You are here:--Shkencat e Kuranit (3)

Shkencat e Kuranit (3)

2018-10-17T13:51:05+00:00October 17th, 2018|Categories: Kuran|

PJESA E TRETË
Njohja e Sureve Mekase dhe atyre Medinase

 

Autor: Abdullah ibën Jusuf el Xhudej

Përktheu: Dr. Bledar Albani


Tema e parë
Çfarë është për qëllim me Suret “Mekase” dhe “Medinase”

Dijetarët kanë dhënë disa sugjerime në lidhje me këtë temë, por më i qëlluari është: “të bazuarit në kohën e zbritjes së sures apo ajetit, dhe caktimi i hixhretit (emigrimit të Profetit -salallahu alejhi ue selem- nga Meka ne Medine) si kufiri ndarës mes tyre.”

Pra, ajetet apo suret Mekase janë: ato që kanë zbritur para emigrimit të profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), edhe nëse vendi ku kanë zbritur ka qenë jashtë Mekes; kurse ajetet dhe suret Medinase janë: ato që kanë zbritur pas hixhretit, edhe nëse kanë zbritur jashtë Medines.

Kurse sugjerimi që thotë për shembull se duhet marrë për bazë vendi i zbritjes; dhe se suret dhe ajetet Mekase janë ato që kanë zbritur ne Meke, kurse ato Medinase janë ato që kanë zbritur ne Medine, nuk është i përpiktë, për faktin se shumë ajete dhe sure nga Kurani kanë zbritur jashtë Mekes dhe jashtë Medines, kështu që ky përkufizim nuk është i plotë.

Kurse disa dijetarë të tjerë kanë sugjeruar se ajetet Mekase janë ato ku thuhet: “O njerëz!…”, kurse Medinase janë ato ku thuhet: “O besimtarë!…” Por ky përkufizim është i kundërshtueshëm, sepse ka ajete Mekase ku thuhet “O besimtarë!… “ dhe ka ajete Medinase ku thuhet “O njerëz! …”

Pra, përkufizimi i përmendur në fillim është më i sakti, duke e konsideruar hixhretin (emigrimin e profetit -salallahu alejhi ue selem) kufirin ndarës mes tyre, veçanërisht kur marrja e këtij kufiri në konsideratë lidhet me shumë urtësi dhe përfitime disa prej të cilave do i përmendim më pas.

Tema e dytë

Mënyra e njohjes së Sureve Mekase dhe atyre Medinase

Suret Mekase dhe ato Medinase njihen me një nga mënyrat e mëposhtme:

Mënyra e parë: Përcjellja nga shokët e Profetit (salallahu alejhi ue selem), të cilët dëshmuan zbritjen e Kuranit dhe e dinin shkakun, gjendjen dhe kohën e zbritjes së ajeteve dhe sureve. Transmetimet e përcjella prej tyre në lidhje me këtë janë të shumta, por nëse nuk gjejmë diçka të përcjellë prej tyre në lidhje me ndonje ajet apo sure, patjetër që do gjejmë diçka tek pasardhësit e tyre (tabiinët), sidomos ata që i kushtuan vëmendje të posaçme Tefsirit (interpretimit të Kuranit), siç ka qenë Muxhahidi, për shembull; pra nuk ka problem që të mbështetemi në fjalën e tyre në rast se nuk kundërshtohet nga ndonjë argument tjetër më i saktë. E themi këtë për faktin se kanë ardhur disa transmetime nga disa tabiinë, më të sakta se disa transmetime të tjera.

Mënyra e dytë: Opinioni personal i dijetarit në rast të mosgjetjes së diçkaje të përcjellë nga shokët e Profetit apo pasardhësit e tyre. Ky opinion arrihet duke dalluar veçoritë e sureve Mekase dhe atyre Medinase.

Tema e tretë

Veçoritë e Sureve Mekase dhe atyre Medinase

Veçoritë e sureve Mekase

  1. Thirrja në Njësimin e Allahut, konfirmimi i profetësisë së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), konfirmimi i botës tjetër, premtimi dhe paralajmërimi, argumentimi kundër idhujtarëve me prova logjike dhe mrekulli hyjnore.
  2. Vendosja e bazave të përgjithshme të legjislacionit në lidhje me të lejuarat dhe të ndaluarat (hallalli dhe harami), dhe përqendrimi te moralet e larta, si: drejtësia dhe bamirësia; dhe rrëzimi i të kundërtave të tyre prej moraleve të këqia, si: padrejtësia, shthurja morale, dhe dëmtimi i të tjerëve, gjëra që i bënin njerëzit në kohën e injorancës para Islame.
  3. Përmendja e historive të Profetëve dhe popujve të mëparshëm me qëllim të marrjes së mësimit dhe krahasimit, si dhe për të inkurajuar Profetin Muhamed (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarët përreth tij.
  4. Ndalesat e shkurtra mes ajeteve, e shoqëruar me fjalë të forta dhe shprehje përmbledhëse.

