You are here:--Shkencat e Kuranit (2)

Shkencat e Kuranit (2)

2018-10-17T13:48:42+00:00February 22nd, 2018|Categories: Kuran|

BAZA E PARË – ZBRITJA E KURANIT

 

Autor: Abdullah ibën Jusuf el Xhudej

Përktheu: Bledar Albani


Kjo bazë përfshin pjesët e mëposhtme

Pjesa e parë: Mënyra e zbritjes së Kuranit

Pjesa e dytë: Shkaqet e zbritjes së Kuranit

Pjesa e tretë: Njohja e sureve Mekase dhe atyre Medinase

Pjesa e katërt: Pjesa e parë dhe pjesa e fundit që ka zbritur nga Kurani

Pjesa e pestë: Shtatë shkrimet e Kuranit


PJESA E PARË

Mënyra e zbritjes së Kuranit

Tema e parë

Si është zbritur Kurani

Është mëse e sigurtë nga feja Islame se Kurani nuk i ka zbritur përnjëherë Pejgamberit tonë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), siç ka qenë me librat e mëparshëm qiellorë si Teurati dhe Inxhili. Por Kurani është zbritur në bazë të ngjarjeve që ndodhnin që nga fillimi i shpalljes dhe deri në fund të jetës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) në dynja. Këtë të vërtetë e themelon Fjala e Allahut të Madhëruar: “E ata që nuk besojnë thonë: “Pse nuk i është shpallur atij Kurani i tërë përnjëherë?” Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde dhe të është shpallur ty i rregulluar mirë dhe kohë pas kohe të përcaktuar.” [El Furkan, 32].

Si dhe Fjala e Allahut: “Ai është një Kur’an të cilin Ne e kemi ndarë (në pjesë), me qëllim që ti të mund t’ua lexosh njerëzve kohë pas kohe dhe Ne e kemi shpallur atë me faza e ndalesa (për 23 vjet sipas kohës e vendit të përcaktuar).” [El Isra, 106].

Por, çfarë kuptimi ka “zbritja” në Fjalën e Allahut: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani…” [El Bekare, 185]?

Si dhe Fjala e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në një natë të bekuar (nata e Kadrit).” [Ed Duhan, 3]?

Si dhe Fjala e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” [El Kader, 1]?

Këto ajete përputhen me njëri-tjetrin në njoftimin se Allahu i Madhëruar e ka zbritur Kuranin në një natë të begatë në muajin e Ramazanit, e cila është nata e Kadrit.

Dhe ky lajm, në pamje të parë mund të argumentojë për zbritjen e Kuranit të gjithë përnjëherë në atë natë.

Atëherë, si të bashkojmë mes këtij kuptimi të drejtpërdrejtë e të jashtëm, dhe mes të vërtetës së padiskutueshme për zbritjen e tij të ndarë në pjesë?

Disa prej dijetarëve të parë (prej selefëve) kanë thënë se kuptimi i kësaj është se fillimi i zbritjes së Kuranit ka qenë në natën e Kadrit, dhe jo zbritja e të gjithë Kuranit.

Këtë fjalë nuk ka çfarë ta kundërshtojë dhe kjo është një prej komentimeve të tre ajeteve të përmendura.

Por është vërtetuar nga imami i komentuesve të Kuranit, Abdullah ibën Abasi (radiallahu anhu), se Kurani ka pasur dy zbritje:

E para: Nga El Leuhu el Mahfudh në qiellin e kësaj dynjaje; dhe kjo ka qenë përnjëherë.

E dyta: Nga qielli i dynjasë në tokë, tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i ndarë në pjesë sipas ngjarjeve që ndodhnin.

Ibën Abasi (radiallahu anhu) thotë: “Allahu e zbriti Kuranin në qiellin e dynjasë, në natën e Kadrit dhe kur Allahu dëshironte të shpallte diçka prej tij, e shpallte atë. Kjo është për qëllim në Fjalën e Allahut: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “I gjithë Kurani është zbritur njëherësh në natën e Kadrit, në Ramazan, në qiellin e dynjasë. Dhe kur Allahu donte të zbriste diçka të re në tokë, atëherë e zbriste nga ai, deri sa e plotësoi të gjithin (e zbriti të gjithin).”[1]

Këtë haber të Ibën Abasit e ka pranuar shumica e dijetarëve, dhe ai është përcjellë me disa fomra dhe shprehje nga Ibën Abasi (radiallahu anhu). Lajme të tilla janë njoftime për gjëra të fshehta të cilat nuk mund të njihen veçse me lajm qiellor, ndaj ky haber merr gjykimin e hadithit të ngritur tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), dhe që të bazohemi në këtë haber është më e privilegjuar se sa të bazohemi thjesht në teorira.

Disa prej dijetarëve mendojnë se urtësia në zbritjen e Kuranit njëherësh në qiellin e dynjasë, dhe ai është Libri i Allahut për tek banorët e tokës, urtësia e kësaj është: njoftimi i engjëjve të lartësive për shpalljen e re të zbritur banorëve të tokës, si dhe për të bërë të qartë vlerën e atij që i shpallet ky Ligj dhe vlerën e pasuesve të tij, veçanërisht me ndodhjen e kësaj në natën më madhështore, për të cilën Allahu i Madhëruar ka thënë: “Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe Urdhëresave (për vitin tjetër).” [Ed Duhan, 4].

Dhe ka thënë për të: “Ajo është më e mirë se një mijë muaj.” [El Kader, 3].

Pra, kjo gjë (zbritja e Kuranit njeherësh në qiellin e dynjasë) është lartësim për vetë Kuranin, për të Dërguarin të cilit ai i shpallet dhe për popullin i cili do të gjejë lumturinë në udhëzimin me të.

