjerë, por i besojmë të gjithë, ashtu si na ka njoftuar dhe urdhëruar Allahu, dhe jo ashtu si bënë çifutët të cilët e mohuan Isain dhe Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dy ata!), dhe as ashtu si bënë të krishterët të cilët e mohuan Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

[193] Me bindje dhe adhurim; jemi muslimanë.

[194] Njësoj si ju dhe atëherë do të jenë prej jush.

[195] Në kundërshtim, në ndarje dhe në luftë me Allahun, me të dërguarin e Tij dhe me ju, o besimtarë.

[196] Dhe e bëri këtë gjë së shpejti, duke i dhënë pejgamberit të Tij pushtet mbi çifutët, sa që disa prej tyre i vrau, disa i dëboi dhe disa i poshtëroi duke u marrë xhizjen me përçmim.

[197] Dhe e dëgjon se çfarë të thonë ty me gjuhët e tyre.

[198] Dhe e di se çfarë fshehin nga ti dhe nga muslimanët prej zilisë dhe urrejtjes.

[199] Ne ndjekim fenë e Ibrahimit, e cila është ngjyrimi i Allahut, feja e Allahut, Islami. Është përdorur fjala “ngjyrim” për të treguar se besimi Islam dhe praktikimi i tij është si ngjyrim i besimtarit, natyrë dhe cilësi e tij, me të cilën arrin lumturinë në të dyja botët. Pra, përmbajuni ngjyrimit të Allahut duke ju bindur atij, duke besuar dhe duke praktikuar dispozitat e fesë së Tij, deri sa feja të bëhet natyrë e juaj, njësoj si ajo rrobja që ngjyroset dhe ngjyra bëhet cilësi e saj. [Taberiu, Es Seadi].

[200] Ne jemi popull i nënshtruar vetëm Allahut dhe të bindur ndaj Tij në ndjekjen e fesë së Ibrahimit dhe të përvetësuarit e kësaj feje, dhe nuk bëjmë mëndjemadhësi në ndjekjen e urdhrit të Tij dhe as në mohimin e të dërguarve të Tij ashtu si kanë bërë çifutët dhe të krishterët të cilët e mohuan Muhamedin nga mendjemadhësia, padrejtësia dhe zilia e tyre.

[201] Me pretendimin se feja juaj është më e mirë se feja jonë dhe se Libri juaj është më i mirë se Libri ynë për shkak se ka zbritur më parë se Libri ynë! Por ky është një pretendim bosh dhe i pavend, pasi që Allahu është Zot i të gjitha krijesave dhe ato që merren në konsideratë janë veprat e secilit njeri dhe bindja e nënshtrimi i Tij ndaj Allahut.

[202] Vetëm Allahun adhurojmë dhe Atij i bindemi, pa i bërë shok Atij dhe pa adhuruar asgjë tjetër përveç Tij.

[203] Se çfarë feje kanë pasur ata.

[204] Se këta pejgamberë kanë qenë muslimanë.

[205] Secili do të shpërblehet për veprën e vet dhe askush nuk dënohet për gjynahun e tjetrit.

 

error: Alert: Content is protected !!