Veçoritë e sureve Medinase

  1. Sqarimi në detaje i adhurimeve, rregullave të marrëdhënies mes njerëzve, veprave penale (dënimeve), ligjet e shtetit Islam dhe të gjitha ligjet Islame që i përshtaten jetës praktike të shoqërisë muslimane.
  2. Përqendrimi te ftesa e ithtarëve të Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) dhe sqarimi i gjendjes dhe humbjes së tyre, nisur nga fakti që ishin prezent në shoqërinë Medinase kur Profeti (salallahu alejhi ue selem) emigroi atje.
  3. Zbulimi i realitetit të hipokrizisë dhe sqarimi i cilësive të hipokritëve dhe gjendjes së tyre; duke qenë e ditur se hipokrizia nuk ekzistonte në fillim të Islamit, derisa Allahu i bëri vend kësaj feje në Tokë (në Medine), ku disa njerëz filluan të mbulohen me Islamin në shfaqje nga frika e fuqisë së të vërtetës dhe e ndjekësve të saj, ndërkohë që fshihnin në vetvete armiqësinë, kurthet dhe intrigat.
  4. Gjatësia e ajeteve për t’u përshtatur me sqarimin dhe interpretimin e ligjeve Islame.

Tema e katërt

Shenja dalluese të Sureve Mekase dhe atyre Medinase

Suret Mekase dallohen nga ato Medinase me anë të disa shenjave të përfituara nga grumbullimi i fjalëve të përcjella nga selefët (të parët) prej dijetarëve të Tefsirit, duke marrë parasysh veçoritë e përmendura më sipër.

Nga shenjat dalluese të sureve Mekase

  1. Çdo sure në të cilën ka Sexhde është Mekase, dhe prej tyre është edhe Sureja “El Haxh”.
  2. Çdo sure në të cilën gjendet shprehja “Nuk është ashtu!” (Kela) është Mekase, përshkak se përmban kuptim ndalues, dhe kjo lidhej me idhujtarët, para se muslimanët të forcoheshin.
  3. Çdo sure ku përmendet thirrja “O njerëz!” dhe nuk përmendet thirrja “O besimtarë!”, është Mekase. Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “I lexonim suret e detajuara disa vite në Meke, dhe në to nuk përmendej thirrja “O besimtarë!”[1]
  4. Çdo sure ku përmenden historitë e profetëve dhe të popujve të mëparshëm, me përjashtim të ithtarëve të Librave (hebrenjtë dhe të krishterët), është sure Mekase.

Tabiini dhe Imami Urvah ibën Zubejr thotë: “Të gjitha suret ku përmenden popujt e mëparshëm dhe ndëshkimet e tyre, kanë zbritur në Meke.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Unë e di cilat sure kanë zbritur në Meke dhe cilat në Medine; ato që kanë zbritur në Meke tregojnë për historitë e popujve të mëparshëm dhe nxjerrjen e mësimeve prej tyre, kurse ato që kanë zbritur në Medine flasin për rregullat e trashëgimisë, legjislacionet dhe xhihadin.”[2]

  1. Çdo sure ku përmendet historia e Ademit dhe Iblisit është Mekase, me përjashtim të sures Bekare.
  2. Çdo sure që fillon me shkronja të ndara është Mekase, me përjashtim të sures Bekare dhe Al Imran.

Nga shenjat dalluese të sureve Medinase

  1. Çdo sure ku përmendet një obligim sheriatik apo ndonje vepër penale që ndëshkohet me Sheriat, është Medinase. Urvah ibën Zubejr thotë: “Ato sure që përmbajnë detyrime apo ligje ndëshkuese për veprat penale, kanë zbritur në Medine.”[3]
  2. Çdo sure ku përmenden hipokritët është Medinase, me përjashtim të sures El Ankebut, e cila është Mekase, dhe aty përmendet ky ajet: “Allahu do i zbulojë ata që besojnë dhe do i zbulojë hipokritët.” (El Ankebut, ajeti 11].
  3. Çdo sure ku polemizohet me Ithtarët e Librave të mëparshëm është Medinase.

Duhet të jetë e ditur se këto shenja janë të përgjithshme dhe për to kanë argumentuar gjurmët e përcjella nga sahabët dhe tabiinët, meditimi dhe studimi.