E ndoshta pas kësaj gjëje fshihen edhe urtësi të tjera të cilat i di Allahu i Madhëruar, dhe që mund të jenë më të mëdha dhe më madhështore se këto që u përmendën, e Allahu e di më mirë.

Tema e dytë

Urtësia në zbritjen e Kuranit të ndarë në pjesë

Kurani i ka zbritur Pejgamberit tonë (salallahu alejhi ue selem) i ndarë në pjesë, gjatë 23 vjetëve; 13 vjet në Meke dhe 10 vjet në Medine, dhe zbritja ka qenë sipas nevojës. Kishte sure që zbriteshin njëherësh dhe kishte sure nga të cilat zbriteshin disa ajete, madje kishte raste që zbriste vetëm një pjesë ajeti, si në rastin e shkakut të zbritjes së Fjalës së Allahut: “përveç atyre që janë të pamundur”, në ajetin: “Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç atyre që janë të pamundur, me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut me pasurinë e tyre dhe me jetën e tyre…” [En Nisa, 95].[2]

Në këtë lloj zbritje të Kuranit ka urtësi të mëdha, prej të cilave po përmendim:

  1. Forcim të zemrës së pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “E ata që nuk besojnë thonë: “Pse nuk i është shpallur atij Kurani i tërë përnjëherë?” Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde dhe të është shpallur ty i rregulluar mirë dhe kohë pas kohe të përcaktuar.” [El Furkan, 32].

Me këtë urtësi dallohen suret dhe ajetet mekase, për shkak të nevojës që kishte Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) në atë kohë në qëndrueshmërinë përballë mosbesimtarëve dhe durimit të dëmeve të tyre. Kështu që Kurani i zbriste atij duke e kujtuar për shpërblimin, durimin, llogaritjen e kësaj për Hir të Allahut, si dhe me tregimin e historive të Pejgamberëve dhe popujve të mëparshëm, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe gjithçka që Ne të shpallim ty (O Muhammed) nga lajmet e të Dërguarve (para teje), (bëhet) me qëllim që Ne ta bëjmë të fortë e të paepur zemrën tënde me anë të tyre. Dhe në këtë të ka ardhur ty e vërteta si dhe këshillim, thirrje e përkujtim për besimtarët.” [Hud, 120].

  1. Rrëzim të kundërshtimeve të mosbesimtarëve.

Mosbesimtarët përpiqeshin gjithnjë të flisnin keq për Kuranin dhe të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem), duke sjellë shembuj përngjasues për të. Këtë gjë ata e bënin vazhdimisht dhe Xhibrili (alejhi selam) zbriste me Kuran për të vërtetuar të vërtetën dhe për të rrëzuar të pavërtetën, për të kthyer mbrapsht kundërshtimet dhe për të hequr çdo lloj dyshimi me provat më të qarta dhe më të mira. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe asnjë shembull përngjasues nuk sjellin dot ata (për ta kundërshtuar ose për të gjetur ndonjë gabim tek ti ose te ky Kur’an), vetëm se Ne të shpallim ty të Vërtetën dhe prej këndej shpjegimin më të mirë.” [el Furkan, 33].

  1. Shkallëzimi në vënien e dispozitave sipas gjendjes së njerëzve.

Transmetohet nga Aisha (radiallahu anha) se ka thënë: “Ajo që ka zbritur më parë prej tij (Kuranit) ka qenë një sure nga suret e shkoqitura (el Mufasal) në të cilën përmendet xheneti dhe xhehenemi. Dhe kur njerëzit iu drejtuan Islamit, zbriti hallalli dhe harami. E sikur të zbriste që në fillim: “Mos e pini alkoolin!”, njerëzit do të thoshin: “Nuk e lëmë kurrë alkoolin”, dhe sikur të kishte zbritur që në fillim: “Mos bëni kurvëri!”, do të thoshin: “Nuk do ta lëmë kurrë kurvërinë.” Kur unë isha ende e vogël dhe luaja, në Mekë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) i zbriti ajeti: “Por jo, afati i tyre është Ora (Kiameti) dhe Ora do të jetë më e tmerrshme dhe më e hidhur.” [El Kamer, 46].

Dhe nuk ka zbritur surja el Bekare dhe en Nisa, veçse kur unë isha tek ai (salallahu alejhi ue selem).”[3]

Është mëse i njohur ndikimi i shkallëzimit në edukimin dhe ndërtimin e personalitetit, dhe e sheh ndikimin e zbritjes së Kuranit në pjesë tek mbjella më e madhe të cilën e mbolli i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tek shokët e tij, si shembulli i të cilëve historia nuk ka parë ndonjëherë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

Shto këtu edhe dobinë e shkallëzimit në zbritjen e kuranit për lehtësimin e marrjes së Kuranit dhe përvetësimit të tij në të mësuar përmendësh dhe në të kuptuar.

  1. Përforcim i vërtetësisë së të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) me faktin se ajo me të cilën ka ardhur është nga Allahu.

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk mendojnë thellë për Kur’anin? Po të kishte qenë ai prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që do të kishin gjetur në të mjaft kundërthënie e mospërputhje.” [En Nisa, 82].

Pra, një Libër, pjesët e të cilit shpallen për një kohë relative prej 23 vjetësh, nuk gjen në të diçka nga fundi që të kundërshtojë diçka që është shpallur nga fillimi i tij dhe as të jetë në kundërthënie me të!

Përkundrazi, pjesët e zbritura më pas i përforcojnë dhe i vërtetojnë ato të mëparshmet.

Ky është prej argumentve më të mëdha se Kurani është prej më të Urtit, të Gjithënjohurit. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, mendja e të cilit e bredh atë në çdo luginë, as fjalë e ndonjë fallxhori të cilin e mashtrojnë djajtë me gënjeshtra, madje as fjalë e ndonjë njeriu të zgjuar dhe të shkolluar, gjuha e të cilit flet me urtësi dhe qartësi, pasi që më i zgjuari i të zgjuarve me mendjen e tij e sheh sot se dje ka qenë gabim apo ka lënë diçka mangut.

