You are here:--PËRSE “RRUGËT E PAQES”

PËRSE “RRUGËT E PAQES”

2018-02-22T14:50:34+00:00February 22nd, 2018|Categories: Kuran|

PËRSE “RRUGËT E PAQES”

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që ju ka ardhur nga Allahu Dritë dhe Libër i qartë. Me anë të tij Allahu udhëzon të gjithë ata të cilët kërkojnë Kënaqësinë e Tij drejt RRUGËVE TË PAQES, dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij, dhe i udhëzon në Rrugën e Drejtë.” [El Maide, 15-16].

Ebu Xheafer Taberiu thotë: Allahu i Madhëruar u drejtohet ithtarëve të Librit:
“Vërtet që ju ka ardhur juve” -o ithtarë të Teuratit dhe Inxhilit – por sigurisht që këtu përfshihet i gjithë njerëzimi në përgjithësi.

“nga Allahu Dritë” d.m.th. Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me të cilin Allahu ndriçoi të vërtetën, i dha ngadhënjimin Islamit dhe shfarosi shirkun (politeizmin). Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është dritë për atë i cili ndriçohet me të për t’iu qartësuar e vërteta. Dhe nga ndriçimi i të vërtetës me të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është qartësimi i tij çifutëve ato shumë gjëra që i fshehnin nga Libri.
Dhe thuhet se është për qëllim me dritën: Islami.

“dhe Libër i qartë” d.m.th: Vërtet që ju ka ardhur nga Allahu Drita e cila iu ka ndriçuar shenjat e të Vërtetës dhe Libër i qartë, d.m.th. Libër në të cilin ka sqarim të asaj për të cilën kundërshtoheshin mes tyre prej teuhidit, hallallit dhe haramit, dhe ligjeve të fesë. E ai libër është Kurani të cilin Allahu ia shpalli të Dërguarit tonë, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për t’i sqaruar dhe qartësuar njerëzve çdo gjë që u nevojitet në fenë e tyre, që të dallojnë të vërtetën nga e kota.

“Me anë të tij Allahu udhëzon” d.m.th. drejton dhe inspiron në të vërtetën me anë të atij Libri, d.m.th. me Kuranin.

“të gjithë ata të cilët kërkojnë Kënaqësinë e Tij” d.m.th. ata të cilët ndjekin Kënaqësinë e Allahut.

“drejt rrugëve të paqes” d.m.th. drejt rrugëve të sigurisë, shpëtimit, dhe paqes së gjithanshme dhe të përhershme; “Es Selam” është një nga Emrat e Allahut të Madhëruar.
Taberiu përcjell se Es Sudej ka thënë: “drejt rrugëve të paqes” d.m.th. drejt rrugës së Allahut, të cilën e ka ligjëruar për robët e Tij, i ka thirrur në të dhe me të ka dërguar pejgamberët e Tij, e ajo (rruga e Allahut) është Islami, pa të cilin Allahu nuk pranon asnjë punë nga njeriu, as me jehudizmin, as me krishterizmin, as me mexhusizmin.

Kurtubiu thotë: “drejt rrugëve të paqes” d.m.th. drejt rrugëve të shpëtimit, të cilat të shpienë në banesën e shpëtimit (Xhenet) të pastër nga çdo e metë, dhe drejt rrugëve të sigurisë nga çdo lloj frike, e ai është Xheneti.

“dhe Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë”, d.m.th. i nxjerr ata të cilët ndjekin Kënaqësinë e Allahut, nga errësirat e kufrit dhe shirkut, në dritën e Islamit dhe udhëzimit.

“me Vullnetin e Tij” d.m.th. duke ia bërë të dashur besimin me heqjen e vulës së kufrit dhe të shirkut nga zemra e tij dhe me inspirimin për të parë Rrugët e Paqes


Përmbledhur nga: Tefsiri i Taberiut dhe Tefsiri i Kurtubiut
Përgatiti: Dr. Bledar Albani

error: Alert: Content is protected !!