Tema e pestë

Çfarë përfitojmë nga njohja e Sureve Mekase dhe atyre Medinase

  1. Dallimi i ajeteve abroguese dhe atyre të abroguara, dhe ky është kusht që duhet ta njohin mirë ata që flasin për ligjet e fesë dhe i interpretojnë ato.
  2. Të kesh mundësinë të kuptosh Kuranin me anë të aktualitetit në të cilin ai shpallej, dhe kështu arrin aftësinë e vendosjes së teksteve Kuranore në vendin e tyre. Për shembull, suret Mekase marrin në konsideratë dobësinë e besimtarëve dhe arrogancën dhe epërsinë e mohuesve; ndryshe nga suret Medinase që kanë në konsideratë fuqinë, forcimin dhe krenarinë e besimtarëve dhe përçmimin dhe humbjen e mohuesve. Çdo gjendje prej këtyre përmban rregulla bazë për kuptimin e ligjeve Islame dhe vendosjen e çdo gjëje në vendin që i takon duke marrë parasysh gjendjen e njerëzve që ju ngarkohen ato ligje.
  3. Perfitojmë njohjen e metodologjisë së saktë në ftesën e njerëzve te Feja e Allahut të Madhëruar; Suret Mekase dhe Medinase tregojnë fazat e mësimeve profetike në ftesën dhe komunikimin e Islamit. Çdo thirrje në këtë Fe bëhet sipas mësimeve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe kjo thirrje patjetër që do të kalojë në ato faza që ka kaluar më parë. Ndërkaq, përderisa populli musliman është urdhëruar të ndjekë rrugën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), këtij populli nuk i lejohet të veprojë ndryshe nga udhëzimi profetik në zbatimin e Kuranit.

Kjo e vërtetë nuk mund të mësohet thjesht duke qëndruar me kuptimet gjuhësore të teksteve, por duhet të shkohet më tej me hulumtim dhe kuptim të aktualitetit profetik, sepse Kurani zbriste në trajtim të atij aktualiteti.

Tema e gjashtë

Numërimi i Sureve Mekase dhe Medinase

Cilësimi që gjendet sot në shumë prej botimeve të Kuranit, në fillim të çdo sureje, duke e cilësuar si Mekase apo Medinase, nuk është diçka e prerë me urdhër nga Allahu apo i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por ky cilësim është bërë në bazë të gjurmëve të përcjella nga Selefët. Disa prej këtyre cilësimeve janë unanime, kurse disa të tjera janë të diskutueshme. Më poshtë po përmendim numërimin e sureve Mekase dhe Medinase sipas mendimit më të saktë të dijetarëve:

Suret Mekase

El Enam, El Earaf, Junus, Hud, Jusuf, Ibrahim, El Hixhr, En Nahl, El Isra, El Kehf, Merjem, Taha, El Enbija, El Muminun, El Furkan, Esh Shuara, En Neml, El Kasas, El Ankebut, Er Rum, Lukman, Es Sexhde, Sebe, Fatir, Jasin, Es Safat, Sad, Ez Zumer, Gafir, Fussilet, Esh Shura, Ez Zuhruf, Ed Duhan, El Xhathije, El Ahkaf, Kaf, Edh Dharijat, Et Tur,  En Nexhm, El Kamer, El Mulk, El Kalem, El Hakkah, El Mearixh, Nuh, El Xhinn, El Muzzemmil, El Muddethir, El Kijame, El Murslat, En Nebe, En Naziat, Abese, Et Tekvir, El Infitar, El Inshikak, El Buruxh, Et Tarik, El Eala, El Gashije, El Fexhr, El Beled, Esh Shems, El Lejl, Ed Duha, Esh Sherh, Et Tijn, El Alek, El Kadr, El Kariah, El Humezeh, El Fijl, Kurajsh, El Kafirun, El Mesed.

Për këto sure thuajse nuk ka kundërshtim që janë Mekase.

Më poshtë po përmendim suret që janë të diskutueshme, por më e sakta është se ato janë Mekase:
El Fatiha, Er Raad, El Haxh, Er Rahman, El Uakiah, Et tegabun, El Insan, Ez Zelzeleh, El Adijat, Et Tekathur, El Asr, El Mauun, El Keuther, El Ihlas.

Suret Medinase

El Bekara, Al Imran, En Nisa, El Maide, El Enfal, Et Teube, En Nur, El Ahzab, Muhamed, El Fet’h, El Huxhurat, El Hadid, El Muxhadele, El Hashr, El Mumtehine, Es Saff, El Xhumuah, El Munafikun, Et Talak, Et Tahrim, El Bejjineh, En Nasr.