Ka edhe njerëz të specializuar në ndonjë shkencë apo art, ku mund të jetë kokë në fushën e tij, dhe ndoshta ka punuar në të dekada me radhë duke rregulluar, shtuar e spastruar. Për vite me radhë ai nuk i nxjerr njerëzve asgjë, pastaj libri i tij del për të qenë argument për njerëzit në atë art të caktuar; sa kritikë gjen për librin e tij? Sa korrigjues dhe rregullues të të metave të tij?

Ndërsa ky Kuran ka zbritur për njëzetë e disa vjet, duke zbritur ca e nga ca, një sure ose disa ajete, madje një ajet ose një pjesë ajeti, me të rejat e të cilit njerëzit gdhiheshin dhe ngryseshin, megjithatë asnjë gërmë nuk ka ardhur në kundërshtim me një tjetër, asnjë fjalë në kundërshtim me një tjetër, asnjë kuptim në kundërshtim me një tjetër. Atë ua lexonte njerëzve një Pejgamber analfabet, i cili para tij (zbritjes së Kuranit) nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante, (salallahu alejhi ue selem): “Dhe ti (Muhammed) as nuk lexove ndonjë libër para tij (Kur’anit), as nuk shkrove kurrë ndonjë libër me të djathtën tënde. Në një rast të tillë, ndjekësit e të pavërtetës e të së kotës do të mund të kishin dyshuar.” [El Ankebut, 48].

“Dhe kështu Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) Ruhun (Frymëzim dhe Mëshirë) nga Urdhëri dhe Vullneti Ynë. Ti nuk e dije as ç’është Libri dhe as ç’është Imani (Besimi), por Ne e kemi bërë atë (këtë Kur’an) dritë, që Ne të udhëzojmë me anë të tij atë që Ne duam nga robët Tanë. Dhe padyshim që ti (O Muhammed) sigurisht që po udhëheq (njerëzimin) në Udhën e Drejtë (në Fenë e Allahut, në Islam).” [Esh Shura, 52].

“Vërtet se ata që nuk besuan në Mesazhin Përkujtues (Kur’an) kur ai u erdhi atyre (do të marrin dënimin). Dhe ai është një Libër i nderuar dhe i vlerësuar (sepse ai është Fjala e Allahut dhe Ai e ruan atë nga çdo shtrembërim). Nuk hyn gënjeshtra në të as nga para, as nga prapa: ai është i zbritur nga (Allahu) më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.” [Fusilet, 41-42].

Tema e tretë

Kush e zbriste Kuranin

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i Alemit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhindeve). Të cilin Ruhul emin (shpirti i besueshëm, Xhibrili) e ka zbritur në zemrën tënde (O Muhammed) që të mund të jesh prej këshilluesve, (i zbritur) në gjuhën e qartë Arabe.” [Esh Shuara, 192-195].

“Thuaj (O Muhammed): “Ruhul Kudus (shpirti i shenjtë, Xhibrili) e ka zbritur atë (Kuranin) prej Zotit tënd padyshim me të Vërtetën, që ai të mund t’i forcojë e t’i bëjë të qëndrueshëm (në besim) ata që besuan si dhe udhëzues e përgëzues për Muslimanët (të cilët i janë nënshtruar plotësisht Allahut).” [En Nahl, 102].

“(Betohem) për yllin kur ai bie (e shuhet)! Shoku juaj (Muhammedi) as nuk ka humbur rrugën e drejtë, as nuk ka gabuar. As nuk flet ai nga dëshira (e vetë atij). Është vetëm Shpallje që i frymëzohet. Atij i është mësuar (ky Kuran) nga një i lartë në fuqi (Xhibrili), një i pastër nga çdo e metë në mendje e trup …” [En Nexhm, 1-6].

I larti në fuqi është po i njëjti shpirti i besueshëm dhe shpirti i shenjtë, ai është engjëlli Xhibril (alejhi selam), siç thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “Kushdo që është armik i Xhibrilit (le të vdesë në zemërimin e tij), sepse në të vërtetë ai e ka sjellë këtë (Kuran) në zemrën tënde me Vullnetin dhe Lejen e Allahut duke përforcuar çfarë ka ardhur më parë, që është në duart e tyre (Teurati dhe Inxhili) dhe si udhëzim e përgëzim për besimtarët.” [El Bekare, 97].

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka njoftuar për formën se si i vinte shpallja. El Harith ibën Hisham (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e pyeti atë: “O i Dërguari i Allahut! Si të vjen shpallja? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Ndonjë herë më vjen si tingulli i ziles, dhe kjo është më e vështira për mua, dhe kur më lëshon, e kam perceptuar atë që më ka thënë. Ndonjëherë tjetër më vjen engjëlli në formën e një burri i cili më flet dhe unë e perceptoj atë që më thotë.”[4]

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka parë Xhibrilin në formën e tij reale vePejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka parë Xhibrilin në formën e tij reale veçse dy herë, siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të cilën e pyeti Mesruk ibën el Exhdei për Fjalën e Allahut: “Dhe vërtet që ai (Muhammedi) e pa atë (Xhibrilin) në hapësirën e pastër (drejt lindjes).” [Et Tekvir, 23] Dhe për Fjalën e Allahut: “Dhe vërtet që ai (Muhammedi) e pa atë (Xhibrilin) në një zbritje tjetër (edhe një herë tjetër).” [En Nexhm, 13].

Aisha tha: “Unë jam e para nga ky popull që e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) për këtë gjë dhe ai më tha: “Ai është Xhibrili. Nuk e kam parë atë në formën e tij në të cilën është krijuar veçse në këto dy raste. E pashë atë duke zbritur nga qielli, dhe madhështia e tij si krijesë e zinte mes qiellit dhe tokës.”[5]


Pjesa e dytë

Shkaqet e zbritjes së Kuranit

Tema e parë

Për nga zbritja, Kurani është dy llojesh

Lloji i parë: Ato tekste Kuranore të cilat nuk kanë ndonjë shkak zbritjeje të veçantë.
Nën këtë lloj përfshihet shumica e teksteve të Kuranit, duke zbritur direkt me bindjet (besimet) dhe ligjet pa qëndruar në ndonjë shkak që kërkonte përgjigje për ndonjë ngjarje apo pyetje. Kjo sepse këtë Kuran e ka zbritur Ai i Cili e di krijimin dhe natyrën e njeriut dhe e di se çfarë i siguron atij dobinë dhe interesin, kështu që fillon me dijen dhe ligjet në atë formë që Ai e di se njeriu ka nevojë.

Lloji i dytë: Tekstet e zbritura për shkak të ndonjë ngjarje të veçantë apo si përgjigje e ndonjë pyetje.
Ky lloj është si në vend të fetvave në rast të papriturash e fatkeqësish, të cilat janë raste të veçanta që u ndodhin muslimanëve apo disave prej tyre, dhe Allahu ia shpall përgjigjen për to të Dërguarit të Tij me qëllim që të gjykoj me të.
Nën këtë lloj të teksteve Kuranore përfshihen edhe “Shkaqet e zbritjes së Kuranit”, siç e shohim në shembujt e mëposhtëm:

1. Xhundub ibën Sufjan (radiallahu anhu) transmeton dhe thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u sëmurë dhe nuk u ngrit (nga shtrati) për dy apo tre netë. Një grua erdhi dhe tha: “O Muhamed! Shpresoj që shejtani yt të të ketë lënë, sepse nuk e kam parë pranë teje që prej dy apo tre netësh.” Atëherë Allahu shpalli: “(Betohem) për paraditën! Për natën kur shtrinë errësirën! Jo, nuk të ka braktisur ty (O Muhammed) Zoti yt dhe as nuk është i pakënaqur me ty!”[1] [Ed Duha, 1-3].

2. Aisha (radiallahu anha) transmeton dhe thotë: “Falënderuar qoftë Allahu i Dëgjimi i të Cilit i ka përfshirë të gjitha zërat. Debatuesja erdhi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të folur me të, ndërsa unë isha në një cep të dhomës dhe nuk dëgjoja asgjë. Atëherë Allahu shpalli: “Vërtet që tashmë Allahu e dëgjoi fjalën e saj e cila fjaloset me ty (O Muhammed) lidhur me bashkëshortin e saj…”[2] El [Muxhadele, 1].

3. Transmetohet nga Abdullah ibënj Umer (radiallahu anhuma) se: “Kur vdiq Abdullah ibën Ubej, i biri i tij erdhi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe I tha: “O i Dërguari i Allahut! Më jep këmishën tënde që ta qefinos në të, dhe bëj lutje e kërko falje për të!” Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia dha këmishën e vet dhe tha: “Më lër tani që të lutem për të.” Ai e la, dhe kur Pejgamberi deshi të lutej për të, Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e tërhoqi dhe i tha: “A nuk të ka ndaluar Allahu që të lutesh për hipokritët?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Unë jam i lirë të zgjedh mes dy gjërash: “Edhe nëse ti kërkon falje për ta (hipokritët) ose nuk kërkon falje për ta; bile edhe sikur të kërkosh shtatëdhjetë herë faljen e tyre, (prapë) Allahu nuk do t’i falë ata…” [Et Teube, 80]. Dhe kështu bëri lutje për të, atëherë zbriti ajeti: “Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (Xhenazen) kurrë…” [Et Teube, 84].[3]

Dije se që të dy llojet e shpalljes, qofshin ato tekste të shpallura me shkak apo pa shkak zbritje, që të dyja ato bashkohen se kanë zbritur për nevojat e njerëzve, pasi që i gjithë Kurani është për udhëzimin e njerëzve dhe drejtimin e tyre në më të mirën e dynjasë dhe të ahiretit, gjë e cila nuk arrihet veçse me anë të tij (Kuranit), siç thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “(Edhe) në qoftë se unë gaboj, do të gaboj vetëm për humbjen time, por në qoftë se unë mbetem i udhëzuar, kjo është nga Frymëzimi i Zotit tim ndaj meje. Vërtet që Ai është Gjithëdëgjues, kurdoherë i Afërt.” [Sebe, 50].

Tema e dytë

Rruga për njohjen e shkakut të zbritjes

Shkaku i zbritjes së një ajeti njihet me anë të njoftimit nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.

Dije gjithashtu, se fjala e sahabiut ku thotë: “Ky ajet ka zbritur për këtë gjë”, është në vend të hadithit të ngritur tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) edhe nëse nuk e përmend Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Shembull për këtë është hadithi i Ebu Mesud el Ensarit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Kur u urdhëruam të jepnim sadaka, ne sforcoheshim (ngushtoheshim nga mospasja). Ebu Ukajl erdhi dhe solli gjysëm tasi, pastaj një tjetër solli pak më shumë se ai. Atehërë hipokritët thanë: “Allahu nuk ka nevojë për sadakanë (lëmoshën) e këtij, ndërsa ajo që bëri ky tjetri ishte syefaqësi.” Atëherë u zbrit ajeti: “Ata të cilët marrin nëpër gojë dhe tallen me besimtarë të atillë që japin Sadaka me vullnetin e tyre dhe (me) ata të cilët nuk munden që të gjejnë për të dhënë Sadaka përveçse çfarë kanë në dorë…” [Teube, 79].