Për këto sure thuajse nuk ka kundërshtim që janë Medinase.

Kurse për suret e mëposhtme ka mospajtim, por më e sakta është se ato janë Medinase:

El Mutaffifijn, El Felek, En Nas.[4]

Tema e shtatë

Ajete Medinase në Suret Mekase

Cilësimi i sures si “Mekase” në bazë të shumicës së përgjithshme në suret e Kuranit përfshin suret që i kanë të gjitha ajetet Mekase, por kur zbrisnin ajetet e Kuranit në vazhdimësi, i Dërguari i Allahu (salallahu alejhi ue selem) thoshte: “Këtë ajet vendoseni në këtë sure dhe në këtë vend!”, kështu që disa ajete Medinase janë vendosur në sure Mekase, dhe kjo është vërtetuar me transmetime të sakta. Po ashtu, ka ardhur edhe një ajet Medinas në Sure Mekase.
Pas grumbullimit dhe studimit të transmetimeve, kemi arritur në përfundimin se ajetet Medinase në Suret Mekase janë vërtetuar vetëm në 9 Suret e mëposhtme:

  1. Në Suren Hud, ajeti 114:“Kryeje namazin në mëngjes e mbrëmje, dhe në një pjesë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë ato të këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.”
  2. Në Suren en Nahl, ajeti 126:“Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar, por nëse duroni, kjo është më e mirë për të durueshmit.”
  3. Në suren el Isra, ajeti 85:“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë nga dija veçse pak.”
  4. Në suren el Haxh, në 3 vende: “11. Disa njerëz e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim, e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (Ajeti 11).

“19. Besimtarët dhe jobesimtarët grinden për Zotin e tyre, por për ata që nuk besojnë janë përgatitur rroba prej zjarri, e mbi kokat e tyre do të hidhet ujë i valuar, 20. me të cilin do t’u shkrihen ç’kanë në barqe dhe lëkura. 21. Për ata ka kamxhikë prej hekuri. 22. Sa herë, që do të përpiqen të dalin nga ankthi i zjarrit, do të rikthehen në të (e do t’u thuhet): “Shijoni dënimin me djegie të tmerrshme!” (Ajetet 19-22).

“39. Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi dhe, në të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm, që t’i ndihmojë 40. ata, që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.”210 Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Ajetet 39-40).

  1. Në Suren Jasin, ajeti 12:“Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.”
  2. Në suren ez Zumer, në 2 vende:“53. Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. 54. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. 55. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë.” (Ajetet 53-55).

“67. Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që iashoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Ajeti 67).

  1. Në suren esh Shura, ajeti 27:“Sikur Allahu ta lëshonte riskun pa masë për robërit e Vet, ata

do ta mbushnin Tokën me mbrapshti. Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.”

  1. Në suren el Ahkaf, ajeti 10:“Thuaju: “Më tregoni, se ç’do të bëhet me ju, nëse Kurani është vërtet prej Allahut e ju e mohoni, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Izraelitdëshmon për vërtetësinë e tij dhe e beson atë, kurse ju tregoheni kryelartë?!” Me të vërtetë, Allahu, nuk i udhëzon (në rrugë të drejtë) njerëzit e padrejtë.”
  2. Në surenetTegabun, ajeti 14: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.”

Kurse ajeti Mekas që është vendosur në sure Medinase, është Fjala e Allahut në suren el Hadid, ajeti 16: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.”


[1] Ether i saktë (sahih). E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe (nr. 30134).

[2] Ether i saktë (Sahih). E ka nxjerrë Ebu Ubejd në “El Fadail” f. 367, dhe Ibën Ebi Shejbe në “El Musannef”, nr. 30131, me transmetimin e parë. Zinxhiri i transmetuesve është i saktë.

[3] Pjesë e fjalës së mëparshme me transmetimin e parë.

[4] Ekziston një mospajtim i vogël rreth numërimit të mësipërm të sureve Mekase dhe Medinase, por meqenëse nuk është i bazuar në argument të qëndrueshëm dhe nuk mbështetet nga argumentimi me veçoritë e sureve, nuk e kemi marrë parasysh.
Nga shkaqet e mospajtimit në përcaktimin e disa sureve si Mekase apo Medinase është mos-përputhshmëria e bazave tek disa komentatorë të Kuranit, dhe ndoshta për shkak të ardhjes së disa ajeteve Medinase në suret Mekase, dikush e numëron atë sure si Medinase, siç ka ndodhur me suren El Haxh, për shembull. Ose për shkak të përqendrimit te disa veçori të cilat jo gjithnjë përputhen me ajete të caktuara, apo për shkaqe të tjera.
Duhet të jetë e ditur se nga Ibën Abasi dhe Ibën Zubejri (radiallahu anhuma) është përcjellë numërimi i të gjitha sureve Mekase dhe Medinase në të njëjtin vend, por këto transmetime nuk janë të qëndrueshme për nga zinxhiri i transmetuesve.