Por duhet pasur parasysh se:

Kur një sahabi thotë: “Ky ajet ka zbritur për këtë”, ndërsa një tjetër thotë: “Ka zbritur për këtë gjë”, duke përmendur arsye tjetër për të njëjtin ajet, atëherë shkaku i zbritjes së atij ajeti është ai që është më pranë tekstit të ajetit në kuptimin e tij pa përdorur interpretim, ndërsa tjetri ka për qëllim thjesht komentimin dhe shpjegimin se ajo gjë e përmendur përfshihet në gjykimin e atij ajeti.

Shembull për këtë është hadithi i Abdullah ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Pyeta –apo: u pyet- Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Cili është gjynahu më i madh tek Allahu? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Që t’i bësh shok Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar ty.” Pastaj tha: “Dhe të vrasësh fëmijën tënd nga frika se ha me ty (dhe të pakëson ushqimin).” Thashë: “Po tjetër?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Të bësh imoralitet me gruan e komshiut tënd.” Thotë: “Dhe ky ajet është zbritur për të vërtetuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (zot) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale)…” [El Furkan, 68].[4]

Po kështu edhe hadithi i Abdullah ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për të njëtin ajet, ku thuhet:
“Disa njerëz prej idhujtarëve të cilët kishin vrarë shumë njerëz, dhe kishin bërë imoralitet shumë, erdhën tek Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe thanë: “Ajo që thua dhe tek e cila thërret është e mirë, nëse na tregon se për ato që kemi bërë e vepruar ka falje.” Atëherë u zbrit ajeti: “Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (zot) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale)…” [El Furkan, 68]. Si dhe ajeti: “Thuaj: “O robët e Mi që i keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut…” [Ez Zumer, 53].[5]

Që të dy këto hadithe janë të sakta për nga transmetimi, dhe në pamje të parë kundërshtohen me njëri-tjetrin për shkakun për të cilin ka zbritur ajeti. Dhe rruga e të bashkuarit mes tyre është: që nëse mediton se cili prej atyre dyve është më pranë kuptimdhënies së shkakut të zbritjes, do të gjeje se hadithi i Ibën Abasit është më pranë kësaj, pasi që ai është i qartë se ajeti ka zbritur si përgjigje e një grupi prej idhujtarëve për faljen e gjynaheve të tyre.

Ndërsa hadithi i Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk përmban lidhje tjetër mes tekstit të hadithit dhe zbritjes së ajetit veçse përputhjen e Kuranit me fjalën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), gjë e cila nuk është e thënë që të jetë shkak për zbritjen e ajetit. Por këtu themi se Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka gjetur përfshirje të gjykimit të ajetit të pëmendur në hadithin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në përgjithësi. Dhe nuk ka dyshim se ajeti ka zbritur me atë domethënie për atë gjykim dhe argument për të, dhe ky është argumentim me të përgjithshmen e ajetit nga ana e Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Tema e tretë

A ka mundësi që të përsëritet shkaku i zbritjes së një ajeti

Nuk ka ndonjë pengesë që një ajet të zbritet për më shumë se një shkak.
Shembulli i kësaj: Ajo që ndodhi në zbritjen e ajeteve të divorcit me mallkim. Siç ka ardhur me transmetim të saktë, ato ajete kanë zbritur në lidhje me historinë e akuzimit të Uvejmir el Axhlani gruan e tij, dhe në lidhje me historinë e akuzimit të Hilal ibën Umejje gruan e tij. Dhe që në të dyja këto histori ka argument se ajetet kanë zbritur për shkak të tyre, megjithëse në historinë e dytë kjo gjë është më e dukshme.

Historia e Uvejmir-it

Transmetohet nga Sehl ibën Sead se: Uvejmir shkoi tek Asim ibën Adij, i cili ishte zotëriu i fisit Axhlan, dhe i tha: “Si thoni për atë burrë i cili e gjen gruan me një burrë tjetër: a ta vrasë atë dhe pastaj ju ta vrisni atë burrë, apo çfarë të bëjë? Pyet të Dërguarin e Allahut për këtë gjë për mua.” Asimi shkoi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut!” Por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urrejti gjënë për të cilën u pyet (dhe nuk iu përgjigj). Atëherë Uvejmiri e pyeti atë (Asimin) dhe ai i tha: “I Dërguari i Allahut nuk e pëlqeu pyetjen dhe e qortoi atë.” Atëherë Uvejmiri tha: “Për Allahun! Nuk kam për ta mbyllur me kaq deri sa të pyes të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë gjë.” Dhe kështu shkoi dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Një burrë gjen me gruan e tij një burrë tjetër; a ta vrasë atë dhe pastaj ju ta vrisni, apo çfarë të bëjë?” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu zbriti Kuran për ty dhe shoqen tënde” dhe e urdhëroi atë që të ndahej me mallkim, ashtu si e ka përmendur Allahu në Librin e Tij, dhe ai u nda nga ajo me mallkim.” –Pastaj përmendi hadithin deri në fund.[6]

Historia e Hilalit

Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Hilal ibën Umeje akuzoi gruan e tij tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se kishte bërë imoralitet me Sherik ibën Sehma. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sill provën, ose do të marrësh dënimin (e shpifjes) mbi shpinë.” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur ndonjëri nga ne të shohë një burrë tjetër mbi gruan e tij, a të shkojë të kërkojë dëshmitarë?!” Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi të thoshte: “Sill provën, ose përndryshe do të marrësh dënimin mbi shpinë.” Hilali tha: “Betohem në Atë, i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën, se unë them të vërtetën, dhe Allahu ka për të zbritur ç’ka do t’a pastrojë shpinën time nga dënimi.” Atëherë zbriti Xhibrili dhe i shpalli Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Dhe për ata që akuzojnë gratë e tyre, por nuk kanë dëshmitarë tjetër përveç vetes së tyre…” deri sa arriti te: “nëse ai (bashkëshorti i saj) është që flet të vërtetën.” [En Nur, 6-9]. Dhe përmendi hadithin deri në fund.[7]