Zgjedhja që kemi bërë në renditjen e sureve Mekase dhe Medinase për të cilat ka mospajtim, e kemi bërë duke u mbështetur në veçoritë e tyre të përmendura më sipër, si dhe duke e forcuar këtë me prova të tjera, për të arritur në përfundimin e sigurtë se surja është Mekase apo Medinase. Kjo vërehet më poshtë:
1. Sureja El Fatiha është Mekase; argumenti për këtë është hadithi i nxjerrë nga Buhariu (4204, 4370, 4426, 4720), nga hadithi i përcjellë nga Ebu Seid ibën el Muala, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Elhamdu lilahi rabbil alemin” [Sureja el Fatiha] është shtatë vargjet që përsëriten dhe Kurani i madhërishëm që më është dhënë mua.” Me këtë hadith i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) interpreton fjalën e Allahut në Suren El Hixhr, ajeti 87: “Ne të kemi shpallur shtatë vërgje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.” Kjo është një mirësi që Allahu i ka dhënë të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe nuk ka kundërshtim se surja el Hixhr është Mekase.
El Begaviu ka thënë gjithashtu se më e sakta është se surja el Fatiha është Mekase, dhe është argumentuar njësoj si më sipër, pastaj thotë: “Nuk mund të ishte mirësi ndaj Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) para se t’i shpallej ajo sure.” [Mealimu et Tenzil, 1/49]. (Pra, surja Fatiha ka zbritur para sures el Hixhr, kështu që patjetër që është Mekase, kur edhe surja Hixhr që ka zbritur pas Fatihasë është Mekase Sh.P.).

  1. Surja er Rahman është Mekase;Ahmedi ka nxjerrë në Musnedin e tij (6/349), se Esma bintu Ebi Bekër (radiallahu anha) ka thënë: “Dëgjova të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur ishte duke u falur në drejtim të Këndit të Jemenit (në Qabe) para se ta publikonte hapur shpalljen ndërsa idhujtarët e dëgjonin të lexonte gjatë faljes: “Atëherë, cilën nga të mirat e Zotit tuaj po e mohoni?!” [Er Rahman].(Pra, kjo sure ka zbritur në Meke). Këtë hadith e ka nxjerrë gjithashtu Taberani në “El Kebir” (24/86), por në transmetimin e tij thuhet: “Pasi ta publikonte hapur shpalljen.” Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i mirë.
  2. Surja Mutaffifin është Medinase;Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibën Abasit (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kur i Dërguari (Salallahu alejhi ue selem) erdhi në Medine, njerëzit atje ishin nga më të këqinjtë për ngrënien në peshore, prandaj Allahu zbriti suren “Uejlun lil mutaffifijn” (Mjerë për ata që hanë në peshë!”Pas kësaj, njerëzit filluan të peshojnë mirë dhe nuk hanin më në peshore.” E ka nxjerrë Nesai (674), Ibën Maxheh (2223), Ibën Xheriri (30/91), Taberani në “El Kebir” (11/371), Ibën Hibani (4919), El Hakim (2240), Bejhakiu në “Shuab” (5286), El Vahidi në “Shkaqet e Zbritjes” (f. 482), El Begavi në “Mealimu Tenzil” (8/361), nga disa rrugë transmetimi, nga El Husejn ibën Vakid, i cili thotë: Më ka treguar Jezid Nahvi (gjuhëtari), të cilit i kishte treguar Ikrimah, se Ibën Abasi kishte thënë këtë fjalë.
    Them (autori): Zinxhiri i këtij transmetimi është i mirë. El Hakim thotë: “Hadithi është i saktë”.
  3. Suret El Felek dhe En Nas janë Medinase;Argument për këtë hadithi i nxjerrë nga Muslimi në “Sahihun” e tij (nr. 814), nga Ukbeh ibën Amir el Xhuheni (radiallahu anhu), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “A e di se natën e mbrëmshme kanë zbritur disa ajete që nuk janë parë të tilla më parë: “Kul eudhu birabbil felek” dhe “Kul eudhu birabi nas”? Dihet që Ukbeh ibën Amire pranoi Islamin në fillim të mbërritjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem) në Medine.
error: Alert: Content is protected !!