Këto hadithe dhe të ngjashme me to nuk janë kundërthënie të njëri-tjetrit, por për shkak të zbritjes së një apo disa ajeteve për më shumë se një shkak. Ndoshta të dy këto shkaqe kanë qëlluar në të njëjtën kohë dhe ajeti ka zbritur për të dyja ato, ose është përsëritur zbritja e ajetit kur ngjarja është përsëritur, dhe kjo nuk ndalon që ai ajet të ekzistojë tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më parë, pasi që zbritja herën e parë përmban ngjarjen e parë bashkë me njoftimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për përmbajtjen e ajetit në gjykimin e përgjithshëm të tij për t’a zbatuar atë edhe në ngjarje të ngjashme e të njëjta me të, ndërsa zbritja e dytë bëhet për t’u ditur se ngjarja e re është për qëllim me atë ajet në mënyrë të prerë dhe të sigurtë, pasi që çdo ajet që zbret për një shkak të caktuar, ai shkak është patjetër për qëllim me atë ajet në mënyrë të prerë. Ndryshe nga ato që janë nën vendimin e gjykatësit dhe përpjekjes së tij për njohjen e të vërtetës, i cili kur e vendos një ajet në lidhje me një ngjarje apo ndodhi, ai e bën atë sipas mendimit që anon më shumë dhe jo në mënyrë të prerë. Kjo është një dobi me vlerë në forma të tilla prej shkaqeve të zbritjes së Kuranit.

Tema e katërt

Vendimtare është domethënia e përgjithshme e tekstit dhe jo shkaku i veçantë i zbritjes së tij

Ajetet që zbresin për një shkak të veçantë; a kufizohet gjykimi i tyre vetëm në shkakun për të cilin janë zbritur?
Ne vëmë re që shprehjet e ajeteve të zbritura për shkaqe të caktuara, të kenë ardhur me shprehje të përgjithshme të cilat përfshijnë atë ngjarje për të cilën ka ardhur hadithi se ajo ka qenë shkak për zbritjen e ajetit, si dhe përfshin gjithashtu çdo ngjarje që radhitet nën të përgjithshmen e asaj shprehje.
Dhe kur neve na janë përcjellë disa prej shkaqeve të zbritjes së disa ajeteve të Kuanit, përcjellësit e tyre nuk kanë pasur për qëllim që me fjalën e tyre për shembull “ky ajet ka zbritur për filanin”, se gjykimi i atij ajeti nuk kalon tek të tjerët.

Kufizimi i shprehjes së përgjithshme në shkakun e veçantë është anullim i domethënies së të përgjithshmes dhe dobisë së saj. Sikur Allahu të kishte për qëllim veçimin e gjykimit të atij ajeti vetëm për të ngjarje për të cilin ai u zbrit, nuk do ta zbriste atë me shprehje të përgjithshme e përgjithësuese. Por kjo do të thotë se me këtë tekst është dashur që ai të jetë ligj i përgjithshëm i cili zbatohet në të gjitha ngjarjet e ngjashme dhe të njëjta me atë ngjarje për të cilën ai ka zbritur.

Prandaj këtu vjen rregulli: “Vendimtare është domethënia e përgjithshme e tekstit dhe jo shkaku i veçantë i zbritjes së tij”

Po marrim një shembull për këtë
Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një burrë puthi një grua dhe pastaj shkoi tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ia përmendi këtë gjë.” Thotë (Ibën Mesudi): “Pastaj u zbrit ajeti:
Kryeni faljen në dy skajet e ditës dhe në orët e para të natës. Me të vërtetë që veprat e mira i largojnë veprat e këqia. Ky është përkujtim (e këshillë) për ata që përkujtojnë.” [Hud, 114]. Thotë: Atëherë ai burri tha: “A për mua është ky ajet, o i Dërguari i Allahut?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Për të gjithë ata që e bëjnë atë prej ymetit tim.”

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Një burrë prej të pranishmëve tha: “O Lajmëtar i Allahut! A është ky veçanërisht për të?” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo, por për njerëzit mbarë.”[8]

Tema e pestë

Dobitë e njohjes së shkaqeve të zbritjes së Kuranit

Njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit është nga gjërat për të cilat ka nevojë medituesi në Fjalën e Allahut të Madhëruar dhe njohja e tyre ka dobi të mëdha, prej të cilave përmendim:

§ Perceptimi i urtësive të vendosjes së ligjeve dhe njohja e synimeve të sheriatit, dhe se si ligjet e sheriatit vinin në përputhje me aktualitetin, përkrah ngjarjes së ndodhur dhe vërtetuese e plotësuese e nevojave të njerëzve.
Shkaqet e zbritjes së Kuranit të drejton në atë se Kurani nuk ka zbritur për t’u kërkuar bereqeti me leximin e tij, megjithëse në të gjendet bereqeti më i madh, por ai është zbritur që të jetë ligj për jetën, që me të të sistemohen marrëdhëniet mes njerëzve: shitblerja, martesa, divorci, mosmarrëveshjet, trashëgimia, etj. Si dhe të sistemohen adhurimet: pastërtia, namazi, agjërimi, etj. Jo vetëm për individin, por për shoqërinë dhe të gjithë shtetin.

§ Njohja e domethënies që ka për qëllim ajeti.
Kjo do të thotë se njohja e shkakut të zbritjes është bazë në komentimin e ajetit, ndaj edhe komentatorët e Kuranit udhëzohen me të për perceptimin e domethënieve të Kuranit.
Vëreje këtë në hadithin e treguar nga Humejd ibën Abdurrahman ibën Auf se: “Mervani (ibën el Hakem) tha: “O Rafi (portari i tij)! Shko tek Ibën Abasi dhe thuaji: “Sikur çdonjëri prej nesh që kënaqet me atë gjë që i është dhënë dhe do që të lavdërohet për atë që nuk e ka bërë, do të dënohej, atëherë kemi për t’u dënuar që të gjithë!” Ibën Abasi tha: “Ç’keni ju me këtë ajet? Ky ajet ka zbritur për ithtarët e librave (çifutët dhe të krishterët).” Pastaj Ibën Abasi lexoi ajetin: “(Dhe përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e Parë, për ta bërë të njohur e të qartë lajmin (e ardhjes së Muhammedit a.s.) dhe të mos e fshihnin atë…” [Al Imran, 187]. Pastaj lexoi ajetin: “Mos mendo se janë të shpëtuar nga ndëshkimi ata që kënaqen e gëzohen për atë që e kanë bërë dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e bënë, pra mos llogarit shpëtim për ta. Ata do të kenë ndëshkim të dhimbshëm.” [Al Imran, 188]. Pastaj Ibën Abasi tha: “Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pyeti ata (çifutët) për diçka dhe ata ia fshehën atij duke i treguar gjë tjetër. Pastaj dolën duke i lënë atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të kujtonte se i treguan për atë që i pyeti dhe u lavdëroheshin për këtë, si dhe u kënaqën me atë që bënë prej fshehjes së asaj për të cilën ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pyeti.”[9]

Ibën Abasi donte të thoshte se ky ajet me të Mervani u argumentua për atë që tha ishte i lidhur me ajetin para tij: “(Dhe përkujtoni) kur Allahu mori besë nga ata të cilëve iu dhanë Librat e Parë, për ta bërë të njohur e të qartë lajmin (e ardhjes së Muhammedit) dhe të mos e fshihnin atë, por ata e hodhën atë tej pas shpine dhe bënë tregti me të për një fitim të mjerë! Dhe vërtet më e keqja është ajo që ata blenë!”

Pra, këta janë ithtarët e librit dhe shkaku i kritikimit të tyre ishte se ata ia fshehën të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) atë për të cilën ai i pyeti dhe iu përgjigjën për gjë tjetër, duke iu pëlqyer kjo që bënë dhe duke i dhënë përshtypjen Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se gjoja i dhanë që donte, duke pritur gjithashtu që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) t’i lëvdonte dhe t’i lavdëronte ata.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nuk ka pasur për qëllim që ta kufizojë ajetin vetëm kundër tyre, pasi që origjina është në të përgjithshmen e shprehjes dhe jo në shkakun e saj të veçantë, por ai i sqaroi Mervanit gabimin e tij në lidhje me argumentimin e domethënies së përgjithshme të ajetit pa e marrë parasysh shkakun e zbritjes së tij në kuptimin e atij përgjithësimi. Ajeti është i përgjithshëm për çdokënd që vepron si vepra e atyre çifutëve, dhe Allahu e ka përmendur ngjarjen e tyre me qëllim të dhënies mësim, por në këtë mësim duhet marrë parasysh shkaku i zbritjes së ajetit për t’u ruajtur nga vendosja e ajetit jo në vendin e vet.

Tema e gjashtë

Obligueshmëria e të siguruarit për vërtetësinë e shkakut të zbritjes

Nisur nga ajo që sqaruam më parë se njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit luan rol të rëndësishëm në kuptimin e tij në mënyrën më të mirë dhe më të plotë, por duhet që së pari të kërkojmë dhe të sigurohemi për vërtetësinë e atyre shkaqeve.

Dije se gabimi që mund të haset këtu është kur njeriu flet gjithçka që ka dëgjuar, dhe mjafton si gjynah për njeriun që ai të flasë gjithçka që ka dëgjuar pa e vërtetuar saktësinë e tyre.

Shembull për këtë është ajo që ka treguar Jusuf ibën Malik, i cili thotë: “Mervani ishte princ i Hixhazit i emëruar nga Muavija. Ai mbajti hutbe dhe thoshte se pas Muavijes duhet t’i jepej besa birit të tij, Jezidit. Abdurrahmani, biri i Ebu Bekrit i foli atij diçka dhe ai tha: “Merreni!” Por ai hyri në shtëpinë e Aishes dhe ata nuk mundën ta kapnin. Mervani tha: “Ky është ai për të cilin Allahu ka zbritur ajetin: “Por ai që u thotë prindërve: “Uff, të dyve ju! A më premtoni se do të ngrihem (ringjallem përsëri)…” [El Ahkaf, 17]. Atëherë Aisha nga pas murit tha: “Allahu nuk ka zbritur për shkakun tonë (familjes së Ebu Bekrit) gjë prej Kuranit, përveç se Allahu zbriti pafajësinë time.”[10]

Kështu që ka mundësi që Mervanit t’i ketë arritur diçka e tillë nga Abdurrahman ibën Ebi Bekër; se ky ajet ka zbritur për shkak të tij (Abdurrahmanit), dhe gjithashtu ka mundësi që ta ketë thënë nga vetja e tij, por nëna e besimtarëve, Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e mohoi këtë gjë duke thënë: “Për ne, familjen e Ebu Bekrit, Allahu nuk ka zbritur asnjë qortim në Kuran”, dhe fjala e saj është fjala e dikujt që ka përjetuar shpalljen dhe që i di shkaqet dhe vendet e zbritjes së saj, ndryshe nga fjala e Mervanit, më e shumta e të cilit është se këtë gjë e ka dëgjuar dhe e ka thënë si e ka dëgjuar, pasi që ai nuk ka qenë prezent në zbritjen e shpalljes, gjë e cila i bashkohet edhe nervozizmit të tij.

Më e madhe se kjo është marrja e atyre që thuhen në librat e tefsirit e libra të tjerë në lidhje me shkaqet e zbritjes pa bërë dallim mes të saktave dhe të pasaktave prej tyre. Madje disa prej autorëve, shkrimtarëve e këshilluesve ndodh që të përmendim diç prej këtyre transmetimeve dhe mbi to të ndërtojnë baza dhe të bëjnë shtjellime, ndërsa më pas bëhet e qartë se ai transmetim ka ardhur nga ndonjë transmetues gënjeshtar apo i lënë.

Prej shembujve të përhapura në lidhje me këtë është ajo që përmendet në librat e tefsirit për shkakun e zbritjes së Fjalës së Allahut: “Dhe prej atyre (hipokritëve) janë disa që bënë marrëveshje me Allahun (duke thënë): “Nëse Ai na dhuron neve Begatinë e Tij, me të vërtetë që ne do të jepnim Sadaka (lëmoshën e detyruar dhe lëmoshë vullnetare e bamirëse në Cështjen e Allahut) dhe padyshim që do të ishim prej të drejtëve.” Pastaj kur Ai u dha atyre nga Begatitë e Tij, ata u bënë koprracë (si të ishin duarthatë dhe nuk pranuan të jepnin asnjë lloj Sadakaje) dhe kthyen shpinën pa dëshirë (për të dhënë gjë). Kështu që Ai i ndëshkoi ata duke u futur hipokrizinë në zemër deri në Ditën në të cilën ata do të takojnë Atë, sepse ata e thyen atë (marrëveshjen me Allahun) të cilën vetë ia kishin premtuar Atij dhe për atë se ata gjithnjë thurnin gënjeshtra.” [Et Teube, 75-77].

Thuhet se kjo ka zbritur për shkak të Thealebe ibën Hatib el Ensari, historia e të cilit është e trilluar. Ky Thealebe në të vërtetë është i pastër nga hipokrizia dhe ai është nga luftëtarët e Bedrit, dhe siç dihet se Allahu ua ka falur çdo gjë pjesëmarrësve në luftën e Bedrit.[11]

Përmbledhje dhe rregulla

1. Ka prej Kuranit që ka zbritur pa ndonjë shkak dhe ka që ka zbritur për shkak të veçantë.

2. Shkaku i zbritjes së një ajeti apo më shumë njihet me anë të transmetimit të saktë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) apo nga sahabiu.

3. Ajo që thotë sahabiu se është shkak për zbritjen e një ajeti merr gjykimin e hadithit të ngritur tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) edhe nëse Pejgamberi nuk përmendet në të.

4. N.q.s. për zbritjen e një ajeti transmetohen më shumë se një shkak zbritjeje, atëherë ndiqet rregulli i mëposhtëm:

§ Nëse njëri prej dy transmetimeve është më i saktë se tjetri për nga zinxhiri i transmetimit, atëherë ai privilegjohet mbi tjetrin.

§ Nëse janë të barabartë në transmetim dhe nuk janë të qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit, atëherë ato përfshihen që të dy në gjykimin e përgjithshëm të ajetit.

§ Nëse njëri prej tyre është i qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit dhe tjetri jo, ayëherë ai privilegjohet mbi të.

§ Nëse që të dy janë të qartë në të qenurit shkak për zbritjen e ajetit, atëherë ndiqet rruga e të bashkuarit dhe të harmonizuarit mes tyre.

§ Nëse të bashkuarit mes tyre është i pamundur, atëherë nuk ka ndalesë nga të thënurit se zbritja e atij ajeti është përsëritur.

5. Vendimtare është e përgjithshmja e shprehjes dhe jo shkaku i veçantë i thënies së saj.

6. Forma e shkakut përfshihet patjetër në të përgjithshmen e ajetit, d.m.th. se shkaku i zbritjes së ajetit është patjetër për qëllim me zbritjen e atij ajeti, dhe nuk argumentimi i tij për të nuk është sipas mendimit dominues por i sigurtë.

7. Njohja e shkaqeve të zbritjes së Kuranit është nga rregullat e Tefsirit.


PJESA E TRETE

Njohja e sureve dhe ajeteve Mekase dhe atyre Medinase

Vijon …


 

[1] Të dy këto ethere (fjalë të sahabiut) janë të sakta. Ato i ka nxjerrë Ibën Xherir et Taberi në “Tesfsirin” e tij, me zinxhir të saktë transmetimi.

[2] Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i diktoi atij: “Nuk janë të barabartë prej besimtarëve ata që rrinë në shtëpitë e tyre me ata që përpiqen dhe luftojnë për Çështjen e Allahut…” – (Zejdi) Thotë: Në atë kohë vjen Ibën Umi Mektum kur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) po ma diktonte atë ajet, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të mundja të shkoja në xhihad, do të shkoja. –Ai ishte një burrë i verbër-. Në atë çast Allahu i zbriti të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), kofsha e të cilit ishte mbi kofshën time dhe m’u rëndua aq shumë, sa që thashë se mu këput kofsha. Pastaj i ranë si të fikët dhe zbriti Fjala e Allahut të Madhëruar: “përveç atyre që janë të pamundur”.

Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu (nr. 2677, 4316].

Ndërsa në të dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit gjendet hadith i ngjashëm me këtë, nga el Bera ibën Azib.

[3] Hadith i saktë. E transmeton Buhariu (nr. 4707).

[4] Hadith i saktë. Muttefekun alejhi: Buhariu (2, 3043) dhe Muslimi (2333), nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

[5] Hadith i saktë. E ka nxjerrë Ahmedi (6/236, 241), Muslimi (177), Tirmidhiu (3070); nga disa rrugë transmetimi. Tirmidhiu ka thënë: “Ky hadith është Hasen Sahih”.

error: Alert: Content is protected !!